Monday, March 30, 2020

Pse nuk bindi intervista e Grenellit



Dëgjova me vëmendje mbrëmjen e së premtes intervistën e Grenellit në T7 me gazetarin Berat Buzhala ku ai shpjegoi dorën amerikane në rrëzimin e qeverisë  Kurti. 
Sipas Grenellit shkaku ishte mos heqja e taksës pa kushte që, sipas tij, Kurti ia kishte premtuar përpara zgjedhjeve “duke e parë drejt në sy”. Arsyeja pse amerikanët ngulmuan kaq shumë që taksa të hiqet ishte sepse zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe ekonomike është shumë i rëndësishëm për të zgjidhur konfliktin Kosovë-Serbi, se kjo është në të mirë të popullit të Kosovës që po dëmtohet ekonomikisht si dhe në interesin e biznesit amerikan që kërkon të investojë në Kosovë.
Përsa i përket ndryshimit të kufijve Grenelli përsëriti pak a shumë deklaratën e bërë, së bashku me ambasadorin Kosnett dhe Palmerin, se ai nuk ka parë ndonjë plan sekret për të cilin flitet madje u shpreh se ai vetë është kundër idesë së ndryshimit të kufijve. 
Këto deklarime u interpretuan si mjaftueshëm bindëse  për Buzhalën dhe ata që kryen largimin e qeverisë Kurti, për të hequr dyshimin se dora amerikane u shty që t’i hapej rruga marrëveshjes për ndryshimin e kufijve dhe, më në përgjithësi,  dyshimin se Grenelli na e fshehu se ku fle lepuri? Gjykoj se për këtë do ishte dashur të  dëgjonim përgjigjet rreth disa pyetjeve/temave që munguan në atë intervistë. 
Tema e parë është ajo e ngutit: Pra, pse ky ngut për të rrëzuar një qeveri në kohën e pandemisë? Kaq të paduruar qenkan investitorët amerikanë për të investuar dollarët e tyre në Kosovë në kohë pandemie kur në të gjithë botën ekonomia po sakrifikohet për shëndetin? Po ende, edhe pse Grenelli e paska kaq merak interesin ekonomik të popullit të Kosovës, braktisjen e vendit, siç e theksoi, a nuk do të ishte më mirë që amerikanët të tregonin pak më durim duke pasur parasysh se po kthejnë në pushtet pikërisht ata që i kanë bërë të ikin kosovarët?
Tema e dytë munguese ishte se çfarë mendon Grenelli për reciprocitetin serb që kërkon Kurti, për fushatën që po bën Serbia për çnjohjen e Kosovës, sepse, tek e fundit, taksa u vu pikërisht për të parandaluar këtë fushatë dhe planin e promovuar nga Thaçi për ndarjen e Kosovës?
Dhe këtu vijmë tek pyetja ndoshta më e rëndësishme që mungoi. Si do ta interpretonte Grenelli faktin se administrata amerikane ka deklaruar se nuk e përjashton korigjimin e kufirit nëse shqiptarët dhe serbët do të arrinin një marrëveshje, - çka nuk e ka thënë vetëm ish bosi i tij Boltoni, por edhe kolegu i tij Palmer jo më larg se më 18 shkurt 2020? Pra, Grenelli duhej pyetur se ku e kanë burimin këto qëndrime amerikane, aq më tepër kur aleatët kryesorë evropianë të SHBA janë shprehur haptazi se janë kundër edhe sikur ta duan të dy palët. Them se ai do të na bindte më mirë sikur të na thoshte se e di që ka qarkulluar kjo ide, se edhe administrata amerikane e ka menduar si mundësi, por se tani kanë ndryshuar mendim duke na shtjelluar, mundësisht, edhe arësyet pse kanë ndryshuar mendim. 
Pra, lidhur me intervistën, mund të them se ajo nuk e hoqi dyshimin se projekti i ndryshimit të kufijve vazhdon të jetë i vlefshëm për administratën amerikane, (qoftë edhe pse, për këtë, nuk mjafton që Grenelli të thotë “unë jam kundër”) por, nga ana tjetër, ajo na përforcoi bindjen se Grenelli e mbajti të fshehur arësyen e ngutit amerikan për të rrëzuar një qeveri në kohë pandemie. 
Si përfundim, shpjegimi i amerikanit Grenell se e rrëzuan qeverinë në kohë pandemie për hallin e popullit shqiptar është po aq i pabesueshëm sa edhe shpjegimi i shqiptarëve që thonë se Kurti duhej larguar se po na prishte me amerikanët. Në këtë histori amerikani Grenell është po aq i (keq)përdorur nga shqiptarët sa ç’i ka (keq)përdorur ai shqiptarët për qëllimet e administratës amerikane. Se cilët janë këto qëllimet do të bëhet më e qartë në kohën në vazhdim, por meqënëse kemi mbetur me dyshime, do të thoja se i pari që të vjen në mendje është se Grenelli dhe Vuçiçi nuk duan Kurtin, por Thaçin në bisedimet mes tyre.
Sa për atë se cilat ishin qëllimet e shqiptarëve që rrëzuan qeverinë në kohë pandemie nuk ka nevojë të ngresh dyshime sepse ato janë të qarta. Janë të shkruara thuajse në çdo faqe të historisë sonë, si këtej kufirit nga Shqipëria edhe andej kufirit nga Kosova. (Panorama, 28 mars 2020)


Read More......

Perëndimi po mban në këmbë narko-shtetin shqiptar


Në pranverën e vitit 2019, partitë opozitare shqiptare u larguan nga parlamenti. Bashkëpunimi mes krimit të organizuar dhe Partisë Socialiste në pushtet gjatë zgjedhjeve ishte i qartë. Ato deklaruan se nuk donin të ishin më fasada demokratike e një narko-shteti. ‘The Independent’ e quajti Shqipërinë ‘Kolumbia e Europës’. Protestat dhe mosbindja civile duhej të kishin alarmuar opinionin publik në vend dhe politikanët perëndimorë. Por Brukseli e dënoi opozitën dhe mbështeti qartësisht qeverinë. Argumenti kryesor: Ju keni bërë progres drejt standardeve tona, prandaj nuk duhet të dilni nga parlamenti. Dhe tani edhe Holanda po bie dakord që BE të nisë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë.
Përse kjo mbështetje për qeverinë autokratike dhe të korruptuar të Shqipërisë, e cila bashkëpunon gjithnjë e më shumë me krimin e organizuar? Sepse Bashkimi Europian dhe SHBA preferojnë ‘stabilitetin’ përpara demokracisë. Është edhe rreziku i rritjes së ndikimit rus ose turk në rajon. Për SHBA është e rëndësishme që qeveria shqiptare pranoi një grup muxhahedinësh iranianë si refugjatë. Megjithatë shkaku kryesor i ndihmës qëndron diku tjetër. 
Tranzicioni nga vendet komuniste drejt modelit perëndimor u bazua në dy paradigma sempliste: ‘fundi i historisë’ i Fukujamës dhe ‘vendet e përçara’ të Hantingtonit. Elitat pro perëndimore në vendet lindore (në kontrast me mentalitetin lindor të popujve të tyre dhe për këtë “vende të përçara” sipas Hantigtonit) duhej të udhëhiqnin  popullin e tyre drejt ‘Tokës së premetuar’ që Perëndimi e kishte arritur tashmë (Fukujama). Ky i ashtuquajtur ‘tranzicion’ do të sillte zgjerimin e Perëndimit sipas një modeli që do të pushtonte botën.
Udhëheqësit e popullit 
Elitat politike perëndimore do të mbikëqyrnin vendet e Europës Lindore në këtë tranzicion. Elitat lindore – nën legjitimimin e tyre – do të shërbenin si udhërrëfyese të popujve të tyre. Ato do të garonin se kush do t’i plotësonte më mirë kërkesat e Perëndimit. Disa vende tani janë pjesë e BE. Ballkani Perëndimor, pjesa e fundit e karvanit, thuhet se po zhvillohet në mënyrë inkurajuese. 
Në realitet, me Trumpin, Brexitin dhe lëvizjet sovraniste në vendet e BE, Perëndimi tregon se nuk e ka arritur tokën e premtuar. Me zhvillimet autokratike në Hungari dhe Poloni, dhe me Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjen, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut në dhomën e pritjes; perspektiva është edhe më e zymtë.
Ekonomia shqiptare ka qenë gjithmonë e dobët, informale dhe kriminale - por në vitet e fundit po financohet gjithmonë e më shumë nga krimi i organizuar. Shpërthimi masiv i ndërtimeve në Tiranë nuk është tjetër veçse pastrim parash nga të ardhurat e krimit të organizuar shqiptar në Europë. Politika shqiptare i ka promovuar gjithmonë e më shumë këto interesa. Ajo është bërë gjithmonë e më autokratike, me demokraci të kufizuar. Trafikantët dhe vrasësit kanë arritur të futen në Parlament, të zgjidhen edhe kryebashkiakë në shumë qytete, gjë që nuk do të ishte kurrsesi e mundur në vitet ’90.
Shumë shqiptarë kanë braktisur vendin në vitet e fundit. Sipas agjencisë kërkimore Gallup (2017), 56 përqind e njerëzve duan të emigrojnë. Në vitin 2100, Shqipëria që ka tani 2.87 milionë banorë, do mbetet vetëm me 512 mijë.
Përparim? 
Shqipëria nuk është në një tranzicion drejt anëtarësimit në BE. Në vend po stabilizohet gjithmonë e më shumë një  narko regjim autoritar. Po pse euroburokratët këmbëngulin se Shqipëria ka bërë përparim? Shkaku duhet kërkuar tek neo-liberizmi që u aplikua në Perëndim, si dhe në vende si Shqipëria, dhe që  dështoi. Dallimi mes vendeve perëndimore dhe lindore qëndron tek shtrirja e kësaj sëmundjeje dhe tek sistemet e tyre imunitare. Në Perëndim, neo-liberalizmi dhe globalizmi kanë pjellë ‘post-demokracinë’ (Colin Crouch), në të cilën politikanët janë administratorë të thjeshtë të interesave ekonomike të disave, me shumicën e mbetur pa përfaqësim politik. Vende si Shqipëria janë shembulli më dramatik i kësaj post-demokracie. Aty diktatura kaloi direkt në një post-demokraci, pa e provuar demokracinë. Ata ‘pak’ në Shqipëri janë kryesisht eksponentë të krimit të organizuar që kanë kapur shtetin, duke i bërë institucionet e tij asgjë më shumë sesa vegla për zgjerimin e fuqisë së tyre ekonomike.
Mbështetja e SHBA dhe BE për narko-shtetin shqiptar buron nga refuzimi i tyre për të pranuar dështimin e neoliberizmit dhe globalizimit si në vendet e tyre edhe përsa i përket projektit të bashkimit evropian. Ata duan të ruajnë mitin e tranzicionit sipas të cilit vende si Shqipëria janë ‘të ndryshme’ për shkak të kaluarës së tyre komuniste; se ata do t’i kapërcejnë këto dallime me ndihmën e BE. Euroburokratët, njësoj si elitat e korruptuara të Ballkanit Perëndimor, dëshirojnë të vazhdojnë narrativën e vjetëruar të tranzicionit për të ruajtur pushtetin e tyre. Ato e paralajmërojnë publikun për lëvizjet populiste të majta dhe të djathta (apo për vendet që konsiderohen armike gjeopolitikisht si Rusia). Por është vetë BE dhe SHBA që kanë ngritur post-demokracinë – me fytyrë njerëzore apo çnjerëzore - në Europë.(Shkrim i botuar në të përditëshmen e njohur holandeze, "Volkskrant”, 24 mars, 2020).



Read More......

Sunday, March 22, 2020

Një reflektim mbi videon algjeriane të Kryeministrit


Ankthi që kërkon armik

Publikimi nga Edi Rama i një videoje protestash në Algjeri, ku pamjet e një tufe policësh të egërsuar që godasin njerëzit nëpër rrugë me shkopinj gome, na i shiti sikur ishin pamje ku policia spanjolle po largonte nga rruga qytetarët, për shkak të rrezikut të korona virusit, nuk është gafë. Kush e mendon kështu nuk është thelluar fare në kuptimin e këtij akti të kryeministrit tonë. Kjo “gafë” flet shumë më tepër se një gafë, nëse me këtë fjalë kuptojmë një lapsus, një rrëshqitje pa dashje në një gabim. Ai flet për rrezikun ku mund të na çojë patologjia antidemokratike e kryeministrit tonë në kushtet ekstreme ku ndodhemi. Nuk ka dyshim se një njeri dhe politikan normal i një vendi demokratik, sikur t’i dërgonin këtë video duke i thënë: “shiko se ç’po bëjnë spanjollët për shkak të korona virusit” së pari do të çuditej, së dyti do të kërkonte të sigurohej se si ka mundësi që policia e një vendi si Spanja mund t’i mësyjë  kësisoj njerëzit paqësorë, vetëm pse kanë dalë në rrugë apo shkuar në dyqan jashtë orarit të përcaktuar dhe, më në fund, edhe sikur t’i konfirmonin se  është e vërtetë, do të thoshte se kjo është një çmenduri që nuk do të ndodhë kurrë në vendin tim dhe do ta hidhte videon në koshin e plehrave të celularit. 
Fakti që Kryeministri ynë e nxori këtë video në publik, për tu thënë qytetarëve shikoni se çfarë ju pret po nuk respektuat urdhrat e mia, jo  vetëm tregon se Edi Rama nuk hyn në këtë kategori njerëzish e politikanësh, por tregon edhe se është shumë, po shumë i rrezikshëm në gjendjen e jashtëzakonshme që jemi të detyruar të jetojmë.

Ne po përjetojmë një situatë që ka prodhuar një gjendje të veçantë psikologjike: atë ku tjetrin nuk e shikojmë më si më parë: d.m.th. si njeriun e afërm, mikun, komshiun e mirë, mësuesin e fëmijëve, shitësin e sjellshëm, por si një rrezik për jetën tonë, të cilit duhet t’i rrimë larg. Pyetja që ngrihet është: sa larg mund ta çojmë këtë qëndrim larg ndaj njëri tjetrit pa humbur humanizmin? Është e qartë se me njerëzit e afërt, megjithëse rrimë larg, arrijmë të shkëmbejmë afeksionin dhe kujdesin, shpresën se kjo ndarje do të jetë e shkurtër, madje se nuk është një ndarje, por një solidaritet ndryshe, thuaj po deshe përgjegjësi. Por bashkëqytetarëve me të cilët ndeshemi në rrugë apo në radhën e dyqanit e kemi më të vështirë t’ua komunikojmë këto ndjenja solidariteti ndryshe, me ta jemi shumë më të gatshëm të nervozohemi kur dikush nuk ruan distancën apo kur shikojmë të rinj që nuk e çajnë kokën dhe rrinë bashkë sikur asgjë nuk ka ndodhur. E pra, është kollaj në këtë situatë që tjetrin që sillet kështu ta shohim si armik. Aq më tepër kur dëgjon Kryeministrin tonë të thotë një dy se jemi në luftë, e se ata që sillen kështu janë tradhtarë. Ka një problem të madh në këtë metaforë që e bën sipas meje të papërshtatshme në situatën që po përjetojmë. Në luftë ushtarët e armikut ne i presim të na vijnë nga jashtë të na bombardojnë me aeroplanë e topa apo të na vrasin me pushkë e mitraloza dhe i luftojmë po me këta mjete. Nuk është ky krahasimi i duhur për gjendjen ku ndodhemi. Nuk është krahasimi i duhur edhe sikur të themi se jemi si në gjendjen e atyre hebrenjve gjatë Luftës së Dytë që rrinin të fshehur nëpër strehime të ndryshme me tensionin se mund të vinin t’i gjenin e me veshët tek radioja për të kuptuar se kur do të mbaronte Lufta – siç më ka ardhur të bëj krahasimin duke komunikuar me një mike. Nuk i shkon as krahasimi, ndoshta më i përafërt, sikur virusin ta krahasojmë me atë terroristin kamikaz, që futet tinëz midis nesh me eksploziv në brez që të shpërthejnë papritur e të na vrasë.  Nuk janë këta krahasimet e duhura sepse në rastin tonë “ushtarët” e armikut, agjenti i Gestapos, terroristi, jemi ne vetë për njëri-tjetrin. Ne na duhet t’i qëndrojmë larg njëri tjetrit duke ruajtur distancën, por duke ruajtur edhe dashurinë, miqësinë, mirëkuptimin dhe jo duke e parë njëri tjetrin si armik. Nëse mund të quhet luftë kjo është një luftë me ankthin brenda nesh i gjeneruar nga një armik i padukshëm e i kudondoshëm. Rrezikun më i madh që paraqet ky ankth nga e padukshmja është që, për tu çliruar prej tij, ta kthejmë në frikë ndaj një armiku të dukshëm me iluzionin se po ta eliminojmë atë, do të shpëtojmë. Dhe kjo rrezikon të na kthejë shumë lehtë në bisha të gatshëm për të goditur njëri-tjetrin. Videoja që na ofroi Kryeministri ishte ilustrimi më i mirë i kësaj. Kryeministri ynë tregoi se është në këtë gjendje ankthi që kërkon një armik për t’u çliruar, aq më tepër duke pasur parasysh se edhe pa korona virusin gjysmën e shqiptarëve i konsideronte si armiq e tradhtarë. Nuk është vështirë të imagjinosh se, në situata që mund të vijnë duke u rënduar, bashkëqytetarët tanë policët, që janë edhe ata nën trysninë e ankthit nga armiku i padukshëm, të humbasin ekuilibrin e, me një urdhër të kryeministrit nga Surreli, të kthehen në bisha ndaj sivëllezërve të tyre. Dhe ky është një rrezik i madh sepse në kushtet e deprimimit e izolimit ku ndodhemi, që rrit ankthin, e që parashikohet të zgjasë duke u rritur, dhuna mund t’i çojë edhe në agresivitet të dëshpëruar me pasoja të paparashikueshme. Që të mos ndodhë kjo, njerëzit kanë dëshpërimisht nevojë për sa më shumë dhënie shprese, kuraje, dashurie, solidariteti, sakrifice, kujdesi, mbështetjeje, inkurajimi, durimi dhe për sa më pak ndjenja negative siç janë ato që ngjallin kërcënimet e dhuna ndaj njëri tjetrit. (Panorama 22 mars 2020)

Read More......

Thursday, March 5, 2020

Albin Kurti, ne dhe amerikanët


Albin Kurti ka shansin historik të hapë një epokë të re në kulturën e qeverisjes së shqiptarëve. Midis së tjerash, kjo do të duket edhe në mënyrën sesi do të sillet me presionin amerikan për heqjen tërësisht të taksës ndaj Serbisë nga ana e Kosovës.
Këtë shkrim nuk e kam nisur thjesht nga çështja e heqjes apo jo, plotësisht apo pjesërisht, së taksës ndaj Serbisë. Më ka shtyrë ta shkruaj nevoja e reagimit ndaj mënyrës arrogante, me të cilën i ngarkuari nga Trump për dialogun Kosovë–Serbi, ishambasadori në Gjermani, Grenell, kërcënoi qeverinë e sapokrijuar të Albin Kurtit. Më ka shtyrë edhe më tepër aversioni i akumuluar ndër vite ndaj politikanëve shqiptarë që e kanë ndërtuar legjitimitetin e tyre, duke u bërë shërbyes të bindur e hipokritë të të fuqishmëve, për të abuzuar pastaj në mënyrën më të keqe me popullin e tyre. Albin Kurti ka shumë kundërshtarë në konfliktin që ka krijuar, por ata kryesorët nuk janë as amerikanët si Grenell, Pompeo apo Trump dhe as serbët si Vuçiç e Daçiç, por kategoria e shqiptarëve që përmenda dhe kultura dominante që ata kanë përçuar ndër shqiptarë. Janë sjelljet dhe qëndrimet e tyre, si në Kosovë edhe në Shqipëri, që kanë bërë që shqiptarët të mbeten infantilë, të mos zhvillojnë dot mendimin kritik dhe bashkë me të edhe personalitetin, dinjitetin dhe ndjenjën e lirisë të vetes dhe bashkësisë, së cilës i përkasin. Ideja se çdo kërkesë amerikane duhet zbatuar pa u vënë në diskutim, madje as në dyshim, e ka folenë në trutë e shqiptarëve dhe jo të amerikanëve. Edhe mënyra arrogante, me të cilën Grenell kërcënoi një qeveri të sapokrijuar, e ka burimin e parë tek infantiliteti i shqiptarëve.
Po hedh këtu disa teza se pse për t’u rritur duhet të çlirohemi nga disa paradigma që i bëjnë shqiptarët të sillen kështu ndaj SHBA.
Së pari: shqiptarët e Kosovës (por edhe të Shqipërisë) duhet të çlirohen nga paradigma, sipas së cilës pa amerikanët nuk do të kishim Kosovën, prandaj duhet t’u jemi përherë mirënjohës deri në nënshtrim. Për këtë le të kthehemi pak në origjinën e kësaj paradigme: bombardimet e NATO-s, e të shtrojmë pyetjen: pse bombarduan amerikanët për interesin tonë apo për interesin e tyre? Ka shumë të dhëna që tregojnë se, përtej retorikës humanitare, bombardimet u kryen më së pari dhe kryesisht për interesa amerikane. Ndër opinionet më të përhapura është ai se nëpërmjet këtyre bombardimeve justifikohej ekzistenca e NATO-s edhe pas Luftës së Ftohtë, që sipas marrëveshjes (së pashkruar) me Gorbaçovin, do të shkrihej me shkrirjen e Traktatit të Varshavës, pasi kishte lindur pikërisht për t’iu kundërvënë këtij. Ndërkaq, intelektuali më i rëndësishëm amerikan, Naom Chomsky, duke cituar një burim tepër serioz, librin e zyrtarit të lartë të administratës amerikane, John Norris, “Collision Course – NATO, Rusia and Kosova” (Kursi i përplasjes, NATO, Rusia dhe Kosova) me parathënie të Strobe Talbot, nënsekretar i Departamentit të Shtetit për Europën Lindore, jep një tjetër version. Chomsky thotë se, sipas Norris, të cilin Strobe Tablod në parathënie e quan njeriu më i informuar mbi atë se si mendonte në atë kohë administrata e Clinton, bombardimet nuk u kryen për shqiptarët e Kosovës, por pasi Millosheviçi nuk po pranonte ende reformat ekonomiko-sociale që kërkonte Perëndimi për ta futur Serbinë në sferën e influencës së vet. Fakti që amerikanët nuk kanë ndërhyrë në mbështetje të popujve të tjerë që luftojnë për pavarësi dhe shtetin e tyre, siç është rasti i kurdëve, madje i kanë lënë ata edhe në baltë, siç ndodhi së fundi me vendimin e Trumpit, është një nga provat e shumta se amerikanët venë në radhë të parë interesat e tyre.
Pra, nëse do të pranojmë se amerikanët kanë bombarduar për interesat e tyre, konkluzioni i parë që duhet të nxjerrim është se, ndonëse në këtë rast përfituan edhe shqiptarët, për çka duhet t’u jemi mirënjohës, nuk ka pse ta shohim veten vetëm si mirënjohës kurse amerikanët t’i shohim vetëm si mirëbërës. Le të mos harrojmë se shqiptarët e Kosovës i paguan edhe me jetët e tyre interesat amerikane pasi në 10 000 shqiptarët e vrarë, 8000 janë pas bombardimeve, kurse amerikanët nuk kanë humbur asnjë ushtar.
Së dyti: duhet të çlirohemi nga paradigma se amerikanët mendojnë gjithnjë në interesin e shqiptarëve dhe se çdo veprim i tyre është në anën e frontit të së mirës kundër fronti të së keqes. Fakti që në 1999 u përputhën interesat e tyre me të shqiptarëve nuk është provë e mjaftueshme se sa herë që ata u kërkojnë ndonjë gjë shqiptarëve e bëjnë për interesin e të dyja palëve. Pa shkuar në shembuj të shumtë nëpër botë, po përmend një rast që e kemi provuar në Shqipëri: presioni i ambasadorit amerikan Arvizu për të sjellë armët kimike siriane në Shqipëri.
Së treti, shqiptarët vuajnë shumë nga paradigma se po iu kundërvure SHBA-ve, ata të rrëzojnë nga pushteti. Historia tregon se jo gjithmonë ka ndodhur kështu. Venezuela është një nga rastet e fundit. Po ashtu, obligimet që kemi ndaj aleancës së NATO-s nuk duhen barazuar me thënien peqe-lepe çdo kërkese amerikane sepse nuk është kjo sjellja e aleatëve të tjerë shumë më të vjetër e shumë më të pjekur të SHBA-ve. Për të mos përmendur rastin e Turqisë, që mban qëndrime haptazi antiamerikane duke mbetur në aleancën e NATO-s.
Le të kthehemi tani në rastin konkret:
Në rastin e qeverisë “Kurti” nuk kemi të bëjmë me ndonjë qeveri që bën politika antiamerikane, përkundrazi. Atëherë si ta shpjegojmë kërcënimin arrogant të Grenell-it? Duke iu referuar sa thashë më sipër, së pari them se ngulmimi amerikan për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit Kosovë – Serbi duhet parë si interes amerikan. Së dyti, ai duhet vënë në peshoren e dyshimit nëse është në përputhje apo bie ndesh jo vetëm me interesat e shqiptarëve, por edhe të një zgjidhjeje afatgjatë e të qëndrueshme të konfliktit shqiptaroserb. Një zgjidhje e tillë e shpejtë, siç kërkon ta imponojnë njerëzit e Trumpit, do të ishte një ‘jozgjidhje’ me pasoja, siç ishte edhe ideja e ndryshimit të kufijve. Nuk dua të hyj në spekulime se cilat mund të jenë interesat amerikane në këtë rast, por nuk mund të rri pa ngritur dyshime, aq më tepër se deri dje ka pasur dyshime të forta se projekti i ndryshimit të kufijve, që u kundërshtua nga partnerët europianë, vinte nga SHBA. Aq më të mëdha bëhen këta dyshime duke pasur parasysh se shumë aksione të Trump-it janë vënë në diskutim, por edhe në akuzë nga demokratët dhe mediat amerikane. Aq më tepër po të kesh parasysh se njeriu i ngarkuar për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Grenell, është cilësuar nga “New York Times” si “i shquar” për ndërhyrje “jodiplomatike” edhe në Gjermani, ndërkohë që “Washington Post” ka ngritur dyshime serioze për mbështetje nga ana e tij, kundrejt pagesës, të autokratëve të korruptuar.
Por shqetësimin dhe dyshimin më të madh unë e ngre duke u nisur nga fakti se qeveria e Albin Kurtit është, ndoshta, shpresa e fundit që u ka mbetur shqiptarëve të Kosovës për t’u qeverisur nga njerëz që i shërbejnë popullit të tyre dhe jo që e nëpërkëmbin atë. Prandaj, nga amerikanët e mirë do të duhet të prisnim mbështetjen e kësaj qeverie për mbajtjen e premtimeve për çlirimin nga shteti i kapur, për luftë kundër korrupsionit e krimit të organizuar e ndërtimit të shtetit të së drejtës. Kurse çka ra në sy në mënyrën më dramatike ishte fakti se i dërguari i Trump-it e injoroi krejtësisht këtë interes madhor shqiptar dhe u duk i gatshëm ta rrëzojë qeverinë “Kurti” vetëm pse nuk iu bind plotësisht një interesi të dyshimtë amerikan. (Panorama, 4 mars 2021)



Read More......