Duke lexuar mbi regjimet autoritarë dhe ata
totalitarë më ka mbetur në mendje ideja e një sociopsikologu të njohur, sipas
të cilit diferenca midis tyre qëndron në atë se regjimi autoritar nuk do t’ia
dijë edhe aq nëse njerëzit besojnë vërtet në ato që thotë pushteti, mjafton që
këta t’i binden, kurse regjimi totalitar kërkon që njerëzit jo vetëm t’i
binden, por edhe t’i besojnë ato që thotë ai; pra kërkon edhe nënshtrimin në
mendje dhe në shpirt të njeriut. Kush nuk e bën këtë konsiderohet armik po aq
sa ai që nuk bindet.
Nëse do t’i referohemi historisë sonë si ilustrim
mund të sillja dallimin midis kohës së Mbretit Zog dhe kohës së komunizmit.
Nëse mbreti i kërkonte asokohe shkrimtarit Petro Marko thjesht një deklaratë se
nuk ishte komunist që të mund të botonte bashkë me Branko Merxhanin revistën
“Përpjekja Shqiptare” – e ky nuk e bëri, pa mundur të jetë bashkëbotues, por pa
pësuar gjë, – në kohën e Enver Hoxhës një deklaratë e tillë as imagjinohej se
mund të kërkohej pasi presupozohej automatikisht se shkrimtari kishte përqafuar
ideologjinë e pushtetit dhe konsiderohej armik dhe dënohej minimumi me burg,
nëse refuzonte të deklarohej i tillë.
Më kaloi nëpër mend kjo ide duke lexuar librin e
Fabian Katit “Formësimi i kujtesës kolektive” mbi ngjarjet tragjike në
Dukagjin, Malësinë e Madhe dhe Postribë në vitet 1945 – 1946. Po pse ky
asosacion idesh? Sepse një nga gjërat që ma nxit pareshtur kuriozitetin teksa
rrekem të kuptoj njeriun e rritur në komunizëm, (vetveten më së pari), është
zhbirilimi i atij procesi që synon ta manipulojë njeriun deri në thellat e
shpirtit, aq sa të komandojë jo vetëm veprimet, por edhe ndjenjat e mendimet e
tij. “Nuk ka asgjë më të tmerrshme dhe më të mistershme sesa mnemoteknika” –
thotë Niçja për teknikën e incizimit, sipas tij “me flakë”, në kujtesën e
njeriut të narrativës që dikton pushteti. Çfarë teknikash të kombinuara
përdoren gjatë këtij procesi? Çfarë ndodh tek njeriu? A mund t’i rezistohet? Si
mund t’i rezistohet? Sa mund t’i rezistohet?
***
Një nga teknikat që ka përdorur totalitarizmi për
t’i bërë njerëzit të besojnë në ato që thoshte ka qenë ngulitja në mendjet e
tyre e narrativës së tij. Me narrativë të komunizmit kuptoj atë rrëfim të
historisë dhe të zhvillimeve të botës e të vendit, që kryhej nëpërmjet të
gjitha mjeteve të komunikimit, duke filluar që nga propaganda e përditshme e
deri tek arti më i rafinuar. Kjo narrativë, – ndryshe mund ta quaja mitologjia
e pushtetit komunist, lidhte në mendjen e njeriut të shkuarën me të tashmen dhe
të ardhmen nëpërmjet një interpretimi ideologjik, teleologjik e synonte të
bëhej jo vetëm botëkuptimi i tij, por edhe udhëzuesi i jetës së tij. Zotëruesi
dhe predikuesi i kësaj narrative bëhej zot i jetës së njerëzve e, në rreth
vicioz, që ky të bëhej zot, kjo narrativë duhet ngulitur pashkulshmërisht në
mendjet e tyre. Ashtu si ato figurat e tatuazheve që nguliten pazhdukshmërisht
në lëkurë, heronjtë dhe idetë e kësaj narrative, ashtu sikundër dhe anti
heronjtë e antiidetë që ajo demonizonte, duheshin ngulitur pashkulshmërisht
deri në thellat më intime të psikikës, duke ngjallur, të parët ndjenja
pozitive, të dytët negative.
Për ta kuptuar këtë proces mund të na ndihmojë
krahasimi me narrativën e shkrimeve të shenjta, por jo deri në fund. Që një fe
të ngjisë tek njeriu duhet që shkrimet e saj të shenjta mundësisht të futen tek
ai që i vogël, nëpërmjet riteve të saj, që ai të rritet me ta, me bëmat e
heronjve të këtyre shkrimeve kundër të keqes, t’i bëhet një mënyrë jetese, një
mënyrë të menduari, kuptim jete dhe shprese. Për të arritur këtë instrumentet e
tatuazhit punojnë veçanërisht në atë pjesë të psikes së njeriut që ka nevojë të
besojë, që ka nevojë për përkatësi, për identitet, për siguri, për dikë që e
mbron nga e keqja, që i jep shpresë. Por kujdes, nëse për një besimtar të
inspiruar nga këto shkrime, rrugëtimi i tij drejtohet jo vetëm nga predikuesit
në tokë, por edhe nga Zoti në qiell, që ndodhet diku larg, lart, si sundimtar i
një bote tjetër, si gjykatës i fundit që e pret atje për ta shpërblyer apo
ndëshkuar për jetën që ka bërë në tokë, apo për t’i dhënë vendin që i ka pas
taksur, në narrativën komuniste, ajo botë dhe vetë Zoti kishin zbritur në tokë.
Parajsa dhe ferri, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja jote, gjyqi yt final,
ishin në vendin dhe kohën ku ti jetoje, – një parajsë dhe ferr i përditshëm, në
fakt, – dhe Zoti ishte i veshur me petkun e diktatorit, i cili kishte
sigurinë se ishte ai i plotfuqishmi i kësaj dhe asaj bote, ai që mbante edhe
çelësat e parajsës edhe ato to ferrit, të së tashmes dhe të së ardhmes tënde.
Dhe ti duhet të jetoje me sigurinë se përtej tyre, përtej tij, nuk kishte
asgjë.
***
Narrativa e regjimit totalitar komunist fillon me
historinë e Luftës Nacionalçlirimtare. Sipas saj heronjtë komunistë çliruan
vendin nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre, por ky ishte
vetëm fillimi i një misioni shumë më të madh. Metaforikisht ata kishin për
detyrë të udhëhiqnin karvanin e popullit shqiptar, bashkë me malet e tyre,
drejt tokës së premtuar të komunizmit, që do të thoshte të transformonin tokën
ku jetonin shqiptarët, sipas tyre nga një ferr në një parajsë. Ishte rruga që
ata e kishin gjetur dhe që ata e dinin se nëpër cilat shtigje do të kalonte. Si
një pjesë e kësaj lufte janë paraqitur edhe ngjarjet e përmendura në këtë
libër, si një eliminim i mbeturinave të armiqve që kërkonin të pengonin ecjen
drejt kësaj rruge. Në narrativën komuniste heronjtë nuk kishin fytyrë
njerëzore. Ata të së mirës merrnin shpesh pamjen e dëshmorëve të kësaj lufte
dhe paraqiteshin me tipare mbinjerëzore që duheshin adhuruar. Kurse heronjtë e
së keqes futeshin të gjithë në disa fjalë të tmerrshme, të zeza, ndër të cilat
më të përdorurat kanë qenë “bashkëpunëtor me armikun”, “reaksionar”, “armik i
klasës”. Ata nuk kishin as jetë të veçantë përveç armiqësisë, as etër, as nëna,
as vëllezër e motra, as fëmijë. Në botën manikeiste të narrativës ata ishin
përfaqësuesit e së keqes dhe mendimi për ta duhet të shoqërohej me ndjenja
negative, si frika, urrejtja, përçmimi. Sikur të ndodhte që ata të ngriheshin
nga varri ata duheshin rivrarë dhe rivarrosur përsëri.
“Klasën që u përmbys nën këmbë e mbaj/ Nëse s’do që
nesër skuadër e pushkatimit/
Të të vejë në mur/ tek Bulevardi i Madh”, –
shkruanin poetët e narrativës asokohe.
Sepse narrativa nuk ndërtohej vetëm me rrëfenjat
entuziazmuese e mbresëlënëse të bëmave të heronjve. Ajo kishte nevojë edhe për
“flakë”, siç thotë Niçja. Pse flakë? Sepse, që të incizohej pazhdukshmërisht,
narrativa kishte nevojë edhe të shkatërronte përfundimisht. E për këtë ajo
kishte nevojë edhe për një instrument tjetër të tmerrshëm: frikën se, nëse
dilje jashtë saj e besoje apo tregoje ndonjë narrativë tjetër, do të
ndëshkoheshe si armik dhe të priste burgu, ose edhe vdekja. Frika e terrori
ishin flaka që digjte çdo qelizë nga ato që mund të kultivonin në mendjen dhe
shpirtin e njeriut mundësinë e një besimi tjetër, qelizat e dyshimit apo të
mendimit kritik e të pavarur.
***
Duke lexuar këtë libër nuk mund të mos shtrosh
pyetjen: Sa dhe si i kanë rezistuar këtij procesi kujtimet “e ndaluara” me të
cilat takohemi këtu? Sepse në ato kujtime gjejmë pikërisht narrativën e atyre
që kanë qenë në krahun e humbësve, jo të fitimtarëve. Por personat që tregojnë
nuk janë ata vetë. Personazhet që tregojnë kanë qenë fëmijë në kohën e
ngjarjeve. Janë kryesisht bij ose familjarë të protagonistëve të atyre
ngjarjeve, personazhet e shumë prej të cilave kanë përfunduar të pushkatuar
nëpër brigje lumenjsh, me gjyq dhe pa gjyq e nuk u dihen as varret, ose kanë
vdekur gjatë dekadave në vazhdim, një pjesë pa dalë dot nga burgjet. Këta
fëmijë e kanë kaluar jetën e tyre nën flakën e narrativës komuniste, terrorin
verbal dhe fizik të saj për dekada deri në vitin 1991. Duke pasur parasysh këtë
nuk mund të mos imagjinosh se ruajtja e këtyre kujtimeve është një rezistencë e
kujtesës. Edhe rrugët e kësaj rezistence duhen studiuar. Ndërkohë që narrativa
komuniste prodhonte me zhurmë çdo vit tonelata me letërsi të shkruar, filma,
muzikë, emisione radiofonike, festa përkujtimore, përvjetorë çlirimi, përvjetorë
të rënësh, konferenca studimore, narrativa e të humburve mezi mbijetonte nëpër
dhoma të varfra familjesh të persekutuara, shpesh të internuara, apo nëpër qeli
burgjesh. Ajo qarkullonte fshehurazi dhe në heshtje nën kërcënimin e nenit të
agjitacionit e të propagandës që parashikonte deri në 10 vjet me burg për ata
që tregonin rrëfenja apo copëza rrëfenjash si këto që lexojmë në këtë libër.
***
Duke lexuar dhe dëgjuar dëshmitë e mbledhura nga
Fabian Kati të duket sikur autori ka shkuar në Veri dhe ka mundur të gjejë
vetëm ca fragmente mbetjesh arkeologjike të një ngrehine së cilës i janë
shembur e rrënuar shumë pjesë. Na shfaqen ca copëra muresh këtej e ca gurë e
tulla andej, por shumica ka humbur, ose e ka mbuluar bari e dheu. Mosha e
rrëfimtarëve që ai ka gjetur është ajo e pleqërisë. Ndonjëri është edhe mbi të
90-at. Shumë nga qelizat e trurit të tyre, ku ruhet kujtesa, me moshën ndoshta
edhe kanë vdekur dhe çdo qelizë e vdekur mund ta imagjinosh si një tullë të
kësaj ndërtese që është rrëzuar dhe thërrmuar. Vdekja e çdonjërës prej tyre ka
qenë si shembja e një ndërtese të tërë. Synimi i regjimit ky ka qenë, në fakt:
që kjo kujtesë të zhdukej përfundimisht. Dhe, sikur të kishte zgjatur edhe disa
dekada, ndoshta kjo do të ndodhte. Por edhe kështu duket sikur jemi duke ecur
nëpër rrënoja që, së bashku me legjendën që bartin, të ngjallin edhe një
ndjenjë të thellë padrejtësie dhe trishtimi. Trishtimin e së pariparueshmes.
Edhe me të padurueshme e bëjnë këtë ndjenjë
trishtimi mendimi se janë dashur të kalojnë njëzet e kusur vjet nga rënia e
komunizmit që dikush të kujtohej të mblidhte kujtimet orale të këtyre njerëzve.
Nuk dua të zgjatem këtu me një temë që e kam trajtuar tjetërkund: faktorët se
pse nuk ka ndodhur kjo ndërkohë që këta njëzet vjet duhet të ishin vitet e
rishkrimit të historiografisë dhe memuaristikës së shkruar nga komunizmi.
Kujtoj me këtë rast se jemi ndoshta i vetmi vend në botën ish-komuniste që nuk
ka ende një libër të vetëm të historianëve shqiptarë që të trajtojë historinë e
komunizmit. Shkurt do të thosha se një nga faktorët kryesorë është fakti se
elitat që morën, ose më saktë trashëguan pushtetin pas rënies së komunizmit,
duke përfshirë edhe historianët, jo vetëm janë rritur me narrativën komuniste,
por janë më të shumtët edhe krijuesit e saj. Dhe duke qenë se legjitimimi i
pushteti u ka ardhur nga emri që kanë bërë nëpërmjet punës për atë narrativë,
nuk u ka interesuar ta hedhin atë poshtë, por vetëm ta korrektojnë aty-këtu,
duke e trajtuar terrorin e ushtruar nga ai regjim thjesht si një apendiks të
asaj historie dhe jo si shtyllë qendrore të atij pushteti. Duke lexuar këtë
libër për shembull del se Veriu më shumë sesa u çlirua nga pushtuesi, – siç
trumbetonte narrativa e fitimtarit, u pushtua nga komunistët me një operacion
dhune dhe gjaku, shumë gjaku, por që ka hasur edhe rezistencë. Për këtë të
vërtetë nuk duhej folur gjatë komunizmit, aq më pak për rezistencën e njerëzve
në Veri, madje edhe rezistenca e kujtimit të rezistencës së tyre duhej zhdukur.
Kjo përmbysje e historisë dhe identifikimi i përgjegjësve të atyre krimeve dhe
pastaj i shkruesve të narrativës së gënjeshtërt nuk i ka interesuar kësaj
elite. Po ashtu, pjesa e kësaj elite që rrëmbeu flamurin e antikomunizmit, duke
qenë e edukuar me metodat e atij pushteti, e manipuloi për interesa politike me
të njëjtat metoda të narrativës komuniste persekutimin e popullit shqiptar duke
tjetërsuar, kësisoj, thelbin e tij. Hallet e pafundme që u krijuan nga
politikat e mbrapshta gjatë këtyre njëzet vjetëve, si dhe triumfi i kulturës konsumiste
që e ka reduktuar njeriun thjesht në shijues të së sotmes pa një kujtesë të së
shkuarës dhe pa një projekt të së ardhmes, kanë plotësuar procesin e harrimit
të këtyre ngjarjeve kaq tragjike.
Megjithatë duke lexuar librin“Formësimi i kujtesës
kolektive” të vjen ndërmend edhe një fjalë e urtë që thotë: “E vërteta mund të
hollohet, por nuk këputet.” Këto dëshmi hedhin dritë mbi një të vërtetë që
është harruar deri atje ku s’mban më, por që nuk ka humbur krejtësisht.
Sigurisht, nëpërmjet njohjes së këtyre historive ne nuk e zhbëjmë dot
padrejtësinë ndaj viktimave. Por njohja e këtyre të vërtetave është e
rëndësishme për të vendosur drejtësi në kujtesën tonë të deformuar nga
narrativa komuniste, sepse janë të shumtë ata që nuk u japin të drejtë atyre viktimave
edhe sot në kujtesën e tyre e që këtë padrejtësi ua transmetojnë edhe
trashëgimtarëve të tyre. E kjo është e rëndësishme, shumë e rëndësishme si për
të vdekurit, të cilëve u japim drejtësinë e mohuar për gjysmë shekulli, edhe
për të gjallët.
Po ende, njohja e këtyre të vërtetave është,
ndoshta, edhe më e rëndësishme për ata, veçanërisht të rinj, që janë
indiferentë ndaj tyre, madje që nuk kanë asnjë kujtesë. Sepse është e njohur
thënia se “një histori që harrohet është e destinuar të përsëritet”. Duke
lexuar librin ne kemi një ndjenjë të thellë empatie për ata njerëz që janë
marrë dhe pushkatuar pa gjyq, për të terrorizuar të tjerët. Na vjen vetvetiu
thirrja e brendshme se kjo nuk duhej të ndodhte. Se kjo është një padrejtësi.
Është një imunitet i rëndësishëm ky që fitojmë ndaj të keqes. Çdo padrejtësi që
zbulojmë dhe denoncojmë na mbron edhe ne vetë nga padrejtësitë që mund të bëjmë
në jetë, sepse vazhdojmë të jetojmë në një botë ku shohim përditë se sa lehtë
njeriu i paditur mund të kthehet në xhelat ndaj tjetrit.
*Parathënia e librit të Fabian Katit “Formësimi
i kujtesës kolektive” mbi ngjarjet tragjike në Dukagjin, Malësinë e Madhe dhe
Postribë në vitet 1945 – 1946. (Gazeta Mapo, 21 shkurt 2015)
No comments:
Post a Comment