Thursday, January 31, 2019

Për ata që shpresojnë te euroburokratët e BE

Kur kam rreshtuar për herë të parë shkaqet se pse ndërkombëtarët e mbështesin Reformën në Drejtësi, që dukshëm i shërbente kapjes së Drejtësisë nga Rama, në fund të rreshtit vendosa edhe idenë se një nga shkaqet mund të ishte korruptimi i tyre. Asokohe, jo vetëm shkruesit në shërbim të Ramës gati sa nuk më nxorën sytë – si mund të guxojë ky të thotë se ambasadori amerikan apo ambasadorja e BE-së mund të jetë të korruptuar! -, por thuajse askush nuk e mori seriozisht këtë argument. Në fakt, kaq i fortë ka mbetur besimi i shqiptarëve te pastërtia morale dhe qëllimet e mira të ndërkombëtarëve, saqë duket se është më mirë të mos hedhësh dyshime mbi ta – edhe sikur të kesh prova – sepse ka të vërteta që përderisa askush nuk i beson, më mirë të mos i thuash fare, se të kthehen kundër. Lidhur me thënien e së vërtetës në botën e gënjeshtrave e shtirjes, Çehovi ka një tregim të mrekullueshëm të titulluar “Salla Nr.6”.
Mirëpo, sa më shumë shoh të bien argumentet që kam rreshtuar në krye për të justifikuar gabimet e ndërkombëtarëve, – të tilla si interesat gjeostrategjike, qenia të porsaardhur e disave prej ambasadorëve kombinuar me vështirësinë e njohjes së realitetit shqiptar apo keqkuptimin e të majtëve evropianë, që pandehin se rilindësit janë socialistë etj. si këta – aq më shumë në renditjen time merr peshë argumenti i korruptimit “soft” apo ”hard” të ndërkombëtarëve.
Sot po rimarr edhe njëherë guximin t’ua sjell shqiptarëve argumentin e korruptimit të euroburokratëve të BE-së. Jam i pajisur këtë herë edhe me rezultatet e një kërkimi të ”Transparency International”, të pasqyruara gjerë në numrin e dhjetorit të revistës italiane “Millenium” (Botim i së përditshmes ”Il Fatto quotidiano”), ku bien në sy titujt : “Juncker dhe sistemi që na grabit çdo vit 1000 miliardë”, “Euroburokratë që po vrasin Evropën”.
Çfarë thuhet aty? Sipas investigimit të ”Transparency International”, 50% e ishkomisionerëve europianë që u larguan nga skena politike në zgjedhjet e vitit 2014 po punojnë tani për grupe ekonomike, që janë në konflikt interesi me detyrën që ata kanë pasur si komisionerë. Po të njëjtën gjë po bëjnë edhe 30% e 171 ish-parlamentarëve, të cilëve iu desh të gjejnë një punë pas këtyre zgjedhjeve. I njëjti fenomen përfshin edhe qindra ish-zyrtarë të BE-së, që – sipas Peter Gomez, kryeredaktori i “Millenium”- shpjegon se pse me kalimin e viteve besimi në vendimet e marra nga Europa ka pësuar rënie vertikale.
Rasti më sensacional,- shkruan Sofje Basso në “Millenium”, është ai i José Manuel Barroso, paraardhësi i Jean Claude Juncker në krye të Komisionit. Ky njeri, vetëm 20 muaj pas përfundimit të mandatit të tij, pranoi të bëhej president (joekzekutiv) i filiales europiane të Goldman Sachs dhe befas u pa në vitin 2017, në rolin e lobistit të kësaj banke në takim me nënkryetarin e Komisionit, Jyrki Katanen. Ishte një episod ky që, gjithë sipas revistës, e tërboi Kelly O’Reilli, Ombutsmenin Europian.
Por kjo nuk është asgjë në krahasim me çfarë ka kombinuar Neelie Kroes, ish-komisionere për Konkurrencën dhe Axhendën Dixhitale. Sot ajo është konsulente e “Banc of America”. Ndërkaq, Bahamas Leaks (rrjedhjet e informacionit nga Bahamaja) kanë zbuluar se Kroes ka pasur interesa të padeklaruara (në kundërshtim me rregullat) në një kompani energjetike të regjistruar në offshore. Edhe Jonathan Hill, ish-komisioner për Stabilitetin Financiar në ekzekutivin e Juncker-it ka ndryshuar zanat. Që prej disa muajsh, pas votimit të Brexit, baroni anglez ka marrë pozita në disa shumëkombëshe, ndër to ajo e konsulencës për kompaninë UBS, që ofron shërbime financiare (mes të tjerash për të menaxhuar daljen e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja) dhe në kompaninë audituese “Deloitte”.
Duke shfletuar “Millenium” mësojmë gjithashtu se një koalicion i 200 OJQ-ve të ndryshme, “Aleanca për lobimin e transparencës”, duke investiguar karrierën e shumë zyrtarëve të BE-së, ka zbuluar se nga viti 2008 deri më sot, katër drejtues të Stabilitetit Financiar janë punësuar më pas nga kompanitë që ata kanë pasur detyrë t’i kontrollonin, kurse rreth 1000 ekspertë të EMA-s, (Agjencia Europiane e Barnave), kanë interesa të drejtpërdrejta ose të tërthorta në industritë farmaceutike që duhej të kontrollonin. Por nuk mjafton kaq. Nga 33 lobistë të regjistruar në dhjetë kompanitë më të mëdha të prodhimit të armëve, një e treta rezulton se ka punuar më parë për një institucion të BE-së.
Është e qartë se punësimi i tyre në këto kompani nënkupton shpërblimin për favoret që këta u kanë kryer kur kanë qenë në zyrat e BE-së, ose favoret që mund t’u kryejnë duke pasur lidhje me këto zyra. Këto korruptime “soft” vështirë se i kap ligji, por pyetja që shtrohet është nëse këto janë në përputhje me demokracinë dhe moralin e politikanit. Përgjigjen e ka dhënë prej vitesh politologu dhe sociologu amerikan Colin Crouch, i cili epokën që po kalon Perëndimi nën shenjën e neoliberizmit dhe globalizmit nuk e quan demokraci, por postdemokraci, që do të thotë se vendimmarrjet e politikanëve perëndimorë sot nuk merren në emër të interesave të popullit, por gjithnjë e më shumë në emër të interesave të lobeve të fuqishme ekonomiko-financiare. Që do të thotë se politikanët e zgjedhur nga populli nga shërbëtorë të interesit publik janë kthyer gjithnjë e më shumë në menaxherë interesash të këtyre lobeve.
Rezultati është humbja e besimit të njerëzve tek establishmenti evropian, ku përfshihen si kastat që drejtojnë politikat nacionale, ashtu edhe përfaqësuesit e tyre në Komisionin Europian, në BE e në Parlamentin Europian. Kjo shpjegon rritjen e paparë të lëvizjeve antievropianiste nacionaliste në shumë vende evropiane, që kërkojnë braktisjen e projektit aq shpresëdhënës të Europës së Bashkuar.
Por le të kthehemi te konteksti shqiptar. Gjykoj se pa marrë në konsideratë rezultatet e kërkimit të “Transparecy Internatioal” apo të “Aleanca për lobimin e transparencës”, nuk mund të shpjegojmë mbështetjen e paturpshme që euroburokratët e Brukselit dhe ndonjë ambasador si ai i SHBA-ve i kanë dhënë e japin qeverisë Rama, megjithëse kjo e ka çuar nivelin e korrupsionit dhe të bashkëpunimit me krimin në nivele të papara ndonjëherë në dy dekadat e fundit. Duke pasur parasysh këto rezultate dramatike, që flasin për papërgjegjshmërinë e euroburokratëve ndaj fateve të projektit europian dhe të gjithë atyre që shpresojnë në të, më duket gjithnjë e më e besueshme teza që narkoshteti shqiptar, për të marrë mbështetje dhe legjitimitetin e BE-së, vepron me euroburokratët si një kompani interesi që bën lobim pranë tyre. (Panorama, 29 janar 2019)

Read More......

Wednesday, January 16, 2019

Barazlargim nga partitë apo bashkëpunim me opoziten

“Lapsi.al” ka botuar në këtë fillim viti dy shkrime të rëndësishme, jo aq për diagnostikimin e saktë të gjendjes ku e ka çuar vendin Edi Rama, çka sot duket gjë e lehtë për t’u bërë, sesa për atë se nxisin reflektim mbi alternativën e daljes prej kësaj gjendjeje – çka duket gjëja më e vështirë për t’u bërë. E kam fjalën për shkrimet me tituj “Pse PD-ja po i shtyn njerëzit drejt shtëpisë ‘400 milionëshe’ të Ramës në Surrel” (Lapsi.al), si dhe shkrimin e Andi Bushatit “Gent Cakaj, si një tender me letra false”.
Në shkrimin e parë, i cili nga stili duket edhe ai i Bushatit, pasi shtrohet pyetja se pse PD-ja nuk po vepron si në një vend demokratik, ku demonstrohet përpara institucioneve, autori thotë se kjo po ndodh për shkak se Shqipëria nuk është demokraci. Këtë e tregojnë edhe një sërë veprimesh të Ramës, “së fundi dhe mbushja e qeverisë me anonimë dhe çiliminj”, që dëshmojnë se vendi po rrëshqet drejt një pushteti personal “Ku administrata është gjunjëzuar, ku partia në pushtet është tredhur, ku ministra që shkelen si lecka nuk guxojnë të hapin gojën”. Dhe, gjithë sipas autorit, në vendet ku pushteti personalizohet në një shkallë të tillë, nuk ka më kuptim të demonstrohet para institucioneve. “Në ditët e nxehta të shkurtit ’91, turmat e revoltuara nuk u nisën drejt Kryeministrisë apo Komitetit Qendror, por drejt vilave të Bllokut […] Edhe më vonë, revolucioni ukrainas ia mësyu kështjellës së Ianukoviçit apo ai tunizian, pallateve të Ben Aliut. Pikërisht këtë imazh po kërkon të japë edhe PD-ja, që po i ysht njerëzit drejt shtëpisë private të Surrelit”.
Ajo që tërheq vëmendjen në këtë shkrim është mbështetja e demonstrimit te shtëpia e Kryeministrit, shoqëruar me një lloj distance ndaj faktit se këtë po e bën PD-ja (dhe ndoshta thjesht për imazh), por pa e delegjitimuar megjithatë protestën, meqë atë e organizon opozita.
Në shkrimin e dytë, Bushati merret ne argumentimin që i ka bërë Presidenti Meta rrëzimit të kandidaturës së Gent Cakajt si ministër i Jashtëm. Sipas tij, ky argumentim ka nxjerrë edhe njëherë në pah “shndërrimin e shtetit të Edi Ramës në një bordello”. Sipas tij, emërimi i Cakajt “i përngjan fiks tenderëve me letra false dhe milionave që shpërndahen me urdhër të Kryeministrit, duke shpërfillur çdo ligj dhe çdo institucion […] një provë më shumë se në ç’pikë janë telendisur institucionet shqiptare në shtetin personal të Edi Ramës, ku nuk përfillet asnjë normë tjetër përpos urdhrave të tij”. Ai e mbyll duke thënë se ”refuzimi i Ilir Metës për të dekretuar Gent Cakajn është po aq dinjitoz, edhe historik.”
Pse i quaj të rëndësishëm këta dy artikuj. Sepse ata të nxisin të reflektosh për një çështje që mbetet ende dilemë e pazgjidhur në politikën shqiptare. Jemi përballë faktit ku shteti po merr gjithnjë e më shumë trajtat e sëmundjes psikike të Edi Ramës, duke u bërë çdo ditë e më i papërgjegjshëm, aventurier, grabitqar e i rrezikshëm dhe se, prandaj, ai duhet çliruar sa nuk është vonë nga ky i sëmurë. Kuptohet se për këtë duhen protesta popullore, pasi nuk jetojmë në një demokraci parlamentare ku funksionojnë normalisht institucione të tilla si drejtësia, parlamenti, mediat e pavarura etj. Mirëpo, mburoja më e rëndësishme e këtij regjimi ndaj protestave ka qenë akuza se ato i organizon opozita e delegjitimuar në publik nga e kaluara e saj. Kjo qasje u duk qartazi edhe në protestat e studentëve, ku një pjesë e mirë e tyre ruheshin nga identifikimi me partitë e opozitës. “Kur protestojmë, del Kryeministri dhe na thotë jeni të opozitës. Kur u themi deputetëve të opozitës largohuni, (nga protesta jonë) na thonë bëni detyrën e partisë, d.m.th. qeverisë”, deklaroi një student ditët fundit. Mos të harrojmë edhe aktet e djegieve publike të flamujve të të gjitha partive.
Rezultati është se studentët që po vazhdojnë të protestojnë po konsiderohen si një minorancë e instrumentalizuar nga opozita dhe po u futet kërbaçi kurse shumica, të baraslarguarit, ca me hir ca me pahir, kanë mbetur jashtë loje ose më saktë, në anën tjetër të barrikadës, atë të Edi Ramës.
Pse janë të rëndësishme shkrimet e Bushatit në këtë kontekst? 
Sepse duke e njohur mendimin e tij (që është edhe mendimi im) se partitë tona janë banda, interesi i vetëm i të cilave është se kush ta kalërojë sistemin oligarkik – ai nuk mban një qëndrim të baraslarguar megjithatë, ndaj opozitës dhe PS-së. Duke iu referuar shkallës së degradimit të shtetit në Edi Ramën, ai më shumë e mbështet protestën në Surrel, madje arrin dhe përshëndet haptazi firmën e Metës kundër emërimit të Cakajt. Ai pra, indirekt, vë në diskutim vendimin e “të baraslarguarve” antisistem nga partitë dhe shtron për diskutim dilemën nëse, në kushtet ku ndodhemi, duhet vazhduar të digjen të gjithë flamujt e partive në emër të një flamuri të ri, prapa të cilit të rreshtohen të gjithë të zhgënjyerit, apo flamuri i të zhgënjyerve duhet të bashkohet në një ushtri me flamujt e opozitës në emër të zbritjes nga shtiza e pushtetit të flamurit të PS-së, që po rrezikon të shkojë në hell të gjithë të tjerët?
Është një dilemë e hapur dhe jo e lehtë për t’u zgjidhur. Personalisht, i jam përgjigjur duke u shprehur se Rama duhet rrëzuar sa nuk është vonë, për të krijuar mundësitë e një dialektike ndryshimi paqësor të gjendjes në vend, sepse, në formën sesi e ka kapur shtetin dhe sesi po punon me të, hapësirat e kësaj dialektike po ngushtohen e degradohen çdo ditë me rreziqe në rritje të shkarjes drejt një konflikti të dhunshëm civil. Argumentet më të hollësishme po i lë për t’i shtjelluar në shkrimin pasardhës. (Panorama, 15 janar 2019)

Read More......

Monday, January 7, 2019

Ministra apo kuaj karroce

Me aq sa e njoh historinë, nuk më rezulton që në ndonjë vend normal të jenë ndërruar përnjëherë 8 ministra të qeverisë dhe kjo të jetë paraqitur nga kryeministri jo si shenjë krize politike, por si tregues i suksesit në punë të ministrave të shkarkuar. Në vende demokratike jo që jo, por as në ato që quhen regjime nuk kam dëgjuar të ndodhë një gjë e tillë, pa i futur regjimit epitetin “grotesk” nga prapa. Sepse me këtë logjikë i bie që i pari që do të duhej të shkarkohej për meritat e tij të mëdha duhet të ishte Kryeministri. Jo, jo, kjo mund të ndodhë vetëm në një regjim ku njeriut që është në krye i ka marrë koka erë, dmth., ka lajthitur fare dhe prandaj ministrat nuk i trajton si ministra, por si kuaj.
Dikujt mund t’i shkojë ndërmend se po heq një paralele midis Kryeministrit dhe Kaligulës, që emëroi senator kalin e tij, për t’u tallur me gjithë të tjerët. Jo, jo, nuk kisha parasysh kalin e Kaligulës, ndonëse nuk e mohoj se kam një përçmim dhe neveri të pamasë për ministrat e shkarkuar, që deri ditën e fundit në detyrë nuk reshtën së bëri keq. Krahasimi i ministrave me kuaj më erdhi kur lexova deklaratën e Edi Ramës, i cili tha se shkarkimi i tyre bëhet për të shtuar shpejtësinë e karvanit, që ai të ecë edhe më shpejt, si dhe komentin e tij se, sa më shpejt ecën karvani, aq më shumë lehin qentë. Duke e menduar si të lajthitur, mendimi i parë që më erdhi ishte se lehja e qenve i jep Kryeministrit një kënaqësi të paparë dhe prandaj, që ai të mund të provojë këtë kënaqësi të parezistueshme, duhen kuaj të freskët që të shtojnë shpejtësinë e karvanit sepse këta që ishin, janë të lodhur. Do të thoni ju të dashur lexues, po Kryeministri, që duhet të konsiderohet kali më i fuqishëm i karvanit, si ka mundësi që nuk është lodhur?
Këtu më duket se duhet t’i bëj një përshkrim më të detajuar karvanit. Qeverinë duhet ta imagjinojmë si një karrocë lokomotivë që tërheq e udhëheq karvanin pas saj. Kjo karrocë vërtet tërhiqet nga kuajt, por Kryeministri nuk është kryekali, por karrocieri që ka për detyrë të fshikullojë kuajt që ata të ecin sa më shpejt, mundësisht të fluturojnë. Sepse, siç e thashë, nuk jemi në një demokraci ku Kryeministri konsiderohet i pari ndër të barabartët, apo “primus inter pares” siç i thonë latinisht, por në një regjim të lajthitur.
Por problemi ynë kryesor nuk është nëse jemi regjim apo demokraci. Problemi kryesor është: për ku po vrapon karroca me kaq shpejtësi dhe ku po na çon? Nëse do të nisemi nga fakti se karrocieri i konsideron suksese ato që ka arritur gjatë vitit 2018 dhe kërkon ta rrisë shpejtësinë e këtyre sukseseve, atëherë, duke pasur parasysh se suksesi më i madh që ka arritur gjatë vitit që sapo shkoi është rritja e shpejtësisë së vjedhjeve (me koncesione, me tendera me bashkëpunim me krimin e organizuar dhe të çorganizuar) i bie që vjedhja të jetë drejtimi për kah po shkojmë. Pra, megjithëse shpejtësia e karrocës është rritur aq shumë saqë njerëzit kanë zbritur prej karvanit dhe janë nisur për jashtë shtetit, duke ua lehtësuar peshën e tërheqjes kuajve, karrocieri nuk është i kënaqur. Ai do të vjedhë edhe më shumë, edhe më shpejt, edhe më lart. Prandaj, i duhen kuaj të freskët. Dikush do më thotë se kjo s’ka lidhje me çmendurinë, po me hajdutërinë e një tufe rrufjanësh të pacipë. Sipas meje, edhe kleptokratët kanë një pjesë racionale, me të cilën planifikojnë në detaje vjedhjet e tyre, por kanë edhe pjesën e çmendur që i bën të mos jetojnë dot pa vjedhur. Po merreni si të doni karrocierin tonë, si rrufjan të pacipë apo si të çmendur. Nuk kemi kohë t’i bëjmë diagnozën. Duhet të nxitojmë të shkëpusim karvanin tonë nga karroca e tij dhe pastaj në djall të shkojë me gjithë kuaj, se përndryshe nuk dihet se në ç’greminë do të përfundojmë. (Panorama, 5 janar 2019)



Read More......