Tuesday, January 26, 2016

Gazetaria - mes pluralizmit oligarkik dhe fashizmit ekonomik

Para disa ditësh botova një shkrim me titull avancimi i fashizmit ekonomik. Një pjesë lexuesish më kanë kërkuar një lloj sqarimi për përdorimin e termit. Veçanërisht ata që, për shkak të historisë komuniste, vazhdojnë ta identifikojmë Partinë Socialiste me të majtën dhe jo me të djathtën. Le të përpiqem ta shpjegoj.
Kur flas për fashizëm ekonomik kam parasysh një kategorizim që i bën filozofi italian Norberto Bobbio të majtës dhe të djathtës, të cilit i jam referuar dhe herë tjetër. Shkurt, sipas shtjellimit që i bën Bobbio kësaj teme, ata regjime që i quajmë të ekstremit të majtë janë një kombinim i barazisë me mungesën e lirisë, kurse regjimet e ekstremit të djathtë - që ndryshe mund t'i quajmë fashiste - janë një kombinim i pabarazisë me mungesën e lirisë. Kurse në demokraci, gjithë sipas Bobbios, duhet të kemi dialektikën e lëvizjes së lavjerrësit të pushtetit politik nga qendra e majtë në qendrën e djathtë - që janë kombinime të barazisë me lirinë dhe të pabarazisë me lirinë.
Prej kohësh kam shkruar se ajo që ka ndodhur dhe po ndodh në Shqipëri, është një kalim i shpejtë i lavjerrësit nga ekstremi i majtë, drejt ekstremit të djathtë, pa u ndalur në qendër. Një pakicë oligarkësh ka kapur shtetin dhe politikën, ose drejtpërdrejt ose nëpërmjet medieve dhe politikanëve të vet, duke abuzuar mbi shumicën dhe duke rrezikuar edhe liritë e të drejtat e saj themelore. Këtë prirje e kam quajtur rrezik fashizmi ekonomik. I shtoj epitetin "ekonomik" për ta dalluar nga fashizmi i Hitlerit dhe Musolinit sepse sot kjo oligarki nuk mbështetet mbi ideologjinë nacionaliste apo të racës superiore, por ka fetishizuar kultin e pabarazisë ekonomike së kapitalizmit dhe, pasi ka kapur shtetin, përdor mjete të tjera dhune si atë të bazuar mbi presionin ekonomik, monopolizimet, manipulimin dhe presionin mediatik, korruptimin e drejtësisë. Nuk përjashtohet që në rrugën drejt këtij ekstremi në momente të veçanta, kur t'i kërcënohet pushteti dhe pasuria, kjo oligarki të përdorë edhe ushtrinë e policinë kundër shumicës. 

Po pse flas për avancim?

E vërteta është se, deri më sot, kjo oligarki është përfaqësuar politikisht nga tri partitë kryesore (që prandaj dhe i konsideroj të trija të djathta, duke bërë thirrje për kthimin e lavjerrësit majtas). Ndërkaq, ajo që po vihet re në këtë fazë të ecjes drejt ekstremit të djathtë, sipas meje është rreziku i kalimit nga ky lloj pluralizmi  oligarkik në përqendrimin e të gjithë oligarkëve rreth një partie të vetme.
Historinë e lejes së Parkut e trajtova pikërisht në këtë kontekst. E vërteta është se ajo leje e dhënë kundër interesit të 99%-shit të qytetarëve mban firmat e të tri partive politike në fjalë, si provë se punojnë për të njëjtën oligarki, por, ndërkaq, nuk mohohet se shpesh i shohim ato në një luftë të egër për pushtet, së fundi lidhur me reformën në drejtësi. Nuk është vështirë që  prapa kësaj reforme të lexohet synimi i Ramës & Co për eliminimin e rivalit kërcënues: LSI-në e Metës dhe dobësimin e mëtejshëm të PD-së.  Duke parë këtë luftë dhe duke iu referuar varfërimit të vendit, unë kam ngritur pyetjen: "pse duhen tri parti për të përfaqësuar interesat e të njëjtës kompani oligarkësh? Pse duhen kaq shumë media?".  Prandaj them se me rrjedhën që po marrin ngjarjet ka shumë gjasa që "mbetjet" të eliminohen e të falimentojnë ose të shiten me çmim të lirë tek kompania e madhe socialiste. Ja ky është, sipas meje, avancimi i fashizmit si rritje e  pabarazisë dhe e mungesës së lirisë.

Përsëri për rolin e medieve në këtë avancim

Në kontekstin e rrezikut të kalimit nga pluralizmi oligarkik tek fashizmit ekonomik shkruaja midis të tjerave edhe për heshtjen e frikshme të thuajse të gjitha medieve ndaj lejes së ndërtimit tek Parku i Liqenit, duke pasur parasysh edhe faktin se disa vjet më parë, kur Lulzim Basha ndërmori cënimin e Parkut për të zgjeruar rrugën e Elbasanit (sipas shumë informatave që dolën në atë kohë i shtyrë nga lobimi i të njëjtëve oligarkë) pati një zhurmë të madhe mediatike.
Sot më duhet të shkruaj përsëri se ma konfirmoi këtë heshtje ogurzezë edhe një ngjarje tjetër e ngjashme e së shtunës 23 janar. Së bashku me dy grupime qytetare, pjesëtar të shoqërisë civile, protestuam mu në qendër të Tiranës për parkimin që i është dhënë atje njërit prej oligarkëve të lidhur me PS. Atje mësova se Bashkia nuk ka dhënë vetëm një parkim, por nëntë parkime, një pjesë e të cilëve do të prishin edhe disa nga lulishtet e mbetura të qytetit. Atje aktivistë të shumtë folën se si këto vendime janë marrë fshehurazi, hajdutshe, në kundërshtim me vizionet e sotme mbi qytetet, mbi nevojën e një Tirane policentrike, në kundërshtim me shumë ligje si ata që parashikojnë konsultimin me qytetarët, Konventën e  Ahrusit, raportin ndërtim gjelbërim të qytetit, e deri në kundërshtim me faktin se shumica e tyre do të ndërtohen në qendrën historike që është edhe monument kulture e prandaj ligjërisht e mbrojtur.
Në mbrëmjen e asaj dite hapa lajmet për të parë a do të jepej informacioni për këtë. E pra,  tre televizionet kombëtare Klan dhe Top Chanell si dhe ai publik nuk e dhanë fare lajmin. As edhe në kryetitujt e gazetat kryesore nuk e gjeta të nesërmen. Po pse? Nuk do mend se shkaku do kërkuar në faktin se shumica e pronarëve të tyre, si ata privatë ashtu dhe pronari i radhës  i Kryeministrisë, duhet të jenë në një mënyrë apo tjetrën të përfshirë në këto afera; se parkingjet janë ndarë midis një grupi klientësh sponsorë ashtu siç ndaheshin edhe lejet e ndërtimit në kohën e Ramës kryebashkiak për një grup ndërtuesish pronarë mediesh - dhe këto, pastaj, heshtnin për masakrën që i bëhej qytetit.

***
Po cili është reagimi i gazetarëve ndaj këtij avancimi të fashizmit? Kur pashë lajmin për lejen tek Parku i Liqenit dhe heshtjen e thuajse çdo televizioni, pasi kontrollova edhe ata pak ishuj opozitarizmi që kanë mbetur, ku hyn edhe portali Lapsi.al, i bëra forword Andi Bushatit linkun me titull: "Filloi shkatërrimi i Parkut të Liqenit" duke i shkruar: "Kjo që po bëhet këtu është më tmerr se vila e Sandrit te Laguna. Pse s'thoni një fjalë apo se është e Samirit." Kur pashë që as më ktheu përgjigje dhe as e botuan lajmin - që për mua është shumë më i rëndësishëm se shumë nga lajmet që jepen në atë faqe të tipit "Bleona kërkon burrë", "Kardashian na trondit përsëri me të pasmet e saj",, - shqetësimin tim e bëra publik duke hedhur idenë se reagimi për lejen tek Laguna dhe heshtja për lejen tek Parku ishte shembull emblematik se si mediet tona, edhe kur denoncojnë, shpesh e bëjnë në mënyrë selektive, në  emër te interesave të 1% dhe jo të 99%-shit. Në përgjigjen e tij Bushati, çuditërisht, as e trajtoi shqetësimin tim  shumë më të gjerë, as nuk u përgjigj se pse Lapsi.al nuk e botoi këtë lajm - por u kufizua me hallin e përmendjes së emrit të vet duke thënë se këtu ndodhin aq shumë të këqija sa nuk mund të shkruash për të gjitha. Dhe pastaj, pasi e lau ndërgjegjen duke thënë se ishte kundër atij ndërtimi - çka, siç e thashë, nuk ishte thelbi i shkrimit tim -  duke imituar fjalën e Mark Antonit në funeralin e Qezarit shkruante se Lubonja është burrë i ndershm, por edhe ai s'ka folur kur i mbylli Berisha Mero Bazes gazetën, kur Klani heshti për plagosjen e gazetarit të tij në 21 janar, madje më ngriti dhe pyetjen se pse kur ishte Berisha në pushtet thosha se dy bandat janë njësoj kurse tani pretendoj se banda e Ramës është më e rrezikshme - duke u bërë zëdhënës gazetarësh llogoresh, duke synuar të të delegjitimojnë, përhapin fjalë se këtë e ka blerë Berisha apo Meta, apo e ka personale me Ramën.
Gjithsesi po merrem me përgjigjen e kësaj pyetjeje provokese sepse ajo lidhet bash me temën në fjalë: avancimin e fashizmit ekonomik. Më vjen keq, por si provokim është ngritur mbi një shpifje  apo keqlexim i çfarë kam shkruar e thënë prej shumë kohësh e që është e dokumentuar. Ky keqlexim sipas meje vjen nga kufizimi që kanë ata që i kam quajtur gazetarë llogoresh që ndryshe mund t'i quash  berishologë, nanologë, ramalogë, metalogë. Karakteristikë e këtyre gazetarëve është se militantizmi partiak, mungesa e profesionalizmit si dhe shërbimi ndaj padronit të radhës i bën të paaftë për të konceptualizuar, për të parë fenomenet që qëndrojnë përtej emrave të përveçëm. Kështu që ata "harrojnë" të merren me aktorët e tjerë të sistemit, mbeten në cicmicet se kush është Sali Berisha apo Edi Rama apo Ilir Meta - duke bërë kështu lojën e oligarkëve që janë shpesh pronarët apo sponsorët e tyre të medieve, që janë kolona që i mban këta në pushtet. Personalisht, pa dashur të mburrem, sepse nuk resht së qortuari veten pse s'kam bërë sa duhet kundër kësaj gazetarie, pavarësisht se nuk kam kontestuar çdo pallat apo tender të Koços, ndërtimet e Irfanit apo të gjitha bëmat e Sandrit (po përmend vetëm disa nga pronarët e mediave ku kam punuar), konfliktin e interesave si fenomen të medieve tona private e kam kontestuar vazhdimisht dhe po ashtu, të paktën që kur kam shkruar shkrimin "Kukullat në skenë oligarkët në prapaskenë" (Koha Jonë, 12 nëntor 2003), qoftë Edi Ramën qoftë Sali Berishën i kam konsideruar si kukulla fijet e të cilave në skenën e politikës i tërheqin ata që kanë interesat ekonomike dmth. oligarkët. Nga ky këndvështrim, duke folur për partitë që i kam cilësuar herë si banda dhe herë si kompani biznesi të lidhura me oligarkët e 1%-shit (në këtë kuptim kam thënë se janë njësoj), kam kundërshtuar tezën e së keqes më të vogël me argumentin se e keqja më e vogël bëhet e keqja më e madhe kur vjen në pushtet, sepse kush ka pushtetin ka më shumë para dhe mundësira korrupsioni dhe prandaj janë këta që bëjnë dëmin më të madh. Gjë që po e provon sot edhe partia e Edi Ramës. Po ashtu, që para zgjedhjeve, duke parë se tri partitë përfaqësojnë interesat e 1%-shit kam deklaruar se kush fiton këto zgjedhje ka shumë rrezik të bëhet Putini i Shqipërisë sepse ekzistenca e tri partive që mbrojnë interesat e të njëjtëve njerëz është e panevojshme qoftë për interesat e shumicës së shqiptarëve, thellësisht të zhgënjyer me këto parti,  qoftë për interesat e 1%. Kam shkrime të panumërta me këtë temë, por gazetarët e llogoreve dhe të cicmiceve nuk kanë  sy për t'i lexuar.
Po e përsëris, pra, edhe një herë: Ajo çka i shton antropologjia e Ramës apo e Berishës këtij avancimi drejt fashizmit ekonomik është diçka dytësore, që meriton të mos neglizhohet, por as të mbivlerësohet, se pastaj bëjmë pikërisht lojën e oligarkëve që zëvendësojnë Ramën me Berishën si kuajt e një karroce për të vazhduar rendjen e tyre drejt thellimit të pabarazisë. Pra nëse sot kemi një  Kryeministër që një dy e i del nga goja fjala "burg", që paratë që i ka mbledhur me taksidarët, duke përdorur edhe dhunë policore, ia shpërndan paturpësisht oligarkëve rreth tij, duke i varfëruar edhe më tej shqiptarët; nëse për herë të parë në historinë e gazetarisë shqiptare, të paktën që nga viti 2000, i gjejmë thuajse të gjitha televizionet kryesore të kapura nga Kryeministria, që, duke mos i mjaftuar kjo, ka krijuar edhe një portal on line për të dhënë informimin "e vërtetë", kjo, sipas meje, nuk duhet parë thjesht si rezultat i një individi të sëmurë nga etja e shfrenuar për pushtet. Sikur kjo punë të ishte thjesht çështje individi të etur për pushtet Rama mund të dilte edhe me parulla dhe akte populiste të majta, alla Çaves, por kjo do ta rrëzonte menjëherë sepse janë oligarkët me paratë dhe mediet e tyre ata që e kanë sjellë në pushtet dhe e mbajnë në pushtet. Jo, ky avancim i së keqes i dedikohet kryesisht një procesi degjenerimi të sistemit që e tregoi edhe mbushja e Parlamentit me kriminelë nga PS-ja. Prandaj ngulmoj se ky rrezik duhet parë (dhe luftuar pastaj) si çështje sistemi më së pari dhe për këtë na ndihmon edhe Lordi Action kur thotë: "Dhe mos harroni. Atje ku ka përqendrim pushteti në pak duar tendenca është që kontrollin e pushtetit ta marrin njerëzit që kanë mendësi gangsteri. Historia e ka provuar këtë." (Panorama, 26 janar 2016)


Read More......

Sunday, January 24, 2016

Ndërtimi te Parku si avancim i fashizmit ekonomik

Ndërkohë që opinioni qorrollepset përditë me debatin mbi drejtësinë, në vend po ndodhin krime të panumërta si rezultat sa i varfërisë dhe injorancës ekstreme që ka pllakosur shqiptarët, aq edhe i korrupsionit ekstrem që ka pllakosur pushtetarët - si dy anë të së njëjtës medalje. Një ndër këta krime, që mori rrugën e konkretizimit bash këto ditë, duke pasuar dhënien e lejes së ndërtimit për një parkim tek Parku Rinia, është ai që po ndodh tek Parku i Liqenit. Kësaj here këtij po i kafshohet edhe një copë tjetër gjelbërim në fillim të rrugës së Elbasanit përballë Fakultetit ekonomik, ku buldozerët po punojnë për të hapur themelet e një pallati 13 katesh. Lajmin e këtij krimi të paralajmëruar, çuditërisht dhe jo çuditërisht, nuk e gjen ndër mediet kryesore. As në shumë portale on line të drejtuar nga gazetarë të vjetër e të rinj që njihen për luftimet e tyre të ashpra antikorrupsion në llogoret e maxhorancës apo opozitës. Personalisht e gjeta në postimin (nga një mik) të një portali deri tani të panjohur për mua të quajtur "exit" http://exit.al/2016/01/15/filloi-shkaterrimi-i-parkut-te-liqenit-nisin-punimet-per-ndertimin-13-katesh/ Atje thuhet se "Leja për këtë ndërtim (13 katesh) u dha nga Kryeministri Rama në fillim të shtatorit 2015, në një mbledhje të Këshillit të Lartë të Territorit, e cila u mbajt e fshehtë nga publiku dhe mediet.” Përmenden, pastaj, premtimet e Erion Veliaj, se nuk do të ketë ndërtime në Tiranë si dhe se ndërtimi në fjalë "i përket biznesmenit Samir Mane, i njohur për lidhjet e tij të ngushta me politikanët kryesorë te vendit."
Edhe pse thuhet se nuk duhet të reshtim së u indinjuari nga padrejtësitë – dhe ky është një lajm për indinjatë ekstreme, që të le pa gojë me arrogancën, paturpësinë dhe papërgjegjshmërinë e protagonistëve të vet  – në këtë shkrim do t’i kursej emocionet. Do të ndalem më shumë tek komentet e gjendjes së pashpresë ku jemi katandisur për të cilën flet ky lajm, duke e vendosur edhe në kontekstin e të shumëpërfolurës reformë për drejtësi. Për komentet më duhet t’i  shtoj lajmit edhe një fakt (që dihet, por që portali në fjalë e ka harruar me dashje apo pa dashje): Rama nuk se ka dhënë një leje të re. Ai thjesht ka lejuar të zbatohet leja që ka dhënë Lulzim Basha dhe, po ashtu, duhet thënë se tek kjo leje kemi ardhur si rezultat i një procesi të gjatë korruptiv sepse ai truall, që ka qenë pjese e Parkut deri më 2004, i është nënshtruar një procesi vendimmarrjeje korruptive të shkallëshkallshëm ku do të gjesh edhe dorën e Nanos edhe të Ramës, edhe të Berishës edhe të Bashës e përsëri atë finale të Ramës. Është i njëjti projekt korruptiv që kemi parë në anën tjetër të Liqenit dhe që, sipas zërave të mirëinfomuar, do të realizohet megjithë protestat e qytetarëve dhe premtimet elektorale të Velisë.
Thënë kjo le të bëj tani komentet e mija
Së pari, për shpresëtarët e reformës në drejtësi.
Ajo që bije në sy në këtë leje pallati te Parku është se përveç Samir Manes, Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe zbatuesve që do marrin lekët çdo qytetar tjetër i Tiranës është kundër ngritjes së tij, ashtu sikurse edhe ndaj projekteve të ngjashme në krahun tjetër, sepse dëmtohet mushkëria ku marrin frymë  gjithë. Madje e quajnë krim, maskarallëk, poshtërsi, pabesi - sepse fjala korrupsion nuk mjafton. Po ashtu,  bije në sy se kemi edhe shkelje të ligjit pasi, sikurse thuhet edhe në portalin ku lexova lajmin, investitori nuk ka zhvilluar dëgjesa të hapura publike me qytetarët, çka është një detyrim ligjor. Personalisht do të shtoja edhe Konventën e Ahrusit që është shkelur, por edhe rregulloren e urbanistikës që parashikon raportet ndërtim gjelbërim – sepse në atë truall sipas rregullores – nëse nuk e kanë ndryshuar edhe atë – atje nuk mund të ngrihet sipërfaqe ndërtimi më shumë se 1,8 herë e sipërfaqes së truallit ndërkohë që aty duket se duan të ndërtojnë 13 herë sipërfaqen e truallit. Atëherë, e përsëris edhe një herë pyetjen për shqiptarët dhe ndërkombëtarët: A mund t’u lihet reforma në drejtësi njerëzve që marrin përsipër të bëjnë akte që shihen me përçmim dhe si padrejtësi e thellë nga 99% e bashkëqytetarëve të tyre? A mund të presësh drejtësi nga një Kryeministër që në vend se të mbrojë interesin e të gjithëve kryen shkelje të tilla të ligjit, për të cilat, madje, ka denoncuar deri dje Bashën?
Por kam edhe një pyetje tjetër për ata që flasin me urrejtje të madhe për Sali Berishë, Ilir Metën si njerëzit më të korruptuar e që thonë se Edi Rama, duke dënuar Berishën dhe Metën, do t’i hapë rrugë shtetit të së drejtës. Po si mendoni ju a mund të bëhet drejtësi pa dënuar jo vetëm të korruptuarit, por edhe korruptuesit? Dhe kur këta korruptues janë bashkëpunëtorë në korrupsion e padrejtësi jo vetëm me Saliun dhe Lulin ,por edhe me Edin, a mund të bëjë ky drejtësi? Jo, sepse hetimet e drejta dhe të paanshme do të çonin edhe tek Edi Rama dhe korruptuesit e përbashkët. Prandaj është e qartë se garancia e impunitetit të këtyre njerëzve nuk ka qenë e nuk është drejtësia, por bashkëfajësia.

Së dyti, për opozitën
Sikurse e kam shprehur edhe herë tjetër opozita ka të drejtë kur kërkon që reforma në drejtësi të mos kalojë pa konsensusin e saj. Por realiteti është se sikur të mos ishte rezistenca e Ilir Metës ndaj këtij drafti, që s’ka të bëjnë me të mirën publike pasi, kur vjen puna për ndërtime pallatesh të tilla, ai e ka venë firmën pa ngurrim, drafti sot do të kishte kaluar. Do të kishte kaluar sepse opozita jonë është e dobët, shumë e dobët. Dhe jo sepse nuk ka më një lider luftarak si Berisha, sikurse thonë disa. As sepse ka mbetur tek Berisha, sikurse thonë disa  të tjerë, por sepse të gjithë e dinë se deri dje kjo opozitë ka bashkëpunuar e ndarë paratë e përfitimet me Samirin, Sandrin & Co në dëm të publikut. Dhe si e tillë  i ka rënë kredibiliteti në fund të këmbëve. Në kushte të tilla ajo është e dënuar që ta ndjekin vetëm ata gjynahqarë që sot kanë humbur punën nga uzurpimi që i kanë bërë klientët e bandës tjetër, sepse sponsorë e pasur si Samiri e kanë braktisur dhe po e braktisin përditë. Por këta gjynahqarë janë pak për të krijuar atë masë kritike që do t'i jepte mësimin që meriton kësaj bande që mashtrimin, hipokrizinë dhe babëzinë e ka rritur në pika të pabesueshme.
Së treti për mediet
Si është e mundur që asnjë media kryesore nuk e dha këtë krim ndaj kryeqytetit? E them këtë edhe duke pasur parasysh se sa zhurmë u bë për një leje dhënë Sandrit tek Laguna Blu ku prekeshin interesat e Bushatit, Surroit dhe disa vipave të tjerë? Si është e mundur që Bushati dhe Surroi e këta të tjerët nuk shkruan apo nuk thanë një fjalë për këtë krim ndaj 99% të qytetarëve të Tiranës?  As për atë pallatin përballë Konviktit të Studentë kur u hap gropa e të cilit, mediet e opozitës së djeshme ulërisnin për krim absurd, që e ndaluan kur erdhën në pushtet, por që tani ka arritur katin e tretë e po vazhdon të ngjitet i patrazuar.
Dhe përsëri vij tek reforma në drejtësi dhe mediet. Po thuhet shpesh se procesi i zgjedhjes së prokurorëve dhe gjyqtarëve, si dhe ai i punës së tyre, do të bëhet në transparencë të plotë. Por a mund të bëjnë transparencë medie të tilla kur pronarët dhe shumica e gazetarëve të tyre punojnë për 1%-shin e pallateve në kurriz të 99% të viktimave të tyre. Jo vetëm, por edhe sikur të arrihet të zgjidhen disa prokurorë e gjyqtarë të ndershëm, ku do ta gjejnë mbështetjen morale të opinionit këta nesër, kur mediet refuzojnë të flasin e denoncojnë krimin që duket ditën për diell?
Së katërti, e ardhmja që na pret
Ajo për çka flet qartë edhe historia e këtij ndërtimi është se interesat e shumicës dërrmuese të shqiptarëve nuk përfaqësohen nga këto parti dhe nga këto medie që kemi, përkundrazi ato punojnë kundër tyre. Ndërkaq, vetë logjika e këtyre pazareve si dhe kushtet ekonomike të varfërimit progresiv, të çojnë në idenë se nuk duhen tri parti për të përfaqësuar interesat e të njëjtës kompani oligarkësh dhe as shumë media prandaj dhe se mbetjet duhet të eliminohen e të falimentojnë ose të shiten me çmim të lirë tek kompania e madhe socialiste. Pyetja që shtrohen në këto kushte, kur po flitet për një kapje të drejtësisë nga Edi Rama, në bazë të një projekti të aprovuar edhe nga ndërkombëtarët për të pastruar të korruptuarit e opozitës dhe Ilir Metën është: kur 99%-shi qëndron indiferent ose spektator i luftës që bëjnë partitë e 1%-shit për të eliminuar njëra tjetrën a nuk do të ecim drejt rrezikut që na kërcënohet përditë e më shumë: eliminimi i më të dobëtëve dhe mbetja në mëshirën e një bande të vetme? Dhe kjo jo thjesht e vetëm se në krye të PS kemi një njeri si Edi Rama që për pushtetin mund të bëjë gjithçka, (ndërkohë që shkruaja këto radhë doli bëma tjetër e tij: pagesa e milionave për "The Economist" për të propaganduar “sukseset” e qeverisë), por edhe sepse ky është interesi i atyre oligarkëve që duan të eliminojnë edhe konkurentët  e mbetur e të sundojnë të qetë duke bashkëpunuar me një parti të vetme.

E pra, kjo leje skandaloze është një shembull më shumë, për të vërtetuar se nuk është reforma në drejtësi, por një lëvizje e re politike, që arrin të verë në lëvizje 99%-shin, për të rrëzuar këtë kastë super të korruptuar politike, ekonomike, mediatike, juridike, ajo që mund të na nxjerrë nga rreziku i avancimit të frikshëm të këtij fashizmi ekonomik që ka nxjerrë si figurën e vet më emblematike Edi Ramën, partinë  dhe oligarkët e tij. (Panorama, 19 janar 2016)

Read More......

Saturday, January 16, 2016

Draft kushtetuta e një grushti shteti


Pyetja që kam ngritur vazhdimisht duke dëgjuar fjalët "reformë në Drejtësi" është: si ka mundësi që na flitet kaq shumë për reformë dhe aspak për atë se në cilat pika ka çaluar deri tani ligji ynë për Gjykatat dhe Prokurorinë që paskemi nevojë për këtë reformë radikale? Sepse deri më tani ka pasur një konsensus të gjerë për atë se ligjet ne i kemi të mira, se prokurorëve dhe gjyqtarëve tanë nuk se u ka munguar ligji për të bërë drejtësi, por se për këtë ka ndikuar sistemi që korrupton edhe të ndershmit (po perifrazoj Edi Ramën) - që do të thotë një  kompleks faktorësh: duke filluar nga ekonomia kriminale që ka kapur partitë, mediet, Drejtësinë, elitat; e që punojnë të gjitha si një sistem i vetëm në një "shtet të kapur". Dhe kjo pyetje, kuptohet, lidhet me pyetjen tjetër: a ka gjasë vallë që duke ndryshuar disa ligje kushtetuese në kapitujt e Drejtësisë dhe Prokurorisë, që do t'i hapin rrugën disa ndryshimeve strukturore dhe njerëzore në këta institucione, do të fillojmë ta zhbëjmë këtë sistem shteti të kapur, apo reforma po manipulohet nga mafia në pushtet për tu përdorur për qëllime që mund të na çojnë edhe më poshtë humnerës së shtetit të së padrejtës?
Për të sqaruar këtë u ula të lexoj një version të Kushtetutës, që i është dërguar Venecias, që jepte mundësinë e ballafaqimit të së vjetrës me të renë, pasi aty qenë integruar projekt amendamentet në mënyrë të tillë që me germa të zeza ishte shkruar çfarë mbetet e pandryshuar nga kushtetuta e vjetër,  me të kuqe çfarë propozohet të shtohet dhe me të kuqe me një vizë në mes çfarë propozohet të hiqet. Këtë e krahasova pastaj edhe me ndryshimet e propozuara pas Venecias.

Disa krahasime
E para gjë që më duhet të them është se në draft gjen shumë pika të shtuara me kërkesat për integritetin, kontrollin e pasurisë, transparencën e procesit të zgjedhjes, profesionalizmin, të qenit pa parti,  të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por kushdo që e jeton realitetin shqiptar dhe që e di shumë mirë se sa pak njerëz të pamilitantizuar, të pasuruar me ndershmëri, të aftë profesionalisht, të pashantazhueshëm ka ky vend dhe se sa transparencë bëjnë mediet tona, i lexon këto thjesht si retorikë që bash përsëritja dhe ripërsëritja i bën të pavlefshme - sipas asaj thënies: mos i beso atij që një dy e bën be. Prandaj dhe unë u përqendrova tek çfarë ndryshimesh substanciale ka mbrapa tyre me merakun kryesor: kërkimi i ndryshimeve që do të mund të më tregonin nëse reforma e rrit pavarësinë e Drejtësisë nga politika apo e rrezikon edhe më kapjen e saj.
Në këtë kontekst kërkova pikat ku ka pikuar çatia e vjetër e Drejtësisë sonë. U ndala më së pari tek ndryshimet e propozuara për Këshillin e Lartë të Drejtësisë që ka qenë i fajësuari kryesor. Sipas tekstit në të zeza ai përbëhet nga 15 vetë, ndër të cilët 9 anëtarë zgjidhen nga Konferenca Gjyqësore, 3 nga Kuvendi, plus Presidenti (që është dhe Kryetari), Ministri i Drejtësisë dhe Kryetari i Gjykatës së Lartë. Sipas ndryshimeve të propozuara me të kuqe tani ky quhet Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe përbëhet nga 11 vetë. Ndër këta 6 zgjidhen nga gjyqtarët e të gjitha niveleve kurse 5 të tjerë përzgjidhen nga radhët e juristëve, avokatëve, pedagogëve, noterëve, shoqërisë civile, por vini re, votohen me 3/5 nga Kuvendi (dmth. politika). Kryetari zgjidhet me votim të 11-shes dhe duhet të jetë njëri prej 5-shes të anëtarëve jo-gjyqtarë të votuar nga politika.
Duke bërë krahasimin, përsa i përket garancisë së pavarësisë nga politika, duke llogaritur se (idealisht) 9 gjyqtarët tek aktuali mund të konsiderohen si të zgjedhur jo politikisht kurse të tjerët, duke përfshirë edhe Presidentin, politikisht, mua më del se kalojmë në një rritje të peshës specifike të politikës në zgjedhjen e këtij Këshilli -  nga një formulë 9 -  6 në një formulë 6 - 5.  Gjithë duke qëndruar tek krahasimi, përsa i përket Kryetarit nuk di të them se cili variant jep më shumë garanci: Presidenti si një figurë mbipartiake, siç e parashikon ligji të jetë, i zgjedhur nga Kuvendi mundësisht me 3/5, apo një jurist jogjyqtar i zgjedhur edhe ky nga Kuvendi.
Një pikë tjetër e rëndësishme krahasimi ishin ndryshimet në Gjykatën e Lartë për të cilën është thënë gjithnjë se zgjidhej/varej nga politika. Sipas Kushtetutës anëtarët e saj deri tani emërohen nga Presidenti, me miratimin e Kuvendit, dmth. nga politika. Drafti e ka ndryshuar këtë duke ia lënë emërimin e anëtarëve të saj Presidentit, veçse jo me miratim të Kuvendit, por sipas propozimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Duket si diçka më pavarësuese, por mos harroni se, siç e thashë, Këshilli i Lartë Gjyqësor është ndërtuar mbi një formulë me një peshë më të madhe të politikës në zgjedhje.
Edhe tek ndryshimet në Prokurori bije në sy krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë i cili, ashtu si Këshilli i Lartë Gjyqësor, përbëhet nga 11 vetë prej të cilëve 6 zgjidhen nga radhët e prokurorëve kurse 5 të tjerët jo-prokurorë, me të njëjtën formulë si 5-shja e jo-gjyqtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Edhe në këtë Këshill 5-shja votohet nga Kuvendi me 3/5. Po ashtu edhe këtu Kryetari zgjidhet nga radhët e 5-shes dmth. nga ata që i ka zgjedhur politika.  Kurse Prokurori i Përgjithshëm, ndryshe nga Kushtetuta ekzistuese, nuk emërohet më nga Presidenti me pëlqimin e Kuvendit, por zgjidhet me propozim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë nga 3/5 e deputetëve. Prokurorit të Përgjithshëm i është hequr e drejta për të emëruar prokurorët e tjerë të cilën e ka marrë Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Me një fjalë nuk parashikohet një figurë e fuqishme Prokurori dhe bije në sy në këto ndryshime se figura e Presidentit, bëhet edhe më e parëndësishme sesa ç'u bë me ndryshimet kushtetuese të paradokohshme, gjë që, sipas meje, duke pasur parasysh prirjen që kemi trashëguar dhe që vazhdon të përqendrimit të të gjithë pushtetit tek Kryeministri, duhet parë me shqetësim, nëse vërtet kërkojmë balancime pushteti.

Drejtësia e kërcënuar

Deri këtu, pra, nuk gjeta ndonjë të mirë të dukshme në drejtim të balancimit të pushteteve, përkundrazi mu rrit ndjesia se me këto ndryshime rritet kontrolli i politikës ndaj Drejtësisë, veçanërisht duke pasur parasysh situatën aktuale ku maxhoranca ka 3/5. Ma përforcoi këtë edhe fakti se në draft gjyqtarëve u janë hequr disa imunitete që gëzonin ndërkohë që janë futur disa pika në të cilat thuhet: "Gjyqtarët mbajnë përgjegjësi disiplinore, sipas ligjit." apo "Prokurorët kanë përgjegjësi disiplinore në përputhje me ligjin."
Por kjo ndjesi më erdhi duke u rritur, deri në idenë se Drejtësia është vënë në bangën e të akuzuarve dhe po i jepen dënime dhe kërcënime, kur u futa ne kapitujt e organizmave kontrollues. Neni 147/d na flet për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë i cili do të merret me: "hetimin e shkeljeve disiplinore dhe ankesave kundër gjyqtarëve, prokurorëve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor,  Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm si dhe për fillimin e procedurës disiplinore ndaj tyre." Ky Inspektorat, që kuptohet se është organ shumë i fuqishëm, përbëhet nga 5 vetë që kanë statusin e Anëtarit të Gjykatës së Lartë ndër të cilët 3 vijnë nga Gjyqësori dhe 2 nga Prokuroria. Po kush i emëron këta? Kuvendi me 3/5. Po si zgjidhet Kryeinspektori? Nëse nuk arrihet që  5 anëtarët ta zgjedhin vetë me 2/3 tek e fundit ai zgjidhet nga Kuvendi me shumicë të thjeshtë. Jo vetëm, por në versionin që i është dërguar Venecias, ku shfaqen më qartë qëllimet e maxhorancës, në pikën 9 të nenit  thuhet edhe se "Ministri i Drejtësisë merr pjesë si vëzhgues në mbledhjet e këtij Inspektorati dhe mund të kërkojë fillimin e hetimit për shkeljet disiplinore kundër gjyqtarëve, prokurorëve…" Kurse më poshtë del se inspektimin e Inspektoratit e bën Ministri i Drejtësisë, dora vetë(!!!) Roli prej superinspektori i Ministrit është zbutur pas vërejtjes së Venecias, por kjo s'ndikon për të ndryshuar, sipas meje, frymën e këtij projekti që nuk e fuqizon, por e dobëson Drejtësinë në raport me pushtetin politik duke e bërë atë të punojë e kërcënuar prej tij.

"In cauda venenum": gjendja e jashtëzakonshme

Por të gjitha këto nuk janë asgjë përpara asaj që gjeta në fund e që tregon qartë se ku fle lepuri. Në fund të projektit kushtetues që na propozohet - "In cauda venenum" - ka edhe një Aneks shumë të çuditshëm për një Kushtetutë normale i titulluar: "masat për të fituar besimin". Ky aneks, na thotë se çdo gjyqtar e prokuror do të filtrohet/pastrohet nga një Komision i Pavarur  Kualifikimi i cili do të bëjë rivlerësimin e aftësisë, pasurisë, pastërtisë, performancës së tij. Këtë punë Komisioni do ta bëjë sëbashku me një Mision Ndërkombëtar të Monitorimit që do të dalë nga bashkëpunimi i Komisionit Evropian, i SHBA, organizatave të tjera ndërkombëtare dhe asistencës dypalëshe. Po kush do ta zgjedhë Inkuizitorin e Madh të Kualifikimit, kontrollorin e kontrollorëve? Kuvendi me 3/5!!! Po vëzhguesit e huaj kush i aprovon pas propozimit që bën Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit? Këshilli i Ministrave!!! Me një fjalë e njëjta dorë. (Ve në dukje se i referohem drafteve që kam në dorë jo atij përfundimtar që është ende në përpunim.)

***
Shkurt, ky aneks (që me atë Misionin do t'i shtohet historisë së njollave të turpit që i ka shkaktuar politika shqiptare dinjitetit kombëtar dhe aspiratave për sovranitet dhe demokraci) më krijoi bindjen se operacioni "Reforma në Drejtësi" krijon kushtet e  një gjendjeje të jashtëzakonshme, quaje po deshe puçi, ose grushti shteti, që të evokon situatat  ku lind nevoja e krijimit të organeve me fuqi të jashtëzakonshme, derisa të konsolidohet pushteti i puçistëve. Dhe këtë nuk e them vetëm unë. Këtë e thotë edhe komenti që i bën draftit Komisioni i Venecias sipas të cilit fakti se drejtësia në Shqipëri është e korruptuar krijon vërtet një klimë që mund të justifikojë rivlerësimin e gjithë gjyqtarëve, pavarësisht nga rrethanat specifike të secilit, por kjo gjë, vazhdon Komisioni: "është një çështje nevoje politike dhe Komisioni i Venecias nuk është në pozicion të deklarohet lidhur me të.  Megjithatë, duhet mbajtur në mend se një zgjidhje e tillë radikale do të ishte e pavend në kushte normale, sepse krijon tensione të jashtëzakonshme brenda gjyqësorit, destabilizon punën e tij, rrit mosbesimin publik tek gjyqësori, devijon vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale, dhe, si çdo masë e jashtëzakonshme, krijon rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga forca politike që kontrollon procesin." Ja çfarë shkruan Komisioni i Venecias për Misionin (e Turpshëm) Ndërkombëtar: "Është shumë e pazakonshme për një Kushtetutë kombëtare që të prezantojë në sistemin kushtetues të kontrollit dhe balancave një figurë apo organizëm që emërohet nga jashtë vendit dhe që, tekefundit, nuk jep llogari përpara organeve të zgjedhura demokratikisht brenda vendit, por përpara një qeverie të huaj apo një organizate ndërkombëtare. Gjithashtu, ekzistenca dhe funksionimi i duhur i këtij mekanizmi do të varet nga vullneti i mirë i entiteteve të huaja dhe organizatave ndërkombëtare, dhe kjo nuk është diçka që mund ta garantojë një Kushtetutë kombëtare."

Po cila është "nevoja politike" që përmend Komisioni i Venecias që justifikon grushtin e shtetit? Dikush po thotë:  aspirata e popullit shqiptar për pastrimin e vendit nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar që nuk kanë lejuar të dënohen e futen në burg politikanët e korruptuar dhe gjithë të korruptuarit e tjerë. Dhe ja më në fund Edi Rama dhe partia e tij do të kryejë me ndihmën amerikane dhe evropiane këtë pastrim të madh të Shqipërisë.
Le të ndalemi pak në analizimin e kësaj "nevoje". Së pari, nuk duhet të harrojmë se historia na tregon se pushtetet më  të korruptuara kanë qenë ata që na kanë premtuar pastrimin e së keqes duke marrë në dorë për këtë qëllim edhe drejtësinë.  Në këtë kontekst edhe sikur Edi Rama të kishte zbritur nga qielli në vitin 2015, edhe sikur partia që ai drejton të ishte e përbërë vetëm nga njerëz idealistë, një kapje e Drejtësisë nga një forcë politike do të ishte e rrezikshme, e jo më kur kemi parasysh se kjo parti përbëhet nga banditë dhe kryebanditë të vjetër dhe të rinj që nuk kanë lënë gjë pa bërë në këtë vend që prej vitit 1991 - madje disa prej tyre edhe më parë - e prandaj shumë prej tyre duhet të jenë në radhën e parë të bangës së të akuzuarve nga drejtësia. Së dyti, nëse e mira e një veprimi, sikurse thotë një fjalë e vjetër, përcaktohet nga qëllimi i tij duhet të peshojmë nëse është lufta ndaj korrupsionit qëllimi që e ka vënë në lëvizje këtë reformë apo kapja e Drejtësisë për të tulatur e burgosur kundërshtarët  me qëllim forcimin e pushtetit dhe të impunitetit  të bandës së Partisë Socialiste dhe Kryetarit të saj, me pasoja edhe më të rrezikshme për të gjithë. Për mua kjo reformë, ku hyn edhe manovra e kërkimit të legjitimimit ndërkombëtar të saj nëpërmjet mbështetjes së amerikanëve e evropianëve, është bërë me laps në dorë për këtë qëllim të dytë të mbrapshtë.
Po garancinë e ndërkombëtarëve sikur e ke nënvleftësuar shumë? - do të shpejtojnë të më thonë. Sipas meje, ata ndërkombëtarët që e mbështesin këtë grusht shteti, atë Mision të turpshëm antidrejtësi, nëse nuk janë nën presionin e lobingjeve të Ramës, jashtë dhe brenda vendit, duhet t'i përgjigjen pyetjes: a mund t'i besohet Drejtësia një partie dhe një Kryetari që, për të marrë pushtetin e mbushi Parlamentin me kriminelë si asnjëherë më parë në historinë e Shqipërisë dhe që thuajse çdo ditë, në aktivitetin e vet, jep shenja të qarta se vetëm me ligjin dhe të drejtën s'ka lidhje? (Panorama, 12 janar 2016)

Read More......

Saturday, January 9, 2016

Parkimi tek Parku Rinia krim ndaj Tiranës


Këto ditë më tërhoqi vëmendjen një lajm se Sali Berisha qenka kërcënuar nga biznesmeni Besnik Sulaj, ndryshe i njohur si Beso i Tajvanit, pas denoncimit që i bëri dhënies së koncesionit 30 vjeçar për ndërtimin tek Parkut Rinia të një parkimi të madh makinash nga Erion Veliaj dhe Këshilli Bashkiak socialisto-lsist.
Ajo që më tërhoqi vëmendjen tek lajmi, e që mu duk tronditëse, nuk qe kërcënimi - sepse për mua ky bën pjesë në repertorin e rëndomtë të një teatri mediatiko-politik të stërkonsumuar - por fakti se i gjithë lajmi u përqendrua këtu, ndërkohë që nuk pati asnjë reagim për këtë krim të ri që po i kanoset Tiranës nga pikëpamja ndotjes së ambientit, shëmtimit të pejsazhit urban dhe zhdukjes së kujtesës historike.  Thashë me vete: a jemi përpara vdekjes së ndjeshmërisë dhe imagjinatës minimale të gazetarëve apo përpara vdekjes së rezistencave të fundit  të gazetarëve përpara korrupsionit galopant të kastës në pushtet?
Pse e them këtë dhe pse e quaj krim ndaj qytetit këtë parkim? Sepse të ndërtosh një parkim aty më së pari do të thotë të shkatërrosh Parkun duke shkulur pemët dhe duke hapur aty një gropë të stërmadhe që do të qëndrojë ashtu, duke u çimentifikuar, me vite derisa të mbarojnë punimet. Dhe kjo ka pasoja të pallogaritshme ndotjeje dhe shëmtimi, jo vetëm për banorët përreth, por për krejt qytetin, për të mos folur për vetë klientët e Tajvanit.  Së dyti, edhe sikur të mendohet se,  pasi të mbarojë ky çimentifikim i rëndë, mbi sipërfaqen prej çimentoje do të mund të vihet njëfarë gjelbërimi, duhet pasur parasysh se aty do të dominojë bari, sepse pemë të mëdha që bëjnë edhe hije nuk mund të mbillen  më dhe po ashtu se problemi i ndotjes së qytetit do të jetë edhe më i madh sesa ai i prodhuar gjatë ndërtimit. Kjo, jo vetëm për shkak të mungesës së pemëve, por edhe sepse nën atë tapet bari do të lëvizin për të parkuar me qindra makina në ditë. Dhe gazrat ndotëse të këtyre makinave sigurisht që kanë nevojë të dalin diku. Po ku do të dalin? Do të dalin mbi të ashtuquajturin park nëpërmjet tubacioneve të ventilimit. Pra ky park ende i bukur dhe i ngarkuar me nostalgji pikërisht për shkak të atyre pemëve dhe gjelbërimit që i ka mbetur, jo vetëm do të shkatërrohet duke shëmtuar edhe pejsazhin urban, por, nga një copëz mushkëri (krejtësisht e pamjaftueshme) që i ka mbetur qytetit, do të kthehet në një vend që do të prodhojë ndotje të mëtejshme të qytetit që edhe kështu është super i ndotur nga fluksi i makinave që kalojnë nëpër Bulevard. Duke pasur parasysh këto gazra a mund të imagjinohet se ai mund të jetë një vend i shëndetshëm për fëmijët, që sot i sheh të luajnë krahas prindërve që pushojnë aty? Kush ka jetuar sadopak në vendet evropiane e di përgjigjen sepse me siguri duhet të ketë dëgjuar për protestat që kanë bërë banorët kundër  projektesh të tilla në zonat të ngjashme të gjelbëruara të qytetit.
Sigurisht këto mendime duket se as nuk i kanë kaluar ndërmend Erjon Veliajt, Besos së Tajvanit e aq më pak atyre të Këshillit.  Llogaria e vetme që ata kanë bërë është: oh sa shumë para!  Sikur 100 makina të parkojë aty, shumëzuar me 200 lekë për orë bëjnë 20000 lekë  në orë, shumëzuar me minimumi 10 orë bëjnë 200 000 lekë në ditë, shumëzuar me tridhjetë ditë që ka muaji, shumëzuar  me 12 muaj që ka viti, shumëzuar me 30 vjet… llogarisni se çfarë fitimi që ka Besua i pangopur. Sigurisht është një kalkulim njerëzish që ua ka zënë sytë babëzia sepse e siguroj unë Beson se pas 30 vjetësh, me këtë mënyrë se si e ka shkatërruar dhe po e shkatërron ai dhe shokët e tij Tiranën, këtu nuk do të ketë mbetur banor i gjallë në këmbë, por do të jenë transferuar të gjithë në ndonjë kryeqytet tjetër të vendit… nëse, pas tridhjetë vjetësh sjelljeje kësisoj do të ketë mbetur ende ndonjë shqiptar i gatshëm të jetojë në këtë vend.

***
Sidoqoftë shpresoj të kenë mbetur shqiptarë boll, qoftë edhe duke u sjellë si emigrantë që kërkojnë azil nëpër botë, që do të tregojnë historinë e shkatërrimit të këtij qyteti të bukur dhe të Shqipërisë tonë të bukur. Në shërbim të kësaj kujtese po i risjell shkurt publikut historinë e Tajvanit për të cilin po bërtet kaq shumë sot Sali Berisha, sigurisht jo për motivet që po ngre unë, por se po i hanë llokmën. Është një histori emblematike për të ilustruar se si e gllabëroi qytetin tonë përbindëshi me tre kokë e tre stomakë: politikë - biznes - media ku PD, PS dhe LSI janë tre këmbët e tij që e kanë ndihmuar të ecë sa më shpejt përpara në gllabërimin e bukurive të Shqipërisë dhe e të mirave publike. E pra, gllabërimi ka filluar me famëkeqen shoqëri Shqiponja të PD-së që, pasi e bëri të vetën Tajvanin,  në vitin 1997 ia ka shitur një biznesmeni për një shifër të ulët. Ky biznesmeni, pastaj, ia ka shitur një greku për 750 000 dollarë. Ky greku, vetëm pas gjashtë muajsh ia ka shitur Besos së Tajvanit për 1 milion e 200 mijë. E pra, këto spekulime që bëheshin në kurriz të një prone që u përkiste të gjithëve kanë filluar bash në kohën e Sali Berishës. Pastaj erdhi koha kur u hodh përpara këmba tjetër, edhe më e fuqishme, e përbindëshit: ajo e socialistëve të Nanos, Metës dhe Ramës.  Në këtë kohë Besos së Tajvanit nuk i mjaftonte ajo që kishte marrë për të plotësuar kompleksin. I duheshin edhe ndonja 1300 e ca metra të tjerë katrorë përreth nga toka e të gjithëve. Këto ia ofroi me bujari Rama dhe socialistët e tij me një çmim qesharak. Mirëpo në atë kohë, për ta mbyllur pazarin, këshilltarëve socialist u duheshin edhe votat e disa këshilltarëve të PD, e cila, gjatë teatrit të fushatës kishte premtuar (si gjithmonë duke gënjyer) se po të fitonte do ta hiqte kazinonë e Besos nga Tajvani. Sipas dëshmive që na dha në media asokohe Mero Baze dhe Mitro Çela, që janë dy nga këshilltarët e PD që kanë votuar për Beson, votimi është bërë me bekimin e Berishës tek i cili paskan ndërhyrë edhe njerëz si Fatmir Mediu e Gramoz Pashko. Bile Merua e Mitrua kanë shkuar në zyrën e Berishës një ditë para votimit për t'i thënë se Besua kishte sponsorizuar edhe Partinë Demokratike, jo vetëm PS-në. (Shih për këtë një shkrim të Mero Bazes me titull "Sqarim për zonjën Topalli" Tema, 17.12.2009). Dhe kështu pazari u mbyll nga Berisha që bërtet sot, i cili i orientoi anëtarët e tij të Këshillit të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre. Kujtoj se pikërisht në këto kohë gazeta Tema, megjithëse me humbje, u ble nga Besua për 500 000 euro. Për më hollësi për këtë histori lexoni shkrimit tim "Punë batakçinjsh" (Korrieri, 28 dhjetor 2009) http://perpjekja.blogspot.com/search?updated-min=2009-01-01T00%3A00%3A00%2B01% 3A00&updated-max=2010-01-01T00%3A00%3A00%2B01%3A00&max-results=50…
***
Në shkrimin në fjalë kam thënë mes tjerash se: "historia e 1300 metra katrorëve tek Tajvani është metaforë e asaj se si i kanë trajtuar 28000 km katror Shqipëri këta batakçinj të vjetër dhe të rinj. Si histori privatizimesh ajo është aq e rëndomtë sa ndoshta të vetmen vlerë që ka, për të marrë mundimin ta shkruash, është që t'u lihet një dëshmi më shumë nipërve dhe mbesave të këtyre batakçinjve që një ditë të dinë se si janë pasuruar gjyshërit e tyre në kurriz të të gjithë shqiptarëve, se si gjyshërit e tyre politikanë punën publike e kanë pasur thjesht si mundësi për të marrë ryshfete dhe përfitime nga gjyshërit biznesmenë që biznesin e tyre nuk mund ta ndërtonin pa ryshfete dhe se këto biznese mund të lulëzonin edhe më mirë me ndihmën e gjyshërve gazetarë që në vend të punës së gazetarit bënin punën e sekserit." Ky është "sistemi" që na premtoi të përmbysë Rilindja. Por, në vend të lindjes, ajo që po përjetojmë përditë është avancimi galopant i vdekjes që sjell kudo ku shkel përbindëshi me tre koka që kanë kalëruar Berisha, Nano, Rama, Meta me shokë e që duket se pret të kalërohet edhe nga brezi i Erjon Velisë me shokë.  Ashtu sikurse thashë, njëlloj si para dhjetë vjetësh, e vetmja llogari që bëjnë këta njerëz janë paratë që do të fitojnë në kurriz të publikut e cila llogari u ka errësuar ndërgjegjen dhe aftësinë për të krijuar projekte që janë në harmoni me natyrën dhe me interesat e të gjithëve, veçanërisht me të ardhmen e fëmijëve të të gjithëve. Ajo që më mbetet të them është se, po vazhduan kështu, pas 30 vjetësh, Tirana e përbindëshit do të jetë një qyteti i banuar vetëm me pallate pa këta fëmijë, dhe parkimi i Besos dhe Erjonit do të vizitohet si një katokomb betoni i banuar nga minj dhe makina të ndryshkura e të braktisura. Madje ka gjasa që përbri tij të ketë edhe një pallat njëzetkatësh në vend të Tajvanit - edhe ky bosh, si përbindëshi njëzetepesë katesh prej betoni aty pranë që qëndron kërcënueshëm mbi kokat tona, si paralajmërim i një qyteti fantazmë. E them këtë sepse, më kujtohet se në kohën që ndërtohej godina e Tajvanit të Ri të Besos  një ndërtues erdhi i shqetësuar dhe më tha se themelet që ishin hedhur atje nuk qenë për një ndërtesë dy katëshe, por për një pallat mbi njëzet katesh. Prandaj nuk është çudi që në vazhdim të marrëzisë dhe babëzisë miope të këtyre njerëzve, andej nga mesi i kohës së koncesionit, ndonjë Këshill Bashkiak i radhës së PD-PS-LSI të na aprovojë edhe një ndërtesë njëzet katëshe aty.
Nuk është fantazi gjithë kjo që po them. Me ç'na kanë parë e po na shohin sytë përditë është gjëja më e mundshme nga të gjitha që mund të ndodhë. Por sigurisht nuk e shkruaj si ngjarje e paevitueshme, por si thirrje për ta ndalur këtë mundësi të kobshme. (Panorama, 8 Janar, 2016)

Read More......