Monday, September 26, 2016

Investime strategjike apo strategji grabitjeje

Lexova para disa ditësh shkrimin investigativ të Birn me autore Lindita Çelën: "Resortet turistike në bregdetin e jugut po ndërtohen në prona të grabitura". Ishte një ilustrim i qartë dhe i plotë i asaj se si në këtë vend një grup të pasuruarish të dyshimtë, në bashkëpunim me politikanë e gjyqtarë edhe më të dyshimtë se këta, me moral blozë, kanë grabitur ndër vite dhe vazhdojnë të grabisin shqiptarët pa u hyrë gjemb në këmbë. Ai është, po ashtu, edhe një çjerrje maske e kryeministrit të radhës, i cili ulëret e bërtet për reformën në drejtësi e vetingje gjyqtarësh e prokurorësh, duke i akuzuar se kanë grabitur shqiptarët, ndërkohë që është ai, dora vetë, në krye të grabitësve.
Për ta përmbledhur me dy fjalë (shpresoj që lexuesi e ka lexuar vetë http://www.reporter.al/resortet-turistike-ne-bregdetin-e-jugut-po-ndertohen-ne-prona-te-grabitura/) shkrimi na tregon se si u është grabitur katër familjeve himarjote trualli në një nga perlat e bregdetit të Jugut, poshtë Palasës, nëpërmjet një serie falsifikimesh e korruptimesh, për të përfunduar në duar oligarkësh famëkeq, të njohur tashmë si të lidhur me të gjitha partitë/banda që kemi pasur e kemi në pushtet. Shkrimi na tregon se drama e grabitjes, e filluar që me firmat piramidale, është zhvilluar me disa akte. Ata të fundit (duke filluar që nga dhënia e lejes së ndërtimit më 2014 në një kohë që tjetërsimi i pronave ishte objekt hetimi i Prokurorisë) i ka kryer kryerilindasi Rama i cili, në përfundim, ka gjetur edhe mënyrën për t'i fshirë gjurmët e krimit. Ai i ka dhënë në 2015 investimit në pronat e grabitura statusin e investimit strategjik, pasi ka miratuar me Parlament një ligj mbi investimet strategjike i cili lejon shpronësime të pasurive të paluajtshme për interesa publike.

 Nuk dua të merrem këtu me anën investigative sepse shkrimi i BIRN e ka treguar qartë e bukur mekanizmin e grabitjes. As me faktin se investitori është përsëri Mane & Co që na del gjithandej si kryeministri hije i Shqipërisë në qeveritë Berisha dhe Rama, ndërtuesi i Rolling Hills, ku ka strehën një pjesë e mirë e kastës që na ka sunduar e sundon, çka shpjegon edhe heshtjen e opozitës e të medieve kryesore për akte  të tilla skandaloze.

Dua të merrem me gjethen e fikut të përdorur nga Kryeministri dhe oligarkët e tij: se investimi na qenka strategjik në turizëm dhe në interesin publik pasi atje u investuakan mbi 50 milionë euro dhe u punësuakan, për nja dy vjet, mbi 80 vetë.

A është me interes publik ai horror që shohim në foton e publikuar nga Birn ku pejsazhi aq i bukur, i virgjër i bregut poshtë Palasës është betonizuar me një seri vilash ngjitur njëra pas tjetrës në një dendësi që të kujtojnë kompleksin e shëmtuar moralisht dhe   arkitektonikisht të Rolling Hills, ku duket qartë se synimi është ndërtimi i sa më shumë vilave në sa më pak metër katror sipërfaqe për të  rritur fitimin privat?

Jo dhe jo. Ajo që shohim aty është strategjia e grabitjes së pasurisë publike dhe private me synim pasurimin e një grushti njerëzish e ndjekur kudo në vend ku pronat publike apo të njerëzve të thjeshtë të palidhur me pushtetin janë zaptuar nga të fortët. Është "strategjia" që privatizoi plazhin e
Durrësit duke e kthyer më në fund në një plehër antituristike (plus disa laguna me vila të njerëzve të kastës) e që tani, si metastazat e një tumori i është qepur bregdetit të Jugut.

Nesër në bregun poshtë Palasës, që ishte një perlë që kurrsesi nuk duhej prekur, ndërsa pronarët duhet të kompensoheshin, do të kemi një zonë me vila, ku do gjejmë shumë nga banorët e Rolling Hills, dhe ndoshta edhe disa hotele super të shtrenjta të rrethuar me mure të larta. Ndërkohë me siguri edhe bregu do të bëhet i pakalueshëm për të gjithë të tjerët, vendas dhe turistë të huaj. Dhe ironia më e madhe  është se për t'ia nxjerrë sa më të lirë koston këtyre ndërtimeve private në dhjetor të vitit 2015, Rama paska miratuar edhe 10 vendime, medemek me qëllim lehtësimin dhe rregullimin e procedurave për investitorët strategjik. Sipas këtyre, me paratë e gjithë shqiptarëve, që nesër as do të mund të hyjnë në atë zonë, shteti do t’i ofrojë Manes & Co infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime, trajtim të ujërave të ndotura, dhe infrastrukturë rrugore.

JO, kjo nuk është strategji zhvillimi të turizmit nëse me të tilla nënkuptojmë projekte që shikojnë larg në kohë dhe që përfshijnë interesa vërtet publike, që  i interesojnë  gjithë popullsisë së Jugut: të atyre që jetojnë sot, por edhe të atyre që do të lindin nesër. Sikur të mos ishte syverbësia e babëzisë nuk do të ishte vështirë që Ministria e Trizmit të gjente shembujt për tu ndjekur në vendet më të njohura për turizëm sot. Atje do të shohësh se, përveç ndërtimeve historike, brigjet deri thellë ruhen të paprekura, sepse nuk është hoteleria vlera kryesore për të cilën vijnë turistët, por natyra, klima, pejsazhi, trashëgimia kultuore ku hyn edhe kuzhina. Hoteleria gjithnjë e më shumë bëhet në të ashtuquajturat agroturizme që janë edhe një mënyrë që komuniteti rrotull të zhvillojnë një ekonomi të qëndrueshme.

Në raste si zona në fjalë ajo që do të duhej të bëhej më së pari në Jug duhet të ishte ndalimi i ndërtimeve të reja për ruajtjen e pejsazhit. Pastaj restaurimi i shtëpive të fshatrave të vjetra - shumë më të bukura dhe tërheqëse sesa vilat standarte të Manes që s'kanë asnjë lidhje me traditën. Një pjesë e këtyre shtëpive do të shërbenin pastaj edhe për hoteleri duke u bërë burim të ardhurash për komunitetin. Nëse kjo hoteleri nuk do të ishte e mjaftueshme (për sezonin e verës) zgjidhja kurrsesi nuk mund të ishte shkatërrimi i natyrës e i pejsazhit me ndërtime gjatë bregut, le më pastaj për vila private. Duke pasur parasysh ndërtimet në Vlorë e Sarandë hoteleria mjafton e tepron për ata që duan të shijojnë detin, të eksplorojnë pejsazhin dhe traditën e Jugut. Asgjë nuk u kushton atyre të marrin makinën siç bëjnë në Toskanë apo në Sardenjë dhe të lëvizin pastaj nga Vlora apo Saranda apo nga agroturizmet që duhet të jenë lart, për në gjiret e ndryshëm të virgjër të bregut e për të vizituar fshatrat e bukur të jugut të restauruar ku edhe do të mund të hanin e pinin në restorante që ruajnë traditën. Kurse ndërtime të tilla veçse i largojnë turistët nga këto zona sepse u shëmtojnë pejsazhin, por edhe pse ua zaptojnë plazhin me ndërtime private.

Prandaj këto nuk janë investime strategjike për interes publik, por strategji grabitjeje për interesa private. Është strategjia kafsho një copë Shqipëri, mbush xhepat e ik, që ka shkatërruar tash 25 vjet shumëçka që përbënte pasuritë më të vyera që i kishin mbetur këtij vendi duke filluar që nga toka buke, pyje, lumenj, brigje deti e deri në trashëgiminë kulturore. Është e njëjta strategji që po na sjell së fundi edhe plehërat nga Evropa. (Panorama, 26 tetor 2016)

Read More......

Tuesday, September 20, 2016

Dibra si kërcënim i putinizmit

Në fjalimin e tij përpara dibranëve deputeti oligark i PS Sadri Abazi, për t'i bindur dibranët të votojnë kandidatin e maxhorancës, u tha se Edi Rama do të rrijë në pushtet edhe dhjetë vjet të tjera prandaj ata kishin të gjithë interesat të votonin për të, sepse kështu do të gëzonin të mirat që vijnë nga qenia pranë pushtetit.

Fjalimi i tij qarkulloi nëpër rrjetet sociale me përqeshje, sepse deputeti fliste me një patos banal që e bënte qesharak. Por fitorja me diferencë 4000 vota e maxhorancës në Dibër shpresoj t'i ketë bërë pak më seriozë ata që e përqeshën pasanikun. Ai paralajmëroi instalimin e putnizmit në Shqipëri.



Ç'kuptoj me putinizëm

Me putinizëm kam parasysh një sistem që, edhe pse pluripartiak, nuk garanton rotacion pushteti sepse partia më e madhe, gjithë duke ruajtur fasadën e një vendi që shkon në votime, sundon e vetme nëpërmjet kontrollit të ekonomisë, të medieve, të shoqërisë civile, të drejtësisë. Putinizmi ka si background historik vende që kanë dalë nga diktaturat, ku sundon mendësia autoritariste, që kanë prirjen t'i ikin lirisë, dhe që kanë hyrë në sistemin kapitalist pa përvojë vetëorganizimesh sociale, politike si formë rezistence ndaj pushtetit.

Problemet që ngre putinizmi janë shumë. Instalimi i tij heq mundësinë për të korrigjuar me votë gabimet në rritje të maxhorancës sunduese të cilat vijnë duke u rritur sëbashku me autoritarizmin dhe arrogancën e liderit të saj. Duke  pretenduar përfaqësimin e të gjithëve putinizmi ndërton një kastë të paprekshmish që pengon atë që quhet mobilitet social, demokracinë lirinë dhe, në raste ekstreme, mund të çojë në diktatura fashiste.



Pse na rrezikon putinizmi

Premisë e putinizmit është fakti se partitë tona jo vetëm janë të gjitha përfaqësuese interesash oligarkike, por gjatë viteve, duke u kriminalizuar, janë shndërruar në banda që luftojnë për kontroll territori dhe përfitimesh. Kjo situatë, duke degraduar, ka çuar më një anë në largimin e popullit nga politika (edhe nga vendi), sepse ndjehet i papërfaqësuar dhe, nga ana tjetër, në një luftë brenda llojit për asgjësimin e njëra tjetrës dhe fitoren e asaj më të fortës. (Shih për këtë edhe shkrimin "Ndërtimi tek Parku si avancim i fashizmit ekonomik" Panorama, 19 janar 2016))

Megjithatë mund të ngrihet me të drejtë pyetja: pse rrezikohet rotacioni kur deri tani e kemi pasur?

Ka pasur disa arsye, të lidhura ngushtë njëra me tjetrën, që kanë mundësuar rotacionin. Ato më kryesoret janë:

Së pari, dështimi në ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme - i lidhur ngushtë edhe me korrupsionin galopant - ka bërë që të vijë një pikë kur njerëzit i janë kthyer kundër maxhorancës sunduese.

Së dyti, deri në fitoren e Berishës në 2005 dhe ca më pak në fitoren e Ramës në 2013 ka pasur një masë të konsiderueshme njerëzish që kanë vazhduar të besojnë tek opozita, ta ndjekin e ta mbështesin me shpresë ndryshimi për mirë.

Së treti, ka pasur një numër më të madh njerëzish që kanë vazhduar ta quajnë PS-në parti të majtë (edhe pse bën politika ultra liberiste) dhe PD-në të djathtë; bazuar tek e kaluara historike komuniste apo antikomuniste (por edhe në sajë të instrumentalizimit nga ana e këtyre  partive të kësaj të kaluare).

Së katerti, ka pasur më shumë oligarkë të lidhur me njërën apo tjetrën parti, një pjesë e të cilëve, edhe për arsyet historike që përmenda, edhe për shkak të disa lidhjeve të krijuara nga privilegjet e dhëna gjatë qenies në pushtet, u kanë mbetur besnikë opozitave.

Së pesti, ka pasur më shumë shoqëri civile e intelektualë të pavarur, çka i dedikohej edhe faktit se shumë shoqata e intelektualë sponsorizoheshin nga të huajt; plus faktit se standardet e jetës më herët kanë qenë më të ulëta, kështu që mbijetesa sigurohej me më pak.

Së gjashti, shqiptarët gjithsesi kanë zhvilluar një lloj imuniteti ndaj liderit të përjetshëm për shkak të kujtimit të figurës së Enver Hoxhës. Edhe kjo ka ndikuar që, kur kanë parë delirin në rritje të liderit të maxhorancës së radhës t'i japin goditje aspiratës së tij për lider të përjetshëm. 



Pse sot rrezikon të mos ndodhë më rotacioni?

Së pari duhet thënë se megjithë rotacionet prirja putiniste ka qenë gjithnjë prezente.  Partitë, me në krye liderin e radhës, kanë tentuar të akumulojnë sa më shumë pushtet duke eliminuar kundërshtarët dhe jo ta shpërndajnë atë për t'ia dhënë ligji dhe institucioneve. Vendimet që kanë marrë kanë qenë përherë rezultat i arrogancës jo i dialogut me opozitën, shoqërinë civile apo oponentët konstruktivë.

Së dyti, sepse të gjithë këta faktorë që përmenda, për shkaqe të degradimit të përgjithshëm të vendit, por edhe për shkak të një strategjie mjeshtërore tharëse të pemës së diversitetit nga ana e Rama & Co janë në zbehje.

Duke e lënë faktorin ekonomik në fund po e nis nga të tjerët.



Rënia e besimit tek opozita

Aq i vogël është ky besim saqë në Dibër një pjesë preferuan më mirë të marrin 2000 lekë për votë sesa të investojnë tek PD-ja. Sigurisht kjo vjen për shkak të përvojës së akumuluar tashmë se do të votonin për pasurimin e të njëjtëve oligarkë me të njëjtin stil pasurimi: grabitjen.



Rënia e ndikimit të së kaluarës

Varfëria, injoranca, dhe kulti e parasë, si e mira që siguron të gjithë të tjerat, ka avancuar sëbashku me avancimin e zhdukjes së brezave të së kaluarës duke e bërë elektoratin gjithnjë e më të pandjeshëm ndaj të kaluarës historike.



Pakësimi i oligarkëve opozitarë

Në kushtet e vështirësive në rritje ekonomike dhe të politikave  monopolizuese të ndjekura nga Rama & Co, të një ekonomie që gjithnjë e më shumë mbahet vetëm me para publike (kur nuk mbahet nga krimi) janë pakësuar biznesmenët që kanë mundësi të mbijetojnë nëpërmjet biznesit të tyre e t'i japin mbështetje opozitës. Për këtë zvogëlim ndikon edhe rritja e numrit të atyre që deri dje kanë ngrënë me të gjithë krahët dhe që gjithnjë e më shumë e shohin të pakuptimtë pagimin e dy tre partive, sepse u mjafton korruptimi i njërës.



Lideri i përjetshëm

Largimi i njerëzve që janë të lodhur me këtë vend që s'po del nga tranzicioni si dhe i gjithë atyre që nuk durojnë liderët autoritarë për shkak se ruajnë ende memorien, si dhe rritja e ndjenjës së nënshtrimit (kombinuar me faktorët e sipërpërmendur) e lehtëson avancimin e sëmundjes së gjithpushtetshmërisë tek Edi Rama.  Shembulli më elokuent për këtë e dha vetë partia e tij që pranoi pa kundërshtim që lidershipi i tij të mos vihej në votim në Kongres, gjë kjo e pangjarë deri më sot.



Ekonomia kriminale

Putinizmi nuk mund të konsolidohet pa naftë. E pra, duket se maxhoranca ka gjetur "naftën" që i mban në këmbë. Mbjelljen dhe trafikimin e drogës. E vërtetë, gjendja ekonomike është në ditët më të zeza që s'i ka njohur prej kohësh. Dhe kjo shkon në kundërshtim me argumentin tim kryesor. Pra njerëzit duhet të ngrihen. Por Dibra vërtetoi të kundërtën. Çfarë ndikoi? Ndikoi fakti se varfërimi (i lidhur edhe me faktorët e tjerë) jo vetëm i revolton njerëzit, por edhe i shtyn të ikin, edhe i degradon duke i çuar në krim e korruptim. Të mbijetosh duke mbjellë kanabis nën mbrojtjen e policisë është edhe krim edhe korruptim njëherësh. Sot jemi në një situatë kur mbijetesa e njerëzve është gjithnjë e më shumë e lidhur me krimin dhe oligarkët e lidhur me pushtetin. Janë strukturat e tyre, dhe jo strukturat partiake, që lidhin politikën me popullin. Në rreth vicioz, sa më shumë akumulimi i parave shkon në duar e këtyre njerëzve aq më të skllavëruar e të depersonalizuar ndjehen njerëzit derisa arrijnë të jetojnë me krim apo ta sheshin votën për 2000 lekë.

Për të gjithë këta faktorë të ndërlidhur me njëri mendoj se jemi përpara rrezikut serioz të instalimit të putinizmit.

Duhet thënë se Shqipëria nuk është e izoluar në këtë fenomen. Ajo i shembëllen shumë vendeve të botës ish komuniste, që janë një karikaturë e problemeve që ka sot kapitalizmi që i ka shndërruar politikanët gjithnjë e më shumë në menaxherë të interesave të oligarkisë. Veçse ajo është një imitim shumë më karikaturesk dhe kriminal sepse oligarkia jonë është shumë më kriminale, për të mos thënë se është krimi vetë.



Cila është rrugëdalja

Rreziku i këtij putinizmi apo fashistizimi të vendit mund të luftohet vetëm duke mobilizuar mosbesuesit, indiferentët, të lodhurit dhe të varfrit që s'duan të jetojnë me krim apo ta shesin votën për 2000 lekë. Parulla që duhet ngritur është: të përfaqësohen të papërfaqësuarit.

A mundet Partia Demokratike ta bëjë këtë punë. Duket një mision gati i pamundur. Më së shumti duket se kjo parti pret të trashen zullumet e kësaj bande në pushtet derisa njerëzit të shkojnë të kërkojnë ndihmë e shpëtim tek banditët e saj. Por, siç argumentova më sipër dhe siç e vërtetoi Dibra, ky variant duket gjithnjë e më i vështirë. Kështu siç është PD-ja mund të shërbejë fare mirë si parti e përjetshme opozitare në sistemin putinist.

Në këto kushte situata është tejet e rëndë dhe prapë do të thosha se rruga më e shkurtër është ajo që duket më e gjata dhe më e pamundura: krijimi i një lëvizjeje që të përfaqësojë të papërfaqësuarit, me njerëz të rinj, me fytyra të reja, që ngjallin besim e shpresë. Kjo lëvizje duhet të jetë e gatshme të bashkëpunojë edhe me opozitën, por pasi ka parë se ajo ka reflektuar dhe ka bërë ndryshime serioze dhe bindëse për të hequr dorë nga mendësia e sjelljes thjesht si një bandë që lufton me banditët e vet për të ripushtuar territoret e humbura. (Panorama, 19 shtator 2016)





Read More......

Tuesday, September 6, 2016

Nga duhet filluar

Gjatë debatit mbi reformën në drejtësi kam mbrojtur dhe vazhdoj të mbroj tezën se prapa retorikave të kësaj reforme kemi luftën për pushtet midis tre partive banda. Si pasojë kjo luftë mund të sjellë tre lloj zhvillimesh: ose një lloj destabilizimi (nëse tre bandat hapin luftë me njëra tjetrën pa e mposhtur dot njëra tjetrën), ose futje edhe më thellë në shtetin e së padrejtës, (nëse Drejtësia kapet nga banda më e madhe), ose mbetje atje ku kemi qenë, (nëse ato arrijnë një "konsensus"). Kam argumentuar se e treta është më e mirë se dy të para, pasi është më demokratike të kesh tre banda në pushtet sesa një bandë apo destabilizim e kaos. Mirëpo opsioni i tretë ngre, me shumë të drejtë, pyetjen: mos kjo do të thotë se duhet të qëndrojmë në kënetën e korrupsionit dhe depresioni ku ndodhemi? A nuk duhet filluar diku? Dhe, a nuk mund të ishte reforma në drejtësi një fillim?

Reformat e vërteta dhe politika

Shpesh, kur flasim për rrugët e ndryshimit, duke u dhënë emrin "reforma", këto i lidhim me politikanët që kemi duke nënkuptuar se ata, me hir ose me pahir, po detyrohen t'i bëjnë ato. Nganjëherë, madje, situata shitet sikur  edhe ata i kërkojnë sinqerisht këto rrugë, i duan reformat e vërteta, por nuk i gjejnë dhe kërkojnë ndihmë. Koha ka treguar se nuk është kështu. Të gjitha reformat e maxhorancave që kanë ardhur në pushtet kanë qenë të rrejshme dhe zhgënjyese pasi janë përdorur për një qëllim të vjetër dhe të pandryshueshëm: ndryshimin e gjithçkaje (në kuptimin e vendosjes në pushtet të njerëzve të tyre), që të mos ndryshojë asgjë (në kuptimin e mënyrës se si këta njerëz keqpërdorin pushtetin për interesat e tyre meskine). E tillë është edhe reforma që po na premton drejtësi. Le të sjell një argument me vetë fjalët e Ramës për këtë. Rama i porsaardhur në pushtet, deklaronte se për korruptimin e njerëzve e ka fajin sistemi jo individët, se edhe një gjerman po ta futësh në këtë sistem do të korruptohej. Pra ai nënkuptonte se do të ndryshonte sistemin. Ndërkaq, ajo çka ka bërë deri më sot (dhe që, sipas meje, synon ta përmbyllë edhe me drejtësinë) është pikërisht ndryshimi i njerëzve jo i sistemit. Edhe i famshmi "veting" që po shitet si shpresë drejtësie e ndryshimi, në thelbin e vet, premton sjelljen e "gjermanëve" në drejtësi.

Nga duhet ta filluar atëhere?

Ka një përgjigje mjaft të thjeshtë për këtë: duhet ta fillojmë nga vetja që të ndryshojmë edhe sistemin.
Edi Rama dhe partia e tij vërtet e kishte shumë të vështirë ndryshimin e gjithçkaje menjëherë. Por një gjë e kishte të lehtë. Të bënte vetingun tek vetvetja më së pari, të mos lidhej me krimin vetë, të mos bënte korrupsion vetë. Dalëngadalë shembulli i mirë që do të jepej në çdo sektor, do të triumfonte mbi të keqen.  Në këtë mënyrë do të fitonte gjithnjë e më shumë kredibilitet dhe nesër do të mund të çlirohej edhe nga i korruptuari Meta të cilin e paraqet sot si shkakun pse nuk po i ecin punët, e do të mund të kryente reforma të vërteta.
Po pse nuk ndodhi kjo, por sot shohim  paradoksin që këtej rilindësit flasin për veting të gjyqtarëve dhe prokurorëve kurse më anë tjetër mbështeten tek kriminelët që kanë futur në Parlament e nëpër bashkira? Jo thjesht sepse janë mashtrues e hajdutë të lindur, sikurse thonë disa, por sepse janë pjesë e sistemit, pjesë e strukturës së pushtetit ekonomik, politik, mediatik, që korrupton edhe "gjermanët".
Në një shkrim e kam krahasuar këtë sistem me një godinë tre katëshe me krimin e organizuar në bodrum, me oligarkët e korruptuar dhe korruptues në kat të parë, me mediet e këtyre oligarkëve në kat të dytë, me politikanët në katin e tretë, në të cilin kat drejtësia nuk ka veçse disa zyra të vogla.
Ajo që po ndodh tek kjo godinë me ardhjen e Ramës në pushtet është se ai po kërkon t'i zvogëlojë opozitës zyrat fare në kat të tretë, t'i mbyllë drejtësisë dyert që i ka të lidhura me ato të opozitës duke ruajtur lidhjen vetëm me zyrat e veta; të marrë gjithnjë e më nën kontroll lidhjet me katin e parë dhe të dytë e veçanërisht të fuqizojë lidhjet me  bodrumin, çka po duket dramatikisht së fundi me faktin që po bëhet gjithnjë e më evidente se mbjellja e tërë Shqipërisë me kanabis nuk është një diçka spontane, por diçka e organizuar për të siguruar bazën ekonomike të pushtetit të kësaj maxhorance.
E pra, reforma e vërtetë që kërkohet në Shqipëri është ajo që do të synonte shpërbërjen e kësaj godine kriminale pushteti. Dhe të presësh që këtë ta bëjnë vetë arkitektët, ndërtuesit dhe konsoliduesit e saj është iluzion sepse ata kanë dy arsye të forta që nuk i lejon ta bëjnë këtë. Së pari, ekonomike, sepse interesat e tyre materiale janë të lidhura ngushtë me mirëfunksionimin e kësaj godine dhe së dyti, psikologjike,  sepse ata janë "institucionalizuar" tashmë në këtë godinë. Jashtë kësaj godine dhe punës që bëjnë në të ata nuk i gjejnë dot më kuptim jetës.

Lëvizja e  re
Ja pse kam ngulmuar dhe ngulmoj se për të kryer reforma të vërteta lipset një lëvizje e re njerëzish që duhet të synojnë shpërbërjen e kësaj godine dhe jo fuqizimin e saj, siç po ndodh. Saktësoj se kur them "jashtë" nuk nënkuptoj "gjermanë" që bien nga qielli, por, në radhë të parë shqiptarë që nuk janë përfituesit, por viktimat e kësaj godine si dhe plot nga ata që, në një mënyrë apo në një tjetër, u është dashur t'i nënshtrohen diktatit të saj, por që kanë vetëdijen se kemi të bëjmë me një strukturë kriminale që po i çon të gjithë në humnerë, apo edhe eksponentë të ssaj që janë bërë tashmë të vetëdijshëm se po vazhdoi kështu ajo do të implodojë duke i zënë edhe ata brenda.
Disa nga pikat kryesore të programit të kësaj lëvizjeje, që përsa i përket elektoratit e shoh si lëvizje të të papërfaqësuarve  nga godina, prandaj dhe më së shumti të njerëzve të ndershëm dhe të varfër, prandaj më së shumti një lëvizje të majtë si ato që kanë lindur së fundi kundër kastave të korruptuara në Greqi, Itali apo Spanjë, do të duhet të ishin:
Së pari, të mos ketë lidhje dhe sponsorizim nga krimi dhe kriminelët, çka do të thotë që ajo të planifikojë që bodrumi i godinës të postohet në vendin që i takon, me një fjalë në burg, apo në fundërrinat e shoqërisë.
Së dyti, të kontestojë fort me shembullin e vet konfliktin e interesave që ka sot në Parlament, midis qenies në teori të politikanëve shërbëtorë të interesit publik dhe qenies së tyre realisht biznesmenë që e përdorin politikën për përfitimet e tyre personale. Duke iu referuar  metaforës së godinës kjo do të thotë që lëvizja të programojë që kati i parë i godinës të spostohet më vete, si treg vërtet i lirë.
Së treti, të kërkojë një reformë themelore në sistemin mediatik që do të pamundësojë ekzistencën e medieve manipuluese e disinformuese të publikut që punojnë për interesat e bodrumit, të katit të parë dhe të politikanëve të lidhur me ta dhe të  stimulojë mediet   e pavarura prej tyre. Çka do të thotë që edhe kati i dytë i godinës të shkrihet e të krijohet një "godinë mediatike"  më vete, si pushtet i ndarë.
Së katërti, në këtë lëvizje të katit të dytë duhet të përshihet edhe kërkesa që në shpërbërjen e godinës të kryhet edhe zhvendosja e zyrave të së ashtuquajturës shoqëri civile që ato të fillojnë të punojnë si  kundërpeshë e pushtetit, siç i quan John Locke dhe jo si leva të partisë në pushtet siç i quante Stalini dikur organizata të tilla si organizatën e gruas, bashkimet profesionale, organizatën e rinisë etj.
Së pesti, për ta mbyllur me reformën në drejtësi:
vetëm një lëvizje e tillë, që e fillon vetingun nga vetja dhe që punon seriozisht për ndarjen e kësaj godine kriminale, mund ndjehet e lirë për t'i dhënë pushtetin ligjit dhe Drejtësisë mandatin për të qenë ajo gardiani i vetëm i tij.
Kush pretendon se me një politikë, ekonomi, media, dhe shoqëri civile të kapur nga krimi dhe korrupsioni, mund të kemi drejtësi të pavarur, që të mbrojë barazinë e të gjithëve para ligjit, vetëm se mashtron për qëllime që s'kanë të bëjnë me drejtësinë dhe shtetin e së drejtës. (Panorama, 5 shtator, 2016)

Read More......