Janë të shumtë ata që vazhdojnë të
përdorin edhe sot termin tranzicion kur flasin për rrugëtimin e Shqipërisë
drejt Evropës me idenë se jemi ende në tranzicion. Disa i shtojnë epitetin
"i vështirë", por emrin ia lenë "tranzicion". Të tjerë
pretendojnë se tranzicioni ka mbaruar. Sipas meje ky diskurs nuk mund të ndalet
deri këtu. Veçanërisht nëse kemi parasysh se ka kaluar afro një çerek shekulli
qysh kur ka nisur i ashtuquajturi tranzicion dhe ndërkaq shqiptarët vazhdojnë të
ikin dramatikisht nga barka e tij duke kërkuar rrugën e tyre individuale të shpëtimit.
Me fjalën tranzicion kuptohen
kryesisht dy gjëra:
Së pari figurativisht tranzicioni
paraqitet si një rrugëtim apo si një lundrim nga një vend/breg për në një tjetër.
Më i njohuri në sensin metaforik është rrugëtimi i ebrejve për në tokën e
premtuar nën udhëheqjen e Moisiut. Në vitet '90 ky është përmendur shpesh edhe
për faktin se u deshën 40 vjet që ebrejtë të arrinin tokën e premtuar, duke qëndruar
një kohë të gjatë në shkretëtirë, jo për shkak të largësisë, por sepse askush
prej atyre që kishin lindur në skllavëri, nuk mund ta shkelte atë. Është përdorur
ky krahasim për të thënë se edhe ne që jetuam skllavërinë komuniste do të na
duhet kohë për të arritur ato vlera themelore të demokracive perëndimore që me
një fjalë të vetme ndoshta mund të përmblidhen në "shteti i së drejtës".
Së dyti, kur themi tranzicion ajo
që mund të diskutohet është kohëzgjatja, pra sa rrugë kemi bërë, sa na ka
mbetur për të bërë, a po ecim shpejt apo kemi ngecur në shkretëtirë, është i vështirë
apo i lehtë, por, ndërkaq, afrimi drejt "vendit/bregu" të shumëpritur
nuk diskutohet?
Tani ka ardhur koha të ngremë
pyetjen: a mund të quhet vërtet
tranzicion ky i yni apo më së shumti mund të quhet drejtim i gabuar sepse, pas
njëzet e pesë vjetësh rrugëtim, qëndrim në shkretëtirë, adhurim të zotave të
rremë, a nuk do të duhej të dukeshin së paku konturet e "tokës së
premtuar", shtetit të së drejtës, që do të na gjallëronin e jepnin shpresë?
Për t'iu përgjigjur këtyre
pyetjeve më së pari po i referohem disa argumenteve të vetë maxhorancës që na
qeveris sot. Vetë fakti që në fushatën elektorale që i solli fitoren në vitin
2013 ajo përdori termin "rilindje" tregon se deri në atë vit, sipas
saj, Shqipëria ishte e vdekur. Dhe një i vdekur minimumi nuk lëviz. Por duke
qenë se nuk mund të mohohet se një lëvizje ka ndodhur a nuk është më e drejtë të
themi se kemi ecur në një drejtim të gabuar, që nuk na ka afruar drejt qëllimit?
Më duket se ka shumë tregues të kësaj, duke filluar që nga politikat ekonomike
të dështuara që kanë sjellë një
shkatërrim katastrofik të burimeve natyrore dhe njerëzore e të territorit dhe
deri tek politikat e arsimimit që kanë sjellë një nivel arsimimi shumë më të ulët
se në fillim të të ashtuquajturit tranzicion. Po fakti i mbushjes së
Parlamentit dhe i segmenteve të shtetit me kriminelë, trafikantë droge e
prostitutash, aventurierë e mashtrues që, sikur të kishim ecur në drejtimin e
shtetit të së drejtës, me kohë do të duhej të kishin qenë në burg për çfarë
flet? E pra në fillim të viteve nëntëdhjetë në Parlament kishim atë që mund të
quhej elita intelektuale e vendit, e cila, megjithë defektet e trashëguara nga
komunizmi as që imagjinohej se në rrugën drejt shtetit të së drejtës do të zëvendësohej
me njerëz të krimit të organizuar.
Tërhoqi vëmendjen së fundi një
shkrim i deputetit të maxhorancës Ben Blushi i cili ecjen dyvjeçare të
Rilindjes e quajti si një procesion funeral. Sipas meje kjo që po përjetojmë
nuk është funerali i një maxhorance që sapo ka ardhur në pushtet, por funerali
i shpresës që lindi në Dhjetor të 90-tës u sëmur shpejt dhe që ka qenë gjatë
gjithë këtij çerek shekulli e sëmurë, ndërkohë që fjala tranzicion është përdorur
për ta mbajtur atë gjallë. Kjo Rilindje erdhi me gjoja premtimin e një terapie
të re, por mënyra e si po sillet
dhe po qeveris jo vetëm i ngjan si dy pika uji asaj të paraardhësve përsa i përket ruajtjes së një sistemi
të kapur nga krimi, të korruptuar, klientelar dhe jodemokratik, ku shumica e
njerëzve punon për një grusht mashtruesish dhe abuzuesish me shtetin, por, në
disa aspekte, duket se e ka thelluar këtë prirje. Kjo e ka vrarë shpresën përfundimisht dhe ne po asistojmë në
funeralin e saj. Karvani i funerali të shpresës së fundi po shfaqet si një karvan refugjatësh që ikin jashtë
shtetit.
Që përgjegjësit e këtij rrugëtimi
në drejtim të gabuar janë timonierët kapitenë e anijes, partitë politike dhe
elitat që i kanë mbështetur ato kjo nuk do diskutim. Pyetja që ngrihet është ç'duhet
bërë për të ndërruar drejtim.
Personalisht gjatë fushatës
elektorale të vitit 2013 kam mbështetur ardhjen e kësaj maxhorance në pushtet
jo pse më ngjallte shpresë. Ishte naive të shpresoje se njeriu që u vu në krye
të sistemit kriminal që shkatërroi Tiranën në mënyrë të pakthyeshme do të
transformonte për mirë Shqipërinë duke u vënë në krye të këtij sistemi në nivel
kombëtar. E kam mbështetur rotacionin duke hedhur idenë se PS duhet të vijnë në
pushtet që të na shkurtojnë kohën e zhgënjimit dhe ndarjes me krejt këtë klasë
politike. Sepse po të qëndronte Berisha edhe 4 vjet të tjera njerëzit do të
vazhdonin të shpresonin tek ardhja e rilindësve për të ndryshuar gjendjen kurse
kështu do të bindeshin se zgjidhja shpëtimi duhen kërkuar përtej kësaj klase
politike tek një lëvizje që ose do t'u marrë pushtetin këtyre partive ose do
t'i detyrojë të transformohen radikalisht. Dalja në zgjedhjet lokale të këtij viti e disa kandidatëve të
pavarur antisistem, është fillimi i artikulimit politikisht të kësaj vetëdijeje. Është vetëm një fillim që duket ende
shumë i brishtë përpara sistemit që ka zaptuar gjithçka, por kush kërkon vërtet
fillimin e një tranzcioni të vërtetë drejt shteti të së drejtës duhet t'i hedhë
sytë e të veprojë për nga këto zgjidhje. (Panorama, 27 prill 2015)
No comments:
Post a Comment