Kam ndjekur me vëmendje dhe njëherësh me pikëpyetje jo
të vogla debatin që u zhvillua së fundi lidhur me zëvendësimin e kryetarit të
SHIK-ut, e që sot duket si debat i harruar. Ajo që më ra në sy mbi të gjitha
ishte superficialiteti me të cilin u trajtua çështja dhe instrumentalizimi i
saj si shfaqje e këtij, – çka shpjegon edhe pse u harrua kaq shpejt – ndërkohë
që, sipas meje, çështja meritonte një thellim, i cili do të na bënte të preknim
më nga afërt problematikën e asaj se pse kemi sot një shtet të dështuar.
Le t’i marrim me radhë disa nga momentet kryesore të
asaj që u tha, për të kaluar pastaj te ajo që nuk u tha. Opozita ngriti me të
madhe zërin se zëvendësimi i kryetarit të SHIK-ut është një hap më tej i
Berishës për kapjen e institucioneve. Kjo është e besueshme duke pasur parasysh
edhe mënyrën se si Berisha e zgjodhi Presidentin. Për këtë ajo iu drejtua
amerikanëve më shumë se sa shqiptarëve, duke na thënë se një ndërrim i tillë ishte
bërë pa konsultime me ta e gati-gati duke pritur që reagimi i tyre të ishte
fatal për Berishën. Përgjigjja e amerikanëve ishte ambigue, por, tek e fundit,
mund të thuhet se nuk ndodhi ndonjë çudi.
Ndërkaq, Berisha, pasi e ndërroi
kryetarin e SHIK-ut, hodhi edhe një akuzë jo të lehtë për të: se ai nuk ka
dhënë asnjë informacion lidhur me parapërgatitjet e 21 janarit – çka e bënte
kryetarin e SHIK-ut në mos komplotist, përgjegjës për atë që ndodhi.
Megjithatë, asnjë analizë nuk u thellua disi më tepër
mbi një pyetje që mund të ngrenë shqiptarët si taksapagues, d.m.th. si ata që
duhet të jenë përfituesit kryesorë të punës së SHIK-ut. Nga debati që kemi
dëgjuar e lexuar duket sikur SHIK-u punon si seksion i antiterrorizmit
ndërkombëtar, ose si të jetë një seksion i NATO-s apo CIA-s në Shqipëri e se
s’duhet të ngatërrohet me punët e brendshme. Por fakti nuk është kështu.
Sikurse e la të kuptojë edhe Berisha vetë me deklaratën ndaj Shaqirit lidhur me
21 janarin, ky institucion ka për detyrë t’i shërbejë edhe sigurisë kombëtare.
Por ne dimë gjithashtu se SHIK-u ka për detyrë të shërbejë edhe si institucion
me rol të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar që merret me
trafiqe të drogës, pastrimit të parave të pista dhe krime të tjera të rënda që
përbëjnë rrezik jo të vogël për shtetin dhe sigurinë e tij. Mënyra se si e
kryen SHIK-u këtë shërbim, me sa di unë, është nëpërmjet mbledhjes së
informacionit dhe pastaj dërgimit të informacioneve Presidentit, Kryeministrit
dhe prokurores së Përgjithshme. Pyetja që ngre unë si qytetar, si taksapagues,
është: Çfarë ka bërë ky SHIK-u, Bahri Shaqiri dhe të tijtë gjatë këtyre viteve
që ta meritojnë rrogën në këtë drejtim? Fakti është se po të dëgjosh ato që thotë
Sali Berisha më një anë dhe opozita më anën tjetër – dhe po t’i bashkosh ato –
ne jemi të mbytur nga krimi i organizuar, nga trafiku i drogës, pastrimi i
parave të pista. Madje nuk është nevoja të dëgjosh akuzat që bëjnë ata për
njëri-tjetrin. Është një realitet që qytetarët shqiptarë e shohin ditën për
diell. Duke pasur parasysh këtë, sipas mendimit tim, një qytetar ka absolutisht
të drejtë të thotë: SHIK-u nuk paska bërë asgjë në këtë drejtim dhe prandaj si
institucion nuk meriton paratë e taksapaguesit shqiptar – prandaj le të merret
vetëm me terrorizmin e të bëjmë një ligj tjetër për SHIK-un, mundësisht edhe që
ta paguajnë amerikanët, dhe ne të çlirohemi nga paranoja se po na përgjon
Berisha apo se mund të na përgjojë Rama nesër.
Në këtë pikë të arsyetimit do të thoja se është e
drejtë të ngremë pyetjen: Ndoshta SHIK-u ka bërë punë, por kjo është sabotuar
në hallka të tjera? Ne dimë p.sh. se edhe Policia e akuzon Prokurorinë dhe e
kundërta kur bëhet fjalë për dështimet në goditjen e krimit. A ka një mënyrë
për ta verifikuar këtë? Po. Ne jemi një shtet që ka aprovuar ligje të
standardeve europiane, pra edhe ligje që parashikojnë se si e qysh kontrollohet
puna e një institucioni si SHIK-u që, edhe pse delikat, nuk mund të jetë jashtë
logjikës së “check and balance”. Nga sa jam i informuar lidhur me këtë,
SHIK-u është një institucion i pavarur që ka të drejtën e seleksionimit të
materialeve që i dërgon Presidentit, Kryeministrit apo prokurorit të
Përgjithshëm. Pra, sipas ligjit tonë, as Kryeministri, as Presidenti dhe as
kryeprokurori nuk kanë të drejtë ta zhveshin lakuriq SHIK-un duke i hapur karta
e duke i kërkuar llogari për aktivitetin e tij. Megjithatë, ligji, që
parashikon mbrojtjen e pavarësisë së këtij institucionit kaq delikat,
parashikon edhe institucionin që ka të drejtë ta kontrollojë atë. Ky është
Parlamenti nëpërmjet një komisioni që duhet të jetë bipartizan, që të sigurojë
asnjanësinë. Ky komision ka të drejtë t’i hapë kartat SHIK-ut, të shohë se
çfarë informacionesh i ka dërguar Presidentit, Kryeministrit apo Prokurorit të
Përgjithshëm dhe kësisoj ne mund të shohim se si ka reaguar Kryeministri dhe Prokurori
i Përgjithshëm ndaj tyre, sepse, nga sa di unë, Kryeministri dhe Prokurori kanë
të drejtë, por edhe detyrë të vendosin shënimin “të ndiqet” kur bëhet fjalë për
gjëra me rrezikshmëri për vendin.
Pra është shumë e lehtë: nëse Berisha, kur ka qenë në
opozitë, ka dashur të kontrollojë Bahri Shaqirin – por edhe si Kryeministër - për
aktivitetin e institucionit të tij që e konsideronte të mangët, fare mirë mund
të kishte kërkuar ngritjen e një komisioni parlamentar që do t’i hapte këtij
kartat. Po ashtu: nëse opozita do të dojë të dijë se përse SHIK-u nuk ka punuar
mirë në lidhje me shumë nga akuzat që ajo ka ngritur duke filluar që nga rasti
“Gërdeci” apo “21 janari”, do të duhej të kërkonte një komision parlamentar që
do t’i hapte kartat SHIK-ut, që do të kërkonte të dinte edhe se çfarë i ka
dërguar ky Kryeministrit dhe pse ky nuk ka vënë shënimin “të ndiqet” për
çështje kaq djegëse, nëse i ka shkuar ndonjë gjë.
Mirëpo, në fakt, asgjë e
tillë nuk bëhet. Përshtypja ime është se askujt nuk i intereson vërtet që
SHIK-u të punojë kundër krimit të organizuar në Shqipëri dhe as që të hapen
kartat e tij. Interesi i vetëm është që të luhet ky teatër. Afërmendsh, arsyeja
më bindëse se pse ndodh kjo është ngase të dyja palët kanë frikë nga e vërteta,
si e asaj që ka ndodhur në të kaluarën, ashtu edhe e asaj që po ndodh. Dyshoj
shumë se edhe njerëzit e SHIK-ut e kanë “respektuar” këtë frikë dhe kanë
qëndruar në hijen e idesë se ata punojnë kundër terrorizmit dhe se puna e tyre
lidhet me interesat e amerikanëve, prandaj më mirë të mos i fusim hundët te
krimi i organizuar që ka kapur shtetin.
Sipas meje, kemi të bëjmë me një hallkë të rëndësishme
të shtetit që s’punon e që edhe me heshtjen e vet flet shumë për atë se si
punojnë hallkat e tjera. Madje, deri tani duket se kemi qenë të lumtur që
s’punonte për keq, siç punojnë shumë hallka të tjera të shtetit. Gati-gati të
vjen të ngresh pyetjen: Mos do të ishim më mirë sikur të mos kishim jo vetëm
SHIKU-n nëpër këmbë, por të mos e kishim nëpër këmbë edhe këtë shtet kësisoji?(Panorama,
13 shtator 2012)
No comments:
Post a Comment