Wednesday, September 26, 2018

Shembja e teatrit: Injoranca, hajdutëria dhe deliri në veprim

 
Duke ndjekur intervistës në Opinion të Edi Ramës me gazetarët (pjesën për Teatrin Kombëtar) mu ngjall edhe një herë një pikëpyetje që ngrihet ne rrethet gazetareske mbi Kryeministrin. Pikëpyetja është se çfarë dominon në projektet Rama të shembjes së monumenteve të kulturës si Stadiumi e Teatri: babëzia e hajdutit  që kërkon të ketë sa më shumë para për pushtet dhe pushtet për para apo sëmundja e narçizistit delirant e mitoman që mendon se historia fillon me të?
Ka që ngulmojnë se duhet ta harrojmë delirin dhe historinë.
Shikoni Komunën e Parisit! - të thonë ata. Aty Rama ka pasur mundësi ta fillojë historinë nga zeroja sepse ishte një terren i virgjër  ku mund të shfaqte krejt ambiciet, dashurinë dhe vizionin e tij për qytetin - sikur ta kishte - dhe ja se çfarë shëmtie ka bërë. Shikoni prishjen e tërë atyre vilave historike tek Blloku, tek rruga e Elbasanit etj. për të ngritur atje ndërtesa banale me të vetmin kriter: sa më shumë sipërfaqe shitjeje në gjerësi dhe lartësi.   Ju duken të bukura ato, ju duket se kanë ndonjë pretendim për të bërë histori, përveç historisë së shëmtimit të këtij qyteti? Mirëpo në këtë pikë partizanët e delirit, që nuk e mohojnë hajdutin brenda tij, ndërhyjnë e thonë se politikanë hajdutë ka pasur dhe ka Shqipëria, por askush nuk ka arritur deri tek shembja e objekteve të tilla si Teatri apo Stadiumi. Këtu ka diçka më tepër - të thonë ata - dhe të kujtojnë atë argumentin e Vangjush Dakos kur tha se Veliera po bëhet për turistët që do të vijnë pas treqind vjetësh të vizitojnë Durrësin.
Personalisht kam mëdyshje mbi atë se çfarë dominon tek Rama, babëzia e firmës së betonit Rama/Gjushi, apo megalomania e narçizisit manipulator e mitoman që pandeh se po le gjurmë në histori. Madje them se nuk ka kuptim të kërkosh se cila dominon sepse ato janë tashmë dy anë të medaljes ku asnjëra nuk bën dot pa tjetrën.  Por një gjë di të them me siguri nisur nga ajo historia që Rama po e përsërit ngase nuk do dhe nuk di të mësojë prej saj. Gjëra të bukura mund të bëjë edhe një i sëmurë narçizist megalloman, por kurrsesi kur sëmundja bashkohet me kalkulimin për të vjedhur dhe me injorancën.
Në emisionin Opinion të së enjtes gazetarët e ftuar u morën jo aq sa duhet me synimin për të vjedhur në projektin e Teatrit. Për të ilustruar tezën time do të thoja se ato kullat "Fusha" prapa, që kanë synim vjedhjen, dëmtojnë estetikisht edhe vetë projektin "Flutura" të danezit sepse i marrin dritën frymën dhe hapësirën për të cilën ka nevojë; dhe fakti që Rama nuk shqetësohet fare për këtë përforcon tezën e atyre që thonë: harrojeni delirin shikoni vetëm vjedhjen. Debati u përqendrua më shumë tek pjesa kulturore e projektit: tek nevoja apo jo e ruajtjes së ndërtesës historike. Dhe pikërisht këtu Rama shpalosi injorancën e tij të thellë, që, bashkë me vjedhjen nuk mund te lerë kurrsesi të bëjë gjëra të bukura.
Do të ndalem vetëm në dy momente.
I pyetur nga Fevziu se me çfarë argumenti një objekt si
Teatri Popullor është futur në monumentet e kulturës në vitin 2000 dhe tani është hequr për t'u shembur Edi Rama u përgjigj se që nga ajo kohë kanë kaluar 20 vjet. Kjo përgjigje (pa përgjigje) nuk mund të jepet pa qenë "profondamente ignorante" (thellësisht injorant) siç e ka pas cilësuar dikur një ish këshillëtare e tij me profesion arkitekte. Kryeministri që ka qenë edhe kryetar bashkie edhe ministër kulture nuk e paska mësuar ende se lista e objekteve që futen në trashëgiminë kulturore nuk vjen duke u pakësuar, por duke u shtuar, në një qytet  që nuk sundohet nga talebanët, sepse historia ecën përpara çka do të thotë se sot, psh. ne kemi nevojë të shpallim monumente kulture edhe shumë objekte të kohës së socializmit ndërkohë që ata më të vjetrit bëhen edhe më të çmuar ashtu si vera e mirë. Jo vetëm, por kryeministri na nxori qartë se ai paska hequr si monument kulture edhe godinën e ish Komitetit Qendror edhe Piramidën (duke lënë vetëm asfaltin e bulevardit) sepse paska ndërmend t'i transformojë duke i vënë të parit një kapuç të madh mbi kokë  dhe të dytit shkallë për të luajtur fëmijë duket sipas projektit të Vini Mass.  A dominon babëzia apo sëmundja psikike në këtë punë për mua s'ka shumë rëndësi. E rëndësishme është që këtu kemi të bëjmë me një padituri të thellë edhe emocionale edhe racionale mbi rëndësinë e monumenteve të kulturës.  
E kjo lidhet me një tjetër padituri që manifestoi Kryeministri në emisionin e të enjtes duke respektuar gjatë gjithë debatit "këshillën" e Mark Twenit: "Gjithshka për të cilën ke nevojë në këtë jetë është injoranca dhe besimi; dhe atëhere suksesin e ke të garantuar."
Kur gazetarët i thanë se ka prishur një monument kulture (duke folur për Stadiumin) ai u përgjigj: "monument kulture ka qenë i gjithë ansambli jo thjesht Stadiumi". Sipas kësaj diturie  nëse i heqim një copë një monumenti kulture ai nuk u cënokërka. Më pas, për të demaskuar deri në fund veten, sipas atij parimit se po tu prish karakteri të zbehet edhe inteligjenca, filloi të thotë se ai nuk e ka prishur objektin e Bozios, pasi fasadën, që qenkërka e vetmja gjë me vlerë e objektit, e paskan futur brenda stadiumit: "siç i bëjnë italianët nga të cilët unë mësoj kurse ju nuk mësoni" shtoi ai duke përqeshur gazetarët.
Nuk dua të flas këtu për faktin se për të shembur një objekt të mbrojtur me ligj minimalisht duhet të ndryshosh më parë ligjin që e ka bërë atë objekt të mbrojtur. Këtë shpresoj se do të vijë dita kur një drejtësi vërtet e pavarur do ta ketë objekt të hetimeve të veta. Dua të theksoj edhe një herë aspektin e paditurisë së kryeministrit tonë.
Një nga gjërat më elementare që duhet të dijë një ish ministër kulture dhe një ish kryebashkiak, kur flet për monumentet e kulturës, është fakti se ka një rregullore që  mbron objektet që janë monument kulture ku, midis të tjerave, përcaktohen edhe largësitë (prej tyre) që duhen ruajtur në mënyrë që ata të mund të rrezatojnë vlerën e tyre për të cilën ruhen, bukurinë e tyre. Kurse ky me Casamontin e tij na e paska futur brenda stadiumit të ri fasadën e vjetër sikur të jetë ndonjë lodër që e lëviz në shtëpinë e tij. Edhe diçka tjetër: ku i paska parë ky dhe Casamonti këtë veprime në Itali me monumentet e kulturës. Në Firencen e Casamontit stadiumi Artemio Franchi, ku luhen ndeshjet e Fiorentinës, është i vitit 1931 dhe konsiderohet simbol i arkitekturës së shekullit XX në qytet. Dhe është jashtë qendrës historike. Kurse në qendër, kur një kryebashkiak pati idenë të ndryshojë pak daljen e prapme të galerisë Uffici, për të vendosur atje një si tip strehe, sipas projektit të një arkitekti të njohur japonez, u ngritën gjithë njerëzit e artit dhe e ndaluan.
"Nuk ka gjë më të tmerrshme sesa injoranca në veprim" thotë Gëtja. Shtojini kësaj edhe babëzinë për të vjedhur të Ramës dhe oligarkëve rreth tij edhe sëmundjen e pashërueshme të delirit të atij që mendon se historia fillon me të dhe imagjinoni se si do të katandiset Tirana, që edhe kështu është bërë e pashikueshme dhe e pabanueshme. (Panorama, 22 shtator 2018)

Read More......

Thursday, September 20, 2018

Ndërkombëtarokracia që minon demokracinë

 
Përgjigjja e Brukselit se projektligji special “Fusha” për teatrin duhet ndryshuar për t’i hapur rrugën një gare konkurrentësh iu paraqit publikut në mediat tona kryesisht si lajm. Pati disa komente që vunë në dukje paturpësinë e Edi Ramës dhe Erjon Veliajt në kthesat e tyre 180 gradësh. Shkroi Andi Bushati një artikull ku paralajmëroi se kjo s’do të thotë fare se teatri ka shpëtuar, por mendoj se ky lajm meritonte të komentohej shumë më tepër sesa kaq. Madje, të bëhej çështje e çështjeve nga opozita, që thjesht u mjaftua ta quajë një fitore të saj.
Pse e them këtë?
Sikurse dihet, projektligji për teatrin është kundërshtuar nga shumë palë në Shqipëri. E kanë kundërshtuar vetë aktorët, e kanë kundërshtuar intelektualë me emër, pjesë e shoqërisë civile, e ka kundërshtuar opozita dhe, më në fund, e kundërshtoi me nëntë pika edhe vetë Presidenti. Argumentet ishin të shumta, që nga nevoja për të ruajtur trashëgiminë kulturore në zhdukje e deri te denoncimi i shkeljeve flagrante të ligjeve të vendit me qëllim grabitjen e pronës publike në favor të klientëve të qeverisë. Po çfarë ndodhi? Ndaj gjithë këtyre kundërshtimeve shumë argumentëshe, Edi Rama, kryebashkiaku socialist Veliaj, ministrat dhe deputetët rreth tyre (me përjashtim të Pandeli Majkos) reaguan me mospërfilljen dhe arrogancën më të madhe. Sakaq, ndaj tentativës për vjedhje nëpërmjet këtij ligji, një organ që pretendon se është rezultat i Reformës në Drejtësi, Prokuroria, u soll edhe ajo me mospërfillje ekstreme. Pra, u desh një ndërhyrje e Brukselit që të ndalonte këtë akt “korrupsioni të pastër” – sikundër thuhet se e ka cilësuar (jo publikisht) edhe një diplomat i lartë, mbështetës i qeverisë.
Mirëpo, pikërisht për sa thashë më sipër, ky fakt meriton shumë më tepër sesa komentet e pakta që janë bërë. Sepse kjo që ndodhi ishte testi më i mirë për të provuar se në Shqipërinë e të ashtuquajturve rilindës nuk funksionojnë, as minimalisht, ato institucione të sistemit politik të quajtur demokraci parlamentare me “check and balance” e me drejtësi të pavarur e me media të pavarura, por thjesht një banditizëm njëpartiak. Ky test provoi se i vetmi institucion që funksionuaka për të korrigjuar e kontrolluar maxhorancën shqiptare qenkan ndërkombëtarët. Por a mund të quhet kjo demokraci? Kurrsesi jo. Ndoshta mund të quhet ndërkombëtarokraci.
Po çfarë tiparesh ka kjo ndërkombëtarokracia jonë, që, për hir të së vërtetës, ia gjen fytyrën edhe tjetërkund, por që në këtë palo shtetin tonë ka marrë trajtat më qesharake dhe më të përçudnuara?
Së pari, do të thosha se ndërkombëtarokracia jonë është pasja e një qeverie që, si një fëmijë i keq, i trembet dhe i nënshtrohet të fortit jashtë (ndërkombëtarit perëndimor) dhe vjedh, fyen e poshtëron ata që i ka poshtë (qytetarët e vendit të vet), të cilëve s’u mbetet tjetër veçse të qahen e të ankohen si fëmijë te prindërit se po i rreh vëllai i madh. Me këtë sjellje sadomazokiste, që kreu i rilindësve e rrezaton në formë sëmundjeje të rëndë psikike, vetëm demokraci nuk mund të ndërtohet.
Por problemi nuk mbaron këtu. Përtej emocioneve, çështja që shtrohet është nëse ndërkombëtarokracia mund të funksionojë si garantuese e ligjit. Kurrsesi jo. Për këtë do të lipsej një ndryshim themelor kushtetute që do të duhej ta kthente Shqipërinë nga shtet sovran në një protektorat të Brukselit. Përndryshe, ajo funksionon vetëm in extremis, së pari, kur zullumi i fëmijës së keq i kalon kufijtë kombëtarë dhe, së dyti, për sa kohë që fëmija i keq ka nevojë për ndërkombëtarët perëndimorë, sepse mund të vijë një moment kur, nëse sheh se ata nuk e duan më, mund të prishet me ta dhe të gjejë ndërkombëtarë të tjerë.
Një problem tjetër është se, po ta shohësh thellë-thellë, ndërkombëtarokracinë nuk se e kanë instaluar ndërkombëtarët në Shqipëri, paçka se shumë prej tyre kanë treguar se u pëlqen fort ky lloj pushteti pervers. Atë e kanë instaluar fëmijët e këqij. Janë ata që i kanë dhënë pushtet të pamasë ambasadorëve Lu, Vllahutinit të Brukselit e më the të thashë. Por kujdes, siç e kam thënë edhe më herët, raporti që ata kanë ndërtuar me ta nuk është ai i një fëmije të bindur dhe të sinqertë, por ai i fëmijës së keq që i mashtron ata sipas parimit: Nëse do të sundosh shqiptarët, manipulo ndërkombëtarët, apo, edhe më keq akoma: korruptoji ata. Kjo e bën edhe më të vështirë funksionimin e sistemit ndërkombëtarokrat si garantues i respektimit të ligjit në një vend. Edhe vetë përgjigja e Komisionit të Brukselit për projektligjin e Teatrit e provon këtë:
“Komisioni mirëpret angazhimin e autoriteteve shqiptare për ta amenduar Ligjin Special me qëllim futjen e një thirrjeje për tender të hapur për zbatimin e projektit të zhvillimit të Teatrit Kombëtar, ku çdo kompani private mund të aplikojë me një projekt."
 Kjo përgjigje i ka gëzuar disa që luftojnë për mbrojtjen e Teatrit. Opozitën madje e ka bërë të këndojë fitore. Por, sipas meje, gabohen. Ajo duhet parë si provë e çfarë po them, ndërsa gëzimi se në çfarë gjendje infantilizmi na ka reduktuar ndërkombëtarokracia. Sepse, vërtet Komisioni është shprehur kundër atij projektligji, por nuk ka kërkuar aspak të thellohet se si ka mundësi që një qeveri, që kërkon të na bëjë pjesë e shteteve të së drejtës, arrin të hartojë këtë lloj ligji dhe aq më pak të kuptojë se nga vjen përçmimi që ka treguar qeveria ndaj shqiptarëve, që kanë kundërshtuar këtë projektligj. (Nuk po merrem këtu me faktin se nuk ka treguar as ndjeshmërinë më të vogël ndaj asaj që në një vend europian do të ishte një skandal i paimagjinueshëm: shkatërrimi i një monumenti kulture). Për mua, kjo përgjigje është njëlloj sikur, mbasi të kesh në dorë një provë flagrante se njerëzit me të cilët ke të bësh janë vjedhës të paskrupullt e të revoltohesh e të kërkosh që të merret drejtësia me ta, të ulesh në marrëveshje me ta që t’i bindësh të gjejnë një mënyrë vjedhjeje një çikë më delikate. D.m.th të jesh bashkëpunëtor me ta.
Si përfundim, ashtu sikurse projektligji për Teatrin nxori zhveshur në mënyrën më skandaloze se çfarë sistemi korrupsioni mbretëron në Shqipëri, ndryshimi i qëndrimit të qeverisë për shkak të këshillës delikate të Brukselit (për të ruajtur sadopak faqen) nxori zhveshur në mënyrë po aq skandaloze se çfarë sistemi politik kemi ndërtuar në Shqipëri, (edhe me ndihmën ndërkombëtare). Prandaj, gjykoj se kjo histori duhet të shërbente për të ndërgjegjësuar jo vetëm shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët e pakorruptuar, se Shqipëria në vend të demokracisë po sundohet nga kjo ndërkombëtarokraci që po minon përditë demokracinë, duke i lënë shqiptarët në gjendje infantile dhe nën mëshirën e një bande të paskrupullt hajdutësh sadomazokistë të përkrahur nga burokratë të korruptuar në Bruksel. (Panorama, 18 shtator 2018)

Read More......

Saturday, September 1, 2018

Kush e kërcënoi Klodjana Lalën

 
 
Ditën e djeshme, 30 gusht 2018, nëpër media dhe portale dolën tre lajme që në pamje të parë duken pa lidhje me njëri-tjetrin.
Lajmi i parë:
Revista Monitor na bën të ditur se në vitin 2018 kreditë bankare për ekonominë shqiptare kanë pësuar rënie në krahasim me vitin e kaluar, duke konfirmuar një grafik që ka disa vjet që vazhdon në rënie.
Lajmi  dytë:
Maxhoranca ka nxituar të fusë në punimet e Kuvendit projektligjin e kthyer nga Presidenti, që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e një teatri të ri me gjashtë kulla prapa, paçka se nuk kemi asnjë përgjigje për nëntë pikat mbi argumentet e të cilave Presidenti e ka kthyer këtë projektligj.
Lajmi i tretë:
Ka ndodhur një sulm kërcënues me armë, i tipit mafioz, ndaj shtëpisë së gazetares investigative Klodiana Lala.
Cili është filli që i lidh këta tre lajme?
Le t’i marrim me radhë.
Lajmi i parë konfirmon edhe një herë përgjigjen e një pyetjeje që ka kohë që është ngritur: Nga burojnë paratë e bumit të ndërtimeve që ka kapluar Tiranën? Me çfarë parash po ngrihen e do të ngrihen grataçielat, që ka aprovuar Rama? Lajmi konfirmon një hipotezë tejet të besueshme, të formuluar tashmë si akuzë nga opozita dhe jo vetëm, se burimi janë paratë e pista të krimit.
Le të kalojmë te lajmi i dytë. Nuk ka pikë dyshimi se gjashtë grataçielat, që parashikohet të ndërtohen në një pjesë të truallit të Teatrit dhe në truallin publik prapa tij, nuk kanë ndonjë logjikë ekonomike pasi Tirana është e rrëmbushur me qendra biznesi që po falimentojnë. Edhe te dy të ashtuquajturat grataçiela që kemi, njëra ka vite që është e pambaruar kurse tjetra funksionon si hotel vetëm në dy-tre kate të saj. Prandaj projekti i ndërtimit të një teatri të ri me kusht ndërtimin e grataçielave prapa tij, ngjitur me hotelin bosh, nuk mund të mos të të çojë tek akuza se edhe këtu kemi një pretekst për pastrim parash të pista.
Fakti që, si në rastin e lejeve të shumta të ndërtimit të dhëna nga bashkia, ashtu edhe në rastin e kësaj superlejeje, kemi përfshirjen tejet aktive të qeverisë, veçanërisht të Kryeministrit Rama, përforcon akuzën e ngritur tashmë se pastrimi i parave bëhet me bekimin e qeverisë, që e ka strategji të vet qeverisjen me krimin, për krimin. Rritja e paprecedent e kultivimit dhe trafikimit të drogës, futja e njerëzve të krimit në Parlament, vendosja e ministrave të Brendshëm të lidhur direkt apo indirekt me krimin është një provë më tepër e kësaj strategjie.
Dhe ja ku vijmë te lajmi i tretë.
Gazetarja Klodiana Lala, së cilës i dërgoj solidaritetin si koleg, është një nga gazetaret më aktive në denoncimin e lidhjeve të politikës me krimin e organizuar. Jo më shumë sesa disa ditë më parë ajo publikoi përgjime që nxjerrin lidhjen e deputetit të PS-së, Çyrbja me bandën e ashtuquajtur të Shullazit. Dhe sikur të mos jetë e vërtetë, pista e parë e hetimit që të vjen ndërmend është se këtu kemi të bëjmë me një kërcënim që vjen nga kjo lidhje. Qëllimi është i qartë. Pushteti i krimit kërcënon që ta lenë të qetë në punët e tij dhe projektet e tij, që na rezultojnë punë e projekte të përbashkëta me qeverinë.
Janë të shumtë ata që, me këtë rast, pyesin se si arritëm deri këtu? Rruga e fuqizimit të krimit deri në kapjen e shtetit ka qenë e gjatë, por të gjithë bien dakord se lidhja e qeverisë me krimin dhe kriminelët ka njohur një hop të paparë gjatë këtyre viteve të Ramës. Disa e shpjegojnë këtë me dobësinë e veçantë që ka Kryeministri për këtë kategori. Personalisht, e ve theksin te degradimi i mëtejshëm i një ekonomie që gjithnjë e më shumë varet te paratë dhe njerëzit e krimit. Por problemi sot nuk është analizimi i shkaqeve, por se sot kemi arritur në gjendjen e bretkosës së zierë, që nuk del dot nga tenxherja. Për ata që nuk e dinë se ç’do të thotë kjo metaforë, po e tregoj: Nëse marrim një tenxhere me ujë të zier dhe hedhim në të një bretkosë të gjallë, ajo hidhet përpjetë nga nxehtësia e del nga tenxherja. Nëse marrim një tenxhere me ujë të ftohtë dhe fusim në të një bretkosë, ajo qëndron aty se është ambienti i saj natyral. Nëse fillojmë ta nxehim gradualisht këtë tenxhere derisa të arrijmë temperatura shumë të larta, bretkosa paralizohet dhe nuk është në gjendje të kërcejë e të dalë nga tenxherja kur ajo vlon, por ngordh.
Lexova se Kryeministri, që po punon natë e ditë, duke ndërtuar me keqbërësit, për keqbërësit e që ka futur në Parlament keqbërës, na e paska cilësuar “barbar” dhe “të patolerueshëm” aktin ndaj Klodiana Lalës dhe ka bërë thirrje për kapjen e keqbërësve. Kësaj i thonë që keqbërësit të të vrasin natën dhe të të qajnë ditën. Privilegj i madh ky, por kur bretkosa nuk del dot më nga tenxherja, mund ta gëzosh edhe këtë privilegj. (Panorama, 31 gusht 2018)

Read More......