Tuesday, May 23, 2017

Pakti Rama - Basha varjant i ri i lojës së vjetër

Në shkrimin “A duhet të hyjë PD në zgjedhje” jam shprehur se kjo varet shumë nga protagonistët kryesorë. Nëse ata e kanë seriozisht gjithë çka na kanë premtuar në çadër ndoshta më e mira do të ishte të mos hynin, sepse hyrja do të legjitimontec“fasadën” prapa të cilës funksionojnë institucionet e vjedhjes dhe të krimit, duke i bërë, mes tjerash, gjithnjë  e më të pamundura edhe zgjedhjet e lira. Por dilemën e hyrjes apo moshyrjes në zgjedhje e kam lidhur edhe me dilemën: a mund të shndërrohet PD-ja nga një parti deri dje e sistemit/fasadës, në një lëvizje antisistem që çjerr fasadën? Marrëveshja Rama – Basha dhe mënyra se si  u arrit ajo i dhanë fund këtyre dilemave. PD-ja dhe lidershipi i saj treguan me këtë marrëveshje se ose, në rastin më të mirë, nuk u dilnin hesapet se mund të shndërroheshin në një lëvizje antisitem, ose se nuk i kishin seriozisht premtimet për luftë oligarkisë, medieve të kapura, kanabizmit etj. Basha mund të thotë se zgjedhja që bëri ishte e imponuar nga ndërkombëtarët, se nuk u mbështet sa duhej nga populli që s’e kuptoi, nga vetë ne gazetarët që nuk iu përgjigjëm thirrjes për të shkuar në çadrën e tij. Pa dyshim presioni ka qenë i madh, edhe mosbesimi i të zhgënjyerve e ka rritur këtë presion, por historia tregon se politikanët që kanë sjellë ndryshime të mëdha kanë qenë pikërisht ata që nuk i janë përshtatur një realiteti ekzistues, por ata që e kanë ndryshuar atë sipas vizionit të tyre. Do të ishte pikërisht këmbëngulja për të mos iu bindur realitetit të imponuar edhe nga amerikanët, evropianët edhe mosbesuesit, që do të mund të krijonin bindjen dhe besimin se kemi të bëjmë me njerëz që mund t’ia dalin të ndryshojë këtë realitet mjeran ku ndodhemi. Por me sa duket njerëz të këtij stofi pritet të lindin në Shqipëri.
Shkurt shqiptarët që presin një ndryshim të sistemit oligarkik, bandokratik, shkërdhatokratik, kleptokratik, narkotrafikantokratik - për të përmendur vetëm disa nga epitetet që i janë vënë - duhet të flenë të qetë në dëshpërimin e tyre se kjo nuk ka për të ndodhur. Ne u kthyem në “normalitetin” tonë ku politika është një biznes privat dhe jo një “gjë publike”, siç është kuptimi i fjalës “republikë” që e ka përmendur kaq shumë Basha kohët e fundit. Partitë që merren me këtë biznes, pas një momenti sherresh, u ulën për të rindarë edhe një herë aksionet e tyre. Duke e menduar PD-në si të paaftë për të ndryshuar realitetin them se kjo është më mirë sesa sikur t’ia linte të gjithë tryezën Edi Ramës dhe Ilir Metës, por kundërthëniet mbeten.
Tani të gjithë i kanë hyrë kalkulimeve se kush ka dalë i fituar dhe kush i humbur në këtë pazar të ri. Sigurisht përgjigjen përfundimtare kësaj do t’ia japë shitblerja e mallit më 25 qershor, por disa parashikime edhe mund të bëhen. Nëse do t’i referohem një metafore ku e kam përshkruar ndërtesën e pushtetit në Shqipëri si një godinë ku në bodrum kemi krimin e organizuar, në katin e parë oligarkët, në katin e dytë mediet e tyre dhe në katin e tretë zyrat e partive të ndryshme, them se gjithshka që do të ndryshojë ka të bëjë me disa lëvizje zyrash në katin e tretë. Duket se me shumë gjasa do të kemi një zvogëlim të zyrave të LSI-së, e cila duhet të kënaqet me zyrën e presidentit që ka kapur kryetari i saj. Përsa i përket zyrave të PS dhe të PD-së për momentin është krijuar një konfuzion sepse në zyrat e PS-së kanë hyrë momentalisht disa ministra të PD-së që, medemek, do të bëjnë të mundur që populli të votojë i pafrikësuar, i pamanipuluar dhe i pablerë. Por problemi është se PD-ja gjatë këtyre katër vjetëve ka humbur shumë lidhje me katin e dytë, katin e parë dhe bodrumin, që janë lojtarët e vërtetë të përcaktimit të votës. Ajo që iu dha PD-së dhe Lulzim Bashës, për mua, ishte thjesht një mënyrë për të mos dalë krejtësisht i turpëruar nga çadra si dhe për të mbyllur gojën pas rezultatit, sepse qeveria e “besimit” që po krijohet nuk ka asnjë instrument për të ndryshuar diçka në katet e poshtme të ndërtesës së pushtetit, që kontrollohen nga Edi Rama.
Me shumë gjasa në këto kushte, ku loja elektorale nuk zhvillohet midis një lëvizjeje që premton shpresë dhe kastës së vjetër, por si një lojë brenda kastës ka më tepër gjasa që 71%-shin ta kapë i vetëm Edi Rama dhe jo PD-ja. Nëse nuk arrihet kjo mund të jemi përsëri në kushtet kur LSI-ja të mbetet përcaktuese e maxhorancës.  Se çfarë do të vendosë Ilir Meta këtë do ta shohim. Them se më mirë se kushdo këtë e dinë ata të kateve poshtë dhe intuita ma thotë se, edhe sikur të mos jetë përcaktues, Meta do të shkojë me Ramën.

Së fundi kanë dalë disa zëra se, për të mos ndodhur kjo, për shkak se këta urrehen shumë me njëri tjetrin (çka na bën për të qeshur) si dhe që të evitohen kriza si ato të çadrave, që i kanë mërzitur shumë partnerët tanë strategjikë,  mund të ketë koalicion të madh PS – PD në emër të mbylljes së disa reformave që do ta çuakan Shqipërinë në Evropë. Personalisht nuk e besoj se mund të ndodhë një gjë të tillë, por nuk është çudi po të mendosh, jo reformat dhe as partnerët strategjikë, por se deri dje të dyja kanë përfaqësuar të njëjtët oligarkë. Dreqi e di çfarë paskan biseduar kokë më kokë, për pesë orë, Romeo Rama dhe Xhulieta Basha, - sipas një batute të Ramës kjo -  por prap nuk e besoj. Në fakt koalicionet e mëdha janë bërë në emër të qeverisshmërisë kur nuk sigurohet maxhoranca e duhur nga partitë e mëdha. Tek ne kjo mund të ndodhë vetëm nëse LSI nuk pranon të bëjë koalicion paselektoral me asnjërën. Ndërsa po të kemi një koalicion PS - PD pa u pyetur fare LSI-ja kjo do të thotë se me ndihmën e çadrës u arrit pikërisht ajo që kontestohej më fort nga çadra: zhdukja e opozitës, dmth. se Edi Rama arriti në të njëjtën qafë, por nga një rrugë tjetër. Sigurisht jo në Evropë. (Panorama, 22 maj 2017)

Read More......

Thursday, May 18, 2017

A duhet të hyjë PD-ja në zgjedhje

Retorikat e përdorura gjatë kësaj krize politike, që ka koinciduar me fushatën elektorale, të kujtojnë thënien e Paul Valerisë: "Çdo gjë që është e thjeshtë është false dhe çdo gjë që nuk është e tillë është e papërdorshme." Sepse, ndërkohë që kriza që ka shkaktuar krizën është kaq komplekse dhe gjetja e zgjidhjes aq e vështirë, si përgjigje ndaj saj kemi thjeshtëzime "të përdorshme", - si ato reklamat e shitjes së dyshekëve (më të përhapurat në televizionet tona) : "me ne do flini gjumë rehat". Thjeshtëzimi më "fals" dhe më "i përdorshëm" në këtë realitetin tonë të sëmurë rëndë nga perversiteti i politikanëve për të cilët nuk ka të tjerë përveç atyre që u shërbejnë, është ndarja e shoqërisë në të mirë e të këqij, miq dhe armiq dhe ngritja e urrejtjes midis dy kampeve. Kulmin ky thjeshtëzim e arriti së fundi kur Rama u tha shqiptarëve se pa opozitën do të flenë më rehat, më pa zhurmë sherresh. Sigurisht ky nuk e di se ai që citohet më së shumti se ka shkruar për kotësinë e sherreve në parlament me opozitë ka qenë Hitleri? Por edhe PD-ja nuk qëndron larg në këtë lojë thjeshtëzimi. Brenda dy-tre muajsh nga protesta e drejtë dhe e rëndësishme  për një qeveri teknike, që do të siguronte zgjedhje të pamanipuluara, ka kaluar në qark të shkurtër në premtimin "republika e re", në të cilën shqiptarët do të jetojnë si në "më të mirën e botëve".  Por se si e qysh e tek do të kalojmë nga zgjedhjet me qeveri teknike në një republikë të re askush nuk kërkon të na artikulojë diçka bindëse.
Një nga temat që kërkon reflektim të thellë, por që po trajtohet me parimin e gjërave të thjeshta, por false është edhe ajo nëse duhet të hyjë PD në këto zgjedhje apo nuk duhet të hyjë. Personalisht këtë çështje e shoh me anë të kundërta të cilat duhen peshuar mirë. Për të shtjelluar këto anë të kundërta po i referohem fillimisht thirrjeve të maxhorancës dhe të ndërkombëtarëve që ajo  të hyjë edhe në kushtet e mospranimit të kërkesave të saj. Gjykoj se halli i vetëm i Ramës, tashmë edhe Metës, është se një opozitë që nuk hyn në zgjedhje heq fasadën e demokracisë prapa të cilës funksionojnë institucionet e vjedhjes dhe krimit që ata kanë ndërtuar. Edhe ndërkombëtarët këtë fasadë duan të ruajnë, sepse rënia e saj është edhe tregues i dështimit të tyre, i faktit se kanë shpenzuar miliona e miliona për të ndihmuar konsolidimin e një kaste kriminale në Shqipëri, me të cilën, do s'do, janë bërë partnerë. Në këtë kuptim moshyrja në zgjedhje e opozitës duket jo vetëm diçka logjike, por edhe një akt i rëndësishëm denoncimi. "Fasada" është si një kostum i bukur elegant që vesh një kriminel për të hyrë në sallonet evropiane, që duhet grisur për ta nxjerrë atë lakuriq sepse, edhe pse po vesh kostume gjithnjë e më elegante, krimineli po bëhet dita ditës më i rrezikshëm.
Por megjithatë problemi nuk mbaron këtu. Puna është se ajo që e quajta "fasada", dmth. ekzistenca, e një kushtetute demokratike dhe e shumë ligjeve, ndikojnë sadokudo në mënyrën e sjelljes së kriminelit. Me fjalë të tjera çështja mund të ngrihet: mos vallë ky kuadër kushtetues që kemi zgjedhur që i siguron opozitës disa garancira mund të humbasë nesër e vendi mund të shkasë edhe më keq në autoritarizëm? Apo, përkundrazi, duke dalë nga ky kuadër/fasadë opozitarizmi i PD mund të bëhet edhe më i fortë për shkak se do të fitojë mbështetjen popullore që e ka pas humbur meqë deri dje ka qenë edhe ajo pjesë e kësaj fasade?
 Nuk më duket e lehtë t'i japësh përgjigje kësaj dileme. Më një anë moshyrja në zgjedhje i rrit PD-së mundësinë për të krijuar besueshmëri në popull për t'u shndërruar në një lëvizje mbarëpopullore, më anë tjetër mund të rrezikojë edhe më tej  ekzistencën e opozitës në këtë vend. Zgjedhja në këtë dilemë mendoj se është e lidhur shumë me  qëllimet e vërteta të Lulzim Bashës me shokë. Janë ata që e dinë më mirë se të tjerët cilat janë synimet e tyre të vërteta, por edhe se cila është mbështetja që gëzojnë dhe pengesat që kanë. Janë ata që i dinë më mirë se të tjerët përgjigjet që u japin vetmevete disa pyetjeve të rëndësishme që ngrenë njerëzit e shqetësuar për fatet e këtij vendi: a ka vërtet në PD një vizion të qartë për problematikën e madhe se ku na ka çuar kapja e politikës jo vetëm nga një oligarki që përdor mjete kriminale, por tashmë edhe  nga vetë krimi i organizuar dhe sa ndjehet vërtet përgjegjës lidershipi i PD-së për kontributin që ka dhënë për krijimin e kësaj situate? Sepse PD-ja deri më sot ka qenë parti e "njerëzve me kollaro" që denoncoi një nga manifestueset e protestë së fundit. Pra, a ekziston vërtetë kjo ndjeshmëri dhe reflektim, siç duket se tregojnë herë pas here diskurset e Bashës në çadër kur flet për oligarkinë dhe mediet e kapura, a është e sinqertë ajo, apo po përdoret për mashtrim siç ka ndodhur deri më sot?
Dhe prapë problemi nuk mbaron këtu. Pyetja që ngrihet paskëtaj është: edhe nëse lidershipi i PD-së e ka këtë vizion, reflektim, madje dhe vullnet vetëtransformimi, a mundet objektivisht PD të shndërrohet në një lëvizje popullore pasi të mos hyjë në parlament? Dhe këtu të dalin përpara disa vështirësi jo të vogla. Së pari, do të vija kulturën klienteliste, konsumiste, të pasurimit të shpejtë nëpërmjet krimit, të servilizmit dhe nënshtrimit që është përhapur në vend nga partitë ekzistuese. Ajo ta bën të vështirë mendimin se njerëzit  mund të bashkohen në një lëvizje të madhe mbi ideale demokratike dhe të shtetit të së drejtës. Së dyti, do të duhej një transformimi i madh i PD-së, së pari nga ata që kanë bashkëpunuar deri dje me oligarkët e krimin, por edhe ideologjik, pasi do të duhej që të kthehej nga një parti e djathtë që nga pikëpamja e përfaqësimit përfaqëson shtresat më të pasura, në një parti që duhet të përfaqësojë interesat e pjesë më të brishtë të shoqërisë, sepse është ajo që sot ndjen peshën më të rëndë të këtij regjimi. Dhe së fundi, edhe sikur të arriheshin këto dy të parat mbetet një pikëpyetje tjetër: a do të mund të kishte jetë dhe të rritej një lëvizje e tillë në kushtet kur regjimi i instaluar kontrollon gjithnjë e më shumë jetën ekonomike, politike, kulturore, mediatike të vendit?  Apo, mos vallë dalja e PD-së nga parlamenti do t'ia lehtësonte punën regjimit për asgjësimimn e opozitës çka do të thotë se PD-ja mund të jetë më efikase po të hyjë në parlament por në këtë rast duhet ta harrojë lëvizje mbarëpopullore dhe republikën e re?

Nuk kam një përgjigje të prerë ndaj kësaj dileme dhe fakti që se kam mund të duket se po them diçka "të papërdorshme". Besoj se nënteksti i këtij shkrimi duke u thjeshtëzuar dhe bërë "i përdorshëm" është: nëse e kanë me gjithë mend çka kanë thënë deri më sot tek çadra ndoshta ia vlen më shumë të mos hyjnë në parlament sesa të hyjnë. Por ky shrkim është më shumë se kaq. Në të preferova më së shumti ta shtroj dilemën dhe jo t'i jap një përgjigje të thjeshtë me rrezikun që të jetë false. (Panorama, 16 maj 2017)

Read More......

Kjo ndodh kur politika është luftë bandash

Zgjedhja president e Ilir Metës na kujtoi edhe një herë atë shprehjen e Ramës “S’keni parë gjë akoma” që në këtë rast, do të mund të vazhdonte me: “mund t’ju bëj edhe Metën president.”
Reagimet e publikut ndaj kësaj çudie të radhës qenë të pritura. Videot me Metën që thotë të nëntëdhjetenëntat për Ramën dhe Ramën që thotë po ashtu të nëntëdhjetenëntat për Metën janë përhapur me shpejtësi të paparë në rrjetet sociale. Ngjarja konsiderohet si një zbritje edhe disa shkallë më poshtë e degradimit të politikës sonë. Megjithatë ta reduktosh tërë këtë histori, si çudi personash që nuk u ka mbetur fije morali dhe respekti jo vetëm për të tjerët, por edhe për veten, apo si lojë e papërgjegjshme midis dy personash që mblidhen një here te Gjiri i Lalëzit dhe hanë ngjala dhe pas katër vitesh tek pazari i peshkut dhe hanë peshk, e vendosin për fatet tona, është e gabuar.
Nëse do të përdorja një metaforë që besoj se e kuptojnë mirë ata që njohin kompjuterin do të thoja se darkat e Ilir Metës dhe të Edi Ramës me peshk dhe ngjala duhen parë në këtë histori si ato imazhet (Screensaver) që shohim kur kompjuteri bije në stand by për të mbrojtur ekranin.  Por po të lëvizësh pak mausin mbrojtësi i ekranit me këto fytyra zhduket dhe del realiteti dramatik që qëndron prapa këtyre imazheve: mungesa gjatë këtyre 25 vjetëve edhe e elementëve më të thjeshtë të demokracisë në Shqipëri.
Sot opozita, dhe jo vetëm, ka vënë kujën: “demokracia në rrezik!”. Po përpara se të vemë këtë kujë duhet të shtrojmë pyetjen: a kemi qenë ndonjëherë demokraci gjatë këtyre 25 vjetëve? Nëse fjalën do ta përkthejmë siç e ka kuptimin: pushtet i popullit, s’besoj se do ta quante kush demokraci këtë tonën. Sikur të kishim pasur sadopak demokraci në këtë kuptim kjo që ndodhi nuk do të mund të imagjinohej e jo më të ndodhte. Problemi është se tek ne të gjithë e dimë se ka 25 vjet që pushteti është i disa bandave në luftë të vazhdueshme për të eliminuar njëra tjetrën në ndarje të territorit dhe të përfitimeve nga grabitja e shqiptarëve. Kjo që po ndodh thellë-thellë është kalimi në një stad kur lufta midis bandava ka njohur një zhvillim të ri. Sot banda e Edi Rama me lëvizjen që kreu po synon të vrasë me një gur një bandë e gjysmë kundërshtare. Njëra bandë është PD-ja e cila, duke u përjashtuar nga parlamenti ka shumë gjasa që për katër vjet të tretet si opozitë, por edhe po të hynte në zgjedhje këtë fat do të kishte. Gjysma e bandës tjetër është LSI-ja që duke dalë nga roli i ndërmjetësit në luftën midis dy bandave kryesore humbet këtë funksion dhe bëhet targeti i radhës për bandën e madhe.
Por ngulmoj edhe një herë se është e gabuar që kjo t’i dedikohet thjesht zotësisë apo maskarallëkut të Ramës e Metës siç thonë disa. As paaftësisë së Bashës apo korruptimit të disa ambasadorëve, siç thonë disa të tjerë. Sigurisht këta kanë përgjegjësitë e tyre në këtë që po ndodh, por Edi Ramës dhe Ilir Metës dhe ambasadorëve të tyre as nuk do t’u shkonte ndërmend të bënin këtë që bënë sikur partitë (dhe këtu e kam fjalën për të treja jo vetëm për PD-në) të përfaqësonin vërtet popullin dhe jo një grusht njerëzish që kanë vjedhur e grabitur sistematikishë këtë vend.
Problemi më i thellë i kësaj që po ndodh është se tek ne ka kohë që shtrohet  pyetja: a ka kuptim që të kemi disa parti për të përfaqësuar vetëm këtë grusht njerëzish? Deri dje ishte kështu pasi ky grusht njerëzish përdornin edhe PS edhe PD për të grabitur shqiptarët sepse njëra bandë kishte Tiranën tjetra kishte Shqipërinë. Ndodhte kështu edhe pasi deri dje populli, gjithsesi, besonte më shumë se këto banda mund tu sillnin ndryshim, prandaj dhe ai grushti i njerëzve, për tu mbrojtur, punonin me të dy palët. Sot është krijuar një situatë kur nga njëra anë punët e kësaj pakice varen kryekëput nga partia e Ramës dhe nga ana tjetër populli i ka hequr shpresat se mund të sjellë ndryshim me këto banda. Ai prandaj, i është nënshtruar statukuosë duke zgjedhur ose ikjen nga vendi ose punësimin në plantacionet e kanabisit që menaxhohen nga banda në pushtet. Këtu duhet të shtojmë faktin se vitet e fundit grushtit të njerëzve në fjalë u janë shtuar me shumicë edhe ata krerë grupesh kriminale që aq më pak kanë nevojë të ketë opozitë sepse punët i kryejnë me policinë që e ka maxhoranca.
Pra Ilir Meta dhe Edi Rama nuk duhen parë si lojtarët e vetëm në eliminimin e PD-së. Ata duhen parë në kontekstin e sistemit të grabitjes që kanë ngritur sëbashku me "rremtarët" kriminalë me të cilët bashkëpunojnë për të çuar anijen shqiptare drejt theqafjes përfundimtare. Eliminimi i PD-së në udhëtimin e tyre drejt kësaj theqafjeje po mundësohet pikërisht nga logjika  e punës dhe e interesave të këtyre njerëzve.

Nëse do të kërkojmë përgjegjësinë e PD-së në këtë lojë duhet thënë se kryesorja është se ajo ka aplikuar të njëjtën logjikë, pra se nuk ka ditur të jetë përfaqësuese e popullit. Prandaj thirrjet e Berishës për "revolucion demokratik" tingëllojnë sot si ato thirrjet e atij bariut që gënjeu disa herë njerëzit se ujku po i hante delet, dhe, kur ujku erdhi vërtet, nuk shkoi më njeri që t'ia shpëtonte. (Panorama, 2 maj 2017)

Read More......

Tuesday, April 25, 2017

Pse më sulmojnë Kadareja dhe lakejtë e Ramës


Fill pas botimit të shkrimit tim “Edi Rama narçizizmi malinj dhe shoqëria shqiptare”, si për ta ilustruar çka shkruaja, filluan sulmet denigruese kundër meje në stilin e manipulatorit pervers. Titujt bombastikë qenë se Lubonja paska "shitur", "denoncuar", "spiunuar" të atin dhe se duhen hapur dosjet e këtyre lubonjëve se pse këta kanë dashur të fusin në burg edhe Kadarenë. Ishte një gjellë e gatuar një herë në kuzhinat e universitetit privat UET, por duke mos pasur ndonjë më të mirë e ringrohën dhe ua dhanë shqiptarëve në restorantet e tyre, ku vetëm era e  së vërtetës nuk ndihet. Për t’i dhënë edhe ca më shumë shije nxorrën nga prapaskena ku qëndronte edhe kuzhinjerin e parë, Kadarenë vetë, me një letër që përforconte akuzën se unë paskam dëshmuar se ky paska ndikuar Todi Lubonjën dhe se nuk ma falte këtë denoncim politik.
E kam dhënë një herë përgjigjen ndaj këtyre akuzave në nëntorin e kaluar ku citoj edhe Giani Rodarin “Në vendin e gënjeshtrës e vërteta është një sëmundje”, por mendoj se lufta për ta mbajtur gjallë të vërtetën nuk duhet reshtur pasi përndryshe kultura e manipulatorëve perverse, do të vazhdojë ta dehumanizojë këtë shoqëri edhe më keq se ç’e ka dehumanizuar – siç e provon edhe ky sulm kaq i ulët.

Lidhur me procesin hetimor dhe gjyqësor
Manipulimi me dokumentin që kanë nxjerrë është në tre plane; së pari, ai nuk niset të kërkojnë të vërtetën e Fatos Lubonjës në raport me të atin dhe Kadarenë në atë proces, por të denigrojnë Fatos Lubonjën, së dyti me faktin se dokumentin e kanë nxjerrë nga konteksti dhe së treti edhe vetë tekstin e kanë deformuar dhe interpretuar sipas interesave të tyre.
Përsëris, e vërtera është se unë jam arrestuar në të njëjtën kohë (Korrik 1974) sëbashku me babain, xhaxhain dhe burrin e hallës pasi Sigurimi, nëpërmjet agjentëve të tij dhe  teknikave operative të përgjimit, arriti të zbulojë të fshehura në shtëpinë e xhaxhait në Tiranë disa armë të babait sëbashku me shkrime të tij e të mijat që përbënin "agjitacion  propagandë armiqësore". Pra që këtu bije sedërgjia sikur unë, nuk paskam gjetur kënd tjetër në këtë jetë për të denoncuar që të marr favore, por njeriun më të dashur, tim atë (dhe Kadarenë).
Ne kemi qenë së bashku, për shtatë muaj nëpër qeli të ndryshme në një proces të tmerrshëm hetimor, të drejtuar nga famëkeqët Nevzat Haznedari, Koço Josifi pa asnjë të drejtë njerëzore si avokati, takimet me familjen e të tjera si këto. Ndonse shkrimet i kishte fshehur im atë mora përsipër se e kisha bërë unë dhe kështu mbeti. Por ndërkaq, pas arrestimit tonë,  gjatë kontrollit në shtëpinë time në Tiranë, kishin gjetur një letër me shkrimin e tij që ma kishte dërguar nga Lezha, ku ishte i dëbuar asokohe, që u bë drama e gjithë hetuesisë sime. Pjesa e parë e saj ishte një reagimi i tij ndaj lajmit që i kisha çuar unë nga Tirana nëpërmjet vëllait pas sëmundjes së infarktit që diktatori kishte kaluar në dhjetor 1973. Im atë përdorte nofkën “dajarja” të cilën e përdornim kur flisnim për të në shtëpi duke e etiketuar si “imbecil paranojak”, “narçizist mizerabël” që i është “prishur me kohë ekuilibri i trupit dhe mendjes” etj. Mjaft të lexojë përmbajtjen e kësaj letre për të kuptuar se në çgjendje u ndodha. I pyetur se për cilin bëhej fjalë u thashë një herë një emër e pastaj një tjetër që nuk koresponduan asnjëri me personin që u kishte dhënë im atë. Ndërkaq sa në sajë të teknikave operative të përgjimit që ata kishin vendosur në shtëpi si dhe dhe nga spiuni të cilit i isha hapur në birucë ata e dinin se për cilin bëhej fjalë. Pasi më thanë se im atë e kishte pranuar dhe ishte varur  pa gjyq, jo pushkatuar, dhe se edhe të gjithë njerëzit e familjes ishin brenda dhe e pohonin e pranova se bëhej fjalë për Enver Hoxhën. Përveç kësaj prove shkatërruese, ata kishin materiale nga dosja e përpunimit që më kishte hapur Sigurimi qysh para një viti, me bashkëpunëtorë dhe përgjime, nga dëshmitarë që i thirrën me hir dhe pahir të flisnin për aktivitetin tonë "armiqësor" si dhe analizat e tre ekspertëve: ai i romanit, ai i ditareve dhe ai i poezive. Ndër këto më të rëndat ishin deponimet e Mihallaq Luarasit që ishte arrestuar e dënuar afro një vit më parë. Mes të tjerash ai kishte thënë edhe se im atë i kishte dhënë faqe të romanit tim, që mu gjet i fshehur, i shkruar sipas  “rrymave të romanit të ri francez që Todi i lavdëronte”. Madje kishte treguar edhe diçka nga përmbajtja edhe se si se si ishte vazhdimi sipas çka i kishte thënë im atë. Kjo  provonte se im atë kishte dijeni edhe për shkrimet e mija.

Faksimile e faqes së dosjes me fotot e shkrimeve te gjetura në muret e shtëpisë së Llazi Lubonjës

Përballë këtyre provave që mu dukën të pakundërshtueshme me moshën dhe pjekurinë që kisha në atë kohë (23 vjeç), nën kërcënimet se po të mos pohoja gjithshka dija do të më fusnin në dhomën e torturës, i rezistova presioneve rreth akuzën për terror që donin të na shtonin lidhur me armët e gjetura, por pranova, duke u hequr sikur po u thoja gjithçka, disa nga akuzat.  Por u përpoqa t'i justifikoj çfarë kisha thënë e shkruar, dhe veçanërisht, pse im atë kishte shkruar një letër të atillë, jo me urrejtjen e thellë principiale që kishim për atë regjim dhe atë diktator, por  me pakënaqësira personale të mijat e të tim eti ndaj vendimeve të paekulibruara apo disinformimit të Enver Hoxhës. Gjithsesi dokumentet nuk pasqyrojnë saktë fjalët e mija, por një versionin ku këtyre u shtoheshin interpretimet rënduese të hetuesve, gjë që ka qenë në sitlin e hetuesisë së asaj kohe.
Më pas, arrita të kuptoj se im atë ishte gjallë, pasi i dëgjova zërin teksa  e çonin në banjë dhe nuhata se mund të kishte thënë se letra bënte fjalë për dajën tim, ngase më pyetën një ditë nëse daja kishte qenë i sëmurë. Arrita të shkëmbeja me të edhe një pusulle që ma bëri të qartë se ai s'i kishte pranuar akuzat. Atëhere ndërrova version duke u thënë se ishim keqkuptuar për dajaren. Për të mos më lënë të konkordoj me të nuk më bënë as akt ballafaqimi që parashikohej nga procedurat, madje atë e ndanë nga ne të tre dhe i bënë proces më vete, ku unë kam thënë versionin e keqkuptimit për dajaren.
Me përvojën, pjekurinë dhe forcën psikologjike që fitova më vonë sigurisht nuk do të kisha rënë në ato gracka, ku kanë rënë shumë të arrestuar madje duke pranuar edhe gjëra të paqena  që i kanë çuar në pushkatim. Këtë e provon hetuesia e dytë ku kam refuzuar të firmos çdo dokument që nga urdhëri i arrestit, si edhe gjithë qëndrimi im në burg, që u bë shkak të ridënohesha e të lirohem nga burgu vetëm me grupin e fundit të të burgosurve politikë më 17 mars 1991.

Faksimile e letrës së Todit Lubonjës gjetur në shtëpinë e Fatos Lubonjës

Fatos,
kur muarëm vesh se dajarja ishte sëmurë na erdhi shumë keq. Por, nuk na shkonte ndërmend që ky imbecil paranojak të ketë rënë në dashuri. Po atij s'i mbahen  dot as nofullat. Ai nuk mundet të puthet as me vdekjen. Atij s'i mbahen as pantallonat. Dashuri, ai manjak që nuk di ç'është dashuria. Një narçizist mizerabël dhe asgjë tjetër.
Prandaj t'i thuash nga ana ime o të heqë dorë nga maskarallëqet ose ndryshe në esfel të shkojë dhe një sahat e më parë.
Kur të vish këtu, do të bisedojmë më gjatë. Sill me vete dhe psikanalizën që të shikojmë se në ç'kategori duhet të futet më me saktësi: epileptik, sifilitik, apo çfarë; në cilën kategori të imbecilëve.
Dajres duhet t'i jetë prishur me kohë ekuilibri i trupit dhe mendjes…


Manipulimet e Kadaresë & C0

Siç e kam thënë edhe në shkrimet e nëntorit , në  dosjen time hetimore, të cilën sapo e kam shfletuar faqe për faqe, nuk ka asnjë rresht pyetjeje dhe asnjë rresht përgjigje për Kadarenë. Emri i tij pra nuk ekziston në deponimet e mija në hetuesi. Dokumenti nga kanë nxjerrë frazat që i kanë  manipuluar është një përmbledhje e deponimeve në gjyqin tim, të xhaxhait dhe burrit të hallës, që janë futur në dosjn e tim eti, të cilin, siç thashë, e gjykuan veçmas, pak kohë pas nesh. I pyetur nga prokurori se ç'mendonte Todi Lubonja për letërsinë në vendin tonë, siç tregon teksti i shkruar me dorë nga sekretarja, përgjigja ime ka qenë se "ka pëlqyer  shkrimtarët Ismail Kadare, Dritëro Agolli. Për të tjerët thoshte që këta nuk shkruajnë mirë, nuk kanë kurajë pse vuajnë nga skematizmi. Ky ka qenë mendimi i tij për letërsinë tonë.”  Pas kësaj vazhdon fjalia "për ditarin babai im nuk ka dijeni."

Faksimile e dosjes gjyqësore ku përmenden Ismaiil Kadare dhe Dritëro Agolli

Emrat e Kadaresë dhe të Agollit i kam përmendur në mbrojtje të tim eti, siç kam thënë edhe se për ditarin nuk kishte dijeni. Sepse këta dy autorë konsideroheshin asokohe, si dy buajt që tërhiqnin qerren e letërsisë sonë të realizmit socialist - siç shprehej Mehmet Shehu për ta. Agolli asokohe u bë Kryetar i Lidhjes dhe gëzonte besimin maksimal të partisë; Kadarenë e kishte lëvduar Enver Hoxha vetë për "Dimrin e madh". Veçanërisht përmendja e Agollit e provon këtë që them, sepse im atë, në të vërtetë, për letërinë e Agollit në atë kohë nuk kishte konsideratë. Në daktilografimin e shkrimit me dorë, hetuesit, në stilin e tyre manipulues, kanë hequr emrin e Agollit dhe kanë zëvendësuar "skematizmin" e "të tjerëve" me "të tjerët kanë frikë". Emrin e Agollit hetuesit e kanë hequr, jo pse e ndanin atë nga Kadareja si shkrimtar të pushtetit, por për ta përputhur me dëshminë e Luarasit i cili kishte deponuar se im atë nuk e vlerësonte letërsinë e Agollit. Por edhe nga deponimet e Luarasit, në vendet ku përmendet Kadareja, nuk flitet për një shkrimtar të lidhur me “idetë armiqësore” të Todi Lubonjës, të cilin Sigurimi donte ta mbërthente, por si shkrimtar “për të cilin (Todi) tregonte miqësi e simpati”, që në rrafshin letrar e pëlqente, por gjithsesi e konsideronte shkrimtar të pushtetit me kufizimet e asaj letërsie.
E pra, ku qëndron këtu denoncimi im kundër Kadaresë? Medemek se e pëlqente Todi Lubonja. Po këtë e dinin të gjithë, siç dinin se kishin edhe miqësi, siç dinin se Kadarenë e pëlqente edhe Enver Hoxha etj. Por sot, pasi ka ndërtuar mitin e kundërshtarit të regjimit me manipulim fraza mund të bëhet edhe denoncim armiku. Kështu veglat e Kadaresë, në versionin e para disa muajve e manipuluan frazën time dhe i hapën gazetat me titujt sikur paskësha deponuar se Todi Lubonja thoshte se "vetëm Kadare shkruan të vërtetën".  Në asnjë nga dy versionet e dosjes nuk gjindet fjala "e vërteta". Kurse në interpretimin e fundit, manipulimi bëhet edhe më i trashë. Në bashkpërkim me ish kryehetuesin  Qemal Lame, Kadareja e interpreton frazën time sikur të kem thënë se është Kadareja, (medemek më i rrezikshmi i armiqve të regjimit asokohe) që e paska “ndikuar” Todi Lubonjën i cili më ka ndikuar mua?!  E vërteta është se në një  autokritikë të asaj kohe Kadareja thoshte se për gabimet e tij kanë ndikuar lajkat që i bënte armiku Todi Lubonja. Dhe, po të donte vërtet Sigurimi  ta mbërthente, siç pretendon ky, kjo frazë mund ta rëndonte më shumë sesa fraza ime se e simpatizonte Todi Lubonja.
Siç e kam thënë edhe në përgjigjet e mëhershme, unë kam ditur gjëra që mund ta komprometonin Kadarenë. Psh. se im atë e kishte mik që hynte e dilte në shtëpinë tonë e se ai kishte dijeni për shkrimet që mu kapën, madje se ndoca nga poezitë që janë në dosje ia kisha dhënë për t’i lexuar. Por as më kanë pyetur dhe as më ka shkuar ndërmend t'i them. Megjithatë, në vend se të më falenderojë sadopak, ai më akuzon si denoncues i tij. Madje deklaron edhe “nuk e  fal Lubonjën” për denoncimin që më ka bërë. Çfarë manipulimi i shëmtuar! Më kujton historinë se si dhurimin e dërëshkrimit të romanit “Dimri i madh” diktatorit e paraqiti sikur t’ia kishin marrë dhe dhunë. Kuptohet se hallin në rastin tim e ka tek kritikat që i kam bërë frymës nacional-komuniste të veprës së tij si shprehje letrare e ideologjisë së regjimit, ku s’mungojnë edhe racizmi dhe homofobia; tek manipulimi i hisorinë, jetës dhe veprën së tij (si psh. historinë e poemës Pashallarëve të kuq që e shiti si vepër kundër regjimit), si dhe tek denoncimi që i kam bërë modelit të intelektualit që ai përfaqëson. Në vend se t'u përgjigjej këtyre kritikave me fakte dhe argumente, - mendoj se edhe me ndjesë aty ku ka ndryshuar mendim, - zbret në këtë nivel të ulët që veç tjerash e demaskon edhe si shkrimtar. Sepse këtë tragjedi të familjes sonë, me babë e bir të burgosur e me krejt familjen me fëmijë të posalindur të internuar, përveçse me intrigë të shëmtuar, e trajton sipas stilit të sendërgjive të tij socrealiste kur denigronte armiqtë e pushtetit të asaj kohe, në shërbim të sevirjes së një të vërtete të rreme, që sot i duhet pushtetit të ri.
 Në vazhdën e këtyre sulmeve ndaj meje dha së fundi një interistë ku më quajti “shpifës ordiner” pasi paskësha thënë, duke përmendur Zylyftar Ramizin, se ka qenë spiun i Sigurimit me pseudonimin “gjenerali”. Në fakt, unë di mjaft gjëra, edhe pseudonime di jo pak. Madje di edhe të disa prej veglave që po përdoren për të më sulmuar, por nuk jam marrë ndonjëherë me to. Kam qenë e mbetem i mendimit se e keqja e atij regjimi nuk janë këta, veçanërisht kur bëhet fjalë për viktima të rekrutuar në shtrëngim, - siç kanë qenë edhe dy personat që u bënë shkak i gjetjes së materialeve që na futën ne në burg, - por janë ata që i rekrutuan dhe i përdorën. Nëse ndokush i bën sulmet kundër meje i kondicionuar nga vetja me pseudonim që ka brenda vetes i bëj thirrje të çlirohet e të mos thellohet në të keqe. Të gabosh është njerëzore, të vazhdosh të gabosh është djallëzore - thotë një fjalë e urtë. Përsa i përket pseudonimit "gjenerali", ndonëse i goditur në mënyrën më të ulët, nuk kam thënë as ato që di, as ashtu siç pretendon Kadareja, por se libri i botuar për për të provuar ndjekjen e Kadaresë  nga Sigurimin, që merret me dokumente nëpër shtyp e gjyqe, është manipulativ dhe selektiv sepse nuk ka përmbledhur edhe shumë dokumente që flasin për të kundërtën, ndër të cilat edhe thënien e Zylyftar Ramizit. Kam përmendur mes tjerash edhe historinë që ka shkruar Nasho Jorgaqi se si Kadareja ka shkuar tek ish ministri i brendshën Hekuran Isai për t'iu ankuar se s'kishin punuar aq e sa duhet për të zbuluar agjentët e sovjetikëve në rradhët e kolegëve të tij, dhe shpërblimin që mori për këtë: një makinë të re nga ato që kishte sjellë Ministria e Brendshme. Ky po, mban erë denoncim të pastër, për të cilin s'di t'i ketë dhënë ndonjë përgjigje Jorgaqit. Ndërsa që libri është selektiv e provon edhe fakti se në dokumentet hetimore që e përmendin emrin e Kadaresë nuk kanë futur deponimim i Mihallaq Luarasit edhe pse e kishin në të njëjtën dosje. pse nuk e kanë bërë? Sepse, edhe Luarasin e ka  përdorur, siç ka bërë me Lamen e të tjerë ish bashkëpunëtorë të Sigurimit, për të goditur, pas vdekjes, Todi Lubonjën nëpërmjet botimit të një libri të sponsorizuar nga botuesi i tij.

Problemi i këtij sulmi
Përtej personales, problemi kryesor i këtij sulmi ndaj meje është se ai tregon se po vazhdojmë t'i qasemi  të kaluarës komuniste me të njëjtën kulturë të atij regjimi, të manipulimit e të simulimit. Në vend të përpjekjes për të kuptuar të vërtetën e asaj kohe, kondicionin njerëzor të asaj kohe, përgjegjësitë që kemi të gjithë për atë kohë, protagonistë të vjetër e të rinj të kësaj kulture, me në krye shkrimtarin më të njohur të vendit, rreken ta manipulojnë atë sipas stilit soc-realist me heronj pozitivë dhe negativë, me armiq dhe njerëz të partisë, në emër interesash të ulta pushteti. Nga pikpamja kulturore kjo qasje na largon nga koncepti i përgjegjësisë që duhet të ndjejmë të gjithë për atë kohë e që duhet të na mësojë të ndërgjegjësohemi edhe për përgjegjësinë që kemi për çka që ndodh sot.  Shembullin më të keq për këtë e jep shkrimtari më i përkëdhelur i atij regjimi, i cili largon nga vetja çdo përgjegjësi, edhe pse i ka veprat në shërbim të tij me okë, dhe përpiqet të fabrikojë një vete tjetër, ku paraqitet si hero i asaj kohe, madje i persekutuar nga të tjerët. Se deri në çfarë pike dehumanizuese e çon kjo kulturë e projektimit të së keqes tek të tjerët dhe e manipulimit e tregon fakti se nuk ngurron të hyjnë me çizmet e perdhunuesve në plagët e të përdhnuarve ndërkohë që s’thotë një fjalë  që në krye të pushtetit politik e ekonomik të sotëm janë ish persekutorë të asaj kohe.
Qemal Lame ka qenë prokuror deri në vitin 1982, pastaj Kryetar i hetuesisë deri në vitin 1992. Ky njeri ka çuar në vdekje njerëz të pafajshëm me akuza të fabrikuara. Të birin e madh të Mehmet Shehut këta e detyruan të pranojë se ka bërë radio transmetuese për tu lidhur me agjenturat e huaja duke e çuar në vetvrasje. Në një vend me moral njerëzor do të duhej të kishte dhënë llogari, sepse ka shkelur edhe ligjin e asaj kohe duke fabrikuar akuza të rreme. Minimalisht duhet të kishte kërkuar ndjesë dhe të kishte shpjeguar situatat që e shtynë në këto krime. Me moral njerëzor Kadare do të duhej ta akuzonte pse e ka futur Llambi Ziçishtin në kushte që të pranojë akuza që as i kanë shkuar ndër mendje, duke përmendur edhe emrin e tij. Por nuk thotë asnjë fjalë për këto, por thjesht e përdor Lamen për të shpifur kundër Lubonjës.
Veglat e Kadaresë, po të kishin një kulturë tjetër duhet të kujtoheshin se  ky bashkëpunim i tij me Lamen është i vjetër sepse Lame dhe njerëzit e tij qenë ata që çuan në psikiatri dhe pastaj internuan (duke e lënë përfundimisht invalid) një djalë të ri vetëm pse familja nuk ishte e denjë për shkrimtarit e oborrit. Po të kishin pak humanizëm, duke ditur historinë e goditjes e burgosjes e internimit 17 vjeçar të familjes sime, do të duhej të kishin kërkuar nga  Kadareja minimumi që të heshtte duke parë, në përgjigjen e parë që kam dhënë për këtë çështje, se disa muaj para arrestimit tonë, ai shkruate në Zëri i Popullit në kushte lirie se Todi Lubonja ishte një "kundërshtar i tërbuar i karakterit kombëtar në artet tona." "djathtist", "kozmopolit", "urrejtës i folklori" "antishqiptar”. Sepse dihet se për të eliminuar e burgosur armiqtë, partia lëshonte edhe fushatat e denigrimit të tyre në opinonon publik.  Por edhe të shpjegonte se si qe e mundur që njerëzit detyroheshin në atë kohë të sulmonin kështu miqtë e tyre, sepse kjo qe një gjë që ndodhte  rëndom. Kurse ata, jo vetëm nuk bëjnë këtë, por vazhdojnë të manipulojnë e të krijojnë një situatë morale me të mirë e të këqij të kthyer kokëposhtë. Shkrimtarin që në kohën kur Lubonjat dergjeshin burgjeve, u ngrit lart e më lart deri nënKryetar i Fronti Demokratik, të cilit pushteti i kishte vënë në dispozicion përkthyes për t’i botuar veprat e i ndërtonte aprtament special, i cili mburrej se atë që u kishte bërë ai armiqve me veprën e tij nuk ia kishte bërë shkrimtar tjetër, që revoltohej pse Le Monde-i shkruajti kundër Enver Hoxhës pas vdekjes së tij, që deri në vitin e fundit që ra pushteti u ka bërë proceset politike e letrare shkrimtarëve si Fishta, Konica, Koliqi e paraqesin sikur na paskërka qenë kryekundërshtari i atij regjimi.  Dhe për të bërë këtë nuk ndalen as përpara manipulimit të tragjedive të njerëzve që diç kanë bërë vërtet kundër atij regjimi, të burgosurive politikë si Lubonja, të cilët, madje, i kthejnë në protagponistë të së keqes në atë kohë, duke u kërkuar madje që të heshtin njëherë e mirë pas kësaj.
Është në logjikën e kësaj kulture dominante të pushtetit të sotëm, që vegla kryesore e këtij manipulimi është Henri Çili, sinonimi i regjimin të ri të grabitjes së shqiptarëve nga një grusht njerëzish.  Vetëm në Shqipëri ndodh që unversiteti të kenë gazeta të përditëshme që bëjnë politikë dhe që godasin edhe kundërshtarët e pushtetit deri edhe gazetarë e intelektualë, siç është universiteti privat i këtij personi. Vetëm në Shqipëri ndodh që uninversitet në vend se të jenë qendra proteste e emancipimi të shoqërisë, vatra të mendimi të lirë, janë fabrikues gënjeshtrash, qendra korruptimi të intelektualëve, të blerjes së heshtje së tyre dhe, në rast të kundërt, të shantazhimit e denigrimit. Nga shkrimtari që aspiron të marrë çmimin Nobel do të pritej që të thoshte një fjalë të vetme për masakrën që po përjeton kultura dhe arsimi në Shqipëri nga këta universitete dhe të bashkohej me  Lubonjën që ka denoncuar vazhdimisht veprimtarinë antiarsim të këtyre personazheve. Por ky përkundrazi, bashkohet me Çilin, pranon favoret e oferta që Lubonja ia ka refuzuar dhe  bashkëpunon me pushtetin e tij sepse ky i pastron ferrat si Lubonja që medemek e pengojnë që ky të marrë çmimin e madh.
Si t’i lidhim këta dy bashkpunime të Kadaresë me njerëz si Qemal Lame dhe Henri çili kundër meje? Me faktin se shkrimtari i oborrit të regjimit të parë të Lames vazhdon të njëjtën mënyrë sjelljeje me pushtetin edhe në oborrin e regjimit të dytë të Çilit.  Sepse edhe regjimi i dytë punon me të njëjtën kulturë si ajo e të parit, atë të  korruptimit të intelektulve, të përdorimit të tyre në shkëmbim të favoreve, të manipulimit të njerëve dhe të së vërtetës nëpërmjet tyre, të mbajtjes së njerëzve në injorancë si dhe atë të hapjes procese të shantazhimit e mbylljes së gojës ndaj kujtdo që i del kundër.
Sulmi ndaj meje është një provë se ky regjim nuk don t’i hapë dosjet, por t’i manipulojë ato, nuk don të reformojë drejtësinë, por ta manipulojë atë për t’i mbajtur njerëzit të shatazhuar e nënshtruar. Kushdo që ka ende shpresë se mund të jetohet pa frikë dhe me dinjitet në këtë vend, nuk duhet të trembet nga këta manipulatorë perversë, ndërgjegja e të cilëve ngarkohet përditë me mëkate sipas asaj thënies ”krimi ndjell krimin”. Përndryshe ajo që shohin në kodër shpejt do tu kthehet në votër. (Panorama, 24 prill 2017)




Read More......