Friday, December 23, 2016

Tirana dhe merimanga e droguar

Dje pasdite, për të përshkuar me makinë rrugën  nga një pikë brenda Tiranës për në shtëpinë time, që rëndom e kam kryer për 10 -15 minuta, mu deshën 45 minuta. U gjenda në mes të një lumi makinash që ecte me shpejtësinë e breshkës. I shikoja shoferët dhe pasagjerët të strukur secili në makinën e tij duke thithur tym karburanti pafund me detyrim dhe përcaktim. Ishte mbrëmje dhe të gjithë mezi prisnin të mbërrinin në shtëpi të lodhur pas pune. Jam i bindur se, ashtu si unë, të gjithë turfullonin me vete për shkakun e kësaj pengese dhe stresi që u shtohet streseve dhe pengesave që shoqërojnë ditën e shqiptarëve në këtë vend ku duket se çdo hap i njërit është pengesë e tjetrit.
Të vinte të mendoje për një çast se gjithë ata njerëz, në atë lum makinash, sikur të bëheshin bashkë, të zbrisnin nga makinat e tyre mund të bënin çudira. Për shembull, mund t'i flaknin tej pengesat prej llamarine me të cilat ua kanë bllokuar rrethrrotullimin e qendrës pa i pyetur, për ta kthyer në një shesh pedonal absurd, e tu japin kështu një mësim këtyre maskarenjve që as nuk i provojnë këto mundime, sepse ua hapin rrugën me skorta arrogante e të dhunshme. Por jo. Në atë ecje prej breshke ndjehej edhe një nënshtrim i madh ndaj fatit. Ashtu si kanë duruar që maskarenjtë tua kthejnë qytetin nga këmbësorësh në qytet makinash duke ua bërë trotuaret vetëm gjysëm metri, tani u duhet të durojnë kur u thonë "nuk na rruhet për makinat tuaja, ecni më këmbë!" Më shumë se gjithçka tek shoferët ndjehej kujdesi se mos i gërvishtje makinën tjetrit - se atëherë do të bëhej nami, - se dihet se për një makinë të gërvishtur shqiptarët janë gati të ulërasin pa fund, paçka se mund të ecin me vite pa bërë zë në rrugë gjithë gropa, që ua bën copë makinat, apo në situata si kjo që po përshkruaj.  Në fakt, ecja me makinë ndaras nga njëri-tjetri në kushtet e ditës së mbrëmshme është ndoshta metafora më e goditur e ecjes së shqiptarit këta 25 vjet. Çdo shofer kujdeset vetëm që  t'i hapë rrugën ndonjë më të forti e se si t'ia hedhë ndonjë më të ngathëti që ka përpara, për ta kaluar, por kurrsesi për të ndërtuar rrugë ku të gjithë të ndjehen mirë e të respektuar. Secili ecën në trajektoren e vet absurde, dhe pa lidhje me tjetrin. Është ecja në rrjetën e merimangës së droguar.
Ç'është kjo merimanga e droguar dhe ç'lidhje ka me Tiranën? - do të pyesë lexuesi që ka parë titullin e këtij shkrim. Ja, po e shpjegoj. Më së pari dua të them se nuk është gjetje e imja. Diku e kam lexuar, apo ma kanë treguar, shumë kohë më parë dhe i kërkoj ndjesë autorit që nuk i kujtoj emrin. Më duket se është holandez apo gjerman.
Sipas autorit Tirana është projektuar nga urbanistët italianë mbi konceptin e rrjetës së merimangës. Në fakt, po ta shikosh planimetrinë e vjetër të Tiranës, ajo i shëmbëllen vërtet një rrjete merimange. Nga qendra, ku fillon rrjeta, dalin vertikalet më të trasha si rruga e Kavajës, rruga e Durrësit (të cilat janë projektuar që të dyja që të shohin simbolet e qytetit, Xhaminë e Et'hem Beut dhe Kullën e Sahatit), dy bulevardet, rruga e Dibrës, rruga midis Pallatit të Kulturës dhe Xhamisë,  të cilat, pastaj, përshkohen e lidhen  me tërthoret më të holla në formë unazash koncentrike, të cilat, nga ana e tyre, lidhen me kapilarët, rrugicat.
Sipas studiuesve rrjeta e merimangës e ndërtuar kështu ka racionalitetin e vet, sepse evolucioni i ka mësuar merimangës se kjo është mënyra më e shkurtër dhe më efikase për t'u ndërtuar një rrjetë duke nisur nga qendra e duke u zgjeruar. Mirëpo, çfarë kanë bërë shkencëtarët - gjithmonë sipas autorit holandez apo gjerman. Ata kanë marrë një merimangë dhe i kanë dhënë të marrë pak drogë. A e dini çfarë ka ndodhur? Merimanga nuk e ka humbur instinktin për të ndërtuar rrjetën, që është edhe mënyra e saj e mbijetesës, por, në vend të rrjetës racionale funksionale ka ndërtuar një rrjetë të çmendur, kaotike dhe jo funksionale.
Besoj se lexuesi, veçanërisht banorët e Tiranës, tani e kuptojnë se ku e kam fjalën. Tirana e projektuar sipas një urbanistike për të qenë, nga pikëpamja e sistemit rrugor, e ngjashme me rrjetën e merimangës, ka kaq kohë që ka rënë në duart e një merimange të droguar nga pushteti dhe nga paraja. Rezultatin e provon çdokush përveç merimangës që vazhdon të punojë e  droguar. Rrjeta është bërë e po bëhet gjithnjë e më kaotike, më e çmendur, e më jofunksionale.
Sigurisht kjo është një metaforë dhe si çdo metaforë ka edhe kufizimet e veta. Merimanga e droguar me një rrjetë të çmendur jo funksionale ngordh. Ose e ç’droguar fillon ndërton një rrjetë tjetër.  Po ne çfarë do të bëjmë kur shohim se kjo e jona nuk jeton dot pa drogë? Do të ngordhim së bashku me të apo do gjejmë rrugë për ta shpëtuar qytetin (dhe gjithë Shqipërinë) nga kthimi në një rrjet të çmendur dhe vrastar merrimangash të droguara? 

Read More......

Wednesday, December 14, 2016

Postdemokracia italiane dhe parademokracia shqiptare

Kryeministri italian Mateo Renzi pësoi një humbje të rëndë në referendumin e 4 dhjetorit. Italianët i thanë “jo” ndryshimeve kushtetuese që propozonte qeveria e tij dhe kjo e detyroi atë të jepte dorëheqjen. Ishte një humbje e rëndë për Renzin, që është komentuar shumë edhe në Shqipëri, qoftë për arsyen se shqiptarët ndjehen më pranë Italisë se çdo vendi tjetër, qoftë për faktin se dy kryeministrat tanë kanë pasur marrëdhënie të afërta, ndoshta më të afërtat në historinë e marrëdhënieve të paraardhësve të tyre. Kjo ka bërë që një pjesë analistësh tek ne ta shohin humbjen e Renzit edhe si parathënie të humbjes së Ramës, i cili, sipas tyre, po i humbet një nga një udhëheqësit mbështetës të tij në Perëndim.
Po a është ky një parashikim i drejtë?
Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje le të ndalemi në krahasimin midis Italisë së Renzit dhe Shqipërisë së Ramës, në  ngjashmëritë dhe diferencat midis tyre.
Nuk ka dyshim se nëse do të kërkojmë ngjashmëritë ato do t’i gjejmë si në tipologjinë e të dy liderëve (më së shumti), edhe në disa tipare të përbashkëta të sistemeve që vijnë nga fakti se Italia ka qenë veçanërisht model i Shqipërisë post komuniste.
Përsa i përket tipologjisë së dy liderëve do të theksoja disa ngjashmëri të dukshme, që nuk burojnë vetëm nga karakteret e dy personave në fjalë, por janë edhe reflektim i një modeli politikani të kohës.
Së pari, edhe Renzi edhe Rama akuzohen në vendet e tyre për personalizim të politikës, për prirje të theksuar për t’iu imponuar institucioneve.
Së dyti, që të dy akuzohen si politikanë me lidhje me ato që në Itali i quajnë “poteri forti” (pushtete të forta) apo më saktë si përfaqësues të interesave të tyre dhe, më në përgjithësi, të kastave të vendeve të tyre.
Së treti, edhe Renzi ashtu si Rama shquhen për prirjen për ta zëvendësuar politikën e aksioneve të mira me propagandë mediatike dhe akuzohen se kanë vënë në kontroll mediat kryesore (Renzi veçanërisht RAI-n çka ra në sy si asnjëherë tjetër gjatë kësaj fushate për referendumin.)
Përsa i përket sistemit politik ekonomik do të veçoja faktin se edhe Italia vuan nga partitokracia që pengon forcimin e shtetit të institucioneve, në favor të shteti të klientelave të partive, si dhe modelin Berlusconi të konfliktit të interesave për shkak të përqendrimit të pushteteve politike, ekonomike dhe mediatike në të njëjtat duar.
***
Shkaqet e humbjes së Renzit në 4 dhjetor janë komentuar në Itali nga shumë këndvështrime. Ka pasur nga ata që e konsideruan  referendumin më shumë social, sesa kushtetues, në kuptimin se “po”-ja dhe “jo”-ja ndau shtresat më në gjendje ekonomike dhe në moshë më të madhe, nga shtresat më të varfra dhe në moshë më të re. Ka pasur të tjerë që e kanë vënë theksin tek evroskepticizmi në rritje, i italianëve i lidhur edhe me problemin e ndalimit të emigracionit. Por të gjithë komentatorët, edhe mbështetësit e Renzit madje, vënë në dukje se “jo”-ja që triumfoi në 4 dhjetor ishte, mbi të gjitha, një shuplakë që italianët i dhanë arrogancës së një kryeministri që, nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese, kërkonte të rriste fuqinë e tij e të partisë që drejton, duke dobësuar instrumentet mbrojtës të demokracisë që Italia ka ngritur pas dramës së fashizmit. Një tentativë të tillë, të propozuar në emër të qeverisshmërisë dhe semplifikimit, italianët ia refuzuan edhe Berlusconit në vitin 2006, po nëpërmjet një referendumi. Kësaj here, të majtë dhe të djathtë, evroskeptikë dhe evropianistë,  ish partizanë dhe pasardhës së Movimento Sociale-s,  sëbashku me konstitucionalistë dhe intelektualë të njohur krijuan frontin e “Jo”-së që fitoi me 60%, duke e çuar Renzin në shtëpi.
***
Pyetja që shtrohet, kur e ballafaqojmë këtë realitet italian me realitetin shqiptar, është: të ndodhur përballë një kryeministri që dukshëm po shfaq, madje në masë shumë më të ekzagjeruar, tiparet e arrogancës dhe personalizimit të Renzit, e që, po ashtu, ka prapa “pushtete të forta” shumë herë më agresive se në Itali, a do të mundnin shqiptarët, të frymëzuar edhe nga italianët, t’i jepnin një mësim kryeministrit Rama? Apo do të  vazhdojmë të zhytemi gjithnjë e më shumë në pasivitet dhe nënshtrim përballë arrogancës në rritje të Ramës dhe të “pushteteve të forta” që e mbështesin atë?
Personalisht, përtej ngjashmërive që përmenda, shoh ndryshime të mëdha midis dy realiteteve që nuk më lenë shumë vend për optimizëm.
Ndryshimi thelbësor qëndron në faktin se nëse Italia e Renzit sot mund të konsiderohet një “postdemokraci” - në kuptimin që i jep Colin Crouch kalimit të shumë vendeve perëndimore nga vendimmarrja e popullit në vendimmarrjen e “pushteteve të forta” - Shqipëria e Ramës është një parademokraci, që do të thotë se nuk e ka njohur ende demokracinë.
Nëse do të përdorja një metaforë, për të bërë dallimin midis postdemokracisë dhe parademokracisë, do të thoja se post demokracia nënkupton se më parë e ke provuar demokracinë, çka do të thotë se ke kaluar një sprovë/ethe antiautoritare që të ka krijuar një lloj imuniteti. Kurse parademokracia nënkupton se ky imunitet të mungon pasi sëmundja nuk të ka kaluar ende dhe mund të përkeqësohesh shumë lehtë.
Në fakt Shqipërisë nuk i mungon një përvojë e refuzimit të prirjeve autoritare. Ajo ka arritur të kryejë tre rotacione pushteti në këta 25 vjet ku, pa dyshim, ka ndikuar edhe refuzimi i prirjeve autoritare të liderëve të radhës e, më gjerë, prirja e partisë më të madhe për t’u bërë e vetmja parti-shtet. Por kaq nuk mjafton për të thënë se e kemi imunitetin që treguan italianët ndaj sëmundjes së autoritarizmit, i cili shfaqet sot në formën e një regjimi më soft, që nuk ushtron dhunë policore, por dhunën strukturore të sistemit - quaje po deshe mediatik, plutokratiko–oligarkik, i totalitarizmit të parasë. Ne jemi ende në fazën e arrogancës së pushtetit që synon ta verë poshtë përfundimisht parademokracinë shqiptare, pa na lënë ta krijojmë antikorpet imunitarë ndaj saj. Në një shkrim të disa viteve më parë sëmundjejen që s’na le të ndërtojmë demokracinë e kam krahasuar me sëmundjet autoimunitare si SIDA, viruset e të cilave prodhojnë trupa që vrasin antikorpet imunitar të organizmit. Këta antikorpe në demokraci duhet të jenë një gjyqësor vërtet i pavarur, një medie vërtet e pavarur, një shoqëri civile vërtet kundërpart i pushtetit e të tjera vlera si ato që tregoi se i ka në masën e duhur kritike postdemokracia italiane për të mos lejuar synime si ato të Renzit. Psh. në Italinë e sotme gjen një respekt për ligjin dhe opinionin publik që e bën të pamundur edhe ta imagjinosh se aty mund të ndodhin akte të tilla si ato që bën kryeministri ynë përditë kur u jep koncesione miqve apo sponsorëve të partisë së tij, apo kur shemb stadiume e prish sheshe pa bërë merak as që të respektojë ligjin, lëre pastaj opinionin. Në Itali gjen një ekonomi që, megjithë vështirësitë që ndesh, është shumë e larmishme dhe njëmijë herë më e pavarur nga shteti e nga krimi, duke i bërë njerëzit, kësisoj, shumë më të pavarur nga kërcënimet e taksidarëve, policëve e kriminelëve të tij. Por mbi të gjitha ndryshimin e gjen tek kultura dhe morali i njerëzve. Në Itali gjen pa numër njerëz që mendojnë me kokën e tyre dhe jo sipas liderit të radhës apo ambasadorit të radhës. Edhe Renzi shkoi në SHBA e mori mbështetjen e Obamës, kishte edhe mbështetjen e Merkelit, por 60% e italianëve nuk deshën t’ia dinin për këtë. Po ashtu, në sajë të një sistemi arsimor dhe edukativ që ka ende në krye njerëz seriozë dhe të përkushtuar dhe jo batakçinj e mashtrues  të paturp, në sajë të intelektualëve të shumtë që e përqeshin dhe përçmojnë servilizmin ndaj pushtetit, dija dhe vlerat intelektuale e shpirtërore të njerëzve në Itali vazhdojnë të kultivohen si në botën laike dhe në botën fetare duke bërë që njerëzit të kenë më shumë respekt për veten, prandaj dhe për tjetrin, më shumë solidaritet, ndjeshmëri ndaj ruajtjes së natyrës kundër agresionit të industrisë së përfitimit etj.. Është pikërisht ekzistenca e këtyre antikorpeve ndaj arrogancës ajo që i dha mësimin e duhur Renzit më 4 dhjetor.
Në Shqipëri njerëz si kryeministri dhe ata të pushteteve të forta rreth tij (që deri dje rrethonin kryeministrin paraardhës), ashtu si viruset e sëmundjeve autoimunitare, punojnë përditë për t’i mbytur antikorpet e pakët imunitare që ka prodhuar shoqëria parademokratike shqiptare. Prandaj sot mund të thuash se parademokracia në Shqipëri është e shtrirë përtokë. Edhe vetë fakti që njerëzit shpresojnë se kjo gjendje mund të ndryshojë duke e hequr një arrogant si Rama me ndihmën e Trump-it apo udhëheqësve evropianë që mund të zëvendësojnë Renzin apo Merkelin janë shenjë e sëmundjes. Më parë se të ndodhë kjo mund të ndodhë  që sëmundja të avancojë derisa të vrasë edhe viruset  e së keqes dhe gjithçka të fillojë nga e para. (Panorama, 13 dhjetor 2016)


Read More......

Thursday, December 8, 2016

Libri i dështuar i arkitekturës shqiptare



Libri i dështuar i arkitekturës shqiptare
Nga Fatos Lubonja

"Në emër të skandalozes forcë revolucionare të së kaluarës"
Pier Paolo Pasolini

Arkitektura e një vendi shpesh krahasohet me një libër, kapitujt e të cilit përshkruajnë epoka të ndryshme historike nëpërmjet stileve, materialeve, teknologjive të ndryshme me të cilët kanë ndërtuar njerëzit në shekuj. Por, tjetër gjë është të imagjinojmë një libër ideal, që do të presupozonte kapitujt e ruajtur siç janë „shkruar“ në kohën e tyre, dhe tjetër gjë të  flasim për librin që kemi në dorë. Sepse libri arkitektonik që kemi trashëguar, ndryshe nga një libër që ruhet në bibliotekë, ka qenë dhe është një libër i hapur ndaj agjentëve atmosferikë dhe atyre, shumë herë më të tmerrshëm, njerëzorë. Veprimi korroziv i natyrës, moskontinuiteti i historisë me rënien e disa qytetërimeve e ngritjen e të tjerëve, luftërat shkatërrimtare që i kanë shoqëruar shpesh këto e që jo rrallë, pastaj, janë shoqëruar me ngritjen e monumenteve të fitimtarëve mbi rrënojat e të mundurve, fetë apo ideologjitë e ndryshme të pushteteve që kanë kërkuar të ngrenë objektet e tyre të kultit, deliret dhe garat për madhështi të pushtetarëve, revolucionet, të tilla si ai industrial, me lëvizjet e shumta demografike që e kanë shoqëruar, etj., etj., kanë sjellë kudo në botë, jo thjesht kapituj të shtuar të librit, por edhe shumë kapituj të rishkruar e përçudnuar, që e bëjnë shumë të ndryshëm librin në krahasim me atë që do të mund të kishim pasur.
***
Duke i qëndruar metaforës, do të thoja se „shfletimi“ i librit të arkitekturës së vendeve të ndryshme ndonjëherë na vë përballë përçudnimesh ekstreme. Ka vende në të cilët duket sikur autori ka mbetur në kapitullin e parë sepse e ka fshirë dhe rifshirë atë për të shkruar gjithmonë një fillim të ri, pa arritur kështu të bëjë një libër.
Këtë përshtypje të le libri i sotëm i arkitekturës që gjejmë në truallin shqiptar, ku ndryshimi midis librit që do të mund të kishim pasur me librin që është shkruar e po shkruhet është i madh. Dhe ky ndryshim merr përmasa paradoksale kur ke parasysh se vetëm njëqind vjet më parë kishim një libër me kapitujt e shkruar gjatë shekujve, që ruanin faqet e veta thuajse në formën e vet origjinale.
***
E gjendur në një vend ku në shekuj kanë kaluar apo janë kryqëzuar qytetërime të rëndësishme si ato greko-romake, bizantine, veneciane, osmane; ku kanë bashkëjetuar popuj me fe të ndryshme: ortodoksë dhe katolikë, myslimanë sunitë e bektashinj dhe shumë komunitete me karakteristika etno-linguistike të veçanta, Shqipëria, edhe pse një vend i vogël, ka pasur diversitete të mëdha kulturore, të shprehura dukshëm edhe në trashëgiminë e larmishme arkitektonike. Kanë spikatur objektet e kultit si kishat e manastiret bizantine në Jug dhe ato katolike në Veri, xhamitë sunite e teqet bektashiane, pa harruar edhe sinagogat e ebrejve sefarditë, që kanë qenë të mirëpritur në perandorinë Osmane gjatë kohës kur persekutoheshin në Evropë. Diversiteti arkitektonik ka qenë i madh edhe në ndërtimet e banesave rreth këtyre objekteve kulti. Ato ndryshonin si stilistikisht ashtu edhe përsa u përket materialeve me të cilat janë ndërtuar, si nga koha në kohë dhe nga krahina në krahinë. Duke u nisur nga Shqipëria bregdetare për të hyrë në atë të brendshmen, e për të arritur deri në zonat e thella malore do të takoje ndërtimet veneciane gjatë bregut të Adriatikut, kështjellat bizantino-osmane, qytete ku bashkohej tradita osmane-myslimane me atë të krishterë, ku pazaret dhe xhamijat bashkëjetonin me kisha e manastire, fshatrat me shtëpi prej guri mbuluar me rrasa të Jugut, shtëpitë me qerpiç në Shqipërinë e Mesme, kullat monumentale të veriut etj.

Lindja e nacionalizmit dhe perëndimorizimi
Nga e gjithë kjo pasuri dhe diversitet i librit të shkruar në shekujt paraardhës ka mbetur shumë pak. Janë veçanërisht dy shekujt e fundit ata që kanë shkatërruar shumëçka nga faqet e librit të vjetër. Sigurisht, Shqipëria nuk është e vetme në këtë aspekt. Nëse do ta krahasojmë me vendet e tjera ballkanike, që dolën edhe ata nga Perandoria Osmane, do të gjejmë shumë të përbashkëta por do të gjejmë edhe specificitete shqiptare.
Një e përbashkët e rëndësishme është se gjendja e librit arkitektonik të trevave ballkanike deri në shekullin XIX ka qenë goxha e ruajtur dhe, se ashtu sikurse pak më herët edhe në Greqi, edhe në Bullgari, në Serbi e më gjerë, në ish-Jugosllavi, binomi shkatërrim-ndërtim ka filluar të punojë rëndshëm me lindjen e nacionalizmave dhe ndërtimin e shteteve-kombe.
Deri në Luftën e Dytë Botërore, që shënon edhe ardhjen e komunizmit në shumicën e vendeve të Ballkanit, dallojmë tre tipare kryesore të përbashkëta të ideologjisë nacionaliste që kanë ndikuar, të ndërlidhur me njëri-tjetrin, edhe për transformimin e pejsazhit urban e arkitektonik:
Së pari do të veçojmë mohimin e identitetit osman, i cili në ideologjinë nacionaliste u konsiderua rezultat i një pushtimi që solli prapambetje dhe largim nga identiteti i të parëve. Si provë e kësaj mjaft të kesh parasysh se Beogradi e ka thuajse të zhdukur arkitekturën osmane (nga 300 xhami që ka pasur ka mbetur vetëm një). Studiuesi holandez i arkitekturës osmane Machiel Kiel thotë, në bashkëbisedimin e tij me Holta Vrionin botuar në këtë numër, se në Bullgari është zhdukur 98% e arkitekturës osmane kurse në Shqipëri 97% (të dhëna këto që i përkasin shekullit të kaluar e që me shumë gjasa janë thelluar). Po ashtu në Greqi ka ndodhur i njëjti fenomen.
Një tipar tjetër që ka shoqëruar binomin shkatërrim-ndërtim të nacionalizmit ballkanas dhe ngritjen e shteteve-komb ka qenë zhdukja, nëpërmjet standartizimit, asimilimit dhe diskriminimit e partikolariteteve të shumta etnike-kulturore që ekzistonin në këto treva, të cilat ruanin jo pak edhe veçoritë e tyre ndërtimore.
Si anë tjetër e medaljes së binomit vjen tipari ndërtues: ai i krijimit të një identiteti të ri. Ky, përveç kthimit në një lavdi të së kaluarës, ka synuar perëndimorizimin, tipare të të cilit janë modernizimi, industrializimi dhe revolucionit teknologjik, urbanizimi. Shumë qytete të Ballkanit filluan të ndërtojnë duke imituar arkitekturën perëndimore të shekujve XIX-XX, jo vetëm duke shtuar kapituj të rinj, por edhe duke fshirë dita-ditës historinë e tyre disa shekullore. Për të ilustruar këtë fenomen, në rastin shqiptar, është emblematik transformimi i Kullës së Sahatit në qendër të Tiranës, pranë Xhamisë së Et'hem Beut, që është ndër xhamitë themeluese të qytetit të Tiranës. Ajo është ndërtuar në stil oriental në gjysmën e parë të shekullin XIX, por mbreti Zog, në emër të perëndimorizimit, ia ndryshoi harqet origjinale me stil oriental që kishte në majë duke e kthyer në një kullë të tipit venecian, duke imituar kullën e San Markos.

Binomi shkatërrim-ndërtim dhe komunizmi
Komunizmi që erdhi pas Luftës së Dytë në shumicën e vendeve ballkanike, si një formë e dhunshme e modernizimit apo si „pseudomodernizim“, - siç e kanë quajtur një pjesë studiuesish, - apo kapitalizëm shtetëror, me kultin e mohimit të së shkuarës në emër të ngritjes së një bote të re; me lëvizjet e mëdha demografike nga fshati në qytet, me ekzaltimin që i bënte industrializimit dhe materialeve të tilla si hekuri dhe betoni, ka ndikuar shumë për të shkruar kapituj të rinj, por edhe për të fshirë faqe të tëra të kapitujve të librit të vjetër.
Për disa vende ballkanike mund të thuhet se komunizmi ka shkruar në librin e tyre të arkitekturës më shumë duke shtuar sesa duke prishur e rishkruar mbi kapitujt paraardhëse, siç mund të sjellim p.sh. rastin e Sarajevës, ku ruhet mirë qendra historike osmane dhe ndërtimet e mëvonshme austro-hungareze. Edhe Beogradi, edhe Sofja komuniste dallohen për ruajtjen më të mirë të ndërtimeve të periudhës nacionaliste pas osmane. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Bukureshtin e Çausheskut, i cili është i njohur për prishjen e një pjese të Bukureshtit të vjetër në emër të ndërtimit të arkitekturës së tij delirante paranojake.
Përsa i përket Shqipërisë, mund të thuhet se diktatura e Enver Hoxhës ka të përbashkëtat me elementë modernizues industrializues të komunizmit në vende të tjera, por ka edhe karakteristika e veta specifike.

Disa specifika shqiptare
Shqipëria, deri në ardhjen e komunizmit, ka qenë e vonuar në procesin e shkatërrimit të identitetit të vjetër dhe ndërtimi të një identiteti të ri. Kjo për disa arsye ndër të cilat do të veçonim: faktin se Shqipëria e fitoi pavarësinë më vonë, vetëm në vitin 1912, faktin se vendi kishte varfëri më të madhe, - ishte kryesisht me popullsi që jetonte në fshat, dhe procesi i industrializimit dhe modernizimit nuk kishte filluar ende - si dhe faktin se duke qene me fe të ndryshme, madje me maxhorancë myslimane, shqiptarët nuk e ndërtuan identitetin e ri mbi një përkatësi fetare. Edhe kjo ndikoi që shqiptarët, gjatë periudhës së mbretit Zog, të mos i hynin shkatërrimit të trashëgimisë osmane, veçanërisht xhamijave, në shkallën që kjo ka ndodhur në Serbi, Greqi dhe Bullgari, ku feja ortodokse dhe kombësia u panë si dy anë të së njëjtës medalje.
Kështu, deri afër Luftës së Dytë Botërore, libri që kishte trashëguar Shqipëria ishte dëmtuar më shumë nga agjentët atmosferikë se sa nga ata njerëzorë. Në pjesën më të madhe të vendit, si në fshatrat edhe në qytetet kryesore ruheshin partikolaritetet kulturore fetare të trashëguara në shekujt paraardhës, ku më ndaras dhe ku më në bashkëjetesë.
Në periudhën rreth viteve 30, mbreti Zog e përqendroi prirjen modernizuese në qytetin  Tiranës, që u bë edhe kryeqyteti i vendit, duke thirrur arkitektë italianë të kohës së fashizmit të projektojnë kryeqytetin.
Projektit perëndimorizues të nisur nga mbreti Zog iu bashkëngjit shumë shpejt projekti fashist, që synoi integrimin e Shqipërisë në perandorinë fashiste duke shkruar kësisoj kapituj të rëndësishëm edhe në librin e arkitekturës së vendit, veçanërisht në kryeqytetin Tiranë, aq sa Tirana mund të konsiderohet si qytet i projektuar nga italianët. Në projektin fashist, krahas karakterit perëndimorizues gjejmë edhe karakteristikat estetike ideologjike të arkitekturës fashiste që synonte t’i vite vulën epokës. Më emblematiku është kompleksi i arkitektit fiorentin, Gherardo Bosio, që përfshin Bulevardin e Madh me ndërtesën e Hotel Dajtit, atë të Kryeministrisë, kompleksin e ndërtesave rreth sheshit Nënë Tereza si dhe Sheshin Italia sëbashku me Stadiumin Qemal Stafa, të projektuar në mënyrë të tillë që nga avioni të ravijëzonin formën e sëpatës së liktorit.
Një karakteristikë tjetër e periudhës së ndikimit dhe pastaj pushtimit fashist ka qenë zhvillimi i arkeologjisë, që pasuroi trevat shqiptare me trashëgiminë greko-romake, më i rëndësishmi është rasti i Butrintit - dhe që vazhdoi edhe në periudhën komuniste.
Projekti modernizues fashist, ndonëse mbeti i papërfunduar, ka shkruar një kapitull të ri të rëndësishëm të librit duke u bërë, tek e fundit, pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare, që e dallon atë nga vendet e tjera ballkanike.
Projekti komunist nuk e preku arkitekturën fashiste, përkundrazi e integroi atë si pjesë e modernizimit të vendit. Ideologjikisht, ai vazhdoi traditën nacionaliste të denigrimit të periudhës paraindustriale rustike-osmane shqiptare dhe, në këtë aspekt, u tregua më radikal se vende të tjera komuniste përsa i përket shkatërrimit të kësaj të kaluare osmane në emër të ndërtimit të botës së re. Raste emblematike janë shkatërrimi, fill pas Luftës së Dytë, i xhamisë themeluese të qytetit të Tiranës, Xhamia e Sulejmanit, për të ngritur në vend të saj një monument të partizanit të panjohur, si dhe shkatërrimi në vitet 60 e pazarit të vjetër të Tiranës, për të ngritur atje Pallatin e Kulturës.
Megjithatë, specifika më e madhe e komunizmit shqiptar vjen në vitet 1966-67, kur nën ndikimin e revolucionit kulturor Kinez, komunistët e shpallën Shqipërinë vendin e vetëm ateist në botë dhe i dhanë nismën aksionit të rinisë për prishjen e shumë kishave dhe xhamive, ose shndërrimin e tyre në salla kinemaje apo pallate sporti, e deri edhe në magazina apo stalla. Ja si e përshkruan historiani i arkitekturës osmane Machiel Kiel këtë valë: "Prej gjurmëve të Revolucionit Kulturor të vitit 1967 kujtoj minaretë e gjata që shtriheshin në një prej rrugëve kryesore të Shkodrës, e që e bllokonin krejtësisht trafikun. Në vende të tjera pamë letra të vogla udhëzimesh, që u mësonin njerëzve si të shkulnin minaretë: lidhni një litar të fortë përreth ballkonit të minaresë, mblidhni 30-40 njerëz të fortë dhe filloni të tërhiqni." Shkatërrimin e xhamive të Kavajës dhe Peqinit ai e krahason me sakrificat barbare asteke, në të cilat drejtuesit e riteve asteke shkulin nga trupi i gjallë i të sakrifikuarit zemrën që rreh. [...] "një humbje e vetshkaktuar", - thotë Kiel - "për të cilën mund të fajsohen vetëm shqiptarët, jo osmanët e ligë, të cilët, në fakt, kishat dhe manastiret më të shquara dhe më të mrekullueshme të arkitekturës mesjetare të krishterë ortodokse i lanë të paprekura." Studiuesi ka të drejtë: mjaft të kesh parasysh kishat bizantine në Jugun e Shqipërisë, kishat në Elbasan, Berat, Korçë, Shkodër, por edhe manastirin e Deçanit apo patriarkanën e Pejës në Kosovë.

Kultura konsumiste - "forca revolucionare e së kaluarës"
Një nga intelektualët evropianë që ka shprehur në mënyrën ndoshta më elokuente ndjenjat e studiuesit holandez për këtë "varfërim të dhimbshëm për bashkësinë, të cilit vështirë t’i gjendet shërim" është Pier Paolo Pasolini. Ai ka denoncuar fort në vitet 60 - 70 valët shkatërruese të modernizmit qoftë në vendet ku ky ka ardhur në formën e kapitalizmit, qoftë ku ky ka ardhur në formën e regjimeve komuniste. Në dokumentarin „Forma e qytetit“ (1974), Pasolini e vendos kamerën filmike përpara qytetit mesjetar italian Orti, që ndodhet në Lacio të Italisë. Pasi na e tregon qytetin mbi kodër në formën e tij të përsosur stilistikore, ai e lëviz kamerën majtas ku shfaqet një ndërtesë e re: "diçka e huaj që s’ka lidhje me qytetin", - thotë Pasolini. Pastaj e zhvendos djathtas dhe e vendos mbi disa ndërtesa moderne "ekstremisht mediokre, të varfra, pa fantazi, pa krijimtari", që “i përkasin një bote tjetër, kanë karaktere stilistikore komplet të ndryshme”; "që mund të ishin ndërtuar gjetkë, jo aty"; “Sepse aty”, - thotë Pasolini - ato janë një “trup i huaj”, jashtë atij që mund të quhet tesuti perfekt i qytetit dhe, që për më tepër, prishin raportin e tij me natyrën përreth. Pasolinit i shkaktojnë "dhimbje, ofendim, zemërim" këto pamje; i kujtohet qytetit i jashtëzakonshëm Yazd, në Iranin e sotëm, ku - tregon ai - ka pasur një sistem ventilimi antik dy-tre mijë vjeçar, me kullat e erës, që shëmbëllenin si tempuj grekë apo egjiptianë dhe që Shahu i kishte shkatërruar - sikur të kishte bërë një bombardim - për të ndërtuar atje një qytet të ri, në emër të modernizimit.
Për të na futur më thellë në mendimin e tij, Pasolini e vë kameran edhe përpara qytetit Sabaudia, të ndërtuar nga fashistët. Ja çfarë thotë teksa kamera shëtit mbi pejsazhin e Sabaudias:
"Sa kemi qeshur ne intelektualët me arkitekturën e regjimit me qytetet si Sabaudia. Por tani shohim se kjo arkitekturë nuk ka asgjë ireale, qesharake. Me kalimin e viteve, ne zbulojmë se kjo arkitekturë ka një karakter midis metafizikes dhe realistes. Metafizike në sensin evropian të fjalës, që na kujton pikturën metafizike të De Chiricos; realiste sepse qyteti është në dimension njerëzor, se aty jetojnë qënie njerëzore të vërteta në integritetin dhe përunjësinë e tyre. Si ta shpjegojmë këtë magji të Sabaudias? […] Unë them se Sabaudia, edhe pse u ndërtua nga fashizmi sipas disa kritereve racionaliste-estetizante-akademike, nuk i ka rrënjët tek regjimi që e porositi, por […] tek ai realitet që fashizmi e dominoi me tirani, por që nuk arriti as ta gërvishtë, e kam fjalën për realitetin e Italisë provinciale, rustike, paleoindustriale. Është ai që ka prodhuar Sabaudian jo fashizmi."
"Sot po ndodh e kundërta”, - vazhdon Pasolini - “regjimi është demokratik etj. etj., po pikërisht atë akulturim, atë homologim që fashizmi nuk arriti absolutisht ta kryejë, pushteti i sotëm i shoqërisë së konsumit po e arrin në mënyrë të përsosur […], duke shkatërruar realitetet e ndryshme partikolare italiane, duke i zhveshur realitetin mënyrave të ndryshme të të qenit njeri që Italia i ka prodhuar në mënyrë shumë të diferencuar. Fashizmi i vërtetë është pikërisht ky pushtet i qytetërimit të konsumit; është ai që po shkatërron Italinë dhe kjo po ndodh me aq shpejtësi saqë as nuk e kemi vënë re, […] ne sot po zgjohemi si nga një ëndërr e keqe në të cilën po shihnim Italinë të shkatërrohej, të zhdukej dhe duke hedhur vështrimin rreth e rrotull konstatojmë se nuk mund të bëjmë dot asgjë.”; "Se në vend të Italisë së bukur dhe njerëzore, edhe pse të varfër, sot kemi diçka të papërkufizueshme, që ta quash e shëmtuar është pak.”
Fjalët e Pasolinit përpara Sabaudias na çojnë në themelin më të thellë të refleksionit të tij mbi nevojën e mbrojtjes të kaluarës. Ai nuk e gjen arsyen thjesht tek cilësitë estetike të konteksteve të ndryshme, por në atë që e përsërit dhe ripërsërit gjatë refleksionit të tij: fjalët "realitet" dhe "zhdukje e realiteteve". Ai na bën të mendojmë se mosshikimi i bukurive të së kaluarës e ka burimin tek fshirja e së kaluarës në mendjet e njerëve, tek paaftësia e tyre për t’u përballur me të, që do të thotë edhe për të nxjerrë mësime prej saj e për të zgjidhur problemet e së tashmes duke iu referuar asaj. Sepse rruga e vetme për të kuptuar të tashmen është kërkimi në të kaluarën, kërkime që janë "hija e pyetjeve që e tashmja projekton mbi të kaluarën" (Foucault). Dhe kur fshijmë të kaluarën mbetemi pa përgjigje. Nuk arrijmë dot të kuptojmë realitetin dhe shpesh ky moskuptim zëvendësohet me irealitetin. Pasojat e kësaj janë katastrofike sepse humbasim kontaktit me “botën reale”, me njeriun real dhe nevojat e tij, për të kaluar në triumfin e “irealitetit” që së jashtmi shfaqet me spekullimet ndërtuese të shoqërisë së konsumit.
Se deri në ç’nivel mund të shkojë zëvendësimi i realitetit me irealitetin, ia vlen të tregojmë historinë e Dohas, kryeqyteti të Katarit. Sheiku i Katarit mburret sot me mbi tridhjetë grataçielat që ka ndërtuar në Doha. Ai e ka zakon t'i marrë dhe shëtisë me makinë udhëheqësit e vendeve të ndryshme që vizitojnë Katarin për t'u treguar qytetin, veçanërisht grataçielat që ka ndërtuar. "Unë i kam shumë qejf grataçielat”, - u thotë Sheiku – “Kur udhëtoj nëpër botë, sapo shoh ndonjë grataçielë që më pëlqen, urdhëroj që të më sjellin arkitektët që e kanë projektuar dhe u kërkoj të më bëjnë një si ajo në Doha." Dhe kështu në Doha janë ngritur rreth tridhjetë grataçiela që imitojnë grataçielat e ngritura nëpër botë. Por historia nuk mbaron këtu. Në njërën nga këto shëtitje, teksa sheiku tregonte grataçielat ra mbrëmja dhe befas politikani evropian që ishte me të vuri re se u ndezën menjëherë të gjitha dritat në të gjithë grataçielat. “Si ka mundësi”, - e pyeti sheikun – “jeni marr vesh me banorët që ata t'i ndezin grataçielat në të njëjtën orë?”; “Çfarë banorësh”, - ia ktheu sheiku – “aty nuk ka banorë, ato janë bosh. Dritat i ndezim ne.”; “Po ky është shpenzim i madh parash.”; “Aspak”, - iu përgjigj sheiku – “Këto para i kishim poshtë nën tokë në formën e naftës dhe i kemi nxjerrë mbi tokë.”
***
Refleksionet e Pasolinit dhe kjo histori e sheikut të Katarit i shkojnë shumë për shtat historisë së arkitekturës shqiptare të kohës së triumfit të shoqërisë së konsumit. Megjithë dëmet e mëdha të shkaktura nga komunizmi, në fillim të viteve 90, Shqipëria nuk kishte pësuar agresionin homologues të shoqërisë së konsumit dhe globalizimit, të përzjera me një ethe për t’u bërë të ngjashëm vizualisht me vendet perëndimore. Mund të thuhet se komunizmi shqiptar, edhe pse ishte shumë më shkatërrues i së kaluarës sesa komunizmat në vendet e tjera evropiane, shumë më homologues nëse do të përdornim termin pasolinian, nuk arriti kurrsesi të bëjë atë fshirje në librin e arkitekturës që ka bërë periudha 25 vjeçare e ashtuquajtur tranzicionit, që filloi në vitet 90 me shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, në emër të ndërtimeve për banesa për njerëzit që gjatë regjimit kishin pasur ngushtësi banimi, dhe po kulmon me ngritjen e grataçielave të zbrazura.
Në vitet 90 asaj i shkonin ende për shtat thirrja që Pasolini i bënte në vitet 70 UNESCO-s për ruajtjen e qytetit Sana të Jemenit:
" I drejtohemi UNESCO-s ta ndihmojë Jemenin të fitojë ndërgjegjen e identitetit të vet dhe të vendit të çmuar që është."
"I drejtohemi UNESCO-s që të kontribuojë të ndalojë një spekulim mjeran që po bëhet në këtë vend, e që askush nuk e denoncon."
"I drejtohemi UNESCO-s që të ndërhyjë sa nuk është vonë që të bindë një klasë drejtuese, ende naive, se pasuria e vetme e Jemenit është bukuria e vet dhe se të ruash një bukuri të tillë do të thotë të kesh një burim ekonomik që nuk kushton asgjë ... sepse Jemeni është në kohë të mos bëjë gabimet që kanë bërë vendet e tjera."
"I drejtohemi UNESCO-s, në emër të vullnetit të vërtetë edhe pse të pashprehur ende, të popullit Jemenit, në emër të njerëzve të thjeshtë që varfëria i ka mbajtur të pastër,
në emër të hirit të shekujve të errët,
në emër të skandalozes forcë revolucionare të së kaluarës”
Kjo thirrje e Pasolinit sot duket si një thirrje e vonuar për Shqipërinë.
***
Qëllimi i këtij numri të Përpjekjes mbi arkitekturën në Shqipëri nuk është të rishkruajë librin ashtu siç mund të kishte qenë duke përshkruar periudhat e ndryshme historike edhe pse nuk mungojnë përshkrime të tilla. Qëllimi është të përpiqet të na tregojë e shpjegojë se çfarë ka ndodhur ka ndikuar që sot ne kemi një libër arkitektonik kaq të përçudnuar në raport me librin që do të mund të kishim pasur. Edhe pse artikujt janë renditur sipas epokave që shqyrtojnë, çdo artikull sjell histori, aspekte, detaje, që shërbejnë si çelësa leximi të librit ekzistues dhe që njëherësh hedhin sadokudo dritë mbi librin e humbur.

Read More......