Po të shprehja me dy fjalë
problemin kryesor që ka klasa jonë politike sot në raportin me publikun do të
thoja: i mungon kredibiliteti.
Ç'kuptohet me kredibilitet të një
force politike? Thjesht çfarë kuptohet
edhe në raportin tonë me një njeri tjetër: mbajtja e fjalës së dhënë, e premtimeve,
përputhshmëria e asaj që thua me atë që bën.
Nëse do të kujtojmë premtimet
elktorale të Partisë Socialiste përpara zgjedhjeve nuk mund të mos bjerë në sy
lehtësia me të cilën janë bërë disa premtime dhe, po ashtu, lehtësia me të
cilën janë "harruar" ato. Psh: premtimi i shërbimit shendetsor falas,
premtimi i legalizimeve gratis, i kompensimit të plotë brenda dy vjetëve të ish
të përndjekurve politikë; premtimi për transparencë, premtimi për 300 000 vende
pune, premtimi për konkurse të ndershme dhe jo pa to ose me farsa konkursesh.
Për të mos përmendur historinë e armëve kimike ku Kryeministri, ndërkohë që na
kishte premtuar se pushtetin e kishim ne, populli, ndërsa ai ishte thjesht
shërbyes, u kishte premtuar amerikanëve me kokë të vet t'i sillte ato në
Shqipëri.
Normalisht mjafton një gënjeshtër
për të humbur besimin kurse maxhoranca ka bërë shumë të tilla. Për të mbuluar
këto gënjeshtra është përdorur "arka bosh" e shtetit e lënë nga
PD-ja. Por a mund të thuhet se nuk e dinin që arka ishte bosh. Jo. E kemi ditur
të gjithë - madje Rama i ka denoncuar
borxhet që kur ishte në opozitë. Dikush mund të ngrerë pyetjen: po si thua ti,
a mund të fitonte PS-ja sikur të dilte e të thoshte: "o njerëz, ne nuk ju
premtojmë gjëra që s'i realizojmë dot, veçanërisht pa parë një herë se si është
arka e shtetit pasi kemi shumë të dhëna që ajo është bosh." Sipas meje po
- sikur të shtonte edhe diçka tjetër: "por ne ju premtojmë se të gjitha
ato që kemi premtuar do t'i mbajmë e mbi të gjitha premtimin se nuk do t'ju
vjedhim e grabisim." - e ta bënin këtë realitet. Por askush nuk e ndërmerr
këtë lloj politike. Pse kështu? Mos ngase u është krijuar bindja se gënjeshtra
me këtë popull funksionon më mirë për pushtetin sesa e vërteta? Sipas meje, jo,
është më e komplikuar se kaq. Por le ta shtjelloj idenë time pasi të shkruaj
edhe për kredibilitetin e opozitës.
Problemi i opozitës me kredibilitetin
sipas mendimit tim, është sot edhe më i madh. Sepse jo më larg se disa muaj më
parë ajo është ndëshkuar pikërisht për zhgënjimet e mëdha përsa i përket
premtimeve të pambajtura. Prandaj tingëllojnë padurueshmërisht jo kredibël
deklarimet e Berishës kundër mafjozëve ndaj të cilëve kishte premtur luftë -
madje ishte i detyruar të luftonte kur ishte në pushtet - dhe që, në fakt,
gjatë qevrisjes së tij, qënkan fuqizuar aq shumë sa i morën edhe pushtetin.
Janë po ashtu të pabesueshme "analizat" e Bashës nëpër takimet që bën
sipas të cilave zgjedhjet u humbën për shkak se opozita i mashtroi qytetarët me
premtime të gënjeshtërta, të cilat ata, naivë deri në idiotësi, i besuan.
Por kriza e kredibilitetit të
opozitës thellohet edhe më kur ke parasysh jo vetëm hendekun midis asaj që ka
premtuar e asaj që ka bërë në pushtet, por edhe midis asaj që ka thënë kur
ishte maxhorancë dhe asaj që thotë sot. Lulzim Basha deklaroi para disa ditësh,
duke cituat Reganin, se problemi në një demokraci "është gjithmonë qeveria" jo
opozita. Por deri dje a nuk ia faturonin opozitës destruktive të Ramës shumë
mosrealizime të tyre? Si ka mundësi që tani bëjnë thirrje për revolta popullore
- dhe ta do mendja se e kanë fjalën për një simulim revoltash me militantë e
vet, siç ka bërë edhe opozita e mëparëshme? A nuk jemi në aplikimin sot
pikërisht të asaj që kanë denoncuar dje?
Sipas meje e di edhe Basha vetë
që thotë të pavërteta të mëdha. Edhe ai, ashtu si rivali i tij në pushtet,
duket sikur pandeh se gënjeshtra funksionon më mirë sesa e vërteta. Po a është
kështu? Apo janë të shtrënguar të gënjejnë pasi nuk e thonë dot të vërtetën,
gjithë të vërtetën.
Për mua është kjo e dyta: thonë
gjysëm të vërtetat e tjetrit që asgjësojnë njëra tjetrën pasi nuk thonë dot të
vërtetën e tyre. Dhe kjo ka kohë që ndodh duke u rrëzuar përtokë
kredibilitetin. Por problemi është: si qëndrojnë në këmbë këto parti me këtë
kredibilitet të rrëzuar? Sipas meje dy janë faktorët kryesorë që kompensojnë
mungesën e kredibilitetit dhe justifikojnë gjuhën e gënjeshtrave: I pari është
monopoli ndaj politikës që kanë dy partitë kryesore. Njerëzit janë të detyruar
të blejnë mallin e tyre fallco pasi në tregun e politikës nuk ka mall tjetër. E
dyta, ky monopol mbahet në këmbë nëpërmjet luftës së vazhdueshme për militantizimin
e shoqërisë ndryshe llogorizimin e njerëzve, ndarjen e tyre sipas slloganit
enverist "o me ne, o kundra nesh". Dhe kjo sjell zhdukjen e
hapësirave ku mund të lindë diçka e re apo të qëndrojë pjesa më racionale e
shoqërisë, por edhe institucionet e pavarura të tilla si mediat, gjyqsori,
shoqëria civile. Kjo luftë justifikon edhe gënjeshtrën si mjet. Kredibiliteti i
humbur i partive kompensohet kësisoj me besnikërinë e militantëve, me
mobilizimin e tyre për luftë kundër armikut (në fakt për vende pune) si dhe
(kur vjen puna për t'iu drejtuar pjesës së zhgënjyer) me thirrjen për zgjedhjen
e të keqes më të vogël.
Në periudhën ku kemi hyrë
maxhoranca është duke përdorur në fuksion të kësaj strategjie tre elementë
kryesorë: së pari po shfrytëzon namin e keq që ka lënë opozita sotme kur ka qenë në
pushtet. Pra duke vazhduar të denoncojë e të nxjerrë prova që tregojnë se sa
larg kishte shkuar në korrupsion e skandale e në dëme, sikur kërkon të lerë në
harresë premtimet e gënjeshtërta që na ka bërë. Së dyti, po punëson sa të jetë
e mundur të vetët duke zëvendësuar përsëri kredibilitetin me militantizmin. Së
treti, po përdorur karrotat e pushteti, duke afruar sa të jetë e mundur
intelektualë, gazetarë në krahun e vet. Kësisoj denoncimi i gënjeshtrave apo
mosmbajtja e premtimeve i mbetet vetëm armikut i cili - për shkak të pikës së
parë - nuk është kredibël. Me këtë nuk dua të them se s'ka bërë asnjë punë të
mirë në kahun e mbajtjs së ndonjë prej premtimeve, por dominante më duket çka
thashë më sipër
Opozita, nga ana e vet, në
traditën e vjetër po synon të rifitojë kredibilitetin e humbur duk u mjaftuar
me denoncimin e të keqijave që po bën maxhoranca. Nuk jam kundër, por si po e
bën këtë dhe a mjafton kjo? Është krijuar një situatë kaq absurde saqë i sheh zëdhënësit e opozitës të shprehin ditë për
ditë një lloj gëzimi mediatik për çdo vrasje që ndodh në Shqipëri pasi kjo
provokërka se sa poshtë ka rënë policia që tani drejtohet nga kundërshtari.
Megjithëse njerëzit e dinë mirë se tërë problemet me krimin e vështirësitë
ekonomike tek ne janë probleme të trashëguara, opozita vazhdon tu flasë atyre
sikur të jenë militantë syverbër. Dhe e bën këtë me vetdije, sipas strategjisë
që përmenda më sipër. Në fakt kredibiliteti i një opozite si kjo që kemi do të
mund të fitohej ose nëpërmjet një pendese të madhe - që më të shpeshtën
shoqërohet edhe me dorëheqje të rëndësishme; ose me një pastrim të madh, që më
së shumti bëhet nga të rinjtë në parti. Kurse opozita jonë nuk shfaq as pendim
dhe as pastrim. Vetëm denoncon duke dashur të përçojë idenë se përderisa i
denoncoj këto gjëra, kur të vi në pushtet nuk do t'i bëj. E dinë edhe vetë se
nuk ka ndodhur kështu, por pune e madhe që nuk ka ndodhur kështu. Ajo që ka
ndodhur ka qenë ardhja, megjithatë, në pushtet. Mjaft të presësh gabimet e
kundërshtarit dhe të luftosh pa rreshtur për polarizimin dhe boshatisjen e
hapësirës midis dy armiqve dhe këto e zëvendosojnë për mrekulli pendesën dhe
pastrimin. Shtoi kësaj edhe idenë e
kultivuar nga gazetarët e llogoreve që e quajnë "antiopoizitarizëm"
kundërvënien ndaj opozitës që asaj t'i duket se puna e gazetarëve apo shoqërisë
civile është marrja vetëm me qeverinë dhe heshtja ose mbështetj ndaj saj ndaj
saj se përndryshe janë shërbëtorë të pushtetit. Kësisoj, nuk do të vonojë dita
kur do të hedhë edhe parrulllën "të bashkohen të gjithë plehërat kundër
Ramës"
E vërteta është se kësaj
strategjije militantizimi të shoqërisë i ka dalë boja. Njerëzit e dinë mirë se
problem mund të jetë maxhoranca, mund të jetë opozita, mund të jenë edhe të
dyja dhe se tek ne është mëse evidente se që të dyja kanë problemin e madh të
mungesës së kredibilitetit. Në këto kushte nga një maxhorancë sadopak racionle
pritet që të reshtë përdorimin e pushtetit për të militantizuar njerëzit - dhe
të fillojë të lerë hapësirat për ata që duhet të jenë media, shoqëri civile e
institucione të pavarur e jo t'i pushtojë ato. Nga opozita pritet të bëjë
denoncimin e së keqes brenda vetvetes më së pari që të mund së sjellë pastrim
dhe pendim e prandaj edhe kredibilitet dhe mbështetje nga të pavarurit dhe jo
militantizimin e shoqërisë. Por nga sa duken bathët ky vullnet politik mungon
krejtësisht nga të dy palët. Prandaj ka vetëm një rrugë: u duhet marrë me guxim
dhe përditë hapësira që ata tentojnë ta uzurpojnë çdo ditë. Të presësh që ata
do të mundësojnë hapjen e këtyre hapësirave vetë është iluzion me pasoja të
rënda. (Panorama,
22 janar 2014)
No comments:
Post a Comment