Friday, February 26, 2016

Parku, oligarkia dhe Edi Rama si kryemaskë

Dy protestat kundër betonizimit tek Parku i Liqenit dikush i ka quajtur prova gjenerale për shporrjen e kësaj qeverie. Dikush tjetër i quan si përpëlitjet e fundit të opozitarizmit e të  shoqërisë civile që ka mbetur në Shqipëri. Cila është e vërteta? Sipas meje këto të dyja nuk e përjashtojnë njëra tjetrën.
Personalisht protestën e të rinjve të shoqërisë civile e shoh si një dritë shprese në tunelin e errët ku kemi hyrë prej kohësh.
***
Nëse do t’i shohim si të organizuara thjesht kundër Edi Ramës dhe Erion Velisë me parulla të tilla si “Velia po bën atë që s’guxoi të bëjë as Rama me Parkun”jemi në variantin e përpëlitjeve të fundit të opozitarizmit e të shoqërisë civile. Pse e them këtë? Jo thjesht se është idiote të mendosh se Veliaj po i bën këto pa dijeninë e aprovimin e Ramës, por sepse të shprehesh kështu do të thotë të mos e kapësh demin për brirësh. Dhe brirët e demit nuk janë Rama e Veliaj. Këta janë thjesht maska e këtyre brirëve. Madje Veliaj nuk është tjetër veçse maska e maskës Rama. Ashtu sikurse janë maska e maskës së maskës shumë gazetarë e intelektualët e segmente të shoqërisë civile që kanë ndërtuar të gjithë së bashku një plurimaskë që kërkojnë t’i venë emrin demokraci, por që, në fakt, është një oligarki që kërcënon të kthehet në fashizëm: si dhunë e pakicës sunduese mbi shumicën. Demi me brirët e tij të vërtetë është ky fashizëm i kamufluar deri tani, që, në një shkrim paraardhës, e kam quajtur fashizëm ekonomik)  Dhe protestat nëse duan të ngjallin shpresë duhet të kapin demin e oligarkisë për brirësh. Përndryshe thjesht do t’u mbeten maskat, Edi dhe Erijon në dorë, (nëse këta nuk ia mbathin një ditë nga sytë këmbët), por fashizmi ekonomik do të ketë vënë maska të tjera: ato që këto protesta i shohin si mundësi për të rimarrë rolin e kryemaskës sepse tani kanë mbetur në rolin e dublantit

***
Shumëkush e kupton qartë se kjo rezistencë që ndodhi tak Parku e ka burimin tek një frikë shumë më e madhe sesa sipërfaqja e betonit që do vendoset në atë kënd lodrash. Frika qëndron tek përpjekjet për ta kafshuar Parkun anës Universitetit, tek Garda, tek hyrja e rrugës së Elbasanit, tek diga. Dhe është cektësi të mendosh se këta projekte janë thjesht punë e maskës së pabesë e mashtruese Edi Rama dhe i një maske të maskës. Të gjithë e dimë se këta projekte kanë prapa oligarkinë që deri dje është kamufluar edhe prapa maskave Berisha, Basha. Edi dhe Erjoni thjesht kanë nxjerrë në treg aftësinë e tyre për të qenë maska, për të mos u skuqur dhe as zverdhur, por janë oligarkët përfituesit kryesorë të këtyre projekteve. Janë ata që i kanë zgjedhur mikluar dhe mbështetur (por edhe shantazhuar) maskat për të luajtur këtë lojë. Sepse, në kontekstin evropian ku jetojmë, oligarkët kanë nevojë për maskën e demokracisë, të ligjërimit të asaj që bëjnë nëpërmjet politikanëve të ardhur në qeverisje gjoja nëpërmjet votës së popullit. Kjo nevojë bëhet edhe më e fortë kur ke parasysh se një pjesë e tyre janë edhe vrasës e tarfikantë. Dhe ky është problemi i madh që kemi përpara, që ka nisur që pas rënies së komunizmit e me të cilin duhet të merren të rinjtë protestues nëse vërtet synojnë të na ngjallin shpresën.
***
Politologu i njohur italian Gusavo Zagrebelsky, duke karakterizuar sistemin oligarkik që kërcënon sot edhe Evropën thotë se për herë të parë në historinë e njerëzimit kemi një sistem ku paraja dhe pushteti nuk janë më thjesht mjete (për të bërë diçka të mirë apo të keqe), por janë qëllim në vetvete - si dy anë të së njëjtës medalje.
Sipas Zagrabelskit  rrethi vicioz “pushtet për para dhe para për pushtet […] i jep vend përqendrimit të pushtetit dhe të pasurisë në grupe të vegjël, autoreferencialë, të pasigurt në vetvete, të mbyllur në geto të rrethuara me mure, të lara me ar ndoshta, por sigurisht artificiale, nganjëherë edhe të militarizuara. Tendenca e këtyre oligarkëve është mbyllja progresive në vetvete sepse mbijetesa e tyre është e lidhur me mbylljen e kufijve të tyre nga bota e të përjashtuarve.” A nuk ju kujton ky përshkrim diçka që e keni parë në Shqipëri? Hidhni një sy andej nga Rolling Hills apo nga getot e Golemit apo të Gjirit të Lalzit. Të gjitha të rrethuara me mure e të ruajtura me roje janë.
Ajo që po ndodh tek Parku tregon pikërisht syverbësinë e njerëzve që pushtetin e kanë mjet për paranë dhe paranë mjet për pushteetin pa asnjë qëllim tjetër në jetë. Njerëzit që e shohin botën me këta sy çdo gjë të bukur që ekziston në natyrë e shohim si mundësi për ta kthyer në para. Këta nuk mund ta shohin dot lulen e t’i gëzohen bukurisë së saj në degë, por përnjëherë mendojnë si ta këpusin e ta shesin për para. Dhe për ta këputur u duhet pushteti dhe kështu, në rreth vicioz, për të kapur pushtetin u duhen para. Me këta dy sy, të parasë e të pushtetit, këta shohin edhe gjelbërimin e një parku, edhe një breg të virgjër deti, edhe një lumë të kulluar edhe një pyll  të bukur në mal.

***
Ajo çka venë re politologët dhe sociologët si anë tjetër të medaljes së getove të oligarkëve kësisoj është jo vetëm varfërimi, margjinalizimi, reduktimi i të drejtave të shumicës, por, çka është më e keqja, degradimi i indit social të shoqërisë, shkatërrimi i çdo ndjenje solidariteti. Dhe është logjike që ky degradim të jetë në interesin e oligarkëve. S’ka më mirë për sigurinë e pasurimin e tyre të mëtejshëm në kurriz të publikut sesa që jashtë mureve të getove të ketë individë të përçarë dhe jo solidarë. Ata edhe paguajnë për këtë. Nuk është rastësi që në një vend si ky i yni ku oligarkia ka tiparet më dritëshkurtëra pasi e shkrirë edhe me krimin, e njëheerësh vend pa traditë shqërie civile, nuk gjen dot një komuniteti gazetarësh që të bëhen bashkë për një çështje të përbashkët (qoftë edhe për interesat e tyre të lirisë së fjalës) nuk gjen komunitet intelektualësh që të ulet të hartojë një peticion për një çështje publike, por vetëm individë të përçarë që shohin dorën që u jep lekun për shërbimin që bëjnë si maska të maskave të maskave.
Në këtë kontekst,  prapa rezistencës së atij grupi të vogël po tepër të rëndësishëm të rinjsh që dolën për të mbrojtur pemët tek Parku unë shoh rezistencën kundër  një frike edhe më të madhe se betonizimi: rezistencën instiktive të njeriut ndaj shkatërrimit të shpresës për ndërtimin e indit social. Kruajua qytetare dhe ankthi me të cilën ky grup të rinjsh dolën të mbrojnë pemët e Parkut është shprehje e ankthin për të mos e humbur këtë shpresë që në terma konkrete përkthehet në ankthin për të mos e humbur të ardhmen e tyre në këtë vend. Sepse, njerëzit kanë nevojë për këtë ind social që të jetojnë sepse pikërisht nëpërmjet tij qenia njerëzore realizon potencialitetet e veta. Është e provuar tashmë se përtej një niveli të ardhurash lumturia e njeriut nuk varet më nga shuma e parave që ka në bankë apo numri i shtëpive apo makinave që ka, por nga marrëdhëniet sociale që ka, nga cilësia e miqësive e dashurive që ka, e fqinjësive të mira apo të këqija që ka. E për këtë duhet një nivel barazie, në dinjitet së paku, por duhen edhe hapësirat fizike publike ku marrëdhëniet njerëzore të mund të lindin e të zhvillohen. Dhe Parku është një nga hapësirat e fundit fizike të mbetura që e luan këtë rol. Aty shqiptarët i gjen akoma së bashku pa dallime social ekonomike. Parku po ashtu ruan edhe një kujtesë të kësaj shoqërie dhe, në këtë aspekt, kërcënimi i tij nuk është thjesht fizik por edhe psikologjik. Mbrojtja e tij është mbrojtja e një cope ind social që ka mbetur dhe njëherësh shpresa se ai mund të zhvillohet e rritet. Mirëpo, siç e thashë, është pikërisht kjo që nuk u intereson oligarkëve dhe maskave të tyre që duan ta kthejnë Parkun në oborrin e tyre privat siç kanë kthyer shumëçka në Shqipëri sot. Prandaj dhe erdhi sulmi fashist kundër tyre.
Kundër këtij fashizmi duhen përdorur të gjitha mjetet. Dhunës së tij, i duhet përgjigjur edhe me dhunë nëse është nevoja. Sepse kur arrin një kryeministër të guxojë të thotë se kush nuk më voton mua është ose dele ose budalla kjo tregon se fashizmi ka bërë hapa shumë të rrezikshme përpara. Prandaj ai duhet shporrur një sahat e më parë me gjithë shpurën e tij. Por që të shporret jo thjesht si individ por si fenomen,  nuk duhet harruar se ai nuk është kryeministër i shqiptarëve, por kryemaskë e oligarkëve; prandaj duhet denoncuar e shporrur edhe fuqia që ka prapa: ajo e atyre që, duke mos mundur të deklarohen ata që janë, u duhet të mimetizohen me këtë kryemaskë apo kryemaska të tjera të ngjashme. (Panorama, 26 shkurt 2016)


Read More......

Saturday, February 20, 2016

Zhvarrimi i Kodrës si vazhdim i kitschit

Këto ditë është bërë një zhurmë lidhur me vendimin e Ministrisë së Kulturës për zhvendosjen e eshtrave të piktorit Ibrahim Kodra të varrosur në vendin e tij të lindjes, Ishëm. Sipas Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Kodra, të drejtuar nga Pacolli, ai na paska kërkuar të varroset në një vend të bukur në Tiranë dhe, prandaj, Ministria ka vendosur se ky vend i bukur na qenka Panteoni në Kodrat e Liqenit. Sigurisht Kodra nuk e ka lënë një gjë të tillë me testament se kjo do të ishte qesharake. Më me gjasa kemi të bëjmë ose me historinë e njohur që vijnë disa dhe zhvarrosin edhe të vdekurit me pretendimin se po bëjnë histori, ose me ndonjë gjë edhe më banale: se i ka shkrepur Pacollit për ta vënë atje; ka dhënë edhe ndonjë lek për këtë punë, si pasanik që është, dhe Ministria nuk do t’i humbasë këta lekë se ndokush fut edhe ndonjë llokmë në xhep për vete me këtë rast.
Megjithatë nuk më shtyu të ulem të shkruaj për këtë polemika e varrimit, por tema e kulturës me të cilën vishet ky banalitet i Ministrisë sonë të Kulturës që shfaqet kudo, jo vetëm në këtë rast.
***
Ibrahim Kodra është një artist me origjinë shqiptare nga Kosova, që ka lindur në Ishëm dhe që e ka zhvilluar aktivitetin e tij krijues në Itali. Kush ka mundur të ndjekë pikturën e tij do të konstatojë se i përket një pikture kubiste ku ndikimet e Picassos ndjehen shumë. Nëse do ta vendosim në kontekstin e historisë së artit italian duhet thënë se në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur ai ka zhvilluar aktivitetin e tij, arti figurativ ka njohur në Itali zhvillime të tjera nga kubizmi – që nga action painting dhe arte povera tek ai konceptual, që nga videoarti e deri tek trans-avanguardia, për të përmendur vetëm disa nga këto zhvillime. Në këtë kontekst Kodra duhet të konsiderohet piktor italian, që ka gjetur veten në artin që ka bërë, dhe se si ai Italia e gjysmës së dytë të shekullit XX ka pasur shumë artistë, më të shquar dhe më pak të shquar.
Nëse do ta shohim si shqiptar duhet thënë se ai ka pasur fatin të mos jetojnë në diktaturën që artistët i kyçi në metodën e realizmit socialist prandaj dhe të jetë ndër të paktit shqiptarë që ka mundur të bëjë art modernist në vitet 45 – 90. Ndërkohë, nëse do të kërkojmë të gjejmë ndikime të tematikës apo traditës shqiptare në veprën e tij, do të thoja se nuk ka të tilla;  por mund të flasim për një atmosferë mesdhetare të veprave të tij.
Nuk kam ndërmend të hyj më thellë në vlerësimin e veprës së tij sepse s’është ky thelbi i shkrimit. Ajo që dua të them është se vepra e Kodrës, përtej vlerës që mund t’i japim asaj - çka mbetet edhe shumë subjektive - nuk lidhet dot me kuptimin që ka një panteon i figurave të kulturës shqiptare – ndërkohë që edhe vazhdimi i një panteoni të tillë është, sipas meje, një ide anakronike, për të mos thënë qesharake. Figura të tilla si vëllezërit Frashëri janë vendosur në të ashtuquajturin Panteon, si figura të rëndësishme të nacionalizmit shqiptar, sepse vepra e tyre, duke filluar që nga gjuha që kanë përdorur, e për të vazhduar me tematikën e jetës dhe veprës, është shqiptare. Normalisht ata do të duhej të ishin vendosur atje jo në kohën e Enver Hoxhës, por më herët, siç i gjejmë në shumë vende të tjera figurat e nacionalizmit, (duke pasur parasysh se ideologjia komuniste ishte internacionaliste) dhe në këtë kuptim një panteon i tillë, i ngritur në kohën e komunizmit është edhe ai anakronik; por duke pasur parasysh se ideologjia e atij pushteti, veçanërisht pas prishjes me BS, ishte një sinkretizëm paradoksal i komunizmit me nacionalizmi mund të thuhet se vëllezërit Frashëri qëndrojnë atje si mishërim i kulturës nacional - komuniste të kohës së Enver Hoxhës.
Sjellja e Konicës në atë Panteon, pas rënies së komunizmit, është tregues i faktit se megjithëse komponentja komuniste ra nga ideologjia e vjetër e pushtetit komponentja nacionaliste e saj mbeti, duke i dhënë jetë një ideologjie që në shkrime të tjera e kam quajtur nacional - evropianiste (ku evropianizmi zëvendësoi komunizmin në të njëjtat struktura mendimi të njerëzve) për shkak se kultura dhe legjitimiteti i elitës sonë të pas komunizmit, strukturat e saj të mendimit, ishin po ato. Gjithsesi, në kontekstin e këtij anakronizmi, sjellja e eshtrave të Konicës atje ka një kuptim sepse vepra e tij është e lidhur ngushtë me çështjen shqiptare.

Po Kodra ç’punë ka në atë Panteon?

Kodra, në fakt, nuk ka asnjë lidhje sepse, së pari, tematika e veprës së tij nuk ka të bëjë me Shqipërinë dhe çështjen shqiptare, së dyti, sepse ai është përfaqësues i një Evrope post - nacionaliste kur piktorë të tillë nga të cilët ai është frymëzuar, si Picasso, e kanë denoncuar madje nacionalizmin, çka përçohet qartë edhe në shumë prej veprave të Kodrës, së treti, sepse ka kaluar shumë kohë tashmë për ta kuptuar e mësuar këtë.
Mirëpo rilindasve që pretentojnë të ndryshojnë gjithshka (për të mos ndryshuar asgjë) ky mësim nuk u intereson, sepse s’ka gjë më të lehtë për të ruajtur pushtetin se të ruash të njëjtat struktura mendimi tek njerëzit. Kështu Kodra lëvizet nga varri jo për shkak të asaj që ai përfaqëson, por për shkak të kulturës (për të mos thënë injorancës) së atyre që duan ta ngulin në atë Panteon. Duke qenë se ka bërë një lloj emri jashtë ai është përzgjedhur për tu mitizuar me teknikat e kulturës së vjetër nacional – romantike e pastaj nacional - komuniste duke u nisur nga dy nevoja të vjetra të rilindësve tanë të shekullit XIX– të shprehura shumë qartë në veprën e Konicës:
Së pari, “nevoja identitare” apo e “krenarisë identitare” Pra për t’i thënë botës se edhe ne shqiptarët ekzistojmë dhe madje jemi krenarë për ekzistencën tonë dhe si provë për këtë kemi njerëzit e shquar që njihen në botë që janë shqiptarë apo me origjinë shqiptare.
Së dyti, në kontekstin e shkëputjes nga Perandoria Osmane dhe “kthimit” ose futjes së vendit në Perëndim (sepse, nëse do të bëhej fjalë vetëm për njerëz të shquar mund të përzgjidheshin edhe shumë shqiptarë që kishin shkëlqyer gjatë 5 shekujve të Perandorisë) – këto figura zgjidheshin me profil pro-perëndimor.
Konstruksioni i mitit të Skënderbeut është ilustrimi më i mirë i këtyre dy nevojave.

Problemi është se nëse në shekullin XIX ndërtimi i miteve të tillë ishte sidokudo në frymën e kohës; nëse në kohën e Enver Hoxhës nacional – komunizmi u imponua me dhunë dhe askush nuk guxonte të thoshte një fjalë për monumentet kitsch që ngrinte regjimi duke filluar që nga Muzeumi i Skënderbeut në Krujë apo Muzeumi Kombëtar që prishi Bashkinë dhe sheshin qendror të Tiranës, në shekullin XXI-të kesh mbetur tek nevoja për afirmim të identitetit kombëtar, të kesh nevojë të legjitimohesh nëpërmjet perëndimorëve, është një vetëdemaskim që të bën qesharak dhe të nxjerr jashtë botës. Siç jemi bërë qesharakë duke manipuluar me të njëjtat teknika nacionaliste edhe veprën e Nënë Terezës psh. duke i venë çdo gjëje të mbetur pa emër, emrin e saj; ndërkohë që ajo e shkreta nuk mund të mbrohet dot nga injoranca dhe abuzimi ynë me të -  shumë shumë mund të  thotë duke na vështruar nga qielli: “Falua Zot se s’dinë se ç’bëjnë.” Siç bëhemi qesharakët kur në vend se të ruajmë shtëpitë e shkrimtarëve ashtu siç kanë qenë, në vërtetësinë e thjeshtësinë e tyre, i shembim ato e ndërtojmë në vend të tyre muzeume kitsch në stilin e shtëpisë së lindjes së Enver Hoxhës. (Rasti Kadare).
Por nëse Kadareja është në terrenin e kulturës që ka gatuar vetë, prandaj dhe e pranon,  ç’taksirat ka Kodra të përdoret nga kjo kulturë për të manipuluar shqiptarët që e shfaqin pastaj këtë kulturë deri në format më groteske si psh. duke u bërë thirrje futbollistëve me origjinë shqiptare të lindur, rritur, edukuar e trajnuar në Zvicër që të ndihen shqiptarë dhe jo zviceranë e prandaj, mundësisht, të bëjnë ndonjë autogol në portën e Zvicrës.
Kaq të bindur janë rilindasit nacional – evropianistë se po i bëjnë nder Kodrës saqë as nuk e venë në dyshim se ndoshta ai mund të mos pajtohet me atë çka përfaqëson ai Panteon, se si artist vendosjen e tij atje ai mund ta shihte, si dëshmi te atij provincializmi ballkanas  për të cilin antropologu i njohur bullgar Ditchev thotë ser ka një shekull që ndjek politika kulturore, që, në thelb, shkojnë drejt prodhimit të kitsch-it, si importim dhe imitim banal i asaj që është prodhuar kohë më parë në vendet e huaja.
Do të ishte mirë që rilindasit, me në krye Kryeministrin artist, ta lexojnë se si i përgjigjet Ditchev pyetjes se përse kjo formë e kitsch-it është kaq e rëndësishme pikërisht në Ballkan: “sepse atje elita nuk është legjitime. Sepse kjo elitë në të shumtën e rasteve ka dalë në krye fare rastësisht dhe përmes rrethanave të shumta të kaosit. Dhe sepse ajo nuk e ka burimin e vërtetë, të brendshëm për të qëndruar në pushtet. Ndaj ajo bën përpjekje të dëshpëruara për t'u kapur pas ndonjë "bote të jashtme", që do ta legjitimonte atë. Kultura e huaj, ndonëse e imituar në mënyrë banale, përdoret si për t'i vënë vata uniformës së pushtetit.” (Panorama, 19 shkurt 2016)

Read More......

Thursday, February 11, 2016

Për një reflektim më të thellë të denoncimit Blushi

Letra e Blushit mbi shkeljet e statutit në Partinë Socialiste është një dokument që do ta quaja historik për ata që nesër do të duan të studiojnë gjendjen e partive në Shqipëri pas 25 vjetësh rënie të diktaturës.Por do të ishte mirë që ky dokument të merrte edhe një dimension tjetër historik, të inicionte një proces ndryshimi në Partinë Socialiste. Kuptohet se kjo duket punë mjaft e vështirë për momentin, por gjithsesi ajo që ka bërë Blushi vlen shumë. Kjo jo pse dokumenti na zbulon diçka që nuk e dimë, (personalisht kam afro dhjetë vjet e më shumë që i quaj partitë tona banda),por sepse, duke ballafaquar realitetin e funksionimit të partisë së tij me parimet e shkruara në statuti ai na jep,nëpërmjet pak rreshta vetë pakontestueshme, pasqyrën dramatike të paaftësisë së shqiptarëve për të ndërtuar organizma me frymë demokratike dhe në respekt të ligjit duke demaskuar njëkohësisht retorikat për rilindje të kësaj partie dhe të liderit të saj.
Ajo që vihet re, megjithatë, është se reflektimi që po bëhet mbi këtë dokument mbetet shumë i cekët.  Ai thjesht po politizohet për qëllimet e ditës, duke anashkaluar kështu thelbin e problemit që ai denoncon. Çfarë ka ndodhur në PS trajtohet sikur të ketë të bëjë thjesht e vetëm me anomalinë e personit Rama që ka ardhur në këtë parti si një fatkeqësi; se, sikur PS të pranojë të zhvillojë zgjedhje të kryetarit gjithshka do të mbyllet me kaq, ndërkohë që, sipas meje, ky dokument meriton një analizë shumë më të thellë të asaj se pse PS është në këtë gjendje - si një fillim ky për ndryshime themelore në këtë parti e më gjerë.
Në fakt, do të kishte qenë gjëja më e lehtë sikur problemi i PS-së të kishte vetëm emrin Rama. Problemi i vërtetë është se Rama nuk është një përjashtim, por rregulli që mbretëron jo vetëm në PS, por edhe në të gjitha partitë e tjera dhe po ashtu në çdo organizëm të ngritur nga shqiptarët në këta 25 vjet;se Rama nuk do të ishte ai që është sikur ne të mos jemi ata që jemi.
Vështroni televizionet që duhet të ishin një nga instrumentet më të rëndësishëm të  demokratizimit të vendit. Në vend se pronarët të jenë (sipas ligjit) tre (në rastin e televizioneve kombëtare) ata janë de facto një dhe bëhen tre me shokët ose me gratë e familjarët e pronarit. Jo vetëm, por në vend se këta pronarë të jenë thjesht aksionarë që marrin fitimet sipas audiencës - kurse politikat editoriale të përcaktohen nga borde gazetarësh e pastaj nga redaktorë e kryeredaktorë - pronarët janë njëshi që dikton edhe politikat editoriale, sipas interesave të bizneseve të tyre, paçka se frekuencat janë publike dhe reklamat po ashtu nuk jepen që të pasurohen ata, por që publiku të ketë tribuna prej ku të ushtrojë lirinë e shprehjes. Nuk po flas për gjendjen e shumicës së gazetarëve nën këta pronarë që janë më keq se gjendja e anëtarëve të PS-së nën Ramën.
Nuk po zgjatem me shembuj të tjerë nga fusha e biznesit apo e shoqërisë civile për të thënë se kudo ku kemi grupime shqiptarësh do të gjejmë sundimin e patrazuar nga parimet e demokracisë dhe nga ligji të një personi dhe rrethit të tij të ngushtë e se, prandaj, Rama nuk është i vetëm në këtë model, por është thjesht shfaqja më pa maska e modelit. Prandaj them se dokumenti i Blushit duhet të na shtyjë të thellohemi në pyetjen se nga na vjen ky model dhe pastaj se çfarë duhet bërë për ta ndryshuar.

E kaluara autoritare, sadomasokiste.

Shkaqet, sipas meje, duhet t’i kërkojmë sa në trashëgiminë e së kaluarës aq edhe në zhvillimet postkomuniste.
Nuk ka dyshim se partia e identifikuar me njëshin që s’pranon të vihet në diskutim i ka rrënjët në kulturën e një shoqërie thellësisht autoritare që ndryshe e kam quajtur edhe sadomasokiste, ku më të pushtetshmit shtypin më të dobëtit shkallë shkallë dhe i nënshtrohen dhe servilosen më të fortëve po shkallë shkallë. Në këtë aspekt edhe Rama nuk është tjetër veçse një nga hallkat e këtij sadomasokizmi. Po të kesh parasysh servilizmin, nënshtrimin dhe hipokrizinë që ka treguar dje ndaj atyre që ka pasur më sipër dhe sot ndaj atyre që ka mbi kokë (të huajt veçanërisht) do të kuptosh se arroganca që tregon mbi ata që ka poshtë nuk është gjë tjetër veçse gjysma tjetër e njeriut të rëndomtë autoritar, sadomasokist shqiptar; një njeri që thellë thellë nuk ka respekt për veten e që pikërisht për këtë nuk ka respekt as për të tjerët. Dhe kjo sepse respekti nuk bën pjesë në kuturën e njeriut autoritar, sadomasokist, sepse psikologjia e raporteve të njeriut me njeriun në këtë kulturë nuk mbështetet në respektin për tjetrin, që nënkupton barazinë në dinjitet,  por në kënaqësinë që të jep ushtrimi i pushteti mbi ata që ke poshtë dhe poshtërimin që të ngjall nënshtrimi ndaj atyre që ke lart – çka disa i çon në iluzionin se, duke u ngritur në majë, do t’i shpëtojnë këtij të dytit. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për ata që sot i nënshtrohen Ramës dhe nuk guxojnë t’i thonë se duhet të vihet në diskutim. Edhe ata nuk e bëjnë nga respekti sepse për këtë duhet të kishin respekt për veten, por nga servilizmi dhe nënshtrimi që duhet të shfaqin për të qenë të pranuar në këtë lloj shoqërie.
Pra, të fajësosh vetëm arrogancën e Ramës për këtë situatë, e të lesh pa prekur këta të dytët, do të thotë të mos kuptosh asgjë dhe të mos zgjidhësh asgjë.

Dhuna strukturore e sistemit

Megjithatë nuk ka dyshim se në Partinë Socialiste ka edhe të tjerë, përveç Blushit, që nuk e durojnë këtë situatë poshtëruese dhe fyese, pasi, sado që dominante, kultura autoritare sadomasokiste ka marrë shumë goditje gjatë këtyre 25 vjetëve. Sikur të ishte vetëm për atë në PS do ta kishin ngritur zërin kundër Ramës me kohë edhe të tjerë. Po kjo është vetëm gjysma e shpjegimit të gjendjes që ka denoncuar Blushi. Gjysma tjetër duhet kërkuar në  dhunën strukturore që ushtron mbi njerëzit sistemi politiko – ekonomik që kemi krijuar në zhvillimet pas-komuniste.
Disa, duke komentuar dokumentin e Blushit, i janë  referuar këto ditë kohëve të arta të Fatos Nanos, kur kishte edhe zgjedhje, edhe ndryshime kryeministrash e kryetarësh partie. Personalisht nuk mendoj kështu, jo vetëm sepse edhe Fatos Nano nuk ndryshonte në thelb nga modeli në fjalë(aq sa kur doli nga burgu gjeti një karrige bosh që ia fërkonin e adhuronin pa guxuar as të uleshin në të), por sepse ishte Nano ai që i dha nismën fenomenit të ndërtimit të një pushteti jashtë strukturave të partisë, që sot shprehet në mënyrën më eksplicite me Edi Ramën e që është në bazën e dhunës strukturore që demonstron sot ky individ në parti dhe më gjerë.
Ç’dua të them me këtë.
Nëse do të ndjekim historinë e PS së fillimviteve ‘90 do të shohim se ajo qe një parti e dobët, më saktë një parti me ushtarë të mbetur pa gjeneralë. Ishte vetëm në sajë të marrëzive autoritariste të Sali Berishës që ajo u mbajt gjallë dhe u rifut në luftë për pushtet. Në këtë kohë figura të tilla si Rexhep Mejdani, Kastriot Islami, Pandeli Majko, Ilir Meta krahas disa më të vjetërve si Namik Dokle apo Servet Pullumbi, me mbështetjen shpirtërore të një figure që zuri vendin e babait shpirtëror të kësaj partie, Dritëro Agollit,  kanë luajtur një rol të rëndësishëm për ta pajtuar këtë parti me pjesën tjetër të popullit e për të krijuar imazhin e një partie më të hapur e më demokratike se ajo e Sali Berishës.
Por, kush e kujton qeverinë që doli pas katastrofës së vitit 97, duhet të mbajë mend se ajo u quajt Aleanca për Shtetin sepse në atë qeveri kishte shumë eksponentë të Alencës Demokratike si Ceka, Imami, Teta apo social demokratët si Gjinushi e Milo e të tjerë që kishin dalë si politikanë nga lëvizja demokratike që krijoi PD-në, e që, në vitin 97, u mblodhën në Forumin për Demokraci që u krijua si lëvizje opozitare kundër Berishës pikërisht pse PS-ja në vetvete nuk kishte ndonjë kredibilitet në popull.
Kjo aleancë për shtetin ishte një zgjedhje e zgjuar e Fatos Nanos. Por ishte edhe një zgjedhje e imponuar nga dobësia e PS-së, që sipas meje, mbeti edhe më pas e tillë, madje iu thellua dobësia. Pse iu thellua? Le të mos harrojmë se krahas përfshirjes në vendimmarrje të shumë figurave jashtë PS, si kompensim i pasjes së një partie me pak personalitete, (edhe Edi Rama në këtë kontekst u thirr nga Nano) nën udhëheqjen e Nanos filloi edhe një fenomen tjetër. Ato vite përkojnë me kohën kur filluan të dalin në skenë njëri pas tjetrit ata që sot i quajmë oligarkë, disa me origjina shumë të dyshimta të parave të tyre që nga spekulimet deri tek trafiqet e drogës dhe prostitucionit. Me këta njerëz Nano i “Aleancës për shtetin” krijoi një aleancë për antishtetin dhe anti PS-në. Kapja e medieve nga këta oligarkë që nuk i jepnin llogari partisë, por gjithnjë e më shumë e sponsorizonin atë e bëri edhe më të fortë lidhjen e tyre me lidershipin duke krijuar pushtetin e vërtetë. Vijmë kështu në kohën kur politikanët e partive fillojnë të punojnë si menaxherë të interesave të këtyre oligarkëve. Edi Rama nuk është tjetër veçse një pjellë e kësaj kohe. Shprehja që tha  Ilir Meta kur ky mori partinë: “një pallat një votë” në thelbin e vet sintetizon pikërisht faktin se partia, gjithmonë e dobët, në vend se të forcohej, ishte kthyer tashmë në fasadën e strukturave të vërteta të pushtetit e në vend se të përfaqësonte interesat e pjesë më të brishtë të shoqërisë, si parti e majtë, përfaqësonte interesat e këtyre oligarkëve.  Pushtimi më në fund i partisë me Ramën nga këta nuk ishte veçse akti i fundit i një drame të nisur me Nanon. Prandaj Blushi, i cili, për fat të keq e ka pranuar për një kohë shumë të gjatë këtë rol fasade,(atëhere kur ishte shumë më lehtë të luftohej) në fakt është shumë më i vonuar edhe se Meta në këtë konstatim dhe po ashtu Meta na shërben si provë se nuk mjafton vetëm denoncimi për të ndryshuar atë që denoncojmë.

Ç’duhet bërë?

Gjithsesi, me PS apo pa PS nga kjo gjendje e mjerueshme duhet dalë. E për këtë sa s’është vonë – në fakt është shumë vonë - duhet hapur një luftë në dy fronte:
Së pari: lufta kundër njeriut  autoritar sadomasokist si pjellë e një tradite të ngritur në kulm në kohën e diktaturës. Lindja (jo rilindja) e një shqiptari të ri do të duhej të fillonte që këtu. Ky front është i vështirë sepse, për të lindur të rinj ndryshe do të duhet të kishim prindër ndryshe dhe në rreth vicioz mungesa e këtyre prindërve ripërsërit të njëjtët fëmijë. Dalja nga rrethi vicioz megjithatë mund të përshpejtohet me ndërgjegjësimin se rritja e fëmijëve të destinuar për të qenë thjesht objekte dhe jo subjekte që kanë dinjitetin dhe lirinë e tyre, në një botë të hapur bije në kundërshtim edhe me aspiratat e prindërve më injorantë e më autoritarë. Dalja mund të përshpejtohet edhe me kontaktet me botën demokratike dhe me njerëzit me kulturën e kësaj bote; me shfrytëzimin më të mirë të lirive që garantojnë  ligjet e shteti tonë që janë hartuar sipas kësaj fryme; dhe mbi të gjitha me shembullin e atyre që në jetën dhe veprën e tyre venë lirinë dinjitetin, ndershmërinë dhe koherencën, në vendet e para të vlerave njerëzore.

Së dyti: lufta kundër dhunës strukturore që ushtron pushteti gjithnjë e më oligarkik dhe më i korruptuar që ka tjetërsuar edhe rolin e vërtetë të partive. Dokumenti i Blushit dhe aktiviteti i tij brenda PS është një kontribut i çmuar në këtë luftë. Por ai është edhe një kambanë alarmi sepse na ve në dukje se paradoksalisht, megjithëse pretendohet për hapa të mëdha përpara të Shqipërisë, numri i njerëzve me liri mendimi në parti e më gjerë po pakësohet përditë. Prandaj mbështetja e Blushit nga brenda partisë për respektimin e të gjitha pikave të statutit të shkelura, - jo thjesht ajo e zgjedhjes së kryetarit, -  do të ishte një kontribut, jo thjesht për kthimin e dinjitetit të njerëzve të Partisë Socialiste të nëpërkëmbur nga dhuna strukturore që ajo po ushtron edhe ndaj anëtarëve të saj, por edhe për të gjithë shoqërinë. (Panorama, 11 shkurt 2016)

Read More......

Tuesday, February 2, 2016

Blushi si test për gjendjen mendore të Ramës dhe PS-së

Po flitet dhe shkruhet shumë këto ditë për faktin se Ben Blushi ka kërkuar kryerjen e zgjedhjeve për kryetar në Kongresin e Partisë Socialiste që do mbahet në mars për të respektuar statutin e Partisë. Madje ka shpallur edhe kandidaturën e tij. Kanë dalë (pak) gazetarë që i japin të drejtë, dhe (shumë) gazetarë, drejtues dhe militantë të PS, që  kundërvihen. Në debatet që po zhvillohen midis tyre shumica merren me argumentet se pse ka të drejtë Blushi apo pse ka të drejtë Rama. Të parët i referohen statutit, demokracisë në parti, faktit se kjo parti ka pasur zgjedhje në kohën e Nanos kurse të dytët, argumentit se kjo zgjedhje është e panevojshme pasi Rama është fitues i zgjedhjeve të mëdha.
Është mëse e qartë se argumenti i të dytëve është shumë i dobët dhe i sforcuar sepse me të njëjtin argument mund të pretendohej se nuk do të duhet të zgjidhej as Kryesia - nëse fitoren ia dedikojnë të gjithë partisë, siç thuhet rëndom, dhe jo një njeriu të vetëm. Prandaj për këdo që ka një minimum racionaliteti nuk është vështirë t'i japë të drejtë Blushit. Më duket humbje kohe të rreshtoj argumente të tjera.
Problemi për mua është se Blushi  po shërben si një test për PS dhe Kryetarin. Refuzimi i tij duhet të na bëjë të ngremë dy pyetje, që s'po i shoh të ngrihen në media, përgjigja e të cilave, sipas meje, përmban një shqetësim të madh.

Pyetja e parë
 Ore, ky Edi Rama, pse nuk pranon të bëhet zgjedhja e kryetarit, sipas statutit, ndonëse e ka fitoren të sigurt? (Sepse edhe ata që e mbështesin Blushin pranojnë se Rama do të ishte fituesi i sigurt.) Çfarë ndodh në mendjen e këtij njeriu, pra?
Është e  rëndësishme kjo pyetje sepse përgjigja ka të bëjë me analizimin e gjendjes mendore të liderit të PS-së. Dhe gjendja e tij mendore nuk ka të bëjë thjesht me atë se ai është  lider i PS, por sepse është edhe kryeministri i të gjithë neve.
Në përpjekjen për të gjetur përgjigje personalisht arrij në dy hipoteza të cilat më çojnë në përfundime tejet shqetësuese.
Hipoteza e parë është ajo se Rama e konsideron veten aq absolut saqë vënia në diskutim e lidershipit të tij e bën të ndjehet keq? Dmth., ky njeri, nuk e ka hallin se mos humbet, por se nuk e duron dot psikologjikisht ekzistencën e njerëzve që mund të refuzojnë atë për Ben Blushin, qofshin këta edhe një numër i vogël. Dhe kjo është e rëndë, sepse një njeri që s’pranon të vihet në diskutim, vuan nga një delir madhështie me rreziqe jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët. Kjo situatë psikologjike më kujton një thënie të Lacanit: “Një njeri që kujton se është mbret është i çmendur, por një mbret që kujton se është mbret është edhe më i çmendur.”
Hipoteza e dytë: Rama e konsideron Partinë Socialiste si një fole nepërkash dhe nuk ka besim të hyjë në zgjedhje për kryetar sepse mund ta presin në besë e të mos e zgjedhin. Që ka  në atë parti njerëz që janë aty jo në sajë të Kryetarit, por në sajë të meritave të një kohe kur Kryetari s’ka qenë aty, kjo dihet. Por që Rama të ketë kaq frikë prej tyre kjo nuk mund të shpjegohet me realitetin e PS, por me atë se si përthyhet në psikikën e Ramës gjendja e PS. Duket se ai gjithnjë e më pak u beson të vjetërve. Në këtë kontekst pastrimi i PS nëpërmjet  rilindësve - gardistë të kuq të kujton kohët e fundit të Hoxhës kur ai e lenkaçukëzoi Partinë, duke e mbushur me të rinj që nuk kishin asnjë meritë tjetër përveçse ishin zgjedhur nga udhëheqësi për shkak të adhurimit ndaj tij.  Që edhe kjo po ndodh është e vërtetë - duke shtuar se përveç gardistëve të kuq, që kanë mësuar përmendësh gjuhën që duan perëndimorët të dëgjojnë për t'u treguar se PS po rinovohet (histori kjo e vjetër sa mosha politike e Pandeli Majkos dhe Ilir Metës) - duhen shtuar edhe gardistët e zinj të krimit e trafikimit që e përdorin Zorrën e PS për të larë veprat e paratë e tyre të pista. Por, megjithatë,  sipas kësaj hipoteze, frika ndaj të tjerëve që mund të kenë ndonjë mendim kritik apo që mund të tregojnë një minimum dinjiteti e personaliteti mbetet për mua irracionale.
Pra, nëse do t’i bashkojmë të dy këto hipoteza, që, në fakt, nuk e kundërshtojnë njëra tjetrën, - si përgjigje ndaj pyetjes se pse nuk pranon Rama zgjedhje të kryetarit - dalim në përfundimin se kemi të bëjmë më një anë me delirin e madhështisë dhe, më anë tjetër, me maninë e persekutimit të Kryetarit si bashkimi më i rrezikshëm për një udhëheqës, sepse një njeriu me mendje të tillë nuk mund t'i lihet në dorë as familja e vet e jo më një parti e aq më pak i tërë shteti.

Pyetja e dytë
Por Blushi, si test, nuk vlen vetëm për të ngritur pyetje lidhur me gjendjen mendore të Ramës. Ai vlen si test për të ngritur pyetje edhe për gjendjen mendore të familjes socialiste që shërben edhe si një test për gjendjen mendore - kulturore të të gjithë shoqërisë - sepse është elita e kësaj partie që po e drejton vendin. Pyetja që ngrihet është: si ka mundësi që ndërkohë që Kryetari jep përditë shenja të dukshme arrogance, deliri dhe mospërfilljeje të çdo mendimi kritik, duke arritur deri atje sa nuk pranon të bëhet zgjedhje e kryetarit, numri i atyre që i thonë në Parti "jo, s'të lejojmë deri këtu" ka shkuar drejt zeros? Çfarë ndodh në atë familje? Pse po zhduken njerëzit e fundit, që mendohet se mund të kenë një mendim të vetin kritik  qoftë për demokracinë e brendshme në këtë parti, qoftë edhe për mënyrën se si po qeveris Rama?  E më gjerë: si është e mundur që kaq shumë shqiptarë jetojnë me spektaklin e gënjeshtërt, prej mashtruesish, të dhunshmish e mitomanësh që u ofrojnë përditë njerëz si Rama dhe mediet e tij dhe, edhe kur i njohin si të tillë, (mjaft të kesh parasysh premtimet elektorale)  u nënshtrohen gjithnjë e më shumë në vend se të indinjohen gjithnjë e më shumë? Këto pyetje ndaj gjendjes mendore të PS-së janë si faqja tjetër e medaljes për të kuptuar realitetin psikologjik dhe kulturor shqiptar.
Si përgjigje disa mbeten tek konstatimi se ashtu si është katandisur Partia Socialiste, më një anë e kapur nga oligarkët e mediet e Ramës, më anë tjetër me njerëz të depersonalizuar, që s’kanë hall tjetër veç bizneset e tyre që varen nga qeveria, me të rinj që s'mund të sigurojnë të ardhme po nuk u futën në ndonjë parti, nuk ka shans tjetër. E megjithatë, në përgjigje të këtyre pyetjeve, unë ngulmoj se të arrish deri atje sa të mos kesh kurajë të kërkosh zgjedhje është diçka që e kapërcen këtë kondicion dhune strukturore që ushtron sistemi. Kjo nuk është thjesht çështje frike nga Rama. Kjo është edhe çështje kondicioni mendor, çështje e kulturës së raportit të njeriut me tjetrin dhe me veten. Kjo flet për njerëz që as nuk e dinë se çdo të thotë të kesh ideale, individualitet dhe personalitet, dinjitet dhe mendim të vetin: me një fjalë respekt për veten që nënkupton edhe respekt për tjetrin. Kjo do të thotë që përgjegjësitë që duhet të zhvillojë njeriu ndaj të tjerëve dhe ndaj vetes me rritjen dhe pjekurimin, t'i lesh në duar të të tjerëve; dmth., të mbetsh në gjendjen e një fëmije të papërgjegjshëm.
Ky kondicion kulturor, nga pikëpamja psikologjike, mua më ngjall fantazmën e asaj kohe, prej nga vijmë, kur Enver Hoxha edhe kur po zhdukte bashkëpunëtorët e vet më të afërt me akuza që askush nuk i besonte, madje edhe kur ishte kthyer në një kufomë të gjallë, askush nuk guxonte të ngrihej të thoshte një gjysmë fjale për marrëzirat dhe krimet që po bënte, jo thjesht ndaj njerëzve rrotull tij, por ndaj krejt vendit.
Dikush do të thotë se po e ekzagjeroj apo do të më citonte atë thënien e njohur se historia përsëritet një herë në formë tragjedie, të dytën si farsë. Por nuk është kështu. Sigurisht nuk jemi në kohën e kampe - burgjeve, por as nuk mund të qeshim si me një farsë duke parë tragjeditë dhe padrejtësitë që po prodhohet ndaj shqiptarëve përditë. Thënia se historia përsëritet herën e dytë si farsë i përket një kohë kur mendimi njerëzor pranonte se fatet tona ishin të determinuar nga një ligjësi historike, përtej vullnetit njerëzor. Por, që kur njeriu zbuloi se fatet e së ardhmes së tij vareshin nga ai dhe se ai nuk varej nga asnjë lloj determinizmi historik (për të perifrazuar Karl Poperin)  ky vështrim optimist i botës, i bazuar mbi mitin e progresit, nuk qëndron. Historia ka treguar dhe po tregon se ajo mund të bjerë pre e tekave të të marrëve të radhës që mund të shkaktojnë tragjedi pas tragjedie edhe pse në forma të ndryshme e se vetëm popujt që mësojnë nga përvoja e gabimeve të së shkuarës mund t'i evitojnë përsëritjet e këtyre tragjedive.
Ajo që po ndodh sot me Shqipërinë, që po trajtohet si një makinë që, pasi e përdorën, deri në ezaurim, Berisha me shokë, ia lanë në dorë Ramës me shokë, që e kanë çuar në varreza ku po ia shesin pjesët copa copa, për t'i futur lekët në xhepat e tyre, është tragjedi, nuk është farsë. Njerëzit e vullnetit të mirë duhet të reagojnë sa s'është vonë ndaj këtyre të marrëve. (Panorama, 2 shkurt 2016)


Read More......