Wednesday, September 23, 2015

Raporti i OSBE si delegjitimim i kastës (ose reforma në drejtësi si mision i pamundur)


Opinioni po zien rreth botimit të një raporti konfidencial për përdorim të brendshëm të OSBE-së në të cilin përmenden emrat e Edi Ramës, Sali Berishës, Ilir Metës si dhe të një numri deputetësh biznesmenë oligarkë duke i cilësuar si  të korruptuar dhe të lidhur me krimin. Zhurma rreth tij s'po ka të shuar edhe pas deklaratave të përsëritura të prezencës dhe të ambasadorit Rauning se raporti ka qenë për përdorim të brendshëm, se ai nuk shpreh qëndrimin zyrtar të OSBE. Kjo nuk e pengoi aspak Edi Ramën të vazhdojë t'i quajë kriminale mediet që e botuan këtë raport, sipas tij plot gënjeshtra, që Sali Berisha ta quajë "trillim të turpshëm e qesharak" e t'i shkruajë ambasadorit se është bërë "palë me shpifësit", që Ilir Meta t'i quajë "karagjozllëqe me të cilat nuk ia vlen të merresh" ato që shkruheshin në raport, që gazeta e deputetit të përmendur Kokëdhima të kërkojë largimin e misionit të OSBE nga Shqipëria, e që një pjesë nga deputetët e përmendur të kërcënojnë se do ta hedhin në gjyq OSBE-në. Është folur edhe për një  telefonatë kërcënuese të pakonfirmuar të Ramës ndaj ambasadorit Rauning si dhe për plane të qeverisë për tërheqjen e projekteve me OSBE. Më anë tjetër gjithë ky reagim i politikës ka bërë që të elektrizohen shqiptarët  e thjeshtë me shpresën se diçka po ndodh në këtë moçal krimi dhe korrupsioni.
Ka një paradoks që duhet shpjeguar në tërë këtë histori. Si ka mundësi që po bëhet gjithë kjo zhurmë si nga të akuzuarit edhe nga shqiptarët e thjeshtë  ndërkohë që në atë raport nuk ka asgjë të re për bëmat e Edi Ramës, Sali Berishës, Ilir Metës e shumë prej deputetëve të përmendur.
Le të përpiqemi ta shpjegojmë këtë paradoks.
E para gjë që duhet vënë në dukje është se politikanët e revoltuar me raportin e dinë shumë mirë se ato që thuhen atje janë të vërteta (të paktën ato që thuhen për palën kundërshtare) sepse janë edhe ata që kanë furnizuar qoftë mediet qoftë ndërkombëtarët me ato të dhëna. Mjafton të kesh parasysh se për korrupsionin e Edi Ramës me leje ndërtimi e me tenderë opozita dhe mediet pranë saj kanë ngritur një mal me dosje duke filluar nga i famshmi Komisioni Olldashi. Po ashtu mjafton të kesh parasysh se sa është folur nga maxhoranca e sotme dhe mediet pranë saj për Gërdecin dhe përfshirjen e të birit të Berishës atje apo për aferat e së bijës me studion e saj ligjore, për të kuptuar se OSBE s'ka pasur se si të mbyllë sytë e veshët ndaj këtyre akuzave. Kurse për Ilir Metën kemi akuzat e të dy palëve, shumë herë më të rënda sesa ato që thuhen në raport. Mjaft të kemi parasysh faktin se Edi Rama çoi drejt kasaphanës së Sali Berishës një turmë protestuesish në krye të së cilës ishin treqind spartanët e Tom Doshit mu për shkak të një videoje ku, sipas tij, dilte qartë korrupsioni i Ilir Metës e më pas akuzat e opozitës ndaj Metës për çështjen Doshi.
Po atëherë pse janë shqetësuar kaq shumë këta për një raport për përdorim të brendshëm, i cili, sipas meje, mund të kishte qenë edhe shumë më i pasur qoftë me bëma qoftë me pasoja të këtyre bëmave? Sipas meje kjo ndodh sepse raporti u bë i jashtëm. Shqetësimi i tyre tregon se komuniteti ndërkombëtar është faktor shumë herë më i rëndësishëm për legjitimitetin e kësaj elite sesa populli shqiptar, që i di përmendësh e i bisedon përditë nëpër kafene, me detaje shumë më të hollësishme të thënat e të pathënat e këtij raporti. Ata nuk i tremb fakti se OSBE apo amerikanët i dinë bëmat e tyre, por frika se mos vallë aleatët e tyre kanë vendosur të mos ua japin më legjitimitetin që u kanë dhënë, pra të veprojnë në një mënyrë apo tjetër për t'i rrëzuar ata nga pushteti.
Më anë tjetër, pikërisht kjo frikë e tyrja është shkaku se pse janë elektrizuar kaq shumë shqiptarët? Tani që lojës mashtruese të mbështetjes së njërës parti kundër tjetrës në favor të së njëjtës kastë i ka dalë boja tërësisht  ata ndjehen të pafuqishëm ndaj kësaj kaste dhe të gjithë shpresën e shpëtimit e kanë tek të huajt. Prandaj dhe kanë tjerrur teori konspiracioni njëra pas tjetrës sipas të cilave amerikanët dhe evropianët kësaj radhe kanë vendosur ta rrëzojnë regjimin oligarkik të Tiranës e se kjo e ka nismën që nga fjala e John Kerry-t. Dhe nuk kanë faj ç'është e vërteta. Po të shikosh historinë e Shqipërisë  sa herë që janë rrëzuar nga pushteti kastat e urryera janë rrëzuar si pasojë ngjarjesh ndërkombëtare. Puna është se këto nuk kanë ndodhur për hatër të shqiptarëve.
Ja ky është sipas meje shpjegimi se pse po bëhet kaq shumë zhurmë për asgjë qoftë nga të akuzuarit në raport qoftë nga viktimat e tyre shqiptare.
Megjithatë zhurma flet për një gjë thelbësore: gjendjen mjerane të shteti të së drejtës në Shqipëri. Sepse sikur në Shqipëri të funksiononte një drejtësi e ndarë nga pushteti i oligarkëve të përmendur dhe i disa të tjerëve që s'kanë hyrë ende në Parlament, ajo do të kishte siguruar me kohë vërtetësinë ose pavërtetësinë e këtyre akuzave e nuk do të kishim fare një raport të tillë. Ja pra pse duhet reforma në drejtësi - do të thonë disa me në krye ndërkombëtarët në fjalë. Mirëpo pas reagimit që pamë me raportin shtrohet pyetja: a  mund të kryhet një reformë që të sigurojnë drejtësi, dmth. edhe barazi përpara ligjit nga politikanë të cilët sapo u përmendet emri sulmojnë edhe autoritetin e vetëm që ka një lloj kredibiliteti për tu quajtur arbitër dhe i drejtë në këtë vend? JO, sipas meje politikanë të mësuar me sundimit të më të forti e jo të ligjit nuk mund ta lejojnë një reformë të tillë. Ky është një mision i pamundur me këta njerëz në pushtet sepse sundim i ligjit dhe sundimi i sojit të këtyre politikanëve janë dy gjëra që e përjashtojnë njëra tjetrën. Që ligjit dhe të drejtës t'i hapet rruga e sundimit në Shqipëri duhet që delegjitimimi i tyre të mos mbesë në letrat e një raporti konfidencial të OSBE-së, por të bëhet realitet nga shqiptarët. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm kur ata të kuptojnë se kjo punë nuk bëhet me letrat e ndërkombëtarëve, por me luftën e tyre për liri, dinjitet dhe drejtësi. (Panorama, 23 shtator 2015)

Thursday, September 17, 2015

Industria e baltës dhe industria e propagandës


Në shfaqjen e radhës të organizuar në Pallatin e Kongreseve me titull “antidroga”, fjalimi i regjisorit dhe kryeaktorit të shfaqjes, Kryeministrit Rama, u përqendrua fund e krye rreth një shprehjeje: “industria e baltës”. Kjo industri, sipas tij, na qenka një fenomen i njohur botërisht i reagimit të së keqes ndaj qeverive të suksesshme si kjo e tija, madje, sa më shumë kanë suksese ato, aq më shumë rritet industria e baltës ndaj tyre. 
Personalisht, duke parë shfaqjen, bëra çudi, për të kushedi të satën herë tashmë, se si ka mundësi që një njeri që dikur e krijoi karizmën e tij duke ironizuar diktatorin dhe të kaluarën komuniste, ka degraduar aq shumë, sa që nuk arrin të kuptojë se ajo që po shpaloste në Pallatin e Kongreseve ka një emër shumë të mirënjohur për shqiptarët: industria e propagandës komuniste. 

Si një fantazmë e asaj kohe, kjo industri na u shpalos në sallën e stërmadhe të atij pallati famëkeq të ndërtuar pikërisht në funksion të propagandës, në mënyrën më të ekzaltuar. Aty pamë si dikur, njerëz që kishin vetëm një detyrë: ta mbushnin atë sallë përplot për të treguar unitetin e partisë rreth popullit dhe të duartrokisnin, vetëm të duartrokisnin. Si në kongreset e dikurshme të Enver Hoxhës aty na u shpalosën fillimisht arritjet dhe sukseset me zërin e ministrit dhe shefit të Policisë dhe pastaj dëgjuam mbështetjen e delegacioneve të huaja, ambasadorit amerikan dhe atij italian, e më në fund e mori fjalën udhëheqësi vetë. 

Ishte një fjalim që po ta shohësh nga pikëpamja psikologjike, të ndihmon të kuptosh se si funksionojnë mendjet e sëmura totalitare, si ajo e Enver Hoxhës me shokë, që vetëm me demokracinë nuk kanë lidhje, por që tingëllonte qesharak më shumë sesa i frikshëm, për shkak të kontekstit ku jetojmë. 

Pse e them këtë? Sepse arsyeja ta do që, duke njohur problematikën e rëndë që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi me krimin e organizuar e me trafiqet e drogës, edhe nëse Policia ka arritur ndonjë sukses, siç është pakësimi i sipërfaqeve të mbjella me kanabis, detyra e një qeveritari është të përqendrohet te problematika, te punët për të nesërmen, pra të jetë sa më modest për sukseset dhe sa më i ndjeshëm ndaj mosrealizimeve. Por kështu funksionon një mendje e shëndoshë demokratike, jo ajo e Kryeministrit tonë. 

Ai ka të tjera shqetësime në kokë: të justifikohet për të keqen që ka brenda, duke e hedhur fajin jashtë vetes, si dhe të damkosë ata që vazhdojnë t’ia tregojnë fytyrën në pasqyrë ashtu siç e ka, duke mos e lënë të sundojë i pashqetësuar në mbretërinë e njerëzve të frikësuar e depersonalizuar që kërkon të ndërtojë. 

Duke u mbështetur vetëm në një gjë, pakësimin e hektarëve të mbjellë me drogë, i gjithë fjalimi i tij shpalosi vizionin e një Shqipëria ashtu siç e shihte dikur mendja delirante e Enver Hoxhës, ku më një anë qëndron qeveria e tij dhe populli që po i gëzon të mirat që i ka sjellë partia dhe udhëheqësi kryesor dhe, më anë tjetër, armiqtë e popullit dhe bashkëpunëtorët e tyre – ata që sot kanë ende mundësi të shkruajnë në gazeta, të flasin në televizione, të bëjnë opozitë, – sipas tij duke ngritur një mal me baltë dhe shpifje. Detyra jonë e parë – tha Kryeministri – është të mos i dëgjojmë ata. 

Unë hedh poshtë me neveri – vazhdoi ai – ata që i bëjnë përgjegjëse të dy palët për gjendjen e Shqipërisë (duke hedhur poshtë edhe fjalën e ambasadorit amerikan që e vuri në dukje një gjë të tillë). Jo, më një anë jemi ne, të bardhët, më anë tjetër janë ata të zinjtë: “industria e baltës”. Kujtdo që ka jetuar kohën famëkeqe të Enver Hoxhës nuk mund të mos i asociohej “industria e baltës” me shprehjet “reaksioni”, “armiqtë e partisë dhe të popullit” që, sipas Hoxhës, duheshin hequr qafe sa më parë dhe sa më tërësisht që Shqipëria të lulëzonte siç lulëzoi.

Duke dëgjuar Kryeministrin, askush nuk arriti të kuptojë një gjë, megjithatë, (besoj se edhe ambasadori amerikan dhe ai italian): Si ka mundësi që ky kalorës radikal i luftës kundër të keqes, krimit dhe drogës paska futur aq shumë kriminelë, trafikantë e të korruptuar në Parlament në krahun e tij? Dhe pse? Por detyra e industrisë së propagandës nuk është kjo. Detyra e saj është të manipulojë dhe frikësojë njerëzit. (Panorama, 17 shtator 2015)
  

Tuesday, September 15, 2015

Pengje apo njerëz të krimit


Në kontekstin e fushatës për pastrimin e Parlamentit nga figurat të krimit, mediet shqiptare, por edhe ato të huaja, kur analizojnë raportet e shtetit tonë me krimin, më specifikisht të qeverisë dhe kryeministrit Rama, i referohen një opinioni të përhapur që përdor shpesh fjalën "peng". Thuhet psh. se Ramës i janë dashur të fortët e krimit për të mbrojtur apo blerë votën kundër Berishës me justifikimin e  bashkimit të të gjithë qelbësirave për ta mundur atë, se kjo nevojë e shtyu të bashkëpunojë me njeriun që e kishte akuzuar për korrupsion, kryetarin e LSI Ilir Meta, e se tani nuk çlirohet dot prej tyre, pra është peng i tyre. Disa e thonë me të keq, por kuptohet se përdorimi i këtij termi shpreh edhe një lloj empatie ndaj Kryeministrit pasi përmban brenda edhe kuptimin e një viktime, të një individi (apo grupi njerëzish apo institucioni, partie, qeverie deri shteti) që nuk është në gjendje të marrë vendime të lira me vullnetin e vet sepse ka mbi kokë kërcënimin e krimit. E kësisoj ai  sikur justifikohet, bëhet si të gjithë qytetarët: bashkëvuajtës.
Duke u nisur edhe nga ky këndvështrim psikologjik termi "peng" më duket një fjalë kyç në analizimin  e raportit të shtetit tonë me krimin.
***
A është gjendja e pengut e vërteta e Sali Berishës, Edi Ramës, Ilir Metës dhe më në përgjithësi e klasë sonë politike që ka ndërtuar institucionet tona shtetërore? Nëse është kështu: a mund të shpresojmë se Edi Rama mund të çlirohet nga gjendja e pengut dhe të kthehet në gjendje që, me vullnetin e tij të lirë, të punojë për të mirën e vendit? Dhe çfarë duhet bërë që ai të çlirohet? Apo përdorimi i kësaj fjale është shprehje e gjendjes së një shoqërie të marrë peng nga një politikë kriminale dhe që, duke qenë e pafuqishme për tu çliruar vetë prej saj, shpreson të çlirohet duke i projektuar shpresat tek një udhëheqës i mirë brenda saj?
Sipas meje ka një problem themelor moral kur flasim për ata individë që vendoskan me vullnetin e tyre të hyjnë në politikë që të "kapen peng" nga krimi, deri duke ndarë pushtetin me kriminelë. Situata postkomuniste e politikanëve shqiptarë nuk mund të krahasohet me situatën e komunizmit kur dikush mund të justifikohej duke thënë se i hyri politikës në emër të disa idealeve të luftës dhe pastaj mbeti brenda sepse e kishte të pamundur të dilte, ngase i ikte koka. Periudha pas komuniste, qoftë për shkak të hapjes së kufijve të Shqipërisë ndaj botës, qoftë për shkak të hapësirave relative të lirisë që krijoi pluralizmi, liria e shprehjes, biznesi privat, ka krijuar shumë herë më tepër mundësi për t'u larguar nga politika, pa u rrezikuar, për ata politikanët që e shohin veten të detyruar të punojnë kundër idealeve të tyre apo të detyruar të ulen në bango me kriminelë dhe vrasës.  Fakti që  nuk e kanë bërë këtë flet për diçka tjetër nga situata e një pengu.
Po ashtu edhe argumenti se këtyre u është dashur të bashkëpunojnë me krimin për të fituar pushtetin që pastaj të bëjnë mirë nuk qëndron. Le t'u kthehemi dy momenteve historike, atij të vitit 91 dhe atij të vitit 97, kur kanë ardhur në pushtet dy forcat politike që kanë qeverisur dhe vazhdojnë të qeverisin vendin gjatë këtij afro çerek shekulli. E vërteta është se Sali Berishën nuk e sollën në pushtet të fortët, kriminelët, por pati një mbështetje të madhe popullore si dhe ndërkombëtare që ishte lëvizja kundër komunizmit. Nuk kishte asnjë arsye pra, që, për të marrë e mbajtur pushtetin, të bashkëpunonte me kriminelë - siç ishin psh. ata që ndërtuan piramidat financiare. Edhe socialistët si Nano, Meta, Rama kur erdhën në pushtet në vitin 1997 nuk i solli krimi, por një lëvizje e madhe popullore, e mbështetur edhe ndërkombëtarisht, që shpërtheu pikërisht kundër një shteti që nuk i kishte mbrojtur qytetarët e vet, por ishte bërë palë me krimin.
Në fakt e vërteta është e kundërta. Ata kanë përdorur shumicën e për të ardhur në pushtet dhe më pas kanë tradhtuar idealet dhe shpresat e saj duke bashkëpunuar me një pakicë kriminale brenda kësaj shumice duke e kapur peng këtë shumicë. Dhe pyetja thjesht retorike është: çfarë i shtyn këta të bashkëpunojnë me vjedhësit, mashtruesit, kriminelët nëse nuk janë edhe vetë mendje kriminale, të korruptuara shpirtërisht e moralisht?
Prandaj mendoj se përdorimi i fjalës "peng" për politikanët tanë duhet refuzuar nëse duhet të çlirohemi nga gjendja e pengut ku ata na kanë futur.
***
Në fakt në gjuhën e analizës politike ekziston një term shumë më i saktë sesa "peng" për të përshkruar gjendjen e politikanëve dhe institucioneve të drejtuar prej tyre që punojnë për krimin. Është fjala "i kapur" (në anglisht i thonë "state captured"). Termi "shtet i kapur" nuk përmban asnjë lloj empatie për individin politikan që bashkëpunon me krimin pasi ai nuk shpreh raportin midis një politikani dhe krimit që e ka kapur atë. Termi "kapje e shtetit" nënkupton më një anë shtetin si institucion, në kuptimin abstrakt, që presupozohet se duhet të punojnë në emër të së mirës publike dhe, më anë tjetër, individë politikanë konkretë me prirje kriminale që e tjetërsojnë rolin e shtetit.
Pra ka një dallim thelbësor midis politikanëve peng dhe politikanëve të shtetit të kapur. Kur përdorim termin "peng" nënkuptojmë një shtet që ka në strukturat e tij njerëz të ndershëm, por të cilët nuk arrijnë të bëjnë mirë pasi pengohen apo shtrëngohen nga krimi, por që gjithsesi janë edhe të mbrojtur nga struktura të tjera shtetërore. Nëse do t'i referohemi përvojave do të përmendja psh. shtetin italian të pas Luftës II dhe raportin e tij me mafjen. Në rastin e tij është folur shpesh për bashkëpunim të segmenteve të shteti italian me mafien nën shtrëngimin e saj, apo edhe për interesa korruptive apo edhe të votës. Megjithatë, për atë shtet, nuk është përdorur termi "i kapur" sepse ka pasur struktura të tjera të shtetit që kanë funksionuar drejt si gjyqësori psh.. Le të kujtojmë Falconen dhe Borselinon.  Kurse kur flasim për shtetin e kapur kemi parasysh një shtet të ndërtuar nga një parti kriminale ku nuk ka kuptim të bësh ndarjen midis shteti dhe krimit se janë dy anë të së njëjtës medalje dhe kundër tij nuk të mbron asnjë institucion, sepse në krye të shteti janë vetë drejtuesit e krimit. Si kulminacion ekstrem të tij do të sillja shtetin komunist prej nga vijmë.
Mendoj se realiteti i sotëm shqiptar, megjithë diferencat në shkallën e lirive të fituara, është më afër modelit të trashëguar nga komunizmi sesa modelit italian që permenda. Tek ne nuk mund të flitet për segmente të devijuara, por për një shtet të devijuar tërësisht nga objektivat e një shteti që punon për të mirën publike. Provat për këtë janë të dukshme. Një prej tyre është edhe vazhdimësia e funksionimit të praktikave të partisë shtet që kontrollon edhe Gjyqësorin, edhe policinë, edhe mediet edhe ekonominë në favor të pjesës më kriminale të shoqërisë. Vërtet sot ka më shumë se një parti dhe një tjetër kontekst gjeopolitik e ligjor, çka e bën të ndryshme gjendjen nga ajo  shtetit komunist përsa i përket mundësive të shtypjes, por mentaliteti është po ai. Fakti është se pasi merr pushtetin partia fituese sillet si një parti -shtet e vetme, që merr nën kontroll edhe ata institucione që, në një shtet demokratik, duhet ta kontrollojë atë nëse ajo kryen aktivitet kriminal. E provojnë këtë edhe zhvillimet e fundit. Në një kohë kur partia shtet po akuzohet për lidhje me krimin, për lidhje me trafikantë droge e prostitucioni që i ka futur deri Parlament dhe kur Ministri i Brendshëm kapet me gënjeshtra flagrante në tentativat për t'i përgënjeshtruar këto nuk shohim asnjë organ  të pavarur prej tyre të vihet në veprim për të hetuar këto akuza. (E njëjta gjë ndodhi edhe kur shpërtheu skandali Doshi - Meta që tregoi se kufijtë që duhet të ndajnë politikën me krimit janë shuar në këtë vend.) E ndërkohë, nga ana tjetër, Kryeministri terrorizon vendin duke kërcënuar me burg e me gjoba marramendëse qytetarët, vetëm për një faturë, shëmbëllyeshëm me një kryemafioz që përdor bandën e tij të policëve, prokurorëve e gjyqtarëve të kapur për të ushtruar raketing mbi qytetarët e vet.
***
Si përfundim, për tu kthyer tek fushata e pastrimit të politikës nga njerëzit e krimit që është sot në rend të ditës, sipas meje ajo po bazohet gabueshëm mbi konceptin e politikanit peng që funksioon njëherësh si alibi e politikanëve mafiozë, dhe nevojë psikologjike e njerëzve për të shpresuar tek e mira. Ai të kujton një parulle që përhapej në popull gjatë kohës së diktaturës, sipas së cilës "Uji nga lart vjen i kulluar, por turbullohet poshtë." Sipas meje të heqësh nga Parlamenti disa deputetë me "rekorde kriminale" (siç thuhet), në kushte e një shteti të kapur nga një politikë që e ka futur atë të tërin në një drejtim kriminal është si të hedhësh në det disa ngarkesa të tepërta për të lehtësuar anijen që po mbytet. Ajo për çka kemi nevojë nuk është ky lloj lehtësimi, por ndryshimi i drejtimit kriminal që ka anija dhe për këtë duhen larguar e ndëshkuar kapitenët që e kanë drejtuar për andej, jo ushtarët e tyre. Përndryshe ajo është e destinuar të vazhdojë të lundrojë në ujërat e krimit që do t'ia çajnë fundin gjithnjë e më shumë duke e bërë mbytjen gjithnjë e më të shpejtë e më katastrofike. (Panorama, 15 shtator 2015)