Tuesday, December 31, 2019

Një paralajmërim për druvarët e zhvillimit dhe zhvillimin e druvarëve


Viti 2019 do të mbahet mend si viti i tërmetit që vrau 51 njerëz dhe shembi apo dëmtoi rëndë mijëra ndërtesa të vjetra dhe të  reja. Janë të shumtë ata që kanë shprehur urimin që kjo shkundje të na shërbejë si mësim për të mos u përsëritur më tragjedi të tilla. Do të doja ta bëja këtë urim për vitin e ri 2020, por, meqenëse më duket si të ngre një kupë bosh, preferoj të bëj thjesht një paralajmërim. 
 Arsyeja pse më duket kupa bosh është se, pas tërmetit, nuk kam parë të hapet një temë, që, për mua, është baza nga ku do të duhej të fillonte një shkundje në mendjet e shqiptarëve. E kam fjalën për nevojën e vënies në dyshim të paradigmës mbi raportin e njeriut me natyrën, në të cilën jemi mbështetur këta 30 vjet. Ç’dua të them me këtë? Kur ra tërmeti i 21shtatorit nëpër media mbizotëroi mesazhi se tërmeti ishte një provë se ndërtuesit e Shqipërisë së re, të pas 90-ës, kishin punuar mirë, pasi ndërtesat e tyre nuk u shembën. Njerëzit fjetën të qetë në pallatet e tyre të reja, por ja që erdhi ai i 26 nëntorit që i rrëzoi apo shndërroi në të pabanueshme edhe shumë syresh, por përsëri  të njëjtët zëra mbizotërues nxituan të thonë se  këto ishin shmangie nga normat, pasi gjithçka mund të ndërtohet, gjithkund mund të ndërtohet, mjafton të përdorësh teknologjinë e duhur. E pra, një qasje e tillë në thelbin e vet ka të bëjë me mbizotërimin thuajse total në vendin tonë të paradigmës kulturore të kohës së modernitetit, që predikon besimin e njeriut tek miti i zhvillimit të pareshtur teknologjik, që natyrën e sheh si materie për ta pushtuar e përdorur për lavdinë dhe pasurimin e tij. 
Ndryshimi i kësaj paradigme do të duhej të fillonte me debatin mbi ndërgjegjësimin e rreziqeve që ka shkaktuar aktiviteti njerëzor i bazuar tek ky mit i zhvillimit, si shterimi i burimeve energjetike të planetit, prishja e ekosistemeve, ngrohja globale, ndotjet e rrezikshme etj.. Tragjeditë që shkaktoi tërmeti nuk mund të mos shihen edhe si manifestim i mungesës thuajse totale në Shqipëri të vetëdijes së problematikës së kësaj teme tepër të debatuar në kohën që po jetojmë, që në thelbin e vet nuk ka të bëjë vetëm me raportin me natyrën e burimet e saj, por edhe me mënyrën e prodhimit si dhe me sistemin e vlerave që udhëheqin shoqërinë tonë.  
***
Raporti i njeriut me natyrën, në fakt, është një temë shumë e thellë që na çon në dy traditat bazë të qytetërimit perëndimor (për të ndalur vetëm tek ky qytetërim): atë të Greqisë së lashtë dhe atë ebreo-kristiane që kanë një ndryshim thelbësor midis tyre në këtë aspekt. Grekët e lashtë e shihnin natyrën si një sfond të pandryshueshëm, të cilin, sikurse thoshte Herakliti, nuk e ka krijuar asnjë zot dhe asnjë njeri; kurse njeriun ata e shihnin si pjesë e kësaj natyre, që lindte dhe vdiste si të gjitha qeniet e gjalla. Kjo i bënte grekët e lashtë të përdornin për njeriun shprehjen “vdekatar”. Platoni u drejtohet këtyre vdekatarëve duke u thënë: mos kujtoni se natyra është në shërbimin tuaj, ju duhet ta ndërtoni jetën duke iu përshtatur asaj, duke mësuar prej saj. Tek Eskili, kur Kori e pyet Prometeun, që u kishte dhënë njerëzve zjarrin (teknikën), se kush është më e fortë teknika apo ligjet e natyrës ai përgjigjet se teknika është shumë herë më e dobët. 
Në traditën ebreo-kristiane, kemi një ndryshim paradigme. Sipas saj natyra nuk është ai sfondi i pandryshueshëm që nuk e ka krijuar asnjë zot e asnjë njeri, por është krijuar nga vullneti i një Zoti aktiv, i cili, sipas Testamenti të Vjetër, kur krijoi njeriun, i tha (Adamit): do të dominosh mbi kafshët e tokës, mbi peshqit e ujërave dhe mbi zogjtë e qiellit. Me fjalë të tjera natyra, sipas këtij vizioni për botën, shikohet si një ente në shërbim të njeriut. Gjithë sipas kësaj tradite, njeriu nuk është më një vdekatar, si të gjitha qeniet e tjera të gjalla, por do të vazhdojë të jetojë në botën tjetër.  
Kritikët e mitit të zhvillimit pa cak të qytetërimit modern, ndër të cilët zëri më i thellë është ai i Heideggerit, e gjejnë origjinën e rreziqeve që i kanosen njerëzimit nga bombat e shumta (jo vetëm bërthamore) që ka prodhuar, tek fitorja e traditës ebreo-kristiane mbi atë të grekëve të lashtë. Sipas tyre kjo fitore (iluzore) e ka bërë njeriun perëndimor të harrojë urtësisë greke që e sheh atë si pjesë dhe jo sundues të natyrës, si vdekatar dhe jo si të përjetshëm; e ka bërë të harrojë mësimin e Orakullit të Delfit “çdo gjë me masë”, duke e shtyrë të kalojë çdo masë në bindjen se ai është padroni i kësaj bote aq sa, më në fund, ka vrarë edhe Zotin (Niçe) duke e zëvendësuar atë me zotin teknologji dhe zotin para, që i premtojnë parajsën mbi tokë.
***
Problemi shqiptar është se, ndërkohë që problematika e raporti të njeriut me natyrën në Perëndim është marrë e rimarrë, të paktën që nga koha e Rusoit të “kthimit tek natyra” për të arritur një kulm në shekujt e XX-XXI - aq sa sot atë e kanë bërë të tyren edhe fëmijët (shkoni lëvizjen e Greta Thunberg) - në këtë provincën tonë njerëzit e drejtuar nga elita sa injorante aq edhe manipulative vazhdojnë të jetojnë sikur të ishin në epokën kur mendohej se sa më i madh pushtimi dhe shfrytëzimi i natyrës aq më i madh superioriteti i qytetërimit të cilit i përkasim. Ndryshe mund të thuhet se shqiptarët vazhdojnë të jetojnë me kulturën e modernitetit ndërkohë që Perëndimi është në post-modernitet, që nënkupton, mes të tjerash, një vështrim fortësisht kritik të asaj çka ka bërë ai në modernitet. 
Duke iu referuar Heideggerit, do të thosha se një qasje e tillë ndaj natyrës e ka bërë njeriu shqiptar të kapitalizmit globalist ta shohë pyllin vetëm me syrin e druvarit. Çfarë kam parasysh me këtë? Nëse shkojnë në një pyll një poet dhe një druvar  ata nuk e shohin pyllin me të njëjtin sy. Poeti përjeton atmosferën e pyllit dëgjon cicërimat e zogjve, fëshfërimën e gjetheve, me idenë që t’u këndojë atyre kurse druvari e sheh me mendimin se sa dru mund të presë për ta shitur e për të fituar para. Në mënyrë figurative (por edhe në realitet, po të kesh parasysh masakrimin që u kemi bërë pyjeve) qasja e druvarit është bërë tek ne e vetmja qasje ndaj natyrës si dhe përcaktuese e gjithë sistemit tonë të vlerave. Druvari ka vrarë poetin brenda nesh për të cilin fola, por edhe piktorin brenda nesh që shkonte në një gji të bukur deti (siç ka qenë edhe Gjiri i Durrësit), për të bërë një pejsazh. Ai ka mbytur, kanoistin, që shkonte në një lum të rrëmbyeshëm për tu dëfryer, duke e futur, sëbashku me ujin, në tuba hidrocentralesh. Të njëjtin fat ka pësuar alpinisti që e kanë vrarë minat e guroreve të druvarëve në male; arkeologu që e kanë murosur në themelet e betonit të pallateve, teksa gërmonte për të zbuluar qytetërimet e lashta. Të gjithë ata që kanë adhuruar gjelbërimin e barit e të parqeve sot dergjen të çimentuar në grinë e ftohtë të mafies së druvarëve të betonit. 
Sikurse e thashë edhe më sipër burimi i këtij tjetërsimi nuk është shqiptar. Shqiptar është manifestimi në trajtën më ekstreme i fenomenit për shkak të injorancës ekstreme përsa i përket temës në fjalë, kombinuar me babëzinë ekstreme për pronë e pasuri dhe paaftësinë ekstreme për ta vënë këtë në forma të tjera nga shfrytëzimi barbar i natyrës. Kësisoj Shqipëria mund të quhet e vetmja republikë e druvarëve në botë (siç vetëquhej para 30 vjetësh “i vetmi vend socialist në botë). Është një republikë ku nuk ka ministri të kulturës, por një ministri të druvarëve të kulturës që merren kryesisht me lejet për të prishur monumentet e kulturës për të ndërtuar në vend të tyre kulla; ku nuk ka ministri të turizmit, por druvarë të turizmit që bukuritë natyrore i shndërrojnë në pllaka dhe kube betoni; ku nuk ka një ministri të sportit, por druvarë të sportit që prishin stadiume për tu hapur truall druvarëve të ndërtimit; ku policia, prokuroria e gjykatat shërbejnë si roje private të interesave  të bosëve druvarë. Aq larg kemi shkuar në ndërtimin e kësaj republike saqë edhe gjuha po krasitet me sëpatën e druvarëve duke i bërë fjalë të tilla si biologji, zoologji, botanikë, speleologji, ekologji, paleontologji etj. të zhduken nga fjalori i shqiptarëve, ndërkohë që si profesione janë zhdukur me kohë sepse ashtu si ata të poetit, shkrimtarit, piktorit, skulptorit, aktorit nuk sjellin para (përveç rasteve kur këta e përdorin talentin për të reklamuar druvarët). Me shumë gjasa, si në “Vitin 84” të Orwellit, së shpejti kryedruvari do të hapë  edhe një ministri të reduktimt të gjuhës, që do ta institucionalizojë nxjerrjen jashtë përdorimit të fjalëve të tilla.
***
E pra, diskursi post-tërmet nuk më jep shpresë se do të ndryshojë gjë, pikërisht sepse shoh që sëpata e druvarëve vazhdon të presë me tërbim. A e dëgjuat kryedruvarin e Bashkisë së Tiranës që së fundi i quajti “çetë” që “kërkon t’i kundërvihet zhvillimit” aktorët, artistët dhe intelektualët që mbrojnë Teatrin Kombëtar nga shembja? Asnjë fije reflektimi nuk ka ngjallur ky tërmet tek kjo specie, përkundrazi po e shohin edhe atë si një sfidë të re për sëpatat e tyre. A keni parë që kryedruvari të thërrasë në tryezë ndonjë poet, shkrimtar, arkeolog, ekolog, muzikant, zoolog, biolog që t’i thotë se  projekti i strehimit të banorëve duhet të ndërtohet mbi idenë e frenimit të çimentifikimit e betonizimit të mëtejshëm të kësaj cope natyrë që na ka rënë për hise: se ajo na duhet edhe për gjëra të tjera përveçse për dru me pre (duke e mbështetur këtë edhe me faktin se numri i ndërtimeve që kanë bërë druvarët këta 30 vjet i tejkalon, ndoshta disa herë, nevojat e shqiptarëve për banim)? A keni dëgjuar t’i thotë dikush se sikur të kishim ndërtuar një jetë në harmoni me natyrën dhe jo kundër saj, një sistem vlerash që ushqen dëshirën për të jetuar mes natyrës dhe jo për ta masakruar atë, se sikur të kishim pasur ca më shumë dije e dashuri për arkeologjinë e monumentet e kulturës, sot, në një qytet me histori botërore si Durrësi, jo vetëm do kishim pasur shumë më pak dëme, por do të ishim pasur edhe shumë herë më tepër solidaritet kombëtar dhe ndërkombëtar për t’i  riparuar ato? 

Prandaj në vend të urimit po shpreh këtu paralajmërimin se Shqipëria, po nuk ndryshoi kulturën që e ka shndërruar në republikë të druvarëve, duke ndryshuar edhe institucionet që ka ngritur kjo kulturë,  rrezikon të pësojë fatin e Ishullit të Pashkëve. Për ata që nuk e dinë historinë e këtij ishulli, po e them me dy fjalë: atje dy fise druvarësh u vunë në garë se kush do të ndërtonte statujat prej guri më të larta. Duke qenë se për këtë kishin nevojë të ngrinin skela druri filluan të presin pemët e pyllit. E bënë këtë punë për disa breza rresht derisa e shpyllëzuan ishullin aq sa erozioni bëri pastaj  të vetën dhe, më në fund, ishulli u zbraz nga njerëzit dhe mbeti i banueshëm vetëm për statujat absurde prej guri. (Panorama, 30 dhjetor 2019)

Read More......

Monday, December 23, 2019

Dënimi i Salianjit - drejtësia që kalon Rubikonin

Dënimi i ish-deputetit Salianji nga Gjykata, sipas meje – në ndryshim nga ata që u bien fanfarave se reforma po realizohet me sukses – është një moment tepër ogurzi për drejtësinë shqiptare, ku kam parasysh edhe Prokurorinë, edhe gjykatat. Çfarë nënkuptoj me këtë? Drejtësia jonë në vitet paraardhëse ka pasur shumë probleme, por, nëse do ta sintetizojmë qëndrimin e saj ndaj politikës, shprehja që e ka karakterizuar ka qenë ajo e përdorur dikur: “Fle mbi dosje”. Pra, kemi pasur një drejtësi që nuk ka guxuar të merret me çështjet e nxehta të korrupsionit të politikanëve tanë. Ajo ka hezituar, ose nuk ka guxuar, apo ka bashkëpunuar me politikanët për të mos dënuar ata, për të cilët kishte prova se duheshin dënuar, duke mos hapur çështje, duke kapërcyer afatet, duke fshehur prova etj. Ajo ka anuar gjithnjë nga pushteti i maxhorancës së radhës, por është treguar e kujdesshme edhe në trajtimin e politikanëve të opozitës si të paprekshëm, paçka se kundër tyre mund të ketë pasur prova.
Në këtë aspekt, ajo që ndodhi me Salianjin është një kalim Rubikoni, për fat të keq në drejtimin e gabuar, pasi e pamë drejtësinë të kalojë nga një rol gjithsesi pasiv politik në një rol aktiv kundër opozitës, dhe ç’është më e frikshmja, jo duke iu referuar provave, por duke fabrikuar prova.
Lidhur me çështjen “Salianji”, publiku është njohur me dy versione që bënin fajtor ose njërën palë politike, ose palën tjetër. Versioni i paraqitur nga opozita, protagonist i së cilës u bë Salianji, ishte se gazetari investigativ Olldashi kishte arritur, nëpërmjet ish të dënuarit, i ashtuquajtur Babale, të provonte me incizim se vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj – i dënuar në Itali për trafik droge – vazhdonte aktivitetin kriminal në Shqipëri. Këtë incizim, duke mos mundur ta botonte nëpër media, ai më në fund ia çoi PD-së, e cila e bëri publik, duke krijuar një skandal politik tashmë të njohur, që çoi edhe në largimin e Xhafajt nga posti.
Versioni i maxhorancës, që u shpalos që ditën e dytë pas shpërthimit të skandalit nëpërmjet gojës së Kryeministrit, ishte se kishim të bënim me një manipulim të kryer në laboratorët e PD-së, se ai e kishte çuar incizimin në një laborator të huaj (emrin e të cilit nuk e tha kurrë), që kishte provuar se zëri nuk ishte ai i vëllait të ministrit. Ky version u konsolidua më pas nëpërmjet daljes në skenë të një personazhi të dënuar disa herë (Fredi Alizoti), i cili deklaroi se ishte ai që kishte simuluar zërin e vëllait të ministrit, i shtyrë nga premtimi se deputeti i PDsë, Salianji, do t’i jepte për këtë 100 mijë euro dhe që, po denonconte, sepse nuk i kishte marrë paratë (ndërkohë që Babalja i kishte marrë 200 mijë eurot e veta). Pra, sipas këtij varianti, në regjistrim kemi zërin e Babales dhe Alizotit, kurse i përdoruri i tretë është gazetari Olldashi, i cili deklaroi se ia ka dhënë stilografin Babales për të regjistruar Xhafajn në lokalin e tij, por gjatë regjistrimit nuk ka qenë prezent.
Ky është versioni që pranoi Gjykata, e cila dënoi për kallëzim të rremë Babalen me 3 vjet, Alizotin me 2 vjet, Salianjin me 1 vit dhe Olldashin me 100 ditë punë sociale për shlyerje dënimi.
Lidhur me këtë version nuk mund të flasim për gabime interpretimi nga ana e prokurorëve, por ose për vërtetësi të tij, ose për fabrikim me dashje. Dhe këtu konsiston kalimi i Rubikonit nga drejtësia sepse fabrikimi e fut drejtësinë në një rrugë që na kujton praktikat e një kohe shumë të errët. Dhe për mua ka shumë elementë në këtë histori, që na çojnë tek ato praktika ku vendimet i merrte pushteti politik, kurse Hetuesia, Prokuroria dhe gjyqësori kishin detyrë t’i vulosnin.
Për të përmendur vetëm ato më kryesoret: veprimi i parë depistues, që përcaktoi edhe linjën e hetimit nga Prokuroria, ishte deklarata e rreme e Kryeministrit, se laboratori i huaj kishte vërtetuar se nuk ishte zëri i Argon Xhafajt. Fill pas saj, Prokuroria, në vend që të hapte një hetim për aktivitetin kriminal në Shqipëri të Xhafajt (përveçse atë për kallëzim të rremë në dëm të ministrit dhe të vëllait), hapi hetim vetëm për këtë kallëzim. Lejimi prej saj i ikjes së vëllait të ministrit në Itali të nesërmen ishte tejet komprometues në këtë aspekt. Dhe sigurisht nuk mund ta shohim këtë veprim pa kujtuar edhe trajtimin para pak kohësh të komisar Zaganit nga Kryeministri dhe Prokuroria, ku, ndërkohë që ky kishte thënë disa fakte që dolën të vërteta mbi ministrin tjetër të Brendshëm, Tahiri, u akuzua si zagar nga Kryeministri dhe u dënua me arrest në shtëpi me kërkesë të Prokurorisë.
Nuk dua të zgjatem këtu me argumentet e shumta, që më bëjnë të mendoj se kemi të bëjmë me fabrikim dhe fshehje provash nga ana e Prokurorisë, ku spikat krimineli Alizoti, i cili doli se pasi ka shkuar në Polici të denoncojë veten për t’u futur në burg (ngaqë nuk i kanë dhënë 100 mijë euro), ka shkuar në zyrat e PD-së për të kërkuar eurot, i cili, ndërkohë që me Salianjin nuk ka asnjë bisedë telefonike, ka shumë të tilla me shefat e Policisë, ku, çuditërisht, u flet me tone urdhërore.
Por nuk mund të mos ma përforcojë bindjen se këtu kemi të bëjmë me fabrikim dhe fshehje provash edhe vendimi i dhënë nga gjykata. Nëse do të pranojmë versionin se arkitekti i gjithë këtij maskarallëku qenka deputeti Salianji, atëherë dënimi i tij me 1 vit nuk justifikohet sepse do të duhet të ishte shumë më i rëndë, patjetër edhe më i rëndë se ai i Babales dhe Alizotit (ndërkohë që Prokuroria kërkoi që të dënohej edhe më pak: 1 vjet me kusht). Jo vetëm, por ai do të duhej të ishte hetuar edhe se ku i ka gjetur 200 mijë eurot që i paska dhënë Babales si pastrim parash e bashkëpunim me të tjerë (paçka se nëse i paska dhënë atij 200 mijë, s’ka pse mos t’i jepte edhe Alizotit 100 mijë).
Sipas mendimit tim, kërkimi i një dënimi kaq të lehtë nga Prokuroria, për një krim që personalisht e mendoj shumë të rëndë, sikur të ishte i vërtetë, psikologjikisht nuk mund të shpjegohet veçse me një kompleks faji nga prokurorët, që, duke e ditur se e vërteta është krejt tjetër nga ajo që kanë fabrikuar, nuk kanë dashur të shtyhen edhe më thellë në krim. Por një fjalë e urtë thotë: “krimi ndjell krimin”. Siç e thashë, ky ishte një kalim Rubikoni për drejtësinë nën shtysat e një Kryeministri, që ka kohë që e ka kaluar Rubikonin e tij, duke punuar me ngulm që të përdorë drejtësinë për eliminimin, kërcënimin apo frikësimin e kundërshtarëve të tij politikë. (Panorama, 21 dhjetor 2019)

Read More......

Saturday, December 14, 2019

Edi Rama - hipokriti që bën nusen në dasmë dhe arkivolin në mort

 
Në ditët e para pas tërmetit e kam përshkruar Edi Ramën si një njeri, që, në panikun e përgjegjësisë, vuri në veprim të gjitha aftësitë e tij manipulative për t'ia veshur përgjegjësitë e pasojave të tërmetit natyrës, Zotit e kujtdo qoftë përveç vetes dhe të tijve. Në ditët në vazhdim, me ç'po na shohin sytë, ky panik, bashkuar me çrregullimet e rënda narçizistike të personalitetit, të manipulatorit pervers, po e bën gjithnjë e më të surreal e më të rrezikshëm. Ka një shprehje frënge për narçizistët si Rama që thotë: "Ata duan të jenë në rolin e nuses në dasmë dhe të arkivolit në mort". Ne rastin e tërmetit aktori në fjalë po arrin kulmin e karrierës së tij, sepse, më herët e kemi parë në rolin e nuses në dasmë, kurse me tërmetin po e shohim edhe në rolin  arkivolit në mort, madje duke arritur një sintezë tragjikomike të dasmës me mortin. Të tilla janë shfaqjet që po jep nëpër zonat e tërmetit i ndjekur hap pas hapi nga kamerat e Ertv, ku herë bën gallatë me fëmijët e traumatizuar nga vdekja e prindërve e humbjet e shtëpive, herë u jep urdhër qenve dhe servilëve që të heshtin në hallin e madh që e ka gjetur popullin; ku edhe transmeton non stop aktivitetin e tij, (edhe kur pi kafen në zyrë), edhe i urdhëron të zotët e shtëpive që viziton të mbyllin televizorin se sipas tij: është si të kesh shejtanin në shtëpi; ku një ditë e shohim t'i dridhet dora në një formë që të bën të mendosh se vuan nga një parkinson i avancuar, e ditën tjetër e shohim të ngrejë me një dorë në ajër, gjithë gaz, një foshnje dhe ta rrotullojë para kamerave si aeroplan (ndërkohë që ai i shkreti rrinte si i ngrirë), duke na bërë të mendojmë se dridhja e dorës ishte një lojë teatrale për të ngjallur ndjenja përdëllimi tek shqiptarët. Janë shfaqje në të cilat e ke vështirë të thuash nëse po bën nusen në dasmë, arkivolin në mort apo të dyja bashkë, por që dallohen edhe nga një hipokrizi e madhe, nëse me termin kuptojmë aktorin pervers, që ndërron faqe sipas interesit, që tjetër është e tjetër duket, tjetër flet dhe tjetër mendon. ("Hipokrit" e ka burimin nga fjala greke "hypokrites" që do të thotë "aktor".)
Në vazhdën e këtyre hipokrizive e pamë para disa ditësh të luajë rolin e arkivolit në mort në emisionin e Bruno Vespës "Porta a Porta". Me një pamje të pikëlluar, i veshur me kostum dhe kravatë të zezë, kërkoi t'i bënte italianët të mendonin se çfarë djali me shpirt të ndjeshëm u ka rënë për hise si kryeministër shqiptarëve, si dhe që të derdhnin ndihma në numrin e llogarisë bankare që ka hapur qeveria. Ato 15 - 20 minuta intervistë, ishin një shfaqje aktoriale gënjeshtrash manipulative.
Lajmi i shpërndarë në rrjet prej të birit, ku thoshte se edhe një e afërmja e tij kishte vdekur, i amplifikuar nga makina e propagandës në lajmin e vdekjes së një njeriu të shtrenjtë të familjes kryeministrore:  të dashurës apo të fejuarës së të birit, kishte arritur edhe në veshët e Vespës, i cili, me një pamje ngushëlluese, e filloi intervistën me këtë lajm. Kryeministri e kaloi ngushëllimin duke kaluar tek pikëllimi i tij për të gjithë shqiptarët. Ndoshta i erdhi zor nga i biri i cili nuk e ka quajtur "të dashur" apo "të fejuar", por “të afërme” dhe këtë e ka bërë o për të ruajtur diskrecionin o pse nuk e ka pasur të dashur, aq më pak të fejuar, dhe në fakt nuk kemi parë asnjë fotografi të të birit me këtë vajzë, aq më pak me vjehrrin e mundshëm. Por kur do të bësh arkivolin në mort  e vërteta apo diskrecioni nuk kanë pikë rëndësie. Aq më pak kur një sendërgji e tillë të çliron nga përgjegjësia e vdekjes së të ndjerës, e 50 të tjerëve, sepse në këtë rast distancohesh nga vrasësit dhe  bashkohesh me viktimat.
Gënjeshtrat manipulative vazhduan pikërisht me përgjegjësitë njerëzore për tragjedinë. Italianët nuk dëgjuan asnjë fjalë, si nga intervistuesi edhe nga të intervistuarit, për këtë. Sigurisht ata nuk dinin se nusja në dasmë dhe dasmorët e saj ishin tallur me Presidentin, kur ky, para disa muajsh,  u përpoq të vinte alarmin për rreziqet e tërmetit? Ata nuk morën asnjë shpjegim se përse, sipas "Il Fatto Quotidiano", mungonin hartat kadastrale të pallateve të shembura apo përse trupat e shpëtimit kishin punuar me duar e me lopatë, e jo me qen e mjetet që nevojiten në këto raste? Rama u tha italianëve se ishin shembur vetëm shtëpitë e vjetra, pallatet e komunizmit, (për të cilat nënkuptohej se fajin e ka tërmeti dhe komunizmi), dhe … ndoca ndërtime pa leje andej këtej. Asnjë fjalë për pallatet e dhëna me leje në Durrës  nga 2007 deri m 2019 nga bashkëpunëtori i tij më i afërt, Gjushi, një pjesë e madhe të ndërtuara nga ish-deputeti socialist Gashi, që, nga burime të besueshme, thuhet se janë 30% e pallateve të dëmtuara rëndë në Durrës.
Hipokrizia e Ramës shkëlqeu edhe me Sgarbin i cili, kur  Rama tha se arkitekti Casamonti do të merret me projektimin e ndërtimeve post-tërmet i tha: "kujdes se ai ka bërë Figline-n". Zgarbi e kishte fjalën për një projekt korruptiv (që e ka çuar Casamontin në burg), ku parashikohej restaurimi i një ndërtese të  vjetër historike duke e kthyer në diçka të stërmadhe, jashtë proporcioneve me kontekstin e qytetit Figline, për çka Sgarbi është shprehur se: "është krim që në vendlindjen e Bruneleschit të thërresësh një arkitekt për të ngritur një përbindësh." Tamam si puna e përbindëshit që ka realizuar Edi Rama dhe Casamonti në stadiumin Qemal Stafa, (korrupsion plus shkatërrim i trashëgimisë), por me ndryshimin se në Figline u ndërpre nga ndërhyrja e magjistraturës. Por hipokritit nuk i bëri syri tërr kur iu përgjigj: vërtet Casamonti ka bërë Filinen, por ka bërë edhe Stadiumin tonë që është tamam ashtu si i do ti gjërat, ku e vjetra ruhet.
Një kulm manipulativ personazhi e arriti kur, për t'u treguar italianëve se sa njerëz të mirë jemi ne shqiptarët, prandaj e meritojmë ndihmën e tyre, tha se Shqipëria është i vetmi vend që ka pasur më shumë ebrej pas Luftës sesa para Lufës, medemek ngaqë shqiptarët i karakterizon kulmi i humanizmit në Evropë. Nuk është këtu vendi të përgënjeshtroj këtë mit që nuk e ka shpikur Rama (Kush është kurioz mund të lexojë një shkrim timin "Holokausti dhe persekutimi komunist" Korrieri, 1 shkurt 2008 të ribotuar këtu on line http://www.zemrashqiptare.net/news/2345/fatos-lubonja-holokausti-dhe-persekutimi-komunist.html?skeyword=a), por të tregoj shtresëzimin e ri fantastik që i shtoi mitit pinoku. Duke menduar italianët katolikë tha se priftërinjtë katolikë shqiptarë paskan bërë mrekullira në atë kohë, që nuk i ka bërë askush: kanë pagëzuar ebrejtë për t'i shpëtuar nga holokausti. Po manipulonte një target duke harruar se mund të godiste indirekt pjesëtarë të tjerë të popullit shqiptar. Sepse është e ditur se në Prishtinë, që ishte pjesë e shtetit shqiptar asokohe, ka pasur një kamp përqendrimi ku kanë humbur jetën 200 ebrej, madje se shqiptarët e Kosovës kanë ngritur edhe batalionin SS Skanderbeg për arsye që s'kanë të bëjnë me fenë, por me nacionalizmin. Por, përtej të vërtetës historike, sipas së cilës edhe nëse mund të flitet për një tolerancë të shqiptarëve ndaj ebrejve kjo i atribuohet trashëgimisë së perandorisë multireligjioze osmane, të paktën mos të përmendte vetëm klerin e një minorance 10% për shpëtimin e ebrejve në një popullsi që ka edhe 70% myslimanë dhe 20% ortodoksë, pa llogaritur shqiptarët e Kosovës.  Mund të përmendte edhe ndonjë hoxhë, baba apo prift ortodoks. Po hipokriti nuk merakoset. Shqiptarëve u interesojnë lekët që do mbledh, - thotë me vete - prandaj do ta duartrokasin këtë gjetje fantastike.  Pastaj, edhe për myslimanët e kam gati Kuranin në xhepin tjetër.
Dhe kështu, pas ca ditësh, u shfaq në Stamboll para investitorëve turq të cilëve u tha: "Kurani i lavdishëm na mëson se asnjë gjethe nuk e prek tokën pa lejen e Zotit. Kurani i lavdishëm na mëson se katastrofat janë sprova për njerëzimin që të spastrohet nga mëkat e të pendohet." "Cila është fytyra më e bukur në Islam, sipas profetit të Zotit? - paqja qoftë mbi të -: të ndihmojmë ata që njohim dhe ata që nuk njohim."
E pra, në këto ditë të jashtëzakonshme, ku kriza morale është më e madhe se fatkeqësia materiale e kërkohet dashuri e vërtetë dhe jo shtirje perverse, çështja shtrohet: a mund t’i besohet pastrimi ynë nga mëkatet, pendimi ynë, krijimi i solidaritetit një hipokriti si Edi Rama, që këtej shet humanizmin dhe tolerancën e shqiptarëve dhe më anë tjetër përdor edhe qentë që lehin për të fyer shqiptarët që i flasin për përgjegjësitë? ("Hiqe more atë analist!" i tha një banori për qenin që po lehte jashtë derës.)  Meqënëse po flet kaq shumë për Kuranin dhe Profetin le ta japim përgjigjen me Kuranin dhe Profetin: Ja ç'thotë Muhamedi për hipokritët: "Kush ka katër karakteristikat e mëposhtme është një kryehipokrit […]: 1. Kur sa herë i besojnë, tradhëton. 2. Kur sa herë flet, gënjen. 3. Kur sa herë  bën një pakt, tregohet i pabesë. 4. Kur sa herë grindet, sillet pa respekt, në mënyrë të keqe dhe fyese."
 Dhe ja  se ç'thotë Kurani për hipokritët që mashtrojnë me oratorinë dhe paraqitjen e tyre: "Kur ju i shihni ata, pamja e tyre e jashtme ju pëlqen:  nëse flasin, ju i dëgjoni fjalët e tyre. E megjithatë ata janë si trungje që rrinë në këmbë të mbajtur me cungale (pa rrënjë). Ata kujtojnë  se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre. (kujtoni historinë e qenit F.L.)  Ata janë armiqtë e vërtetë, andaj ruajuni prej tyre. Mallkimi i Allahut rëntë mbi ta! Sa shumë janë larguar (nga e vërteta).!"
Për ata që nuk u pëlqen urtësia e Muhametit, sepse janë të krishterë le t'i drejtohen Ungjillit se çfarë thotë Krishti për farisenjtë. Unë po e mbyll këtë shkrim për të gjithë me një thënie popullore: "Hipokriti bën keq punët e mira dhe bën mirë punët e këqija. "  (Panorama, 12 dhjetor, 2019)

Read More......

Thursday, December 5, 2019

Rama në panikun e përgjegjësisë


Shumë njerëzve u ka bërë përshtypje përdorimi nga Edi Ramës i shprehjes “pabesi e natyrës” në mesazhin e parë të ditës së tërmetit. Personalisht më bëri të qesh hidhur, por edhe më futi në reflektim. Qesha duke thënë me vete se edhe në këtë rast ky njeri, që nuk mund të komunikojë veçse në mënyrë manipulative, nxitoi të gjejë armikun për t’ua hedhur si kockë njerëzve, me synim që të largojë çdo përgjegjësi nga vetja. Qeshja ishte e hidhur, sepse, duke dëgjuar ato fjalë, thashë me vete se edhe kësaj here, me ç’duket, faji do të mbetet jetim.
E vërteta është se edhe sikur ta marrim natyrën si një qenie me vullnet e qëllime të mbrapshta ndaj njerëzve, nuk mund të thuhet se na ka bërë një pabesi, sepse ajo na ka paralajmëruar vazhdimisht se herë pas here do të na tregojë se është më e fortë se ne. Paralajmërimin e fundit ajo na e dha vetëm para dy muajsh në tërmetin e 21 shtatorit. E megjithatë fjala e parë që i doli këtij njeriu nga goja ishte fjala “pabesi e natyrës” dhe jo përgjegjësitë që kemi ne për shkallën e tragjedisë që krijoi ky tërmet.
Pas disa ditësh, ngaqë e kuptoi se kishte shkuar larg me përdorimin e natyrës si armik, apo ndoshta kur pa se kishte shkaktuar zemërimin e besimtarëve, që punë të tilla si tërmetet ia atribuojnë Zotit, i cili nuk mund të jetë armik dhe i pabesë ndaj krijesave të tij, manipulatori gjeti një shprehje tjetër:  “është e shkruar” u thoshte njerëzve, duke ia vënë përgjegjësinë e vdekjes së 51 qyqarëve Zotit. Por në këtë rast harroi se ata që besojnë në Zot punë të tilla si tërmetet i quajnë ndëshkime për shoqëri keqbërësish që janë zhytur në krim e degjenerim. Duket që ky tërmeti e ka çoroditur shumë Ramën, sepse e ka zënë paniku i përgjegjësisë. Me siguri sikur t’i dilte vetë Zoti përpara do t’i thoshte se korrupsionin e degjenerimin, për të cilin ai i ndëshkoi shqiptarët, e kishte krijuar opozita deri në 2013-të, e se ai kishte bërë një gabim të madh që e hodhi tërmetin ndëshkues në kohën e qeverisjes së tij, por për këtë e kanë fajin gazetarët e kazanit që e kanë keqinformuar.
Nga paniku i përgjegjësisë për vdekjen e 51 vetave dhe dëmet kolosale që ka pësuar vendi Edi Rama nuk po le gjë pa bërë. Po luan teatër ku të mundet e si të mundet që të prekë njerëzit, që tu thotë se ai është njeri i mirë, që i do ata si Gregun, veç që të mos mendojnë se ai ka ndonjë përgjegjësi për këtë që ndodhi.  Ndërkohë që në këtë aktrim  bëri armik natyrën dhe Zotin, e harroi fare armikun që e ka përqeshur, kërcënuar e fyer pafund, opozitën, duke e ftuar atë të ulet në tryezë me të për të zgjidhur këtë hall të madh. Harroi se tepsinë e donte të tërën për vete dhe tani që në tepsi ka mbetur vetëm përgjegjësia dhe  vështirësia e pamasë që ka krijuar kjo tragjedi, e fton Lulzim Bashën t’i ndajë llokmat e boshësisë me të. Por nuk mjaftohet vetëm me këtë. Ndërkohë që gjatë dymbëdhjetë vjetëve kryetar bashkie nuk la fushë futbolli e basketbolli pa e kthyer në shesh ndërtimi të pallateve monstra, shkon në spitale tek fëmijët e plagosur të mbetur pa prindër e pa shtëpi dhe luan teatër me ta duke u dhuruar topa basketbolli e duke u premtuar se do t'u sjellë fanellat e Ronaldos dhe Donarumës të firmosura prej tyre (sepse i ka miq të afërt). Çmenduri! Por në këtë çmenduri nuk harron t’u thotë atyre, që të dëgjojnë të gjithë, që të mos shikojnë televizor dhe të mos hyjnë në facebook sepse atje (nënkuptohet) mund të dalin armiqtë që flasin për përgjegjësitë e tij.  Të mjerët fëmijë! Kur t’i shohin këto filmime të rritur do të kuptojnë se kë kanë takuar në ditën e tragjedisë së tyre më të madhe.
Ajo që na ndodhi me këtë tërmet tragjik: vdekja e 51 personave, shembja apo kthimi në të pabanueshme i qindra, mos mijëra ndërtesave, trauma psikike e një populli të tërë, kostot që do të na duhet të paguajmë në të ardhmen do të kishin qenë shumë herë më të vogla, ndoshta edhe të papërfillshme, sikur të mos kishim pasur në krye njerëz si Edi
Rama me shokë që kanë inkurajuar, me veset e tyre, pjesën më të keqe të njeriut shqiptar, e që ia kanë dhënë në dorë fatet tona e të natyrës që kemi trashëguar nga paraardhësit pjesës më të mbrapshtë të shoqërisë. Edi Rama në 12 vjet kryetar bashkie nuk bëri një plan urbanistik, i cili përcakton, përveç të tjerave, edhe lartësitë e ndërtesave sipas zonave sizmike dhe gjeologjike. Ai shkatërroi çdo institucion shtetëror që kontrollon mënyrën e ndërtimit duke ua lënë në dorë gjithçka oligarkëve të tij sipas parimit “Një pallat një votë.” Ai bëri gjithçka që të kontrollojë mediet dhe gazetarët dhe specialistët që duhet të informonin njerëzit edhe për rreziqet që paraqisnin këto lloj ndërtimesh. Nën shembullin e tij pararojë kështu kanë vepruar në Durrës dhe kudo jo vetëm të tijtë, por edhe ata të opozitës. Mënyra se si i ka shpenzuar paratë publike për t’i shpërndarë nëpër duart e babëzitura (për një kilometër rrugë 20 milion euro) ka bërë që trupat e shpëtimit, për turp të botës, të punonin me duar dhe lopata për nxjerrjen e viktimave. Janë këto përgjegjësi morale dhe ligjore që e kanë panikuar Edi Ramën e që ai kërkon t’i verë në heshtje me çdo mjet, deri edhe me kërcënime mbylljeje të portaleve apo edhe me arrestime. E pra, të mos flasësh për përgjegjësi në këto ditë, është sikur të rrish të qash të vrarin në shtëpi pa kërkuar të dish se cili është vrasësi dhe  nëse u kap apo jo. Është  e sigurt se në këtë rast ai do kryejë vrasje të tjera.
Thënë të gjitha këto për këtë njeri që meriton të ndëshkohet dhe jo t'i lihet në dorë menaxhimi i katrahurës së shkaktuar nga ky tërmet - nëse duam që të ngrihemi mbi të dhe jo të zhytemi edhe më - ngulmoj se vrasësi duhet kërkuar jo thjesht tek ky njeri, por tek një sistem dhe një kulturë që ka pjellë njerëz të tillë. Shtjellimin se çfarë kam parasysh me këtë po ia le shkrimit mbi reflektimet që më ngjalli shprehja e Ramës "pabesi e natyrës".  (Panorama, 2 dhjetor 2019)

Read More......