Para disa kohësh kam botuar një artikull, ku midis të
tjerash kam shkruar edhe për skizofreninë shqiptare. I mëshoja idesë se
shqiptarët vazhdojnë edhe sot, si në kohën e propagandës komuniste, të jetojnë
në mënyrë skizofrenike në dy botë: njëra ajo e mburrjes me heronjtë e figurat e
tyre të lavdishme dhe tjetra ajo e mallkimit të gjendjes së tyre të mjeruar, që
rezulton e shkaktuar nga po këta figura. Në atë shkrim e kisha fjalën për
heronjtë e UÇK-së, që po e qeverisnin Kosovën kundër shqiptarëve. Mora shumë
sulme në atë kohë, që më akuzonin si antishqiptar deri në atë shkallë sa po i
shaja shqiptarët si të sëmurë psikikë. Në fakt, përdorimi i termit skizofreni
nuk ka vetëm kuptimin psikiatrik, por edhe një kuptim tjetër: si bashkekzistencë
elementesh inkompatibël apo kontradiktorë në një gjendje, në një libër, në një
politikë, shkrim, fjalim apo mendim. Është një term që përdoret për ta shprehur
edhe më me forcë atë që me fjalë më të buta mund të quhet kontradiktë,
inkoherencë.
Rasti po më jepet që ta sqaroj edhe një herë termin që
kam përdorur. Ndërkohë që vendi njohu përmbytjen më të paparë në historinë e
vet, për shkak të abuzimeve të rënda njëzetvjeçare me territorin, ndërkohë që në
Shqipëri ka shpërthyer krimi sheshit duke arritur të vërë eksplozivë deri në
biznesin e familjes së ministrit të Brendshëm, ndërkohë që kriza ekonomike është
shpalosur rëndshëm, e lidhur edhe me krizën në Greqi dhe Itali, ndërkohë që
shumë shqiptarë po ikin si kurrë më parë në vitet e fundit, në mediet shqiptare
pashë të adhurohet një shkrim i Roberto Savjanos “Kjo nuk është më Shqipëria e
nënshtrimit”, marrë nga “Espresso”, ku shkrimtari i “Gomorra”-s përsëriste
lajtmotivin e një kënge, që ka disa kohë që këndohet në mediet italiane. Sipas
kësaj kënge, Shqipëria ka ndryshuar, aq sa tashmë nuk kemi më fenomenin e
ikjes, por atë të ardhjes jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të italianëve. Dhe
ajo që më la pa gojë edhe më shumë sesa Shqipëria e përshkruar nga Savjano,
ishte reagimi i shqiptarëve në rrjetet sociale. Thuajse të gjithë ishin të
lumtur që jashtë shtetit flitet mirë për vendin e tyre, se Kryeministri i kishte
përfaqësuar ata denjësisht, aq më tepër sikur ishin bindur edhe vetë se kjo
ishte e vërteta. Thoshe me vete: janë apo nuk janë këta që ankohen pa fund për
gjendjen në Shqipëri?
Ja për këtë lloj skizofrenie e kisha fjalën.
* * *
A është kjo skizofreni një gjë e natyrshme apo një sëmundje
kulturore? Sipas meje, deri në një pikë është e natyrshme për sa kohë si qenie
njerëzore jemi të shtrënguar të jetojmë shumë kontradikta, ndër të cilat një
nga më të fortat është pikërisht ajo midis reales dhe ideales, midis dëshirave
të pamata që kemi dhe mundësive të kufizuara për t’i realizuar ato. Por pikërisht
për të njohur diferencat midis këtyre dhe për të gjetur mënyrën se si t’i
jetojmë në mënyrë sa më të shëndetshme këto kontradikta, na shërben
inteligjenca jonë, edukimi, kultura; Na shërben edhe politika, edhe gazetaria.
Kurse mua më rezulton se një kulturë perverse e politikës dhe e gazetarisë kërkon
t’i (keq)përdorë këto kontradikta njerëzore. Duke shfrytëzuar dobësinë e njerëzve
që, edhe kur ndihen keq, duan vetëvlerësim për t’u ndier mirë dhe faktin se
shqiptarët e kërkojnë këtë veçanërisht nga të huajt, ndaj të cilëve kemi
kompleks inferioriteti, politika shqiptare tenton të manipulojë njerëzit nëpërmjet
medieve të huaja. Këtë e bën duke ua shitur atyre realitetin që jetojmë si
parajsë dhe pastaj duke na i kthyer shkrimet dhe reportazhet e tyre si pasqyrën
ku duhet të shohim veten. Dhe kjo për të legjitimuar pushtetin e autorëve të kësaj
parajse në fakt skëterre. Shqiptarët që s’kanë pavarësi mendimi mbeten kështu të
sugjestionuar nga autoriteti i të huajve e shohin vendin si parajsë dhe si skëterrë
njëherësh. Një pjesë e mirë kalojnë nga njëra gjendje në tjetrën, nga njëra botë
në tjetrën pa arritur të kuptojnë se ku qëndron mashtrimi dhe cilët janë
mashtruesit.
* * *
Ky manipulim, veçanërisht me medien italiane, ka ca kohë
që ka filluar rëndshëm. Para disa kohësh kur isha në Bari, më erdhën dy gazetarë
dhe më bënë pyetjen pohim: na e shpjego pak të lutem këtë mrekullinë shqiptare;
tani nuk janë më shqiptarët që ikin nga Shqipëria, por italianët që vijnë në
Shqipëri. Kuptohet, mbeta i befasuar. M’u kujtua një film i Amelios që ka bërë
para ndonja dy-tre vjetësh që mbyllet me personazhin që shkon e gjen punë në
Shqipëri dhe u thashë se e paskan marrë fiksionin e Amelios, që synon të
ironizojë gjendjen në Itali, si realitet. Por jo shumë kohë më vonë pashë një
faqe të tërë të “La Republica”-s me këtë temë, që intervistonte edhe një
shqiptar të suksesshëm që është rikthyer në Shqipëri dhe ka hapur një call center.
Nuk vonoi shumë dhe një gazetare e “Rai 2” më erdhi një ditë në shtëpi dhe më
tha se kishte ardhur të paraqiste Shqipërinë ku po kthehen jo vetëm shqiptarët,
por po vijnë edhe italianët. Kur i kërkova të më thoshte se cilat ishin këto
bizneset italiane që paskan ardhur e po e lulëzuakan Shqipërinë, nuk diti të më
thotë si rast më të suksesshëm sesa call center-in e famshëm. Po pse të duket
punë për njeriun puna në një call center? – i thashë, ku të rinjtë shqiptarë
futen si pulat në inkubator për 8 orë duke bërë telefonata idiote për të marrë
200–300 euro në muaj?
Është normale, madje simpatike që ka italianë që nuk e
shohin Shqipërisë me sy racist, siç është vështrimi që ende mbizotëron në
Itali. Por edhe këtyre gazetarëve u kërkohet një sens realiteti, nuk u lejohet
që të mashtrojnë bashkëqytetarët e tyre, pa e ditur, ndoshta, se po përdoren
edhe për të mashtruar shqiptarët.
* * *
Dalja e Ramës në “La 7”, në një emision që tentonte të
paraqiste Shqipërinë si parajsën e italianëve, ishte për mua një pikë
kulminante e një politike të tillë skizofrenike. Sepse duke e dëgjuar nuk mund
të mos mendoje për skizofreninë shqiptare: ishte i njëjti njeri që para jo më
shumë se një viti e gjysmë ka bërë përshkrimet më të zymta të gjendjes së Shqipërisë:
mjerim, varfëri, papunësi, korrupsion, padrejtësi, klientelizëm, sistem që
korrupton edhe gjermanët jo shqiptarët, çfarë nuk ka thënë. Duhet të jesh
budalla të mendosh se Shqipëria u kthye në parajsë për italianët në këtë një
vit e gjysmë kur janë ndërprerë thuajse edhe investimet për shkak se më parë
duhen paguar borxhet - siç ka thënë edhe vetë Kryeministri. Dhe ai i famshmi që
ka hapur call center nuk ka ardhur në kohën e Ramës, por në kohën që Rama
mallkonte. Edhe Amelio në atë kohë e ka bërë filmin. Por, për çudi, as opozita
nuk reagoi për këtë. Nuk i kërkoi Kryeministrit as llogari se pse nuk ul bythën
të punojë në zyrë, por e shohim gjithë kohën në ajër duke fluturuar jashtë për
të promovuar Shqipërinë si vepër artistike të tij, ndërkohë që ajo është më keq
se kurrë. Sepse të gjithë duhet të jemi të lumtur për imazhin e Shqipërisë në
botë. Dhe kush thotë se nuk është kështu, shpejt e paraqesin si antishqiptar.
Ja kjo është skizofrenia.
* * *
Dikush mund të thotë se Kryeministri e ka bërë këtë për të
tërhequr investitorë italianë. Unë nuk mendoj se një italian mund të vendosë të
vijë në Shqipëri nga një emision televiziv. Ai mund të vijë të investojë pasi
ta shkelë terrenin; dhe, në mos qoftë mafioz- siç kanë qenë për fat të keq
mjaft italianë që kanë investuar në Shqipëri- do ta mendojë dy herë investimin
në një vend, ku përditë vihet tritol dhe grabiten banka.
Që t’i bie shkurt, unë jam bindur se gatimi i këtij
imazhi të rremë të Shqipërisë nuk vjen direkt nga kuzhinat mediatike italiane,
por nga kuzhinat e Tiranës në bashkëpunim me një gazetari të keqe italiane
(ndoshta edhe me ambasadën italiane). Ky manipulim nëpërmjet mbulimit të Shqipërisë
reale me gjethen e fikut të vizatuar nga mediet e huaja koincidon me ardhjen e
qeverisë së re në pushtet me në krye një mjeshtër të manipulimit mediatik, siç është
Edi Rama, i cili ka një aparat propagandistik (sot e quajnë network) që punon
dhe shpërblehet për këtë punë, brenda dhe jashtë vendit. Dhe qëllimi i kësaj
pune, siç e thashë, nuk është sjellja e investimeve, por manipulimi i njerëzve,
trullosja në mos mpirja e sensit të tyre të realitetit, e sensit të tyre
kritik. Sepse kjo punë i shërben pushtetit jo vetëm për të rritur prestigjin
dhe autoritetin e tij mbi shqiptarët, por edhe për të delegjitimuar kritikën e
brendshme që është edhe kështu shumë e dobët për shkak të një opozite të
diskredituar dhe të një medie dhe shoqërie civile më së shumti klientelë e
pushtetit. (Panorama 24 shkurt
2015)
No comments:
Post a Comment