Monday, October 24, 2011

Një propozim për skifterët dhe pëllumbat


Të gjithë e kanë sot më të qartë se kurrë diagnozën e “sëmundjes” shqiptare: konfliktualiteti i egër, mungesa e aftësisë për dialog e bashkëpunim midis palëve politike e ka bllokuar Shqipërinë duke e mbajtur jashtë aspiratave europiane. Dhe me këtë nuk duhet të kuptojmë një shprehje retorike, por ekzistencën në vend të një situate të rëndë lufte civile pa armë, që në terma politikë mund të artikulohet si paaftësi për të ndërtuar shtetin ligjor, ai që ka kohë që përkthehet edhe si traumë e tejzgjatur psikologjike e krejt shoqërisë. Është një sëmundje që rezulton endemike në virulencën e vet shkatërruese, pasi nuk e gjen në shtete të tjera europiane, të cilave u është refuzuar statusi i kandidatit për arsye të tjera, por jo për këtë sëmundje.

Fatkeqësisht, “injeksionet” që bën Europa herë pas here duken krejt të pafuqishme ndaj kësaj virulence. Të nesërmen e raportit, në vend të refleksionit për përgjegjësitë e veta, filloi beteja e radhës për gjetjen e fajtorit. Mjeshtrit tanë të konfliktualitetit, sikur raporti t’u kishte hyrë në njërin vesh e t’u kishte dalë në tjetrin, u aktivizuan menjëherë për të ruajtur gjallë klimën në të cilën ata ndjehen si peshku në ujë. Europianët u lodhën së përsërituri se “raporti i progresit” është një “instrument” që klasa politike duhet ta përdorë për të ndërtuar bashkëpunimin e nëpërmjet tij një shoqëri më të mirë e një jetë më të mirë për çdo shqiptar, mjeshtrit tanë e morën dhe e përdorën si çekiç për të goditur njëri-tjetrin në kokë e për ta shkatërruar edhe më shoqërinë e jetën e shqiptarëve.
Nuk synoj me këtë shkrim të zgjatem mbi shkaqet e kësaj lufte civile pa armë dhe as për pasojat. Do të përsërisja gjëra që i kam stërthënë. E reja e këtij momenti është se ndoshta ky dënim që erdhi nga Europa sikur e bëri edhe më të qartë e më të thekshme nevojën për ta vënë gishtin te kjo plagë. Pra, pa u zgjatur në shprehjen e dëshpërimit, më duket se gjithsesi ndjehet se të gjithë janë tejet të lodhur nga shkatërrimi që po na sjell kjo luftë civile pa armë. E njohin edhe protagonistët efektin e saj në shoqëri. Mjaft të kujtoj se Lulzim Basha e impostoi fushatën elektorale jo te sulmet mbi kundërshtarin, por te premtimet për bashkëpunim. Në këtë kontekst dua të bëj thjesht një propozim që ka të bëjë me ndërtimin e një instrumenti ligjor që do të mund të na ndihmonte për të dalë nga rrethi vicioz: konfliktualitet shkatërrim – shkatërrim konfliktualitet e për të hyrë në një fazë ku konflikti politik, si instrument i rëndësishëm i dialektikës së zhvillimit, të menaxhohet e të sjellë dialog e ndërtim. Propozimi që kam është ai i një instrumenti ligjor që lidhet me ndryshimin e Kodit Zgjedhor për të cilin po flitet kaq shumë. Nuk është një propozim/terapi që po e shpik nga vetja; është i mbështetur në përvoja botërore. Ka të bëjë me përvojat e ndryshimit të sistemeve zgjedhore, ashtu që ata t’u përgjigjen problemeve që ka nxjerrë realiteti politik i një shoqërie. Me fjalë të tjera, në idenë se sistemet elektorale nuk janë vetëm instrumente për të ndërtuar maxhoranca qeverisëse, por mund të shërbejnë shumë mirë edhe si mjete për menaxhimin e konflikteve në një shoqëri. Më konkretisht, propozimi im në thelb ka të bëjë me atë se si ta ndryshojmë sistemin tonë zgjedhor jo për qëllimet që e kemi ndryshuar deri më sot, që kanë qenë gjetja e mënyrave për t’ia “futur” kundërshtarit, por për qëllimin që ai të ndikojë të zgjedhim “kafshë politike” më të buta, më racionale, që, tek e fundit, do të ndryshojnë edhe klimën e xhunglës sonë.
Midis përvojave që kanë rezultuar të suksesshme për menaxhimin e konflikteve janë edhe ato të atyre vendeve që kanë përdorur për këtë sistemet elektorale. Sistemi elektoral i aplikuar me sukses në këtë rast është ai sipas të cilit zgjedhësi ka mundësi të votojë jo vetëm për listën e partisë që ai ka për zemër, por i jepet mundësia dhe fuqia të shprehë në fletën e votimit edhe preferenca për emrat në listën e partisë/ve kundërshtare, duke venë p.sh. një kryq apo një numër pikësh në emrat që atyre që i rezultojnë më të preferuar. Në këtë mënyrë, vota e tij ndikon për të zgjedhur jo vetëm të vetët, por, indirekt, edhe kandidatët kundërshtarë. Është më se e qartë se nëse zgjedhësi do të kishte mundësi t’u vinte pikë disa emrave në listën e partisë kundërshtare me partinë që ai voton, që pastaj do të numërohen për t’ia shtuar apo pakësuar atyre peshën elektorale, do të zgjidhte figurat më të pranueshme për të. Dhe, pa dyshim, këta do të jenë ata që nga përvoja epo edhe nga vetë fushata elektorale, i kanë treguar atij se janë ata më pak konfliktualët ndaj partisë që zgjedhësi ka për zemër, që kanë treguar më shumë moderacion, më shumë hapje ndaj kundërshtarit, më shumë sens vetëkritik etj. Në këtë mënyrë do të ndryshonin shumë shpejt dy gjëra: do të ndryshonte përzgjedhja e kandidatëve të të dyja partive në favor të kësaj tipologjie politikani, do të ndryshonin edhe vetë kandidatët sepse do të përdornin, si gjatë fushatave elektorale, edhe gjatë gjithë aktivitetit të tyre katërvjeçar, një gjuhë më të përmbajtur më bashkëpunuese e më konstruktive.
Ky është propozimi. Kuptohet, këtu po flas në parim, jo për teknikalitetet e ndryshimit të sistemit elektoral mbi bazën e këtij parimi që u takon ekspertëve t’i kryejnë pas një studimi edhe të përvojave të të tjerëve. Kuptohet po ashtu se ky instrument nuk do të ishte i mjaftueshëm për ndryshimin e klimës konfliktuale në Shqipëri, por jam i sigurt që një operacion i tillë do të ndikonte mjaft në ndryshimin i klimës vetëshkatërruese që po përjetojmë. Ai do të reflektohej po ashtu në sjelljen e të gjithë shoqërisë, duke filluar që nga militantët e gazetarët e llogoreve që sillen si mercenarë në dy ushtritë e luftës civile që edhe natën flenë me armë në krah e deri te njerëzit e thjeshtë. Ai ka avantazhin se bëhet shumë shpejt, sepse mjafton një ndryshim në ligj, dhe duket i pakontestueshëm nga pretendimi se është në favor të njërës palë. Vështirësitë që ka janë vetëm ato që lidhen me faktin se fleta e votimit do të ishte pak më e ndërlikuar, por kjo nuk më duket e pakapërcyeshme, si dhe faktin (kryesor) se “pala” që nuk do ta pëlqente e refuzonte do të ishte ajo e skifterëve në të dy krahët, që do të duhet ose të ndryshojnë natyrë e të kthehen në pëllumba, dhe kjo ka vështirësitë e veta, ose t’ua lënë vendin pëllumbave të vërtetë. Por, edhe kjo nuk është e pamundur, veçanërisht duke parë se presioni i nevojës që ka vendi për dialog dhe bashkëpunim po bëhet dita-ditës më i madh jo vetëm nga ndërkombëtarët, por edhe nga shoqëria shqiptare. (Panorama, 21 tetor 2011)

Monday, October 17, 2011

Ramis Alia është midis nesh

Kur shkruajmë për një ngjarje historike apo personazh historik, i vdekur apo i gjallë, në thelbin e vet ne kërkojmë, direkt apo indirekt, të kuptojmë më mirë vetveten. Në këtë kontekst do ta shikoj edhe figurën e Ramis Alisë që vdiq para disa ditësh. Po e filloj duke thënë se nuk pajtohem aspak me një gjykim që u përhap gjithandej nëpër medja që e cilësoi si “diktatori i fundit dhe demokrati i parë”, e që, në jo pak raste, varësisht nga filiacioni politik i shkruesve, u ekstremizua duke i mëshuar disa “diktatorit” dhe të tjerë “demokratit”. Ajo që nuk pranoj në këtë përkufizim, së pari, është ai lloj qëndrimi që një personazh historik e trajton ose si monstër ose si ëngjëll pra sikur të përfaqësojë diçka që s’ka të bëjë me atë çka jemi ne vetë, dhe, së dyti, nuk pranoj vijën ndarëse bardhë e zi që kërkojnë të heqin disa midis periudhës komuniste dhe asaj post-komuniste. Kam mbështeur vazhdimisht idenë se kjo që po ka ndodhur në Shqipëri këta njëzet vjet është në shumë aspekte – ndonëse jo tërësisht - vazhdim i kulturës komuniste në një formë të re. E, në këtë kontekst, mendimi im është se   tipologjinë e politikanit që përfaqëson Ramis Alia e gjejmë rëndom në politikën e sotme shqiptare - e jo vetëm në politikë - si trashëgimi të asaj kohe. Me fjalë të tjera, sipas meje, duke qenë se kulturën që pjell diktatorë dhe vegla të tyre të bindura e kemi ende dominante ai nuk mund të quhet as diktatori i fundit, dhe as demokrati i parë.
Cili është thelbi i figurës së Ramis Alisë në këtë kontekst? Sipas meje thelbi i tij nuk mund të kuptohet jashtë raportit të tij me Enver Hoxhën si diktatori më pushtetgjatë i vendit (përsëri po e evitoj përcaktimin diktatori i parë që do t’i jepnin disa këtij). Sikurse e kam shkruar edhe herë tjetër ky është  raporti i birit me atin në një shoqëri që nuk ka arritur ende të kryejë “atvrasjen” në kuptimin simbolik, psikoanalitik të termit: si akt çlirimi nga autoriteti i atit. Jeta politike e Ramis Alisë në thelbin e vet është jeta e një biri që ka jetuar nën hijen e atit, i mbrojtur nga pushteti i atit, që s’ka marrë kurrë ndonjë përgjegjësi, pasi këto i kishte ati, që nuk ia ka bërë kurrë fjalën dhe veprën dysh dhe që, edhe pas vdekjes, ia ruan kujtimin të pacënuar. Kjo është një strukturë psikologjike ende e pandryshuar në kulturën e shoqërisë sonë. Sipas kësaj strukture, me kalimin e kohës, figura e parë autoritare, ajo e atit biologjik, zëvendësohet me atë të shefit, bosit, diktatorit dhe identifikimi me të arrin deri në pikën e humbjes së vetvetes për të krijuar në vend të saj një tjetër vete që mendon e ndjen si shefi/diktatori. Ky kipc bëhet faktikisht vetvetja, ai të cenzuron çdo mendim të kundërt apo dyshim ndaj atit që mund të të lindë. Një bir i tillë mund të quhet, sipas këndvështrimit, një besnik, një vegël, një bashkpuntor në krim, një viktimë, një servil i nënshtruar i diktatorit. Pas vdekjes së këtij ky bir/kipc është i gatshëm të marrë e të luajë të njëjtin rol. Në këtë kuptim diktatori i egër dhe biri i bindur ndaj tij janë dy faqe të së njëjtës medalje. Kjo është në thelb ajo çka ka përfaqësuar Ramis Alia gjatë gjithë kohës që Enver Hoxha ishte diktator i Shqipërisë dhe pastaj kur u bë vetë i pari i vendit.

Dikush do të thotë se shumë nga këta besnikë, vegla, bashkëpunëtorë, servilë, diktatori i eliminoi kurse këtë e la për trashëgimtar e të shtrojë pyetjen ku ndryshonte ky nga ata. Gjykoj se diferencat janë dytësore në raport me atë që thashë më lart. Fakti që Alia u bë biri i zgjedhur i Hoxhës, sipas mendimit tim, i dedikohet kryesisht aftësive të tij për të hedhur hapa, me sa më pak zhurmë, vetëm në hijen e Enver Hoxhës, pa treguar shenja egoje personale, pjesërisht i dedikohet fatit, pjesërisht asaj se ky ishte afro njëzet vjet më i ri e me një staturë disi më intelektuale se të tjerët dhe kësisoj do ta çonte më larg kujtimin e tij pa ndërmjetës, pjesërisht se ishte njeriu që kishte marrëdhëniet më të mira me të shoqen dhe, po ashtu, sepse me të kishte lidhur krushqi, çka në Shqipëri ka një rëndësi jo të vogël.

Po a ka pasur ai ndryshim nga Enver Hoxha? Siç tregon edhe historia e monarkëve që kanë pasuar njëri tjetrin edhe si at e bir biologjik jo të gjithë kanë pasur të njëjtin karakter, disa kanë qenë më energjikë e të tjerë më apatike, po ashtu edhe kohët që kanë jetuar ata kanë qenë shpesh të ndryshme: disa kanë udhëhequr lulëzimin të tjerë kanë vuajtur dekadencën e në këtë kuptim Ramis Alia mund të thuhet se ka qenë edhe më apatik se Hoxha e Shehu edhe se ka jetuar dekadencën e regjimit. Po ashtu, nëse etjen për vrasje të Enver Hoxhës, deri të shokëve më të afërt, do ta konsiderojmë jo vetëm/thjesht një çështje ideologjike e pushteti, por, siç tregojnë studime për diktatorë të tjerë, edhe një sëmundje personale të lidhur me paranoja e me lloj lloj devijacionesh të ngjashme me ato të vrasësve seriale mund të thuhet se Ramis Alia nuk i ka pasur këto sëmundje, ka qenë pra më i shëndoshë mendërisht, prandaj dhe më në kontakt me realitetin.

Gjithsesi ngulmoj se fakti që pas vdekjes së atit  biri mund të ketë krejt tabiatet e tij apo të shfaqet më i butë, apo më racional është sekondar në raport me çka thashë në krye. Ramis Alia, në thelb, e ruajti strukturën e raportit at i dhunshëm - bir i nënshtruar si dy anë të medaljes së një kulture autoritare, klanore e paternaliste të bazuar mbi besnikërinë dhe nënshtrimin ndaj atit deri në krim. Simpatizantët e tij sot e refuzojnë akuzën se Ramis Alia ishte kriminel qoftë edhe pse ka ngritur dorën për të gjitha krimet e Enver Hoxhës. Sipas meje nuk ka asnjë dyshim se Ramis Alia është përgjegjës për krime të rënda ndonëse s’mund të konsiderohet si iniciuesi apo inspiruesi i tyre. Mjafton firma për pushkatimin pa gjyq të 21 intelektualëve më 1951, ndërkohë që krimi i vrasjes, sikurse dihet, ishte kryer tashmë nga kriminelë shumë më të egër si Enver Hoxhe e Mehmet Shehu, për ta mbështetur këtë akuzë. Sikur këta të mos e kishin firmosur atë letër jo vetëm nuk do të merrnin përgjegjësitë për këtë krim, por me siguri do të kishin evituar krime të tjera që ndodhën edhe më vonë. Në fakt, kur i atribuohet merita se bëri kalimin “pa gjak” askush nuk thellohet të bëjë pyetjen: pse flitet kaq shumë për gjakun, madje ka shumë nga ata që thonë se gjaku duhej? Sepse Ramis Alia dhe shokët e tij kishin kryer shumë krime të përbindëshme si këto, jo vetëm ndaj mijëra burrave e grave të pafajëshme, por edhe ndaj foshnjave e fëmijëve që jo vetëm i lanë pa prindër, por edhe i plasën nëpër internime dhe u mohuan ato që sot quhen të drejta themelore të njeriut, si ajo e të qënit i barabartë përpara ligjit, ajo për arsim, për shëndetin etj.. Lehtësia me të cilën simpatizantët e nderuesit e tij i hedhin prapa shpine këto krime, edhe tani që kanë dalë në dritë të diellit me krejt shëmtinë e tyre,  duke ia veshur “atit” apo “kohës” apo duke i përmendur vetëm merita është simptomë e asaj që thashë më sipër, e një shoqërie që nuk ka kryer “atvrasjen”.

Ja pse ngulmoj se ky lloj qëndrimi nuk është çështje personale e një njeriu, por çështje e një trashëgimie kulturore që Ramis Alia e gjeti në shoqërinë shqiptare dhe e thelloi, do të thoja, me jetën dhe veprën e tij duke përfshirë edhe kujtimet e tij. Ulërimat e Sabahet Kasimatit që e tërhiqnin zvarrë për ta vrarë përfundimisht e për ta hedhur në gropën e përbashët me 20 të pafajëshmit e tjere do të duhej të mos linin të qetë ndërgjegjen e çdo njeriu normal që jeton sot në Shqipëri dhe jo më Ramis Alisë që e ka firmosur atë akt. Kurse ai jo vetëm pas vdekjes së Enver Hoxhës, por edhe pas vdekjes së regjimit që ndërtoi Enver Hoxha nuk e mohoi kryekriminelin ashtu sikurse këta njerëz nuk mohojnë Ramis Alinë. Sepse, në fakt, kultura autoritare paternaliste nuk ve të vërtetën, principin, idealin,  të drejtën mbi çdo gjë, por autoritetin e atit dhe mbijetesën e klanit që ai përfaqëson. Thënia e Brutit: “e vrava Çesarin jo pse nuk e desha, por sepse desha Romën më shumë se atë” sipas kësaj kulture bëhet: “E dogja Romën jo pse nuk e desha, por se desha Neronin më shumë se atë.”

 Dikush, si kundër argument, do të më kujtonte se ai lejoi rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, ashtu sikurse lejoi arrestimin e Nexhmije Hoxhës. Kur flas për atvraje apo mohim të ati në kuptimin psikologjik, apo qoftë edhe fizik, si nevojë për çlirim nga dhuna autoritare e klanit dhe kapos së tij, si dialektikë zhvillimi drejt më shumë lire, barazie, drejtësie dhe demokracie, si afirmim i personalitetit tënd individual, kam parasysh një veprim të vullnetshëm të motivuar nga bindja e thellë. Rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës, apo arrestimi i Nexhmije Hoxhës apo edhe ndonjë fjalë aty këtu që ka shkruar Ramis Alia në kujtimet e tij lidhur me “gabimet” e regjimit, nuk janë diktuar nga këto bindje të thella, por kanë qenë thjesht instrumente të mbijetesës së tij, shenjë e oportunizmit të tij. Dhe kujtoj se, ndryshe nga ç’mund të mendohet, ky oportunizëm ka qenë edhe karakteristikë e atit të tij Enver Hoxha. Mjaft të kujtosh servilizmin e tij ndaj Titos, atë ndaj Hrushovit apo Kinës dhe pastaj prishjet dhe fjalët e zeza për ta për të kuptuar se në këtë aspekt Ramis Alia nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ndjekur mësimet e të atit. 

 Në kontekstin e gjithë sa shtjellova më sipër ngulmoj se Ramis Alia është sot midis nesh. Politikanë që sillen e veprojnë, në thelb, njëlloj si ai sot janë raca më e përhapur. Nuk mund të shpjegohet ndryshe fakti se edhe kur flasin për krimet e Alisë apo të kundërshtarëve në përgjithësi këta nuk kanë as sy, as veshë, as gojë për të parë e për të folur e protestuar për krimet e kohëve të reja të bosëve të tyre. Në një shtet të së drejtës Ramis Alia mund të konsiderohej përgjegjës si bashkëfajtor në krimet e Enver Hoxhës dhe të dënohej, por në një shtet të së drejtës duhet të kishte fajtorë dhe bashkëfajtorë edhe për afro 3000 të vdekurit e 97-tës, edhe për mbytjet në det të mijëra shqiptarëve, edhe për atë të gjorin që e hodhi në kanal një ish krieministër pasi e shkeli me makinë, edhe për Gërdecin, edhe për 21 Janarin, edhe për bashkëpunime me mafjozë edhe për korrupsionin e pafundëm etj.. Por problemi është se ne nuk ngremë dot një shtet të së drejtës mu për shkak të trashëgimisë që na ka lënë Enver Hoxha dhe Ramis Alia. Sepse përsëri vazhdojmë të vemë dashurinë apo nënshtrimin ndaj Neronit mbi atë për parimet e të drejtës dhe të vërtetës. Kështu nesër, nga brezi që po vjen, ka shumë gjasa të flitet për krimet e ndodhura në këta vjet të të ashtuquajturit tranzicion, për korrupsionin, vrasjet, vjedhjet, grabitjet, lektisjen e Shqipërisë, njëlloj siç flitet sot për komunizmin duke ia veshur ato ndonjë Hoxhe apo ndonjë Alie tjetër, por duke vazhduar të kryhen krime të tjera në emër të dashurisë ndaj të tjerë bosëve të klaneve, mu pse nuk duam të kuptojmë se e keqja është midis nesh. (Panorama, 14 tetor 2011)

Sunday, October 16, 2011

Ndërkombëtarët dhe kriza morale e kastës

 Dhjetë pikat e fundit të socialistëve si kusht bashkëpunimi me maxhorancën dhe sfida e Ramës për debat publik me Berishën po komentohen shumë ditët e fundit. Personalisht pajtohem me mendimin se në një farë mënyre ato janë hartuar me vetëdijen se do të refuzohen, pra se kemi të bëjmë me një “truk” apo “kurth”, siç e quan Shkullaku në një shkrim të tijin, ku qëllimi i vërtetë nuk është arritja e debatit, por refuzimi i tij nga ana e Berishës.
Ajo çka dua të vë në dukje me këtë shkrim është një shqetësim që lidhet me pyetjen: Cili është targeti i kësaj politike, i këtij “truku”? Pra, kujt synon t’ia tregojë Rama këtë refuzim? Sipas meje, ky target janë ndërkombëtarët dhe “truku” shërben për t’u treguar atyre se aq antidemokratik është Berisha, sa edhe kur opozita e ul stekën poshtë, prapë ai s’pranon ta kapërcejë atë për të hedhur hapa demokratikë. Nuk ka qenë e vështirë për të kuptuar se edhe “steka” më të larta, si bojkoti edhe greva e urisë me çadra përpara Kryeministrisë, apo edhe 21 janari, u organizuan me të njëjtin/vetmin target: sensibilizimin e ndërkombëtarëve. Edhe mosvotimet e ligjeve me 3/5 po këtë synim kanë.
Ku qëndron shqetësimi yt këtu? – do të më pyesin. Shqetësimi im është se e shoh në rritje, jo në rënie, thirrjen për rolin e ndërkombëtarëve. Madje, vë re se pak nga pak, vit pas viti, ne gati as nuk po arrijmë të dallojmë më paradoksin që qëndron në këtë lloj politike, faktin se ndërkohë që u drejtohemi ndërkombëtarëve në emër të vlerave demokratike, vetë pesha e madhe që u japim atyre në punët tona tregon se nuk i kemi këto vlera. Është e vërtetë se kemi të bëjmë me një sindromë të vjetër, se ndërkombëtarët në përgjithësi e ambasadori amerikan në veçanti kanë qenë gjithmonë të pranishëm e nganjëherë vendimtarë në zhvillimet politike shqiptare. Mjaft të kujtojmë se pasja ose jo e mbështetjes ndërkombëtare ka qenë jetike edhe në vitin ‘97, apo se në ‘98-n, sikur të mos kishin ndërhyrë ndërkombëtarët, Berisha ua mori pushtetin socialistëve me sulmin që bëri në Kryeministri. E, megjithatë, mua më duket se në atë kohë ka pasur fermentime të brendshme që ndërkombëtarët kanë ndërhyrë t’i qetësojnë në një farë mënyre, t’i kanalizojnë demokratikisht. Kurse sot, si ndjekës i vëmendshëm i politikës shqiptare, më rezulton se kemi një rritje si asnjëherë më parë të rolit të ndërkombëtarëve në politikën shqiptare në proporcion të zhdrejtë me uljen e sensibilitetit të shqiptarëve brenda vendit. Disa ia veshin këtë traditës së krijuar; disa faktit se Rama ka një varësi të sëmurë, një kompleks të madh ndaj ndërkombëtarëve e të kujtojnë intrigat që ka bërë për të fituar njohje e popullaritet jashtë. Sipas meje, këto mund të kenë një rol, por shkak kryesor për rritjen e rolit të ndërkombëtarëve është kriza e thellë morale e kastës politike shqiptare në përgjithësi, si pasojë e abuzimit të gjatë me pushtetin. Protagonizmi vitet e fundit i ambasadorit Withers në fillim dhe ambasadorit Arvizu së fundi i tejkalojnë të gjithë protagonizmat e ambasadorëve paraardhës jo pse këta të dy janë individë që u pëlqen më shumë se paraardhësve ky rol, por sepse politika shqiptare, sa më shumë dështon brenda vendit, në kuptimin e aftësisë për të frymëzuar njerëz e për të pasur mbështetje të gjerë, aq më shumë orientohet nga truke e skenarë për ndërkombëtarët e me ndërkombëtarët. Një PD në opozitë, sipas mendimit tim, do të vepronte po njëlloj sot. Në këtë kontekst, edhe qëndrimet e disa të “moderuarve” në PS, si Islami, Blushi, Malaj, që kanë ngulmuar e ngulmojnë thjesht e vetëm në kthimin e opozitës në rrugët institucionale, por pa i hyrë pyetjes se pse PS nuk i frymëzon më shqiptarët, sipas meje janë të orientuara edhe ato kryesisht për kah pëlqimi i ndërkombëtarëve.
Me këtë nuk dua të them asesi se shumë nga problemet që u drejton opozita ndërkombëtarëve nuk qëndrojnë. Ato qëndrojnë që ç’ke me të, por ngulmoj se opozita duhet të ngrejë pikëpyetje të mëdha lidhur me atë se pse ajo nuk arrin të krijojë fermentim popullor me politikat e veta, përkundrazi, është viktimë e mendësisë së gjithëpërhapur se të gjithë njëlloj janë. Personalisht, sikurse e kam shprehur edhe herë tjetër, gjykoj se shkaku kryesor është “çështja morale” e pazgjidhur brenda PS, si pjesë e çështjes së krizës morale të të gjithë kastës. Opozita ka kaq kohë që i përmend Berishës vendet arabe, por pa qenë në gjendje të shohë se revolucionet në vendet arabe i bënë vendasit, dhe jo amerikanët e europianët, që deri më aty bashkëpunonin për bukuri me diktatorët e këtyre vendeve. Në pamundësi të kësaj qasjeje ajo punon me truket e Ramës për ndërkombëtarët dhe me ndërkombëtarët, duke inskenuar revolta popullore që përfundojnë në një furtunë, në një gotë ujë apo duke tentuar ta mbërthejë politikën në debate të tilla si ato mbi dhjetë pikat apo refuzimi i debatit nga Berisha. Madje, do të thosha se edhe debatet mbi nevojën ose jo të një reforme zgjedhore mbi një President të zgjedhur nga populli apo nga maxhoranca, mbi reforma në Drejtësi apo ku di unë, disa prej të cilave kërkojnë të përsërisin eksperimente të provuara e të dështuara disa vjet më parë jo për shkak të tyre, por të imoralitetit të politikës, tingëllojnë sot shumë të ftohta për të ngrohur zemrat e kallkanosura të shqiptarëve. Pa qasjen mbi “çështjen morale”, madje s’e teproj nëse do të thosha mbi nevojën e një revolucioni moral, që duhet të fillojë më së pari në vetë gjirin e opozitës, ato s’bëjnë gjë tjetër veçse i largojnë edhe më njerëzit nga kasta duke e reduktuar gjithnjë e më shumë jetën politike në një tragjikomedi të vogël, me politikanë dhe ambasadorë, që e ndjek një numër gjithnjë e më i kufizuar spektatorësh. (Panorama, 11 tetor 2011)

Saturday, October 8, 2011

Tirana - integrim social apo dizintegrim

Para disa ditësh lexova një lajm mbi studimin që kishte bërë një OJQ shqiptare rreth integrimit social - ekonomik të ardhësve në qytetin e Tiranës. Studimi ishte ndërtuar mbi një pyetsor rreth çështjesh të tilla si banimi dhe legalizimi, shërbimet, arsimi, punësimi, gjendja ekonomike, cilësia e jetës, angazhimi dhe përkatësia në komunitet, raporti me institucionet vendore.
Sipas lajmit, të dhënat e studimit kanë sjellë në përfundimin se banorët tiranas që kanë mbi 10 vjet që jetojnë në kryeqytet kanë një këndvështrim të ngjashëm rreth çështjeve të rreshtuara më sipër me banorët që kanë jetuar në Tiranë para vitit 1990. (nuk di pse në vend se "banorët" në njoftim thuhej "rezidentët".) Shkurt, pra, sipas këtij studimi, kush vjen në Tiranë ka nevojë për dhjetë vjet që të ndjehet Tiranas.
Kaq ishte lajmi që më ngacmoi jo edhe aq pse  mu duk si një nga ato punët sipërfaqësore që kryejnë rëndom OJQ-të shqiptare për të nxjerrë ndonjë lek, por sepse, përfundimi mu duk si pa qëllim. Pra, nuk kupova pse duhej ky studim. Ashtu siç lexohej lajmi dukej sikur bëhej fjalë se këtyre ardhacakëve, që të integrohen dmth. të ngrihen në nivelin e lartë të kryeqytetasit, u duhen të paktën dhjetë vjet. Ndërsa për mua çështja që shtrohet sot për tiranasit është krejt tjetër. Ajo ka të bëjë më së pari me pyetjen: çfarë do të thotë sot të ndjehesh "i integruar" në kryeqytetin tonë. Dhe kësaj i shtohet pyetja: a është e mundur që brenda dhjetë vjetësh një njeri apo familje që ka ardhur në Tiranë ta ndjehet njëlloj si qytetarët e vjetër të Tiranës? Ndoshta po, por në këtë rast duhet thënë: aq më keq për ardhësit.
E them këtë pasi si qytetar i vjetër i Tiranës e që jeton e ndjek me vemendje jetën e bashkëqytetarëve të vet mund të them se përjetimi im është se qyteti është bërë thuajse i pabanueshëm qoftë në kuptimin e atyre që do t'i quaja nevoja primare të jetës që kanë të bëjnë me raportin tonë me ajrin, gjelbërimin, ujin, rrugët, pejsazhin urban etj. qoftë përsa i përket atyre nevojave që nënkupton "integrim social" që kanë të bëjnë me atë se sa ndjehemi pjesë e një komuniteti të caktuar ku hyn edhe raporti ynë me institucionet vendore të qytetit. Me një fjalë të vetme do të thoja se si qytetar i Tiranës ndjej jo integrimin, por pikërisht disintegrimin. Nëse studimi i OJQ-së në fjalë ka arritur në këtë konkluzion edhe për ardhësit që kanë kaluar dhjetë vjet qëndrim atëhere mund të them se ka arritur në një konkluzion të saktë.  Përndryshe është një vërrë në ujë. Në fakt, ajo çka do të kërkoja sot nuk është një studim mbi atë se sa kohë duhet që të ndjehen ardhësit të integruar, por një studim serioz mbi dizintegrimin social të tiranasve, mbi shkaqet dhe pasojat e mbi atë  se çfarë duhet bërë (e sa kohë mund të na hajë kjo) për të filluar procesi i integrimit të qytetarëve të Tiranës në qytetin e tyre që në një farë mënyre, ashtu siç është bërë, kërkon t'i disintegrojë e t'i flakë jashtë banorët e tij. Një studim që të merrej me atë se sa është rritur numri i të sëmurve nga kanceri, i të sëmurëve nga mushërit, apo ai i të sëmurëve psiqikë. Një studim që të merrej edhe me atë se si ndërtuesit që deri dje kanë shkatërruar kryeqytetin me betonizim sot po na dërgojnë vazhdimisht e-maile ku na bëjnë publicitet në forma të ndryshme duke na thënë: Tirana është bërë e pabanueshme, ju keni nevojë të dilni prej saj dhe të blini vilat që ne po ndërtojmë për ju në rrethinat e saj - që, tek e fundit, do të rezultojë edhe në një shkatërrim të rrethinave.
Gjithsesi, kur flas për dizintegrim social të komunitetit të tiranasve e ndjej se më së pari më duhet të hap një parantezë që të çon në periudhën komuniste.  Pse a kishte komunitet tiranasish atëhere? - mund të shtrohet me të drejtë pyetja. Si qytetar i Tiranës them se shteti komunist në një farë mënyre, duke uzurpuar të gjitha atributet e jetës publike, i shkatërroi komunietetet e vjetra e të reja të Tiranës dhe ko që po jetojmë sot është edhe pasojë e asaj periudhe. Por jo vetëm. Përsëri si qytetar i vjetër i Tiranës, mund të them se në Tiranë mbetën, sadokudo, ato të quajturat lagje apo mëhalla ku njerëzit kishin jetuar prej vitesh, mbeti një lloj solidariteti i lagjes/mëhallës, mbetën marrëdhëniet e njerëzve që e njihnin njëri tjetrin prej kohësh, që i kishte lidhur një kopësht apo një shkollë apo një fushë sporti me  të tjerët. Është e vërtetë se institucionet vendore, aq të rëndësishëm për të ngjizur komunitetet, u imponuan nga lart dhe qytetarët nuk i ndjenin si të tyret; është e vërtetë po ashtu se regjimi mbolli një mosbesim të thellë tek njeriu që nuk e ndihmon sociabilitetin, por megjithatë mund të them se, ashtu si doli, Tirana në vitet 90 i kishte mundësitë  urbane që të zhvillonte ato elementë komunitarë që i kishte ruajtur apo zhvilluar sadopak në komunizëm. Mirëpo në vend të kësaj filloi një shkatërrim që solli edhe një disintegrim të paparë social. Faktorët qenë të shumtë pa dyshim duke filluar që nga emigracioni i një pjese të mirë të tiranasve e duke vazhduar me dyndjet e ardhësve që u shoqëruan me një urabanizim të egër, me një masakër urbane me zaptime pronash publike e me privatizime abuzive në krye të të cilave u vunë institucione shtetërore që në vend se të bëheshin demokratike, në kuptimin që tiranasit t'i ndjenin si të tyret, filluan, në bashkëpunim me gjithfarë horrash, të ardhur e tiranas, të grabisnin hapësirat publike, të shkatërronin kujtesën kistorike e me rradhë e me rradhë çka, tek e fundit, ka rezultuar në shkatërrimin e çdo ndjenje komuniteti midis tiranasve duke e bërë tiranasin sot të ndjehet më shumë se kurrë i vetmuar në hallin e tij, pa ndjenjë komuniteti, pa ndjenjë se ka komshinj që mund t'i gjenden në një hall, pa institucione që mund t'i shërbejnë, pa shkolla e kopështe të atilla që të ndjehet i sigurtë se po edukojnë qënie njerëzore të shekullit XXI.
Nuk po zgjatem në këtë histori depresive për të cilën kam shkruar shumë. Përkundrazi në këtë shkrim dua të sugjeroj diçka me idenë se nuk është kurrë tepër vonë, madje edhe duke patur parasysh faktin se sot kemi një kryetar bashkie të ri dhe një grup që po punon për planin urbanistik të qytetit. Ndoshta - them akoma -  mund t'i lexojnë këto rreshta edhe nën dritën e katastrofës që kemi të gjithë përpara syve e nuk do të më përqeshin - siç kam frikë - duke thënë me njëri tjetrin me cinizëm se çka po them janë broçkulla të një jokompetenti ("urbanist popullor" më përqeshte dikur ish kryebashkiaku) pasi çka përshkruaj janë fenomene të kapitalizmit kudo në botë.
Madje për ta sqaruar më mirë se ç'dua të sugjeroj po sjell shembuj pikërisht nga bota. Po e filloj me përvojën e Enrique Penalosa, kryebashkiak në filimvitet 2000 i kryeqytetit të Kolumbisë, Bogota, i cili është bërë i famshëm sot për projektin e tij. Në një kryeqytet dhjetë milionësh të mbytur nga nje trafik kaotik e nga një  problematikë e krahasueshme në shumë aspekte me Tiranën Penalosa u nis nga ky parim: "Ne kemi nevojë të ecim ashtu sikurse zogjtë kanë nevojë të fluturojnë. Ne kemi nevojë të qëndrojmë sëbashku me njerëz të tjerë. Ne kemi nevojë për të bukurën; për kontakte me natyrën. Kemi nevojë mbi të gjitha të mos ndjehemi të përjashtuar. Kemi nevojë edhe të ndjehemi në një farë mënyre të barabartë." Mbi këtë parim pra, ai krijoi një projekt qyteti relacional me një impakt të jashtëzakonshëm në botë. Së pari ai ngulmoi se ekziston një konflikt midis vënies së qytetit në funksion të makinave dhe vënies së qytetit në funksion të njerëzve (e kush më shumë se ne tiranasit e provojmë këtë konflikt mbi kurriz). Kështu Penalosa i braktisi projektet e rrugëve të mëdha në periferi (kujtoni se ne po bëjmë një të tillë) duke i përdorur burimet financiare për të realizuar parqe të mëdha, pista bicikletash dhe "autostrada këmbësorësh". Ndërkaq, për të përballuar nevojën e transportit, ai u mbështet mbi transportin publik të cilin e bëri shumë të shpejtë dhe cilësor. Po ashtu ai zgjeroi trotuaret duke krijuar në to hapësira të mëdha publike dhe pista bicikletash. Kujtoj se Bogota është një qytet të varfërish (siç jemi ne) e kjo punë e kryebashkiakut mund të duket si një luks që e kanë qytetet e pasura perëndimore, veçanërisht ata nordike. Por, sipas Penaloses, pikërisht në një qytet të varfërish siç është Bogota sociabiliteti është një nevojë bazike, që madje mund të lehtësojë edhe probleme të varfërisë e deri të reduktojë kriminalittin. Si pasojë e vënies në jetë të këtij projekti urban, që i nxorri si të thuash njerëzit në rrugë si këmbëorë që takohen me këmbësorët, si  popullsi që lëviz me biçikletë, (nga vetëm 0,2 % pas gjashtë vjetësh numuri i tyre arriti në 5%) në Bogota u pakësua në një të tretën numri i aksidenteve automobilistike, dhe ra ndjeshëm edhe niveli i vrasjeve. Sot disa nga arritjet e tij janë të pakthyeshme dhe shembull për gjithë botën. Të njëjtën filozofi ka aplikuar kryebashkiaku i njërit prej qyteteve evropiane më të njohur, Parisit. Parisianët kishin arritur një pikë të tillë lodhjeje nga zhurmat, ndotja e ajrit, bllokimet e trafikut saqë mbështetën planin e Kryebashkiakut Bertrand Delonoë për t'i rimarrë rrugët. Administra arriti deri atje sa mbuloi me rërë rrugën Pompidou, arterie e rendësishme qarkullimi makinash dhe vendosi aty çadra nëpër hapësira ku mund të pihej një birrë e të bëheshin aktivitete të ndryshme. Asfalti pra u kthye në rërë plazhi me sheshe të vegjë me hapësira për të kërcyer. Delanoë po ashtu e përmbyti qytetin me qindra mijëra biçikleta që përdoren falas. Për të vazhduar me shembuj gjithmonë në frymën e filozofisë së kryebashkakut të Bogotas kujtoj se në Suedi administrata publike ble terrenet rreth qytetit që i deklaron zona ku s'mund të ndërtohet.
E di që dikush do të më thotë: çfarë po na thua, me kë po na krahason. Por nuk mund të mos mendosh se Tirana i ka pasur këto mundësi dhe i ka humbur e po i humbet me një shpejtësi dramatike.  Dhe nuk mendoj se kjo ndodhi pasi ardhësit ishin katundarë e injorantë që donin të banonin ngjit e ngjit në ato kosheret gjigante të bletëve, apo se ishin të etur për makina e i urrenin biçikletat, deri edhe barin - siç thonë disa. Jo, ardhësit në Tiranë ndërtuan shtëpi me oborr ku mbollën edhe pemë në stilin si kishin banuar në fshat. I bënë të mëdha vërtet, të shëmtuara, e pa infrastrukuturë, por, sipas meje, masakrën kryesore e bënë "të diturit" e qytetit. Ishin ata që kryen betonizimin e qytetit duke përdorur sigurisht edhe një lavazh trush, por mbi të gjitha duke përdorur forcën e pushtetit, të parasë së zezë e korruptive e pandëshkueshmërinë nga ligji. Kësisoj Tirana u shndrua në një qytet në funksion të makinave e të pasurimit të një pakice që sot ua ka bërë të pamundur jetën qytetarëve jo thjesht në kuptimin fizik, por mbi të gjitha në kuptimin e zhveshjes së qytetarëve thuajse nga çdo mundësi relacionale, sociabiliteti. Një qytet pra ku vetëm për atë që quhet integrim social nuk mund të bëhet fjalë. 
Duke mos dashur ta mbyll këtë shkrim me pesimizëm po e mbyll duke uruar që teknikët e Bashës që po punojnë për planin urbanistik t'i njohin e studiojnë ca më shumë përvojat që përmenda në mënyrë që të mund të rekuperojnë ç'mund të rekuperohet në qytetin tonë të  masakruar  barbarisht nga njerëz shumë të këqij. (Panorama, 7 tetor 2011)

Saturday, October 1, 2011

Edhe një herë për krizën

Ndërkohë që sapo i kisha nisur Panoramës shkrimin mbi krizën greke dhe Shqipërinë, ku mes të tjerash vihen në dukje edhe ngjashmëritë e modeleve të qeverisjes, lexova disa citime nga një editorial i Steve Forbes, i cili na thotë se Shqipëria nuk është Greqia, madje se receta bazë për Greqinë duhet të jetë shembulli shqiptar: “Shkurtimi real në sektorin publik, aplikimi i taksës së sheshtë, privatizimi i një numri të madh të aseteve shtetërore, si dhe thjeshtimi i procedurave për hapjen e një biznesi të ri”. Me fjalë të tjera, dikush, duke iu referuar ekonomistit të njohur, do të më thoshte se kam gabuar rëndë pasi kriza e shtetit grek vjen nga të qenit të tij shumë social – i dhjamosur -, kurse ne jemi një shtet shumë liberal – muskuloz, i lehtë i zhdërvjellë, me taksa të sheshta, me privatizime; e se kjo na paska shpëtuar nga kriza.
Gjykoj se ia vlen të thellohemi në atë që u propozon Forbes grekëve si model shqiptar jo vetëm për ta ballafaquar edhe me çfarë sugjerojnë të tjerë për të dalë nga kriza, por edhe për të njohur më mirë si krizën, edhe veten tonë në raport me të. Gjithsesi, pikë së pari, pa pretenduar të jem ekonomist, por thjesht njeri që kërkon të arsyetojë me kokën e tij për gjërat që dëgjon e sheh, më vjen të them se është turp për një ekonomist, keynesian apo fridmanian qoftë, të marrë për shembull Shqipërinë, pasi realiteti ekonomik shqiptar është tejet i veçantë për ta marrë si shembull teorik, kurse, praktikisht, do të thosha se sikur grekët të ishin në gjendjen e shqiptarëve, tashmë Athina do të ishte djegur e gjitha së bashku me shtëpinë e Papandreut. Le të kujtoj, për shembull, vetëm faktin se sot, si rezultat i krizës, spitalet greke nuk janë në gjendje të paguajnë kompaninë farmaceutike “Roshe”, që e furnizon me ilaçe për kancerin, kurse në Shqipëri ka “shekuj” që spitalet i dërgojnë familjarët e të sëmurëve të blejnë edhe ilaçet më elementare me lekët e tyre nëpër farmaci private.


Thënë kjo, le të ndalemi pak te receta e Forbesit. Kemi të bëjmë me një formulë neoliberiste shumë të njohur dhe tejet të diskutueshme në kontekstin e krizës që po jetojmë. Kriza greke e administratës dhe e sektorit publik të fryrë është vetëm njëri nga aspektet e krizës botërore që Greqia po e jeton në mënyrën më dramatike. Tashmë dihet nga të gjithë se kriza botërore rrënjët i ka në SHBA, bash te kriza e modelit të kapitalizmit që është aplikuar sipas formulave të Forbesit, të privatizimeve e të shtetit të dobët, që jo vetëm ka shkaktuar polarizimin e frikshëm dhe pasigurinë e jetës me probleme shpërthyese sociale, por edhe një kapitalizëm spekulativ në shkallë globale, që i ka bërë shtetet, atje ku janë të dobët veçanërisht, instrumente të oligarkive e të tregut. Shembulli i Islandës, që falimentoi para dy vjetësh, është shembulli më elokuent i kësaj. Ajo falimentoi mu pse qeveria e djathtë bëri privatizime të tri bankave kryesore nacionale të vendit, të cilat, të dala jashtë kontrollit të shtetit edhe me komplicitetin e politikanëve, u lëshuan në spekulime e falimentuan duke marrë me vete edhe tërë kursimet e islandezëve. E njëjta histori ka ndodhur pak a shumë edhe në SHBA, ku kriza e Lehmans Brodhers, e lidhur me kreditë e shtëpive për shembull, ishte një krizë e shkaktuar nga privatë mashtrues e spekulantë, të pakontrolluar si e sa duhet nga shteti. Pra kriza amerikane nuk erdhi ngase sektori publik ishte i dhjamosur, por nga dështimi i privatit; kurse si dalje nga situata, Obama ka ndërmarrë pompimin e parasë publike për të shpëtuar bankat e industrinë e makinave, për çka iu desh të rrisë tavanin e borxhit të lejuar në SHBA. Kurse islandezët – vlen të përmendet rasti i tyre – bënë një referendum lidhur me atë nëse duheshin shpëtuar apo jo bankat e tyre private. 92% thanë “jo!” e sot, Kryeministri që ka lejuar e ndihmuar privatizimin, rrezikon burgun, kurse islandezët po ristrukturojnë ekonominë e tyre për ta kthyer nga spekulative financiare në prodhuese.


Kriza greke, në fakt, ka dy aspekte kryesore jo të palidhur me njëri-tjetrin. Njëri prej tyre ka të bëjë me administratën e me shërbimet sociale të mbidhjamosura. Tjetri, ky hyjnë edhe trukimet e të dhënave, është i lidhur me shpenzimet e shumta në investime publike si autostrada, për Olimpiadën, në armatime etj., që janë diktuar nga interesa të mëdha privatësh në nivel kombëtar e ndërkombëtar, që janë shoqëruar me korrupsion (mjaft të kujtojmë skandalin e Siemens-it, që u paguante ryshfete politikanëve grekë) nepotizëm, evazion fiskal, krijime monopolesh e të tjera si këto, e që nuk kanë ndihmuar një ekonomi vërtet prodhuese, kompetitive e të qëndrueshme.


Thuajse të gjithë pajtohen me atë se administrata nuk duhet të jetë e fryrë dhe se taksa, veçanërisht e njerëzve të punës, duhet të jetë e ulët, por, kur vjen puna për privatizimet, shërbimet sociale dhe taksat e pasanikëve, opinionet ndahen. Së pari duhet thënë se privatizimi i sektorëve të tillë si ai i shëndetësisë apo arsimit, nuk gjen assesi konsensus pasi ai vë në rrezik disa të drejta themelore të njeriut. Arsimi publik dhe shëndetësia publike janë dy nga arritjet më të mëdha të shoqërive europiano-perëndimore dhe ato po luftojnë me mish e me shpirt që t’i mbrojnë ato, ndërkohë që reforma e shëndetësisë në SHBA është një ëndërr europiane e parealizuar ende. Kurse përsa i përket privatizimit të aseteve të tjera shtetërore, edhe këtu çështja nuk është aq e thjeshtë, sepse bëhet fjalë për privatizime të pasurive publike. Grekëve p.sh. u është kërkuar deri të shesin edhe Panteonin. Italia ka një trashëgimi kulturore të jashtëzakonshme. A mund të pranohet që ajo të shesë Coloseun apo muzetë e saj të famshëm për të dalë nga kriza? Me një referendum të para disa kohëve, italianët nuk pranuan të privatizohet shpërndarja e ujit. Sot ka shumë ekonomistë që mbrojnë tezën se kjo që po ndodh është një sulm në emër të interesave të multinacionalëve të kësaj bote për ta zhveshur edhe më shoqërinë nga prona publike e nga arritjet e atij që quhet shteti social. Kryesisht këta ekonomistë janë të majtë. Por s’mund të thuash assesi se bota perëndimore ka rënë sot në krizë për shkak politikash të majta. Ajo ka më se njëzet vjet që bën politika të djathta, me privatizime e më the të thashë, dhe, sikurse e thashë më lart, ka rënë në krizë për shkak politikash neoloberiste të djathta në kontekstin e globalizimit. Parimisht, privatizimi dhe taksa e sheshtë rekomandohen nga neoliberalët si instrumente për lançimin e ekonomisë nëpërmjet energjisë së privatëve, futjes së parasë së të pasurve në qarkullim, si dhe faktit se kjo i bën njerëzit më të lirë në kuptimin e varësisë nga shteti. Po ashtu ata teorizojnë se atje ku ka të pasur, edhe të varfrit jetojnë më mirë. Por, sikurse e tregon edhe kjo krizë, problemet që kanë krijuar privatët e pakontrolluar sot nga shteti janë bërë më shpërthyese se kurrë. Të gjitha lëvizjet e të indinjuarve sot në Europën Perëndimore janë kundër tyre dhe kastave politike të vëna në shërbim të tyre. Sepse, tek e fundit, një çështje ngrihet edhe në kontekstin e kësaj krize: mirë se me privatizime të pasurive publike e me shkurtime të shërbimeve sociale edhe mund të dalim nga kriza (ndonëse përvoja e New Deal tregon të kundërtën), por me çfarë shoqërie do të dalim prej saj? Nëse dalim duke prodhuar monstra, atëherë këta shpejt bëhen më shumë problem sesa zgjidhje. Modeli që rekomandon Forbes është të dalim duke prodhuar monstra. Dhe Shqipëria që ai rekomandon, sipas mendimit tim, është ilustrimi më i mirë i krijimit të monstrave, madje ne jemi pamja më groteske e tyre ku grekët mund të shohin të ardhmen e tyre si në pasqyrë, të tmerrohen e t’i thonë Forbesit: “Jo! S’është ky modeli”.


Le t’i kthehemi atëherë edhe një herë modelit tonë. Sipas meje, modeli shqiptar sot e bën Shqipërinë të kërcënuar nga dy kriza: ajo e qeverive grek, edhe ajo e bankave private islandeze, që nuk e përjashtojnë aspak njëra-tjetrën, përkundrazi, mund të jenë fare mirë komplementare. Kur e kam krahasuar modelin tonë me Greqinë, kam pasur kryesisht parasysh fenomenin e investimeve korruptive dhe jo në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm, ku plekset klientelizmi, korrupsioni, nepotizmi, evazioni, monopoli. Kam pasur gjithashtu parasysh se qeveria jonë, ashtu si ajo greke, edhe për kulturë të trashëguar, nuk është kredibël në të dhënat e veta, bën pra trukime që nesër mund të jenë dramatike (me sa më kujtohet një lloj paralajmërimi “të butë” e ka bërë edhe guvernatori Fullani për këtë). Por, nga ana tjetër, kur kam shkruar për kredi të këqija të privatëve të ndryshëm që sipas shumë zërave janë një minë me sahat, kam pasur parasysh elementin islandez të krizës, d.m.th. krizën e privatit. Dhe këto mund të jenë fare mirë dy faqe të së njëjtës medalje. “Medalja” që i bashkon është shteti i korruptuar. D.m.th., kur shteti kthehet në instrument në duart e një pakice të pasurish që shumicën e sheh thjesht si mjet pasurimi, ai më një anë do të shpërdorojë paranë publike me këta privatë nëpërmjet tenderësh korruptivë e më the të thashë (siç ka ndodhur në Greqi e ndodh rëndom te ne), kurse, më anë tjetër, do t’u nënshtrohet në politikat e tij këtyre oligarkëve duke privatizuar sipas interesave të tyre pronat publike, duke vendosur taksën e sheshtë dhe jo taksën progresive, duke u lejuar evazionin fiskal, duke ua mbuluar kreditë e këqija etj. (siç ka ndodhur në Islandë e ndodh përsëri rëndom te ne).


Pra, nesër mund të vijë një ditë kur bankat tona të shpallin se nuk na i japin dot kursimet, pasi ua kanë marrë kreditorë që s’ua kthejnë dot, pasi kanë falimentuar, dhe kjo, në kushtet e një shteti të mbytur në borxhe, do të çonte në një falimentim të dyfishtë. Këtu le të mos harrojmë edhe një falimentim të tretë që po ndodh në Shqipëri për shkak të këtyre politikave: atë të atyre që ambientalisti Xhamal Mato i quan “banka mjedisore” (toka, uji, ajri, pyjet, kafshët…), që tek ne janë duke i mbyllur dyert tashmë.


Dikush do të thotë se kemi Europën që na ndihmon, ja shikoni se si Gjermania, me gjithë mëdyshjet, premtoi t’i paguajë Papandreut rrogat e administratës për muajt e ardhshëm, duke blerë borxhe të tjera greke që ndoshta s’vlejnë një grosh. Por, sipas shumë specialistëve, ajo që po bën Gjermania është një default/falimentim i kontrolluar i Greqisë, sepse përndryshe, falimentimi i menjëhershëm do të ishte katastrofik për të gjithë. Plus që, gjithsesi, sikurse e thosha edhe në shkrimin tjetër, Shqipëria s’ka peshën dhe rëndësinë e Greqisë për Europën dhe, kur Greqia është në këtë gjendje, kjo për ne do të thotë se  integrimi europian po na shtyhet për në kalendat greke.


Në fakt, ka një “shpëtim” nga e gjitha kjo, e ku kam frikë se fatkeqësisht mbështetet optimizmi i politikanëve tanë, që e dinë mirë se ato që thotë Forbesi janë përralla. Ky e ka emrin “krimi i organizuar”. Pra, me falimentimin e privatëve të ndershëm dhe të shtetit, paraja e mbijetesës mund të vijë nga krimi i organizuar. Ky është një alarm që është ngritur në Perëndim, në Itali shumë fort madje. Në Shqipëri, ky është një gjysmërealitet, që nesër, në këto kushte, mund të bëhet realitet i plotë. Nuk po i hyj përshkrimit të monstrës që do të na qeveriste në këtë rast, pasi kam parasysh se shumë shqiptarë kanë mbledhur nga përvoja e këtyre njëzet vjetëve copëza të mjaftueshme imazhesh/tragjedish për ta ndërtuar fytyrën e plotë të monstrës. Madje kam frikë se mozaikut i mungojnë edhe pak copëza për t’u plotësuar.

Ky është, sipas meje, realiteti i krizës shqiptare. Është një realitet që bën thirrje për një ndryshim të shpejtë dhe rrënjësor, e që duhet bazuar mbi disa parime që s’është nevoja të jesh ekonomist për t’i njohur e vlerësuar si jetike. Së pari, parimi se pasuria e një vendi rritet kur shpërndahet, jo kur mbetet në duar të pakta, aq më pak kriminale. Së dyti, se emigrantët që përmend Kryeministri e jo vetëm, por çdo qytetar shqiptar, ashtu si aksionerët e mirë të një shoqërie, do t’i investojnë kapitalet e tyre në një ndërmarrje (ku kryesori është kapitali njerëzor, jeta e tyre dhe e fëmijëve të tyre), vetëm nëse shohin: a) se, u ofrohet një projekt bindës i së ardhmes; b) se ky projekt është në duart e një menaxheri të besueshëm. Të dyja këto i mungojnë sot Shqipërisë dhe prandaj është detyrë imediate t’i krijojmë nëse nuk duam të fundosemi. (Panorama, 30 shator 2011)