Thursday, January 29, 2015

Syriza: ndëshkim, paralajmërim dhe shpresë


Këto janë tre fjalët me të cilat, sipas meje, përmblidhet komenti i parë që mund t'i bëhet fitores së radikalëve të majtë në Greqi të udhëhequr nga Alexis Tsipras.
Duke qenë se Geqia nuk mund të konsiderohet vetëm Greqi, por edhe Evropë, bashkësi evropiane, projekt evropian këto tre fjalë shkojnë për të dy frontet, atë të brendshëm kombëtar dhe atë të jashtëm.
Në frontin e brendshëm fitorja e Syrizas është një ndëshkim për sistemin bipolar/bipartiak të korruptuar që ka sunduar Greqinë (por edhe mjaft vende evropiane) prej disa dekadash ku dy partitë kryesore të alternuara në pushtet, dora dorës, kanë ndërtuar një sistem dhe një kastë në pushtet që është sot përgjegjëse për krizën e vendit. Kjo kastë duke humbur edhe dallimet ideologjike, pas mbarimit të luftës së ftohtë, aplikoi një sistem ekonomik - politik gjithnjë e më larg interesave të shumicës së grekëve ku spikasin konflikte skandaloze të interesave. Sa për ilustrim po përmend faktin se Syriza ka denoncuar (duke premtuar ta ndryshojë) sistemin mediatik privat në Greqi ku zotëruesit e televizioneve private janë njëherësh edhe ata që marrin tenderët kryesore publike për bizneset e tyre të tjera, kanë gazetat kryesore të vendit, janë edhe presidentë skuadrash futbolli. Është një sistem që, siç e dimë, i kalon kufijtë e Greqisë dhe ne shqiptarët e kemi provuar jo pak në kurriz efektin e tij shkatërrues. Dukej sikur ky sistem ishte stabilizuar prej dekadash dhe do  të vazhdonte kështu, por me dështimin që prodhoi, brenda disa vjetësh bëri që një parti e vogël si Syriza, që nuk kishte më shumë se pesë përqind para disa vjetësh, arriti të marrë 36% të votave.
Në frontin ndërkombëtar fitorja e Syrizas është një ndëshkim e paralajmërim edhe për  Evropën dhe projektin evropian. Prej kohësh shoqëritë civile të shumë vendeve evropiane, intelektualët më të shquar, kanë lëshuar parullën për një "Evropë tjetër" jo atë të kapitalit dhe të bankave; për një Evropë ku mirëqenia nuk matet me GDP-në, por me cilësinë e jetës e kuptuar kjo si një Evropë sociale, me solidaritetit, me marrëdhënie më të mira njerëzore, me një jetë në harmoni me natyrën, me më shumë barazi dhe solidaritet dhe jo me polarizim në rritje midis të pasurve dhe të varfërve. Por kjo thirrje ka hasur në vesh të shurdhët. Fitorja e Syrizës është një ndëshkim dhe paralajmërim për këtë shurdhëri. Është një ndëshkim dhe paralajmërim për politikat që adoptoi kjo shurdhëri për t'iu përgjigjur krizës greke, që më shumë se sa në favor të interesave të evropianëve të thjeshtë qenë për të ruajtur interesat e kapitalit të madh e të bankave, për të ruajtur sistemin ashtu siç është: atë të konfliktit të interesave që sundon edhe në vendet më të qëndrueshme evropiane si Gjermania. Greqia gjatë këtyre viteve, u përdor si kavie për të eksperimentuar atë që po ndodh edhe në mjaft vende evropiane: shkatërrimin e shtetit social dhe të të drejtave demokratike - thuhet në një peticion në mbështetje të Syrizas nga 300 firmëtarë, ndër intelektualët më të shquar të majtë, ku spikasin emra të tillë si Noam Chomsky, Etienne Balibar, Tariq Ali, Slavoj Zizek, Tony Servillo. Sipas tyre "paketa  e shpëtimit në fakt ka shpëtuar vetëm bankat gjermane dhe evropiane dhe ka varfëruar njerëzit; ka rënduar papunësinë duke e bërë atë masive." Masat e fundit të marra në Greqi nën diktatin e Gjermanisë, në emër të këtij sistemi, i ka denoncuar së fundi edhe Caritas e cila, sipas një studimi që ka bërë, thotë se kriza e shkaktuar në Greqi nga këto masa, ka sjellë dëme të krahasueshme me ato të një lufte, veçanërisht mbi fëmijët. Sipas studimit të Caritas edhe kush ka një punë me kohë të plotë nuk jeton me dinjitet sot në Greqi; është rritur dramatikisht braktisja e fëmijëve nga prindërit që nuk mund t'i mbajnë ata, veçanërisht e fëmijëve që lindin me probleme; është dyfishuar vdekshmëria e fëmijëve; është rritur papunësia e të rinjve në nivele skandaloze.
Fitorja e Syrizës pra vjen si ndëshkimi dhe paralajmërim, për të gjitha këto.
Por fitorja e Syrizës vjen edhe si një shpresë për të gjithë ata që e kanë për zemër demokracinë, kohezionin social dhe drejtësinë. Ajo ngjall shpresën se ndryshimet në Greqi do të sjellin edhe ndryshime në Evropë. Shpresën se ajo që ndodhi në Greqi, që po ndodh edhe në Spanjë - ku partia e lindur nga lëvizja e të indinjuarve është sot në krye të sondazheve, - do të sjellë ndryshime si në politikat e brendshme ashtu edhe në ato të bashkësisë Evropiane në emër të një Evrope të solidaritetit, të humanizmit dhe dinjitetit e njeriut. Syriza vjen si shpresë në këtë drejtim edhe sepse nuk është një parti raciste ksenofobe, nacionaliste si ato që kanë lindur në disa vende të Evropës, që kërkojnë ta shpjegojnë krizën nëpërmjet fajësimit të emigracionit duke iu kundërvënë kësisoj projektit evropian e duke rrezikuar të na kthejnë prapa në kohë të errëta të urrejtjeve për tjetrin.
Sigurisht nuk do të jetë e lehtë për Tsiprasin të bëhet frymëzues për një Evropë tjetër. Sistemi me të cilin ai ndeshet është shumë i madh dhe i fuqishëm dhe Greqia e vetme nuk është vendi më i përshtatshëm për të shërbyer si model ndryshimi për Evropën. Por kjo fitore gjithsesi tregoi se idealet për të cilat ai luftoi, duke fituar këtë betejë të rradhës, janë më të gjalla se kurrë në kohën që jetojmë, janë mbarë evopiane dhe se ato nuk reshtin së rrahuri në zemrat e atyre që aspirojnë një jetë më të mirë, më me liri, dinjitet dhe barazi, për të gjithë njerëzit e kësaj bote.  (Panorama, 27 janar 2014)

Read More......

Saturday, January 24, 2015

Dilemat e operacionit antidrogë


Në kronikat e operacionit së zbulimit të fabrikës së kokainës në Xibrakë të Elbasanit dhe arrestimit të një grupi trafikantësh ka spikatur në media, veçanërisht, emri i nipit të diktatorit Hoxha. Një sërë teorish konspirative janë ngritur me këtë rast, sipas meje duke shpërqendruar, qëllimisht ose jo, vëmendjen nga thelbi i çështjes që ngre kjo ngjarje. Vëmendja dhe shqetësimi që bart ky operacion, sipas meje, është krejt tjetër nga kurioziteti që mund të ngjallë tek një pjesë fakti se ndër të arrestuarit na qenka edhe nipi i Enver Hoxhës.
E para gjë që duhet thënë, duke komentuar këtë operacion është se droga dhe trafikimi të saj nuk bien si një rrufe në qiell të kaltër. Qielli i Shqipërisë ka vite e vite që është dëshmitar i mbjelljes së marjoanës nga jugu në veri dhe i trafikimit të saj së bashku me drogëra të tjera. Së fundi ai është bërë dëshmitar i transportimit të saj edhe me avionë të ardhur posaçërisht nga Italia.
Po ashtu, prej kohësh është folur për industrinë e pazakontë të ndërtimit në Shqipëri, për numrin e pazakontë të kafe - bareve dhe restoranteve apo të karburanteve në një kohë kur vendi prodhon shumë më pak të mira materiale që të mund të sjellin të ardhura financiare për t'i justifikuar këto investime - duke u shpjeguar kjo ekonomi, e ashtuquajtur "shërbimi", ku më hapur e ku më me doreza, si lavatriçe e pastrimit të parave të pista  të drogës.
Ajo çka është më e keqja lidhet me atë se, sipas asaj thënies së njohur "politika është shprehje e koncentruar e ekonomisë", - që nëse nuk është njëqind përqind e vërtetë ka shumë të vërtetë brenda - ky aktivitet kriminal, dora dorës që është zhvilluar, jo vetëm që ka pushtuar ekonominë e vendit por, nëpërmjet saj, ka kapur edhe politikën e mediet në Shqipëri e akoma më keq ka pervertuar një shoqëri të tërë përsa i përket moralit dhe sistemit të saj të vlerave kulturore. Në këtë aspekt të fundit, do të thosha, fakti që ky aktivitet ka depërtuar deri edhe në familjen e ish diktatorit që, sadokudo bën pjesë në kategorinë e njerëzve të shkolluar apo edhe të së fejuarës së tij, këngëtare e njohur,  flet shumë. Ai denoncon vlerat e një shoqërie të dukjes, të imazhit, të mashtrimit e hipokrizisë,  ku njerëzit janë tjetër në atë që shesin si imazh publik dhe krejt tjetër në të vërtetë. Aq sa elita e këtij vendi, dora dorës që kalon koha, në vend se t'i afrohen vlerave meritokratike, shkojnë drejt atyre vlerave që  mund t'i quajmë të imazheve të droguara, në sensin figurativ dhe real të fjalës.
Poende, edhe demokracia dhe liria në vend janë të cunguara dhe të kërcënuara si rrjedhojë e faktit se ekonomia, politika apo sistemi i vlerave janë tejet të prekura nga ky aktivitet kriminal. Kjo jo thjesht sepse krimet që kanë kryer gjatë viteve trafikantët e drogës kanë mbjellë në vend një klimë frike dhe terrori aq sa në mediet tona shpesh e më shpesh ata që janë vrarë janë mbiquajtur me emrin e dukjes: "biznesmenë ndërtimi" apo edhe thjesht "bisnesmenë", por për sistemin që kanë ngritur duke kapur ekonominë, politikën, mediet, kulturën: drogokraci.
Këto janë gjëra të ditura, veçanërisht nga ata që merren me politikë dhe gazetari, por edhe më gjerë. Pjesërisht dihen edhe emrat edhe lidhjet që kanë këta grupe me njerëzit e politikës dhe pjesërisht është shumë e lehtë të zbulohen - mjaft që shteti të hetojë burimin e pasurive të dyshimta të shumë prej qytetarëve të vet. Vështirësia ka qëndruar në ato që thash më sipër.
Prandaj, sipas meje, ka shumë vëmendje lidhur me këtë operacion të fundit. Pyetja thelbësore që ngre opinioni është: a po bëhemi me këtë operacion dëshmitarë të përpjekjes së pastrimi të ekonomisë, të politikës, të shtetit të krejt shoqërisë shqiptare nga intoksikimi i drogës, apo jo?
Përgjigja në sy të parë është tejet kontradiktore sepse ngjarja mund të ndahet në dy pjesë. Njëra është ajo ku ngulmon maxhoranca që thotë me mburrje se ky është zbulimi i fabrikës më të madhe të drogës në Shqipëri dhe eliminimi i saj, sëbashku me rrjetin, është në vazhdën e operacioneve si edhe ai i Lazaratit apo Dukagjinit. Dhe nuk mohohet se gjatë kësaj maxhorance ka pasur disa operacione  kapjeje laboratorësh përpunimi droge si dhe kundër kultivimit dhe trafikimit të saj.
Por ka edhe një gjysmë tjetër të  ngjarjes që bazohet në disa pikëpyetje që ngre ky operacion. Pikëpyetja e parë është se si ka mundësi që kjo fabrikë - më e madhja në Ballkan - qënka ngritur pikërisht në kohën kur është maxhoranca në pushtet, madje një maxhorancë që i ka shpallur luftë botërisht drogës. Kësaj i shtohet edhe pyetja: nëse është e vërtetë se rrjeti e ka kryer aktivitetin më parë jashtë, siç thuhet në disa media, fakti që tani vendosën ta zgjerojnë në Shqipëri, a nuk të bën të dyshosh se kanë pasur një garanci më të madhe, pikërisht pse janë afër apo edhe sponsorë të kësaj maxhorance - siç pretendon edhe opozita? I shtohen këtyre pyetjeve edhe disa informacione lidhjesh farefisnore apo miqësore apo të biznesit të një pjese të këtyre njerëzve me pushtetarë socialistë. Shtohet gjithashtu edhe një pyetje që është ngritur së fundmi: në një kohë që policia dhe prokuroria mburren që kanë mbajtur sekretin si shpjegohet që kanë ndërhyrë që të nesërmen e ditës kur është zbuluar laboratori (13 janar) ndërkohë që ta do mendja se për të zbuluar bashkëpunëtorët e rrjetit në dogana e kufi apo edhe pritësit në Gjermani do të duhej të ndiqej i gjithë trafiku? A mos vallë ndërhyrja me kaq shpejtësi është bërë për të mbuluar gjurmët e kokave më të rëndësishme.
E pra, nëse gjysma e parë e ngjarjes të bën të shpresosh, gjysma e dytë të bën të dyshosh se ose operacioni është kryer për shkak të presionit të gjermanëve dhe është dështuar me qëllim duke mbetur tek peshqit e vegjël, ose që brenda socialistëve ka grupe rivale që kërkojnë të kontrollojnë këtë "biznes", ose që brenda maxhorancës ka një pjesë që kërkon sinqerisht ta luftojë këtë të keqe dhe një pjesë tjetër që kërkon ta mbajë në pushtet  dhe ta zhvillojë.
Rezultati përfundimtar i këtij operacioni, nëpërmjet procesit hetimor dhe gjyqësor që do ta pasojë atë, do të na japë përgjigje ndaj këtyre dilemave. Përgjigje që lidhen me atë se sa do të kërkohet të zbulohen e të asgjësohen kokat, rrënjët e degët e këtij rrjeti,  të cilit, deri tani, duket sheshit se i kanë mbetur shumë pjesë jashtë. Qoftë edhe vetëm për këtë përgjigje ky operacioni, meriton të konsiderohet si një ngjarje tejet e rëndësishme dhe pozitive e të ndiqet me vëmendje të veçantë.  (Panorama, 19 janar 2015)

Read More......

Friday, January 9, 2015

Edi Rama dhe mediat sipas darkës gala


Te ftesa për pjesëmarrjen në darkën gala me mediat me rastin e Vitit të Ri, që më erdhi me e-mail nga stafi i Kryeministrit, më tërhoqi vëmendjen fraza: “Lutemi na njoftoni nëse e morët këtë e-mail”. Ma tërhoqi vëmendjen pasi, zakonisht, në kësi lloj ftesash të kërkojnë të njoftosh pjesëmarrjen, jo marrjen e e-mailit. Por nuk e vrava shumë mendjen, megjithatë, të gjej shkakun pse ishte formuluar kësisoj. U përgjigja “faleminderit, e mora” dhe, sa për pjesëmarrjen, vendimin e kisha tashmë në kokë pasi prej kohësh kam hequr dorë nga kësi lloj galash. Nëse do t’i radhitja arsyet, të parën do të vija dozën e lartë të energjive që të duhet të harxhosh për të duruar e dhënë në këto darka buzëqeshje nga ato që ekonomistët e lumturisë i cilësojnë si tregues palumturie ngaqë janë të shtirura, zgërdheshje, hipokrite, çka e tregon mënyra e sforcuar e tërheqjes zë zigomave për të treguar dhëmbët. Pastaj do të shtoja se në këtë shoqërinë tonë, që kërkon të imitojë atë perëndimore, duke u bërë përditë e më shumë karikaturë e saj, është harruar fare ajo këshilla e urtë sipas së cilës njeriu publik duhet të dalë në skenë nëpërmjet veprës që i intereson publikut, kurse veten e tij private duhet ta mbajë sa më larg kësaj skene, e jo të bëjë të kundërtën, siç po ndodh këtu te ne përditë e më rëndom.
Por kisha edhe një arsye më profesionale, nëse mund ta quaj kështu. Atë që ka të bëjë me thënien e Montanelit, që e kam përsëritur shpesh, por fatkeqësisht pa ndonjë sukses: “Larg atyre gazetarëve që hanë e pinë me politikanë”. 


* * *
Kuptohet se, megjithatë, nuk mund të mos isha kurioz për të parë se çfarë kishte ndodhur në atë darkë. Lexova kështu fjalën e Ramës dhe disa reagime në shtyp.
Së pari më duhet të them se nuk pajtohem me ata që shkruan të revoltuar se darka dhe fjala kanë qenë organizuar si hakmarrje e Kryeministrit ndaj kundërshtarëve. Sipas asaj thënies se çdo e keqe ka një të mirë, unë them se Kryeministri ynë i kësaj radhe nuk është nga ata që mbajnë inat. Kur të ka përfund, shumë-shumë ai dëfrehet duke të tallur, mund të të ulë dhe kalin e tij në tryezë në shembullin e Kaligulës që e bëri kalin e tij senator, por inat nuk mban, sepse të mbash inat do të thotë edhe të kesh ca parime, kurse ai nuk ka të tilla. Sigurisht, në ëndrrën e tij finale, Rama, siç do të thoshte Canetti për tipat që zgjedhin pushtetin për të zgjidhur problemet me vdekjen, imagjinon një botë me njerëzit të shtrirë të gjithë nën këmbët e tij dhe prandaj, po i dole përpara më këmbë, mund të përdorë çfarëdolloj intrige për të të shtrirë barkas. Por këtë e bën jo nga inati, por nga bindja paranojake se ti je shumë i parëndësishëm, një vegël e thjeshtë e synimit të tij të madh të përjetësisë, që ai mund ta hedhë tej sapo të mos i duhet më. Por ama, për të njëjtin synim, me të njëjtën lehtësi ai hedh tej edhe çdo vegël morale të vetën, – nëse mund të flitet se ende i ka mbetur ndonjë e tillë. Për të vërtetuar këtë që po them mjaft të kujtojmë të thënat e pathënshme që ka shkëmbyer ai me mjaft politikanë dhe gazetarë – po përmend vetëm Ilir Metën dhe Mero Bazen – dhe se si, pastaj, pa pikën e vështirësisë morale apo inatit, i ka bërë grurë marrëdhëniet me ta.

Prandaj për mua darka ishte më shumë një moment dashurie, një dëshirë për t’i parë gazetarët të gjithë duke ngrënë shtrirë, si në traditën romake, në paqe dhe harmoni me kryedarkuesin. Sigurisht edhe duke u dëfryer, bërë gallatë e tallur me ndonjë që s’mund të hapë gojën, ditëziu, por vetëm të falënderojë që e kanë ftuar në një darkë me aq rëndësi.
Në inskenimin e kësaj gala-gallate hynte edhe leja që iu dha disa gazetarëve të merrnin fjalën dhe të thoshin ç’të donin kundër tij – në traditën e palaçove të pallateve që janë të vetmit që i thonë mbretit disa të vërteta të hidhura, sigurisht me dashuri dhe për ta bërë për të qeshur, jo për ta hidhëruar.
Disa thonë se kapërcimi në tallje i gallatës ndaj një numri gazetarësh tregon se ai deshi, qëllimisht, t’i poshtëronte duke u thënë: unë ju tall e poshtëroj e ju jeni aq legenë sa s’reagoni dot se ua kam mbyllur gojën o direkt juve, ose nëpërmjet pronarëve tuaj. Mua më duket pak i ekzagjeruar ky interpretim. Mos harroni se ai tha edhe se jemi të gjithë legenë me diametra të ndryshëm – pra pa përjashtuar as veten. Tha edhe se s’duhet ta marrim veten dhe aq seriozisht duke çtensionuar kësisoj goxha fërkimet që mund të sillte fjala e tij e duke na përvijuar kësisoj një situatë më së shumti humori e gallate që mua veçanërisht nga mbyllja, kur foli për seriozitetin e mosseriozitetit, më kujtoi thënien e atij deputetit irlandez: “Gjendja është e pashpresë, por jo serioze”.

Dhe, me thënë të drejtën, nuk mund të thuash se Kryeministri s’ka të drejtë. Gjendja e mediave tona është vërtet e pashpresë, por jo serioze. Mjaft të kesh parasysh se Klani tani është bërë me Ramën dhe Sandri nuk i merr më të falat nga Kryeministri nga larg, nëpërmjet gazetarëve të tij, por ulet kokë më kokë me të në krye të vendit. Prandaj, për mua, problemi është më shumë me ata që i shkuan për darkë – sesa me atë që i ftoi. Disa gazetarë më thanë se e bën edhe Obama një darkë të tillë, ç’të keqe ka? Po punë e madhe se e bën edhe Obama. Këto argumentet me të huajt tani i hanë vetëm trushpëlarët, por jo gazetarët që s’paskan kuptuar ende se në sytë e publikut të gjerë këtu te ne, të bësh pjesë në këtë lloj kaste galash nuk është ndonjë nder, përkundrazi. Për mua ata janë viktimë e botës virtuale që kanë krijuar vetë, sipas së cilës po nuk figurove në ekrane, nuk ekziston.

* * *


Gjithsesi, edhe sikur ta kem gabim kur them se Kryeministri nuk i ftoi gazetarët me ndjenja hakmarrjeje, për një gjë pajtohem me të revoltuarit: është e qartë se ai nuk na ka ftuar as me ndjenja respekti për punën që bëjmë. Këtë mosrespekt që e rrezatonte i gjithë inskenimi i asaj maskarade e gjeta edhe në frazën që kishte thënë për mua gjatë traptalljes së tij – që edhe mund ta kishte kursyer përderisa nuk isha i pranishëm. Në stilin e atyre komentuesve anonimë me pagesë nëpër rrjetet sociale tha se Lubonja edhe faktin që Papa i dha botës një mesazh madhështor nga Shqipëria do ta mohonte thjesht sepse këtë e kam thënë unë, d.m.th. ai, Edi Rama. Më duket se kaq mjafton për të treguar se ai s’ka ndonjë respekt për mendimin e gazetarit Lubonja dhe s’do mend se e thotë për ta delegjitimuar atë në sy të lexuesit.

Një pyetje më lindi mua, megjithatë, duke lexuar “vlerësimet” si për mua, edhe për të tjerët: A ka ndonjë gazetar apo vdekatar çfarëdolloj këtej nga bota shqiptare të cilin ai e sheh me seriozitet dhe i jep përgjigje me argumente, apo të cilit ia aprovon qoftë edhe ndonjë kritikë të vetme? Mua më rezulton se nuk ka dhe se gala-gallata ishte një provë më shumë e kësaj të vërtete të hidhur. Dhe ky është një problem i madh, sipas meje, sepse, nëse opozitën e konsideron herë si bebe që ka nevojë për babysiter, herë si shpifarake të papërgjegjshme, nëse gazetarët i vë në rresht me pjatë në dorë për t’u hedhur një garuzhde supë nga ajo e gatuar në Kryeministri dhe nëse ndonjë kokërr që s’do ta hajë këtë supë e tall dhe e këshillon të hidhet nga penxherja, atëherë kush do t’ia bëjë kritikën qeverisjes?

* * *

Edhe dy fjalë për mesazhin e Papës që Rama e renditi si ngjarjen më të rëndësishme e vitit. Me sa kuptoj, e ka fjalën për mesazhin e tolerancës dhe bashkëpunimit midis komuniteteve fetare për të cilin unë kam shkruar se është një fabrikim, pasi na shitet ateizmi dhe nacional–komunizmi krejtësisht intolerant i Enver Hoxhës si bashkëpunim midis të ndryshmëve, ndërkohë që të ndryshmet s’janë lejuar as të ekzistojnë për gjysmë shekulli në vendin tonë, dhe se, në këtë kuptim, ne vazhdojmë ta vuajmë atë trashëgimi. Dhe a nuk janë prova më e qartë e vazhdimit të intolerancës dhe mosbashkëpunimit të trashëguar nga ajo kohë Rama vetë dhe partitë tona që edhe këtë fund viti u desh të vijnë të huajt që t’i fusin së bashku në Parlament? Të them të drejtën, mua nuk do të më shkonte mendja ta quaja vizitën e Papës si ngjarjen më të rëndësishme të vitit vetëm pse Papa paska zgjedhur Shqipërinë si trampolinë për t’i hedhur botës mesazhet e tij. Dhe jo pse këtë e ka thënë Rama, por sepse ngjarje të rëndësishme dhe mesazhe të rëndësishme unë konsideroj ato që sjellin ndryshime në jetën e një vendi, dhe jo ato që vazhdojnë të kultivojnë frymën e thellë të provincializmit në një vend ku, meqenëse nuk ndodh asgjë dhe s’duhet të ndodhë asgjë, ngjarja më e rëndësishme shitet vizita e radhës e ndonjë të madhi që vjen nga qendra e perandorisë. Vizitën e Papës dhe mesazhet e tij mund t’i kisha quajtur të rëndësishme nëse, pas tyre, në Shqipëri do të kishte filluar të reflektohej ndonjë gjë nga mendimet e Papës. Me këtë rast u kujtoj adhuruesve të rremë të tij me në krye Edi Ramën – në fakt përdoruesit të vizitës së tij për qëllime që s’kanë të bëjnë fare me mesazhet që ai jep – se Papa në mesazhet e tij flet kundër polarizimit të shoqërive në të pasur dhe të varfër, flet kundër mondanitetit, kundër mburrjes, vanitetit, kundër adhurimit të këtyre zotërve të rremë, veçanërisht parasë. E në këtë aspekt, ai, siç e gjeti ashtu dhe e la Shqipërinë: plot me pushtetarë të pasuruar e të pasuruar pushtetarë, me në krye Edi Ramën, që mburren e bëjnë mondanitet e vanitet përballë të varfërve, pa ndier pikë turpi për faktin se këto s’i kanë arritur as me djersën e ballit, as me ndershmëri, por duke vjedhur, mashtruar e bërë krime. Mjaft të shihje darkat dhe ballot gala të fundvitit të adhuruesve të tij të rremë. U kujtoj gjithashtu se Papa së fundi ka folur edhe për koherencën. “Nuk mund të flasim si kristianë dhe të veprojmë si paganë”, – ka thënë ai. “Duhet të jemi koherentë me besimin që predikojmë. Ungjilli predikohet më së pari me vepra, me pëvujtni, me një shërbim të heshtur … me defektet tona që kërkojmë t’i ndreqim, me kufizimet tona që Zoti na i njeh… dhe pastaj me fjalë”. Kurse Kryeministri ynë dhe të pasuruarit rreth tij, si ata që e morën ostën gjatë meshës, edhe ata që nuk e morën, vetëm harmoninë e veprave me fjalët nuk e njohin. 
Prandaj do të thosha se nëse në botën e ekranit që sheh e propagandon Edi Rama – dhe shumë nga gazetarët e gala-gallatës – gjatë këtij viti kanë ndodhur shumë ngjarje të suksesshme, në botën reale situata më duket se është shumë e pasuksesshme – jo vetëm për faj të Kryeministrit, të kuptohemi. Dhe them se nëse këta do ta shihnin këtë botë me sytë e Papës, mund të na e kishin kursyer atë darkën mondane të gala-gallatës në Pallatin e Brigadave. (Panorama, 8 janar 2015)

Read More......