Deri ditën e zgjedhjeve amerikane, ndonëse
parashikimet jepnin si fituese Hilary Clinton, prapë kishte tërhequr vëmendjen
suksesi i një figure si Donald Trump. Megjithë gjuhën e tij, që binte ndesh me
disa vlera që konsideroheshin të stabilizuara në shumicën e shoqërisë
amerikane, ky kishte arritur të fitonte primaret në Partinë Republikane e
rrezikonte edhe Clintonin? Shpjegimi më i besueshëm ishte se forca e tij nuk qëndronte
edhe aq tek gjuha raciste, maçoiste, antiemigracion që përdorte për të tërhequr
votën e një pjese të shoqërisë amerikane, por tek fakti se Clintoni përfaqëson
sistemin, establishmentin, institucionet e korruptuara, vendimmarrja e të cilëve
gjithnjë e më shumë diktohet nga interesat e oligarkisë amerikane; kurse Trumpi
një “lëvizje” - siç e quajti ai fushatën e tij, për tu diferencuar nga Partia
Republikane - që kërkonte shkatërrimin e këtij sistemi.
Ishte e vështirë të besoje se Trump mund të
fitonte, duke patur parasysh se sistemi grumbulloi katër herë më shumë para se
ai për të sponsorizuar fushatën e kundërshtares dhe se, në krah të Clintonit, u
vunë thuajse të gjitha mediat e SHBA-ve. Fakti që ai fitoi tregoi se sëmundja e
sistemit qenkësh shumë më e rëndë sesa mendohej. Ajo tregoi se jo vetëm elita
politike amerikane, por edhe mediat edhe yjet e Hollivudit, duke qenë në një mënyrë
apo një tjetër pjesë e sistemit, ishin shkëputur nga realiteti amerikan.
Pra, pa kompontenten e sulmit kundër sistemit një
figurë si Trump zor se do të mund të fitonte.
Karakteristikat e sistemit
Pikërisht pse bëhet fjalë për goditje kundër “sistemit”,
fitorja e Trumpit i ka kapërcyer kufijtë e SHBA-ve duke u krahasuar me ngjarje që
kanë ndryshuar botën, si rënia e Murit të Berlinit apo 11 Shtatori. Duke
komentuar fitoren e tij, kryetarja e partisë Fronti Nacional në Francë Marine
Le Pain tha se kjo që ndodhi “Nuk është fundi i botës, por fundi i një
bote.”
Po si do ta përkufizojmë këtë “botë që ra” sipas
Le Pain, apo që ajo kërkon ta rrëzojë? Përkufizimi i kësaj bote mbështetet mbi
dy fjalë kyçe rreth të cilave u ndërtua, pas Luftës së Ftohtë, ideologjia
dominante e elitave perëndimore në pushtet: “neoliberizëm” dhe “globalizëm”. Me
neoliberizëm duhet të kuptojmë njeriun e çliruar nga pesha e komunitetit apo
shoqërisë apo kombit, që mendon e punon vetëm për suksesin e tij individual, të
cilin, gjithnjë e më shumë, e mat me paratë që fiton. “Nuk ka shoqëri, ka vetëm
individë.” – deklaronte Thatcheri, duke promovuar sistemin ku nëse çdokushi
mendon e punon për vete, gjithshka shkon mirë edhe për të gjithë. Me globalizëm
do të kuptojmë dobësimin e rëndësisë së shtetit komb për njeriun neoliberal, qoftë
përsa i përket identitetit të tij kombëtar qoftë edhe, çka është më e rëndësishmja,
aktivitetit të tij ekonomik. Mbi bazën e këtyre dy parimeve biznesmenë amerikanë
(dhe jo vetëm) kanë transferuan bizneset e tyre nga SHBA në Kinë apo gjetkë për
të rritur fitimet e tyre. Po mbi bazën e këtyre parimeve janë arritur (ose janë
në përpjekje për arritje) traktatet e shkëmbimeve të lira tregëtare.
Kriza e sistemit
Problemi është se pas suksesit në vitet ’90 ky
sistem filloi të njohë krizat e tij të thella. Rezultoi se ky liberalizmin pa
rregulla e ky globalizim pa shtet
global fuqizoi dhe pasuroi gjithnjë e më shumë një pakicë, ku spikasin
spekullantët financiarë të Wall Streetit e të bankave; dobësoi ekonominë
prodhuese në favor të ekonomisë financiare, dhe varfëroi, për pasojë, gjithnjë
e më tepër shumicën duke filluar që nga shtresat mesme dhe poshtë. Nga ana tjetër pakicat e të pasuruarve nga
ky sistem u bënë gjithnjë e më të rëndësishme në vendimmarrjen e qeverive duke bërë që shumë kritikë të
thonë se SHBA dhe Perëndimi kishin kaluar nga një sistem demokratik në një
sistem post-demokratik ku politikanët ishin kthyer në menaxherë të oligarkëve.
***
Në zgjedhjet amerikane sistemi neoliberal -
global u godit nga dy lëvizje politike; nga e majta nëpërmjet rivalit të
Clintonit në primaret, socialistit Bernie Sanders, dhe nga e djathta, nëpërmjet
rivalit të saj në presidenciale,
Trump. Sandersi e goditi në frymën e lëvizjes “Ocupy Wall Street”, duke
e akuzuar për polarizim të theksuar, varfëri dhe pasiguri për 99%-shin e shoqërisë
dhe duke e vënë theksin tek solidariteti, rishpërndarja më e drejtë në emër të
barazisë, shtetit social. Trumpi e goditi nëpërmjet retorikash të djathta, duke
premtuar ulje të taksave, proteksionizmin e shtetit komb, mbrojtjen ndaj
emigracionit, si dhe duke evokuar vlera si ato të familjes, të fesë, deri
supremacinë e racës së bardhë, që karakterizojnë të djathtën koservatore.
Ndërkaq, ndonëse Sandersi dallon shumë nga
Trumpi përsa i përket kulturave që përfaqësojnë, duket se një pjesë e votuesve
të tij ia dha votën Trumpit si mundësi për të goditur sistemin dhe për të hapur
rrugën e ndryshimit. Më emblematike në këtë kuptim ishte fitorja e Trumpit në
shtete si Pennsylvania apo Michigan, që kanë qenë historikisht demokratë sepse
atje dominonte klasa punëtore e industrisë së makinave. Mirëpo, paradoksalisht,
këta punëtorë u rreshtuan me Trumpin, i cili u premtoi proteksion nga globalizimi
e nga emigracioni dhe ndëshkim të sistemit që i kishte rrënuar. Votën e tyre
pro Trump regjizori i njohur amerikan Michael Moor e quajti “bomba molotov kundër
sistemit që hodhën këta njerëz që kishin humbur gjithshka, përveç të drejtës që
u garanton Kushtetuta Amerikane: atë të votës.” Këtë lloj qëndrimi pro Trump të
një pjese të së majtës e shprehu edhe filozofi Slavoj Zhizhek, i cili, kur u
pyet se për kë do të votonte, sikur të ishte amerikan, u përgjegj se do të
votonte për Trump-in, jo pse ndante shumë nga idetë e tij të neveritshme, por
sepse rreziku i vërtetë, sipas tij, ishte Clintoni - në kuptimin se me Trump-in
mund të tubullohen ujrat që të dalë një zgjidhje, kurse me Clintonin do të kemi
të njëjtën gjëndje, të njëjtin sistem, establishment.
Trumpi dhe projekti evropian
Nëse Trupi do të arrijë të ndryshojë sistemin,
do të krijojë “turbullirën” për të “kthjelluar” pastaj daljen e një
alternative, apo do t’i nënshtrohet sistemit, kjo mbetet për tu parë. Më shumë gjasa ka të kemi një
rezultante e cila, sot për sot, përmban shumë të panjohura. Por, që bota nuk do
të jetë më ashtu siç ka qenë, kjo duket e sigurt. Dhe ajo që bije në sy është
se në goditjen e “botës” apo “sistemit” neoliberist global, për fat të keq (ky është
mendimi im) sot për sot po ka më
shumë sukses e djathta sesa e majta. Fitorja e Trumpit u ka bërë jehonë, duke i
amplifikuar, lëvijeve politike të djathta nacionaliste si triumfi i Brexit në
Britani, fuqizimi i Marine Le Pain në Francë, fuqizimit të së djathtës ekstreme
në Austri, politikave të Urbanit në Hungari, të Kazinskit në Poloni, të Salvinit
e pjesërisht të lëvizjes Pesë Yjet në Itali, referendumit në Holandë për dalje
nga Evropa etj.
Shumë më pak sukses ka e majta evropiane
antisistem që e denoncon Evropën e sistemit duke bërë thirrje për një Evropë të
qytetarëve evropianë, të solidaritetit, që duhet të funksionojë më mirë sesa
shteti komb social për qytetarin si përsa i përket mirëqënies edhe demokracisë.
Qëndrimi ndaj kësaj të majte nga ana e sistemit u duk pikërisht në qëndrimin
ndaj Greqisë. Establishmenti
evropian bëri gjithshka që Greqia t’i nënshtrohet sistemit duke rrezikuar që -
nëse kemi parasysh se çfarë ndodhi në SHBA – votat antisistem të së majtës të
shkojnë nesër tek e djathta në rritje.
Problemi më i madh që del përpara këtij reaksion
zinxhir të mundshëm është prishja e projektit të Evropës së Bashkuar, një nga
projektet më të bukur në historinë e njerëzimit, por që u keqpërdor nga
oligarkitë evropiane dhe establishmentet e korruptuara të sistemit neoliberal
global. Shtetet kombe, që kishin lëshuar një pjesë të sovranitetit të tyre në
emër të një të mire mbinacionale, me shumë gjasa do ti rikthehen përsëri idesë
së superioritetit të shtetit komb, duke kaluar në një gjendje që shpejt i është
gjetur edhe mbiemri “hipersovraniteti”.
Efekti mbi Shqipërinë dhe Kosovën
Lidhur me efektin e këtyre
zgjedhjeve në prishjen e projektit evropian do të thoja se, nëse ndodh një gjë
e tillë, humbësit më të mëdhenj do të ishin vende si Shqipëria apo Kosova. Kjo
për disa arsye:
Së pari, Shqipëria dhe Kosova nuk bëjnë
pjesë në shtetet kombe të fuqishme, përkudrazi, janë shumë të dobët ekonomikisht
dhe politikisht. Për faj të klasës politike që ka kërkuar legjitimitetin e vet
tek establishmenti evropian dhe amerikan dhe jo tek puna për forcimin e shtetit
të së drejtës dhe ndërtimin e një ekonomije të shëndoshë, ato mbijetojnë
kryesisht në sajë të emigracionit dhe ndihmave evropiane që parashikon ky
projekt. Në një Evropë ku çdo shtet kërkon të largojë e refuzojë emigracionin
dhe të shikojë interesin e vet, Shqipëria dhe Kosova do të dobësoheshin sepse
kanë shumë më pak fuqi se vende të tjera ballkanike për t’u mbështetur në këmbët
e veta.
Së dyti, një Shqipëri dhe Kosovë pa
projektin evropian do të ishin më të rrezikuara se vendet e tjera ballkanike
edhe përsa i përket standarteve të lirisë e demokracisë së brendshme. Kritikat
e vazhdueshme që kanë ardhur nga Brukseli, përsa i përket arritjes së
standarteve demokratike apo goditjes së krimit të organizuar, kanë shërbyer,
gjithsesi, si shina ku duhej të orientohej ecja e vendit. Ato kanë inkurajuar,
sadokudo, opozitat e brendshme apo edhe atë pak shoqëri civile e media të
besueshme për të qenë disi më aktivë. Me dështimin e projektit këto shina do
zhduken. Idetë se establishmentet perëndimore kanë legjitimuar këtë sistem dhe
këtë klasë politike të korruptuar dhe jo demokratike prandaj më mirë të rrëzohen së bashku apo se, në kushte të
mungesës së patericave evropiane, Shqipëria e Kosova mund të forcojnë këmbët e
veta, kanë logjikën e tyre, por kanë edhe shumë pikëpyetje dhe pasigurira nga
prapa. Së pari, sepse nuk është e
thënë që kasta jonë do të rrëzohej, në kushtet e braktisjes nga Perëndimi.
Ndoshta do të favorizohej edhe më shumë, pasi ajo ka kapur vendin dhe mund të
lidhej edhe më shumë me krimin e ogranizuar. Së dyti, sepse forcat e brendshme
kundër kastës sonë duken shumë të brishta dhe nuk kanë ndonjë projekt jashtë
evropian që njerëzit ta ndjekin me besim.
Së fundi, por e para nga rrezikshmëria,
në mungesë të projektit përbashkues evropian, erërat nacionaliste ndarëse
rrezikojnë shumë më tepër të ndezin zjarrin e konflikteve në rajon, ku Shqipëria
dhe Kosova, ashtu siç ka ndodhur historikisht, kanë qenë dhe kanë mbetur në
pozitat më të dobëta. (Panorama, 15 nentor 2016)
No comments:
Post a Comment