Wednesday, May 27, 2020

Yuri Kim, Orakulli i Delfit dhe shkatërrimi i Teatrit

Cicërima gjithë ambiguitet e ambasadores amerikane Yuri Kim, ku shprehej se qe e shqetësuar për ca thashetheme që qarkullonin për një marrëveshje të fshehtë (shqiptarësh) që po sabotonin Reformën në  Drejtësi, më kujtoi Orakullin e Delfit. Për ata që nuk e dinë: në Orakullin e Delfit, persona të ndryshëm shkonin të merrnin përgjigje për hallet, problemet apo të ardhmen e tyre. Aty flisnin me ca priftëresha që u jepnin këtyre përgjigje pak si në tym – sipas një versioni pasi ato pinin gjithë kohës opium - por ama kjo ishte e llogaritur që pastaj priftërinjtë e mëdhenj me mjekër t’i interpretonin fjalët e tyre sipas interesave të pushtetit apo parasë që kishin tek personat që shkonte atje.
Ndjesë ambasadores, por me ardhjen e saj ambasada ka filluar të flasë gjithnjë e më shumë me këtë gjuhën e priftëreshave të Delfit (më kujtohet psh. kur në protestën e Metës ajo u shpreh: nuk e kuptova se pse ishte atje flamuri amerikan). Kësaj here, nga ky stil u frymëzua edhe prifti me mjekër Edi Rama, që e interpretoi cicërimën e ambasadores me thënien e Shekspirit: “Ferri është bosh, djajtë janë të gjithë këtu – që, e interpretuar drejt, sipas meje do të thotë se ambasadorja kërcënonte djajtë dmth. kundërshtarët e tij, të cilët tashmë duhet të ishin në burg, se po vazhdonin t’i krijonin turbullira. Meta përkundrazi e interpretoi duke thënë se fjala ishte për pengesat që po sjell Rama e të tijtë dhe nxori 14 pikat që ia ka dërguar që në prill ambasadës. Edhe Basha tha se ambasadorja e kishte me Ramën, i cili, me gjuhën e një deputeti, kishte kërkuar të shkapërceheshin apo ndryshoheshin ca nene të Kushtetutës. Por interpretimet u pasuruan edhe me skandalin Daci. Meqenëse ky bëri pis procesin e vetingut, ambasadorja, sipas këtij interpretimi, nxitoi të dënojë ndotësit për të mbajtur të pastër imazhin e Reformës (së suksesshme) në Drejtësi. Nuk mungoi as interpretimi se cicërima i drejtohej Edi Ramës, dora vetë, pasi amerikanët i kanë thënë të heqë dorë nga amnistia fiskale dhe ligji për legalizimin e kanabisit - që të dyja në favor të narkotrafikantëve me të cilët po ndërton kullat – por ai u ka dalë për duarsh, nuk u bindet më.
Duke luajtur rolin e priftit me mjekër të Delfit po jap edhe unë interpretimin tim. Sigurisht ambasadorja nuk ka qenë nën efekte opiumi, por pa dyshim ia ka turbulluar pak gjendjen shpirtërore  shkatërrimi në atë mënyrë i Teatrit Kombëtar nga beniamini i ambasadës, sheiku i Albanisë, Edi Rama. Kështu, meqë nuk mund të thoshte dot: “Ambasada amerikane mbështet shembjen e Teatrit Popullor” – sepse kjo do ta ulte në minimumin e vet historik reputacionin në rënie pikiatë të Ambasadës – zgjodhi të japë mesazhin: Teatri është një aksident i parëndësishëm, vazhdoni punën, merruni me Reformën në Drejtësi.
Pse e them këtë? Sepse të flasësh për Reformën në Drejtësi ditët kur është kryer një nga krimet më të ulëta jo vetëm ndaj kulturës e identitetit shqiptar, por edhe ndaj  drejtësisë dhe shtetit të së drejtës, është njëlloj sikur të inkurajosh mjekët që i ke paguar për të shëruar një pacient, të vazhdojnë të kërkojnë gjetjen e kurës, ndërkohë që këta, me vetëdije, e kanë vrarë pacientin dhe këtë e dinë të gjithë. Prandaj për mua fakti që Ymri Kim ka ardhur këtu me udhëzime të qarta që të mbështesë sheikun e Albanisë (për interesa amerikane dhe jo proceset demokratike e forcimin e shtetit e së drejtës) u provua edhe një herë me qëndrimin e Ambasadës ditën e shkatërrimit të Teatrit.
Pyetja shtrohet: pse e mbështesin amerikanët Edi Ramën?  Sqaroj se kur them “amerikanët” nuk kam parasysh gjithë SHBA, por faktin fatkeq se ata që merren direkt me Shqipërinë nuk janë më shumë se 4-5 veta në Departamentin e Shtetit. Pra kam parasysh këta dhe disa lobe rreth tyre.  Deri tek Lu-ja, që konsiderohej i administratës Obama, mbështetjen, deri në mbulimin me flamur amerikan të fushave me kanabis, e kemi shpjeguar me lidhjet e Ramës, nëpërmjet Soros, me administratën e Klintonin etj.. E kemi shpjeguar edhe me gatishmërinë për të sjellë muhaxhedinët, me harxhimet e trustit të kanabisit dhe kokainës për të promovuar imazhin e kryeministrit artist vizionar, por edhe me një përçmim që kanë, thellë-thellë, perëndimorët kur shohin sjelljen tonë prej hajdutësh pa pikë dinjiteti, që lëpijnë lart e pështyjnë poshtë, çka i bën të mendojë se shqiptarët kaq meritojnë: një sheik që luan solo pasi nuk janë në gjendje të luajnë muzikën e demokracisë me një orkestër. Disa nga këto arsye mbeten, por më duken si të pamjaftueshme po të kesh parasysh përshkallëzimin e pushteti të krimit të organizuar në Albani. Prandaj mua analiza më çon edhe në Kosove. Po të vesh re edhe atje Kurti është pro-amerikan, siç është edhe opozita jonë por-amerikane, por ata nxituan ta rrëzojnë, megjithëse kohë pandemie, në favor të Thaçit. E pra, ka vetëm një gjë që i bën “antiamerikanë” si opozitën tonë dhe Kurtin: ata janë kundër planeve për ndryshimin e kufijve, prandaj gjykoj se mbështetja e Ramës në Tiranë, ashtu sikurse ajo e Thaçit në Kosove shpjegohet edhe me faktin se këta janë interlokutorët e zgjedhur për të kryer marrëveshjen e ndryshimit të kufijve në Kosovë. Qofsha i gabuar,  koha do ta vërtetojë.
Me këtë nuk dua të them se, sapo të kryejnë këtë punë, do të heqin dorë prej Ramës dhe Thaçit. Këtë nuk e besoj siç nuk e besoj as një version që qarkullon se amerikanët duan të përfundojë Reforma në Drejtësi me çdo kusht dhe, pastaj, i pari që do të bjerë në rrjetën e saj do të jetë sheiku i Albanisë, dora vetë. Kjo është një përrallë e bukur për ata që presin t’ua nxjerrin gështenjat nga zjarri të tjerët.
Sot për sot di të them se shembja e Teatrit në atë mënyrë, megjithë shembjet e tjera që ajo përmban, nuk është e mjaftueshme që “amerikanët”  të heqin dorë nga mbështetja për sheikun e Albanisë. Atyre që presin të ndodhë kjo, pra që t’ua heqë SHBA sheikun pro-amerikan që po i dhunon, po u kujtoj se, në Vietnamin e Jugut, kur amerikanët, për interesat e tyre gjeopolitike, mbështesnin një tip të tillë si autokrati Diem, e lëshuan atë vetëm kur kundërshtarët e tij, vietnamezët budistë,  filluan të protestojnë duke u djegur të gjallë në Sajgon dhe kur fotot e tyre bënë xhiron e botës, duke diskredituar mbështetjen amerikane për Diem. Dhe ç’është më e keqja, ata me të cilët e zëvendësuan, nuk dolën më të mirë.
Shpresoj që mesazhi që jep kjo histori të jetë më i qartë për shqiptarët sesa cicërima e ambasadores Kim. (Panorama, 26 maj 2020)

Read More......

Kosovë – duhet ndryshim Kushtetute dhe më pas zgjedhje (Intervistë gazetës Express)

1. Në Kosovë ka nje polarizim te madh dhe janë ne pritje te nje vendimi te Gjykates Kushtetuese se kush ka te drejte te formoje Qeverine e re pas rrezimit te Qeverise se Albin Kurtit. Ndryshimi i pushtetit po duket se sjell traume te madhe, sidomos te shqiptaret, pasi parite s'po pajtohen lehte me verditktin e votuesve. Si e shihni ju nje zgjidhje qe do te ishte me e mira per qytetarin kosovar? 

Kjo situate më evokon situata te ngjashme si ne Kosove dhe Shqiperi ku partite (pjeset sipas kuptimit te fjales) nuk dine te bashkjetojne as te dialogojne por kerkojne te eliminojne pjesen tjeter per tu bere e tera. Idealisht do te doja nje zgjidhje qe te hapte nje epoke te re ne boten shqiptare ku sejcila “pjese” të respektonte tjetrën ne interesin e se tërës dhe ku Gjykata Kushtetuese të luante rolin e arbitrit që qëndron mbi pjesët me busull.
Realisht e kam të vështirë ta formuloj një propozom konkret qe do ti afrohej këtij ideali por po hedh një ide. Gjykoj se minimalisht Gjykata Kushtetuese duhet t’i qëndrojë precendentit të vitit 2014 ku ka deklaruar se nuk mund të anashkalohet partia e parë nga formimi i qeverisë – çka pashë që e ka thënë së fundmi edhe ish kreu i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani - sepse përndryshe do të delegjitimonte veten dhe rendin kushtetues ekzistues. Mirëpo këtu ka një problem qeverisshmërie pasi mund të ndodhë rregullisht që një parti të dalë gjithmonë e para por të mos krijojë asnjëherë maxhorancë qeverisëse. E këtu vijmë tek vërejtja që i ka bërë Albin Kurti më 2014 këtij vendimi duke thënë se qeverinë duhet ta krijojë kush krijon maxhorancën. 
Duke patur parasysh gjithë kontekstin politik se si u rrëzua kjo qeveri në kohë pandemie dhe konfliktualitetin që mund të sjellë në vazhdim ky veprim duke rënduar klimën politike të Kosovës, gjykoj se duhet një marrëveshje politike ku sejcila palë të sakrifikonte diçka. Kjo marrëveshje do të ishte pranimi nga të gjitha partitë i një ndryshimi Kushtetues që do ta riformulonte më qartë faktin se qeverinë e krijon maxhoranca dhe pastaj të shkohet në zgjedhje. Kështu do të mund të respektohej vullneti i të gjithë popullit të Kosovës dhe të gjitha palët do të merrnin atë që meritojnë. 

2. Cili duhet te jete pozicioni i Kurtit si fitues i zgjedhjeve te fundit? 

Kurti ka të drejtë të reagojë për mënyrën se si u rrëzua, por mendoj se, - duke patur parasysh edhe propozimin që bëra më sipër - ai duhet ta ndërtojë veprimin e tij politik duke patur më shumë parsysh parimin se politika është arti i të mundëshmes dhe  se ndryshimi që ai premton të sjellë në Kosovë – çka më duket se ka një mbështetje të gjerë në popull - kërkon bashkëpunim me sa më shumë aktorë dhe se kërkon gjithashtu kohë e durim. Përndryshe vetëm ai dhe Vetvendosja zor se do të mund ta sillnin këtë ndryshim, përkundrazi, ngulmimi në një lloj radilalizmi përjashtues mund të bëjë që Kosova të dobësohet edhe më duke humbur energji në luftrat për pushtet midis partive.

3. Kemi edhe nje raport te acaruar ndermjet dy Qeverive, asaj te Kosoves dhe te Shqiperise, pas shembjes se teatrit ne Shqiperi. E shihni normale nje acarim te tille apo Qeverite s`ben te perzihen ne punet e shtetit tjeter? 

Si pjestar aktiv në përpjekjen për mbrotjen e Teatrit e kam pritur një reagim nga Kosova dhe fakti që Kurti u deklarua sëbashku me shoqërinë civile kosovare e kam konsideruar si një mbështetje që do të doja të na kishte ardhur nga e gjithë Kosova pasi nuk shoh arsye që partitë në Kosovë të rreshtohen si pro Edi Rama dhe kundër tij në këtë çështje. Ky ishte një akt i qartë banditesk, i paligjshëm, një akt grabitjeje i pronës publike, i shkatërrimit të një monumenti historik nga të paktët që i kanë mbetur tashmë kryeqytetit dhe nëse në Kosovë ka njerëz që e kanë besuar apo edhe dashur sinqerisht Edi Ramën sipas meje do do të duhet të kishin qenë ata të parët që do  të duhej të reagonin. (Express, 24 maj 2020)

Read More......

Thursday, May 14, 2020

Pandemia dhe Shqipëria

E vërtetë, nga karantina ku ndodhemi, jeta që kemi lënë, me ato zakonet e përditshme, baret ku pinim kafen e mëngjesit me miqtë, daljet për ndonjë drekë jashtë qytetit, punën së bashku me të tjerë, na duket shumë më e bukur dhe më e dashur se më parë. Është, prandaj, e natyrshme që ideja e daljes të shoqërohet  me dëshirën për t’u kthyer atje ku ishim. Por kujdes, “atë që ndodh përditë mos e quani të natyrshme” thotë Brehti. Në fakt, vetëm pak më thellë po të gërmojmë, do të zbulojmë se kjo që po ndodh sot, - qoftë si shkak i shpërhapjes së virusit, qoftë si pafuqi dhe papërgatitje për ta parandaluar e luftuar, qoftë si përdorim i pandemisë nga pushteti për të kontrolluar edhe më njerëzit -  e ka origjinën mu tek normalja apo e natyrshmja e djeshme. Prandaj sot, kudo në botë, krahas kategorisë që mezi pret të kthehet ku ishim, po zgjerohet shumë kategoria e atyre që mendojnë se bota jo vetëm nuk do të jetë më, por as duhet të jetë më, ajo që ka qenë. 
Çfarë Bote do të vijë apo duhet të ndërtojmë; çfarë Evrope, çfarë shteti, çfarë demokracie, çfarë ekonomie? - janë pyetje që janë ndërfutur vazhdimisht në mendimet tona në intervalet e informimit mbi kurbat e infektimit, të shërimit e të vdekjeve nga koronavirusi.
***
Kategoria e ndryshimit ndahet në të dorëzuarit, të cilët, edhe pse e duan atë,  thonë se asgjë nuk do të ndryshojë, pasi shumica syverbët do t’i kthehet asaj që e ka quajtur “e natyrshme” nga e cila, po të perifrazonim Heiddeggerin, “vetëm një Zot mund të na shpëtojë” dhe ata që shprehin mendimin se e ardhmja do të ndryshojë. Por edhe këta të dytët ndahen në pesimistët që paralajmërojnë se e ardhmja rrezikon të jetë më e keqe se ajo që kemi lënë dhe optimistët që shpresojnë (dhe rekomandojnë se çfarë duhet ndryshuar) që e ardhmja do të jetë më e mirë. 
Si pesimistët edhe optimistët takohen tek ideja se kriza e pandemisë ka shtruar imperativin e rritjes së rolit të shtetit, por ndërsa të parët shohin këtu rreziqet, të dytët shohin mundësitë. Le t'i shohim  cilat janë idetë kryesore të tyre. 

Rreziku për më keq
Shqetësimet e pesimistëve nisen nga fakti se situata e krijuar me karantinimin e gjithë shoqërisë ka evokuar fantazmën e “njeriut të zhveshur”, siç e quan Giorgo Agamben, sipas të cilit një shoqëri ku njeriu reduktohet në qenien biologjike, ku synimi për të mbetur gjallë e çon atë tek zhveshja e dimensioneve sociale, politike, të humanizmit, afektivitetit nuk mund të jetë një shoqëri e lirë. Agamben i referohet njeriut në regjimet totalitare ku rasti më ekstrem ishin të burgosurit politikë që zhvisheshin deri nga të drejtat më elementare të patjetërsueshme si liritë personale të lëvizjes, të fjalës, të jetës me familjen,  të zgjedhjes e pasjes së një pasaporte e ku ebrejve u zhvishej edhe emri që u zëvendësohej me një numër. Por evokimi i kësaj fantazme nuk është pa lidhje me situatën që po përjetojmë. Sepse edhe në këtë gjendje të jashtëzakonshme u zhveshëm (apo po na zhveshin, kjo varet si ta shohësh) nga liritë personale dhe nga  disa dimensione që janë vetëm të njeriut: kishat e xhamit,  ku njeriu zhvillon dimensionin e tij religjioz janë ende bosh. Shkollat e universitetet që e bëjnëhomo sapiens janë edhe ato bosh, parlamenti që e bën homo politicon është bosh. Po ashtu, si qenie sociale, ne sot nuk mund as që të takohemi e jo më të tubohemi e të protestojmë. Gjykatat, që na mbajnë gjallë ndjenjën e drejtësisë, nuk funksionojnë. Një pjesë e mirë nuk mund të punojnë për të siguruar vetë punën e gojës dhe presin të marrin ndonjë ndihmë nga shteti ose filantropët etj.. Pyetja që ngrihet është:  deri në çmasë dhe për sa kohë mund të zhvishemi kësisoj në situata të ngjashme si kjo pa vënë në rrezik lirinë?
Idetë që po qarkullojnë sot se shtetet autoritare si Kina janë treguar më funksionalë sesa shtetet demokratike në menaxhimin e kësaj krize janë një rrezik që gjendje të jashtëzakonshme si kjo të kthehen në një mundësi të jashtëzakonshme për shtetin autoritar, që, në emër të mbijetesës sonë, por në fakt për të forcuar sundimin e vet, të na i bëjë ato të zakonshme. Por nuk mungon as frika e dorëzimit të sigurisë sonë tek multinacionalet që dominojnë ekonominë dixhitale, të cilat, në aleancë me shtetin e kontrolluar fuqimisht prej tyre, të na kthejnë në qenie që jetojnë e punojnë gjithnjë e më virtualisht në emër të interesave të tyre.

Shpresat për më mirë

“Është mëkat të çosh dëm një krizë”  u shpreh Stiglitz, duke folur për pandeminë. Nobelisti nuk resht së rekomanduari ndryshimin e kësaj bote. Shpresat se kjo krizë do të na shtyjë të ndryshojmë ndërtohen në idenë se ajo do të na shtrëngojë:
Të kthehemi te primati i politikave vizionare mbi ekonominë e udhëhequr nga syverbësia egoistike e tregut.
Të kthehemi te primati i publikes mbi privaten – veçanërisht përsa i përket shëndetit publik. 
Të kthehemi te shteti social sovran ose krijimi i një shteti social global kundër liberizmit globalist që i ka kthyer shtetet në menaxhues të interesave të pakicës.
Të garantojmë për të gjithë disa të drejta themelore si ajo e shëndetit falas dhe e arsimit falas.
Të ndalim shfrytëzimin e shkalluar të natyrës, prishjen e ekosistemit - ku shumica gjejnë edhe burimin e këtij virusi të ri.
Të marrim masa ndaj ndotjes globale. 
E të tjera.
Të gjitha këto kuptohet se nënkuptojnë rritjen e rolit të shtetit.

Cili shtet? Si? Pse? – dhe rasti shqiptar

Kur bëhet fjalë për atë app-in që mund të instalohet në smartfonët tanë për të na kontrolluar lëvizjet, sipas modelit korean, pyetja shtrohet: cili shtet do t’i ketë në dorë këta aplikacione,  si do t’i përdorë ato dhe pse, për të ruajtur shëndetin tonë apo për të kontrolluar liritë tona? I njëjti parim “cili”, “si”, “pse” vlen dhe për çdo ndryshim në favor të rritjes së fuqisë së shtetit në menaxhimin e jetës sonë. Atje ku shteti është i qytetarëve, me qytetarët, për qytetarët fuqizimi i tij nënkupton fuqizimin e demokracisë, atje ku shteti është i pakicës, me pakicën dhe për pakicën, atje fuqizimi i shtetit nënkupton  fuqizimin e tiranisë.
Se ku pozicionohet Shqipëria në këtë alternativë u bë edhe më e  qartë po të kemi parasysh “Si”-në e menaxhimit të krizës së koronavirusit. Kryeministri i një pakice oligarkësh dhe narkotrafikantësh, që ka shfaqur në mënyrë progresive sjellje të  jashtëzakonshme, i thelloi këto sjellje në kushtet e reduktimit tonë në qenie biologjikë duke thelluar parimin sipas të cilit: atje ku njerëzit reduktohen në dele, lind nevoja e bariut. Shteti nuk është sjellë si bashkëpunues me qytetarët, por si terrorizues e frikësues i deleve. Arma kryesore që ka përdorur ka qenë karantinimi maksimal dhe ndihmat minimale ekonomike, sanitare, psikologjike: rritja e pushtetit të bariut mbi delet.
Në këto kushte e gjithë drama e kësaj pandemie që ka shkundur sistemin neoliberist globalist edhe atje ku ai funksionon më mirë, në Shqipëri nuk ka hapur asnjë debat për si dhe çfarë duhet të ndryshojmë. Gjithçka po reduktohet në propagandimin e një “historie suksesi” – ende pa mbaruar pandemia. Nuk mund të ndodhë ndryshe në një regjim që punon sistematikisht dhe kapilarisht për shndërrimin e elitës intelektuale e mediatike në shërbëtore të propagandës së tij. Nga sa duket qartë prapa ekranit po vazhdon rritja e peshës së parave të pista të krimit në strukturën e pushtetit, forcimi edhe më i pakicës të lidhur gjithnjë e më shumë me qeverinë si dhe varfërimi edhe më i shumicës, një pjesë e mirë e së cilës, në mungesë të aftësisë për t’u organizuar në një opozitë të besueshme, mezi po pret hapjen e kufijve për të emigruar.
Ndryshimet në Shqipëri, për mirë apo për keq, fatkeqësisht kanë ardhur gjithnjë nga jashtë. Kështu ka ndodhur kur ajo u krijua më 1912 (Lufta e parë Ballkanike). Kështu ndodhi kur u çlirua nga regjimi i Zogut dhe u vendos regjimi komunist (Lufta e II Botërore). Kështu ndodhi kur u çlirua nga regjimi komunist dhe u hodhën themelet e këtij narkoshteti (Mbarimi i Luftës së Ftohtë). Dyshoj se kjo pandemi do të sjellë realisht ndryshime pozitive të botës, që të reflektohen edhe në provincën tonë. Ndoshta, për këtë, do të duhet një krizë edhe më e madhe sesa kjo.  Por nëse shqiptarët presin t’i çlirojë bota nga narkoshteti i tyre, që është karikatura më e shëmëtuar e sistemi neoliberist globalist, kjo nuk do të ndodhë pasi, në rastin më të mirë, do të vazhdojnë të mbeten skllevër, siç kanë mbetur deri më tani, dhe, në rastin më të keq, sepse kjo flamë që i ka rënë Shqipërisë, deri atëherë do t’i ketë shfarosur shqiptarët. (Panorama, 13 maj 2020)

Read More......