Ndeshja Serbi-Shqipëri më gjeti në
Britani, ku sapo kisha mbërritur, i ftuar me rastin e botimit atje të librit
tim “Nëntëdhjeteshtata - Apokalipsi i Rremë”. Të tjera mendime pra më silleshin
në kokë nga ato të tifozëve kuq e zi. Megjithatë, edhe pse i zhytur në punët e
mia, e nuk mund ta ndiqja ndeshjen, isha kurioz dhe, sapo u ktheva në hotel,
hapa një faqe interneti shqiptare për të parë rezultatin. “Serbi –Shqipëri 0-3”…ishte
titulli. Paska ndodhur mrekullia, thashë me vete, u paskemi shënuar serbëve tre
gola në fushën e tyre!
Klikova për të parë se si kishte shkuar ndeshja dhe, ç’të
shihja. Ajo nuk kishte përfunduar, por sapo kishte filluar. Nisa kështu të
ndjek lajmet dhe videot nëpër internet. Pashë ato që i kanë parë të gjithë, por
që nuk i kemi përjetuar njëlloj më duket. Personalisht, sa më shumë mësoja, aq
më shumë më kapte një ndjenjë ku pleksej habia, befasia me zhgënjimin. E them këtë
pasi ka vite që e konsideroj veten ndër ata që punojnë për të ndërtuar në Shqipëri
dhe në Ballkan një realitet ku personaliteti, dinjiteti dhe mirëqenia e
njeriut, respekti për tjetrin, afirmimi nëpërmjet punëve të mira të jenë më të
rëndësishëm sesa identiteti apo krenaria boshe kombëtare e shprehur në një fushë
futbolli. Kurse ajo që pashë ishte mbytja e të gjithëve në një fushë futbolli –
nëse mund të perifrazoj shprehjen: “të mbytesh në një gotë ujë”.
Sa më shumë ndiqja lajmet e komentet, aq
më shumë ndihesha si një humbës i pafuqishëm përpara një mase të madhe të
ekzaltuarish, të çmendurish, të izoluarish, të vetizoluarish nga bota që kishin
pushtuar jo vetëm Beogradin, por edhe Tiranën e Prishtinën, jo vetëm shkallët e
stadiumeve, por edhe rreshtat e gazetave e të rrjeteve sociale. Jo se nuk i
njoh ndjenjat e urrejtjes nacionale, të mburrjes nacionale apo të frustrimeve
nacionale të ballkanasve, por e mendoja të tejkaluar mundësinë e një ngjarjeje
të tillë. Dhe, s’kam parasysh vetëm fushën, por, më së shumti, atë që ndodhi e
po vazhdon edhe pas saj. Nuk mund të gjesh shembull më të mirë për ta ilustruar
thënien e Jaspersit: “Tragjedia fillon atje kur të dyja palët e identifikojnë
veten me të vërtetën”. Mund të ishte edhe më e saktë po të thuhej: kur të dyja
palët e identifikojnë veten me gënjeshtrën dhe manipulimin që u bëhet.
Dy popuj të frustruar
Është më e lehta të rreshtoj në këtë shkrim ato që janë thënë për tifozët serbë dhe politikanët serbë. Mund të ndihesh rehat i rreshtuar në numrin e panumërt të shqiptarëve patriotë. Prandaj nuk dua të zgjatem me ta e përgjegjësitë e tyre për këtë që ndodhi. Në fakt, që kur u hap lajmi se serbët kishin kërkuar që të mos kishte tifozë shqiptarë, u bë e qartë se ata nuk u trembeshin shqiptarëve, por tifozëve të tyre; çka flet shumë për atë që serbët e jetojnë me një frustrim të madh çka u ka ndodhur në Jugosllavi duke e gjetur gjithë të keqen jashtë tyre, te fqinjët e tyre dhe te Evropa, ndërkohë që janë protagonistët numër një. Sepse është e papranueshme që pas tragjedive që kanë ndodhur të lëshohen në një stadium thirrje vdekjeje për fqinjët. Por u takon më së shumti intelektualëve serbë të mbajnë qëndrim për këtë dhe për fat të mirë ka syresh.
Dy popuj të frustruar
Është më e lehta të rreshtoj në këtë shkrim ato që janë thënë për tifozët serbë dhe politikanët serbë. Mund të ndihesh rehat i rreshtuar në numrin e panumërt të shqiptarëve patriotë. Prandaj nuk dua të zgjatem me ta e përgjegjësitë e tyre për këtë që ndodhi. Në fakt, që kur u hap lajmi se serbët kishin kërkuar që të mos kishte tifozë shqiptarë, u bë e qartë se ata nuk u trembeshin shqiptarëve, por tifozëve të tyre; çka flet shumë për atë që serbët e jetojnë me një frustrim të madh çka u ka ndodhur në Jugosllavi duke e gjetur gjithë të keqen jashtë tyre, te fqinjët e tyre dhe te Evropa, ndërkohë që janë protagonistët numër një. Sepse është e papranueshme që pas tragjedive që kanë ndodhur të lëshohen në një stadium thirrje vdekjeje për fqinjët. Por u takon më së shumti intelektualëve serbë të mbajnë qëndrim për këtë dhe për fat të mirë ka syresh.
Po me shqiptarët ç’ke? Më duket se i dëgjoj
patriotët të më thonë. Nuk e kam aq shumë me ata mendjendritur që kishin përgatitur
kundërpërgigjen me atë flamur-hartë të Shqipërisë së Madhe, pa menduar asnjë çast
se kjo mund të ndizte një valë antishqiptare në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi e
Greqi dhe do të na vinte në pozitë të vështirë përpara Europës, paçka se është
tejet e ekzagjeruar të thuash se kjo synonte të destabilizonte rajonin. E kam
me ata shqiptarë që ndërtojnë opinionin që këtë hartë e quajtën vazhdimisht “flamur
shqiptar” dhe që mbrojtjen e saj nga futbollistët tanë e festuan si akt heroik,
si fitoren e ndeshjes. E kam me ata politikanë, gazetarë e persona publikë
që u shkrinë me pasionin e tifozerisë patriotike dhe që nuk guxuan të thonë se
ky ishte një akt i dënueshëm. E kam edhe me ata që nuk lanë gjë pa thënë për
ata evropianë që nuk u shprehën ashtu si donin ata të shpreheshin për këtë akt
duke iu kthyer edhe një herë shprehjeve të rrënjosura “Evropa kurvë” e ku di unë.
E kam me ata që kërcënonin deri Kryeministrin tonë - që po të shkonte në
Beograd do të bënte mirë të mos kthehej më prej andej. Edhe këto janë shenja të
një frustrimi të madh.
Hej djema, a e dini se në vitin 1969 ka
ndodhur një luftë e vërtetë midis Salvadorit dhe Hondurasit, që mori shkas nga
ndeshjet kualifikuese për në Kampionatin Botëror të vitit 1970? Sigurisht,
shkaqet ishin më të thella, por lufta me viktima të shumta mori flakë nga
konflikti midis tifozëve në dy stadiumet rivale. A doni vërtet të na çoni në
luftë?
Streha e fundit e horrave
Ditën që luhej ndeshja kisha bërë një
shkrim që ia dërgova “Panorama”-s. Ishte mbi përgjimet që na kanë bërë; gjë kjo
jo e vogël sipas mendimit tim, madje shumë më e rëndësishme sesa të humbësh një
ndeshje futbolli, qoftë kjo edhe me Serbinë. Duke parë valën nacionaliste që
kishte shpërthyer, kryeredaktori më kërkoi ta shtynte botimin. Rashë dakord. E
botoi pas tri ditësh dhe komentet ishin: ç’janë këto gjëra që na shkruan ti
more ndërkohë që ne kemi këtë hall të madh? Ishte prova më e mirë se mjafton të
ndezësh një pasion futbollistiko- nacionalist dhe i ke mbuluar tërë problemet,
tërë çarjet e përçarjet; mund të të përgjojnë, mund të të vjedhin, mund të të
shkatërrojnë qytetin, të të lënë pa punë, por kjo s’ka rëndësi sa kohë që kokën
e ke të mbushur me urrejtje për armikun.
Duhet ta rikujtojmë vazhdimisht thënien “Nacionalizmi
është streha e fundit e horrave”. Ndërkohë që kemi aq shumë probleme brenda
vendeve tona që kërkojnë pasion e vullnet për t’i zgjidhur, sakrifica po ashtu,
i kanalizojmë pasionet në një absurditet si ai që pamë. Por kjo nuk është
rezultat i një çasti, i një rastësie, që, siç thonë disa, do të ishte evituar
sikur të mos na binte shorti i ndeshjes me Serbinë. Kjo është rezultat i një
kohe të gjatë që jemi në krizë morale, ekonomike, politike. Manipulimi me idenë
se nxitja e nacionalizmit, gjetja e armikut jashtë nesh është një nga mënyrat për
t’u ikur këtyre problemeve dhe krizave, është praktikë e njohur që aplikohet në
mënyrë koshiente dhe inkoshiente sapo shfaqet rasti. Ka shumë nga ata që pasi
nuk kanë lënë gjë pa bërë për t’u pasuruar vetë duke rrënuar këtë vend, kërkojnë
të na dalin tani si patriotë e shpëtimtarë kundër serbëve nëpërmjet një
ndeshjeje futbolli. Por po t’u kërkosh se çfarë akti të mirë kanë bërë brenda
vendit për shqiptarët, zor se do t’u gjesh një të vetëm. Se ç’ishte një
biznesmen që u jepte lojtarëve një shumë të hatashme po të fitonin. Po e pyes
atë: Po pse s’i jep ti ato para për të ndërtuar një shkollë për fëmijët
shqiptarë që janë nga 50 në një klasë?
Shqipëria e Madhe
Nuk mendoj se ideja e Shqipërisë së
Madhe përbën një rrezik real siç u fry në këtë rast, pasi shumica e shqiptarëve
janë të vetëdijshëm për problematikën e madhe që ajo mban. Por është shqetësues
fakti se ushqimi i një ideje të tillë ndikon për të mbajtur vështrimin e shumë
shqiptarëve në një drejtim të gabuar. Aq më tepër të të rinjve që duket sheshit
se janë në krizë. Unë ngulmoj në mendimin se konteksti gjeopolitik e kulturor
ku ndodhemi nuk është ai ku Skocia voton paqësisht me referendum për shkëputjen
nga Britania dhe skocezët nacionalistë e pranojnë humbjen pa problem. E tregoi
edhe kjo ndeshje se çfarë hendeku na ndan nga bota ku duam të hyjmë. Prandaj
mendoj se ne shqiptarët kemi nevojë për një shtet më të mirë, për njerëz më të
mirë, më të arsyeshëm, më të kulturuar; se për këtë duhet t’i hedhim energjitë
dhe pasionet dhe jo për një shtet më të madh; se nuk mund t’i zgjidhim
problemet e shumta që kemi nëpërmjet zmadhimit të territorit, përkundrazi, kjo
luftë e armiqësi me fqinjët do ta vononte ndërtimin e një shteti më të mirë
kudo ku jetojnë shqiptarët. Dhe, gjithë në këtë kontekst, mendoj se një nga
rreziqet që paraqet kjo valë nacionalizmi futbollistik janë edhe frustrimet që
krijon brenda vendit flaka nacionaliste që u ndez në Tiranë. Ajo rrezikon më së
shumti të djegë vetë shqiptarët ngase mund të mbysë zërat racionalë që kërkojnë
shtetin më të mirë, jo shtetin më të madh, paqen, bashkëjetesën dhe harmoninë në
Ballkan, dhe jo urrejtjen dhe konfliktet, që kërkojnë njeriun që ngrihet lart nëpërmjet
punëve krijuese e ndërtuese, dhe jo njeriun që kërkon të duket nëpërmjet luftërave
e konflikteve shkatërruese. E pamë se ku e çoi Serbinë ky njeri.
Kjo klimë vë në rrezik deri lirinë e
fjalës. Ishte e pabesueshme se si ishin çmendur të gjitha masmediat shqiptare në
mbulimin e kësaj ngjarjeje ku gazetarët më së shumti rendnin për të treguar se
cili është më patriot se tjetri. Ishte një provë dramatike se elita jonë ka
mbetur ende e izoluar dhe me sindromën e shekullit të kaluar të intelektualit që
ndien si detyrë të parë të mbrojë kombin e vet të viktimizuar nga të tjerët me çdo
mjet, qoftë edhe duke humbur edhe atë që duhet ta karakterizojë: inteligjencën.
Siç ka treguar jo një herë historia, në
këto situata gjëja më e lehtë është të shkrihesh me turmën dhe euforinë e saj,
kurse më e vështira, por edhe më e rëndësishmja, është të kërkosh ta ndalësh
marrëzinë; në rastin konkret të thuash se kemi edhe ne përgjegjësinë tonë, se
nuk duhet të festonim pas asaj që ndodhi, por të ndiheshim keq.
Elitat politike
Nuk dua të mendoj kurrsesi se mund të
identifikohet e gjithë Serbia me dhunën dhe urrejtjen që demonstruan tifozët
serbë në stadium, ashtu sikurse nuk mund t’i identifikoj tërë shqiptarët me ata
që bënë provokimin e papërgjegjshëm dhe festuan në mënyrë të papërgjegjshme një
ngjarje që meritonte shqetësim të thellë. Por gjithsesi, mendoj se elitat
politike në Shqipëri dhe Kosovë kanë një përgjegjësi të madhe për këtë që
ndodhi. Ajo më kryesorja, sipas meje, ka të bëjë me gjuhën e dyfishtë që përdorin:
një për brenda përbrenda vendit ku dominojnë thekse nacionaliste e fjalë të mëdha
për bashkimin (mjaft të kesh parasysh takimin që u krye midis dy qeverive në
Prizren para disa muajsh) dhe një tjetër për ndërkombëtarët, për paqen, bashkëpunimin
dhe integrimin evropian, por ndërkaq duke ua bërë me sy shqiptarëve se këto janë
sa për sy e faqe.
Unë gjykoj se është e rëndësishme të
ndryshohet kjo gjuhë e dyfishtë duke njehsuar atë që thuhet për jashtë me atë që
thuhet brenda vendit mbi të gjitha. E kjo s’bëhet me batuta si ato të Edi Ramës
në Twitter që kërkojnë t’ua hedhin të dyja palëve, por duke u folur njerëzve me
guxim, me bindje e sinqeritet se e ardhmja e këtij rajoni nuk duhet të njohë më
luftëra e urrejtje, por punë, krijimtari e paqe. E për këtë nuk mjaftojnë
takimet e liderëve që i bëjnë sa për të gënjyer Europën, por duhet takimi i
njerëzve të çliruar nga ndjenjat e frustrimit dhe urrejtjes për njëri-tjetrin.
Dhe kjo arrihet duke punuar përditë brenda vendit për njerëz më të mirë e më të
kulturuar. Shpresoj se Rama do të shkojë në Serbi me një reflektim të thellë për
këtë, dhe jo si përfaqësues i të papërgjegjshmëve që kërkojnë që ndeshjen në një
fushë futbolli ta transferojnë në një luftë ushtrish të të dyja vendeve.
Evropa e dobët
Sipas meje, për gjuhën e dyfishtë të
politikanëve ballkanas, që ka ndikuar shumë në këtë që ndodhi, nuk mund të mos
fajësohet edhe Evropa, me ambiguitetet dhe kontradiksionet që ekzistojnë brenda
saj, duke hyrë edhe ajo në një periudhë krize duke humbur autoritetin dhe
atraktivitetin e saj, madje duke u infektuar edhe ajo nga nacionalizma gërryese
e përçarëse.
Kjo që ndodhi shpresoj se do t’i bëjë
evropianët të mendojnë pak më me përgjegjësi. Për fat të mirë e të keq, arbitri
i kësaj çështjeje mbeten ata, pasi ne nuk jemi në gjendje të marrim fatet tona
në duar. Sipas meje, të dyja palët do të marrin një shuplakë të merituar. Serbët
për mënyrën se si i pritën shqiptarët në stadium, për fishkëllimin e Himnit
kombëtar, për thirrjet “vdekje shqiptarëve”, për dhunën që shpërthyen duke
treguar se në Serbi është punuar pak për të dekontaminuar shoqërinë nga
nacionalizmi serb që është përgjegjësi kryesor i tragjedisë që ndodhi në
ish-Jugosllavi, kurse shqiptarët për provokimin e papërgjegjshëm me hartën e
Shqipërisë së Madhe, por më së shumti për papërgjegjshmërinë me të cilën e
trajtuan më pas tërë ngjarjen, me festimet absurde nacionaliste dhe mungesën e
një reflektimi sado të vogël mbi përgjegjësitë e tyre për këtë që ndodhi. (Panorama,
21 Tetor 2014)
No comments:
Post a Comment