Sunday, July 31, 2016

Rama lakuriq dhe rrobaqepësit e tij

Më lakuriq se kaq nuk mund të ketë: paguan tjetri 80 000 dollarë për të bërë një foto me Obamën që pastaj t’ua nxjerrë shqiptarëve për t’i manipuluar. Kjo është kulmi. Nuk po merrem me atë se ku e si i gjeti të hollat, as me shkeljen e ligjit shqiptar dhe amerikan. Edhe pse të rënda, shumë të rënda, këto mbeten dytësore përpara imoralitetit të kësaj ideje. Qoftë edhe si mendim, e jo më e vënë në jetë, ajo është shumë e turpshme. Të vjen turp që ke njerëz me moral të tillë në krye, që jo vetëm, por shiten nëpër botë edhe si artistë emancipues të popullit të tyre; turp për popullin që trajtohet si debil, turp për ata që e mbajnë për lider apo mik një njeri të tillë, turp për ata ndërkombëtarë që vazhdojnë ta mbështesin.
Sikur ti referohemi asaj përrallës me mbretin lakuriq mund të thuhet se ky është momenti kur mbretin e shohin të gjithë që është lakuriq. Por, a ju kujtohet se si është përralla? Mbreti kërkonte një kostum, më të bukurin e mundshëm; shkoi në disa rrobaqepës dhe ata, që të merrnin para qyl, ia mbushën mendjen për kostumin prej ajri, se ai ishte më i bukuri. Dhe kështu mbreti dilte lakuriq duke menduar se kishte veshur kostumin më të bukur dhe kërkush nuk ia thoshte të vërtetën sepse kishte frikë. Derisa të vërtetën ia tha një fëmijë. Dhe mbreti, sapo e mori vesh, e falenderoi fëmijën dhe veshi një kostum.
Morali i përrallës është i shumëfishtë: godet mashtruesit, indiferentët e frikacakët, por çmon edhe vërtethënësit. Duhet ta thuash të vërtetën, të mos kesh frikë. Sepse, e vërteta lind ndryshimin. Sepse “më mirë një e vërtetë e vogël sesa një gënjeshtër e madhe” – thoshte Leonardo da Vinçi; sepse “e vërteta është gjithmonë revolucionare” – thoshte Antonio Gramshi.
Duke u nisur nga kjo fuqi e së vërtetës ka vende ku sunduesit përdorin policinë edhe burgjet për ta fshehur atë. Ka vende ku përdoren vrasjet të atyre që dinë të vërteta djegëse. Ka shumë gazetarë që kanë rënë viktima kështu.
Por, të dashur lexues, këta nuk janë rasti i vendit tonë, harrojeni! Edhe ajo përralla me mbretin lakuriq që dëgjoi një fëmijë dhe veshi kostum nuk është rast i kryeministrit tonë. Vërtet e kemi përdorur metaforikisht edhe ne, ndonjëherë, kur ka plasur ndonjë skandal i madh, duke thënë: “kësaj here mbreti doli lakuriq, kësaj here do të bëhet nami”. Por, a ju kujtohet të ketë ndodhur ndonjë gjë? Asgjë.  Prandaj qetësohuni. Ne kemi më për zemër atë shprehjen: “Skandali më i madh zgjat tre ditë.” Po pse? Sepse ne jemi degjeneruar aq keq sa jemi kthyer në një shoqëri ku e vërteta nuk ka pikë vlere. Tek ne njerëzit, duke filluar që nga kryeministri, nderojnë ditë e natë zotin e gënjeshtrës, mashtrimit dhe manipulimit që u sjell para. Po nuk bënë nga një mashtrim e manipulim në ditë ata nuk i zë gjumi, sepse s’kanë futur gjë në xhep atë ditë. Tek ne Leonardos i thuhet: më mirë një gënjeshtër, sado e vogël qoftë, sesa një e vërtetë, sado e madhe qoftë. Le më pastaj sikur gënjeshtra të jetë e madhe, atëherë është feja vetë. Edhe kur zbulohet ndonjë e vërtetë që këlthet me poshtërsinë e saj, mos prisni që dikush ta pranojë e të thotë se ka gabuar, aq më pak kryeministrin. A e keni dëgjuar atë fjalimin e famshëm të Kenedit, ku flet për hapjen që duhet të ketë administrata e tij ndaj kritikave të shtypit? Ndër të tjera citon një të urtë që thotë: “Një gabim bëhet faj ne momentin kur ju refuzoni ta korrigjoni atë.” E pra, vetëm kjo s’mund të ndodhë në Shqipëri. Ne gabimet i bëjmë faje dhe fajet i bëjmë krime sepse të keqen e  gjejmë gjithmonë tek ata që na thonë të vërtetat. Prandaj Kryeministri ynë nxitoi të krijojë faqen e vet të informimit për të përgënjeshtruar kritikat.
Kryeministri ynë bredh lakuriq, pa i bërë syri tërr sepse ai ka një ndryshim të madh nga mbreti i përrallës. Ai e di shumë mirë se është lakuriq, por di gjithashtu se në vendin tonë njerëzit që vlerësohen më shumë janë birat e kurvës, rrobaqepësit mashtrues, që “qepin” kostume prej ajri dhe marrin lekë qyl për këtë. Prandaj dhe ai e ka gjetur zgjidhjen: bën edhe mbretin lakuriq edhe rrobaqepësin e kostumeve të veta. Sigurisht kostumexhiu ynë nuk punon vetëm. Ai ka ngritur një sistem të tërë kombëtar dhe ndërkombëtar rrobaqepësishë që punojnë natë e ditë për t’i shtuar zbukurimet kostumeve të tij, që ai të duket gjithmonë i freskët me kostume, kollare dhe këpucë gjithmonë të reja fringo. Duhet ta dini se 80 000 dollarët janë vetëm maja e ajsbergut të shifrës që harxhohet për këtë, thjesht sa për një fotografi, imagjinoni.
Rrobaqepësitë që kanë pasur xhiron dhe suksesin më të madh janë ajo që kanë  punuar për tregun e huaj. Në fakt në përgjithësi këto rrobaqepësi aplikojnë fasonerinë: rrobat dizenjohen e qepen në Tiranë nga stilistë e rrobaqepës shqiptarë nën mbikëqyrjen personale të kryerrobaqepësit, por për rifiniturën punojnë të huajt. Edhe marka është ndërkombëtare, madje zgjidhet që të jetë sa më e njohur pasi shqiptarët kanë një dobësi të veçantë për markat e njohura. Vetëm të jetë markë, por edhe fallco e pranojnë.
A ju kujtohet çfarë na tha kur befas na çuditë të gjithëve se do të prishte Stadiumin Qemal Stafa? Ne stadiumin e donim tjetërkund, - tha - por francezët na thanë se stadiumin e keni mirë këtu ku e keni. Ne stadiumin e ri e donim pa kullë, por ishte arkitekti italian (Casamonti) që na tha se duhet me kullë. Dhe çfarë vlejmë ne përpara arkitektëve francezë, italianë, gjermanë, belgë? Mbyllni pra gojën. Hani supën e huaj të gatuar në kuzhinën time dhe krenohuni me bukurinë e kullave që po ju marrin frymën, se unë me oligarkët që morën paratë do të shkojmë të banojmë në ajër të pastër në kodrat rreth Tiranës. Por për kullat tuaja mos harroni se kanë shkruar e do të shkruajnë gazetat më falni rrobaqepësitë e tërë botës dhe për këtë duhet të jeni krenarë.
Të njëjtin stil mashtrimi përdori edhe për draftin e Reformës në Drejtësi. “Merruni vesh me Amerikën dhe me Evropën” - thoshte lakuriqi. Shkruajeni si të doni; unë e firmos pa problem po ua pranoi Amerika dhe Evropa. Me një fjalë janë të huajt që e kanë qepur kështu draftin jo unë, kur në fakt ishte i qepur e shqepur e qepur e shqepur i gjithi në Tiranë sipas shijeve e synimeve të tij. Por markën ama ishte mirë ta kishte Made in USA, Made in Europe, ose Lu&Vllahutin. Se shqiptarët kështu e hanë. A i patë rrobaqepësit e kryeministrit se si ulërinin: Zgjidhni, o me Amerikën o me Berishën! Tani edhe pse humbës, sepse pati ca të huaj që nuk pranuan të punojnë si rrobaqepës të kryeministrit, edhe pse vetëm me konsensus nuk e donte, po e trumbeton si fitore. Por kostumi i ri është në qepje e sipër, prisni dhe pak.
Ndërkaq, për ta mbyllur atje ku e nisëm, a keni parë ndonjë nga gazetarët rrobaqepës t’i drejtojë një herë të vetme një pyetje se si është kjo puna e 80 000 dollarëve për një foto me Obamën? Po Lu-në a e keni parë ndonjë herë të thotë se cili është qëndrimi i Ambasadës Amerikane për këtë lajm të turpshëm për të cilin po flet përditë shtypi amerikan?

Por prisni, do ta merrni përgjigjen. Deviza e kryeministrit është: nuk ka mjet më të efikas për të mbuluar zbulimin e një gënjeshtre dhe mashtrimi sesa një gënjeshtër dhe mashtrim edhe më i madh me rrobaqepës edhe më të njohur brenda dhe jashtë vendit. Prisni kur të dalë vetë shtypi amerikan një ditë me lajmin e bujshëm se ai që ishte në fotografi me Obamën nuk ishte Edi Rama i vërtetë, por një sozi e tij i paguar nga opozita shqiptare për të diskredituar Kryeministrin. (Panorama, 30 korrik 2016)

Read More......

Tuesday, July 19, 2016

Si ta lexojmë deklaratën e Metës

Lufta politike në vend, ndërtuar së fundi mbi Reformën në Drejtësi, pati një pikë kulmore deklaratën e së dielës së Ilir Metës i cili propozoi të aprovohet me konsensus Reforma dhe pastaj të ikë ky Kryeministër dhe kjo Qeveri (ku edhe ai bën pjesë) për t’u zëvendësuar me një qeveri teknike që do të përgatisë vendin për zgjedhje të ardhshme.
Si ta lexojmë këtë deklaratë që disa e quajtën  “bombë”?
Sipas meje, në thelbin e vet, deklarata e Metës, që në fakt nuk erdhi e papritur, qe një provë më tepër se Shqipëria është një vend të cilit tashmë i rri ngushtë kostumi i autokracisë, i partisë së vetme shtet të udhëhequr nga një lider që bën edhe ligjin edhe Maliqin, por që, i rri gjerë, duke iu lëvarur madje, edhe kostumi i demokracisë dhe i shtetit ligjor.
Gjatë fjalës së tij Meta përmendi shpesh fjalën papërgjegjshmëri dhe kuptohej qartë, midis rreshtave, se e kishte fjalën jo aq për papërgjegjshmërinë e politikës, por për atë të Ramës që, për të realizuar qëllimet e tij të eliminimit të kundërshtarëve, duke përfshirë edhe Metën, s’ka lënë intrigë pa bërë, së fundi duke tentuar të shtijë në dorë Drejtësinë nëpërmjet përdorimit të ndërkombëtarëve, e duke krijuar, kështu, një situatë konfliktuale me rreziqe për stabilitetin e vendit. Meta nënkuptoi se ai nuk pranon të kërcënohet apo dhe të shkojë në mënyrë selektive në burg nga njeriu që ai vetë e solli në pushtet pasi i shkoi tre vjet më parë në Gjirin e Lalëzit dhe  i lëpiu tërë pështymën që kishte hedhur mbi të. O të gjithë, o asnjëri dhe mos u fshi pas ndërkombëtarëve, se ata edhe mund ta hanë, por jo ne që të njohim dhëmbë e dhëmballë – ishte nënkuptimi i fjalës së Metës.
Dhe deri këtu ka të drejtë sepse ky njeriu, për të realizuar qëllimet e tij, nuk njeh jo vetëm moralin e ligjin, por as kodet e nderit të mafies. Por ama i duhet vënë në dukje Metës se ka lëvizur vetëm kur pa bythën e tij në rrezik dhe jo teksa shihte se arroganca dhe psikopatia e Ramës po dëmtonin padrejtësisht të tjerët; se brenda tre vjetësh ai ka hedhur hapa të paimagjinueshme për të realizuar ëndrrën e gjithpushtetshmërisë duke filluar që nga lidhja me kriminelët e trafikantët, e blerja e një fotoje me Obamën 80 000 $  (duke shkelur ligjet shqiptare dhe amerikane), për të vazhduar pastaj me trajtimin e godinave të institucionit ku hyri si shtëpia e tij private, me korruptimin e medieve ish-kundërshtare ose mbylljen me akte të dhunshme të atyre që nuk i korruptonte dot, tek dhënia e tenderëve dhe koncesioneve njerëzve të tij në mënyrat më  arbitrare e selektive të mundshme, me përgjime të paligjshme etj., etj..
Gjithsesi duhet thënë se interesat e Metës me interesat e një Shqipërie që kërkon të ndërtojë demokraci dhe jo pushtetin e një autokrati përputhen. Siç janë përputhur kur ai u shkëput nga Berisha më 2013 kur ky po i tejkalonte limitet që pranojnë shqiptarët për pushtet absolut të një personi/parti duke i hequr mundësinë që të zgjidhej për herë të tretë.
Për ata që do të më përmendin përsëri mbështetjen e amerikanëve për Reformën do të them se vështirë se, me gjithë të dhënat që kanë për Ramën, të mos e kenë kuptuar rrezikun që paraqet për demokracinë, prandaj dyshoj shumë se (në rastin më të mirë) duan të eksperimentojnë në Shqipëri modelin e pastrimit të korrupsionit duke ia vënë drejtësinë një dore autoritare sipas disa modeleve që thuhet se kanë funksionuar me sukses në disa vende aziatike. Por Shqipëria, me gjithë problemet që ka, tregoi edhe një herë se ky lloj kostumi asaj i rri ngushtë. Ndoshta ngaqë vijmë nga një sistem që e ka bërë të urryer udhëheqësin absolut, edhe pse modeli i tij vazhdon të tërheqë jo pak psikopatë.
Në fakt, edhe sikur Rama të ishte bërë kryeministër i dalë nga një lëvizje antikastë me premtimin e pastrimit të të gjithë politikës së korruptuar shqiptare, edhe sikur të mos bënte çdo ditë nga një shkelje të ligjit siç bën, por të qeveriste me duar të pastra, prapë do të duhej të tregohej shumë kujdes për t’i dhënë atij të gjitha pushtetet, edhe atë të drejtësisë, e jo më kur ke parasysh se është në krye të një partie që ka një të kaluar të zezë para viteve 90, dhe, po ashtu, që gjatë viteve 90 ka ndërtuar sistemin e kastës së korruptuar dhe për më tepër ka ardhur në pushtet pikërisht me Ilir Metën.
***
Këtu vjen problemi i dytë që ngre deklarata e Metës: ajo që ka të bëjë me vështirësinë e dhënies trupit të Shqipërisë një trajtë të cilit t’i qëndrojë kostumi i shtetit ligjor dhe demokracisë. Ashtu siç e paraqiti Meta në disa momente të deklaratës së tij dukej shumë e thjeshtë puna e rrobaqepësit. Sikur mjafton të aprovojnë së bashku Reformën në Drejtësi, të bëjnë dekriminalizimin dhe pastaj të shkojnë në zgjedhje nga ku të nxjerrin një Parlament të pastër që do nxjerrë një drejtësi të shëndoshë për 30 vjet. Për mua kjo ishte një retorikë e përdorur për të kaluar momentin. Të ndërrosh për një ditë trajtën që ka marrë trupi i Shqipërisë është e pamundur. Pati një pjesë të deklaratës, megjithatë, ku Meta tregoi se e di se ç’duhet bërë. Kur foli për “sakrifikim”, “heqje”, apo “dhënie” të pushtetit të tij dhe kolegëve pushteteve të tjera, ku ai i drejtësisë kuptohet se është ndër më të rëndësishmit.
Në fakt Meta të dielën tregoi se sot për sot jemi në  situatën kur nuk pranojmë pushtetin e një personi të vetëm, por kemi pushtetin e disa personave: me çka kuptoj edhe Ilir Metën e të tijtë edhe Ramën e të tijtë edhe Bashën e Berishën e të tyret. Sigurisht është më mirë të kemi pushtetin e disa personave (i kam quajtur shpesh partitë e tyre edhe banda) sesa pushtetin e një personi/bande, siç synon Rama. Deri këtu biem dakord me Metën, por për çfarë duhet bërë për të kaluar në dorëzimin e pushtetit nga duart e tyre në “duart” e ligjit, Meta nuk na dha ndonjë formulë të qartë dhe bindëse.
Edhe pse foli për pakësim pushteti të tyre nuk m’u duk se ka menduar gjatë dhe seriozisht për këto as më parë dhe as në netët që tha se ka ndenjur  pa gjumë përpara se të jepte deklaratën e fortë. Më së shumti deklarata e tij ishte një mbrojtje e pushtetit të tij nga rreziku Rama. Por nga kjo mund të dalë diçka pozitive për të gjithë edhe pse s’duhet përjashtuar rreziku që paraqet vakuumi i pushteti që mund të krijohet sikur këta vërtet të heqin dorë menjëherë nga çdo pushtet e përgjegjësi.
Shpresojmë që Meta të mendojë më seriozisht për këtë çështje në ditët në vazhdim. Por duhet të mendojnë edhe shqiptarët duke u nisur nga parimi se demokracia dhe drejtësia nuk dhurohen për 30 vjet, por fitohen dhe mbrohen ditë për ditë nga pak dhe duke u ndërgjegjësuar se edhe kjo lufta që po bëhet për një drejtësi vërtet të pavarur dhe jo në duart e partive është pjesë e këtij procesi. (Panorama, 19 korrik 2016)


Read More......

Tuesday, July 5, 2016

Brexit, post-demokracia dhe Shqipëria

Dalja e Britanisë nga Bashkimi Evropian është konsideruar nga disa analistë si kriza më e rëndë që ka kaluar Evropa që prej Luftës së Dytë Botërore. Pse kaq e rëndë? Sepse po vritet një projekt për të cilin është investuar aq shumë energji, mund, pasion, jo vetëm i një brezi, duke e futur Evropën drejt një të panjohure të bartur plot me të panjohura e rreziqe. Duket se “baballarët themelues”, siç i quajnë udhëheqësit francezë, gjermanë, italianë, që i dhanë nismën projektit, po lëvizin nga varri duke parë goditjet vrasëse që ai po merr.
Po përse kjo krizë, kur, sipas një opinioni gati të gjithpranuar, ky i Evropës së Bashkuar është një nga projektet më të bukur që ka ndërtuar ndonjëherë njerëzimi, që ka sjellë paqe dhe stabilitet në një Evropë deri vonë të masakruar nga luftërat? Ngaqë brezat e rinj  kanë harruar se çfarë ka ndodhur 70 vjet më parë – përgjigjen disa. Si reaksion ndaj përmbytjeve të papërballueshme të emigracionit - përgjigjen të tjerë. Ngase kjo që është ndërtuar deri tani nuk është Evropa e popujve, por Evropa e bankierëve dhe financierëve – ngulmojnë të tjerë akoma. Komentuesit janë të shumtë dhe këndet nga e shohin Brexit-in janë po ashtu të shumtë. Megjithatë shumica bashkohen në komentin se kemi të bëjmë me një dështim të elitave politike të vendeve evropiane për ta çuar përpara këtë projekt në kontekstin e rendit botëror të krijuar pas rënies së Murit të Berlinit, që rëndom e quajnë globalizim.
Parë si dështim elitash gjykoj se Brexit është një krizë e Perëndimit ku duhet futur edhe SHBA. Më së shumti duhet parë si krizë e post-demokracisë (Colin Crouch), me çka do të kuptojmë rrëshqitjen e Perëndimit në një sistem politik ku vendimmarrja nuk është më e popullit (demosit), por e një pakice (oligo) të pasurish që kanë marrë në dorë vendimmarrjen, që kanë krijuar një elitë politike mediatike në shërbim të tyre. Një sistem ku politikanët janë bërë gjithnjë e më shumë thjesht menaxherë të interesave të këtyre, duke bërë jo vetëm që të majtë dhe të djathtë të humbasin diferencat, por edhe fuqinë dhe përfaqsueshmërinë e tyre. Këtë e tregon edhe fakti se vetëm një e katërta e parlamentarëve britanikë ishte për daljen, kurse votimi i popullit tregoi se për të ishte më shumë se gjysma. Tek reaksioni ndaj kësaj gjendjeje shohim si lëvizjet nacionaliste, deri të ekstremit të djathtë, që janë kundër invazionit të emigrantëve, e që premtojnë mbrojtje të interesave të vendasve duke bërë thirrje për kthim në kohët e arta, edhe lëvizjet e majta që denoncojnë rritjen e polarizimit ekonomik nën udhëheqjen e këtyre elitave, që kërkojnë një Evropë tjetër, sociale dhe të solidaritetit.
Pavarësisht nëse alternativat që këta ofrojnë janë të besueshme apo jo, ky “salto nell buio”, siç i thonë italianët kur dikush kërkon shpëtim duke marrë guximin të hidhet drejt së panjohurës, ishte një “fuck you” ndaj kësaj elite, i ngjashëm me lëvizjen VAFA (va fan culo) në Itali, me çfarë ka ndodhur në Spanjë në Greqi, por edhe me daljen e dy figurave që konsiderohen anti-establishment në SHBA, si Trump dhe Sanders.
Në këtë kuptim Brexit duhet parë edhe si një përpjekje për dalje nga post-demokracia, e kthyer në një status quo që e mbrojnë partitë tradicionale, për të rihyrë në demokraci. Pra demosi po kërkon të rimarrë në dorë vendimmarrjen për fatet e veta si një formë e sfidimit të elitave vendimmarrëse post-demokratike. “Më ktheni vendin tim.” ishte parulla e fituesve në Britani.
Ajo që bije në sy gjithashtu është se humbësit, elitat e akuzuara, më shumë sesa një analizë të përgjegjësive kanë gjetur justifikimin duke akuzuar hordhitë barbare, raciste, ksenofobe, të të pagdhendurve që janë mobilizuar kundër tyre nga politikanët populistë. Dhe pa dyshim ky qëndrim e rëndon procesin.


Shqipëria si pasqyrë e krizës

Duhet thënë se Shqipëria ka shumë ndryshime nga vendet e tjera evropiane, por mund, megjithatë, të shërbejë edhe si një pasqyrë e krizës së tyre, pasi në Shqipëri fenomenet negative të krizës shfaqen në mënyrë më të dukshme.
Më së pari duhet thënë se shqiptarët kanë vazhduar të drejtohen nga një elitë politike mediatike që procesin e integrimit evropian e ka interpretuar, ashtu siç interpretonin komunistët fazën e ndërtimit socialist, si një tranzicion, i diktuar nga domosdoshmëria historike, drejt komunizmit, si diçka të paevitueshme, që  do të vinte, veç të kishin besim tek udhëheqësit e vendit dhe tek ata ndërkombëtarë me në krye Bashkimin e Lavdishëm Sovjetik apo Kinën e Madhe Popullore. Elita shqiptare thjesht zëvendësoi në strukturat e gatshme mendore të njerëzve Bashkimin Sovjetik me SHBA dhe Evropën dhe udhëheqësit lindorë me udhëheqësit perëndimorë Kohl, Clinton, Berlusconi, Tony Blair, Merkel, etj. Edhe mbështetja që ka marrë nga Brukseli dhe Washingtoni është përdorur prej saj ashtu si mbështetja që nomenklatura merrte dikur nga Moska apo nga Pekini.
Mirëpo, sikurse thotë Karl Poperi “E ardhmja varet nga ne, ne nuk varemi nga asnjë domosdoshmëri historike”. Me fjalë të tjera është njeriu ai që bën projekte që dikur i ka konsideruar si “fjala e Zotit” apo si “domosdoja historike”, por që, në fakt, janë thjesht projekte të tij që edhe mund të dështojnë. Edhe ky i Evropës është një projekt realizimi i të cilit varet nga njeriu. Brexit tregoi se ky projekt ose duhet korrigjuar radikalisht ose ka arritur në pikën e pakorrigjueshmërisë dhe shumë evropianë po duan të provojnë një projekt të ri, të bazuar mbi përvojat e mëhershme.
Po a nuk mund të thuhet se edhe elitat evropiane e kanë trajtuar si domosdoshmëri historike projektin, pa e parë se, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, po e çonin atë në një drejtim të gabuar? Them se po. Përndryshe do të duhet të kishin punuar shumë më tepër dhe shumë më ndryshe në vendet e tyre më së pari e pastaj edhe me vende si Shqipëria që aspironin të bëheshin pjesë e projektit.
Shqipëria është një nga provat më të dukshme  të dështimit të burokracive Evropiane. Ka kaluar jo pak, por një çerek shekulli që ajo është nën tutelën e Brukselit dhe organizmave të tjera që kanë drejtuar të ashtuquajturin integrim të vendit në Evropë. Ngjarje të tilla si futja e Shqipërinë në NATO, heqja e vizave, statusi i Shqipërisë si vend kandidat janë shitur në retorikën politike si “hapat që hidheshin në socializëm në rrugën drejt komunizmit”. Ndërkaq, mu pse ka munguar vështrimi i thellë kritik i fenomeneve të globalizimit dhe veçanërisht të post-demokracisë në vendet perëndimore, burokracia e Brukselit  asnjëherë nuk ka venë në diskutim a po ecnin perëndimorët vetë dhe pastaj edhe shqiptarët në rrugën e duhur. Janë harxhuar vite për të hartuar legjislacione të ashtuquajtura të standardeve evropiane pak është vënë re se sot post-demokracia në Shqipëri manifestohet në formën më ekstreme. Gati sikur fshihet fakti se vendimmarrja është përqendruar në duart e një nomenklature që e trajton vendin si një minierë private të sajën prej nga nxjerr përfitimet e veta; se të ashtuquajturat parti politike dhe të ashtuquajturat medie janë thjesht përfaqësuese të njerëzve që kryejnë këtë grabitje; se krimi i organizuar zë në këtë aktivitet një vend kryesor. Po ashtu, një nga karakteristikat e globalizimit që sot fajësohet më së shumti për krizën: transferimi i kapitaleve jashtë vendit për përfitime, duke rrënuar shtetin nacional social, në Shqipëri shfaqet në formën më të egër. Elita e larpërmendur jo vetëm zhvendos kapitalin dhe familjen jashtë, dora dorës që e le tokën shqiptare djerrë, por edhe kapitali njerëzor, po emigron, pasi në vend nuk ekziston as era e atyre që në Perëndim quhen siguri, ekonomi e qëndrueshme, shtet social.
Prandaj them se Shqipëria është një rast ekstrem i asaj se ku të çon post-demokracia, një pasqyrë karikatureske e më të keqes së Perëndimit.

Shqipëria pa paterica
Nëse për popukt perëndimorë, që duan të dalin nga projekti evropian, mund të thuhet se kanë treguar se gjithsesi kanë instrumente vetëmbrojtje ndaj një globalizimi që e bën individin të ndjehet gjithnjë e më i pafuqishëm ndaj dorës globale të tregut, ndaj vendimmarrjeve të diktuara nga post-demokracia, Shqipëria nuk i ka këto. Sepse, post-demokraci nënkupton se demosi në këta vende e ka provuar shijen e demokracisë dhe fuqinë e saj. Brexit-t ishte provë e kësaj. Britanikët goditën me votën e tyre dy partitë më të mëdha e më tradicionale të vendit që kanë merita të jashtëzakonshme historike. Kurse Shqipëria nuk e ka provuar demokracinë. Prandaj dhe më shumë se sa për kthim të lavjerrësit për nga demokracia, në rastin shqiptar duhet folur për ndërtim të instrumenteve demokratike.
Ideja e ecjes drejt Evropës së Bashkuar si ecje e ndihmuar nga patericat evropiane drejt demokracisë i ndihmonte shqiptarët, gjithsesi. (Po flas në të shkuarën pasi më duket sikur e shoh dizintegrimin  Evropës, nëse vazhdohet kështu). Patericat evropiane jepnin një iluzion ecjeje dhe një garanci stabiliteti, megjithë problematikën e drejtimit të gabuar. Duke gabuar së bashku edhe mund të shpresonim të korrigjoheshim së bashku. Kurse pa projektin dhe pa asistencën evropiane Shqipëria mbetet si një i gjymtuar pa paterica që nuk mund të ecë. Nëse shumica e vendeve perëndimore mund të ekzistojnë si demokraci edhe duke qenë vetëm, Shqipëria ndodhet përpara një rreziku të madh. Rënia e projektit të Evropës së Bashkuar do të kishte për të efektin që pati rënia e Murit të Berlinit për nomenklaturën komuniste dhe për gjithë vendin. Ajo do të shënonte fundit e elitave që legjitimitetin e kanë siguruar nga Brukseli, por njëherësh edhe një situatë tejet të paparashikueshme për shkak të boshllëkut të pushtetit që mund të krijohet.
Në këto kushte shqiptarët duhet sa më parë të rrisin vetëdijen e këtij rreziku. Kjo vetëdije dikton nevojën e daljes së njerëzve më të përgjegjshëm në krye të politikës, që të marrin në dorë vendin pas kësaj elite të dështuar dhe kriminale. Ata do të duhet të kapen fort dhe të promovojnë me fjalën dhe veprën e tyre dy ide qendrore:
Së pari, se legjitimitetin duhet ta mbështesin tek populli i tyre; çka do të thotë se vlera të tilla evropiane si shteti i së drejtë, demokracia, liria, të drejtat e njeriut duhet të ndërtohen realisht në vendin tonë dhe jo ta mbështesin legjitimitetin, siç ka bërë elita e deri sotme, tek miqtë e mëdhenj të radhës që sot i ke nesër nuk i ke.

Së dyti, se duhet punuar përditë që vendi të mund të mbahet në këmbët e veta nëpërmjet një ekonomie të shëndoshë të qëndrueshme, që siguron punë dhe mbijetesë për të gjithë. Çka do të thotë të kalojmë nga gjendja e polarizimit ekstrem të post-demokracisë karikatureske në një shtet më social që nesër mund të qëndrojë me dinjitet në një Evropë, që shpreojmë se do t’i mbijetojë kësaj krize duke u bërë edhe ajo më sociale. (Panorama, 5 korrik 2016)

Read More......