Së pari,
Nuk mendoj se
bunkerin prapa ministrisë së transporteve, që u sulmua ditën e enjte nga protestuesit
me akuzën se po na ngre simbolet e diktaturës, Edi Rama e ka ngritur për
nostalgjikët e Enver Hoxhës. Por mendoj
se si bunkerin ashtu edhe objektin tjetër të sulmuar e dëmtuar, tendën në hyrje
të Kryeministrisë, aq e ndryshme nga pamja dhe materiali me bunkerin, i ka ndërtuar
me mendësinë e Enver Hoxhës: duke dhunuar qendrën historike të Kryeqytetit me
idenë se “historia fillon me mua”; duke përçmuar e përdhunuar opinionin publik,
që në pjesën më të madhe nuk i do këta objekte; duke u vënë mbi ligjin madje
duke ia kaluar dhe Enver Hoxhës në delir - sepse gjëra të tilla ai të paktën i bënte duke ua
ngarkuar specialistëve të kohës së tij, kurse ky bën vetë edhe pushtetarin edhe
arkitektin, edhe urbanistin edhe artistin.
Thënë kjo, sipas
meje, problemi i Ramës dhe i dhunës simbolike që ushtruan protestuesit kundër
veprave të tij, që ishte një dhunë simbolike kundër tij, nuk janë thjesht këta dy
objekte. Problemi më i madh është se ashtu sikurse kanë ndërtuar këta objekte,
duke na zbuluar një ditë perden dhe duke na thënë: "O mangi questa minestra,
o salti dalla finestra!"(O haje këtë çorbë, o hidhu nga dritarja!) ai dhe
të tijtë kanë kryer edhe shumicën e aksioneve politike gjatë këtyre dy vjetëve
që qeverisin. (Ngulmoj të përmend “të tijtë” sepse ka shumë njerëz që nuk mund
të lahen sot nga përgjegjësia për ato që po ndodhin dhe mund të ndodhin nën
drejtimin katastrofik të Edi Ramës.)
Gjykoj, pra, se
dhuna që u krye nga protestuesit opozitarë ndaj dy objekteve ishte një dhunë
simbolike që kërkonte të godiste dhunën kryeministrore, dhunën policore, dhunën tatimore, dhunën mediatike, që i ka
lodhur e nervozuar së shumti shqiptarët jo vetëm sepse është e shoqëruar me
selektivitet dhe padrejtësi, por edhe me mashtrimin se gjoja po ushtrohet në
emër të ndërtimit të shtetit, kur në fakt duket qartazi se po bëhet në emër të konsolidimit
të pushtetit arrogant, oligarkik,
kleptokratik, përçmues të bandës së radhës me në krye Kryeministrin.
Kush nuk do ta
lexojë kështu, dhe të nxjerrë mësime, duhet të përgatitet për akte më të
dhunshme nesër që nga dhunë simbolike mund të kthehen edhe në dhunë
shkatërrimtare. Reagimi i Kryeministrit dhe i të tijve nuk lë shumë shpresa se
ky reflektim mund të ndodhë.
Së dyti,
Nga Kryeministri
dhe opinionbërësit e mediat pranë tij po kërkohet t’i faturohet kjo dhunë një
opozite të vjetër që është mësuar me akte shkatërrimi. Unë mendoj ndryshe: shansi
i Edi Ramës me shokë që këta objekte vetëm u dëmtuan dhe nuk u shkatërruan
plotësisht (po shprehem gjithmonë simbolikisht duke nënkuptuar me shkatërrim të
plotë rrëzimin e qeverisë) është pikërisht kjo opozitë. Me atë që na shohin
sytë e na dëgjojnë veshët përditë nga njerëzit që takojmë kudo, zhgënjimi ndaj
kësaj maxhorance është duke u ngarkuar përditë me ndjenja urrejtjeje dhe neverie
që kanë kapur kulme që mund të krahasohen vetëm me periudhat më të errëta të
periudhës pas komuniste. Sepse gjendjes gjithnjë e më të rëndë ekonomike,
mungesës së perspektivës dhe shpresës, korrupsionit dhe vjedhjes së paturpshme
që bën klientela e Kryeministrit, kjo
maxhorancë po i bashkëngjit edhe suprlusin e tekave si ato të bunkerit, të
tendës e të jaguarëve më një anë dhe arrogancën, talljen dhe përçmimin e një
Kryeministrit që duket se provon kënaqësi sadiste kur fyen tall e përçmon ata
që nuk lëpijnë pështymën e tij.
Sipas gjykimit
tim, pra, pikërisht fakti se shumë nga njerëzit e zhgënjyer që po mbarsen me
urrejtje nuk e ndjejnë të dalin në shesh për të sjellë në pushtet edhe një herë
Sali Berishën dhe të tijtë, për të grabitur bashkë me të njëjtët oligarkë që
dje grabisnin me Berishën dhe sot me Ramën; mendimi se qeveria teknike që po
kërkon PD-ja, si shkallë për të riardhur në pushtet, do të ishte si ajo e
Bashkim Finos në vitin 97-të, që e lëshoi Shqipërinë në kaos, janë fati i Edi
Ramës. Sepse, sikur të dilte sot një opozitë që vërtet të frymëzonte besimin se
do ta rrëzonte regjimin oligarkik, kleptokratik të instaluar në Shqipëri, që e
denoncoi Basha në fjalim (pasi e ndërtoi për tetë vjet edhe vetë), dhe i të
cilit sot Rama po bëhet përfaqësuesi më i urryer, jam i sigurt se ajo që do të
mund të ndodhte në shesh në 25 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit nuk do të ishte
thjesht gërvishtja e një bunkeri dhe thyerja e disa xhamave, por do të ishte
vërtet e proporcioneve të asaj lëvizjeje që nuk i pa shqiptarët të ndarë siç
janë sot, por thuajse të gjithë bashkë për të rrëzuar një regjim të urryer. (Panorama, 11 Dhjetor 2015)
No comments:
Post a Comment