Në një gjykim bashkohen të gjithë
shqiptarët kur komentojnë Syrizan (përtej asaj nëse kjo parti është zgjidhja e
duhur): se grekët, nëpërmjet saj, i dhanë një ndëshkim kastës greke si dhe
sistemit klientelar, të korrupsionit e të konfliktit të interesit që ajo ka
ngritur. Ndërkaq, kur bie fjala për mundësinë që kjo të ndodhë në Shqipëri,
bashkohen në një klimë nënshtrimi fatalist ndaj gjendjes në të cilën ndodhemi.
Kur hapet biseda, ata i bien shkurt duke të thënë se ajo që ndodhi atje nuk
mund të ndodhë në Shqipëri. Është një gjykim transversal, që jepet në masë, si
nga njerëzit më të thjeshtë, edhe nga politikanët më të lartë të kastës. Nëse
do ta ndanim në kategori këtë masë, do të dallonim dy kategori kryesore: një që
e vuan, që i është nënshtruar, me hir apo me pahir, kastës dhe sistemit të
instaluar prej saj dhe një kategori rreth kastës që e gëzon këtë
pandryshueshmëri. Nëse do ta ndajmë kategorinë e parë, do të veçonim ata që e
shprehin nevojën e ndëshkimit, por që vazhdojnë të funksionojnë sipas asaj
thënies: “nuk i bihet murit me kokë” dhe kategorinë e atyre që në pjesën më të
madhe as nuk e mendojnë një gjë të tillë, sepse sistemi i mban në gjendjen e
mbijetesës: s’kanë në dorë jo vetëm instrumente ndëshkimi, por as kohë të
mendojnë për këtë, pasi të nesërmen mund ta shohin veten pa mundësi për të
jetuar apo ushqyer fëmijët. Nga ana tjetër, duket sheshit se kasta në
pushtet e përjeton me një lloj sigurie apo edhe arrogance këtë gjendje. Në
fakt, edhe ajo flet për ndryshim, madje edhe ndëshkim, por duke e mbajtur në
dorë po ajo edhe monopolin e ndryshimit/ndëshkimit duke e integruar edhe atë në
sistemin bipolar që ka ngritur. Kësisoj, ajo nuk manifeston as më të voglin
shqetësim se, sikur të arrinin të bëheshin bashkë ata që e kërkojnë me të
vërtetë ndryshimin, të nënshtruarit e pashpresë dhe ata që i janë nënshtruar me
pahir, do ta shihte veten përballë një poli të tretë të frikshëm për të. Për
momentin ndryshim/ndëshkim për politikanët tanë të kastës do të thotë thjesht
dhe vetëm: ardhje dhe riardhje në pushtet nëpërmjet modelit bipolar tashmë të
stabilizuar sipas parullës: “të ndryshojë gjithçka që të mos ndryshojë asgjë”.
Nëse i kujtohet lexuesit, pasi ra nga pushteti, duke ditur gjendjen ekonomike
në të cilën e kishte lënë vendin, Sali Berisha dhe liderë të tjerë të PD-së
evokonin vazhdimisht “skenarin grek”, rënien e Papandreut dhe rikthimin në
pushtet të Neodemokracias. Por dyshoj shumë se sot do t’i referoheshin më
skenarit grek me emrin Syriza, që nënkupton se grekët më në fund e arritën
vetëdijen se ndryshimi duhet kërkuar në ndryshimin e sistemit që këta
politikanë kanë ngritur dhe, po ashtu, se ata që e kanë ngritur, shkaktarët e
tragjedisë së tyre, nuk mund të bëhen edhe shpëtimtarët e tyre. Ndërkaq, Rama,
edhe pse në pozitat e një Papandreu, në kuptimin e rrënimit që po vjen dhe
pamundësisë për të ndryshuar/ndëshkuar vërtet, nuk sheh në horizont asnjë
kërcënim për pushtetin, përveç “të keqes më të madhe: Berisha”, që sapo është
rrëzuar. Prandaj në luftën e tij për pushtet merakoset vetëm të vazhdojë të
mbajë elektoratin, mediet, shoqërinë civile, shkrimtarët, artistët e sa më
shumë në anën e tij e kundër partisë tjetër, që mbetet e vetmja alternativë për
shqiptarët, çka do të thotë se realisht i lë shqiptarët pa alternativë.
* * *
Por le ta shohim pak ndryshe, duke
iu referuar përvojës greke, këtë përpjekje të vazhdueshme të kastës për të
ndarë mes vetit elektoratin, mediet, shoqërinë civile, e gjithçka tjetër –
paratë, po, paratë mbi të gjitha – duke i integruar brenda sistemit që ka
ngritur, duke mos lejuar kësisoj të lindë ndonjë gjë e ngjashme me Tsiprasin.
Mua më duket se fakti që në Greqi
(ashtu sikurse në Spanjë, në Itali e gjetkë) mund të dalë dhe del një lëvizje
demokratike që është kundër kastës, sistemit, duhet lexuar jo vetëm si tregues
krize, dështimi, ndryshimi, ndëshkimi, por edhe si një shkallë më e lartë e
demokracisë në atë vend. Pra, me gjithë mëkatet që kanë në kurriz Partia
Socialiste greke dhe Neodemokracia, politikanët e tyre kanë sidokudo edhe
meritën se kanë lejuar hapësira lirie për të tjerët, mundësi për të jetuar pa u
bërë pjesë e sistemit klientelar e korruptiv, duke i lejuar kësisoj popullit
grek mundësinë për të kërkuar e gjetur alternativa të tjera jashtë tyre.
Me fjalë të tjera, fakti që në
Greqi ka pasur mundësi të rritet edhe një Tsipras nuk duhet parë thjesht se
aksidentalisht na paska rënë nga qielli një super hero. Ai ka dalë si rezultat
i një rruge të brezit të ri grek, që ka filluar që nga edukimi nëpër shkollat,
ashtu edhe te hapësirat më të mëdha të lirisë, që i janë dhënë shoqërisë e në
veçanti rinisë greke.
Nëse do t’i referohesha, për një
krahasim, p.sh. një revolucioni që ka ndodhur në Evropën Perëndimore në vitet
‘60; atë që quhet revolucioni studentor i viteve ’60, që në thelb ishte kundër
një shoqërie sidokudo konservatore e autoritare, nuk mohohet se edhe ai ka
ardhur edhe si meritë e atyre politikanëve – le t’i quajmë tradicionalë apo
konservatorë – që gjithsesi kanë ditur t’i hapin hapësira lirie vendit të tyre,
rinisë së tyre.
Sot politikanët grekë që kanë
humbur pushtetin, mund të thonë shumëçka kundër Tsiprasit, por ata duhet të
jenë edhe krenarë që kanë lejuar që në Greqi të dalë një lëvizje si Syriza. E,
po ashtu, edhe ata evropianë perëndimorë që i kanë dhënë borxhe Greqisë e që
sot e masin atë vetëm me borxhet që u ka, ndoshta duhet të mendojnë se është
meritë edhe e atyre parave që sot kemi një shoqëri greke e cila, në mënyrë
demokratike, kërkon të ndryshojë, në emër të më shumë dinjitet njerëzor.
* * *
Nga ky këndvështrim, mendoj se
fakti që sot në Shqipëri nuk del dot një Tsipras duhet parë edhe si tregues i
një gjendjeje shumë më të rëndë të demokracisë; pra, edhe si dështim i kastës
që ka qeverisur tash njëzet vjet Shqipërinë dhe si dështim shumë më i rëndë i
sistemit që ajo ka ngritur.
Sot, kur flitet për Shqipërinë dhe
përmendet brezi i ri, të gjithë kritikët të flasin për një brez të ri impotent,
të nënshtruar ndaj autoritarizmit të liderit, që nuk kanë ambicie për të qenë
dikush, përveçse duke pasur sa më shumë para. Para pak kohësh pashë një
përvjetor të FRESH-it, që më kujtoi fjalët e një mikut tim gjerman
(ish-sindikalist, anëtar i SPD-së), i cili ishte çuditur kur kishte marrë pjesë
në një ngjarje të ngjashme të para do kohëve të PS-së. Duke iu referuar rinisë
së tij, ai më tregoi se në ngjarje të tilla, ku vinin liderët, ata mezi i
prisnin për t’i gozhduar me kritika e me kërkesa, kurse këtu te ju - më tha - të
rinjtë vetëm duartrokasin e brohorasin liderët e mëdhenj, sikur të jeni ende në
kohën e Enver Hoxhës.
Fakti është se sot flitet për të
rinj edhe më rrufjanë, më klientelarë, më të korruptuar, më të dhunshëm, më të
aftë sesa prindërit e tyre për të përdorur të gjitha metodat e servilizmit,
ryshfetdhënies, dhunës apo të korrupsionit (Nuk po hyj tek ata që janë
rreshtuar në ushtrinë e krimit të organizuar). Disa sjellin shembullin e
Mjaftit që lindi si një lëvizje antikastë, por që u përdor dhe u përthith nga
kasta dhe sistemi - aq sa Erion Veliaj fajësohet si njeriu që dogji një brez të
tërë. Pa dashur t’i bëj apologji Erion Veliajt, gjykoj se kjo nuk është çështje
e një personi të vetëm. Tsiprasi nuk ka lindur vetëm në Greqi. “Nuk mund të
jesh i lirë i vetëm”, thotë një fjalë e urtë gjermane. Fakti që kemi sot një
rini të paaftë dhe të pafuqishme duhet të na bëjë të reflektojmë më thellë për
faktin se kjo paaftësi dhe pafuqi e rinisë sonë sot - që mund t’u duket
politikanëve të sotëm si një garanci e pushtetit të tyre, e pandëshkueshmërisë
së tyre - nesër do të jetë një bumerang për të gjithë. Po jap një shembull nga
Shqipëria e një kohe tjetër, ajo e komunizmit, kur pushtetarët përdornin forma
dhe metoda të tjera, por që më tingëllojnë edhe mjaft të ngjashme nga pikëpamja
e psikologjisë së pushtetarit që bën gjithçka për të akumuluar pushtet dhe për
të penguar liritë dhe pavarësitë e të rinjve. Në vitet ‘70 pati një frymë
liberalizmi, që kërkonte t’i jepte më shumë liri një brezi të ri, por Enver
Hoxha me shokë, për hir të pushtetit të tyre absolut, apo për shkak të
paranojave apo të delireve, e shtypi pa mëshirë. Pasojat i vuajti e gjithë
Shqipëria, por i vuajti edhe vetë ajo nomenklaturë e paaftë dhe e dhunshme, që,
po të ishte sjellë ndryshe, do të kishim në fund të viteve ‘80 jo vetëm një
Shqipëri shumë më të hapur, por ndoshta edhe ajo vetë do të ishte kujtuar disi
ndryshe.
Sigurisht, nuk jemi në të njëjtën
kohë, sot mund të pretendosh shumë më tepër prej të rinjve, sepse jetojnë në
kushte lirie më të madhe, por përsëri mendimi im është se disponimi i kastës nuk
është krijimi i kushteve që do t’u krijonin të rinjve më shumë liri, dije,
dinjitet, autonomi, në mënyrë që nesër të lindnin prej tyre sivëllezërit e
Tsiprasit. Kasta e sotme nuk përdor më burgjet për të sunduar, por sistemi që
ajo ka ngritur, ashtu si ai i djeshmi, nuk e do dijen, preferon injorancën, nuk
e do mendimin e lirë, preferon trushpëlarjen, nuk e do kritikën, preferon
propagandën, nuk e do sinqeritetin, preferon hipokrizinë, nuk e do
integritetin, preferon servilizmin, nuk e do punën e ndershme, preferon
korrupsionin, nuk e do dinjitetin, preferon nënshtrimin, nuk e do
meritokracinë, preferon klientelizmin, nuk e do të vërtetën, preferon
gënjeshtrën. Dhe të rinjtë tanë janë të bombarduar natë e ditë nga këto
preferenca të kastës.
“Tik-tak”
është një nga sloganet e simotrës së Syrizës në Spanjë, Podemosit. Përdoret ky
slogan për të treguar se ora e kastës së politikës tradicionale spanjolle po
mbaron. E përsëris, kjo kastë, me gjithë mëkatet, meriton edhe të lëvdohet për
faktin se ka lënë të rritet një rini e atillë, që ka në krye sot profesorin
36-vjeçar Iglesias. Më e keqja është kur tik - taku kalon në heshtje pa u
dëgjuar e pa u dukur në horizont ndonjë Tsipras apo Iglesias. Dhe kjo ndodh kur
kastat në pushtet nuk mësojnë as nga gabimet e të tjerëve as nga gabimet e veta
duke u destinuar që, me kohën, të thyejnë qafën në mënyrën më të turpshme. (Panorama, 3 shkurt 2015)
No comments:
Post a Comment