Kryeministri nxitoi të na qetësojë që nga SHBA lidhur me tronditjet e fundit të tërmetit ekonomik dhe politik që ka përfshirë Europën dhe SHBA, me epiqendër kaq afër nesh, Greqinë. Madje ai tentoi të na japë edhe një faqe pozitive të kësaj krize: shqiptarët që kanë humbur punët në Greqi apo Itali po kthehen në Shqipëri dhe po i investojnë në vendin e tyre kursimet që kanë bërë në këto vende. Është e vërtetë se nuk pritet nga një kryeministër të bëjë të dëshpëruarin, por nuk pritet as të lëshojë deklarata të tilla që të lënë shijen e një politike struci, që mund të na çojë në një gjendje edhe më të dëshpëruar se ç’jemi kur të na vijë vala goditëse. Sipas meje, çështja e krizës greke, në kontekstin e asaj europiane, meriton të shtrohet fort në Shqipëri si në kontekstin e asaj se mund të na përfshijë në terma afatshkurtër, ashtu edhe në terma më afatgjatë.
Tri janë fjalët që lakohen më shumë në këtë ditë në mediat e huaja: deficiti, borxhi shtetëror dhe default (falimentimi). Lidhja midis tyre, e thjeshtëzuar, është kjo: një shteti i duhen para për të kryer tërë ato që quhen shërbime, duke filluar që nga investimet në rrugë, arsim, shëndetësi e më the të thashë, deri në pagimin e rrogave punonjësve të administratës, mësuesve, pensionet etj. Që të sigurojë këto para i duhet të mbledhë taksat dhe tërë ato detyrime që kanë shtetasit, çka nënkupton se, edhe në sajë të investimeve që bën shteti, në vend duhet të prodhohet mall që sjell para. Në pamjaftueshmëri të këtyre parave (diferenca midis shifrës që i duhet dhe shifrës që ai mund të mbledhë quhet deficit) shteti merr borxhe, të cilat kanë një koeficient interesi që varet edhe nga ajo se sa kredibilitet ka huamarrësi. Ajo që ka ndodhur në vende si Greqia (por dhe Italia e gjetkë), është se ky borxh është rritur duke mbërritur në shifra alarmante. Shkaqet janë disa: së pari, pasi shumë nga investimet publike kanë qenë investime për investime, për politika elektorale, për korrupsion, për të shpërblyer klientelat e partive etj.; së dyti, pasi administrata, e në përgjithësi sektori shtetëror, ka qenë tejet i fryrë; së treti, pasi nuk janë bërë reforma strukturore të mençura investimesh afatgjata që të sjellin zhvillim të qëndrueshëm. Dhe këtu del në skenë termi “default” që po përmendet kaq shumë këto ditë nga ekspertët e ekonomisë e që, më gazetarisht, do të thotë falimentim. Kur një ndërmarrje e madhe e kuotuar në bursë, një bankë ose vetë shteti deklaron paaftësinë për të respektuar kontratat e për të paguar borxhet, shpallet falimentimi. Nëse kjo ndodh me një shtet, kjo ka pasoja dramatike, sepse nëse tregu humbet besimin ndaj një shteti, atëherë vihen në lëvizje mekanizma politikë e financiarë që rrisin përqindjen e interesit të borxheve (ose që nuk japin më borxhe), e duke qenë se shteti është i lidhur me një mijë fije edhe me ekonominë private, tek e fundit, falimentimi i shtetit çon në falimentimin e krejt ekonomisë së një vendi. Në Greqi ka dalë se qeveritë i kanë trukuar shifrat e veta lidhur me borxhet dhe mundësinë për t’i paguar ato, derisa më në fund është zbuluar se ajo nuk mund t’i paguajë këto borxhe. Sipas ekonomistëve, në këto kushte, Greqia nuk ka rrugë tjetër veçse të shpallë falimentimin, që më konkretisht, sipas tyre, do të thotë që ajo të dalë nga zona “euro” dhe të kthehet te dhrahmia, të krijojë një inflacion të madh që, tek e fundit, do të thotë që një grek (apo edhe emigrant shqiptar) që ka sot në bankë, le të themi, 10 mijë euro, pas këtij operacioni do të ketë atje dhrahmi me një vlerë që, e konvertuar në euro, do të vlente vetëm 5 mijë. George Soros, në një artikull të shkruar së fundi në “New Yorker”, thoshte se vetëm një falimentim i kontrolluar i Greqisë, së bashku me atë të Portugalisë, madje edhe të Irlandës, do të mund të shpëtonte zonën “euro”, përndryshe, e ardhmja e euros është shumë e dyshimtë.Për t’i shpëtuar kësaj katastrofe, qeveria greke ka ndërmarrë së fundi masa të forta. Ka shkurtuar deri me 40% pensionet mbi 1000 euro, ka përgjysmuar rrogat e një numri jashtëzakonisht të madh të punonjësve në administratë, po bën shkurtime drastike në të, po rrit taksat e po shton taksa të reja – të gjitha këto për t’i siguruar europianët, kryesisht gjermanët, se ajo mund ta mbyllë deficitin e se nesër do të mund t’i paguajë borxhet, që t’i hedhin edhe një herë barkën e shpëtimit e t’i japin borxhe të tjera. Por, si pasojë, po përballet me trazira të mëdha sociale, sepse disa pyetje të rëndësishme ngrihen: Pse duheshin bërë tërë ato investime gjigante që rritën deficitin e borxhin? Kush përfitoi nga ato investime? Përse duhet t’i paguajnë njerëzit e thjeshtë me pensionet e tyre këto kur, nga ana tjetër, ata që janë pasuruar do të bëhen edhe më të pasur me këtë operacion? Jo vetëm, por edhe një pyetje tjetër ngrenë ekonomistët: A do të mundet që këto masa të sjellin rritje të ekonomisë, apo do të ndikojnë që të kemi rënie të mëtejshme të saj?Kjo është pak a shumë gjendja në Greqi si skenar që, edhe pse në masë më pak dramatike, kërcënon më së pari Italinë, Spanjën e Portugalinë, por, sipas shumë ekonomistëve, edhe shtetin më të fuqishëm sot në botë, SHBA, duke vënë në diskutim serioz modelin e kapitalizmit neoliberist e të ekonomisë spekulative që është zhvilluar këto dekadat e fundit.A i lejohet Shqipërisë ta kalojë me frazat optimiste të Kryeministrit këtë situatë? Le të ndalemi për një çast në deklaratën e tij se shqiptarët e mbetur pa punë jashtë po kthehen dhe po investojnë këtu. Këtë vit pata rastin të vizitoj Veriun e Greqisë. Një nga gjërat që më befasoi ishte numri jashtëzakonisht i madh i shqiptarëve që takova atje. Pothuaj të gjithë punonin ose në ndërtim, ose në shërbime të tilla si kamerierë, kuzhinierë, pastrues nëpër shtëpi e hotele. Grekët vetë të thoshin se ndërtimet atje i kishin bërë duart e shqiptarëve. Në një fshat të gadishullit Pilion, Murizi quhej, kishte 80 shqiptarë të shpërngulur të gjithë nga i njëjti fshat i Peshkopisë. Nuk mund mos të të lindte mendimi se ndoshta krimi më i madh i klasës politike shqiptare që ka qeverisur këta 20 vjet është moskrijimi i kushteve që shqiptarët t’i derdhin energjitë në vendin e tyre, për të mirën e tyre, së bashku me ndjenjën e neverisë për ata sharlatanë pseudopatriotë që ndërkohë që me çka bëjnë në Shqipëri i detyrojnë shqiptarët të punojnë si shërbëtorë të grekëve, me fjalë hiqen sikur mbrojnë interesat e tyre duke manipuluar ndjenja e retorika nacionaliste antigreke me gjuhën e Enver Hoxhës. Është e vërtetë se një pjesë e emigrantëve nuk i kanë humbur lidhjet me Shqipërinë, por është edhe më e vërtetë se shumica e tyre nuk e shohin të ardhmen e tyre apo të fëmijëve të tyre në Shqipëri. Po ashtu, kur bëhet fjalë për investime, thuajse i vetmi investim është ndërtimi i ndonjë shtëpie, apo i ndonjë kafe-bari, apo restoranti. Por këto nuk prodhojnë para. Ato kërkojnë para. Një pjesë e mirë, pasi hedhin karabinanë, kthehen të punojnë në Greqi për të grumbulluar para për të plotësuar ndonjë kat. Po të udhëtosh nëpër Shqipëri do të shohësh se, në fakt, ajo është përplot me shtëpi të reja, shumica të papërfunduara, që janë ndërtuar me investimet e këtyre emigrantëve. Por zor se mund të mendohet se ato do të popullohen ndonjë ditë jo vetëm pasi janë bërë pa ndonjë koncept urbanistik e me pasoja katastrofike për peizazhin e territorin, por edhe pse pa asnjë strategji afatgjatë që të ketë parasysh se ku do të punojnë njerëzit që do të mund të banonin aty. Para disa kohësh isha në Bathore, ku, siç dihet, banojnë edhe shumë njerëz, të ardhur kryesisht nga Veriu. Kur i pyeta disa se me çfarë jetonin në atë vend, përgjigjja që më dhanë shumica ishte se jetonin me ato çika para që u dërgonin vëllezërit apo motrat nga emigracioni. Nëse këta do të kthehen në Shqipëri, me çfarë do të hanë këta që janë këtu? Si mund të thuash se kthimi i këtyre do të sjellë investime në Shqipëri? Çfarë do të investojnë në Bathore këta njerëz po u kthyen? Çfarë mundësish të tjera u ka krijuar qeveria për të investuar, përveçse i ka lënë të zaptojnë toka buke për të ndërtuar shtëpi e kafe-bare? Asgjë ose thuajse asgjë, është përgjigjja. Qeveritë tona kanë qenë e mbeten të kapura nga interesat e disa oligarkëve brenda dhe jashtë vendit, kurse përtej interesave të tyre nuk ka politika ekonomike. E kjo ngre pyetjen: Nëse nuk prodhohet asgjë në vend, ku do t’i gjejë qeveria paratë për të paguar borxhet që po akumulon?Pra, duket sikur në terma afatshkurtër, Shqipëria është jashtë skenarit grek të krizës. Kjo sepse në shumë aspekte është jashtë rrjetit të ekonomisë europiane, p.sh. nuk është në bursë, çka do të thotë se asaj nuk i digjen miliona brenda një dite për shkak të rënies së kredibilitetit të qeverisë, sepse ka shërbime nga ato që mund të quhen mizerabël, pensione e rroga shumë më të ulëta, së ka një ekonomi kryesisht informale, të bazuar edhe mbi trafiqe, që në një farë mënyre bën të pikojë ende para, ndonëse me një kosto afatgjatë tragjike, se ajo funksionon me lekë dhe qeveria i ka duart e lira të presë monedha, të krijojë inflacion kur t’i duhet. Por, ama, rënien e ekonomisë po e provojnë të gjithë. Duket sheshit se qeveria nuk ka likuiditet. Si i përgjigjet Kryeministri pyetjes pse ua mohoi lekët e dëmshpërblimit shtresës që e konsideron më afër elektoratit të vet, ish-të burgosurve, përveçse me atë se arka e shtetit është bosh?Por, në terma më afatgjatë, kriza greke paralajmëron një të ardhme dramatike për Shqipërinë nëse politika nuk do të ndalet të nxjerrë konkluzione serioze prej saj. Së pari, sepse modeli i qeverisjes sonë është shumë i ngjashëm me ato që dëgjojmë për Greqinë, madje shumë më i keq. Mjaft të kesh parasysh se është vështirë të gjesh ekonomi të shëndoshë prodhuese në Shqipëri nga ato që rrisin edhe punësimin, edhe vjeljen e taksave për shërbime. Shteti ynë vazhdon të bëjë investime nga ato që thellojnë borxhin, për qëllime politike apo klienteliste, por që s’krijojnë hapësira për zhvillim nesër. Rruga Rrëshen-Kalimash, edhe për njëzet vjet do të kishte qenë e mjaftueshme me një korsi, por qeveria jonë e bëri me dy. Shumë më i rëndësishëm se tuneli i Kërrabës do të kishte qenë, për shembull, për elbasanasit një projekt për çlirimin luginës së Shkumbinit nga monstra tumorale që ndërtoi Enver Hoxha me Metalurgjikun. Në vend të projektit për të shembur Piramidën e ngritur aty një superparlament, Tirana ka nevojë për projekte serioze, për investim në kapitalin njerëzor, si p.sh. për shkolla e kopshte apo për pastrimin diferencial të plehrave, që po na mbysin me dioksinë. Mirëpo askush nuk mendon për këto. Nuk po i hyj këtu çështjes së rritjes së të ashtuquajturave kredi të këqija, që janë një bombë me sahat shtesë.Ndërkaq, në aspektin politik, kriza, edhe nëse nuk çon në një dalje të Greqisë nga euroja (paçka se shumë dyshojnë për këtë), do të thotë, gjithsesi, vonim i procesit të integrimit europian, në mos dështim i tij për shtete si Shqipëria. Kjo për Shqipërinë do të kishte pasoja tejet të paparashikuara, të mbarsura me rreziqe të mëdha, sepse një Ballkan që humbet orientimin europian në kushte krize ekonomike e të një Europe që nuk zgjidh dot as hallet e veta, shumë lehtë do të kthehej në një fuçi baruti. Disa sinjale për këtë po na vijnë nga Veriu i Kosovës. Si mund të kalohet gjithë kjo problematikë me deklaratën optimiste se kriza po i ndihmon shqiptarët të kthehen në vendin e tyre e të investojnë atje? Sipas mendimit tim, kemi të bëjmë me një papërgjegjshmëri të rrezikshme, që të kujton se Berisha bënte deklarata të tilla edhe kur thoshte në prag të rënies së piramidave, se paratë e shqiptarëve ishin të pastra e të sigurta. Shpjegimin e kësaj papërgjegjshmërie mund ta gjesh vetëm në atë se ndoshta Berisha e ata që e mbështesin në këtë aventurë, thonë me vete: “Përderisa kaluam pa na hyrë gjemb në këmbë ‘97-n, s’ka çfarë të na ndodhë edhe tani”. Mirëpo ka nga ata që thonë se ajo që mund të ndodhë tani është shumë më e rëndë se ‘97-a, pasi atëherë u vunë në lojë kursimet, kurse tani do të jetë në lojë buka e gojës e shumë më tepër. (Panorama 27 shtator 2011)
Wednesday, September 28, 2011
Kriza
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
-
Në Bibël ka një pasazh që është komentuar shumë: ai ku përshkruhet çfarë ndodhi në momentin para se Kaini të vrasë Abelin. Komentohet fakti...
-
Në mbyllje të 2005-sës, vit të cilin, në petkun e gazetarit, e kam ndjekur hap pas hapi me shkrime, kryesisht mbi jetën dhe zhvillimet polit...
-
Një her ë e një koh ë e kam dashur edhe unë Vaçen, por më duhet të them se kjo i përket periudhës së jetës kur njeriu ende beson tek m...
1 comment:
Problemi i krizes greke eshte pak me i komplikuar se qe parashtron ti z. Lubonja. Nuk eshte puna ketu vetem tek korrupsioni. Sigurisht qe edhe ai ekziston, por eshte vetem nje pjese e ekuacionit. Greqia gjithnje, si shtet me besim ne treg, ka pasur mundesi te marre kredi te lire dhe te mbulohet ne borxhe si cdo shtet tjeter perendimor. Kjo per rrjedhoje nga nevoja e qeverive greke ta kenaqe elementin socialist dhe keshtu te mbaje nje sektor te madh publik te punesuar me punetor perplot privilegjesh ..
Por tani ne treg eshte kumtuar lajmi i keq se Greqia s'ka si t'i ktheje keto borxhe ,, nje pjese e problemit qendron tek Greqia ,, por nje pergjegjesi e madhe qendron edhe tek spekulantet qe perhapin kumtesen e Greqise se zene piske, duke fryer ndjenjen e panikut dhe duke i shtrenjtuar kredite qe qeverise greke domosdo i nevojitet ,, duke e zhytur ne borxh edhe me te madh ,, duke detyruar FMN:ne dhe BE:ne (lexo: Gjermanine) te nderhyjne dhe t'u japin grekerve para shtese per t'u nxjerrur nga kriza .. me kusht qe ata te zvogelojne sektorin publik dhe pagat e pensionet e njerzve te rendomte... gje qe rezulton ne pertypjen e ekonomise ne vend qe ta stimuloje ate.. shto ketu faktin se Greqia perdor euron gje qe nenkupton se s'ka mundesi te devalvoje valuten e vet per stimuluar eksportin.
Pra ketu kemi te bejme me ceshtje strukturale, jo vetem shteterore por mbareevropiane. S'mund te rrjedh gjithcka tek moskompetenca e ballkanasve te "eger" .. kjo eshte nje krize e vet struktures se bashkepunimit te hershem evropian te euros, ku Greqia eshte viktima e pare. Shto ketu kulturen e ekonomise spekulative qe i hedh vaj zjarrit dhe e perhap duke djegur Greqine e tere dhe me tej.
Vetem kete doja ta sqaroja,sepse kam verejtur tek ju nje prirje drejt nje paragjykimi pothuajse gadi rracist te tipit postkolonial ndaj kombit tuaj ,, ku gjithcka rrjedh nga moskompetenca jone per te krijuar nje shoqeri,nje ekonomi, nje shtet te shendoshe ,, por harroni se edhe e tere struktura evropiane qendron mbi nje themel te pasigurte, dhe ata qe neve na diktojne civilizimin sot ndodhen prane gremines ,, duke thene kete, pajtohen me mendimin tend per shkurtpamesine e Berishes, i cili ne vend qe te merr kete ceshtje seriozisht na flet perralla per ekonomine tone sikur te jete e paprekshme ,, kur ne fakt, sic thua ti, nje pjese e mire e ekonomise sone mvaret nga remitancat, nje pjese e mire e cila vjen nga mergimtaret tane qe ndodhen ne Greqi.
Post a Comment