Tuesday, February 24, 2015

Skizofrenia shqiptare dhe Rama në La 7




Para disa kohësh kam botuar një artikull, ku midis të tjerash kam shkruar edhe për skizofreninë shqiptare. I mëshoja idesë se shqiptarët vazhdojnë edhe sot, si në kohën e propagandës komuniste, të jetojnë në mënyrë skizofrenike në dy botë: njëra ajo e mburrjes me heronjtë e figurat e tyre të lavdishme dhe tjetra ajo e mallkimit të gjendjes së tyre të mjeruar, që rezulton e shkaktuar nga po këta figura. Në atë shkrim e kisha fjalën për heronjtë e UÇK-së, që po e qeverisnin Kosovën kundër shqiptarëve. Mora shumë sulme në atë kohë, që më akuzonin si antishqiptar deri në atë shkallë sa po i shaja shqiptarët si të sëmurë psikikë. Në fakt, përdorimi i termit skizofreni nuk ka vetëm kuptimin psikiatrik, por edhe një kuptim tjetër: si bashkekzistencë elementesh inkompatibël apo kontradiktorë në një gjendje, në një libër, në një politikë, shkrim, fjalim apo mendim. Është një term që përdoret për ta shprehur edhe më me forcë atë që me fjalë më të buta mund të quhet kontradiktë, inkoherencë.

Rasti po më jepet që ta sqaroj edhe një herë termin që kam përdorur. Ndërkohë që vendi njohu përmbytjen më të paparë në historinë e vet, për shkak të abuzimeve të rënda njëzetvjeçare me territorin, ndërkohë që në Shqipëri ka shpërthyer krimi sheshit duke arritur të vërë eksplozivë deri në biznesin e familjes së ministrit të Brendshëm, ndërkohë që kriza ekonomike është shpalosur rëndshëm, e lidhur edhe me krizën në Greqi dhe Itali, ndërkohë që shumë shqiptarë po ikin si kurrë më parë në vitet e fundit, në mediet shqiptare pashë të adhurohet një shkrim i Roberto Savjanos “Kjo nuk është më Shqipëria e nënshtrimit”, marrë nga “Espresso”, ku shkrimtari i “Gomorra”-s përsëriste lajtmotivin e një kënge, që ka disa kohë që këndohet në mediet italiane. Sipas kësaj kënge, Shqipëria ka ndryshuar, aq sa tashmë nuk kemi më fenomenin e ikjes, por atë të ardhjes jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të italianëve. Dhe ajo që më la pa gojë edhe më shumë sesa Shqipëria e përshkruar nga Savjano, ishte reagimi i shqiptarëve në rrjetet sociale. Thuajse të gjithë ishin të lumtur që jashtë shtetit flitet mirë për vendin e tyre, se Kryeministri i kishte përfaqësuar ata denjësisht, aq më tepër sikur ishin bindur edhe vetë se kjo ishte e vërteta. Thoshe me vete: janë apo nuk janë këta që ankohen pa fund për gjendjen në Shqipëri?
Ja për këtë lloj skizofrenie e kisha fjalën. 

* * *
A është kjo skizofreni një gjë e natyrshme apo një sëmundje kulturore? Sipas meje, deri në një pikë është e natyrshme për sa kohë si qenie njerëzore jemi të shtrënguar të jetojmë shumë kontradikta, ndër të cilat një nga më të fortat është pikërisht ajo midis reales dhe ideales, midis dëshirave të pamata që kemi dhe mundësive të kufizuara për t’i realizuar ato. Por pikërisht për të njohur diferencat midis këtyre dhe për të gjetur mënyrën se si t’i jetojmë në mënyrë sa më të shëndetshme këto kontradikta, na shërben inteligjenca jonë, edukimi, kultura; Na shërben edhe politika, edhe gazetaria. Kurse mua më rezulton se një kulturë perverse e politikës dhe e gazetarisë kërkon t’i (keq)përdorë këto kontradikta njerëzore. Duke shfrytëzuar dobësinë e njerëzve që, edhe kur ndihen keq, duan vetëvlerësim për t’u ndier mirë dhe faktin se shqiptarët e kërkojnë këtë veçanërisht nga të huajt, ndaj të cilëve kemi kompleks inferioriteti, politika shqiptare tenton të manipulojë njerëzit nëpërmjet medieve të huaja. Këtë e bën duke ua shitur atyre realitetin që jetojmë si parajsë dhe pastaj duke na i kthyer shkrimet dhe reportazhet e tyre si pasqyrën ku duhet të shohim veten. Dhe kjo për të legjitimuar pushtetin e autorëve të kësaj parajse në fakt skëterre. Shqiptarët që s’kanë pavarësi mendimi mbeten kështu të sugjestionuar nga autoriteti i të huajve e shohin vendin si parajsë dhe si skëterrë njëherësh. Një pjesë e mirë kalojnë nga njëra gjendje në tjetrën, nga njëra botë në tjetrën pa arritur të kuptojnë se ku qëndron mashtrimi dhe cilët janë mashtruesit.

* * *
Ky manipulim, veçanërisht me medien italiane, ka ca kohë që ka filluar rëndshëm. Para disa kohësh kur isha në Bari, më erdhën dy gazetarë dhe më bënë pyetjen pohim: na e shpjego pak të lutem këtë mrekullinë shqiptare; tani nuk janë më shqiptarët që ikin nga Shqipëria, por italianët që vijnë në Shqipëri. Kuptohet, mbeta i befasuar. M’u kujtua një film i Amelios që ka bërë para ndonja dy-tre vjetësh që mbyllet me personazhin që shkon e gjen punë në Shqipëri dhe u thashë se e paskan marrë fiksionin e Amelios, që synon të ironizojë gjendjen në Itali, si realitet. Por jo shumë kohë më vonë pashë një faqe të tërë të “La Republica”-s me këtë temë, që intervistonte edhe një shqiptar të suksesshëm që është rikthyer në Shqipëri dhe ka hapur një call center. Nuk vonoi shumë dhe një gazetare e “Rai 2” më erdhi një ditë në shtëpi dhe më tha se kishte ardhur të paraqiste Shqipërinë ku po kthehen jo vetëm shqiptarët, por po vijnë edhe italianët. Kur i kërkova të më thoshte se cilat ishin këto bizneset italiane që paskan ardhur e po e lulëzuakan Shqipërinë, nuk diti të më thotë si rast më të suksesshëm sesa call center-in e famshëm. Po pse të duket punë për njeriun puna në një call center? – i thashë, ku të rinjtë shqiptarë futen si pulat në inkubator për 8 orë duke bërë telefonata idiote për të marrë 200–300 euro në muaj?
Është normale, madje simpatike që ka italianë që nuk e shohin Shqipërisë me sy racist, siç është vështrimi që ende mbizotëron në Itali. Por edhe këtyre gazetarëve u kërkohet një sens realiteti, nuk u lejohet që të mashtrojnë bashkëqytetarët e tyre, pa e ditur, ndoshta, se po përdoren edhe për të mashtruar shqiptarët.

* * *
Dalja e Ramës në “La 7”, në një emision që tentonte të paraqiste Shqipërinë si parajsën e italianëve, ishte për mua një pikë kulminante e një politike të tillë skizofrenike. Sepse duke e dëgjuar nuk mund të mos mendoje për skizofreninë shqiptare: ishte i njëjti njeri që para jo më shumë se një viti e gjysmë ka bërë përshkrimet më të zymta të gjendjes së Shqipërisë: mjerim, varfëri, papunësi, korrupsion, padrejtësi, klientelizëm, sistem që korrupton edhe gjermanët jo shqiptarët, çfarë nuk ka thënë. Duhet të jesh budalla të mendosh se Shqipëria u kthye në parajsë për italianët në këtë një vit e gjysmë kur janë ndërprerë thuajse edhe investimet për shkak se më parë duhen paguar borxhet - siç ka thënë edhe vetë Kryeministri. Dhe ai i famshmi që ka hapur call center nuk ka ardhur në kohën e Ramës, por në kohën që Rama mallkonte. Edhe Amelio në atë kohë e ka bërë filmin. Por, për çudi, as opozita nuk reagoi për këtë. Nuk i kërkoi Kryeministrit as llogari se pse nuk ul bythën të punojë në zyrë, por e shohim gjithë kohën në ajër duke fluturuar jashtë për të promovuar Shqipërinë si vepër artistike të tij, ndërkohë që ajo është më keq se kurrë. Sepse të gjithë duhet të jemi të lumtur për imazhin e Shqipërisë në botë. Dhe kush thotë se nuk është kështu, shpejt e paraqesin si antishqiptar. Ja kjo është skizofrenia.

* * *
Dikush mund të thotë se Kryeministri e ka bërë këtë për të tërhequr investitorë italianë. Unë nuk mendoj se një italian mund të vendosë të vijë në Shqipëri nga një emision televiziv. Ai mund të vijë të investojë pasi ta shkelë terrenin; dhe, në mos qoftë mafioz- siç kanë qenë për fat të keq mjaft italianë që kanë investuar në Shqipëri- do ta mendojë dy herë investimin në një vend, ku përditë vihet tritol dhe grabiten banka. 
Që t’i bie shkurt, unë jam bindur se gatimi i këtij imazhi të rremë të Shqipërisë nuk vjen direkt nga kuzhinat mediatike italiane, por nga kuzhinat e Tiranës në bashkëpunim me një gazetari të keqe italiane (ndoshta edhe me ambasadën italiane). Ky manipulim nëpërmjet mbulimit të Shqipërisë reale me gjethen e fikut të vizatuar nga mediet e huaja koincidon me ardhjen e qeverisë së re në pushtet me në krye një mjeshtër të manipulimit mediatik, siç është Edi Rama, i cili ka një aparat propagandistik (sot e quajnë network) që punon dhe shpërblehet për këtë punë, brenda dhe jashtë vendit. Dhe qëllimi i kësaj pune, siç e thashë, nuk është sjellja e investimeve, por manipulimi i njerëzve, trullosja në mos mpirja e sensit të tyre të realitetit, e sensit të tyre kritik. Sepse kjo punë i shërben pushtetit jo vetëm për të rritur prestigjin dhe autoritetin e tij mbi shqiptarët, por edhe për të delegjitimuar kritikën e brendshme që është edhe kështu shumë e dobët për shkak të një opozite të diskredituar dhe të një medie dhe shoqërie civile më së shumti klientelë e pushtetit. (Panorama 24 shkurt 2015)

Read More......

Saturday, February 21, 2015

Rezistenca e kujtesës


Duke lexuar mbi regjimet autoritarë dhe ata totalitarë më ka mbetur në mendje ideja e një sociopsikologu të njohur, sipas të cilit diferenca midis tyre qëndron në atë se regjimi autoritar nuk do t’ia dijë edhe aq nëse njerëzit besojnë vërtet në ato që thotë pushteti, mjafton që këta t’i binden, kurse regjimi totalitar kërkon që njerëzit jo vetëm t’i binden, por edhe t’i besojnë ato që thotë ai; pra kërkon edhe nënshtrimin në mendje dhe në shpirt të njeriut. Kush nuk e bën këtë konsiderohet armik po aq sa ai që nuk bindet.
Nëse do t’i referohemi historisë sonë si ilustrim mund të sillja dallimin midis kohës së Mbretit Zog dhe kohës së komunizmit. Nëse mbreti i kërkonte asokohe shkrimtarit Petro Marko thjesht një deklaratë se nuk ishte komunist që të mund të botonte bashkë me Branko Merxhanin revistën “Përpjekja Shqiptare” – e ky nuk e bëri, pa mundur të jetë bashkëbotues, por pa pësuar gjë, – në kohën e Enver Hoxhës një deklaratë e tillë as imagjinohej se mund të kërkohej pasi presupozohej automatikisht se shkrimtari kishte përqafuar ideologjinë e pushtetit dhe konsiderohej armik dhe dënohej minimumi me burg, nëse refuzonte të deklarohej i tillë.
Më kaloi nëpër mend kjo ide duke lexuar librin e Fabian Katit “Formësimi i kujtesës kolektive” mbi ngjarjet tragjike në Dukagjin, Malësinë e Madhe dhe Postribë në vitet 1945 – 1946. Po pse ky asosacion idesh? Sepse një nga gjërat që ma nxit pareshtur kuriozitetin teksa rrekem të kuptoj njeriun e rritur në komunizëm, (vetveten më së pari), është zhbirilimi i atij procesi që synon ta manipulojë njeriun deri në thellat e shpirtit, aq sa të komandojë jo vetëm veprimet, por edhe ndjenjat e mendimet e tij. “Nuk ka asgjë më të tmerrshme dhe më të mistershme sesa mnemoteknika” – thotë Niçja për teknikën e incizimit, sipas tij “me flakë”, në kujtesën e njeriut të narrativës që dikton pushteti. Çfarë teknikash të kombinuara përdoren gjatë këtij procesi? Çfarë ndodh tek njeriu? A mund t’i rezistohet? Si mund t’i rezistohet? Sa mund t’i rezistohet?
***
Një nga teknikat që ka përdorur totalitarizmi për t’i bërë njerëzit të besojnë në ato që thoshte ka qenë ngulitja në mendjet e tyre e narrativës së tij. Me narrativë të komunizmit kuptoj atë rrëfim të historisë dhe të zhvillimeve të botës e të vendit, që kryhej nëpërmjet të gjitha mjeteve të komunikimit, duke filluar që nga propaganda e përditshme e deri tek arti më i rafinuar. Kjo narrativë, – ndryshe mund ta quaja mitologjia e pushtetit komunist, lidhte në mendjen e njeriut të shkuarën me të tashmen dhe të ardhmen nëpërmjet një interpretimi ideologjik, teleologjik e synonte të bëhej jo vetëm botëkuptimi i tij, por edhe udhëzuesi i jetës së tij. Zotëruesi dhe predikuesi i kësaj narrative bëhej zot i jetës së njerëzve e, në rreth vicioz, që ky të bëhej zot, kjo narrativë duhet ngulitur pashkulshmërisht në mendjet e tyre. Ashtu si ato figurat e tatuazheve që nguliten pazhdukshmërisht në lëkurë, heronjtë dhe idetë e kësaj narrative, ashtu sikundër dhe anti heronjtë e antiidetë që ajo demonizonte, duheshin ngulitur pashkulshmërisht deri në thellat më intime të psikikës, duke ngjallur, të parët ndjenja pozitive, të dytët negative.
Për ta kuptuar këtë proces mund të na ndihmojë krahasimi me narrativën e shkrimeve të shenjta, por jo deri në fund. Që një fe të ngjisë tek njeriu duhet që shkrimet e saj të shenjta mundësisht të futen tek ai që i vogël, nëpërmjet riteve të saj, që ai të rritet me ta, me bëmat e heronjve të këtyre shkrimeve kundër të keqes, t’i bëhet një mënyrë jetese, një mënyrë të menduari, kuptim jete dhe shprese. Për të arritur këtë instrumentet e tatuazhit punojnë veçanërisht në atë pjesë të psikes së njeriut që ka nevojë të besojë, që ka nevojë për përkatësi, për identitet, për siguri, për dikë që e mbron nga e keqja, që i jep shpresë. Por kujdes, nëse për një besimtar të inspiruar nga këto shkrime, rrugëtimi i tij drejtohet jo vetëm nga predikuesit në tokë, por edhe nga Zoti në qiell, që ndodhet diku larg, lart, si sundimtar i një bote tjetër, si gjykatës i fundit që e pret atje për ta shpërblyer apo ndëshkuar për jetën që ka bërë në tokë, apo për t’i dhënë vendin që i ka pas taksur, në narrativën komuniste, ajo botë dhe vetë Zoti kishin zbritur në tokë. Parajsa dhe ferri, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja jote, gjyqi yt final, ishin në vendin dhe kohën ku ti jetoje, – një parajsë dhe ferr i përditshëm, në fakt,  – dhe Zoti ishte i veshur me petkun e diktatorit, i cili kishte sigurinë se ishte ai i plotfuqishmi i kësaj dhe asaj bote, ai që mbante edhe çelësat e parajsës edhe ato to ferrit, të së tashmes dhe të së ardhmes tënde. Dhe ti duhet të jetoje me sigurinë se përtej tyre, përtej tij, nuk kishte asgjë.
***
Narrativa e regjimit totalitar komunist fillon me historinë e Luftës Nacionalçlirimtare. Sipas saj heronjtë komunistë çliruan vendin nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre, por ky ishte vetëm fillimi i një misioni shumë më të madh. Metaforikisht ata kishin për detyrë të udhëhiqnin karvanin e popullit shqiptar, bashkë me malet e tyre, drejt tokës së premtuar të komunizmit, që do të thoshte të transformonin tokën ku jetonin shqiptarët, sipas tyre nga një ferr në një parajsë. Ishte rruga që ata e kishin gjetur dhe që ata e dinin se nëpër cilat shtigje do të kalonte. Si një pjesë e kësaj lufte janë paraqitur edhe ngjarjet e përmendura në këtë libër, si një eliminim i mbeturinave të armiqve që kërkonin të pengonin ecjen drejt kësaj rruge. Në narrativën komuniste heronjtë nuk kishin fytyrë njerëzore. Ata të së mirës merrnin shpesh pamjen e dëshmorëve të kësaj lufte dhe paraqiteshin me tipare mbinjerëzore që duheshin adhuruar. Kurse heronjtë e së keqes futeshin të gjithë në disa fjalë të tmerrshme, të zeza, ndër të cilat më të përdorurat kanë qenë “bashkëpunëtor me armikun”, “reaksionar”, “armik i klasës”. Ata nuk kishin as jetë të veçantë përveç armiqësisë, as etër, as nëna, as vëllezër e motra, as fëmijë. Në botën manikeiste të narrativës ata ishin përfaqësuesit e së keqes dhe mendimi për ta duhet të shoqërohej me ndjenja negative, si frika, urrejtja, përçmimi. Sikur të ndodhte që ata të ngriheshin nga varri ata duheshin rivrarë dhe rivarrosur përsëri.
“Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj/ Nëse s’do që nesër skuadër e pushkatimit/
Të të vejë në mur/ tek Bulevardi i Madh”, – shkruanin poetët e narrativës asokohe.
Sepse narrativa nuk ndërtohej vetëm me rrëfenjat entuziazmuese e mbresëlënëse të bëmave të heronjve. Ajo kishte nevojë edhe për “flakë”, siç thotë Niçja. Pse flakë? Sepse, që të incizohej pazhdukshmërisht, narrativa kishte nevojë edhe të shkatërronte përfundimisht. E për këtë ajo kishte nevojë edhe për një instrument tjetër të tmerrshëm: frikën se, nëse dilje jashtë saj e besoje apo tregoje ndonjë narrativë tjetër, do të ndëshkoheshe si armik dhe të priste burgu, ose edhe vdekja. Frika e terrori ishin flaka që digjte çdo qelizë nga ato që mund të kultivonin në mendjen dhe shpirtin e njeriut mundësinë e një besimi tjetër, qelizat e dyshimit apo të mendimit kritik e të pavarur.
***
Duke lexuar këtë libër nuk mund të mos shtrosh pyetjen: Sa dhe si i kanë rezistuar këtij procesi kujtimet “e ndaluara” me të cilat takohemi këtu? Sepse në ato kujtime gjejmë pikërisht narrativën e atyre që kanë qenë në krahun e humbësve, jo të fitimtarëve. Por personat që tregojnë nuk janë ata vetë. Personazhet që tregojnë kanë qenë fëmijë në kohën e ngjarjeve. Janë kryesisht bij ose familjarë të protagonistëve të atyre ngjarjeve, personazhet e shumë prej të cilave kanë përfunduar të pushkatuar nëpër brigje lumenjsh, me gjyq dhe pa gjyq e nuk u dihen as varret, ose kanë vdekur gjatë dekadave në vazhdim, një pjesë pa dalë dot nga burgjet. Këta fëmijë e kanë kaluar jetën e tyre nën flakën e narrativës komuniste, terrorin verbal dhe fizik të saj për dekada deri në vitin 1991. Duke pasur parasysh këtë nuk mund të mos imagjinosh se ruajtja e këtyre kujtimeve është një rezistencë e kujtesës. Edhe rrugët e kësaj rezistence duhen studiuar. Ndërkohë që narrativa komuniste prodhonte me zhurmë çdo vit tonelata me letërsi të shkruar, filma, muzikë, emisione radiofonike, festa përkujtimore, përvjetorë çlirimi, përvjetorë të rënësh, konferenca studimore, narrativa e të humburve mezi mbijetonte nëpër dhoma të varfra familjesh të persekutuara, shpesh të internuara, apo nëpër qeli burgjesh. Ajo qarkullonte fshehurazi dhe në heshtje nën kërcënimin e nenit të agjitacionit e të propagandës që parashikonte deri në 10 vjet me burg për ata që tregonin rrëfenja apo copëza rrëfenjash si këto që lexojmë në këtë libër.
***
Duke lexuar dhe dëgjuar dëshmitë e mbledhura nga Fabian Kati të duket sikur autori ka shkuar në Veri dhe ka mundur të gjejë vetëm ca fragmente mbetjesh arkeologjike të një ngrehine së cilës i janë shembur e rrënuar shumë pjesë. Na shfaqen ca copëra muresh këtej e ca gurë e tulla andej, por shumica ka humbur, ose e ka mbuluar bari e dheu. Mosha e rrëfimtarëve që ai ka gjetur është ajo e pleqërisë. Ndonjëri është edhe mbi të 90-at. Shumë nga qelizat e trurit të tyre, ku ruhet kujtesa, me moshën ndoshta edhe kanë vdekur dhe çdo qelizë e vdekur mund ta imagjinosh si një tullë të kësaj ndërtese që është rrëzuar dhe thërrmuar. Vdekja e çdonjërës prej tyre ka qenë si shembja e një ndërtese të tërë. Synimi i regjimit ky ka qenë, në fakt: që kjo kujtesë të zhdukej përfundimisht. Dhe, sikur të kishte zgjatur edhe disa dekada, ndoshta kjo do të ndodhte. Por edhe kështu duket sikur jemi duke ecur nëpër rrënoja që, së bashku me legjendën që bartin, të ngjallin edhe një ndjenjë të thellë padrejtësie dhe trishtimi. Trishtimin e së pariparueshmes.
Edhe me të padurueshme e bëjnë këtë ndjenjë trishtimi mendimi se janë dashur të kalojnë njëzet e kusur vjet nga rënia e komunizmit që dikush të kujtohej të mblidhte kujtimet orale të këtyre njerëzve. Nuk dua të zgjatem këtu me një temë që e kam trajtuar tjetërkund: faktorët se pse nuk ka ndodhur kjo ndërkohë që këta njëzet vjet duhet të ishin vitet e rishkrimit të historiografisë dhe memuaristikës së shkruar nga komunizmi. Kujtoj me këtë rast se jemi ndoshta i vetmi vend në botën ish-komuniste që nuk ka ende një libër të vetëm të historianëve shqiptarë që të trajtojë historinë e komunizmit. Shkurt do të thosha se një nga faktorët kryesorë është fakti se elitat që morën, ose më saktë trashëguan pushtetin pas rënies së komunizmit, duke përfshirë edhe historianët, jo vetëm janë rritur me narrativën komuniste, por janë më të shumtët edhe krijuesit e saj. Dhe duke qenë se legjitimimi i pushteti u ka ardhur nga emri që kanë bërë nëpërmjet punës për atë narrativë, nuk u ka interesuar ta hedhin atë poshtë, por vetëm ta korrektojnë aty-këtu, duke e trajtuar terrorin e ushtruar nga ai regjim thjesht si një apendiks të asaj historie dhe jo si shtyllë qendrore të atij pushteti. Duke lexuar këtë libër për shembull del se Veriu më shumë sesa u çlirua nga pushtuesi, – siç trumbetonte narrativa e fitimtarit, u pushtua nga komunistët me një operacion dhune dhe gjaku, shumë gjaku, por që ka hasur edhe rezistencë. Për këtë të vërtetë nuk duhej folur gjatë komunizmit, aq më pak për rezistencën e njerëzve në Veri, madje edhe rezistenca e kujtimit të rezistencës së tyre duhej zhdukur. Kjo përmbysje e historisë dhe identifikimi i përgjegjësve të atyre krimeve dhe pastaj i shkruesve të narrativës së gënjeshtërt nuk i ka interesuar kësaj elite. Po ashtu, pjesa e kësaj elite që rrëmbeu flamurin e antikomunizmit, duke qenë e edukuar me metodat e atij pushteti, e manipuloi për interesa politike me të njëjtat metoda të narrativës komuniste persekutimin e popullit shqiptar duke tjetërsuar, kësisoj, thelbin e tij. Hallet e pafundme që u krijuan nga politikat e mbrapshta gjatë këtyre njëzet vjetëve, si dhe triumfi i kulturës konsumiste që e ka reduktuar njeriun thjesht në shijues të së sotmes pa një kujtesë të së shkuarës dhe pa një projekt të së ardhmes, kanë plotësuar procesin e harrimit të këtyre ngjarjeve kaq tragjike.
Megjithatë duke lexuar librin“Formësimi i kujtesës kolektive” të vjen ndërmend edhe një fjalë e urtë që thotë: “E vërteta mund të hollohet, por nuk këputet.” Këto dëshmi hedhin dritë mbi një të vërtetë që është harruar deri atje ku s’mban më, por që nuk ka humbur krejtësisht. Sigurisht, nëpërmjet njohjes së këtyre historive ne nuk e zhbëjmë dot padrejtësinë ndaj viktimave. Por njohja e këtyre të vërtetave është e rëndësishme për të vendosur drejtësi në kujtesën tonë të deformuar nga narrativa komuniste, sepse janë të shumtë ata që nuk u japin të drejtë atyre viktimave edhe sot në kujtesën e tyre e që këtë padrejtësi ua transmetojnë edhe trashëgimtarëve të tyre. E kjo është e rëndësishme, shumë e rëndësishme si për të vdekurit, të cilëve u japim drejtësinë e mohuar për gjysmë shekulli, edhe për të gjallët.
Po ende, njohja e këtyre të vërtetave është, ndoshta, edhe më e rëndësishme për ata, veçanërisht të rinj, që janë indiferentë ndaj tyre, madje që nuk kanë asnjë kujtesë. Sepse është e njohur thënia se “një histori që harrohet është e destinuar të përsëritet”. Duke lexuar librin ne kemi një ndjenjë të thellë empatie për ata njerëz që janë marrë dhe pushkatuar pa gjyq, për të terrorizuar të tjerët. Na vjen vetvetiu thirrja e brendshme se kjo nuk duhej të ndodhte. Se kjo është një padrejtësi. Është një imunitet i rëndësishëm ky që fitojmë ndaj të keqes. Çdo padrejtësi që zbulojmë dhe denoncojmë na mbron edhe ne vetë nga padrejtësitë që mund të bëjmë në jetë, sepse vazhdojmë të jetojmë në një botë ku shohim përditë se sa lehtë njeriu i paditur mund të kthehet në xhelat ndaj tjetrit.

*Parathënia e librit të Fabian Katit “Formësimi i kujtesës kolektive” mbi ngjarjet tragjike në Dukagjin, Malësinë e Madhe dhe Postribë në vitet 1945 – 1946. (Gazeta Mapo, 21 shkurt 2015)



Read More......

Monday, February 16, 2015

Koment për eksplozivet dhe konçesionet

Ndër pistat e shumta që ka ngritur opinioni lidhur me atentatet me eksploziv, konkurrojnë për vend të parë ajo e maxhorancës, sipas të cilës kemi të bëjmë me një reaksion të krimit (me gjasë i nxitur edhe nga opozita), pasi ai po ndien darën e saj t’i shtrëngohet, dhe pista e opozitës, që e akuzon maxhorancën se këtu kemi të bëjmë ose me një luftë bandash brenda maxhorancës, ose me një paralajmërim që i bën krimi për prishje të paktit parazgjedhor (me qelbësirat).
Të dyja pistat kanë argumentet dhe kundërargumentet e veta sipas meje. Disa aksione antikanabis të qeverisë si ai i Lazaratit apo i Dukagjinit mbështesin argumentet e maxhorancës, por si këto aksione, ashtu edhe një numër ngjarjesh dhe lidhjesh të politikanëve të maxhorancës me botën e krimit, nuk të lënë pa dyshimin se mund edhe të kemi të bëjmë me segmente të kokainës të lidhura me maxhorancën, që reagojnë ndaj prishjes së ndonjë pakti – sigurisht të pashkruar.
Personalisht kam qenë dhe mbetem i mendimit se në sistemin e pushtetit që ka ndërtuar politika jonë, edhe “biznesi” i drogës, si shumë “biznese” të tjera, ka lulëzuar në sajë të lidhjeve me të dyja forcat politike, por ndërrimi i pushteteve, gjithsesi, ka prishur ekuilibra dhe shkaku i eksplozivave, krahas rritjes së presionit nga jashtë mbi pushtetin, si dhe krizës ekonomike që ka kapur vendin, duhet kërkuar më së shumti në këtë prishje ekuilibrash.
Megjithatë, unë po guxoj të hedh në treg edhe një pistë alternative, që nuk para ma ka zënë syri në mediat tona: bombavënësi/it edhe mund të mos jenë nga ata trafikantët e thekur të drogës, as të lidhur me këtë apo atë forcë politike, por njerëz që s’mbajnë dot më pikërisht për shkak të një pushteti, që rrjep e varfëron paturpësisht shumicën për të pasuruar paturpësisht një pakicë. E di që shumëkush që është mësuar ta shohë realitetin me lentet mediatike të binoklit PS–PD, duke mbyllur njërin sy madje, do ta skartojë këtë pistë duke më akuzuar si marksist. Nuk ngulmoj se kjo është pista e drejtë po e them derisa e mendova. Ju lutem! Po si nuk mund të mendosh edhe kështu kur lexon lajmin se PS dhe PD na qenkan marrë vesh në Bashkinë e Tiranës që ta grabisin edhe më tej pasurinë tonë publike, duke i dhënë me koncesion për 35 vjet klientelës së tyre parkimet në rrugët ku ecim – rast ky që, me aq sa di, nuk ka precedent në Europë, pasi kudo parkimet në rrugë administrohen nga bashkitë.
Unë për vete u trondita dhe u shqetësova nga ky lajm, po aq sa nga eksplozionet e tritolit. Dhe, kur u trondita unë që i kam mëshuar prej vitesh tezës se këtu te ne nuk ka as të majtë as të djathtë, por dy banda që luajnë poker me paret tona; se politikanët tanë janë kukullat në skenë që ua tërheqin fijet në prapaskenë interesat e kësaj loje, se konfliktet e tyre janë teatër për të mbuluar këta interesa, mendoni të tjerët që ndoshta ende besojnë te njëra palë apo tjetra. Për t’u konsultuar edhe me mendime të tjera u vura, gjithsesi, të lexoj komentet poshtë lajmit dhe pashë se revoltimi kishte shpërthyer nëpër rrjete sociale. Lexoni se çfarë shkruajnë komentuesit anonimë:
Anonimous: “Kryeministrin jo vetëm që e paska kapur top mafia media për gryke, por e paska kapur dhe Lul Basha me atë rast. Mjerë ky popull e mjerë ky vend që drejtohet nga rrugaçë.” (vazhdojnë disa sharje për pronarët e Topit dhe të Klanit dhe birin e Berishës me pyetjen: pse këta do të mbajë në kurriz ky popull naiv?). “Shumë mirë na e bëjnë. Shumë shpejt do shohim autobusë me rini që do të duan të zhduken njëherë e mirë që këtej, si autobusët e Prishtinës.”
Real: “Mos u shqetësoni njerëz. Rastin më të mirë e keni në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, ku futjen brenda dhe daljen e menaxhojnë njerëzit e LSI. Kjo do të thotë se këta PADRINOT e Shqipërisë po mundohen dita ditës se si të gjejnë mënyra për të na rrjepur nga lekët.”
Pelasgian: “E TURPSHME DHE SKANDALOZE. NËSE APROVOHET KY KONÇESION TË GJITHË BANORËT E TIRANËS TË ÇOHEN NË PROTESTA. MOS VALLË DO KËRKOJNË TË JAPIN ME KONÇESION EDHE STOLAT E LULISHTEVE???”
Arjan: “Në vitet e para të ‘demokracisë’, të gjithë profesorët e mi u bënë pushtetarë. Kjo më bëri të jetoj disa kohë të shkurtra pushtetin nga “brenda”. Duke parë nga afër vjedhjen, mashtrimin, talljen me fukaranë, kazanin e qelbur të korrupsionit, pothuajse u tmerrova dhe u detyrova të largohem përgjithmonë nga Atdheu im i dashur. Ndoshta jam refugjat në vend të huaj, por mundësitë për të jetuar i qetë me fëmijët e mi me djersën e ballit janë më reale dhe sot po e kuptoj se sa shumë durim kam bërë që të mos kthehem kurrë në Albanistan. Jo nga njerëzit, jo nga varfëria, jo nga infrastruktura, por vetëm që të mos shtrij dorën tek njerëzit më të urryer në rruzullin tokësor ‘POLITIKANËT’ shqiptarë, me veglat by… lëpirëse të tyre.”
E pra unë shtroj pyetjen: në një vend ku nuk lindin as lëvizje politike as shoqëri civile as kurrnjisend demokratike që t’u kundërvihet këtyre njerëzve kaq të urryer a nuk vjen një moment kur ndonjëri nga këta arjanët, pellazgët anonimët apo realët të vendosë të përdorë mjete të tjera jo ligjore siç janë p.sh. edhe eksplozionet?
PS. Edhe në mos qoftë e vërtetë kjo pistë, por ajo se bombat i kanë venë trafikantët, a nuk kanë të drejtë ata të mendojnë se tek e fundit tritolin po ua vënë të ngjashmëve të tyre, madje se moralisht qëndrojnë më lart se ata pasi, për t’u pasuruar vënë veten në rrezik, kurse këta rrufjanë duan të pasurohen duke mos rrezikuar asgjë, përveç jetës së atyre që u premtojnë përditë se po punojnë për lumturinë e tyre? (Panorama, 16 shkurt 2015)


Read More......

Tuesday, February 10, 2015

Për përmbytjet dhe mbytjet e tjera

Duke parë pamjet e përmbytjes nuk mund të mos mbetesh pa gojë nga shtrirja dhe dëmi i tyre. E pabesusheme! Pyetja që të lind bashkë me çmeritjen është: a kemi të bëjmë me një fatkeqësi natyrore apo me përgjegjësi njerëzore? Në raste fatkeqësish, që i mbiquajmë “natyrore”, ndodh që vështirë të vesh një kufi të ndarë qartazi se ku mbaron egërsia e natyrës dhe ku fillon përgjegjësia njerëzore. Ka një zonë mbivendosjeje, gri në mes tyre. Bije psh. një tërmet dhe shkatërron e shemb shumëçka. Ka shumë rëndësi se sa janë ballët e tërmetit, por ka shumë rëndësi edhe se sa njeriu ka ndërtuar duke llogaritur tërmetet paraardhëse, se çfarë zone është ajo, çfarë projektesh kanë bërë arkitektët, a i kanë verifikuar konstruktorët, çfarë materiali është përdorur, e me radhë.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për përmbytjet. Nuk është vetëm sasia e rrëshekëveqë derdhen nga qielli që përcakton fatkeqësinë, por edhe se sa njeriu ka mësuar nga përmbytjet e mëparshme, sa ka ndërtuar kanalizime, sa ka pyllëzuar, sa ka ndërtuar në zona të sigurta e me radhë.
Përshtypja që të krijohet nga përmbytja e fundit është se dëmi i pamatë që po na shohin sytë është përtej zonës gri, në një zonë të zezë: atë të përgjegjësisë njerëzore. Kemi të bëjmë, pra, me një fatkeqësi njerëzore. Në një nga fjalimet  e tij të fundit Papa përmendi diçka që ia ka thënë një fshatar vite më parë: “Zoti fal gjithmonë, ne nganjëherë po, nganjëherë jo, kurse toka nuk fal kurrë.” Ajo që po shohim me përmbytjet këtë vit është ndëshkimi në formën më të egër i njeriut shqiptar nga një tokë e trajtuar në mënyrën më barbare. Të vjen të thuash se njerëzit që jetojnë në këtë rrip toke u ka rënë një sëmundje e rëndë mendore: kanë humbur si kujtesën e së shkuarës edhe aftësinë për të ndërtuar ndonjë parashikim të së ardhmes dhe jetojnë, kësisoj, si kafshët, vetëm përditshmërinë. Hanë dhe ikin. Është një sëmundje që ka kapur njëfarësoj gjithë botën sepse njeriu në vrapin e tij për të fituar, në garë me tjetrin, ka vënë në rrezik planetin. Por ne jemi treguar pa kurrfarë imuniteti ndaj kësaj sëmundjeje të kapitalizmit “ha dhe ik”. Ngaqë na bije për herë të parë, ndoshta.
***
Është e kotë të zgjatesh për të përshkruar dramën. Ajo që duhet diskutuar sot është se ç’duhet bërë dhe jo vetëm që dimrin tjetër të mos  ndodh përmbytje të tilla ujore, por që të mos mbytemi edhe më keq se ç’jemi mbytur në të gjitha aspektet e jetës sonë njerëzore. Sepse përmbytjet ujore dhe jo-ujore ka kohë që na japin një leksion që s’po duam ta mësojmë: se nuk mjafton të jesh një grumbull individësh i hedhur mbi një rrip toke për t’u quajtur një komb, shoqëri, por duhet edhe aftësia për tu organizuar në këtë rrip toke; se nuk mjafton të flasësh të njëjtën gjuhë, por edhe ta përdorësh këtë për tu marrë vesh me njëri tjetrin; se nuk mjafton as të kesh një histori të përbashkët, nëse nga kjo histori nuk ke mësuar për të ndërtuar një të ardhme më të mirë të përbashkët.
Ndonjë kritik do të më thotë në këtë pikë: a ke ndonjë mendim konkret se çduhet të bëjë qeveria se këto i dimë. Nuk jam specialist i drenazhimeve dhe kanalizimeve e pyllëzimeve, por më duket me rëndësi të theksoj se ajo me çka përballemi nuk është thjesht  çështje e mbjelljes së pemëve, e ndërtimit të kanalizimeve, por shumë më tepër se kaq: çështje e ndërtimit të shtetit, e ndërtimit të marrëdhënieve njerëzore midis njëri tjetrit, e kulturimit. Në këtë kontekst, sipas meje, pika nga ku duhet të niset shteti (jo qeveria) është ndërmarrja e nismave që të mos jenë përsëritje e gjërave që kanë sjellë përmbytjen e radhës. Thashë “shteti” jo “qeveria”, sepse që këtu fillon sëmundja jonë: ne kemi dy qeveri, por jo një shtet. Kujtohuni se çfarë kemi parë deri tani, rëndom, në raste të tilla? Kemi parë pamje dramatike përmbytjesh (dhe shumë mbytjesh mos harroni), shqiptarë që tregojnë fatkeqësinë që u ka ndodhur, pastaj qeveritarë që i vizitojnë dhe që u premtojnë dëmshpërblim, opozitën që denoncon qeveritarët; pastajrreshjet pushojnë dhe nuk merret vesh më se çfarë bëhet deri në përmbytjen tjetër edhe më të madhe. Kur vjen ajo tjetra, ndodh që rolet kanë ndryshuar, e akuzuara e djeshme zë e akuzon qeverinë e sotme,  e cila, edhe ajo, premton dëmshpërblim se përndryshe të përmbyturit ia japin votën kundërshtarit. (Kësaj here madje pamë edhe garë se kush do të shpërndajë e para pako me oriz dhe makarona). Duke sikur fatkeqësia urohet të vijë, që të ndryshojë fatet e lojës së pushtetit të tyre. Kësisoj përmbytjet apo fatkeqësitë janë bërë lojtare në jetën tonë politike. Ashtu si LSI-ja ato bëjnë aleancë një herë me njërën dhe një herë me tjetrën parti të madhe.
Kjo histori duhet të mbarojë. Përmbytja duhet të konsiderohet si një armik i përbashkët dhe jo si një armik i njërit dhe aleat i përkohshëm i tjetrit. Është pikërisht kjo që i mban në këmbë përmbytjet/fatkeqësitë. Duhet t’i jepet fund lojës  së (sh)përdorimit politik e mediatik, për efekt vote, të përmbytjeve e të fillojë punë serioze që mund të shërbejë edhe për ndërtimin e një shteti që funksionon për të gjithë. Duhet të fillojë një punë për rritjen e komunikimit dhe bashkëpunimit midis njerëzve, si dhe midis njerëzve dhe institucioneve në emër të mbrojtjes së hapësirave publike si dhe  dhe të rritjes së kulturës ambjentale në frymën e asaj thënies së urtë, produkt i përvojës shekullore, sipas së cilës toka nuk është një trashëgimi që na e kanë lënë stërgjyshërit, por një borxh që na kanë dhënë brezat e ardhëm.
Si konkretizim mund të propozoja psh. që ajo që sot quhet Drejtori e Emergjencave duhet të zgjerohet e fuqizohet me një grup të veçantë specialistësh nga ata të vërtetët dhe jo klientelisë, pa dalime partiake dhe pa konflit interesash, që të bëjë studime në të gjithë vendin për të përcaktuar zonat më të rrezikuara, shkaktarët e këtyre rreziqeve dhe po ashtu ndërhyrjet që duhen bërë në të ardhmen kundër tyre. Këta duhet  të venë gishtin mbi aktivitete, siç janë ndërtimet pa vend, shpyllëzimet apo pikat famëkeqe të prodhimit të rërës e zhavorrit që kanë masakruar lumenjtë, që duhen ndaluar urgjentisht. Ashtu sikurse pikat ku duhet investur urgjentisht në mbjellje pemësh, e ku di unë, për të parandaluar katastrofat e ardhshme. Edhe masat afatshkurtëra të ndihmës duhen marrë në harmoni me këto studime dhe jo kundër, siç më duket se ka ndodhur rëndom me përmbytje të tilla. Sigurisht duhet dhënë ndihma për të mbijetuar, por nuk mendoj, për shembull, se duhet të dëmshpërblihen njerëz që janë përgjegjës për dëmin që kanë pësuar duke menduar se nesër ata të votojnë kundër. Votat e këtyre njerëzve nuk duhet t’i kërkojë asnjë parti – dhe ja pse duhet një politikë ndryshe.

Në këtë kontekst ndryshimi politike po shtoj edhe diçka. Kryeministri aktual kur ishte kryetar bashkie dhe filloi të pikturojë fasadat e pallateve, ndërkohë që prapa tyre çfarë nuk bëhej, përdori një argument kundër atyre që i kërkonin punë më të qëndrueshme në kohë: “nuk do të thotë që një grua, meqë është e varfër – tha - të mos lyhet.” Duket se me këtë stil pune tani ka vendosur të “lyej” Shqipërinë pa menduar psh. se sa pyllëzim mund të kryhej me paratë që janë shpenzuar për të zbukuruar rrugën nga Rinasi në Tiranë, si makiazh për tu bërë efekt të huajve. Them se atij i duhet bërë e qartë se këtu nuk bëhet fjalë për një “grua të varfër”, por “të sëmurë” dhe se t’i vesh asaj të kuq për t’i lyer buzët dhe faqet në vend se ta kurosh është një mashtrim që ia nxjerr bojën çdo shi i rëndomtë e jo më rreshje si këto që ranë dhe presim të na bijen. (Panorama, 9 shkurt 2015)

Read More......

Wednesday, February 4, 2015

Syriza dhe kasta shqiptare

Në një gjykim bashkohen të gjithë shqiptarët kur komentojnë Syrizan (përtej asaj nëse kjo parti është zgjidhja e duhur): se grekët, nëpërmjet saj, i dhanë një ndëshkim kastës greke si dhe sistemit klientelar, të korrupsionit e të konfliktit të interesit që ajo ka ngritur. Ndërkaq, kur bie fjala për mundësinë që kjo të ndodhë në Shqipëri, bashkohen në një klimë nënshtrimi fatalist ndaj gjendjes në të cilën ndodhemi. Kur hapet biseda, ata i bien shkurt duke të thënë se ajo që ndodhi atje nuk mund të ndodhë në Shqipëri. Është një gjykim transversal, që jepet në masë, si nga njerëzit më të thjeshtë, edhe nga politikanët më të lartë të kastës. Nëse do ta ndanim në kategori këtë masë, do të dallonim dy kategori kryesore: një që e vuan, që i është nënshtruar, me hir apo me pahir, kastës dhe sistemit të instaluar prej saj dhe një kategori rreth kastës që e gëzon këtë pandryshueshmëri. Nëse do ta ndajmë kategorinë e parë, do të veçonim ata që e shprehin nevojën e ndëshkimit, por që vazhdojnë të funksionojnë sipas asaj thënies: “nuk i bihet murit me kokë” dhe kategorinë e atyre që në pjesën më të madhe as nuk e mendojnë një gjë të tillë, sepse sistemi i mban në gjendjen e mbijetesës: s’kanë në dorë jo vetëm instrumente ndëshkimi, por as kohë të mendojnë për këtë, pasi të nesërmen mund ta shohin veten pa mundësi për të jetuar apo ushqyer fëmijët. Nga ana tjetër,  duket sheshit se kasta në pushtet e përjeton me një lloj sigurie apo edhe arrogance këtë gjendje. Në fakt, edhe ajo flet për ndryshim, madje edhe ndëshkim, por duke e mbajtur në dorë po ajo edhe monopolin e ndryshimit/ndëshkimit duke e integruar edhe atë në sistemin bipolar që ka ngritur. Kësisoj, ajo nuk manifeston as më të voglin shqetësim se, sikur të arrinin të bëheshin bashkë ata që e kërkojnë me të vërtetë ndryshimin, të nënshtruarit e pashpresë dhe ata që i janë nënshtruar me pahir, do ta shihte veten përballë një poli të tretë të frikshëm për të. Për momentin ndryshim/ndëshkim për politikanët tanë të kastës do të thotë thjesht dhe vetëm: ardhje dhe riardhje në pushtet nëpërmjet modelit bipolar tashmë të stabilizuar sipas parullës: “të ndryshojë gjithçka që të mos ndryshojë asgjë”. Nëse i kujtohet lexuesit, pasi ra nga pushteti, duke ditur gjendjen ekonomike në të cilën e kishte lënë vendin, Sali Berisha dhe liderë të tjerë të PD-së evokonin vazhdimisht “skenarin grek”, rënien e Papandreut dhe rikthimin në pushtet të Neodemokracias. Por dyshoj shumë se sot do t’i referoheshin më skenarit grek me emrin Syriza, që nënkupton se grekët më në fund e arritën vetëdijen se ndryshimi duhet kërkuar në ndryshimin e sistemit që këta politikanë kanë ngritur dhe, po ashtu, se ata që e kanë ngritur, shkaktarët e tragjedisë së tyre, nuk mund të bëhen edhe shpëtimtarët e tyre. Ndërkaq, Rama, edhe pse në pozitat e një Papandreu, në kuptimin e rrënimit që po vjen dhe pamundësisë për të ndryshuar/ndëshkuar vërtet, nuk sheh në horizont asnjë kërcënim për pushtetin, përveç “të keqes më të madhe: Berisha”, që sapo është rrëzuar. Prandaj në luftën e tij për pushtet merakoset vetëm të vazhdojë të mbajë elektoratin, mediet, shoqërinë civile, shkrimtarët, artistët e sa më shumë në anën e tij e kundër partisë tjetër, që mbetet e vetmja alternativë për shqiptarët, çka do të thotë se realisht i lë shqiptarët pa alternativë.

* * *
Por le ta shohim pak ndryshe, duke iu referuar përvojës greke, këtë përpjekje të vazhdueshme të kastës për të ndarë mes vetit elektoratin, mediet, shoqërinë civile, e gjithçka tjetër – paratë, po, paratë mbi të gjitha – duke i integruar brenda sistemit që ka ngritur, duke mos lejuar kësisoj të lindë ndonjë gjë e ngjashme me Tsiprasin.
Mua më duket se fakti që në Greqi (ashtu sikurse në Spanjë, në Itali e gjetkë) mund të dalë dhe del një lëvizje demokratike që është kundër kastës, sistemit, duhet lexuar jo vetëm si tregues krize, dështimi, ndryshimi, ndëshkimi, por edhe si një shkallë më e lartë e demokracisë në atë vend. Pra, me gjithë mëkatet që kanë në kurriz Partia Socialiste greke dhe Neodemokracia, politikanët e tyre kanë sidokudo edhe meritën se kanë lejuar hapësira lirie për të tjerët, mundësi për të jetuar pa u bërë pjesë e sistemit klientelar e korruptiv, duke i lejuar kësisoj popullit grek mundësinë për të kërkuar e gjetur alternativa të tjera jashtë tyre.
Me fjalë të tjera, fakti që në Greqi ka pasur mundësi të rritet edhe një Tsipras nuk duhet parë thjesht se aksidentalisht na paska rënë nga qielli një super hero. Ai ka dalë si rezultat i një rruge të brezit të ri grek, që ka filluar që nga edukimi nëpër shkollat, ashtu edhe te hapësirat më të mëdha të lirisë, që i janë dhënë shoqërisë e në veçanti rinisë greke.
Nëse do t’i referohesha, për një krahasim, p.sh. një revolucioni që ka ndodhur në Evropën Perëndimore në vitet ‘60; atë që quhet revolucioni studentor i viteve ’60, që në thelb ishte kundër një shoqërie sidokudo konservatore e autoritare, nuk mohohet se edhe ai ka ardhur edhe si meritë e atyre politikanëve – le t’i quajmë tradicionalë apo konservatorë – që gjithsesi kanë ditur t’i hapin hapësira lirie vendit të tyre, rinisë së tyre.
Sot politikanët grekë që kanë humbur pushtetin, mund të thonë shumëçka kundër Tsiprasit, por ata duhet të jenë edhe krenarë që kanë lejuar që në Greqi të dalë një lëvizje si Syriza. E, po ashtu, edhe ata evropianë perëndimorë që i kanë dhënë borxhe Greqisë e që sot e masin atë vetëm me borxhet që u ka, ndoshta duhet të mendojnë se është meritë edhe e atyre parave që sot kemi një shoqëri greke e cila, në mënyrë demokratike, kërkon të ndryshojë, në emër të më shumë dinjitet njerëzor.

* * *
Nga ky këndvështrim, mendoj se fakti që sot në Shqipëri nuk del dot një Tsipras duhet parë edhe si tregues i një gjendjeje shumë më të rëndë të demokracisë; pra, edhe si dështim i kastës që ka qeverisur tash njëzet vjet Shqipërinë dhe si dështim shumë më i rëndë i sistemit që ajo ka ngritur.
Sot, kur flitet për Shqipërinë dhe përmendet brezi i ri, të gjithë kritikët të flasin për një brez të ri impotent, të nënshtruar ndaj autoritarizmit të liderit, që nuk kanë ambicie për të qenë dikush, përveçse duke pasur sa më shumë para. Para pak kohësh pashë një përvjetor të FRESH-it, që më kujtoi fjalët e një mikut tim gjerman (ish-sindikalist, anëtar i SPD-së), i cili ishte çuditur kur kishte marrë pjesë në një ngjarje të ngjashme të para do kohëve të PS-së. Duke iu referuar rinisë së tij, ai më tregoi se në ngjarje të tilla, ku vinin liderët, ata mezi i prisnin për t’i gozhduar me kritika e me kërkesa, kurse këtu te ju - më tha - të rinjtë vetëm duartrokasin e brohorasin liderët e mëdhenj, sikur të jeni ende në kohën e Enver Hoxhës.
Fakti është se sot flitet për të rinj edhe më rrufjanë, më klientelarë, më të korruptuar, më të dhunshëm, më të aftë sesa prindërit e tyre për të përdorur të gjitha metodat e servilizmit, ryshfetdhënies, dhunës apo të korrupsionit (Nuk po hyj tek ata që janë rreshtuar në ushtrinë e krimit të organizuar). Disa sjellin shembullin e Mjaftit që lindi si një lëvizje antikastë, por që u përdor dhe u përthith nga kasta dhe sistemi - aq sa Erion Veliaj fajësohet si njeriu që dogji një brez të tërë. Pa dashur t’i bëj apologji Erion Veliajt, gjykoj se kjo nuk është çështje e një personi të vetëm. Tsiprasi nuk ka lindur vetëm në Greqi. “Nuk mund të jesh i lirë i vetëm”, thotë një fjalë e urtë gjermane. Fakti që kemi sot një rini të paaftë dhe të pafuqishme duhet të na bëjë të reflektojmë më thellë për faktin se kjo paaftësi dhe pafuqi e rinisë sonë sot - që mund t’u duket politikanëve të sotëm si një garanci e pushtetit të tyre, e pandëshkueshmërisë së tyre - nesër do të jetë një bumerang për të gjithë. Po jap një shembull nga Shqipëria e një kohe tjetër, ajo e komunizmit, kur pushtetarët përdornin forma dhe metoda të tjera, por që më tingëllojnë edhe mjaft të ngjashme nga pikëpamja e psikologjisë së pushtetarit që bën gjithçka për të akumuluar pushtet dhe për të penguar liritë dhe pavarësitë e të rinjve. Në vitet ‘70 pati një frymë liberalizmi, që kërkonte t’i jepte më shumë liri një brezi të ri, por Enver Hoxha me shokë, për hir të pushtetit të tyre absolut, apo për shkak të paranojave apo të delireve, e shtypi pa mëshirë. Pasojat i vuajti e gjithë Shqipëria, por i vuajti edhe vetë ajo nomenklaturë e paaftë dhe e dhunshme, që, po të ishte sjellë ndryshe, do të kishim në fund të viteve ‘80 jo vetëm një Shqipëri shumë më të hapur, por ndoshta edhe ajo vetë do të ishte kujtuar disi ndryshe.
Sigurisht, nuk jemi në të njëjtën kohë, sot mund të pretendosh shumë më tepër prej të rinjve, sepse jetojnë në kushte lirie më të madhe, por përsëri mendimi im është se disponimi i kastës nuk është krijimi i kushteve që do t’u krijonin të rinjve më shumë liri, dije, dinjitet, autonomi, në mënyrë që nesër të lindnin prej tyre sivëllezërit e Tsiprasit. Kasta e sotme nuk përdor më burgjet për të sunduar, por sistemi që ajo ka ngritur, ashtu si ai i djeshmi, nuk e do dijen, preferon injorancën, nuk e do mendimin e lirë, preferon trushpëlarjen, nuk e do kritikën, preferon propagandën, nuk e do sinqeritetin, preferon hipokrizinë, nuk e do integritetin, preferon servilizmin, nuk e do punën e ndershme, preferon korrupsionin, nuk e do dinjitetin, preferon nënshtrimin, nuk e do meritokracinë, preferon klientelizmin, nuk e do të vërtetën, preferon gënjeshtrën. Dhe të rinjtë tanë janë të bombarduar natë e ditë nga këto preferenca të kastës.
“Tik-tak” është një nga sloganet e simotrës së Syrizës në Spanjë, Podemosit. Përdoret ky slogan për të treguar se ora e kastës së politikës tradicionale spanjolle po mbaron. E përsëris, kjo kastë, me gjithë mëkatet, meriton edhe të lëvdohet për faktin se ka lënë të rritet një rini e atillë, që ka në krye sot profesorin 36-vjeçar Iglesias. Më e keqja është kur tik - taku kalon në heshtje pa u dëgjuar e pa u dukur në horizont ndonjë Tsipras apo Iglesias. Dhe kjo ndodh kur kastat në pushtet nuk mësojnë as nga gabimet e të tjerëve as nga gabimet e veta duke u destinuar që, me kohën, të thyejnë qafën në mënyrën më të turpshme. (Panorama, 3 shkurt 2015)





Read More......