Tuesday, November 17, 2015

Konflikti Rama - Meta nga jashtë godinës së pushtetit

Në shkrimin paraardhës me titull “Laguna Blu dhe kapitalizmi ynë kafshëror” e kam krahasuar pushtetin oligarkik në Shqipëri me një godinë trekatëshe me një shkallë të lëvizshme që lidh katin e  parë të bizneseve klienteliste, me katin e dytë të mediave klienteliste dhe katin e tretë të partive/banda (me aneks drejtësinë) - ndërkohë që, në një demokraci, ato duhet të jenë pushtete të ndarë. Në atë shkrim kam thënë midis të tjerash se kam më shumë respekt për trafikantët sesa për njerëzit e këtyre tre kateve: politikanë, pronarë mediesh, gazetarë dhe biznesmenë që pasurimin e tyre e kanë bazuar në mashtrimin dhe grabitjen e publikut. Pas kritikave të disa lexuesve të vëmendshëm  më duhet të bëj një korrigjim. E kam pasur fjalën për ata trafikantë që, në një mënyrë apo tjetër, kanë qëndruar jashtë lidhjes me tre katet e godinës e që shpesh kanë përfunduar të vrarë apo nëpër burgje. Kurse atyre që paratë e drogës i kanë përdorur për të hyrë në godinën e pushtetit më duhet tu gjej një vend të veçantë. Them se u shkon më së shumti bodrumi. Pra shkallës lëvizëse që lidh tre katet e godinës i duhet shtuar edhe një segment që siguron zbritjen dhe ngjitjen në bodrumin e krimit. Aq më tepër duke patur parasysh se banorët e bodrumit janë bërë gjithnjë e më të rëndësishëm në aktivitetet e kateve të tjera.
***
Kohët e fundit godina po lëkundet nga ulje ngritjet e një të ashtuquajturi konflikti Rama – Meta. Arsyet e këtyre lëkundjeve mbeten të paqarta pasi, shumëçka që na vjen nga kati i dytë, më shumë na fut në pista të gabuara, sesa na ndihmon për të kuptuar. Prandaj, për të kuptuar diçka më shumë, sipas meje, lipset një vështrim nga jashtë i të gjithë godinës. Dhe pamja nga jashtë tregon se konfliti nuk duhet parë si sherre për pushtet në katin e tretë, siç e shohin shumë, por në kontekstin e një krize të të gjithë godinës. Kjo krizë është e dyfishtë: më një anë kemi krizën e rëndë ekonomike në të cilën e ka zhytur vendin godina; më anë tjetër krizën e rëndë të besimit ndaj godinës, ku, në rreth vicioz, kriza ekonomike ka shtuar krizën e besimit dhe kriza e besimit thellon krizën ekonomike. Lëkundjet e raportit Rama - Meta duhet t’i shohim më së pari si manifestim të kësaj krize. Dhe vetëm pastaj të shtrojmë pyetjen: mos vallë ardhja e Edi Ramës e ka thelluar këtë krizë dhe pse.

Kriza ekonomike
Për krizën ekonomike është e tepërt të zgjatem. Ajo është pasojë e një ekonomie të dështuar piramidale, të bazuar mbi mashtrimin dhe grabitjen e publikut, që po arrin në grahmat e fundit. Për të dalë prej saj duhen operacione serioze e të përgjegjëshme që të synojnë shkatërrimin e kësaj godine, ndërprerjen e lidhjeve kriminale të punëve të katit të tretë me  punët e kateve të tjera dhe ndërtimin e strukturave të tjera të ndara. Mirëpo këtë as që e mendojnë njerëzit e godinës. Përkundrazi, ata kanë lëshuar taksidarët e policët të ushtrojnë terror psikologjik dhe fizik kundër njerëzve për të mjelur të ardhurat e fundit që u kanë mbetur. Kjo ka thelluar krizën ekonomike sepse njerëzit, nga ana e tyre, nuk mbajnë dot më dhe mbyllin qepenat e ikin - derisa të vijë një ditë kur të sulmojnë godinën për të ndaluar grabitjen që po u bëhet. Kaq po them për krizën ekonomike pasi kam përshtypjen se të gjithë e kanë të qartë se për çfarë po flas ngaqë e përjetojnë përditë si ethe në trup.

Kriza e besimit.
Problemi është se deri dje, megjithë varfërinë dhe vështirësitë ekonomike në rritje, godina ka mbijetuar. Një nga shkaqet e mbijetesës ka qenë propaganda që godina ka përhapur nëpërmjet katit të dytë për të mbajtur gjallë besimin tek ajo nëpërmjet alternimit të njerëzve të katit të tretë, veçanërisht nëpërmjet lojës së ashtuquajtur të votimeve.  Gjatë viteve kjo propagandë ka ndërruar gjuhë. Fillimsht i ka ndarë njerëzit e katit të tretë në “të mirë” dhe “të këqij”, pastaj në “më të mirë” e “më të këqinj”, pastaj në “e keqja më e vogël”, deri tek “qelbësirat” kundër “kryeqelbësirës”. Sot kemi arritur në pikën e konsumimit të kësaj loje. Sipas meje dy vjetët e Edi Ramës konsumuan mashtrimin e fundit të godinës.

Konflikti Rama - Meta
Megjithatë, siç ndodh rëndom me ata që janë mësuar me pushtet dhe e humbasin kontaktin me realitetin, njerëzit e godinës nuk e shohin kështu gjendjen. Ata mendojnë se mund ta vazhdojnë lojën e alternimit të kryeqelbësirave që bëhen qelbësira dhe të qelbësirave që bëhen kryeqelbësira. Tek ky gabim e ka burimin, sipas meje, konflikti Rama - Meta. Konflikti është një përpjekje mashtruese e rradhës për të gjetur një kryeqelbësirë për t’ia hedhur publikut që ky të besojë edhe ca kohë tek qelbësirat e godinës.  Dhe nuk ka dyshim se qoftë PS-ja qoftë PD-ja mendojnë se më i përshtatshmi për këtë rol është Ilir Meta. Ndërkaq ky kundërvepron për të mbrojtur interesat e tij duke u thënë direkt ose indirekt se s’mund ta bëjnë këtë lojë me të, sepse ai u njeh dhëmbë e dhëmballë të tërë qelbësirave të godinës të të tëra kateve. Kjo lojë po njeh kohët e fundit ulje ngritjet e veta. Pas reagimit të fundit të Metës kundër kryeprotagonistit të kësaj përpjekje për mashtrim, Ramës, u duk sikur do të bëhej nami, do të binte qeveria, por shpejt konflikti u qetësua, ndoshta me ndonjë pazar të rradhës të mbyllur edhe me njerëzit e katit të parë, ndërkohë që publikut iu shfaq filmi i vjetër tashmë i bërë bozë: “Fajin e ka Doktori”. Por kuptohet se kjo nuk do të zgjasë shumë, sepse gjendja po precipiton.


Roli i Ramës
Sipas meje Rama, përveç faktit se e gjeti vendin të superlodhur nga kriza ekonomike dhe e besimit ku e la doktor Berisha po bëhet një katalizator i jashtëzakonshëm i përshpjetimit të saj. Ai po bën të na shfaqen me shpejtësi dhe evidencë të paparë veset më të këqija të godinës. Ose, thënë ndryshe, Rama po bën veprime që po i çjerrin përfundimisht maskën godinës.
Së pari, ai e ka çuar në ekstrem arrogancën dhe korrupsionin e godinës. Nuk di të them nëse është droga e pushtetit apo efekti i kokainës për të cilën e kanë akuzuar shpesh, por arroganca dhe egërsia me të cilën qeveria e  tij po grabit njerëzit jashtë për të paguar të tijtë brenda ka arritur kulme të papara. Ai po i tejkalon edhe normat më të ulëta morale me të cilat kanë punuar deri më sot njerëzit e godinës, qoftë me njerëzit jashtë godinës qoftë edhe me njëri – tjetrin brenda. Është e pabesueshme lehtësia me të cilën nxjerr ligje për të futur në burg njerëzit e thjeshtë për një faturë ndërkohë që vetë i shkel ligjet në mungesë të plotë transparence për të favorizuar veten dhe të tijtë. Ç’të thuash për lejet  e ndërtimit që u jep buzë detit apo tek Parku Sandrit dhe Samirit pasi i ka akuzuar këta si simbol i lidhjeve korruptive të biznesit dhe mediave me pushtetin dhe ka premtuar pastrimin e bregdetit dhe ndalimin e lejeve të ndërtimit në Kryeqytet? Po për faktin se e sheh më shumë jashtë se brenda vendit dhe, s’mjafton kjo, por nëpër udhëtimet merr me vete edhe pikturat për të çelur ekspozitat e tij personale? Së fundi i la njerëzit pa gojë me idenë çmendurake për të paisur ministrat me jaguarë, çka  është një sklandal i dyfishtë: si për faktin e makinave të shtrenjta që ka zgjedhur edhe për paturpësinë e dhënies së tenderit klientit të tij. E pastaj, në bazë të parimit krimi ndjell krimin, këto bëma e çojnë deri  tek propozimi i një shtesë të ligjit mbi shpifjen ku shkruhej: “Shpifja e kryer botërisht ndaj një funksionari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, me qëllim atribuimin atij të një fakti që parashikohet nga ligji si vepër penale, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.
Pjesa tjetër ku ai po jep kontribut personal është prishja e raporteve brenda godinës. Kapot e vjetër të godinës kanë ndërtuar kodin e tyre të sjelljes jo vetëm me njerëzit jashtë, por edhe me njëri tjetrin çka me dy fjalë mund të përmblidhet me garancinë e pandëshkueshmërisë dhe njëfarë ndarje të territorit përsa i përket përfitimeve. Edhe takimi i Metës me Ramën në Lalëz, ku u vendoz aleanca, ishte pjesë e këtyre marrëveshjeve mafjoze. Mirëpo Rama nuk po jep siguri se do ta respektojë këtë marrëveshje. Ai kalon me lehtësi nga marrëveshjet mafjoze në gjendje delirante duke u paraqitur sikur ai është i miri që po e pengojnë të këqijtë si Ilir Meta për të pastruar Shqipërinë.  Për këtë po manovron që aneksin e drejtësisë ta bëjë instrument krejtësisht të vetin dhe po ashtu duke lëshuar thirrje si ajo e fundit: “bëhuni me PS që të pastrojmë Shqipërinë”. Sigurisht kjo ka acaruar Ilir Metën dhe jo vetëm. Sepse nuk mund të flasë për pastrim të Shqipërinë njeriu që ka lidhje më shumë se të gjithë të tjerët me njerëzit e bodrumit.
Po ashtu, kohët e fundit, po i thekson prirjet delirante për tu bërë zot i vetëm i të gjithë godinës – që do të thotë edhe të përfitimeve të katit të parë - duke ia kaluar në këtë delir edhe paraardhësit të tij që këtë delir e kishte jo të vogël. Në këtë kontekst edhe raporti i tij me katin e dytë po bëhet gjithnjë e më problematik. Megjithëse mediet dhe shumica e gazetarëve punojnë për godinën, ato deri më tani, për hir të lojës që bëjnë, kanë gëzuar një lloj autonomie. Psh. më së shumti cenzurën ndaj gazetarëve e kanë ushtruar pronarët e mediave që kanë shërbyer edhe si ura lidhëse e medieve me bodrumin, katin e parë dhe katin e tretë. Kurse Rama po kërkon ta bëjë vetë edhe punën e cenzuruesit.
Të vetmit me të cilët duket se ka ende marrëdhënie të mira janë njerëzit e bodrumit, por edhe kjo i ka krijuar shumë probleme me njerëzit e kateve të tjera sepse ata, jo vetëm që duan ta ruajnë një lloj aparence, por ndjehen edhe të kërcënuar nga pushtimi që po i bëjnë katit të tretë, me inkurajimin e Ramës, ata të bodrumit.

Si përfundim
Vështruar nga jashtë pamja tregon se në punën e së keqes njerëzit e godinës kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten komplementarë të njëri tjetrit. Konflikti Rama - Meta i kohëve të fundit, sipas meje, thellë thellë duhet interpretuar në këtë kontekst si një shmangie e të gjithëve nga e vërteta e krizës që kanë krijuar sëbashku. Ndërkaq, dalja e një njeriu me karakteristikat morale të Ramës në krye të godinës duhet parë si shprehja më eksplicite e degjenerimit shumëvjeçar të saj.
Aktorët e katit të dytë që bëjnë sot sikur janë të zhgënjyer me Ramën, apo që e nxisin “të mirin” Rama t’i bjerë “të keqit” Meta, bëjnë thjesht lojën e godinës sepse dihej që Rama ishte një nga themeluesit e kësaj godine. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ata që shpresojnë se Meta do të bëjë më në fund një lëvizje të fortë kundër marrëzive të Ramës si dhe për ata të opozitës që u drejtohen vazhdimisht atyre që votuan Ramën duke u thënë: a ju paralajmëruam që do të binit nga shiu në breshër me këtë kokainoman? Këtyre u duhen bashkuar edhe ata ironikë, indiferentë apo të nënshtuar që mendojnë se godina në fjalë është kapelja që meritojnë shqiptarët, me fjalë të tjera se kjo mafje në pushtet,  gjithsesi, krijon një lloj qëndrueshmërie dhe sigurie, dhe që e presin zgjidhjen e krizës brenda lojës së saj.
Personalisht ngulmoj se ashtu siç analiza e krizës duhet bërë nga jashtë godinës edhe zgjidhja duhet kërkuar jashtë saj. (Panorama, 16 Nëntor 2015)






Read More......

Monday, November 2, 2015

Laguna Blu dhe kapitalizmi ynë kafshëror


Para dy vjetësh, kur jam pyetur se kush do të qe më mirë të fitonte zgjedhjet e vitit 2013 kam bërë një arsyetim që disa e morën me qesëndi: nëse fitonte Berisha, shqiptarët do të humbnin edhe katër vjet me shpresën se, kur të vijnë këta të tjerët, gjërat do të ndryshojnë, kurse po fitoi Rama do të ndërgjegjësohen më shpejt  se këta nuk janë zgjidhja, por pjesë e problemit, prandaj ndoshta do të fillojnë të kërkojnë zgjidhjen e vërtetë.
Nuk e kisha menduar se qeverisja Rama do të punonte kaq shumë për ta përmbushur sa më shpejt parashikimin tim. Por kjo historia e lejes dhënë Sandrit dhe Samir Manes për të ndërtuar në Qerret, buzë detit dhe e lejes tek Parku përballë Ekonomikut në Tiranë që mbahet sekret se kujt i është dhënë, por zëra të mirëinformur flasin se rrotull tyre duhet ta kërkojmë lejemarrësin – duke pasur parasysh se kjo dyshe ishte paraqitur nga Rama dhe të tijtë si emblema e lidhjeve korruptive të Berishës me biznesin dhe mediet – sikur e mbushi kupën e bindjes se gjërat me Ramën po vashdojnë atje ku i la Berisha, veç duke precipituar edhe më shpejt. Dhe nuk e kam fjalën se u ndërgjegjësuan banorët e Lagunës Blu të Qerretit,  shumica e të cilëve, sipas meje, kanë qenë kaherë të ndërgjegjësuar për kuptimin e vërtetë të përshëndetjes “Të fala Sandrit” që Rama i drejtonte këtij me gazetarët. E kam fjalën për njerëzit që po e ndjekin ngjarjen nga jashtë gardheve të Lagunës Blu historinë.

Gjeneza e së keqes
Në fakt kjo historia e Qerretit është emblematike për të kuptuar mekanizmin se si është pervertuar që në gjenezë sistemi kapitalist që deshëm të ndërtonim, për të përcaktuar përgjegjësit, për të analizuar se në ç’fazë jemi sot, dhe për të gjetur rrugëdaljen. Mund të ishte edhe një subjekt i lezeçëm romani me titull “Ngritja dhe rënia e Lagunës Blu”.
Historia fillon kur toka në fjalë u dha me koncesion medemek për ndërtimin e një fshati turistik me idenë e zhvillimit kapitalist të vendit. Me fjalë të tjera ideja që iu shit popullit ishte se atje do të ngrihej një kompleks turistik nëpërmjet të cilit investitorët do të nxirrnin përfitimet e tyre por, vini re,  në të njëjtën kohë do të punësonin njerëz në hoteleri, bar - restorante e shërbime të tjera, do të paguanin edhe taksa me të cila do të mbahej shteti dmth. do të kurohej edhe interesi publik.
Por çfarë ndodhi? Në vend të objekteve turistike atje, kryesisht në kohën e socialistëve, u ndërtuan vila dhe apartamente për elitën  re që po drejtonte vendin, politikanë, biznesmenë, gazetarë, shkrimtarë, shoqëri civile etj.. Kur erdhi koha e demokratëve ndërtimet e kryera, në vend se të ktheheshin në destinacionin turistik, u privatizuan duke u ndryshuar ligji. Pra kjo copë e vyer bregdeti që mund të prodhonte të mira për të gjithë shoqërinë mbi bazën e harmonizimit të interesit privat me atë publik, me shtetin si rregullator të kësaj harmonie, u kthye praktikisht në një pronë private e një pakice të privilegjuarish të pushtetshëm që kanë edhe ligjin edhe arrën në dorë.

Sistemi i ngritur
Të kuptohemi, nuk është halli i një fshati të vogël, por se Shqipëria është kthyer e gjitha në një “fshat turistik” të tillë që shfrytëzohet për interesa private të një pakice. Po ta shohim nga ky këndvështrim shumë nga banorët e Qerretit që revoltohen sot kundër Sandrit që u ka uzurpuar  fushat e sportit, janë “bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë” me Sandrin pasi po pësojnë atë që në një farë kuptimi u kanë bërë të tjerëve poshtë tyre -  sigurisht sipas jerarkisë dhe përshkallëzimit që ndodh në një sistem oligarkik të egër si ky i yni.
Tingëllon meskine kur dëgjon sot debatin të fokusohet mbi atës e kush ua dha lejet Sandrit dhe Samirit në Qerret: Berisha, Basha apo Rama, për të gjykuar se kush është fajtori kush del i larë. Apo se janë apo nuk janë në rregull me ligjin këta, kur dihet se ligjet i kanë bërë siç u ka interesuar. Sipas meje është e qartë si drita e diellit se ky është një krim që është bërë së bashku  dhe debati duhet bërë mbi atë se qerretizimi është mënyra se si ka funksionuar e funksionon Shqipëria nën drejtimin e këtyre njerëzve që përfaqësojnë tre pushtetet më të rëndësishme në vend: atë ekonomik, atë mediatik dhe atë politik si dhe i asaj se si kemi reaguar ne si shoqëri civile, gazetarë, qytetarë ndaj tij.
Figurativisht do ta krahasoja sistemin oligarkik të qerretizimit të Shqipërisë që kanë ngritur këta me një godinë tre katëshe ku në katin e parë qëndron Samiri & Co dmth. i ashtuquajturi biznes, në katin e dytë është perandoria e Sandri & Co, dmth të ashtuquajturat medie, kurse në katin e tretë është e ashtuquajtura politikë, ku sundojnë Rama, Berisha, Basha, Meta & Co. Por ndërkaq të tre katet janë të lidhur me shkallë të lëvizshme që ndihmojnë që një pjesë e mirë e protagonistëve të lëvizin nga njëri kat në tjetrin duke bërë edhe biznesmenin edhe pronarin e medieve edhe politikanin, veçanërisht duke qarkulluar pronat dhe paranë publike nga njëri kat në tjetrin. Duhet thënë se zyrat kryesore në dy katet e para i zotërojnë prej kohësh të njëjtët njerëz, figurativisht Samiri dhe Sandri, kurse në katin e tretë ndodhin herë pas here ndoca lëvizje: protagonistët ndërrojnë zyrat, ata të maxhorancës shkojnë në zyrat e opozitës dhe vice - versa - lëvizje këto gjithmonë të miratuara dhe inkurajuara nga interesat e katit të parë dhe të dytë. Të rinjtë që duan të ngjiten në katin e tretë duhet më së pari të marrin “bekimin” e Samirit me shokë, pastaj të kalojnë në katin e dytë, të promovohen nga Sandri me shokë në mënyrë që, kur të kalojnë në katin e tretë, të kenë dhënë prova se do të punojnë për godinën e pushtetit oligarkik. Po ashtu ndërkohë që në katin e parë punët bëhen sa më në heshtje në katin e dytë dhe të tretë ka më shumë zhurmë, bëhen edhe debate, ku ata të katit të tretë zbresin dhe bëjnë sikur shahen e ofendohen me njëri tjetrin apo me gazetarët, deri akuzojnë njërin tjetrin se marrin drogë, se kanë vrarë njerëz, se kanë çuar njerëz që të vriten, se venë gjoba, se marrin gjoba. Por kur vjen puna askush nuk përmend lidhjet e përbashkëta që kanë me Samirin & Co. Madje aftësia e tyre më e madhe është të bëjnë sikur grinden për interesat e publikut gjithë duke punuar për interesat e katit të parë – dhe të vetes së lidhur me ta, sigurisht. Psh. kur Rama thoshte “Të fala Sandrit” njerëzit e thjeshtë duhet ta kuptonin sikur po u thoshte: prit sa të vij unë në pushtet pa ta tregoj qejfin, kurse, në fakt, i kujtonte atij të mos harronte punët që kishin bërë bashkë kur ishte kryetar bashkie, si psh. se si prishën sëbashku gjithë kompleksin rreth stadiumit Qemal Stafa që Sandri të ngrinte Klanin dhe pastaj pallatin njëzet katësh.
Dua të them se në thelb kjo godina e pushtetit tonë oligarkik, - që, harrova të them, ka diku, si aneks të saj, edhe zyrat e Drejtësisë, që e përdorin sa herë u duhet për të hequr qafe ndonjë që u kërcënon sadopak pushtetin e tyre ekonomiko - mediatiko – politik, vazhdon të punojnë si në kohën e Hoxhës, si një grusht i vetëm në mjeljen e popullit për të mbajtur me pekule nomenklaturën. Dhe për të vërtetuar se këta janë një bllok i vetëm ju ftoj të shkoni të shikoni se si banojnë së bashku në Qerret apo në Roling Hills ku kanë krijuar nga ato të ashtuquajturit “gated community” (komunitet i mbrojtur me mure e roje) që i gjen kryesisht në vendet e Amerikës Latine, e që ne, si përvojë, e kemi me Bllokun në Tiranë dhe atë të Plazhit. Tani është zgjeruar një çikë po në thelb e njëjta filozofi e nomenklaturës së djeshme i inspiron. Dhe nëse doni të gjeni se kush është më i pushtetshëmi sipas logjikës së nomenklaturës  së Hoxhës shikoni madhësitë e vilave që kanë. Mua më rezulton se në Rolling Hills, ku ka ministra dhe ish kryeministra nga të gjitha krahët statusin e Enverit dhe Mehmetit e kanë Samiri dhe Sandri.

Ç’po ndodh sot?
Këtë që po ndodh në Qerret dhe tek Parku i Liqenit nuk duhet ta mendojmë ngushtë – siç bëjnë disa - duke thënë se këta qenkan kaq të poshtër, sepse, megjithëse kanëkaq shumë, s’paskan të ngopur. Problemi që ngre kapitalizmi i ngritur nga bllokmenët e Qerretit dhe Roling Hillsit është se ashtu sikurse bllokmenët  e Enver Hoxhës ishin krejtësisht të paaftë të ndërtonin një socializëm me fytyrë sadopak njerëzore edhe këta të sotmit janë krejtësisht të paaftë të ndërtojnë një kapitalizëm me fytyrë njerëzore. Jua them unë, këta janë sot në hall të madh dhe hall më i madh sesa bulimia e tyre për para dhe prona është paaftësia e tyre për të ndërtuar shtet dhe për të ndërtuar një ekonomi që prodhon. 
A keni parë ndonjë vend tjetër nga ata të ish Lindjes të kolapsojë nga piramidat mashtruese ashtu si ne? A keni parë ndonjë vend tjetër ndër këta ku të ketë ndodhur masakra urbane ashtu si tek ne? A keni parë të mbillet ndonjëri prej këtyre vendeve nga veriu në jug me drogë si tek ne. A keni parë që të marrin njerëzit arratinë sikur të jenë në Luftë si tek ne? Ja, në luftë është Ukraina, por nuk ikin siç ikin shqiptarët nga lufta që u kanë hapur këta grabitqarë. Problemi është se duke mos qenë në gjendje të ndërtojnë një kapitalizëm prodhues, ata pasurimin e tyre e kanë llogaritur vetëm në vjedhjen e parave të të tjerëve. Është thjesht si puna e hajdutit që meqënëse nuk ka bërë asnjë shkollë dhe s’ka mësuar asgjë kërkon të jetojë duke vjedhur të tjerët. Madje - të më falë lexuesi për guximin që po marr duke thënë këtë që vijon - personalisht kam më respekt për trafikantët e drogës sesa për këta lloj grabitqarësh të pronës publike. Sepse trafikantët të paktën venë veten në rrezik kurse këta punojnë të sigurt nën mbrojtjen e policisë, mediave dhe drejtësisë.
Mirëpo një sistem ku vjedhja mbetet e vetmja mënyrë për t’u pasuruar krijon varfërim gjithnjë e më të madh - kujtoni piramidat - sepse dikush duhet të punojë që këta të vjedhin. Ka të dhëna, që kati i tretë dhe ai i dyti nuk i bëjnë të njohura, që këta kapitalistë kafshërorë janë në krizë, sepse janë të zhytur në borxhe dhe tani po negociojnë me kryeaktorët e katit të tretë se si t’i kalojnë këto borxhe në kurriz të shqiptarëve. Për mua kjo krizë shpjegon se pse Sandri merr guximin t’u kundëvihet edhe njerëzve me të cilët ka bashkëjetuar tek Laguna; që duan të na hanë edhe një pjesët tjetër të Parkut; që Goni kërkon ta paguajmë si frëngu pulën rehatinë e bythës së ministrave duke e vënë atë në Jaguarët që do t’ia japë qeverisë me leasing; që nxirren para nga fondi rezervë i shteti për të paguar aparate dixhitale që do t’i sjellë një nga ata që shëtit me ashensor nga kati i parë në të dytin e në të tretin. Kjo shpjegon se pse kryeaktori i katit të tretë që këta e veshin nga koka te këmbët për ta nxjerrë sa më të bukur në skenën e mashtrimit, ka lëshuar policinë që të mjelë lopën me hir dhe me pahir. Dhe meqë lopa nuk po prodhon më qumësht ka zëra se më të fortët e godinës trekatëshe do të vendosin për therjen së saj përfundimtare dhe ndarjen e mishit në tre katet që rezikon të përfundojë me vrasje brenda godinës çka e paralajmëruan fadromat e Lagunës Blu. Jemi në logjikën e Bllokut të vjetër mos harroni, veçse ai ishte socializëm me fytyrë kafshërore ky është kapitalizëm me fytyrë kafshërore.

Zgjidhja e problemit
Historia e Qerreti tregoi se  godina trekatëshe e pushtetit ekonomik, mediatik politik me aneks atë gjyqsor, që punon për interesat e një pakice që jeton në blloqet lluksoze të ngritur mbi grabitjen e shumicës  duhet shembur sa më parë në emër të një projekti të ri. Në këtë projekt të ri sektorët e biznesit, të mediave, politikës dhe drejtësisë duhet të zhvendosen në hapësira të ndara nga njëri tjetri dhe të merren në duar njerëzish të aftë për të bërë biznes, për të bërë gazetari, për të bërë politikë për të bërë drejtësi, dmth. për të ngritur një kapitalizëm me fytyrë njerëzore jo si ky që kanë ngritur këta që nuk dinë as ç’është biznesi i vërtetë as politika as gazetaria dhe as drejtësia. Ku t’i  gjejmë këta njerëz është pyetja. E para gjë që duhet bërë për t’i gjetur është që gjithsekush që e ndjen peshën e këtij kafshërimi të përditshëm ta kërkojë njeriun tek vetja dhe jo  të shpresojë se këtë problem do t’ia zgjidhin kafshët që e kanë krijuar. Sepse, e thotë edhe Ajnshtajni: nuk zgjidhen problemet duke menduar në të njëjtën mënyrë si kur i kemi krijuar. Dhe kafshë si këta të godinës trekatëshee kanë konfirmuar tashmë se s’njohin mënyrë tjetër të menduari përveç asaj kafshërore të Bllokut të Enver Hoxhës. (Panorama, 2 Nentor 2015)




Read More......