Saturday, October 1, 2016

Skandali i plehrave dhe vetingu i pasanikëve

Debati i rihapur mbi importimin e plehrave për industrinë e riciklimit ka mbetur në nivel emocional duke u përqendruar tek ndjenjat e zhgënjimit me rilindësit, apo të revoltës  ndaj mos mbajtjes së premtimeve. Emocionet bëjnë mirë, por më duket se është koha që, përtej emocionalitetit, të mendohet më racionalisht për çka po ndodh. Debati duhet ta kalojë nivelin e ndjenjave, që në këtë rast rezultojnë tejet sipërfaqësore (sepse të thuash se kisha besim tek këta do të thotë të mos kesh jetuar me mend në kokë), dhe të integrohet në një debat më të gjerë e më racional.
Debati që propozoj duhet të sillet rreth pyetjes: si ka mundësi që në Shqipëri, tash 25 vjet, kategoria e njerëzve që është e dhënë pas pasurimit zhvillon thuajse vetëm industri nga ato që janë kundër interesit publik, kundër asaj që quhet ekonomi e qëndrueshme - siç është edhe kjo që kërkon të sjellim plehra nga jashtë? Për të bërë pak historik le të kujtoj se në fillim të viteve 90, dmth. në kohën e Berishës 1, pasurimi u bazua kryesisht mbi dy industri kriminale: trafikimin e njerëzve dhe piramidat financiare. Pas këtyre, me ardhjen e socialistëve, përsëri industria që zëvendësoi piramidat ka rezultuar shkatërruese. E kam fjalën për atë të ndërtimit, rezultatet e së cilës shikohen kudo, duke filluar nga Tirana që është bërë e pabanueshme me një ndotje ekstreme dhe me një cilësi jete mizerabël e deri tek shkatërrimi i brigjeve të Adriatikut e të Jonit, për të mos folur për masakrat që janë bërë në qytetet dhe rrethinat e Durrësit, Vlorës, Sarandës, Lezhës. Në kohën e qeverisjes Berisha 2, me dobësimin e industrisë së ndërtimit, shohim ngritjen e industrive që janë përsëri kundër interesave publike si në terma afatshkurtra edhe në terma afatgjata. Gjashtë fabrika çimentoje nga Tirana deri në Lezhë, dhënie me koncesione pa numër e lumenjve të Shqipërisë për të ndërtuar hidrocentrale, ndërtimi i petroliferave e termocentraleve në vende si brigjet rreth Vlorës që duhet të ishin perla turistike. Edhe industria e përpunimit të mbetjeve të sjella nga jashtë hyn në këto. Me ardhjen e rilindësve asgjë nuk ndryshon, siç po duket çdo ditë. Edhe ata vazhdojnë të bëjnë projekte për porte gjigante si ai i Karpenit, për hidrocentrale, petrolifera, t’i rihyjnë edhe një herë ndërtimeve të larta, të lejojnë lulëzimin e supermarketeve e karburante jashtë çdo proporcioni në raport me nevojat ashtu sikurse të ndërtimeve shkatërruese të brigjeve të Adriatikut dhe Jonit.
Ç’është ky mallkim? Nga na vjen? Si është e mundur që tek ne nuk flitet për zhvillime që janë në përputhje me politikat e asaj që sot në botë është bërë fjalë rutinë; ekonomia e qëndrueshme? Pse s’kemi rëndom të pasur të fuqishëm që vijnë nga bujqësia, blegtoria, agroturizmi, industria e përpunimit të produkteve ushqimore, por kush merret me këto është krejt margjinal në raport me pasanikët që vijnë nga investimet rëndom kundra interesit publik?
Ky mendoj se duhet të ishte debati kryesor, në nivel racional, i nxitur edhe nga skandali i fundit, me synim gjetjen e rrugëve që nesër të mos guxojë më kush të na sjellë plehra pa u pastruar një herë plehrat tona.

Shkaku: pula politike apo veza ekonomike?

Po t’i pyesësh shumicën e shqiptarëve të përgjigjen se shkaku i kësaj gjendjeje është klasa politike e korruptuar dhe elita intelektuale në shërbim të saj. Ka që flasin edhe për biznesmenë të korruptuar apo të lidhur me krimin. Por ajo që bëhet më pak është lidhja e të dyjave si një fenomen ku në njërën anë të shkakut është politikani dhe më anë tjetër biznesmeni në një raport shkak pasojë që mbyll një rreth vicioz sipas dilemës “veza pulën apo pula vezën”. Problemi është se në debatin shqiptar mbi gjetjen e shkakut tek “veza” apo “pula” theksi është venë, me qëllim dhe pa qëllim, tek pula/politika duke u lënë gjithnjë në hije veza/ekonomia. Kjo ka bërë që edhe kur janë ndërruar pulat, ato që i kanë zëvendësuar kanë dalë nga e njëjta vezë me të njëjtat karakteristika siç i ka të përcaktuara në ADN veza. Vështroni, ligjin mbi sjelljen e mbetjeve. Pulat politike ndruan vend kurse vezët që e mbështetën ligjin si dje edhe sot janë po të njëjtët biznesmenë. Sot ne bërtasim “korrupsion!” kundër Ramës siç bërtisnim dje kundër Berishës ndërkohë që korruptuesve nuk dimë as emrat. Këtu ka diçka që nuk shkon. Mendoj se në debatin tonë sot duhet sjellë me forcë pyetja: pse këta të pasurit tanë kanë nevojë të korruptojnë politikën dhe hartojnë thuajse gjithmonë projekte që janë kundër interesit publik?
Kjo pyetje me doemos do të na çojë tek analiza e historisë së pasurimit të atyre që u bënë biznesmenë në Shqipëri dhe që dora dorës kapën politikën. Në shkrimin paraardhës kam folur për oligarkë me pasurim të dyshimtë. Pa dashur t’i fus të gjithë në një thes do të thosha se një nga shkaqet kryesore të këtij degradimi është  veza që ka nxjerrë pulën: shpesh paraja e pisët, që ka pasur, në një sasi të madhe, burim krimin. Dhe lidhja është shumë e thjeshtë: krimit ka si psikologji pasurimin e shpejtë dhe të lehtë të njerëzve që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër, që s’kanë as pasione të tjera veç parasë dhe as moral. Në thelbin e vet një ekonomi e bazuar mbi krimin si një ekonomi njerëzish të paaftë s’mund të jetë veçse një ekonomi e dështuar. Kjo do të prodhojë politikë të dështuar kur politikanët qëndrojnë në pushtet me paratë e biznesmenëve të korruptuar ose janë vetë këta. Gjykoj se këtu duhet kërkuar më së shumti burimi i kësaj ekonomike që po përparon në Shqipëri me shpejtësi dramatike duke zaptuar gjithnjë e më shumë politikën, mediet, drejtësinë, shoqërinë civile. Është pikërisht degradimi që vjen nga dështimi ai që shpjegon pse Parlamenti u mbush me kriminelë, pse nga Lazarati sot kemi tërë Shqipërinë vend kultivimi të kanabisit dhe se pse po i hapet rruga sjelljes së plehrave. Krimi ndjell krimin – thotë një fjalë e urtë.

Si mund të dilet nga ky rreth vicioz?

Sot është bërë e modës fjala “veting” duke iu referuar  Reformës në Drejtësi. Ajo që duhet bërë për të dalë nga ky rreth është një tjetër veting: ai i të ashtuquajturve të pasur shqiptarë në emër të një tjetër reforme: Reformës në Ekonomi. Ata që kanë ndërtuar biznese kundër interesit publik duhen futur të parët në shoshë për të bërë të qartë se si e kanë bërë pasurinë, se sa kanë qenë të rregullt në pagimin e taksave, nëse janë apo jo borxhlinj nëpër bankat tona etj.. Por, në këtë pikë, pyetja që shtrohet është: a mund t’ia bëjë vetingun këtyre drejtësia pasi të ketë kaluar vetingun e vet? Personalisht dyshoj shumë se një drejtësi edhe sikur të jetë vërtet e pavarur mund të përbllojë pushtetin e kësaj ekonomie që ka me vete edhe pushtetin politik edhe atë mediatik. Është kjo një arsye më shumë për të mbështetur idenë e një lëvizjeje të re politike që, duke mbrojtur interesat e të papërfaqësuarve, duhet të bëjë presion edhe për shëndoshjen e ekonomisë shqiptare, për pastrimin e saj nga metastazat e ekonomisë që po e kthen vendin në plehër, duke ushtruar një kontroll të rreptë ndaj çdokujt që kërkon të investojë paratë e krimit në vendin tonë.
Përndryshe na pret rënia e këtyre “piramidave” kriminale dhe zhyia e vendit në një kaos të ri. (Panorama, 30 shtator 2016)