Thursday, April 19, 2018

Realiteti shqiptar, Freedom House dhe raporti Mogherini

Para disa ditësh mediet tona u përmbytën nga raporti i organizatës Freedom House i cili u interpretua si një raport negativ, pasi fliste për një Shqipëri që ka bërë vendnumëro.
Pas një jave erdhi Mogherini në Tirane dhe na dha lajmin e gëzueshëm se jo, kemi bërë “përparime të dukshme”, qe justifikojnë rekomandimin për hapjen e negociatave me KE.
Por le t’i krahasojmë këta dy  raporte kontradiktore që na vijnë së jashtmi me “raportet” që bëjnë përditë së brendshmi shqiptarët që jetojnë në Shqipëri.
Personalisht, pasi e lexova raportin e Freedom House, arrita në përfundimin  se ai nuk përputhej në shumë pika me realitetin që jetojmë pasi nuk interpretonte drejt disa nga zhvillimet kryesore në Shqipëri, duke e sfumuar mjaft dramacitetin e tyre.
Le te marr disa nga pohimet kryesore të raportit që u lakuan nëpër media.
I pari ishte ai sipas te cilit “përparimi në reduktimin e kanabisit u zhbë nga zbulimi prej organeve të antikrimit italian se ish ministri i brendshëm Sajmir Tahirit ishte i lidhur me një rrjet trafikantësh droge.”
Kuptimi i këtij pohimi është se qeveria dhe kryeministri kanë bërë punë të mira që kanë sjellë përparim në luftën kundër kanabizimit, por këto u zhbënë (edhe si perceptim) kur u zbulua se ministri i brendshme  na  paskësh dalë i lidhur me krimin e organizuar. Po a është vërtet kështu? E vërteta që e dinë edhe vetë aktorët në fjalë është se ajo qe Freedom House e quan “përparim” ishte një aksion propagandistik fasade ne stilin e Edi Rames, (Lazarati) për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve në mënyrë që t’i hapte më lehtë rrugën lazaratizimit të krejt Shqipërisë. Për shqiptarët është e qartë se Sajmir Tahiri nuk u bë ministër i brendshme aksidentalisht, por se u zgjodh nga kryeministri pikërisht si njeri i përshtatshëm për këto punë ashtu sikurse edhe shumë njerëz të tjerë të krimit që Rama i futi në parlament apo në krye bashkish të vendit. Provat për këtë janë të shumta dhe të pakundërshtueshme. Le të përmend rritjen më pas në përmasa të papara të kultivimit të kanabisit, faktin se SHIK-u shqiptar ka informuar kryeministrin e kryeprokurorin për 128 oficere policie te përfshirë në të gjithë vendin ne kultivimin dhe trafikimin e kanabisit dhe ai s’ka vepruar; talljet me akuzat për trafik droge kur aeroplanët që e transportonin këtë i shiste për dezinfektues mushkonjash; mbrojtja ndaj Tahirit nga kryeministri dhe deputetët e tij etj.. Pra, nuk bëhet fjalë për një hap para dhe një hap mbrapa, siç e përshkruan raporti, por për një strategji për të bashkëpunuar me krimin së bashku me Tahirin, të cilin, mmos të harrojmë, e zbuloi prokuroria italiane jo ajo shqiptare, e cila e mbrojti kur u denoncua nga Zagani ashtu siç vazhdon ta mbrojë edhe sot. 
Të njëjtin arsyetim meritojnë edhe dy pohime të tjera të raportit të Freedom House: ai se “lufta kundër korrupsionit mori një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës president, ndërkohë që vetë Edi Rama e ka përshkruar atë më herët si simbol të gjithçkaje që është e kalbur në Shqipëri” si dhe ai se “”zgjedhja e me maxhorancë të thjeshtë e Prokurorit të Përgjithshëm minoi seriozisht besueshmërinë e pavarësisë së prokurorit të përgjithshëm”  duke dëmtuar kësisoj edhe reformën në drejtësi.
Ajo që mungon edhe në këto dy pohime të rëndësishme është shpjegimi se si ka mundësi që edhe paska pasur luftë kundër korrupsionit edhe është zgjedhur si president, nga vetë luftëtarët ndaj korrupsionit, politikani më i korruptuar; se si ka mundësi që maxhoranca edhe paska punuar për të bërë një reformë në drejtësi me gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur edhe zgjedh dhunshëm si prokurore të përgjithshme, pa përfillur frymën e kushtetutës, një figurë që po tregon dita ditës se është një ushtare e bindur e një pale? Përgjigjet ndaj këtyre dy pyetjeve për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri janë shumë të thjeshta: së pari, nuk ka pasur kurrë luftë kundër sistemit të korrupsionit përkundrazi ka pasur avancim të tij, ku njeriu më i korruptuar ka qenë dhe mbetet ai që është në krye të sistemit, kryeministri; dhe, së dyti, zgjedhja në atë mënyrë e prokurores së përgjithshme tregon se qëllimi i vërtetë i reformës ne drejtësi ka qenë heqja e një farë kontrolli që ruante opozita ndaj drejtësisë dhe kapja e saj plotësisht nga maxhoranca për të shantazhuar e intimiduar kundërshtarët si dhe për tu mbrojtur nga akuzat e shumta për korrupsion që kanë arritur nivele të papara. Ngjarjet e fundit në Kukës dhe qëndrimi i Prokurorisë nda tyre ishin vërtetimi më i qartë i këtij qëllimi.
Po ashtu Freedom House flet pozitivisht për zgjedhjet e vitit 2017 duke vënë në dukje mungesën e konfliktualitetit dhe moskontestimin e tyre nga opozita. Por raporti ka harruar të verë në dukje se përpara marrëveshjes Rama-Basha opozita, që ishte në çadër, pretendonte se në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje te lira sepse zgjedhjet do te bliheshin (sipas modelit qe ishte eksperimentuar ne zgjedhjet lokale ne Dibër) nëpërmjet parave të  oligarkisë dhe ato të trafikantëve të drogës të lidhur ngushtë me pushtetin e Ramës.  Dhe situata ishte aq konfliktuale saqë për herë të parë në historinë e këtyre 25 vjetëve opozita nuk donte të hynte fare në zgjedhje. Fakti që Basha u shtrëngua nga ndërkombëtarët apo u josh apo ble nga Rama dhe hoqi dorë nga ky plan dhe hyri në zgjedhje dhe nuk i kontestoi ato nuk vërteton se zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë qenë të blera. Po ashtu mungesa e konfliktualitetit nuk është vetëm shenjë e mirë apo ajo mund të jetë edhe rezultat i komprometimit të opozitës, intimidimit të saj nga branda dhe jashtë si dhe e dobësimit të saj në një regjim ku maxhoranca praktikisht kontrollon gjithçka nëpërmjet lidhjeve së saj me oligarkinë dhe krimin. 
Si një provë tjetër se raporti i Freedom House, megjithëse kritik, nuk pasqyron dramacitetin e degradimit të vendit do të evidentoja  mospërmendjen askund të dy fenomeneve shumë domethënës për realitetin shqiptar: ikjen masive jashtë shtetit të shqiptareve vitet e fundit si dhe rritjen jashtëzakonisht të madhe të krimit të organizuar shqiptar jo vetëm në Shqipëri (ku nuk matet) por edhe në Evropë (ku po matet përditë me shqetësim të madh), pasojë kjo direkt e një procesi degradimi të një ekonomie që po mbeshtetet gjithnjë e më shumë tek parate e krimit. Dhe, sigurisht, me një ekonomi kriminale në rritje, nuk mund të flitet për progres dhe as për demokraci.
E megjithatë ja ku na vjen Mogherini dhe na flet për një përparim të  dukshëm që dukshëm është shpikur në Bruksel. Si ta shpjegojmë këtë shpikje të Brukselit? Një pjesë kanë gjetur përgjigjen më të thjeshtë: se ky raport i rremë është punë e Vllahutinit të korruptuar nga mjeshtri i korruptimit të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve Edi Rama. Të tjerë se kjo punë bëhet për të fshehur dështimin e burokracisë së Brukselit e cila kërkon të mbaje dhe justifikojë vetveten nëpërmjet këtij zgjerimi. Një pjesë tjetër se ky është një vendim gjeostrategjik, sepse përndryshe Ballkani mund të bjerë nën ndikimin rus apo të Erdoganit, çka do të ishte me pasoja për Evropën. Junkeri në mbrojtje të kësaj teze foli edhe për rreziqet që Ballkani të ribjerë në luftëra si në vitet 90. Një argument tjetër është ai se hapja ndaj Ballkanit perëndimor është një strategji e evropianistëve ndaj nacionalizmave në rritje në vendet kryesore evropiane që kërcënojnë projektin evropian. Por këtyre dy argumenteve të fundit iu kundërvu vetë evropianisti Makron sipas të cilit kjo hapje do ta dobësonte më shumë Evropën e bashkuar, e cila, më së pari, ka nevojë të forcohet në kufijtë aktualë, që të mund të hapet më pas.  Arsyet se pse Brukseli ka hartuar këtë raport të rremë mund të jenë të shumta. Arsyeja më pozitive që iu ofrua shqiptarëve të zhgënjyer me këtë raport të rremë është ajo që na ofroi edhe kryetari i opozitës Lulëzim Basha se  futja në ombrellën Evropiane do ta bënte më të mundur luftimin e fenomeneve që rreshtova më sipër. Po a është vërtet kështu? Kjo tezë meriton një debat të thelluar si në Shqipëri edhe në Evropë duke iu referuar edhe përvojave të deritanishme shqiptare dhe evropiane edhe realiteteve që po jetojmë. Personalisht gjykoj se të këqijat e këtij raporti të rremë janë më të mëdha sesa të mirat që mund të sjellë ai nëpërmjet hapjes së negociatave. Argumentet se përse po i le t’i shtjelloj në shkrimin pasardhës. (Panorama, 19 prill 2018)

Read More......

Tuesday, April 3, 2018

Jemi të gjithë kuksianë

Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që, pasi u ka marrë votën duke premtuar ulje të taksave dhe përmirësim jetese, pa përfillur as fjalën e dhënë, as gjendjen e tyre në zgrip të mbijetesës,  as ekspertë, dhe as ligje, e ngre traun e taksave e gjobave sa herë i teket duke u marrë edhe kacidhet e fundit  për t'i ndarë me një grusht oligarkësh të cilëve u jep pastaj të drejtën të ndërtojnë kulla qejfi e pushteti në sheshet publike ku deri dje luanin fëmijët shqiptarë?
Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që sëbashku me oligarkë e tij u vjedh  përditë trashëgimtarëve të ligjshëm dhe shqiptarëve në përgjithësi copa të bregdetit për të ndërtuar atje sarajet e verës së këtyre oligarkëve?
 Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin se të njëjtën gjë bëjnë edhe me lumenjtë e me gjithë pasuritë e përbashkëta që kryeministri dhe oligarkët e tij i shohin thjesht e vetëm si mundësi pasurimi për veten?
Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që, pasi ua merr votën duke u premtuar “zero ndërtime”, pa pyetur as për historinë e tyre as për cilësinë e jetës u ngre pallate përpara ballkoneve e dritareve duke shpëlarë paratë e trafikantëve që e kanë ndihmuar të blejë votën e atyre që s’ua ka marrë dot me mashtrime?
Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që, në bashkëpunim me oligarkët e tij, duke shkelur ligjin, ua rrethon stadiumin me status monument kulture dhe ua shemb përpara syve? Po, kur pas një viti, duke parë suksesin e këtij maskarallëku kërkon të shkatërrojë edhe Teatrin Kombëtar për të ngritur në truallin e tij publik gjashtë kulla medemek si çmim që oligarku i tij të na bëjë një teatër të ri?
Përgjigja e parë (demokratike) është që të flasim e denoncojmë këtë përdorim skandaloz  të shtetit për interesa private, këtë regjim që, me Edi Ramën po shkon dita ditës drejt atij që quhet fashizëm ekonomik, dmth. një regjim ku qeveria “e oligarkëve”, “nga oligarkët” dhe “për oligarkët” po arrin deri në përdorimin e dhunës për të mbrojtur interesat e veta.
Mirëpo, çfarë duhet të bëjnë njerëzit, kur, edhe pasi flasin, përgjigja që vjen nga Kryeministri dhe oligarkët e tij është mospërfillja, denigrimi, shantazhimi, dhuna verbale dhe etiketimi nëpër medjat si plehëra kazani?
Përgjigja e dytë (demokratike) është denoncimi në institucionet e drejtësisë të të gjitha shkeljeve ligjore.
Por, çfarë u mbetet njerëzve të bëjnë kur, edhe pasi bëhen këto denoncime, policia dhe drejtësia nuk veprojnë, sepse kontrollohen nga kryeministri dhe oligarkët e tij ose sepse kryeministri ka sajuar ndërkaq VKM pas VKM-je për të ligjëruar vjedhjet që ka bërë sëbashku me oligarkët e tij?
Një përgjigje gjithnjë demokratike janë protestat paqësore. Të tilla ka pasur jo pak, por kryeministri dhe oligarkët e tij nuk kanë ndalur.  Të shkretët njerëz, që nuk e duan dhunën apo i frigohen asaj, janë përgjigjur duke marrë plaçkat dhe kërkuar azil në masë edhepse nuk jemi në luftë civile e nën bombardime si gjetkë. Mirëpo megjithë sinjalet dramatike që ka dhënë ky ekzod Kryeministri dhe oligarkët e tij nuk kanë reflektuar as një çast për njerëzit që ikin për t'u shpëtuar bombardimeve të grykësisë së tyre, por kanë vazhduar ta ngrenë traun e grabitjes, arrogancës, paturpësisë?
Dhe, së fundi, çfarë u mbetet njerëzve të bëjnë kur shohin se kryeministri nuk mjaftohet me këto, por, duke pasur në dorë të gjitha instrumentet e shtetit që punojnë për të dhe oligarkët, jo për njerëzit, edhe i poshtëron duke i quajtur “dele” e njerëz të tredhur?

Dhe ja ku erdhi ngjarja e Kukësit si reagim i njeriut të grabitur, fyer e poshtëruar që nuk sheh rrugë tjetër daljeje nga gjendje e tij e dëshpëruar përveç asaj fjalës popullore: “Kur mbaron fjala, gjykon palla.” Dihet se pasojat e dhunës janë gjithmonë të rrezikshme sepse dhuna pjell dhunë, por për gjithë sa thashë më lart përgjegjës për dhunën e kuksianëve është dhuna kryeministrore dhe ajo e oligarkëve bashkëpunëtorë të tij, dhuna strukturore e një regjimi fashistoid që ka kohë që po u merr frymën njerëzve. Në gjykimin e kësaj ngjarjeje duhet të ndjehemi të gjithë kuksianë sepse të gjithë në Jug dhe në Veri po e përjetojmë në forma të ndryshme këtë dhunë. Përgjigja e kuksianëve, si e shqiptarëve më të goditur nga taksa grabitqare e Rrugës së Kombit, është edhe përgjigja jonë e munguar për grabitjet që po na bëhen përditë. Ajo është edhe shpresëdhënëse sepse, kurajua e tyre na tregoi se përveç ikjes, nënshtrimit, dhe shitjes së votës  për pesë lekë ka edhe rrugë të tjera për ta ndalur dhunën fashistoide të këtij regjimi, por edhe pse mund të shërbejë si një mësim dhe paralajmërim për çdo qeveritar dhe biznesmen që sillet si këta që na kanë sjellë në këtë gjendje. (Panorama, 2-3 shkurt 2018)

Read More......

Kthim i Berishës apo parti ndryshe

Këtë shkrim për opozitën shqiptare po e filloj me dy kronika të kohëve të fundit që kanë protagonist Sali Berishën.
Kronika e parë është ajo ku paraqitej Sali Berisha në kullën ABA Center, në përurimin e organizuar nga pronari i saj, oligarku Bashkim Ulaj, me rastin e hapjes së televizionit të tij që u mbiquajt CNN-i shqiptar – shoqëruar me komentet e ish kreut të PD-së që, me dy fjalë, tha se ky televizion do të jetë nga ata që do të thonë me të vërtetë të vërtetën.
Kronika e dytë ishte një intervistë e ish ministrit të PD-së Arben Imami që, mes të tjerash, duke përshkruar krizën e PD-së, tha se ne gjendjen ku është katandisur ajo me Lulzim Bashën e vetmja rrugëzgjidhje është rikthimi i Berishës në krye të saj (zgjidhje që nuk e kërkon vetëm Imami).
                                             ***
E vërteta është se kohët e fundit është rritur shumë numri i atyre njerëzve që, pasi ankohen pa fund për mashtrimet, arrogancën dhe korrupsionin e rilindasve, si dhe lidhjen e tyre me krimin, që e ka futur ekonominë në një rrugë tejet të rrezikshme jo vetëm për progresin, por edhe për lirinë dhe demokracinë, e mbarojnë fjalën e tyre duke thënë “po s’kemi opozitë”. Duket sikur, paradoksalisht, sa më shumë përkeqësohet mendimi i njerëzve për rilindasit me Ramën në krye aq më shumë shtohet edhe nënshtrimi i njerëzve përpara kësaj të keqeje. Dhe emri që përmendet si përgjegjësi i kësaj pafuqije është ai i Lulzim Bashës. Dhe ja ku na del në skenë nevoja për rikthimin e të fuqishmit Berishën.
Po a është vërtet kthimi i Berishës një zgjidhje? Gjykoj se të mendosh kështu është një gabim shumëplanësh që fillon nga vlerësimi gabim i krizës së PD - sikur kjo të vijë për shkak të liderit të saj të pafuqishëm. Sepse, pa mohuar rolin që ka energjia dhe karizma e një individi në jetën politike të një vendi dhe pa mohuar kritikat e shumta që Basha i meriton, ta reduktosh gjithë fatin e luftës politike në ndeshjen midis dy liderëve është jo realiste.  Problemi i pafuqisë së PD-së sot nuk është mungesa e një lideri të fortë autoritat që mund të bashkojë opozitën e përçarë kundër një lideri të fortë autoritar siç është Rama në krye të PS-së.  Madje do të thoja se është e gabuar të mendosh edhe se lideri autoritar i tipit Berisha – Rama, që Basha kërkon të imitojë, gëzon simpatinë e shumicës së shqiptarëve. Aq më tepër kur shqiptarët po e shohin këtë autoritarizëm të shfaqet tek Rama në formën më perverse. PD-ja nuk është në krizë për mungesë të një lideri të tillë, por pasi nuk mund të tërheqë dot rreth saj njerëzit që kërkojnë ndryshim. Dhe kjo jo për shkak të paaftësisë apo pafuqisë së Bashës për të përbashkuar PD-në por për shkak të mëkateve të asaj të kaluare që disa duan të na rikthejnë me rikthimin e Berishës.
Dhe këtu po dal tek kronika e parë që përmenda. Vizita e Berishës tek oligarku Ulaj dhe promovimi që i bëri televizionit të tij të ri ishte një sinjal i qartë se Sali Berisha nuk mund të përfytyrojë një lojë tjetër politike përveç asaj që ka luajtur deri tani. Puna është se Shqipërisë sot po ia merr frymën  pikërisht sistemi i përqendrimit të pushteti politik, mediatik, financiar - ekonomik në pak duar politikanësh e oligarkësh. Është ky sistem, dhe jo thjesht Rama që, për të mbijetuar, sot ka futur në politikë dhe ekonomi edhe krimin e organizuar. Nëse Ulaj ka vendosur të ngrerë një televizion edhe më budallai e di se ka vendosur ta bëjë këtë jo për të mirënformuar shqiptarët për të këqijat e këtij sistemi, por për të fuqizuar pushtetin e tij brenda këtij sistemi ndoshta duke parë se sivëllezër të tij me televizone kanë arritur të marrin më shumë. Problemi sot është se fuqia e Ramës qëndron pikërisht në faktin se atyre që kanë ngritur sistemin e grabitjes dhe mashtrimit u duhet në krye një njeri gjithnjë e më mashtrues, sepse, siç tregojnë studiuesit e sistemeve të përfitimit të ngritura mbi mashtrimin, sa më shumë këta bijen në krizë aq më shumë shtojnë dozat dhe format e mashtrimit. Dhe në pikën e aftësisë dhe paturpësisë së mashtrimit Rama ua kalon të gjithëve. Prandaj ta zhvillosh luftën politike me synimin për të marrë rolin e Ramës në krye të tryezës së oligarkëve është jo vetëm e gabuar për të nxjerrë Shqipërinë nga balta por edhe për të nxjerrë PD-në nga opozita.  
Sot nuk kemi nevojë për një rikthim të Berishës në krye të të gjithë mëkatarëve të PD-së, por për një parti (jo thjesht opozitë)  që veprojë e sillet ndryshe: duke denoncuar dhe duke u kthyer kurrizin oligarkëve dhe duke e kthyer fytyrën nga njerëzit që po vuajnë prej tyre. (Panorama, 27 janar 2018)


Read More......