Në kronikat e operacionit së
zbulimit të fabrikës së kokainës në Xibrakë të Elbasanit dhe arrestimit të një
grupi trafikantësh ka spikatur në media, veçanërisht, emri i nipit të
diktatorit Hoxha. Një sërë teorish konspirative janë ngritur me këtë rast,
sipas meje duke shpërqendruar, qëllimisht ose jo, vëmendjen nga thelbi i çështjes
që ngre kjo ngjarje. Vëmendja dhe shqetësimi që bart ky operacion, sipas meje, është
krejt tjetër nga kurioziteti që mund të ngjallë tek një pjesë fakti se ndër të
arrestuarit na qenka edhe nipi i Enver Hoxhës.
E para gjë që duhet thënë, duke
komentuar këtë operacion është se droga dhe trafikimi të saj nuk bien si një
rrufe në qiell të kaltër. Qielli i Shqipërisë ka vite e vite që është dëshmitar
i mbjelljes së marjoanës nga jugu në veri dhe i trafikimit të saj së bashku me
drogëra të tjera. Së fundi ai është bërë dëshmitar i transportimit të saj edhe
me avionë të ardhur posaçërisht nga Italia.
Po ashtu, prej kohësh është folur
për industrinë e pazakontë të ndërtimit në Shqipëri, për numrin e pazakontë të
kafe - bareve dhe restoranteve apo të karburanteve në një kohë kur vendi
prodhon shumë më pak të mira materiale që të mund të sjellin të ardhura
financiare për t'i justifikuar këto investime - duke u shpjeguar kjo ekonomi, e
ashtuquajtur "shërbimi", ku më hapur e ku më me doreza, si lavatriçe
e pastrimit të parave të pista të
drogës.
Ajo çka është më e keqja lidhet
me atë se, sipas asaj thënies së njohur "politika është shprehje e
koncentruar e ekonomisë", - që nëse nuk është njëqind përqind e vërtetë ka
shumë të vërtetë brenda - ky aktivitet kriminal, dora dorës që është zhvilluar,
jo vetëm që ka pushtuar ekonominë e vendit por, nëpërmjet saj, ka kapur edhe
politikën e mediet në Shqipëri e akoma më keq ka pervertuar një shoqëri të tërë
përsa i përket moralit dhe sistemit të saj të vlerave kulturore. Në këtë aspekt
të fundit, do të thosha, fakti që ky aktivitet ka depërtuar deri edhe në
familjen e ish diktatorit që, sadokudo bën pjesë në kategorinë e njerëzve të
shkolluar apo edhe të së fejuarës së tij, këngëtare e njohur, flet shumë. Ai denoncon vlerat e një
shoqërie të dukjes, të imazhit, të mashtrimit e hipokrizisë, ku njerëzit janë tjetër në atë që
shesin si imazh publik dhe krejt tjetër në të vërtetë. Aq sa elita e këtij
vendi, dora dorës që kalon koha, në vend se t'i afrohen vlerave meritokratike,
shkojnë drejt atyre vlerave që
mund t'i quajmë të imazheve të droguara, në sensin figurativ dhe real të
fjalës.
Poende, edhe demokracia dhe liria
në vend janë të cunguara dhe të kërcënuara si rrjedhojë e faktit se ekonomia,
politika apo sistemi i vlerave janë tejet të prekura nga ky aktivitet kriminal.
Kjo jo thjesht sepse krimet që kanë kryer gjatë viteve trafikantët e drogës kanë
mbjellë në vend një klimë frike dhe terrori aq sa në mediet tona shpesh e më
shpesh ata që janë vrarë janë mbiquajtur me emrin e dukjes: "biznesmenë ndërtimi"
apo edhe thjesht "bisnesmenë", por për sistemin që kanë ngritur duke
kapur ekonominë, politikën, mediet, kulturën: drogokraci.
Këto janë gjëra të ditura, veçanërisht
nga ata që merren me politikë dhe gazetari, por edhe më gjerë. Pjesërisht dihen
edhe emrat edhe lidhjet që kanë këta grupe me njerëzit e politikës dhe pjesërisht
është shumë e lehtë të zbulohen - mjaft që shteti të hetojë burimin e pasurive
të dyshimta të shumë prej qytetarëve të vet. Vështirësia ka qëndruar në ato që
thash më sipër.
Prandaj, sipas meje, ka shumë vëmendje
lidhur me këtë operacion të fundit. Pyetja thelbësore që ngre opinioni është: a
po bëhemi me këtë operacion dëshmitarë të përpjekjes së pastrimi të ekonomisë,
të politikës, të shtetit të krejt shoqërisë shqiptare nga intoksikimi i drogës,
apo jo?
Përgjigja në sy të parë është
tejet kontradiktore sepse ngjarja mund të ndahet në dy pjesë. Njëra është ajo
ku ngulmon maxhoranca që thotë me mburrje se ky është zbulimi i fabrikës më të
madhe të drogës në Shqipëri dhe eliminimi i saj, sëbashku me rrjetin, është në
vazhdën e operacioneve si edhe ai i Lazaratit apo Dukagjinit. Dhe nuk mohohet
se gjatë kësaj maxhorance ka pasur disa operacione kapjeje laboratorësh përpunimi droge si dhe kundër
kultivimit dhe trafikimit të saj.
Por ka edhe një gjysmë tjetër të ngjarjes që bazohet në disa pikëpyetje
që ngre ky operacion. Pikëpyetja e parë është se si ka mundësi që kjo fabrikë -
më e madhja në Ballkan - qënka ngritur pikërisht në kohën kur është maxhoranca
në pushtet, madje një maxhorancë që i ka shpallur luftë botërisht drogës. Kësaj
i shtohet edhe pyetja: nëse është e vërtetë se rrjeti e ka kryer aktivitetin më
parë jashtë, siç thuhet në disa media, fakti që tani vendosën ta zgjerojnë në
Shqipëri, a nuk të bën të dyshosh se kanë pasur një garanci më të madhe, pikërisht
pse janë afër apo edhe sponsorë të kësaj maxhorance - siç pretendon edhe
opozita? I shtohen këtyre pyetjeve edhe disa informacione lidhjesh farefisnore
apo miqësore apo të biznesit të një pjese të këtyre njerëzve me pushtetarë
socialistë. Shtohet gjithashtu edhe një pyetje që është ngritur së fundmi: në
një kohë që policia dhe prokuroria mburren që kanë mbajtur sekretin si
shpjegohet që kanë ndërhyrë që të nesërmen e ditës kur është zbuluar laboratori
(13 janar) ndërkohë që ta do mendja se për të zbuluar bashkëpunëtorët e rrjetit
në dogana e kufi apo edhe pritësit në Gjermani do të duhej të ndiqej i gjithë
trafiku? A mos vallë ndërhyrja me kaq shpejtësi është bërë për të mbuluar gjurmët
e kokave më të rëndësishme.
E pra, nëse gjysma e parë e
ngjarjes të bën të shpresosh, gjysma e dytë të bën të dyshosh se ose operacioni
është kryer për shkak të presionit të gjermanëve dhe është dështuar me qëllim
duke mbetur tek peshqit e vegjël, ose që brenda socialistëve ka grupe rivale që
kërkojnë të kontrollojnë këtë "biznes", ose që brenda maxhorancës ka
një pjesë që kërkon sinqerisht ta luftojë këtë të keqe dhe një pjesë tjetër që
kërkon ta mbajë në pushtet dhe ta
zhvillojë.
Rezultati përfundimtar i këtij
operacioni, nëpërmjet procesit hetimor dhe gjyqësor që do ta pasojë atë, do të
na japë përgjigje ndaj këtyre dilemave. Përgjigje që lidhen me atë se sa do të
kërkohet të zbulohen e të asgjësohen kokat, rrënjët e degët e këtij
rrjeti, të cilit, deri tani, duket
sheshit se i kanë mbetur shumë pjesë jashtë. Qoftë edhe vetëm për këtë përgjigje
ky operacioni, meriton të konsiderohet si një ngjarje tejet e rëndësishme dhe
pozitive e të ndiqet me vëmendje të veçantë. (Panorama, 19 janar 2015)
No comments:
Post a Comment