Monday, August 31, 2015

Prishja e Kishës në Dhërmi dhe nacional - katolikët


Motivi se pse u prish në atë mënyrë demonstrative, të dhunshme dhe të paligjshme Kisha e Shën Thanasit në Dhërmi mbetet ende i errët. Nëse do t'i referohem cicërimës së parë të Kryeministrit në Twiter motivi që paraqitej dukej estetik. "Kisha si një garazh." Që ajo soleta e betonit ishte një gjë e shëmtuar dhe që një kishë s'meriton një çati të atillë kjo s'ka diskutim. Por a mjafton kaq për të shembur në atë mënyrë një objekt kulti duke iu kundërvënë një komuniteti të tërë. Absolutisht jo. Aq më tepër kur ke parasysh se shëmtimi që i krijonte ajo kishë pejsazhit të fshatit Dhërmi është shumë herë më i vogël nga ai që është bërë me ndërtimet qoftë në fshat qoftë në bregun poshtë tij. Për të mos folur për shëmtimin që i është bërë e po vazhdon t'i bëhet tërë Jugut e tërë Shqipërisë çka kërkon një fshesë gjigante riestetizimi të atij pejsazhi.
Më pas Kryeministri na paraqiti një foto të Kishës si ka qenë duke nënkuptuar se do të rindërtohet duke u kthyer në atë pamje. Ide e mirë, por a nuk do të ishte më normale që këtë ide Shteti ta bisedonte më parë me pronarin, që rezulton se është Kisha Ortodokse dhe komunitetin i besimtarëve dhërmiotë, tu paraqiste një projekt dhe, pasi të merrte edhe aprovimin e tyre, të ndërmerrte, duke respektuat tërë hapat ligjorë, kthimin e kishës në pamjen dhe dinjitetin që ka pasur përpara se të prishej më 1972, ndoshta edhe duke ndarë të hollat e rindërtimit me KOSH?
Kështu duhej të kishte ndodhur, por fakti që u bë ashtu si u bë e ka një motiv, që mbetet i errët. Por ndërsa motivet dhe "përfitimet" e prishësve mbeten ende të errëta dëmet që i sollën Shqipërisë si shtet janë shumë më "të ndritshme". 

Dëmi në aspektin e shtetit të së drejtës
Ky veprim krijon imazhin e një shteti që vepron si një grup banditësh që i përdorin instrumentet e dhunës, që shteti duhet t'i përdorë vetëm për rastet ekstreme, në mënyrë abuzive dhe të papërgjegjshme duke shkatërruar për qëllime të errëta apo deri thjesht për kënaqësi sadiste pronën dhe jetën e qytetarëve të vet. Pas këtij akti dhune të pajustifikuar, deri edhe ndaj një institucioni të tillë siç është Kisha, çdo qytetar shqiptar ndjehet shumë më i pasigurt përpara arrogancës dhe papërgjegjshmërisë së pushtetarëve të vet.
Duke pasur parasysh selektivitetin, brutalitetin që po përdoret jo rrallë në akte të tilla dhe faktin se më anë tjetër nuk po bëhet asgjë që t'u japë shqiptarëve shpresë për një jetë më të mirë dhe më të sigurt po rritet perceptimi se qeveria po ia hap me të shpejtë gropën vetes. Problemi është se hedhja e kësaj qeverie në gropë nga veprime të dhunshme shkatërruese njerëzish të shtyrë deri në dëshpërim do të ishte  një katastrofë e re për të gjithë shqiptarët.

Dëmi kulturor
Ky u shkaktua nga fakti se në mbrojtje direkt apo indirekt të prishjes së Kishës, apo si nxitës të këtij akti, u rreshtuan një numër politikanësh e intelektualësh - midis tyre edhe një këshilltar i Kryeministrit  - nga deklaratat e të cilëve del qartë një mbetje e vendit në kulturën e ideologjisë nacional - komuniste të Enver Hoxhës që, ndërkohë që me propagandë i ushqente shqiptarët me mburrje kombëtare duke nacionalizuar historinë, duke bërë shqiptare çdo gjë në këto treva që nga koha e gurit, e duke u premtuar një të ardhme të ndritur (komuniste), realisht i mbante në varfëri, injorancë ekstreme dhe të izoluar nga bota për t'i sunduar më lehtë. Ndryshmi i vetëm në mendjet e mbyllura të këtyre nacionalistëve të rinj është një lloj zëvendësimi i propagandës komuniste me katolicizmin medemek duke e njësuar të ardhmen evropiane me identitetin katolik, sepse kështu na pranon më lehtë Evropa. Me këtë diskurs këta mjerisht i bëjnë dëm  jo vetëm kulturës shqiptare e idesë së Evropës, por edhe katolicizmit që vetëm me nacionalizmin nuk ka të bëjnë për dy arsye themelore: së pari pasi besimtari i vërtetë e ka fenë mënyrë jetese dhe jo çështje mburrjeje identitare dhe, së dyti, pasi katolicizmi është një fe e përbotshme besimtarët e së cilës i përkasin një komuniteti që s'i dallon njerëzit nga identiteti kombëtar.
Duke instrumentalizuar katolicizmin, shembjen e kishës ortodokse nacionalistët tanë e justifikuan dhe nxitën me pretendimin se në këtë kishë paska ushtruar aktivitetin e tij në shekullin e XVII Nilo Catalan një prift spanjoll që paska ardhur në këto treva për t'i lidhur apo mbajtur shqiptarët etnikë nën Papatin nëpërmjet fesë uniate apo katolike të ritit bizantin, apo greko shqiptar, siç quhet duke hapur madje për këtë deri shkolla shqipe. Duke i dhënë aktivitetit fetar të Catalanit konotacion nacionalist, e quajtën  madje edhe si një protorilindas shqiptar - njëlloj si në  historiografisë e Enver Hoxhës që i ka paraqitur Buzukun, Budin, Bogdanin sikur e kanë shkruar shqipen për qëllime nacionaliste. E pra sot, çerek shekulli pas rënies së nacional - komunizmit çdo nxënës i shkollës së mesme do të duhej të dinte, edhe në respekt të njohjes së historisë së fesë katolike,  se shkrimi i shqipes në atë kohë nga këta autorë nuk ka të bëjë fare me nacionalizmin dhe përpjekjet e Rilindësve tanë të shekullit XIX për të krijuar një identitet shqiptar, por me Kundër Reformën që ndërmori Vatikani në shekullin XVI si reagim ndaj Reformës së Luterit që përktheu Biblën në gjermanisht, pra për ta prurë fenë sa më afër besimtarëve që flisnin gjuhën shqipe. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për aktivitetin e Catalanit.
Por dëmi kulturor i instrumentalizimeve të tilla të historisë nuk mbetet vetëm në kuadrin e njohjes mbrapsht të historisë. Problemi tjetër i madh është se kjo padituri e kthyer në veprim arrin të nxisë apo të justifikojë aksione të tilla me pasoja të mbrapshta përsa i përket ndërtimit të atyre vlerave të humanizmit e pluralizmit e bashkëjetesës në harmoni e paqe me të ndryshmit që kërkohen të ndërtohen në këtë vend. Dashur pa dashur këta diskurse krijojnë identitete superiore dhe inferiore, miqësore dhe armiqësore të komuniteteve të ndryshme fetare që banojnë në Shqipëri dhe përçarje midis tyre. Shembja në atë mënyrë e kishës e justifikuar me këtë diskurs nuk mund të mos interpretohet si një sulm ndaj identitetit ortodoks të banorëve të sotëm të asaj zone, qofshin ata shqiptarë apo grekë etnikë, dhe rindërtimi i saj pas kësaj shembjeje vështirë të mos marrë simbolikën e ngritjes atje me dhunë të një simboli që i kundërvihet ndjenjave të këtij komuniteti.

Dy fjalë për identitetin
Sipas një koncepti bashkëkohor ai që mund të quhet identitet i një populli, nuk mund të jetë një identitet i vetëm dhe aq më pak i ngurtë, por kemi të bëjmë me shumë identitete në proces ku këta identitete të shumta ("të lëngshëm" i quan Zigmund Bauman) bashkëjetojnë e bashkëveprojnë me njëri tjetrin apo edhe pasojnë njëri tjetrin përsa i përket rëndësisë dhe dominancës. Edhe kur flasim për shqiptarët dhe veçanërisht për raportin e feve të tyre me të ndjerit shqiptar duhet të flitet për shumë identitete ku hyjnë edhe identitetet fetare që ata kanë përqafuar në shekuj si të krishterë ortodoksë dhe katolikë, myslimanë sunitë dhe bektashi etj. e, po ashtu, duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë me një proces historik në të cilin kanë ndodhur ndryshime e formime  e zhdukje e sinkretizma identitetesh në rrjedhë të shekujve ky spikasin gjatë shekullit XX. edhe shqiptaria e shqiptaristëve që, nën thirrjet e Vaso Pashës, vunë atdheun mbi fenë, edhe identiteti i komunistëve që e mohuan fenë gjithë duke ekzaltuar shqiptarinë, por edhe identitetet paskomuniste të atyre që iu kthehen feve të paraardhësve të tyre, që përqafuan fe të tjera apo që ruajtën ateizmin e tyre. Problemi është se i gjithë ky proces që në fakt gjeneron nga nevoja të së sotmes shpesh ngatërrohet me historinë e së shkuarës që manipulohet pra për qëllime të së tashmes. Veçanërisht kjo ndodh në mendjet e njerëzve të paditur apo të cilëve nuk ua kanë mësuar kurrë historinë siç ka qenë dhe as konceptin e identitetit si një proces historik, përkundrazi që dje u kanë thënë se ju keni qenë shqiptarë kështu siç jeni sot që në kohën e gurit, kurse sot u thuhet se ju përpara se të bëheshit myslimanë keni qenë të krishterë, madje katolikë dhe kjo është feja juaj e vërtetë dhe identiteti juaj i vërtetë.
Në këtë kontekst diskursi nacional - katolik që justifikoi shembjen e kishës synon të na thotë se shqiptarët në krye të herës kanë qenë katolikë (prandaj dhe Skënderbeun e kanë bërë nga ortodoks në katolik) dhe se bërja evropian nuk është gjë tjetër veçse kthim në fenë e të parëve. Nuk mund të mos rikujtoj me këtë rast edhe faktin se me rastin e vizitës së Papës Kryeministri ynë pagëzoi të birin si katolik dhe, një dy, sa herë takon politikanë apo gazetarë perëndimorë u thotë se ka pasur një gjyshe katolike.
Mirëpo një diskurs i tillë nuk mund të mos përjetohet si  një akt diskriminues si ndaj komunitetit ortodoks, qofshin këta shqiptarë apo të etnisë greke etj., edhe ndaj komuniteteve të tjera fetare. E them këtë pasi tentativa për t'i dhënë  apo theksuar identitetin uniat  kësaj kishe e për ta justifikuar shkatërrimin e saj me kthimin në këtë identitet në thelb është e njëjta histori me tentativën për t'i kthyer në kishë rrënojat e kishëxhamisë në kalanë e Shkodrës që bëri të revoltohet krejt komuniteti mysliman. Në fakt, nëse Kisha e Shën
Thanasit paska qenë një farë kohe në shekullin XVII katolike e ritit bizantin nuk mund të mohohet se  ajo ka qenë edhe bizantine, edhe  ortodokse në kohën e Perandorisë Osmane edhe e varur nga kisha autoqefale ortodokse shqiptare deri kur është prishur nga komunistët. Dhe vlerën historike duhet ta ketë e gjithë kjo histori e jo të instrumentalizohet historia e saj duke iu glorifikuar një moment katolik e duke iu harruar krejt historia tjetër siç bënë nacional - katolikët tanë.

Dëmi në aspektin e të drejtave të minoriteteve
Nuk ka pikë dyshimi se ky akt ndaj Kishës, për të cilin  ka zëra që thonë se është thjesht një akt i lidhur me babëzinë e panginjshme për prona të deputetit të zonës Koço Kokëdhima, vishet lehtësisht me një petk nacionalist në Dhërmi - duke ilustruar edhe një herë atë shprehjen "nacionalizmi është streha e fundit e horrave", - pasi atje jeton një komunitet i cili në pjesën më të madhe e konsideron veten minoritet grek. Me këtë akt, direkt apo indirekt, këtij komuniteti i thuhet se ne shqiptarët këtë kishë, që ju e quani tuajën,  dmth. greke, e shkatërrojmë sepse në fakt kjo është shqiptare pasi në shekullin e XVII atje është folur shqip dhe madje madje ju në fakt nuk jeni tjetër veçse shqiptarë të greqizuar. Mirëpo ka një princip sipas të cilit identitetin etnik nuk ta përcakton ajo se çfarë ke qenë ti në shekullin XVII, por ajo se çfarë ndjehesh dhe deklarohesh ti sot. Kjo e bën edhe më të rëndë incidentin pasi ky komunitet, qoftë edhe vetëm një pjesë e banorëve të Himarës, ka gjithë të drejtat ta quajë veten të dhunuar dhe diskriminuar nga qeveria shqiptare në ndjenjat e veta identitare e në të drejtat e veta fetare dhe gjuhësore. Është pikërisht kjo gjë që ka shkaktuar ndërhyrjen e shtetit grek duke krijuar një incident diplomatik goxha serioz dhe krejtësisht të panevojshëm.
Në kontekstin e perspektivave evropiane që kërkojmë të ndërtojmë për të ardhmen e rajonit minoritetet duhet të jenë ura lidhëse midis vendeve dhe jo faktorë ndarës e armiqësimi. Prandaj të kryesh me kaq lehtësi një akt që armiqëson komunitetin etnik grek me atë shqiptar në ato zona më duket një akt i pa përgjegjshëm edhe sikur ky të kryhet nga individë, e jo më kur kryhet nga shteti. Është edhe më e papërgjegjshme të ngulmosh në mbrojtjen e këtij akti duke instrumentalizuar pastaj ndjenja urrejtjeje nacionaliste antigreke ndër të gjithë shqiptarët apo duke e justifikuar këtë akt me racizmin ndaj shqiptarëve që kanë manifestuar grekët - siç bëjnë disa - apo me akte të papërgjegjshme shtetasish shqiptarë të etnisë greke që kanë ndodhur apo ndodhin në ato zona.

Si përfundim
Ekzistenca e larmisë së objekteve të kultit në Shqipëri si kisha ortodokse dhe katolike, xhami teqe apo e objekteve si kishëxhamija në kalanë e Shkodrës janë simbol i historisë së të gjithë shtetasve shqiptarë në këto treva, të çdo etnie qofshin ata, janë një pasuri kulturore e  të gjithëve që edhe vetëm me ekzistencën e tyre na mësojnë bashkëjetesën midis të ndrushmëve. Pikërisht për këtë ata nuk duhet kurrsesi të përdoren për interesa politike apo ekonomike, të bëhen instrument i një komunitet që pandeh se është më i fuqishëm për të shembur simbolet e një komuniteti tjerëve. Enver Hoxha këtë ka bërë gjoja në emër të shqiptarisë  me pasojat që dihen. Diskurset që justifikuan dhe nxitën prishjen  e kishës janë marrë hua nga mendësia e asaj kohe. Edhe ideja se Evropa na pranon më lehtësisht nëse bëhemi të krishterë apo katolikë është sa e rreme aq edhe kundër produktive. Në fakt vlerat evropiane të lirisë demokracisë dhe shtetit të së drejtës që na mungojnë kanë të bëjnë pikërisht me mbetjen në trashëgiminë e shtetit autoritar e arrogant që u manifestua edhe me aktin e prishjes së asaj kishe.
Prandaj gjykoj se shteti shqiptar duhet t'i kërkojë ndjesë në emër të të gjithë shtetasve shqiptarë Kishës Ortodokse dhe komunitetit dhërmiot për atë aksion të shëmtuar që kreu dhe të ndërmarrë hapa të shpejta për rindërtimin e Kishës së Shën Thanasit duke i kthyer asaj bukurinë dhe historinë e vërtetë shumëshekullore. (Panorama, 31 gusht 2015)


Monday, August 24, 2015

A ndërton dot Rama shtet


Lajmet për urdhrat që paska dhënë Kryeministri në Jug, kur ishte me pushime, për të mbyllur disa diskoteka që, me muzikën e tyre të lartë, i paskan shqetësuar gjumin e natës më tërhoqën vëmendjen në mënyrë të  veçantë. Ore, paska edhe veshë ky! – u thashë me të qeshur ca miqve duke kujtuar një debat që kam bërë dikur me të ku i kam thënë se karikatura më e përshtatshme që i shkon atij është ajo e krokodilit që s’ka veshë (për të dëgjuar) sepse është i gjithi gojë.
Megjithatë më duhet të them se nuk mund veçse të solidarizohem me shqetësimin e veshëve të Ramës qytetar  pasi edhe vetë i vuaj situata të tilla. Më kujtohet se para dy tre vjetësh kam qenë edhe vetë atje ku ishte Kryeministri, në Jalë, dhe mu në mes të natës, kur sapo kisha rënë të flija në një nga çadrat e një kampingu poshtë ullinjve, në një qetësi të mrekullueshme, filloi një muzikë diskoje aty pranë që më detyroi të marr makinën dhe të ngjitem lart në mal për të fjetur në kabinë ku, në fakt, në vend të gjumit më kapi ndjenja e revoltës ndaj paturpësisë së njeriut shqiptar për t’ia ndotur jetën tjetrit si dhe ndaj bashkëpunimit të shtetit me këtë lloj njeriu. Që prej atëherë nuk shkoj më në Jug gjatë verës.
Në fakt muzika është e bukur për veshët dhe trurin vetëm atëherë kur ti zgjedh se çfarë do të dëgjosh dhe kohën kur do ta dëgjosh. Përndryshe ajo është një nga gjërat më invaduese në trurin e njeriut, jo vetëm kur ke nevojë të biesh në gjumë, - e jo të dëgjosh diskotekat apo dasmat që lenë pa gjumë një lagje të tërë, - por edhe kur je zgjuar. Sepse ti mund të jesh duke duke lexuar ndonjë libër a gazetë në shtëpi dhe komshiu të hap një muzikë aq lart saqë nëpërmjet veshëve të hyn në tru dhe të thotë mos lexo, mos mendo, por merru me mua; ti mund të jesh në një lokal me miq e kërkon të bisedosh, por i zoti i lokalit apo banakieri të ka hapur muzikën dhe ajo të thotë: dua të rri edhe unë me ju në tryezë të bisedoj, madje të jem zëri i parë. Në fakt kam vënë re se një pjesë e duan muzikën jo për punë fitimi, por sepse nuk kanë asgjë në tru dhe e mbushin atë me muzikë. A i keni parasysh ata që kalojnë me makinë me muzikë në kupë të qiellit. Ata janë kombinim më i paparë i truboshësisë me arrogancën e njeriut të ri shqipar. Prandaj Rama qytetar ka plotësisht të drejtë që është revoltuar.
Por le t’i kthehemi tani Ramës pushtetar.
Ka disa që thonë se ky urdhër është shenjë se Kryeministri ka ndjenjën e shtetit, apo se "po vendos shtet". Të përmendin me këtë rast edhe shembjen e pallateve si ai i vjehrrit të Lul Bashës, aksionin e Lazaratit, aksionin për pagesat e elektrikut nga banorët e ndonjë aksion tjetër të gjitha të kryera me ndihmën e policisë, prokurorisë e gjykatave.
Do të ishte një lajm i mirë për shqiptarët vullneti i Kryeministrit dhe i kësaj klase politike për të ndërtuar shtet, por, sipas meje, në këta urdhra ka një keqkuptim bazë - përveç atij se nuk mjaftojnë urdhrat policore për të ndërtuar shtet se përndryshe arrijmë në një shtet policor. Keqkuptimi bazë qëndron në atë se këta urdhra, që i jepen me telefon direkt Ministrit te Brendshëm, shpesh janë shprehje e arrogancës së një personi që ka personalizuar shtetin, pasi kjo nuk është punë e Kryeministrit, por e policisë së zonës. Më kujtohet se një herë më ftuan diku afër bllokut në plazhin e Durrësit për të kaluar një natë dhe kur u thashë se ka muzikë diskoje përreth që të le pa gjumë më thanë: jo se ka ardhur me pushime Saliu. Dhe personalizimi i shtetit është bash e kundërta e shtetit të së drejtës. Puna është se ne kemi një ligj që është ai i prishjes së qetësisë publike dhe ai duhet zbatuar edhe sikur kryeministri të jetë në Kinë kurse, në këtë rast, ai është zbatuar sepse zhurma i ka prishur qetësinë Kryeministrit. Përndryshe koncerti do të vazhdonte.
Poende, le të mos harrojmë se muzika është vetëm një nga instrumentet e simfonisë makabre akustike që luhet me veshët tanë si dhunë e dyfishtë - akustike dhe psikologjike - në këta njëzet e kusur vjet, madje, në të hyn edhe kori i britmave e ulërimave njerëzorë, dhe, po ashtu, të mos harrojmë se ajo të shoqëron jo vetëm kur je në plazh me pushime, por edhe në qytet kur je me punë.   Psh. një nga zërat më të shëmtuar në simfoninë e ndotjes akustike që kanë njëzet vjet që e dëgjojnë banorët e Tiranës është ajo e ndërtimeve në mes të pallateve dhe shtëpive: ruspa, buldozerë, çpues themelesh, betoniera, makina të rënda transporti, çekiçë që ngulin goshda, kthyese hekurash ditë e natë natë e ditë shkatërrojnë nervat e qytetarëve që banojnë përreth gropës së hapur për të mbushur me çimento hapësirën e gjelbër të radhës. E pra, në të njëjtën kohë kur Kryeministri jepte urdhra në breg të detit sepse po i prishej qetësia personale, unë si qytetar (dhe jo vetëm unë) kam marrë në telefon policinë e shtetit për një shembje shtëpie krejt të paligjshme që po bëhej në mes të natës duke zgjuar me tmerr fëmijë e të rritur në lagjen time. Them të paligjshme se u interesova dhe ata nuk kishin leje ndërtimi që të kishin leje shembjeje.  Përgjigjet që mora nga policia qenë “janë me leje” apo se “makinat e rënda mund të lëvizin vetëm pas orës 20, prandaj dhe buldozerët që ngarkojnë ato mund të punojnë vetëm pas kësaj ore” – Çfarë paradoksi, ndërkohë që kemi një ligj për mbrojtjen nga prishja e qetësisë publike kemi edhe një ligj tjetër që me ligj mund të prishësh qetësinë publike pikërisht në orët e gjumit. Dhe ju kujtoj, meqë ra fjala, se Kryeministri është një nga ndotësit më të mëdhenj akustikë që ka prodhuar ky tranzicion me lejet e pallateve pa asnjë kriter urbanistik që ka dhënë mes shtëpive e pallateve të banuara dhe, po të ndjekim logjikën e urdhrave me celular Tahirit,  tani që ka shkuar me banim në Surrel, s’ka shans ndokush që mund të ishte komshi i tij të shpëtojë  nga zhurma e ndonjë ndërtimi ngjitur me banesën e tij.
Ja u rrëmbeva nga zhurmat dhe po i iki idesë themelore që desha të shtroj në këtë shkrim: nëse kemi shanse që Kryeministri dhe njerëzit rrotull tij të na ndërtojnë shtetin. Problemi është se kjo puna e urdhrave që vijnë nga lart është histori e vjetër që ka të bëj me kulturën tonë të pushtetit; se Kryeministri ynë i radhës dhe ata që e rrethojnë, edhe kur bëjnë ndonjë punë të mirë, japin vazhdimisht mesazhe se atyre nuk u intereson shteti i së drejtës, por shteti i personit të tyre, klanit rreth tyre, i fisit, i shokëve, i miqve, i partisë së tyre, se janë këta që po e bëjnë këtë punë dhe, po ashtu, se kush është me ta shteti nuk e godet. Disa kohë pasi ishte shembur një ekomonstër siç qe pallati i vjehrrit të Bashës në Vlorë më qëlloi të shkoj në Qeparo ku pashë dy ekomonstra (jo vetëm atë të Koços që ka denoncuar PD-ja duke përdorur edhe ajo selektivitet, po dy) mu në vijën bregdetare. Banorët përreth më thanë se në kohën kur shembej pallati i Bashës dhe propagandohej pastrimi i bregdetit atje kanë vazhduar punimet në qetësi. Të njëjtën gjë kam parë në Velipojë me një ekomonstër tjetër që po ndërtohet nga një deputet i LSI-së. E njëjta gjë mund të thuhet për Lazaratin dhe luftën kundër drogës që vazhdon të kultivohet dhe tregtohet tjetërkund. E njëjta gjë mund të thuhet për faturat e elektrikut, ku ndërsa të vegjlit janë futur deri edhe në burg për shifra modeste, të fuqishmit vazhdojnë të mos paguajnë borxhet e akumuluara. E pra, kur ligji përdoret me dy standarde, një për të tutë dhe një për kundërshtarët e tu, një për të dobëtit dhe një për të fortët  është dy herë më keq sesa të mos përdoret fare.
Problemi është se shteti duhet të jetë ndër ato “pushtete etike" sikurse i quan Hegeli , që shërbejnë për të disiplinuar interesat private duke i venë ato në harmoni me interesat e komunitetit, kurse kur ai përdoret kundër komunitetit sepse ka në bazë arrogancën, padrejtësinë, dhunimin, selektivitetin, poshtërimin nga një pakicë të shumicës apo tjetrit kundërshtar ai nuk ka shans të pranohet nga njerëzit dhe prandaj nuk ka shans të mbijetojë si institucion. Por edhe në kuptimin e efikasitetit: një institucion është i suksesshëm atëherë kur ai vazhdon të funksionojë mirë edhe kur krijuesi apo një drejtues i tij i suksesshëm ikën prej andej. E kjo ndodh kur ai nuk vendos në krye të institucionit personin e tij dhe servilët e tij, por profesionalizmin e njerëzve që punojnë në administratë e atij institucioni. Ktheni kokën prapa për të parë se çka ndodhur me institucionet ku ka punuar Kryeministri ynë i radhës (dhe në përgjithësi drejtuesit tanë të radhës të institucioneve shtetërore). Ai prishi struktura të Ministrisë së Kulturës gjoja për të ndërtuar struktura të reja më efikase. Në fakt e bëri këtë për ta personalizuar institucionin dhe për  të mbledhur një tufë miqsh dhe servilësh rrotull tij duke mos i dhënë institucionit jo vetëm asnjë sens etik në kuptimin hegelian, por edhe asnjë efikasitet e qëndrueshmëri pasi, kur iku, la atje vetëm disa mure të kuqe në korridoret e saj dhe disa foto të Marubit ndërkohë që mori me vete krejt stafin e Ministrisë për në Bashki. E njëjta gjë ndodhi edhe në Bashki. Për 12 vjet nuk hartoi planin urbanistik të qytetit që konsiderohet kushtetuta e një qyteti që rregullon ndërtimet e gjithshka, nuk krijoi një zyrë kryearkitekti e kryeurbanisti që të mbante përgjegjësi morale profesionale dhe ligjore për çdo shkelje te rregullores së urbanistikë që ndodhte në qytet. Kjo sepse nuk donte t'i jepte pushtet këtij plani, këtyre specialistëve serioze e kompetente që do të duhej të qëndronin atje pavarësisht nga kryebashkiaku i radhës, por që ta mbante të gjithin për vete për t'i dhënë leje ndërtimi klientelës e miqve të tij e të partisë së tij. E kur iku i gjithë stafi u transferua në partinë Socaliste kurse institucioni u ribë nga e para me njerëzit e Lulzim Bashës, me të njëjtën frymë personalizimi. Tani po ribëhet përsëri me njerëzit e Veliajt. Kjo përvojë tashmë e bërë praktikë e rëndomtë është bash e kundërta e asaj që mund të quhet krijim i një institucioni “si pushtet etik:" në shërbim të komunitetit. Dhe kjo nuk është e rastësishme, por kulturë politike e trashëguar që nga koha e partisë shtet të Enver Hoxhës kur nuk vendoste ligji, por partia dhe personi në krye të saj e ku aplikohej rëndom "politika e goditjes" e cila e përdorte ligjin me dy standarde, një për "familjet e mira" njerëzit e partisë dhe një për "familjet e këqija" ose të ashtuquajturit të deklasuarit. E keqja është se në rreth vicioz sa më shumë qëndrojnë në pushtet njerëz si Kryeministri që shprehin këtë kulturë shtetërore aq më shumë akumulojnë gabime dhe krime, e, sa më shumë akumulojnë gabime dhe krime aq më shumë ndjehen të kërcënuar nga shteti ligjor si pushtet etik dhe rrisin shtetin e dështuar të arrogancës që jo rrallë çon deri në shtetin policor.
Që të dalim nga ky rreth vicioz duhen dy gjëra: njerëz që kanë nxjerrë mësime nga e kaluara dhe njëhersh, njerëz të lirë nga e kaluara. Rama dhe kjo klasë ekonomike dhe politike që ai përfaqëson për fat të keq nuk i ka të dyja këto. Siç duket sheshit jo vetëm nga shembujt që solla, Kryeministri i radhës, dhe në përgjithësi oligarkia që e rrethon "nuk ka mësuar asgjë dhe nuk ka harruar asgjë", siç thotë Talejrandi për politikanët, nga përvoja kur shkatërronin Tiranën për interesat e tyre meskine, dhe, prandaj, ne po përjetojmë një fazë të personalizimit të mëtejshëm të shtetit, të  padrejtësisë dhe arrogancës së oligarkisë që ka kapur shtetin, si dështim i shtetit të së drejtës. (Panorama, 23 gusht 2015)

Wednesday, August 5, 2015

Art-politika e Ramës si pervertim i të dyjave



Ndërhyrja e Ramën në godinën e selisë së Kryeministrisë duke transformuar fasadën dhe katin e parë në funksion të krijimit të një qendre të ashtuquajtur “për hapje dhe dialog”, përveç debateve që ka ngritur përsa i përket shkeljes së ligjit të mbrojtjes së monumenteve të kulturës, heshtjes së institucioneve përgjegjëse ndaj këtij akti, mostrasparencës së fondeve me të cilat është kryer transformimi, kërkesës ndaj Kryeministri të merret me hallet e vendit e jo me qejfet e tija, ka ngritur edhe një problem sa të vjetër edhe aktual: atë të raportit të pushtetit me artin në një shoqëri.
Në një shkrim të keqpërkthyer e të keqinterpretuar që i dedikohej kësaj teme autori holandez Vincent W.J. van Gerven Oei  shkruan: “Edi Rama duhet të jetë një njeri i frustruar. I frustruar prej provincializmit të shijes së Drejtorit të Galerisë që ka zgjedhur, i frustruar për shkak të mungesës totale të vizionit të Ministres së tij të Kulturës; i frustruar për shkak se princi i tij i kurorës, kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës ka ndjeshmërinë artistike të një bretkose. Aq i frustruar saqë ai deshi t’i tregonte vendit të tij një shembull të vetëm se si disenjohet dhe kurohet një hapësirë kulturore kontemporane. Dhe ai vendosi ta bëjë këtë në të vetmen hapësirë, përveç shtëpisë së tij, ku mund ta bëjë: në zyrën e tij.” duke realizuar, gjithë sipas autorit, një gjë shumë të mirë, por jo në vendin e duhur. (The Unofficial Viw of Tirana (92)))
Sipas meje shpjegimi psikologjik se Rama e ndërmori këtë nismë për shkak të frustrimit që i kanë shkaktuar të zgjedhurit e tij në institucionet e kulturës është kryekëput i gabuar. Po ashtu nuk është i saktë konstatimi se ky është i vetmi vend “përveç shtëpisë së tij” ku Rama pushtetar ndërmerr të tilla nisma artistike pasi ka kohë që ai po tenton të trajtojë tërë Shqipërinë si shtëpinë e tij private. Edhe argumenti se kjo hapësirë kulturore është shumë e mirë, por nuk është vendosur në vendin “e duhur” më duket se nuk qëndron pasi ajo është ngritur tamam në funksion të vizionit që ka Rama për raportin e artit të tij me politikën e  tij dhe prandaj vlerësimi i saj nuk mund të ndahet nga vendi ku ajo është vendosur. Megjithatë koncepti i frustrimit që përdor autori më duket i rëndësishëm për tu përdorur në këtë debat, sepse vërtet bëhet fjalë për një kryeministër të frustruar, për ministra e drejtorë të frustruar, për artistë të frustruar e më në përgjithësi për një shoqëri të frustruar.

Frustrimi nga gënjeshtra e imponuar

Sipas vizionit të propaganduar në broshurën e shpërndarë me rastin e inaugurimit, kati i parë i Kryeministrisë do të shërbejë si një qendër trehapësinore që “synon të bëhet një laborator ku do të mund të hetohen kufijtë ku takohen fusha të ndryshme të artit, të politikës dhe të kërkimit shkencor.” Këtë e theksoi edhe drejtoresha e qendrës kur tha se këtu do të ekspozohen artistët kritikë. Dhe këtu fillon ironia, sepse na sugjerohet se kati i parë do të dialogojë me katin e dytë dhe të tretë, madje do të mund të bëhet edhe kritika e asaj që bëhet në katin e dytë dhe të tretë. Madje, madje, sipas interpretimit që i bënë disa ekspozitës inauguruese, atje do të mund të gjejmë edhe Ramën artist dhe intelektual duke dialoguar me Ramës politikan Në këtë kontekst, trekërpudhëshi në oborr, vepra e artistit Höller, gati na mallëngjen e na bën të ndjejmë keqardhje për këtë artist që paska zgjedhur të vetësakrifikohet duke u bërë politikan për t'i bërë mirë këtij populli sepse, në rrugën për të bërë mirë, i është dashur të bëjë edhe ndonjë kompromis me të keqen. Vepra na flet për frustrimin e kërpudhës së mirë Rama ndaj kërpudhave helmuese dhe heluçinogjene Rama-t, pasi këto, për të fituar votën, e kanë mashtruar të mirin duke i bërë premtime të rreme, ia kanë mbushur grupin parlamentar me kriminelë, trafikantë prostitutash dhe vrasës, i kanë imponuar koalicion me partinë e një njeriu të cilin dy vjet më parë i miri ka kërkuar me ngulm të futet në burg si i korruptuar? Por, vini re, sikurse ia ka thënë ai vetë një prej artistëve miq që ka ekspozuar, autorit të tendës mbi portën e Kryeministrisë Philippe Parrenos, i miri  Rama vërtet ka luajtur në një fushë të minuar, por “pa e tradhtuar ndërgjegjen”, “pa i ulur standardet e tij morale” dhe duke mos hequr dorë nga vetironia dhe arti përkundrazi, siç e provon edhe së fundi, duke bërë vepër arti në shërbim të qytetarëve edhe zyrën e tij të punës.
Sa gjë e bukur! Këta shqiptarët paskan një Kryeministër vërtet të iluminuar që paska vetinë për të parë veten me sy kritik, që hapka një qendër dialogu me kritikët e vet mu në zyrën e vet. Ja çdo të thotë kur bëhen artistët politikanë! Kjo është një ide ndoshta më e mirë edhe se ajo e Platonit që i kërkonte këta filozofë.
Kështu po na shitet ky operacion i fundit i Ramës, sikur arti është instrument dhe njëherësh alibia e një politikani të mirë. Në fakt po u shitet të huajve kështu, jo ne shqiptarëve. Ne të gjorët, në fakt, shërbejmë në këtë histori thjesht si balta për krijimtarinë e tij dhe të artistëve rreth tij që, me art-politikën e tyre po na plazmojnë ne, sëbashku me Shqipërinë, siç na plazmuan psh. kur ngjyrosën pallatet gri të Tiranës me ngjyra duke na bërë të vrapojmë me gëzim të paguajmë taksat. Madje, madje në këtë fushë po i japim mend edhe botës se si mund të ndryshojë një shoqëri nëpërmjet artit. Shihni për këtë një artikull në prestigjiozen britanike Financial Times shkruar fill pas vizitës së Merkelit.
Kështu pra, duke na menduar si një popull i mësuar për gjysmë shekulli të jetojë me gënjeshtra të imponuara, ndërkohë që kemi përditë përballë ujkun, propagandistët e pushtetit, jashtë dhe brenda vendit, na ofrojnë të hamë kërpudha halucinogjene e të ndjekim gjurmët për të harruar se ujku pushtetar kurrë nuk na ka ofruar veshë të hapur për dialog gjatë vendimmarrjeve të tij për të përmirësuar jetën tonë; se sot ka një konsensus të gjerë se Rama dhe ata që e mbajnë në pushtet, me paratë dhe mediet e tyre, na e kanë kthyer Tiranën në një qytet të pajetueshëm pasi na kanë lënë vetëm 0,5 metër katror gjelbërim për person; se vetëm gjurmë artisti politikan, që i ka shërbyer komunitetit, nuk mund të gjesh mes qindra pallateve të ndërtuar mbi fusha sporti, oborre shkollash, parqe, ndërtesa historike, apo kur sheh mu në qendër të Tiranës dy nga pallatet më të shëmtuara të saj ndërtuar mbi rrënimin e dy kinemave historike të qyteti? Mirëpo me forcën e pushtetit dhe parasë edhe një akt vandal dhe i papërgjegjshëm ndaj një ndërtese historike, monument kulture mund të na paraqitet edhe si një akt emancipues, si provokim artistik. Prandaj një nga frustrimet kryesore në këtë histori është ai i yni që kërkojnë të na bëjnë edhe budallenj. Por, për hir të së vërtetës, duhet thënë se është një frustrim i dyfishtë sepse edhe ata që na e imponojnë e pësojnë në mënyrën e tyre.

Frustrimi i Ramës si artist e si politikan
Duke iu referuar të vërtetave më të thella të njeriut, atyre psikologjike, është e lehtë të konstatosh se Rama, si shumë të tjerë, qysh në rini, ka pasur prirjen (njerëzore), për tu dukur, për të pasur sukses, për tu bërë i famshëm, për të afirmuar vetveten, "vullnetin për pushtet" - nëse do të përdornim një shprehje niçeane - për çka jo pak njerëz kanë zgjedhur politikën dhe artin. Problemi i madh i njeriut që i hyn aventurës së jetës është se këto egoizma rinore me procesin e pjekurimit duhet t’i nënshtrohen gjithnjë e më shumë respektit për tjetrin (tek njeriu), kënaqësisë së krijimit  (tek artisti), kënaqësisë së shërbimit (tek politikani), ndërgjegjësimit se ajo që kemi bërë është shumë modeste në krahasim me atë që kemi trashëguar. Por ky pjekurim arrihet kur nëpërmjet një procesi të vazhdueshëm me vetveten i nxjerrim kafshët e egra të inkoshiencës në dritën e koshiencës sonë duke i zbutur ato, gjithë duke i mbajtur nën kontroll. Përndryshe, kur këto kafshë të pazbutura nuk nënshtrohen, kur egoizmi nuk temperohet nga edukata e mirë, mund të gjendemi përballë një individi të rrezikshëm si për veten edhe për të tjerët. Dhe mua më duket se në nivel psikologjik jemi në këtë rast të dytë. Rama është vërtet i frustruar, por jo për shkak të mediokritetit të Drejtorit, Ministres dhe Kryebashkiakut të porsazgjedhur, por sepse është dëshpërimisht i panginjur dhe i panginjshëm me pushtet politik dhe famë artistike për shkak se i ka jashtë kontrollit kafshët e inkoshientit. Problemi themelor i tij nuk është fakti se Drejtori apo Ministrja nuk kanë vizion, por sepse këta i ka frustruar për t’i komanduar ashtu si do ai në funksion të vizionit të tij; me fjalë të tjera për t’i trajtuar si zero që duhen thjesht të vihen prapa njëshit për t’i rritur vlerën këtij të fundit. Fakti që Ministrja e Kulturës nuk jep asnjë shpjegim për mënyrën banditeske se si u ndërhy në një monument kulture, apo fakti që në galerinë e arteve kati i tretë, që ka qenë dedikuar artit kontemporan, ka mëse një vit që është kthyer në depo për të ruajtur ikonat që i janë konfiskuar një tregëtari sepse, sipas zërave që qarkullojnë në Galeri, Rama kërkon ta bëjë vetë atë kur t’i vijë radha, sipas vizionit të tij dhe me artistët që do ai, për publikun që do ai, janë provë e kësaj. Dhe ky është një problem jo i vogël për fatet e kulturës e të institucioneve demokratike në këtë vend.
Prandaj sipas meje, përtej sofistikimeve se Rama artist na u bë politikan për të na emancipuar e çliruar, e vërteta e thjeshtë e vizionit të raportit të politikës (së tij) me artin (e tij) është në thelb e njëjtë me të vërtetën e vizionit që kanë për raportin e biznesit (të tyre) me politikën (e tyre) oligarkët shqiptarë miq e sponsorë të Ramës, të cilët, për të qenë të suksesshëm në bizneset e tyre, kanë zgjedhur të bëhen njësh me pushtetin politik apo edhe atë mediatik si dhe ta përdorin Shqipërinë thjesht si vend për të fituar ndërkohë që kënaqësitë e jetës për veten dhe familjen i shijojnë jashtë shtetit. Kemi të bëjmë, pra, thjesht me abuzim me pushtetin për interesa personale, me konflikt të hapur interesi. Dhe brenda këtij konflikti gjejmë edhe frustrimet e vërteta të Ramës artist e Ramës politian. Si artist atë thellë thellë e mundon pasiguria sepse kur ishte krejtësisht i dedikuar artit nuk mundi ta gjente dot veten si artist, kurse pasi u bë kryebashkiak dhe tani kryeministër është bërë i famshëm, fatkeqësisht pa e gjetur veten por duke e humbur në favor të sajimit të një vetje të rremë, të pavërtetë. Kjo pavërtetësi e mundon me pyetjen nëse u bë artist më i mirë kur u bë pushtetar apo është fuqia magjike e pushtetit që mbledh rreth tij gazetarë, artistë e kuratorë arti. Atë e mundon frika se pa Ramën pushtetar do të zhduket edhe Rama artist, prandaj kapet me thonj pas atij duke e ndjerë, gjithsesi, megjithë efektin e kërpudhave halucinogjene dhe helmuese që ka ngrënë,  se pikërisht ky pushtet është varri i tij si artist. Më anë tjetër, si politikan, duke mos qenë i aftë të bëj politika të shëndosha rimëkëmbjeje të vërtetë të vendit jo vetëm për shkak të paaftësisë së tij por edhe për shkak të darës së sistemit kriminal që është krijuar në Shqipëri, të një shteti në shërbim të mafies, ai kapet fort tek artisti, si alibi, dhe na ofron ekzibicione artistike si ky i fundit që pamë. Ndërkaq këta dy frustrime, si dy anë të medaljes bëhen gjithnjë e më të rrezikshme për të tjerët, sepse e çojnë tek prirja e pakontrollueshme për të nxjerrë jashtë loje çdokënd që nuk hyn në ombrellën e pushtetit të tij  artistik e politik, duke pervertuar kësisoj edhe artin edhe politikën e Ramës.
Në këtë aspekt modeli i tij më tragjik është Neroni, i cili një nga ëndrrat e tij më të mëdha kishte që të bëhej aktor të luante në skenë. Ai ishte i vendosur ta realizonte ëndrrën e tij, ndonëse në Romën e asaj kohe për një perandor të luante në skenë ishte njëlloj sikur një politikan i sotëm të jetë njëkohësisht edhe prostitutë (në kuptimin real të fjalës jo metaforik). Kështu, pasi shpartalloi një grup senatorësh komplotistë dhe u bë tejet i fuqishëm, vendosi të dalë në skenë për të garuar në kompeticionin teatror të kohës. Gjatë shfaqjes senatorët përshpërisnin me njëri tjetrin se çmimin e parë duhej patjetër t'ia jepnin atij, se s'kishin nga t’ia mbanin. Dhe kështu bënë. Por Neroni nuk ngopej. Kur e shoqja e tij guxoi që pas shumë lëvdatash e përgëzimesh t'i vinte në dukje edhe ndonjë defekt që kishte shfaqur gjatë aktrimit, por që e kishte korrigjuar shpejt, ai u mërzit kaq shumë nga vërejtja saqë e rrahu për vdekje. Po ashtu, për të realizuar projektet e tij grandioze artistike në Romë ai urdhëroi plaçkitjen e thesareve të vendeve të shenjta të Romës dhe kur këto s’mjaftuan boshatisi edhe arkat e Perandorisë derisa u bë i padurueshëm për të gjithë dhe  pati fundin e njohur.
Këtë sindromë, që e kemi përjetuar edhe në kohën e Hoxhës kur shkrimtarët, artistët, studiuesit më të talentuar të vendit ishin të detyruar të përkuleshin përpara talentit suprem të liderit suprem, tani po e jetojmë si farsë që na lehtësohet e bëhet edhe e gëzueshme ndonjëherë në sajë të ngjyrave të larmishme që përdor artisti Rama. A e keni vënë re se përgjatë autostradës Tiranë - Vorë për të tërhequr vëmendjen e të huajve që vijnë nga Rinasi u ka imponuar konstruktorëve të rrugës jo vetëm palmat, që për shumë janë jashtë vendit jo vetëm nga pikëpamja funksionale, por edhe estetike, por edhe një lloj bordure anësore me toptha betoni që ndërrojnë ngjyrë çdo kilometër që është dukshëm jo funksionale, madje e rrezikshme.
Mirëpo askush nga ata që janë përgjegjës institucionalisht nuk flet.
Prisni o ju që heshtni se s’keni parë gjë akoma.

Frustrimi nga provincializmi
Nuk mund të mos ngrihet edhe një pyetje lidhur me Qendrës për Hapje dhe Dialog. Pse do të duhej të inaugurohej kjo  qendër me rastin e vizitës së Merkelit? A nuk do të kishte më kuptim politik, por edhe artistik, që fillimi i saj të niste me shqiptarët për shqiptarët me rastin e ndonjë, le të themi, përvjetori si psh. të Konicës apo Nolit. Pse duhet të prezantohet si COD në anglisht, dhe jo në shqip si QHD. Edhe Anri Sala a nuk do të ishte më me vend të vinte të bënte ndonjë prezantim apo konferencë apo ku di unë në këtë QHD për të komunikuar me artistë të rinj shqiptarë dhe jo për t’i shpjeguar Merkelit se çfarë kuptimi kishte ajo qendër dhe ajo ekspozitë?
Për mua i gjithë inskenimi që pamë ishte një provë se shqiptarët në këtë histori kanë pak rëndësi. Rëndësi ka përshtypja që Rama & Co lenë tek të huajt, fama që fitojnë tek të huajt; legjitimiteti që na japin të huajt, çmimet që na japin të huajt që bëhen të rëndësishme edhe për shqiptarët pastaj sepse identifikohen me ta. Fatkeqësia është se ne gati gati jemi mësuar me këtë kondicion, apo na kanë mësuar, pa e kuptuar se thellë thellë kemi të bëjmë me një përdorim të shëmtuar politik të provincializmit. Nuk ka mënyrë më të lehtë për të manipular të shqiptarët sesa shfrytëzuar kompleksin e provincialit dhe po ashtu nuk ka vend më të lehtë për të manipuluar të huajt sesa një provincë ku ata shkelin vetëm në mënyrë sipërfaqësore pa u thelluar e ku, për të kuptuar vendin, nuk takojnë veçse intelektualë që tërë jetën nuk kanë bërë tjetër veçse shërbëtorin e pushtetarëve. Ky provincializëm kap  jo rrallë nivele absurdi sepse injorimi i shqiptarëve shkon deri në vetinjorim e vetgënjim, kur në emër të suksesit tek të huajt thuhen edhe të pavërteta, thuren edhe gënjeshtra, boll që ato të jenë mbresëlënëse për ta, e shqiptarët duhet të heshtin për to e të ndjehen krenarë për njerëzit e famshëm të tyre që i thonë.
Kështu, në sajë të këtij provincializmi, ndërkohë që ne shohim ujkun përditë në Tiranë, gjurmët e tij, që nisin nga Tirana për tu shfaqur pastaj në ndonjë gazetë të huaj për tu rikthyer me këmbët lyer me miell verbues përsëri në shtypin tonë, bëhen më të rëndësishme se ai vetë. Ne shtrëngohemi t'i gëlltisim pa i tretur fare argumentet se reduktimi i qytetit në vetëm 0.5 metër katror gjelbërim për person, është një krim i paparë në ndaj nesh dhe fëmijëve tanë, sepse kryebashkiaku i djeshëm, kryeministër i sotëm, ka hyrë në listën e njerëzve të famshëm që kanë ndihmuar njerëzimin me art-politikën e tij. Ç’kuptim ka në një provincë të mjerë të shprehësh mendime që nuk përkojnë me ato të qendrës së perandorisë. Si mund të guxojmë ne mjeranët të vemë në pikëpyetje artistë të njohur botërisht si Perreno, Demand, Höller, Sala, Edi Rama.

Në fakt, ky përdorimi i provincializmit nga Rama & Co nuk është gjë tjetër veçse politikë e keqe artistësh dhe art i keq politikanësh dhe më provincialët në këtë histori janë pikërisht këta shqiptarët e njohur sepse njerëzit që manipulohen kështu nuk janë gjë tjetër veçse pasqyrim i atyre që i manipulojnë.
Për fat të mirë vë re se numri i shqiptarëve të rinj që janë çliruar nga ky kompleks i provincialit është shtuar, edhe pse nuk përbënë dot një masë kritike për të sjellë një përmbysje mentaliteti.  siç e vërtetuan edhe mjaft reagime ndaj aktit të fundit të Kryeministrit. Ne kemi ende shumë nevojë për artistë dhe intelektual që t'u flasin shqiptarëve me fjalët e Wilhelm Reich: : “Bëhuni vetvetja o subhumanë, "Vetvetja' po them, jo gazeta që lexoni, apo opinioni i fqinjit tuaj të sëmurë. Kuptoni se duhet të bëheni dreri që keni brenda jush, Zoti brenda jush, filozofi, poeti, brenda jush. Por ju nuk mendoni kështu, ju mendoni si anëtar i Organizatës së Veteranëve të Luftës, të Klubit të bilave, apo të Ku Klux Klanit, dhe, mu pse mendoni kështu, silleni kështu." (Dëgjo, o njeri i vogël, 1946)
Thirrje si kjo kërkojmë ne të na vijnë nga artistët e politikanët e mirë, ashtu sikurse edhe nga veprat e tyre, dhe jo të na mbajnë në gjendjen e njeriut të vogël të provincës së vogël.

Pushteti i artit dhe pushteti politik
Për raportin e politikës me artin veçanërisht që nga shekulli XX ka pasur debate të shumta që vijojnë edhe sot. Ndër më të njohurit ndoshta është ai midis vëllezërve Thomas dhe Heinrich Man në fillim të shekullit XX ku i pari, nën frymën e romantizmit gjerman (kultit të kulturës), theksonte supremacinë e artit mbi politikën, prandaj nevojën e artit për të qenë apolitik: “Nuk ka asnjë përvojë tjetër jetësore të aftë për ta nxjerrë jashtë loje politikën, për t’i hequr asaj çdo lloj vlere dhe për ta bërë të bjerë në harresë përveç përfshirjes  shpirtërore në vlerat e  përjetshme të njeriut nëpërmjet artit” (Mendime të një apolitiku, 1918) kurse i dyti, nën frymën e iluminizmit francez (kulti i civilizimit), e  ka parë artin edhe si instrument të progresit emancipimit moral e shoqëror (Zola, 1915). Pas tragjedisë naziste Thomas Manni e ka korrigjuar veten duke u shprehur se humbja e instinktit politik tek artisti mund ta çojë atë në anën tjetër të barrikadës. Por, përtej këtij debati që është i hapur edhe sot për shkak të të vërtetave që përmbajnë të dy qëndrimet, ka një të vërtetë të përbashkët: se arti edhe kur është politik edhe kur është apolitik ka pushtetin e vet e se, kur flitet për këtë pushtet në raport me pushtetin e politikanit, përvoja tregon se këta pushtet duhet të jenë të ndara, siç duhet të jetë edhe pushteti mediatik i ndarë nga ai politik.
Në këtë kontekst ajo që ndodh përtej fasadës art-politike të Ramës nuk është shprehje e ndonjë vizioni të raportit të artit me politikën, por e prishjes së ndarjes së pushtetit politik me pushtetin e artit. Qëllimi i vërtetë nuk është dialogu i artit me pushtetin, por përdorimi politik i artit dhe i artistëve në shërbim të pushtetit  sipas një mendësie të trashëguar totalitare fashiste apo komuniste.  Duke patur parasysh edhe politizimin e skajshëm nëpërmjet medieve të shoqërive që jetojnë (ku kjo e jona është shembulli më ekstrem) totalitarizmit të trashëguar ndoshta duhet t’i shtojmë edhe një formë "totalitarizmi të padukshëm", siç do ta quante Claudio Magris, që e ka zhvilluar shoqëria moderne me ndërhyrjen e politikës në botën më intime të njeriut;  në ndjenjat, artin, e gjithshka që nuk mund të politizohet dhe moralizohet aq kollaj, pa i lenë kësisoj individit asnjë hapësirë vërtet të vetën. Në këtë kontekst art – politika e Ramës si bashkim i pushteti të politikës me atë të artit është ilustrimi më elokuent i thënies së Lordit Action se “Çdo pushtet korrupton, pushteti absolut korrupton në mënyrë absolute”.
Fakti është se edhe në vendet me demokraci të konsoliduar  mbahet parasysh gjithmonë ideja se liria nuk jepet gratis, prandaj luftohet përditë kundër korruptimit nga pushteti. Edhe në Gjermani edhe në Francë intelektualët dhe artistë më të shquar janë kritikë ndaj politikave të pushtetit. U pa kjo edhe në qëndrimet që ata mbajtën në lidhje me krizën greke. Në Francë së fundi ekonomisti dhe intelektuali i shquar Thomas Pickety, që në librin e tij të famshëm Kapitali në shekullin XXI  denoncon prirjen gjithnjë e më të madhe për përqendrim të pasurisë në pak duar, refuzoi Legion D’honeur duke u shprehur se, sipas tij, nuk i takon pushtetit të përcaktojë se kush është i ndershëm.
Ndërkaq, realiteti ynë është vazhdon të mbetet shprehje shembullore e asaj se atje ku nuk ka demokraci, por  përqendrim të pushteti në pak duar, zakonisht kontrollin e marrin ata që kanë mentalitet gangsterësh, të cilët tentojnë të përcaktojë jo vetëm të ndershmit e të pandershmit, të drejtët dhe të padrejtët, por edhe artistët dhe jo artistët. Dhe kësisoj artistët vazhdojnë të mbeten viktima të kësaj përvoje sipas së cilës, që të bëhesh artist dhe intelektual i suksesshëm, duhet të kesh lidhje me pushtetin dhe mbështetjen e tij. Rama me lidhjen e shkurtër artist - politikan që ka bërë është shprehja më groteske e kësaj përvoje të hidhur pervertimi si të artit dhe të politikës.
Për fat të keq ilustrimi i kësaj përvoje vazhdon të mbetet edhe artisti i talentuar Anri Sala. Në një kohë kur ne kishim dëshpërimisht nevojë për kritikën, jo vetëm të intelektualëve, gazetarëve, por edhe të artistëve, për të reaguar ndaj shëmtimit të pejsazhit urban, shkatërrimit i trashëgimisë dhe zaptimi i hapësirave publike  që filloi t’i bëjë kryeqytetit Rama pasi na i mori votat me sloganin “kthim në identitet”, Sala jo vetëm mori pjesë në aksionin e lyerjes së fasadave sëbashku me një grup artistësh, por bëri edhe një dokumentar artistik mbi fasadat e lyera në të cilin promovohet ideja, e stisur në funksion të vetpromovimit jashtë shtetit, se ky operacion ishte një martesë fatlume e artit me politikën që u dha tiranasve optimizëm, i bëri ta duan më shumë qytetin dhe të paguajnë edhe taksa më shumë. A thua artistët vërtet nuk e shihnin se çfarë ndodhte prapa fasadës, shkatërrimin e Tiranës historike dhe masakrimin e pejsazhit urban të qytetit nga oligarkët që paguanin bojrat e tyre? Po tani a nuk e pa Sala se vetëm disa ditë pas inaugurimin  të qendrës për hapje dhe dialog dhe mbarimit të fushatë elektorale ku kryebashkiaku i zgjedhur, Veliaj, premtoi mosdhënien e asnjë lejeje ndërtimi, Rama paraqiti një projekt, (si gjithmonë i organizuar me të huaj, por në shërbim të oligarkëve brenda), ndërtimesh moderne tek hyrja e Parkut, që do tu marrin qytetarëve edhe një pjesë të gjelbërimit dhe të hapësirës publike dhe do që do të shkatërrojnë përfundimisht ansamblin arkitektonik rreth sheshit Nënë Tereza? A u pa Sala apo ndonjë nga "artistët kritikë" që bashkëpunojnë në Qendrën për Hapje dhe Dialog të thonë një gjysmë fjale për këtë masakër të re urbane që na kërcënon? Ja pra ku na çon bashkëpunimi për të mos thënë varësia e artit dhe artistëve nga pushteti.
Në fakt, të flasësh për një qendër hapjeje dhe dialogu në shtëpinë e Ramës është njëlloj sikur të flasësh për një festivali kënge në një shtëpi shurdhmemecësh, sepse nëse ka ndonjë gjë që i mungon atij është aftësia për të dëgjuar mendimin ndryshe dhe kundër. Kush e ka ndjekur aktivitetin e tij si politikan nuk mund të mos verë re një gjuhë të impostuar mbi superioritetin, fyerjen, denigrimin dhe injorimin e tjetrit që mendon ndryshe. Ai ka vite që nuk del më në ndonjë debat duke preferuar rolin e të intervistuarit të vetëm, që nuk i përgjigjet seriozisht asnjë kritike për çfarëdo çështje që ngrihet, që nuk ka asnjë transparencë për vendimmarrjet e tij. Shikoni nivelin e atyre që ka si këshilltarë po ashtu. Së fundi pamë se në Asamblenë e partisë socialiste u hodh propozimi më antidemokratik që mund të kishim dëgjuar ndonjëherë në këta njëzetepesë vjet të ashtuquajtur demokraci: të gjithë do t’i nënshtroheshin zgjedhjeve përveç kryetarit. A mundet kush është intelektual e artist i vërtetë të qëndrojë indiferent ndaj këtyre sjelljeje të pushteti e madje të bashkëpunojë me të? Prandaj ngulmoj se ideja e hapjes së një qendre dialogu dhe hapjeje për intektualët dhe artistët mu në selinë e pushtetit, nën kurimin e Kryeministrit, instinktivisht edhe pa e njohur Ramën dhe historinë që kemi me pushtetin, duhet të ishte refuzuar nga intelektualët dhe artistët e vërtetë. Sipas mendimit tim edhe artistët e huaj të ekspozuar atje janë keqpërdorur, në mos korruptuar, nga Rama dhe Sala, sepse, në fakt, mjaftonte vetëm mënyra e paligjshme dhe arrogante me të cilën u hap kjo qendër që artistët e vërtetë të refuzonin të hynin atje. Jo shumë kohë më parë në Itali, bash në një vizitë të Merkelit, intelektualët italianë denoncuan përdorimin e artit të rinashimentos italiane nga Renzi për qëllimet e tij politike vetëm pse vendosi në sfond të konferencën për shtypit me Merkelin një kopje të Davidit të Mikelanxhelos.
Me këto nuk dua të them se pushteti politik nuk duhet të merret me kulturën, që kultura dhe arti të mbeten në dorë të privatëve që dihet se ç'kanë prodhuar, por se politikat demokratike kulturore, të investimeve pra publike në kulturë dhe art, duhet të jenë të tilla që t'i japin kulturës dhe artit hapësirat e autonomisë dhe lirisë, si pushtete të ndara siç duhet të jenë në një demokraci pushtete të ndara edhe ekzekutivi, legjislativi, gjyqsori, mediatiku apo siç duhet të gëzojnë autonomi universitetet publike.
Si përfundim do të thoja se një vend si ky i yni, sa nga historia aq edhe nga përvoja aktuale, ne kemi dëshpërimisht nevojë jo për shkrirje të pushtetarit me artistin, por për fuqizim të pushteti të artit qoftë në kuptimin që i jep atij Tomas Manni, si superim i politikës - apo, siç thotë Paveze, si "shpagimi ndaj padrejtësive të kësaj jete", - qoftë në kuptimin e artit të angazhuar që bën politikat e veta për t'iu kundërvënë politikave të pushtetit. Ne kemi dëshpërimisht nevojë për një grupim të të gjithë intelektualëve dhe artistëve të vërtetë në një lëvizje kundër arrogancës së një oligarkie injorante dhe kriminale, me në krye Kryeministrin e radhës, që po e çon vendin në një humnerë ekonomike dhe morale. Kjo nevojë urgjente më një anë dhe pafuqia për ta realizuar atë më anë tjetër, është një nga frustrimet më të mëdha të shoqërisë sonë në përgjithësi e të artistëve tanë në veçanti. (Panorama, 4 gusht 2015)