Wednesday, December 22, 2010

Pse refuzohet raporti i Dick Martit




Politika dhe mediat shqiptare shpalosën ndaj raportit të Dik Marti, mbi akuzat për krime në Kosovë dhe Shqipëri nga njerëzit e UÇK, me në krye Hashim Thaçin; një refuzim me një nivel të tillë iracionaliteti, i cili habiti edhe shqiptarët, që sadokudo, e njohin klimën në vend, e le më pastaj të huajt. Do të thosha se po aq sa raporti vetë, edhe ky refuzim përbën një ngjarje që duhet analizuar.
Para së gjithash, le të shtjelloj pse më duket kaq iracionale mënyra sesi u refuzua raporti.
Së pari, ndërkohë që duket qartë se kemi të bëjmë me një raport të shkruar nga një ekip, (madje ka aty edhe një falënderim për ekipin), ai u trajtua sikur të ishte puna e një njeriu të vetëm, i cili pastaj u diskreditua duke u quajtur i sëmurë mendërisht, apo i blerë nga serbët e me radhë. Jo vetëm kaq, por kjo çmenduri vazhdoi edhe kur u pa se raporti u votua me unanimitet nga deputetët e Parlamentit Europian. Gjykoj, se qoftë puna e një ekipi, qoftë votimi nga një parlament i tërë, duhet të mjaftonte për ta ndaluar sadopak turra-vrapin absurd me akuza kundër “armikut të jashtëm”, në bashkëpunim me “armikun e brendshëm”.
Së dyti, paksa të njohësh ato çka shkruhen e thuhen në Shqipëri dhe Kosovë për politikën dhe politikanët, si andej dhe këtej kufirit (madje ato që thonë ata vetë për njëri-tjetrin) del qartë një situatë ku nuk mund të dallohet se ku mbaron aktiviteti kriminal dhe ku fillon shteti. Mjaft të kujtojmë ato çka thoshte vetë Sali Berisha në vitin 2005 për qeverinë paraardhëse, apo ç’thotë opozita shqiptare për Sali Berishën. Apo mjaft të dëgjoje akuzat elektorale në Kosovë ku flitej jo vetëm për korrupsionin e sotëm e krimet e sotme, por edhe për vrasje politike që kanë ndodhur pas luftës në Kosovë, ndaj personash që janë konsideruar si rivalë të UÇK. Edhe kjo vetëdije besoj se duhet të kishte përftuar një lloj reflektimi ndaj akuzave të raportit.
Së treti, nuk do shumë mend për të kuptuar se ky raport nuk është një vendim gjyqësor, por një raport që kërkon të hetohen një sërë akuzash, për të cilat ka disa të dhëna shqetësuese. Për shembull: rezultojnë të zhdukur pas luftës afro katërqind persona, ndër të cilët edhe shqiptarë, por shumica serbë, një pjesë prej të cilëve thuhet se kjo u ka ndodhur në territorin shqiptar. A mund të jemi ne të pandjeshëm ndaj këtij fakti, e të mos kërkojmë të hetohet se pse janë vrarë, cilët janë vrasësit dhe ku mund të ndodhen varret e tyre? Disa nga patriotët tanë mund të thonë: Jo, s’kemi pse të jemi të ndjeshëm, pasi ata kanë qenë armiq që na kanë vrarë apo bashkëpunëtorë të tyre. E megjithatë, edhe atyre mund t’u thuhet se fakti ekziston dhe s’mund të quhet fantazi e Martit. Dhe po ashtu, se s’ka vend në botë që i le pa varr njerëzit e vdekur, cilëtdo qofshin ata (përjashto për fat të keq ndonjë vend si ky i yni që në kohën e Hoxhës i linte pa varr armiqtë e pushkatuar) e se politikanët tanë të sotëm, si këtej dhe andej kufirit, thonë se po na çojnë në Europën e të drejtave të njeriut, që nuk njeh as dënimin me vdekje, e jo më lënien e të vdekurit pa varr.
Së katërti, në raport thuhet se një pjesë prej të humburve dyshohet se u janë hequr organet dhe u janë tregtuar, pasi janë vrarë me plumb pas koke. E kjo, sipas raportit, mund të jetë kryer nga njerëzit e Thaçit në Shqipëri. Akuza është e tmerrshme, sigurisht, gati e pabesueshme, por përsëri një mendje e shëndoshë të thotë që nuk mund të refuzohet mundësia e hetimeve për këtë. Aq më tepër nëse autoritetet dhe ekspertët shqiptarë, së bashku me ata kosovarë, janë të bindur se është krejtësisht e pabazë. Përkundrazi, arsyeja e shëndoshë do që duhet bërë çmos që kjo akuzë të sqarohet një sahat e më parë, pasi, përndryshe, kush thotë se kjo akuzë nuk duhet hetuar, merr mbi shpinë dyshimin se e ka mizën nën kësulë.
Personalisht nuk di se si t’u kundërvihem këtyre katër argumenteve, prandaj e quaj reagimin ndaj raportit krejtësisht iracional.

* * *


Thënë këto, pyetja që ngrihet është se prej nga buron ky iracionalitet, sepse, sikurse thuhet, edhe iracionaliteti ka racionalitetin e vet. Gjykoj, se megjithë kufizimet mendore të njohura të politikanëve tanë dhe servilizmin e nënshtrimin e mediave tona ndaj tyre, ata nuk janë kaq iracionalë sa të mos kuptojnë katër argumentet që kam shtjelluar më sipër. Po atëherë?
E këtu nuk mund të mos ndalesh tek ajo pikë e raportit, që e bën kaq të papranueshëm raportin për shqiptarët. Dhe kjo, afërmendsh është akuza për trafikim organesh, pasi për fat të keq, akuza se vendet e Ballkanit qeverisen nga mafiozë e trafikantë, tashmë është një gjë që s’përbën as lajm. Shih për këtë reagimin e mediave të huaja, të cilat u përqendruan vetëm tek trafikimi.
Pyetja e parë që ngrihet lidhur me këtë akuzë është: nëse janë të bindur se nuk është e vërtetë, pse e pengojnë mundësinë e hetimit shqiptarët e akuzuar, apo mos vallë ka ndonjë mundësi të jetë e vërtetë? Pyetja e dytë është: mos vallë, ndonëse janë të bindur se akuza e organeve nuk është e vërtetë, kanë frikë se hetimi mund të çojë në zbulime krimesh të tjera, që gjithsesi janë të rënda dhe, tek e fundit, do t’i ngarkonte me përgjegjësi penale? E pastaj vijnë disa pyetje të tjera: mirë ata në Kosovë që akuzohen si autorët, po këta në Shqipëri ku e kanë hallin?: se janë lidhur tashmë me klasën politike në Kosovë edhe me interesa, se janë në një farë mënyre të përfshirë edhe vetë në ndonjë nga krimet, apo mos e kanë hallin të tregojnë sesa e duan Kosovën, meqenëse kjo është një nga kartat e vetme që u ka mbetur për ta quajtur veten burra të mirë përpara shqiptarëve - sigurisht me kutin e tyre? Janë pyetje që mbeten të hapura e që do ta mbajnë hapur këtë çështje sipas mendimit tim.
Por analiza e këtij refuzimi nuk mund të ndalet këtu.
Ka një pjesë njerëzish racionalë, shqiptarë dhe të huaj, që kërkojnë ta shpjegojnë këtë refuzim iracional me rrezikimin e mitit të UÇK. Me fjalë të tjera, kemi të bëjmë me skizofreninë shqiptare (dhe jo vetëm) të të jetuarit midis lavdisë së një bote virtuale plot me heronj e trima të lavdishëm dhe mjerimit të botës reale të mbushur me maskarenj. Të tjerë e shpjegojnë me faktin më prozaik, sipas të cilit Hashim Thaçi dhe të tijtë, meqenëse kanë pushtetin, kanë arritur, duke i ngritur edhe monumente vetes, t’u imponojnë njerëzve në Kosovë mitin e tyre, i cili pastaj i shërben pushteti të tyre. Nuk mungon për të shpjeguar këtë refuzim edhe argumenti se kjo akuzë, po të dalë e vërtetë, u delegjitimon shqiptarëve të drejtën për të pasur shtetin e tyre në Kosovë, prandaj duhet hedhur poshtë pa hezitim.
Personalisht, dyshoj se miti i liderëve të UÇK-së, i ndjerë apo i vetëpromovuar, të jetë kaq i fortë midis shqiptarëve në Kosovë, saqë ruajtja e tij të jetë arsyeja pse refuzohet në mënyrë kaq iracionale raporti i Martit. Hashim Thaçi e drenicarët dihet se kanë edhe shumë kundërshtarë në Kosovë, që do të donin t’i shihnin të rrëzuar nga pushteti së bashku me mitin e tyre; kam parasysh LDK-istët, p.sh., që i kanë akuzuar për vrasje të njerëzve të tyre, por edhe të tjerë. Dhe ky argument është në favor të idesë se nuk do të bëhej ‘qameti’ në Kosovë, sikur disa udhëheqës të UÇK të hetoheshin nga EULEX. E për këto janë të vetëdijshëm edhe shqiptarët e Shqipërisë.
Gjykoj, se ndonëse tërë këto argumente shpjegues kanë peshën e tyre, gjithsesi ka një element më të rëndësishëm mitik sesa miti i UÇK, për shpjegimin e  refuzimit iracional të shqiptarëve, për të hetuar mbi këtë akuzë. Sipas meje, ky refuzim ka të bëjë kryesisht me frikën e një njolle në identitet, që do të merrnin shqiptarët sikur kjo akuzë të provohej. Pra, akuza nuk përjetohet si një sulm kundër mitit të UÇK, por kundër imazhit të shqiptarit në përgjithësi, si mit identifikues. Të vrasësh dikë mund të quhet “krim” sipas një kodi njerëzor, mund të quhet “nevojë” sipas një kodi mafioz, mund të quhet edhe “shërbim ndaj atdheut” sipas një kodi nacionalist; kurse t’i heqësh organet këtij të vrari dhe t’ia tregtosh, kjo sikur i kalon caqet dhe i fut autorët në kategorinë e atyre që quhen “monstra”, të cilët dalin jashtë çdo kodi. Me këtë akt, sikur arrihet “e keqja absolute” siç quhet Holokausti, ajo që të ndan nga raca njerëzore. Këtu është problemi kryesor që hap raporti “Marti”, do të thosha unë. Mbas serbëve që identifikohen me Srebrenicën do të dilnin disa monstra edhe më të këqij se këta, shqiptarët, që jo vetëm vrasin njerëz të pafajshëm, por edhe u tregtojnë organet. Në fakt, është një krim që nuk e kemi dëgjuar të bëjë pjesë në historinë tonë dhe të popujve të tjerë të Ballkanit, e prandaj na frikëson si identitet. Reagimi ndaj tij është i njëjtë me atë që kemi kur dëgjojmë për dikë të bëjë një krim të paparë, autorit të të cilit menjëherë i vëmë epitetin “monstër”, si për të thënë se ne, si njerëz, s’kemi asgjë të përbashkët me të. E këtu s’bëhet fjalë për ndonjë monstër dosido, por për njerëz që i kemi përfaqësues të të tërëve. Atëherë, më mirë të mos lejojmë të hetohet kjo, sepse po të dilte e vërtetë, do të njolloseshim të gjithë. Dhe kështu, ata që e pengojnë hetimin automatikisht bëhen mbrojtësit tanë, kurse kush e kërkon hetimin, armiku ynë.
Për mua, pa mohuar faktorët e tjerë, është ky faktor që e bën kaq iracional dhe njëherësh kaq përbashkues mes shqiptarëve refuzimin e raportit “Marti”. Dhe ndonëse e kuptoj, nuk mund ta pranoj një iracionalitet të tillë. Gjykoj se kjo frikë për të njohur përbindëshin brenda nesh është iracionale dhe tregon papjekuri. Dihet se lufta e kthen njeriun në një përbindësh. Dihet se edhe etja e shfrenuar për para, e kombinuar me injorancën, e kthen atë në një përbindësh. Mendo pastaj bashkimin e të dyjave. Madje, kemi dëgjuar se në kushte “normale”, në vende “normale” janë zbuluar klinika, ku njerëzve u bëhen operacione të panevojshme për para. Kemi dëgjuar edhe se rrëmbehen fëmijë për trafikim organesh dhe është e vështirë të përcaktosh se cili është më monstër: rrëmbyesi barbar që e sheh njeriun si një copë mishi për ta shitur, apo i qytetëruari, që paguan e pranon të transplantojë organe, burimi i të cilëve është i paidentifikuar. Këto nuk i them për lehtësim përgjegjësie, por për të ndihmuar racionalitetin. Akuza është e rëndë sigurisht, por refuzimi për hetimin e saj është edhe më e rëndë, pasi është njëlloj sikur ta mbajmë përbindëshin brenda nesh, në vend që ta nxjerrim jashtë e dënojmë. Ky refuzim na bën bashkëfajtorë të gjithëve dhe besoj se shumica e shqiptarëve nuk duan të ndihen të tillë në këta krime. E jo vetëm, por të jetosh me dyshimin se ke në krye të vendit kriminelë të këtij kalibri, do të thotë për çdo shqiptar të jetojë i kërcënuar, pasi sikurse ka thënë Davidi dhjetëmijë vjet para Krishtit “Abyssus abyssum invocat” (humnera ndjell humnerën). 
(Panorama, 22 dhjetor 2010)

Read More......

Tuesday, December 21, 2010

Wikileaks dhe Dick Marty



Në Shqipëri është folur më pak se kudo për WikiLeaks, por është folur e debatuar megjithatë mbi kundërthëniet e aktit të Assange. Të tjera dokumente që pritet të dalin edhe mbi Shqipërinë ndoshta do ta rindezin debatin, por ky tashmë është eklipsuar nga raporti i Dick Marty-t me akuzat mbi krimet e UÇK-së, me në krye Hashim Thaçin, në mbarim të luftës në Kosovë, si dhe mbi kapjen e shtetit nga krimi i organizuar atje, ashtu sikurse edhe për mosbashkëpunimin e qeverisë  shqiptare për hetimin e akuzave ndaj Thaçit e njerëzve të tij. Të dy ngjarjet duken si krejt pa lidhje me njëra-tjetrën, por kanë disa pika interesante kontakti, sipas meje.  Së pari, pasi të dyja kanë të bëjnë me informacione që i jepen publikut mbi atë se çka bëjnë të pushtetshmit, ndonëse debati mbi Assange është më i komplikuar, do të thoja, pasi veprimi i tij nuk vjen nga institucione në pushtet që japin informacion mbi pushtete të tjera, si raporti i Dick Marty-t. Së dyti, kanë lidhje me njëri-tjetrin, sipas meje, sepse ato që ka zbuluar Assange, në një farë kuptimi na tregojnë se çfarë ndodh në prapaskenë derisa gjërat dalin në skenë, siç doli Marty, por edhe pse nganjëherë ato nuk dalin asfare në skenë.
Personalisht bëj pjesë ndër ata që, ndonëse njohin faqet e rrezikshme të aktit të Assange, e konsiderojnë pozitive punën e WikiLeaks, pasi e shoh si një akt që e ndihmon demokracinë, duke u dhënë më shumë pushtet njerëzve në kontrollimin e përfaqësuesve të vet. Tek e fundit, demokraci do të thotë pushtet i popullit dhe, nëse pranojmë se një instrument i rëndësishëm i pushtetit është zotërimi i së vërtetës, atëherë në sa më shumë mendje të jetë e vërteta, aq më shumë demokraci kemi; kurse në sa më pak mendje të jetë kjo, aq më pak demokraci kemi. Thënë kjo, duhet shtuar se, sigurisht, ashtu sikurse ndodh me demokracinë në përgjithësi, kjo situatë nënkupton edhe më shumë kompleksitet, prandaj dhe më shumë vështirësi menaxhimi - shpesh ky menaxhim krahasohet me atë si të bësh muzikë me një orkestër dhe jo me një instrument të vetëm. Dikush do të thotë se një shtet si SHBA-ja nuk mund të konsiderohet si një shtet që vepron kundër interesave të popullit të vet, prandaj s’ka pse të zbulohen gjëra që ai shtet, për të mirë të popullit të vet, i gjykon se duhet të jenë sekrete. Ashtu është, por edhe s’është. Së pari, pasi duket ende e largët, në mos e paarritshme, dita kur shtetet do të realizojnë atë idealin kur të konsiderohen se gëzojnë besim të plotë për të mos u kontrolluar nga qytetarët e tyre. Ndoshta ai lloj shteti do t’i përkiste një tjetër lloj sistemi nga ky që sot e quajmë demokraci, e cila është e bazuar mbi qasjen antropologjike që e konsideron njeriun si të papërsosur, madje me prirje për të abuzuar me pushtetin, prandaj dhe duhet kontrolluar. Së dyti, pasi botimi i këtyre dokumenteve edhe pse mund të jetë kundër interesave të shtetit e popullit amerikan, mund të jetë në favor të interesave të popujve të tjerë, pasi dihet përsëri se nuk e kemi arritur ditën kur të gjithë shtetet të punojnë në harmoni me njëri-tjetrin për të mirën e të gjithë popujve të tyre. Ka pasur jo pak raste kur interesat e shtetit amerikan, që mund të kenë qenë (por edhe mund të mos kenë qenë) edhe të popullit amerikan, mund të jenë përputhur me interesat e pushtetarëve të vendeve të tjera, por jo me interesat e popujve të këtyre vendeve.  
Këto konsiderata të përgjithshme mbi WikiLeaks i kam shprehur edhe më parë me median elektronike dhe nuk do të isha ulur të shkruaja sikur rasti të mos më sillte të lexoja një faqe të tërë të “Le Monde” me titull “Diktatura dhe Mafia e Azisë Qendrore” (14 dhjetor 2010), që u referohej materialeve të nxjerra nga WikiLeaks, i cili më tërhoqi vëmendjen në mënyrë të veçantë e më bindi edhe më fort për dobishmërinë e kurajos së Assange. Dhe nuk është se e nxora këtë përfundim pa lidhje me realitetin shqiptar. Përkundrazi, pikërisht në lidhje me të, madje dalja e raportit të Marty-t në të njëjtën kohë sikur ma ilustroi atë që po mendoja.
Le të shpjegoj me pak rreshta se çfarë shkruante “Le Monde” bazuar mbi dokumentet e WikiLeaks:
Fillonte me materiale të Ambasadës Amerikane në Baku të Azerbajxhanit. “Interlokutor qendror dhe prioritar për SHBA-në”  e cilëson ambasadori në një dokument të vitit 2008 këtë vend; “aleat në luftën kundër terrorizmit”, “partner vendosmërisht laik dhe pro amerikan në një zonë të kërcënuar nga islami radikal”. Por, vini re, nga ana tjetër, ai raporton edhe për mungesë të demokracisë dhe korrupsion e abuzime të mëdha të pushtetit në Azerbajxhan. Në një telegram të vitit 2009, ambasadori flet për presidentin Ilham Aliev, duke e quajtur Majkëll Korleone (padrinoja i famshëm i filmit me famë) për të cilin thotë se me të huajt paraqitet si një kozmopolit, kurse brenda vendit po bëhet gjithnjë e më autoritar. Në dokumentet për Uzbekistanin, protagoniste na del e bija e Presidentit të vendit, Karimova: “një person i etur për para e për pushtet, që përdor të atin për të shkatërruar biznesmenët e tjerë që i dalin në rrugë.” Lidhur me Kazakistanin, ambasadori amerikan atje raporton një bisedë që ka bërë gjatë një darke kokë më kokë me një drejtues të lartë kazak, i cili i ka thënë: “Kapitalizmi - siç e quani ju ekonominë e tregut - do të thotë shumë para. Dëgjomëni mua, të gjithë ata që kemi lart janë të marrë fund. Janë të marrë fund për shkak të mentalitetit sovjetik që kanë; janë të marrë fund edhe për shkak të teprimeve korruptive të kapitalizmit. E dini ç’thonë? Përderisa edhe ata të Goldman Sachs fitojnë 50 milionë dollarë në vit dhe udhëheqin pastaj ekonominë amerikane, ç’ndryshim ka me këtë që bëjmë ne këtu?” Kurse lidhur me Kirgistanin, “Le Monde” shkruan se atje ka një bazë amerikane në të cilën rifreskohen trupat e Afganistanit. Aty ka pasur trazira të mëdha kohët e fundit, që kanë sjellë edhe vdekjen e shumë personave, për të cilat është akuzuar edhe i biri i presidentit Bakiev, një njeri i fuqishëm në vend. Ambasadorja amerikane ha një drekë të përzemërt me këtë njeri, gjatë së cilës ky i flet për makinacionet e rusëve  - sipas lojës që ka bërë edhe i ati për të përfituar nga të dy palët. Por ambasadorja nuk e ha sapunin për djathë: “Malinj i shkolluar mirë” e quan këtë personazh në raportin që dërgon, por ndërkaq shkruan: “Nëse marrëdhënia me këtë njeri do të trajtohet me kujdesin e duhur, ne mendojmë se mund të nxjerrim përfitime prej saj” - paçka se në analizat që i dërgohen Departamentit të Shtetit shkruhet edhe se “korrupsioni i gjithëpërhapur në të gjitha nivelet e qeverisjes është pengesë për zhvillimin ekonomik.”
Mua më duket se mjafton një “NO COMENT” për t’i mbyllur këto radhë. Besoj se nuk ka shqiptar në Shqipëri e në Kosovë - nuk e kam fjalë për ata që janë në pushtet, por për shumicën që vuan prej pushtetit - që, duke lexuar këto që shkruan “Le Monde”, mbështetur mbi dokumentet e WikiLeaks, të mos nxjerrë përfundime të mençura për vendin e vet dhe të mos falënderojë për këtë edhe guximin e Assange. (Panorama, 18 dhjetor 2010)

Read More......

Saturday, December 18, 2010

Mbi lëvizjen studentore dje dhe sot

Me rastin e përvjetorit të lëvizjes studentore të dhjetorit 1990 është hapur një diskutim - më shumë nëpërmjet internetit sesa në mediat elektronike e të shkruara, - që ve në diskutim çështjen nëse lëvizja studentore lindi spontanisht apo ishte një lëvizje e manipuluar apo instrumentalizuar nga të tjerë. Më tërhoqi vëmendjen artikulli i Shinasi Ramës, një ndër protagonistët e asaj lëvizjeje, i cili zhvillonte idenë se lëvizja studentore u manipulua dhe u stimulua nga regjimi i cili kishte dëshpërimisht nevojë për ndryshime (sipas gjithë të dhënave pasi nuk mund të mbijetonte më ekonomikisht) e, meqënëse nuk pati shumë sukses me intelektualët pseudodisidentë të takimit me Ramis Alinë, të cilët ishin shumë të trembur, vuri në lëvizje studentët. Por artikulli nuk kishte ndonjë dokument apo dëshmi të re të zbuluar, ishte thjesht një opinion mbështetur në kujtimet e autorit, ashtu sikurse ishin të tilla edhe përgjigjet e atyre që i mëshonin mitit tashmë të krijuar mbi atë lëvizje si një nga momentet e lavdishme të rinisë studentore shqiptare.
Për historinë thuhet se nuk është shkencë ekzakte që shkruhet në mënyrë objektive pasi gjithmonë në të ka një aspekt subjektiv; se atë e shkruajnë fitimtarët e se, se po ta shkruanin luanët e jo gjahtarët e tyre, do të ishte ndryshe. E megjithatë, ekzistojnë disa të vërteta që nuk mund t'i mohojnë asesi historianët. Janë ato që mund të quhen të vërteta faktike, që provohen me dokumente apo me dëshmitarë ngjarjeje të cilat sigurisht mund të kenë interpretimet e tyre, por që gjithsesi janë fakte. Ndërkaq ne, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, nuk jemi në fazën e shkrimit të historisë lidhur me këtë epokë të afërt, (e jo vetëm) por në atë të memuaristikës, e cila është shumë më subjektive, shumë më e ngarkuar me emocionet e të sotmes, pasi ajo është pjesë e jetës së të sotmes, e manipulimeve, politizimeve, interesave të caktuara të individëve apo të grupve të ndryshme, që e tregojnë apo mbajnë mend ndryshe të njëjtën ngjarje. Madje që edhe i mbitheksojnë apo i fshehin disa fake.

Personalisht kam qenë në burg ato kohë dhe nuk mund të them asgjë lidhur me atë nëse dritat në konviktet e studentëve në atë dhjetor u fikën nga dikush në mënyrë që të fillonte instrumentalizimi (një pjesë thonë nga pushteti, por ka edhe që thonë nga të huajt) apo ndodhi që u fikën vetë për t'u bërë kësisoj pika që derdhi kupën e revoltimit të studentëve tanë. Pa dyshim i kam dëgjuar më pas të dy versionet dhe kam pikëpyetjet e mia. Mungesa e dëshmive të sinqerta të gjahtarëve të asaj kohe e vështirëson këtë punë. Kësisoj, sot për sot mund të them se mbetem në dyshim, por, në rrekjen për t'u dhënë përgjigje këtyre pikëpyetjeve, gjykoj se është e arsyeshme të ngrihet edhe kjo pyetje: A mund ta kërkojmë të vërtetën e një ngjarjeje të së kaluarës, të cilën nuk e kemi jetuar, duke u nisur nga ajo që shohim të kenë bërë më pas protagonistët e saj; apo kjo mund të na çojë në përfundime të gabuara pasi një akt i mëparshëm dhe një akt i mëvonshëm i një njeriu apo grupi njerëzish nuk mund të jenë shprehje e të njëjtit thelb, pasi edhe vetë ata mund të ndryshojnë? Për shembull: a mund të gjykojmë se çfarë kanë qenë e si janë motivuar komunistët gjatë luftës Nac-Çlirimtare duke u nisur nga diktatura që ndërtuan më pas? Ose, le të vijmë pak më pranë dilemave që ngre një ngjarje si ajo e studentëve. Ne kemi një numër personazhesh nga ata që kanë inspiruar apo drejtuar lëvizjen studentore të cilët janë debatur mjaft lidhur me të kaluarën e tyre në periudhën komuniste. Është debatuar shumë psh. për Kadarenë - i cili thuhet se me ikjen e tij e përshpejtoi lëvizjen studentore në vitin 90 - nëse ka qenë apo jo kundërshtar i  regjimit. Pyetja që po shtroj është: a mund të gjykojmë nga fakti se si është sjellur ky në këta njëzet vjet tranzicion në raport me të pushtetshmit e pas komunizmit, si Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta apo Edi Rama, për të thënë nëse ka qenë apo jo disident në kohën e Hoxhës e për të nxjerrë natyrën e ikjes së tij në Francë? E njëjta pyetje mund të shtrohet për Sali Berishën. A mund të gjykojmë nga sjelljet e Sali Berishës në pushtetin pas komunist për atë nëse ky ka qenë komunist i moderuar liberal, siç deklaroi edhe disa ditë më parë, apo nga ata që në vitet ‘70 grisnin pantallonat e studentëve siç e akuzojnë të tjerë, për të kuptuar, kësisoj, edhe bashkimin e tij me studentët më 1990? Po Edi Ramën, a mund ta gjykomë nga sjelljet e tij të mëpasshme ndaj ish kryeministrave që e kanë pasur në vartësi për të thënë nëse ka qenë një njeri që i vardisej bllokut për t'u ngjitur lart, siç thonë disa, apo një rebel brenda familjes komuniste siç thonë të tjerë, që të kuptojmë më mirë edhe angazhimin e tij në atë kohë?

Duke e ekstrapoluar pyetjen nga individi tek grupi ajo mund të shtrohet kështu: a mund të gjykojmë nëse lëvizja studentore ishte spontane apo e manipuluar duke u nisur nga ajo që pamë të bëjnë më pas shumë nga protagonistët e saj, madje në këtë rast edhe duke parë se si sillen studentët e sotëm?

Më duhet të them se ky refleksion nuk më lindi thjesht duke ndjekur debatet mbi lëvizjen studentore të 90-tës, por edhe duke parë studentët londinezë që i vunë flakën Londrës gjatë protestave të fundit kundër rritjes së kostos së studimit. Pyetja që më lindi duke parë ata që herë pas here i shoh të veprojnë kështu ishte: a mund të ndodhë që një traditë studentore e zjarrtë të shuhet pa lënë gjurmë, aq sa sot nuk i shkon ndërmend kujt se studentët tanë mund të bëhen protagonitë ndryshimi në këtë vendin tonë? Dhe kërkimi i përgjigjes së kësaj pyetjeje afërmendsh nuk mund të mos më çonte tek ideja se ajo lëvizje ka qenë e manipuluar nga të tjerë. Por deri në një farë pika ama, se po të ishte se studentët mund të manipulohen sa herë t'ua dojë qejfi manipulatorëve atëhere do të kishim edhe sot greva urie studentësh.

E vërteta pra është komplekse. Njerëzit në zgjedhjet e tyre mund të kryejnë akte të mira ose të këqija, ata janë akti i tyre në momentin e dhënë, nuk se kanë një thelb të tyrin të keq apo të mirë - thonë ekzistencialistët. E vërtetë. Por është po ashtu e vërtetë se shpesh këto zgjedhje  nuk janë të lira, por të kushtëzuara apo determinuara nga një ambjent ku jetojmë, nga një kulturë me të cilën jemi rritur e formuar gjithashtu - do të kundërpërgjigjeshin strukturalistët.
E vërtetë edhe kjo.  Nuk e mohojmë dot se shumë zgjedhje që bëjmë në jetë janë produkt i një presioni të opinionit apo të kodeve morale me të cilët  jemi edukuar. Tek e fundit edhe historinë për këtë duam ta njohim që të mund të kuptojmë më mirë këta kode e këtë kulturë që na ka drejtuar e ndoshta vazhdon të na drejtojë për mirë a për keq.

Nuk po shtyhem më tej në filozofimin mbi këtë kundërthëne. Me dy fjalë, ashtu sikurse gjykoj sot me këtë mendjen time, që më thotë se vërteta nuk është kurrë e thjeshtë dhe as e pastër (Oscar Wilde), e që pa dyshim, ka limitet e veta të njohjes, më rezulton se kundërthënia midis njeriut të lirë për të zgjedhur dhe njeriut të kushtëzuar nga ambjenti e kultura kur zgjedh e vepron nuk zgjidhet, por jetohet ashtu sikurse edhe ajo midis njeriut si qënie individuale dhe njeriut si qënie sociale. Vetëm duke e jetuar, jo duke e zgjidhur këtë kontradiktë, mund të jemi më afër asaj që quhet liri, kurse, nëse tentojmë ta zgjidhim duke vendosur për njërën apo për tjetrën mund ta humbasim lirinë tonë. Me fjalë të tjera, ajo çka mund të bëjmë sot mund të jetë rezultat i një personaliteti të formuar në një ambjent dhe kulturë të dhënë, çka mund të quhet një thelb i krijuar i yni gjatë jetës, por mund të jetë edhe akt rebelimi ndaj këtij ambjenti dhe asaj kulture, çka tregon se ky thelb nuk është i gjithpushtetshëm dhe se ne dijmë ta distancojmë veten tonë prej tij. E kjo  aftësia për t'u distancuar nga pushteti i një kulture të dhënë në një kohë të dhënë, për ta parë atë me sy kritik, edhe për ta mohuar, bëhet edhe ajo kulturë që zhvillohet përditë duke u ndare me te tjeret e duke na e rritur gjithnjë e më shumë lirinë si individe  për ta ndryshuar ate vete neser dmth. edhe boten.

E çfarë mund të themi për studentët tanë të djeshëm dhe të sotëm pas gjithë kësaj? Se kjo kulturë ne na ka munguar shumë e vazhdon të na mungojë. Sjelljet e mëvonshme të studentëve të dhjetorit 90 dhe ato të pasardhësve të tyre më bëjnë të mendoj më shumë se ata kanë qenë të manipuluar me teknikat e kulturës së vjetër sipas së cilës rinia është levë e partisë, çka do të thotë se nuk kanë qenë të lirë e autonomë në zgjedhjen e tyre në kuptimin që i dhashë më sipër lirisë. Fakti që edhe lëvizje të mëvonëshme rinore si Mjafti psh. u iniciuan nga të huaj dhe u instrumentalizuan nga partia e të rriturve, tregon për mbizotërimin e kësaj kulture të vjetër që determinon veprimet e rinisë sonë. Që të kemi lëvizje studentore autonome, të painstrumentalizuar nga një autoritet superior ne na duhen shembuj individësh apo grupe individësh që të jenë të aftë që me vullnetin e tyre të lirë të sfidojnë kulturën e vjetër që i kushtëzon të mbeten leva të partisë e po ndodhi kjo këta do të çelin nesër kapituj të rinj në kulturën tonë që do t'ua lenë trashëgim brezave më të rinj në mënyrë që edhe shoqëria jonë të fillojë të shpresojë tek rinia. (Panorama, 15 dhjetor 2010)

Read More......

Friday, December 10, 2010

Pa përgjegjësi s'ka solidaritet

Gjatë këtyre ditëve të përmbytjes, mazhoranca në pushtet, kryesisht PD, por me një rol mjaft aktiv të LSI-së, i ka mëshuar shumë, nëpërmjet zëdhënësve të ndryshëm, një retorike sipas së cilës duhet të ndjehet fajtor cilido, që në vend se të ndiejë keqardhje të sinqertë për të përmbyturit e të solidarizohet me të gjithë ata, që me në krye qeverinë po merren me aksionin e ndihmës ndaj tyre, gëzohen thellë- thellë për këtë që ndodhi, pasi kështu mund të bëjnë namin kundër qeverisë, duke theksuar përgjegjësitë e saj. “Politizim i fatkeqësisë” e quajnë. Kryesisht këto akuza i drejtohen opozitës, por nuk mund të mos ndihet presioni edhe ndaj zërave të tjerë, tek të cilët fus edhe veten.
Mirëpo le të imagjinojmë për një çast se çfarë do të ndodhte sikur në gjithë këtë “fatkeqësi” - të stërparalajmëruar sipas meje -  të mos dëgjonim asnjë fjalë nga aktorët politikë e mediatikë, për përgjegjësitë e maxhorancës. A nuke do të tingëllonte si shumë komuniste kjo: të gjithë nën udhëheqjen e partisë të mobilizuar për kapërcimin e fatkeqësisë. Jam i bindur se kësisoj do të mbetej e papërfaqësuar ajo pjesë e madhe e popullsisë, që e shikon me ndjenjë revoltimi ndaj politikës këtë përmbytje. Maxhoranca duhet ta dijë se njerëzit janë të revoltuar, shumë të revoltuar. Dhe jo thjesht e vetëm për atë që nuk është bërë në Shkodër, por sepse tek ajo që nuk është bërë në Shkodër njerëzit shohin edhe atë që nuk është bërë ndaj pritshmërisë së tyre. Dhe këtë revoltë e bën edhe më të fortë fakti se, më anë tjetër, shohin politikanët tanë të tunden e shkunden nëpër televizore duke folur për suksese, ndërkohë që thjesht pasurohen e majmen duke projektuar buxhete për t’u pasuruar e majmur edhe më tej. A kanë ata të drejtë të na flasin për solidaritet, kur me tërë sjelljen e tyre morale dhe politike kanë treguar se nuk e njohin këtë fjalë? Në këtë kuptim ndihen të përmbytur shumica e shqiptarëve: edhe pensionistët që jetojmë nën kufirin e varfërisë, edhe ish të persekutuarit, të cilëve nuk u është dhënë dëmshpërblimi i premtuar, edhe pedagogët e universitetit që nuk kanë marrë ende rrogat që u takojnë, edhe ata që e kanë gjithnjë e më të vështirë të gjejnë punë pa qenë militantë partiakë, edhe ata që vazhdojnë të paguajnë ryshfete të majme nëpër administratë për të zgjidhur punët e tyre, edhe ata që po u falimentojnë bizneset për shkak të klientelizmit të pushtetarëve, edhe ata që duhet të paguajnë nën dorë nëpër spitalet që janë në gjendje mizerabël, e me radhë e me radhë...
Pra, ndjenja e revoltës, ndjenja e nevojës për të ndëshkuar përgjegjësit njerëzorë të përmbytjes është shumë e fortë këto ditë dhe të kërkosh të mos shprehet ajo në emër të solidaritetit, është të refuzosh çdo lloj përgjegjësie, madje do ta quaja edhe një formë dhune verbale. Janë të gjalla si sot imazhet e  Gërdecit. Edhe shpërthimi i tij vrastar u tentua të shitej si fatkeqësi, si pakujdesi e ndonjë individi, madje atje pamë edhe solidaritetin e Edi Ramës me Sali Berishën. Por shumë shpejt doli se përgjegjësitë ishin të mëdha dhe se solidariteti paskësh qenë me baza kriminale, pasi autorët e shpërthimit ishin bashkëshokë të maxhorancës dhe të opozitës bashkë. Prandaj, ata që mendojnë apo kanë menduar se mund t’u krijojnë njerëzve një realitet tjetër virtual, nëpërmjet një imazhi solidariteti, krejt pa lidhje me atë që jetojnë, duhet të dinë se pikërisht në ditë të tilla, kjo perde bie për ta nxjerrë krejt lakuriqësinë e mbretit dhe të oborrtarëve të tij.
Sigurisht, duke pasur parasysh edhe Gërdecin, nuk mund të mos ngresh pyetjen: a ka ndonjë dallim midis atyre që ndihen të revoltuar, sepse kërkojnë ndryshim, sepse kërkojnë të dalin përgjegjësitë, në mënyrë që tragjedi të tilla të mos përsëriten dhe atyre që kërkojnë ta instrumentalizojnë këtë revoltë për qëllime pushteti, e që pastaj, sapo hipin në karrige, harrojnë ndryshimet e premtuara, harrojnë edhe emrat e atyre që kanë akuzuar (apo thonë se i kanë akuzuar thjesht e vetëm për qëllime elektorale)?  Pa dyshim ka. Dallimi kryesor është se shumica e të revoltuarve të kësaj përmbytjeje, që mban mbi kurriz një mori mashtrimesh nga të dy palët, nuk bën ndonjë dallim të madh midis maxhorancës dhe opozitës, si përgjegjës kryesorë për fatkeqësitë e vazhdueshme. Shumica janë të vetëdijshëm se opozita lufton thjesht e vetëm për të ndryshuar shoferin e të njëjtës makinë, që do të vazhdojë të njëjtën rrugë drejt përmbytjes së radhës.
E megjithatë, kjo s’do të thotë se maxhoranca në pushtet s’paska nevojë të dëgjojë të flasë njeri për përgjegjësitë e saj, në emër të solidaritetit. Po ashtu, kjo s’do të thotë se ajo s’ka nevojë të dëgjojë, qoftë edhe nga zëri i opozitës, propozime se çfarë duhet bërë, si ato që ajo artikuloi këto ditë: se duhet riparë buxheti i vitit 2011, se duhen adresuar disa fonde për parandalimin e përmbytjeve, se duhet miratuar një moratorium minimalisht tre vjeçar për mosshfrytëzimin e shtretërve të lumenjve dhe të pyjeve, se duhen bërë ndryshime në Kodin Penal për veprat e dënueshme lidhur me cenimin e pyjeve, të lumenjve dhe mjedisit; se duhen ngritur struktura shkencore që do të studiojnë çfarë duhet bërë për të parandaluar kthimin e mëtejshëm të vendit në kënetë.
E vërteta që vonon por s’harron, e që shpesh e gjen mënyrën për të dalë në dritë edhe nëpërmjet punësh të mbrapshta, është e mira të mos vonojë aq shumë, pasi sa më të mëdha vonesat, aq më të mëdha dëmet. 
E këtu duhen thënë dy fjalë për dy mungues të mëdhenj në këtë sistemin tonë politik, që vetëm demokraci s’më bën zemra ta quaj. Mund ta quajmë edhe përmbytjekraci. E kam fjalën për pushtetin mediatik dhe pushtetin gjyqësor. Sikur të funksiononin ata, siç duhet të funksionojnë në një demokraci dhe jo siç funksionojnë në këtë përmbytjekraci, ne nuk do të kishim përmbytje të tilla si ajo e Shkodrës dhe as si ato të tjerat që përmenda. Sepse, tek e fundit, problemi ynë nuk është se nuk e dimë se cilët janë përgjegjësit e përmbytjes, madje këtë e dinë edhe vetë përgjegjësit, problemi ynë është se nuk i kemi këta dy instrumente për t’i vënë përpara përgjegjësisë ata, pasi ai i medias s’ka kredibilitet, sepse konsiderohet në shërbim të njërës apo tjetrës parti politike, kurse ai i gjyqësorit ia ka harruar emrin politikanëve në pushtet. Sikur këta të kishin njohur e gjykuar përgjegjësitë, atëherë do të kishim edhe më shumë solidaritet. (Panorama, 10 dhjetor 2010)

Read More......

Friday, December 3, 2010

Fatkeqësi, por jo natyrore


Kur përmbytet Tirana nga shirat e rrëmbyeshëm kemi dëgjuar shumë shpesh përfaqësues të maxhorancës dhe media afër saj të deklarojnë se kjo vjen për shkak të papërgjegjshmërisë të kryebashkiakut socialist, që s’ka bërë kanalizime, që ka betonizuar kryeqytetin, që merret me lejet e veta të ndërtimit etj., etj. Nga ana e vet përfaqësuesit socialistë që qeverisin Tiranën s’kanë marrë kurrë ndonjë përgjegjësi për këto përmbytje, por ia kanë lënë gjithherë, me heshtje apo me prononcime, fatkeqësisë natyrore. Tani që po përmbytet Shkodra dëgjojmë se kjo maxhoranca e përgjegjësive njerëzore në Tiranë po na thotë se përmbytja e Shkodrës është fatkeqësi natyrore dhe, nga ana tjetër, dëgjojmë opozitën e fatkeqësive natyrore në Tiranë të akuzojë se kjo e Shkodrës është papërgjegjshmëria e qeverisë së njerëzve të korruptuar.

Po ç’thonë njerëzit për këtë përmbytjen e fundit si vazhdë përmbytjesh? Që kjo e Shkodrës nuk është fatkeqësi thjesht natyrore e provon fakti se përmbytje në Shkodër po kemi përvit tashmë. Fatkeqësia, kur bëhet e përvitshme, nuk quhet natyrore, por e paralajmëruar, e për kësi fatkeqësish merren masa. Njerëzit që kanë pak kujtesë thonë edhe se, ndërkohë që hidrocentralet janë ndërtuar që në kohën e regjimit, nuk kemi parë apo dëgjuar asokohe për përmbytje të tilla. Pra, diçka “njerëzore” bënte asokohe regjimi, që s’kishte të tilla “fatkeqësi natyrore”. E këto “diçkara njerëzore” duhen bërë përsëri, madje shumë më mirë dhe jo të mos bëhen fare. E dyta që thonë njerëzit e thjeshtë është se, nëse ka njerëz që kanë ndërtuar në vende që parashikoheshin si zona rreziku, shteti duhet të kishte gjetur me kohë  mënyrat për t’i zhvendosur këta në mënyrë që të mos dëgjonim më për gra që mbeten të izoluara dhe u vdes fëmija në bark, për barka të improvizuara shpëtimi apo evakuime urgjente me mobilizim të ushtrisë në zona të tilla. Taksapaguesi shqiptar ka të drejtë të thotë se nuk jep asnjë lek ndihmë më për raste të tilla.
Mirëpo, teksa bëjmë këto diskutime duke parë përmbytjen e rradhës nuk mund të mos na vijnë ndërmend skenat e maskaradës që pamë në Parlamentin shqiptar para disa ditësh ku, të mbledhur për të diskutuar buxhetin, deputetët tanë s’bënë gjë tjetër, deri afro në agim, por veçse u shanë ndërsjelltazi për vjedhje e korrupsion e vetëm për analizë buxheti nuk folën. E ndër tjera nuk mund të mos sjellësh ndërmend se nuk pamë e dëgjuam që në atë buxhet të kishte ndonjë zë të rëndësishëm për investime për pengimin e përmbytjeve në Shkodër dhe, po ashtu, nuk pamë e dëgjuam ndonjë deputet të opozitës të zonës së Shkodrës të ngrihej e të protestonte për këto mungesa në buxhet.
Tani vjen përmbytja e njëra palë fillon a akuzon kurse pala tjetër thotë “fatkeqësi natyrore”.
Që fatkeqësia nuk është natyrore, por politike, njerëzore dmth. që ka të bëjë me atë që njerëzit e thjeshtë i dëgjon shpesh të thonë: “ç’është kjo fatkeqësi që na ka gjetur ne që na kanë rënë këta politikanë për hise” këtë e dinë edhe kafshët e përmbytura të asaj zone e jo më njerëzit. Debati mund të zhillohet në nivel filozofik mbi atë se sa kjo fatkeqësi është një rastësi dhe sa është e determinuar nga vetë niveli kulturor e moral i popullit tonë heroik e liridashës. E në këtë aspekt do të thoja se me siguri duhet thënë se, ashtu si fatkeqësia e përmbytjes që nuk është vetëm natyrore dmth. rastësore, por edhe njerëzore, ashtu edhe kjo fatkeqësi politike nuk është vetëm rastësore, por ka të bëjë edhe me nivelin e njeriut tonë demokratik. Dhe kur themi “njeriu”  kam parasysh faktin se ai ka në dorë të bëjë të mundurën për të evituar fatkeqësitë, apo për t’i parandaluar ato, apo për t’i pakësuar ato. Dhe nuk ka pikë dyshimi se, ashtu sikurse për evitimin e përmbytjeve në Shkodër ka pasur shumë gjëra për t’u bërë, ashtu edhe ndaj kësaj fatkeqësisë tjetër njerëzore ka shumë gjëra për t’u bërë.
E ndërsa shkruaj këto rradhë, më vjen ndërmend se në buxhet parashikohen  miliarda për të hapur një tunel të gjatë e të gjerë në Krrabë që (thonë këta të pushtetit) elbasanasit të vijnë për 30 minuta (jo për një orë) në Tiranë. Dhe pyes me vete: e ç’kuptim ka që elbasanasit të vijnë një gjysëm ore më herët në Tiranë ndërkohë që ti ke njerëzit që po të përmbyten vit për vit në Shkodër? Apo se mos ka punë në Tiranë? Mirëpo arësyeja e mosarësyes së fatkeqësisë së politikanëve tanë nuk thotë kështu. Dhe këtu, tek e fundit, kthehemi përsëri tek pyetja: çfarë mund të bëjmë që ta evitojmë këtë fatkeqësi njerëzore, ose që të pakësojmë dëmin e saj? Me fjalë të tjera: ka njëzet vjet që na përmbytet Parlamenti e qeveria me të paaftë, të korruptuar e të babëzitur, çfarë mund të bëjmë për ta parandaluar këtë? Personalisht mendoj se ka shumë më tepër shans të bëhet ndonjë gjë për të evituar përmbytjet në Shkodër sesa për të evituar këto përmbytjet në Parlament.
Kaq. Nuk po jap ndonjë zgjidhje nga ato që lexuesi pastaj të më thonë: analizën e ke bërë mirë, por zgjidhjen e ke dhënë të dobët.
Mirëpo, ndërsa shkruaj, më bëhet sikur i dëgjoj ata lexues që do të thonë: prap po një fyelli pesimizmi po i bije ky Lubonja, nëse ke ndonjë zgjidhje thuaje, përndryshe mos na shkruaj gjëra që i dimë sa për të na deprimuar edhe më. I shtrënguar nga ky zë, duke e lodhur mendjen për ndonjë zgjidhje optimiste, pasi e lexova edhe një herë që nga fillimi e në fund shkrimin deri këtu dhe vërtet pashë se shumë gjëra janë thënë e stërthënë jo vetëm nga unë, më në fund më erdhi ideja e zgjidhjes: Pse të mos bëjmë dy parlamente? Një parlamet që është ky që është,  që sheh interesat private të politikanëve   dhe oligarkëve që janë këta që janë, që bëjnë buxhetet e përcaktojnë prioritetet sipas interesave të tyre; dhe një parlament tjetër që të shohë interesat e njerëzve si puna e atyre që përmbyten në Shkodër e jo vetëm.  Unë jam i sigurt që, po të hidhet në referendum, kjo ide do të miratohet nga shumica e njerëzve. Gjithë duke e zhvilluar këtë ide më del se i bije që të kemi edhe dy polici edhe dy gjyqsorë edhe dy lloje mediash, deri edhe dy kryeqytete. Dmth gati si të krijojmë një shtet të ri. E meqë siç dihet shpesh shtetet fillojnë nga përcaktimi i kryeqyteteve unë propozoj që kryeqytet i këtij shtetit të dytë shqiptar të bëhet… le ta mendomë pak… Përfundimish më del se duhet të themelojmë një kryeqytet të ri dhe ta quajmë “Fillimngazero”. Parlamenti në “Fillimngazero” rrëzoi qeverinë me mocion mosbesimi për shkak të përmbytjeve në Shkodër. Çfarë lajmi i bukur! I ftoj lexuesit ta votojnë propozimin tim. (Panorama, 3 dhjetor 2010)

Read More......

Thursday, November 25, 2010

Përsëri mbi strehën e fundit të horrave



Lexova para disa ditësh në Shekulli shkrimin “Manipulimi i mendjeve”. të Ardian Klosit. Nga ai mësova se në tekstet e mësimit të gjuhës e letërsisë të klasës së 10 paska çudira. Klosi tregon se atje ku fëmijëve u mësohet strategjia e të shkruarit jepen për ushtrim, midis të tjerash, edhe fragmente tekstesh, për të cilët fëmijëve u kërkohet të bëjnë një përmbledhje. Dhe deri këtu nuk ka ndonjë çudi. Çudia që sjell Klosi në shkrimin e tij ka të bëjë me përzgjedhjen e këtyre fragmenteve. Sëbashku me një fragment nga romani i Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në librin në fjalë na qënkej vendosur edhe një fragment i një libërthi të Ardian Ndrecës ku ky i kundërvihet monografisë së Skënderbeut të historianit zviceran Oliver Schmitt. Është një fragment ku, siç e shtjellon Klosi, mes tjerash, thuhet se autori qënka nisur me synimin për të çmitizuar Skënderbeun (ndërkohë që në të vërtetë autori thjesht shkruan historinë e Skënderbeut sipas studimeve dhe dokumenteve të tij), se paskësh shkruar se e ka pasur të atin sllav (çka është rrenë sepse ai nuk e ka shkruar) gjë që e paska bërë të bijën e Klosit, që është edhe ajo nxënëse e klasës së dhjetë, t’i thotë të atit: "Nxënësit mendojnë shumë keq për ju të dy”, “Schmitti dhe emri i tij janë bërë për nxënësit tashmë “tabu".
Për ata si unë që kanë lexuar librin e Schmitt (por besoj se edhe për ata që nuk e kanë lexuar, por që kanë minimumin e racionalitetit e të pavarësisë së gjykimit), zgjedhja e një fragmenti me përmbajtje të tillë është skandaloze dhe alarmante në shumë aspekte. Së pari kjo zgjedhje më bën të ngre disa pyetje. Nuk paskemi ç’tu japim fëmijëve tanë ndonjë vlerë më të mirë sesa ato të kulturës së vjetër të urrejtjes etnonacionaliste, aq më tepër në një kohë kur aspirojmë të bëhemi pjesë e shoqërive që jetojnë periudhën postnacionaliste dhe kur ne, në Ballkan, jemi më të vonuarit në këtë aspekt? Si ka mundësi që fëmijët tanë kanë mbetur në rrethimin e kulturës nacional – romantike të Rilindjes, që e vinte shkencën në shërbim të ideologjisë nacionaliste (çka qe fenomen i kohës edhe gjetkë në atë kohë) e që pastaj u ngurtësua keqas në kohën e ideologjisë nacional - komuniste dhe të  vetizolimit të pushtetit të Enver Hoxhës? Si ka mundësi që fëmijët tanë, ashtu si në atë kohë, vazhdojnë të frymëzohen që të mbajnë qëndrime armiqësor ndaj shkencëtarëve e studiuesve që japin versione të tjera të historisë nga ato të kulturës zyrtare të pushtetit, në një kohë kur s’duhet të ketë më versione zyrtare të historisë? A do të mundin fëmijët tanë nesër, pas kësaj shkolle, të aftësohen për t’iu qasur metodave të reja shkencore në shkencat humane apo do të mbeten përfundimisht jashtë tyre (siç duket se ka mbetur Ndreca dhe autori i  tekstit të gjuhës), apo do të përdorin edhe ata nesër, ashtu si mësuesit e tyre, teknikat e mashtrimit, të rrenës e të manipulimit në punimet e tyre?

Ndaj këtyre pyetjeve, me fjalë të tjera ndaj pyetjes se çfarë po ndodh në shkolla me fëmijët tanë, përgjigja që të vjen duke iu referuar këtij fakti është: në vend se t’u ndërtohet mendja me aftësinë për të gjykuar e për të kërkuar e dashuruar të vërtetën po u shkatërrohet duke iu mbushur me stereotipe e klishe të stërvjetëruara e me kulturën e rrenës. (Dhe, siç do ta shtjelloj më poshtë, nuk është thjesht e vetëm ky fakt që më shtyn të mendoj kështu.)

Pyetja tjetër që shtrohet është pse ndodh kjo? E këtu më duhet të kundërshtoj autorin e shkrimit kur shpreh një lloj nostalgjie për shkollën e kohës së tij. Ai thotë se “dekada më parë brezi ynë [I Klosit F.L.], në pikëpamje të njohjes dhe përdorimit të gjuhës shqipe, të njohjes dhe dashurimit me letërsinë e mirë, u rrit shumë më i shëndetshëm se i sotmi.” duke na lënë të kuptojmë, indirekt, se ajo shkollë ishte superiore ndaj kësaj të sotmes. Nga sa dëgjoj pedagogë të djeshëm e të sotëm, jo vetëm gjuhën, por edhe matematikën edhe fizikën edhe biologjinë nxënësit e kohës së regjimit e kanë mësuar më me zell se sot, jo aq për shkak të teksteve, se sa për shkak se rëndësia që i jepej shkollës/shkollimit ishte më e madhe dje sesa sot. Por çështja që ngre fakti në fjalë, megjithatë, nuk vjen nga diferenca midis dy shkollave, por nga vazhdimësia e tyre. Fakti tronditës i sjellë flet për vazhdimësinë e shkollës nacional – komuniste të kohës së Hoxhës, të metodave të trushpëlarjes apo manipulimit të mendjeve të brishta të fëmijëve, veçanërisht përsa i përket lëndëve të tilla si historia apo letërsia shqipe që janë edhe më të lidhura me instrumentet e dominimit e manipulimt të njeriut shqiptar nga elitat. Sepse, kur ngre pyetjen se pse ndodh që Ndreca shkruan ashtu, apo pse autori i tekstit të gjuhës ka zgjedhur tekstin e Ndrecës për të venë në atë libër, nuk mund të kemi tjetër shpjegim përveç atij se ata janë produkte të asaj shkolle e jo i asaj të Schmittit. Dhe kur them “shkollë” nuk kam parasysh thjesht shkollat fillore të mesme apo universtitetet, por një kulturë që ka transmetuar ai regjim edhe nëpërmjet atyre shkollave. Dhe nuk e kam  fjalën vetëm për Ndrecën dhe për këtë rast. Ky rast flet për politika dhe për një elitë të tërë që po dikton kulturën e vet retrograde në shkollat tona. Madje me në krye një nga mësuesit dhe frymëzuesit e Ndrecës, autorin e vendosur në tekstin në fjalë sëbashku me të, Ismail Kadarenë. Jo më larg se disa javë më parë ky botoi një libër sprovë letrare, “Mosmarrëveshja”, ku, në kapitullin “Gjergj K. Kundër Arbërit”, i quan ata që guxojnë të thonë se nëna e Skënderbeut qënkej sllave “renegatë” (kështu i ka quajtur ai, me gjuhën e Enver Hoxhës, tradhëtarët e atdheut në librat që botonte asaj kohe kurse në “shqipërimet” e paskomunizmit i quan “rimohues”), si njerëz që punokan që të zhbëhet kombi shqiptar, që inspirohen, në mos po paguhen, nga serbët. Nëse Fatos Lubonja ka shkruar më 1999 një shkrim të botuar në Courrier International, ku, duke shpjeguar historinë shumëshekullore të marrëdhënieve shqiptaro serbe, thotë se urrejta e shqiptarëve me serbët është një produkt i nacionalizmit të shek XIX-XX, nuk është një produk i kohës ë Skënderbeut kur shqiptarët dhe serbët kanë jetuar së bashku gati në simbiozë (dhe nën identitetin e krishterë jo atë nacional) aq sa nëna e Skënderbeut është sllave, për Kadarenë kjo është t’i futësh një thikë pas shpine Kosovës, të thuash gjëra që i ka thënë Vuk Drashkoviçi (paçka se atë e thotë edhe Fan Noli). Po të lexosh çka shkruan Kadare, dhe jo vetëm ai, për tema si kjo kupton se Ndreca nuk është një rastësi, por produk i asaj kulture që shkencën e letërsinë i ka vënë në shërbim të ideologjisë, të rrenës dhe manipulimit aq keq e kultivuar kjo veçanërisht nga intelektualët e komunizmit. Kupton pra edhe pse kjo kulturë është kaq e përhapur sot tek ne, aq sa të lind dyshimi nëse këta i kanë bindje këto apo i kanë konformizëm, dhe se sa e vështirë do të jetë të mbrohen fëmijët tanë prej saj.

Problemi pra është se fakti i sjellë nga Klosi tregon se thelbi i shkollimit dhe kulturës që i japim fëmijëve tanë, veçanërisht përsa i përket historisë sonë dhe gjuhës e letërsisë sonë, nuk ka ndryshuar edhe pse ndoshta kur bëhet fjalë për tekstet në përgjithësi formalisht mund të kenë më pak indoktrinim se dje. Dhe ky thelb buron nga fakti se shkrimtarët dhe studiuesit dhe mësuesit e regjimit/eve nuk i paraprijnë shoqërisë me ide të reja, me  antikonformizëm, nuk guxojnë t’i kundrëvihen kulturës dominante të propaganduar në mënyrën më vulgare nëpër masat nga politikanët për t’i manipuluar ato, por i konformohen asaj, janë në shërbim të saj, dhe pastaj në një rreth vicioz, si gjarpëri që ha bishtin e vet, lidhen me pushtetin që të mbrojnë veprën e tyre dhe e përdorin pushtetin që të indoktrinojnë pasardhësit me kulturën e veprës së tyre. Thelbi pra është ai i ngritjes kësisoj të një kulture zyrtare për të cilën punon e paguhet një elitë retrograde, e cila nuk i paraprin shoqërisë, por ecën dorë për dorë me pushtetin. Thelbi është ai i një shkrimtarie, i një shkence, i një dijeje në shërbim të një pushteti, të sponsorizuar nga pushteti, të kontrolluar nga pushteti; të një ideologjie pushteti që sot vetëquhet antikomuniste, por që në thelb përdor të njëjtat metoda të komunizmit e që fare mirë mund ta quash nacional evropianiste, por edhe katoliciste në mjaft raste, siç është edhe ky i Ndrecës që në librin e tij Skënderbeun e nxjerr edhe katolik sepse kështu i leverdis ideologjisë së të sotmes paçka se ç’thotë shkenca. Ky është problemi që sipas meje ngre fakti i gjendur në atë tekst mësimor.

Dhe problemi tjetër është se kjo kulturë ka pasoja përtej edukimit të fëmijëve pasi retorika pseudopatriotike se kush na shkruan ndonjë libër apo thotë ndonjë të vërtetë që nuk përkon me të vërtetat e të paditurve që kanë sunduar historikisht këtë vend, na i shërbeka armikut serb apo grek është bërë një nga gjërat e padurueshme në këtë vendin tonë. Sepse njerëzit shohin përditë se çfarë po i bëjnë vendit efektivisht këta patriotë sot me babëzinë dhe me paditurinë  e tyre. Karakteristika e kësaj elite, mu pse jeton në simbiozë me pushtetin dhe nuk lulëzon dot pa të, është që ajo tjerr retorika nacionaliste, por, kur vjen puna për plagët e hapura të shoqërisë të shkaktuara nga pushteti nuk hap gojën, por vazhdon t’i fryjë tamtameve të patriotizmit të shtirë. Nuk është rastësi që ndërkohë që Shqipëria po rrënohet nga një klasë politika super e korruptuar këta flirtues të përjetshëm me pushtetin i bijen kaq shumë tamtameve se kombi po rrezikohet nga ata që thonë se nëna apo babai i Skënderbeut paskesh qenë me origjinë sllave, se ky vetë paskesh qenë tregëtar kuajsh, nga Janullatosi në krye të Kishës Ortodokse, nga muslimanët me shami, apo ku di unë.  Shqipëria vërtet po lëngon, por po lëngon mu nga kjo kategori që e ka kaq për zemër fjalën “atdheu” apo “kombi shqiptar”. Le të kujtojmë psh. se Sali Berisha shkoi në Krujë për t’u thënë shqiptarëve se heqja e vizave ishte ngjarja më e rëndësishme që nga koha e Skënderbeut, por nuk kishte sy e gojë, sëbashku me elitën e tij që harton këto tekste e punon nëpër institutet e tij, për të parë se banorëve të Krujës po u merret fryma nga fabrikat e çimentos që u ka sjellë Sali Berisha dhe sivëllezërit e tij tek dera e shtëpisë, se katastrofa ambjentale që po i shkaktojnë Krujës këta të babëzitur  po i bën banorët të ikin fare prej kalasë së Skënderbeut. Më duket e tepërt të numëroj se çfarë gjëmash i ka bërë vendit kjo elitë gjithë duke i kënduar kalasë së Skënderbeut, atdheut dhe maleve të Shqipërisë.

Ja ky është problemi, prandaj ajo thënia e mençur ”nacionalizmi është streha e fundit e horrave” është e para gjë që duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë nëse do të duam të ndërtojmë një Shqipëri ndryshe nga kjo që kanë ndërtuar nacional - komunistët deri më sot. (Panorama, 25 nëntor 2010)

Read More......

Wednesday, November 17, 2010

Nga diktatura në postdemokraci



Para disa ditësh më telefonoi një person i cili m'u prezantua si kryetari i partisë së pensionistëve. Më tha se kishte një shqetësim me rëndësi për të më thënë. Lashë të pi një kafe me të. Kur u takuam, përpara se të më thotë shqetësimin, më shpalosi programin e partisë së tij që ishte shumë i thjeshtë. Pensionistët janë të nëpërkëmbur me shifrën qesharake të pensioneve që marrin; partia jonë do t'u premtojë atyre një pension prej 60 000 lekësh; pensionistët janë një numër shumë i madh votuesish; ata do të votojnë partinë tonë; ne, kësisoj, do të mund të vimë në pushtet e do të ndryshojmë gjendjen e pensionistëve.
Pastaj kaloi tek shqetësimi. Në përçapjet e tij për të hyrë në zgjedhje kishte zbuluar se Kodi Zgjedhor ia bënte shumë të vështirë partisë së tij hyrjen në zgjedhje. E aty më tregoi një vendim të Gjykatës Kushtetuese nga i cili rezultonte se, në bazë të ankimimit të partisë së tij,  kjo Gjykatë kishte nxjerrë si antikushtetues dy nene të Kodit Zgjedhor. Nga sa kuptova, duke i hedhur një sy dokumentit që më tregoi, vendimi e konsideronte Kodin Zgjedhor në kundërshtim me një nga parimet themelore kushtetuese: atë të barazisë përpara ligjit. Rezultonte se, sipas Kodit tonë Zgjedhor, një parti e vogël, që të mund të regjistrohet, ka nevojë për 10 000 firma të cilat duhet të jenë të gjitha të noterizuara dhe, duke marrë parasysh se një noterizim kushton minimumi 1500 lekë, vetëm mbledhja e firmave do t'i kushtonte një partie as më shumë as më pak se 1500000 lekë, një shifër jo e vogël kjo për buxhetin e një partie të posakrijuar, aq më tepër pensionistësh. Dhe më interesantja ishte se kjo shifër, çuditërisht, nuk u kërkohej partive të mëdha.  Dhe këtu qëndronte shkelja e parimit kushtetues të barazisë përpara ligjit që kishte gjetur Kushtetuesja, për vendimin e së cilës nuk kisha dijeni se ekzistonte, pasi mediat e kanë injoruar thuajse krejtësisht.
E solla këtë histori për të trajtuar një problem që ky rast e ilustron më së miri, që ka të bëjë  me një shqetësim themelor për fatet e demokracisë në kohën që po jetojmë dhe që, për fat të keq, nuk është një shqetësim që e gjen vetëm tek ne, por edhe në vendet e ashtuquajtura demokratike. Madje le ta filloj prej andej. Ka kohë që në Perëndim vihet re një krizë e institucioneve demokratike aq sa kjo i ka çuar politologë të njohur si Colin Crouch ta quajnë fazën që po kalojnë sot si "postdemokraci". Çfarë është postdemokracia sipas tij? Ajo karakterizohet nga rritja e madhe e ndikimit të elitave ekonomike në vendimet politike aq sa janë ato që përcaktojnë prioritetet e jetës publike. Kjo do të thotë, më anë tjetër, pakësim i mundësisë për qytetarët e thjeshtë të marrin pjesë në këto vendime jo vetëm nëpërmjet votës, por edhe nëpërmjet organizimeve të pavarura. Postdemokracia e ruan formën e demokracisë siç janë psh. ritualet e zgjedhjeve si dhe debatet politike në Parlament apo në media, por nuk ruan thelbin e saj: sipas të cilit është zëri dhe interesat e pjesës më të madhe të njerëzve të zakonshëm që ka ndikimin më të madh në punët e shtetit. Ky çekuilibër, sipas Crouch, ka bërë që politika të bëhet instrument i elitave ekonomike ku të tjerët nuk hyjnë dot, siç ka ndodhur në periudha parademokratike.
Zëri i atyre që thonë se në Perëndim demokracia ka ardhur duke u mrrudhur duket se është në rritje. Sipas gjykimit tim, dy janë arsyet kryesore. Së pari, pasi partitë e majta e lëvizjet sindikaliste që impononin politika sociale kanë qenë shumë më të forta dje ndoshta, paradoksalisht, edhe sepse socializmi real i Lindjes qëndronte si kërcënim për të pasurit në vendet perëndimore. Së dyti,  pasi mbarimi i Luftës së Ftohtë u shoqërua me globalizmin që gjithnjë e më shumë ka zbehur rolin e shtetit komb dhe bashkë me të edhe të politikave sociale të tij,  në favor të pushtetit gjithnjë e më të pakontrolluar të shumëkombësheve që veprojnë pa ekzistencën e një shteti global.
Problemi që kemi ne, si shqiptarë, në këtë kontekst është se ne kemi kaluar nga diktatura  në post demokraci pa kaluar fazën e demokracisë perëndimore: dmth. na ka munguar një shtet komb me parti të majta dhe lëvizje sindikaliste që të impononin politika sociale, si dhe u gjendëm pa asnjë lloj aftësie kompetitive në tregun global përveçse me krah pune emigrantësh dhe ekonomi kriminale që do të thotë krejtësisht nën mëshirën e elitave shpesh mafjoze brenda vendit dhe të investimeve të huaja nga jashtë, jo pa lidhje me njëra tjetrën. Kjo sipas gjykimit tim ka bërë që në Shqipëri të dështojë qysh në lindje ai që Crouch e quan thelbi i demokracisë si një formë shteti ku prioritetet i përcakton shumica. Kategori të tilla si pensionistët apo në përgjithësi shtresat e varfëra nuk kanë pasur kurrë mundësi të mbrojnë interesat e tyre pasi prioritetet në këtë vend janë përcaktuar së brendëshmi nga elita që kanë i kanë diktuar politikës interesat e tyre të pasurimit, dhe së jashtëmi nga të huajt që, po për interesa pasurimi e shfrytëzimi kanë inkurajuar politika në kundërshtim me ato të masës së gjerë të popullsisë vendase. Sa për ilustrim le të kujtojmë (ndër shembujt pa fund që mund të sillen krahas atij të pensionistëve) se para pak kohësh u aprovua një projektligj i cili lejon sjelljen e ndotjeve të huaja në Shqipëri me qëllim riciklimi. Shumëkush ngriti pyetjen e thjeshtë: Pse kemi nevojë për plehërat e huaja? A nuk do të ishte më normale të ndërtohej një impiant që do të digjte, pas një procesi ndarjeje, vetëm plehërat e Shqipërisë? Përgjigja është se ky kushton 50 milion euro prandaj jemi të shtrënguar të na e ndërtojnë të huajt të cilët, si kusht për këtë, kërkojnë djegjen e plehërave të tyre.  Po si ka mundësi që ndërkohë që kemi kaq dëshpërimisht nevojë të ndërtojmë një djegës plehërash nuk mund të investojmë 50 milion euro kur kemi investuar 1 miliard euro në rrugën Durrës Kukës. Po ashtu: si ka mundësi që Kryeminstri vendos të prishë Piramidën dhe të ndërtojë atje një ndërtesë të re të parlamentit e cila, sipas kalkulimeve të përafërta, mund të kushtojë afro 50 milion euro. Shkaku është shumë i thjeshtë: sepse prioritetet në vend i vendosin interesa të tjera nga ato të njerëzve të thjeshtë.

* * *
A mund të dilet nga kjo situatë dhe si mund të dilet. Sot për sot i vetmi mekanizëm që na jepet për ndryshim janë zgjedhjet. Por pas njëzet vjetësh pluralizëm politik vihet re se ndaj zgjedhjeve shumica e njerëzve janë bërë gjithnjë e më skeptikë. Pse kështu? Sepse zgjedhje do të thotë mundësi votimi për parti që përfaqësojnë interesa të tjera nga ato të elitave ekonomike brenda dhe të shumëkombësheve jashtë në mënyrë që interesat e të gjithëve të ekuilibrohen njëfarësoj. Këto parti, ashtu si edhe në Perëndim, do të duhet të ishin parti të majta të cilat për ideologji dhe histori kanë qenë më afër shtresave të varfra. Por sikurse e thashë më lart për arsye të dobësimit të shtetit komb nga globalizimi i cili, veç tjerash, ka dobësuar edhe sindikalizmin, si dhe për arsye të humbjes së projektit të ndryshimit apo të humanizimit të sistemit kapitalist edhe partitë e majta në Perëndim janë kthyer gjithnjë e më shumë në parti që i janë adoptuar këtij sistemi çka do të thotë në përfaqësuese të interesave të të pasurve (ndonëse jo në shkallë të njëjtë me ato të djathtat), e pikërisht për këtë janë në krizë.
Ndërkaq rasti ynë si vend që doli nga diktaturat lindore është shumë më dëshpërues.  Partitë e majta në përgjithësi në vendet ish komuniste kanë mbetur  parti të të privilegjuarve të komunizmit që janë shndrruar në më të pasurit pas rënies së komunizmit. Në Shqipëri ky fenomen qe edhe më i dukshëm: të dyja partitë kryesore kanë funksionuar si dy gjysma të Partisë së Punës që u futën në garë dhe vazhdojnë të jenë në garë se cila do ta shfrytëzojë më mirë politikën për të pasuruar klientelën e saj.  Madje nuk është rastësi që të dyja, kur flasin për sistemin politik, i rferohen më shumë atij amerikan sesa atij evropian pasi në atë sistem shumë më tepër sesa në atë evropian mungojnë partitë e mirëfillta të majta që gjithsesi, ndonëse në krizë, vazhdojnë të ekzistojnë në Evropë. Që të dyja nga ana tjetër janë njëlloj në shërbim të çdo projekti investimi që vjen nga jashtë.
Në këto kushte kur këto parti janë rritur e forcuar në pushtet pikërisht nëpërmjet këtyre instrumenteve dhe për këto qëllime a nuk rrezikon PD apo PS  të kthehet si partia e pensionistëve nëse shkëputet nga përfaqësimi i interesave të elitës ekonomike të vendit që tashmë ka kapur kryesinë e tyre? A nuk rrezikojnë ato të dalin jashtë mediave që përsëri janë në duart e elitës në fjalë? Sigurisht që po, por pa harruar një paradoks, megjithatë, sipas të cilit del se në postdemokraci shumica voton për interesat e pakicës pasi shumica e votuesve nuk janë të pasurit. Paradoksi shpjegohet thjeshtë me faktin e provuar tashmë nga përvoja sipas të cilit opozita përdor retorikat e intresave të njerëzve të thjeshtë për tu marrë votën dhe, pasi vjen  pushtet, punon për elitat që i kanë sponsorizuar fushatën elektorale. Kështu ka bërë PS-ja kur erdhi në pushtet më 1997 kështu ka bërë PD-ja kur erdhi më 2005. Në fakt partitë tona në këtë kontekst të kujtojnë personazhin e Brehtit Mackie Messer "Punë për tre grosh" i cili shfrytëzon një grup lypësish për të realizuar me sukses vjedhjet e tij. Gjithë në këtë kontekst edhe retorikat perëndimore të të drejtave të njeriut e shumçka tjetër tingëllojnë në postdemokraci më shumë si fasada prapa të cilave diktojnë interesat e të pasurve. Në këto kushte, pra, parti të reja nuk mund të dalin sepse s'kanë shans jo vetëm pasi partitë e të pasurve kanë bërë Kode Zgjedhore si ai i yni, që e nxorrën jashtë partinë e pensionistëve, por edhe pse fushatat elektorale janë bërë gjithnjë e më të shtrenjta e gjithnjë e më televizive, çka nënkupton se janë gjithnjë e më shumë në duart e të pasurve dhe mediave të kontrolluara prej tyre. (Nuk po flas për shoqërinë civile si forcë kundërvepruese apo ndikuese në vend sepse ajo nuk ka mundur të ngrihet më lart se grupime të vegjël individësh në shërbim të njërës apo tjetrës parti.) Atëhere, e përsëris pyetjen, si do të mund të kalonim nga postdemokracia në demokraci?
Shtrimi i vetë pyetjes nënkupton se ka një rrugëzgjidhje të cilën duhet ta gjejmë përderisa jemi në një pikë që shumicës nuk i pëlqen. Por mund të thuash edhe se nuk ka rrugëzgjidhje, duke pranuar se ky është statusi normal i gjërave në një botë ku ka pasur gjithnjë të pasur dhe të varfër. Gjykoj se përsa i përket Shqipërisë, e cila vuan nga një provincializëm i thellë, (dhe ka probleme më të rënda për të zgjidhur, siç janë ato të korrupsionit, të mungesës së drejtësisë etj.) kjo e dyta është më e vërtetë. Ndërkohë që bota po sheh rrezikun në rritje të postdemokracisë në Shqipëri vihet re një vonesë përsa i përket ndërgjegjësimit të kësaj problematike, madje postdemokracia perëndimore shitet nga elita pseudointeolektuale në vend si idealja ose si arritje e një statusi të cilit tashmë duhet t’i adoptohemi.
Prandaj gjykoj se vendimtar në këtë kontekst për Shqipërinë  do të jenë ndryshimet nga jashtë. Kur flas për këto kam parasysh se për ato shoqëri që kanë ushqyer idealet e demokracisë të lirisë dhe barazisë kthimi nga postdemokracia në demokraci është tashmë një çështje e shtruar për zgjidhje në një kontekst të ri që është ai i globalizimit nga i cili s’del dot as Shqipëria. Këto ndryshime do të vinin në formën e ndërtimit të institucioneve globale që do të siguronin kontrollin e abuzimit me pushtetin të elitave ekonomike lokale dhe ndërkombëtare në  emër të interesave të shumicave të nëpërkëmbura prej tyre; që do të bënin të mundur, pra, që prioritetet politike të vendosen në emër të interesave të shumicës. Dhe besoj se këto ndryshime do të vijnë, ndoshta edhe pas krizash më të thella se kjo që po kapërcen sot sistemi kapitalist botëror, ndoshta edhe pas mrrudhjesh tërheqjesh apo disfatash të përkohëshme.
 

Read More......

Thursday, November 11, 2010

Një propozim për Piramidën


Duke ndjekur debatin Berisha - Rama (me disa ndërhyrje të Jozefina Topallit) mbi prishjen e Piramidës, ku njëri thoshte se ai çiban i mallkuar duhet mbuluar me një Parlament demokratik për të zhdukur kujtimin e Enver Hoxhës dhe tjetri se Parlamenti i ri e ka të gjetur tashmë vendin tek ajo shtesa e katit mbi zyrat e Enver Hoxhës, të projektuar mrekullisht nga ndërkombëtarët, me lindi një ide që, edhe pse jo fort në koherence me ç'kam shprehur në mbrojtje të idesë së vazhdimit të projektit të shfrytëzimit të hapësirës brenda Piramidës për teatër (jo pse me duket më e gjetura, por sepse janë investuar tashmë disa milionë Euro të taksapaguesit), shpresoj se lexuesi do ta vleresojë. Tek e fundit, siç thotë Seneka, "Errare humanum est - sed perseverare diabolicum."
Dua të them, pra, se jam dakort qe Piramida te shpërndërndryshohet përsëri nga brenda (nuk guxoj të them nga jashtë sepse është në kundërshtim me ligjin që e ka shpallur monument kulture). Por mendimi im është që nga teatër e bibliotekë të mos bëhet Parlament, por diçka tjetër. Përsa i përket Parlamentit gjykoj se deputetëve tanë do t'u shkonte shumë mirë edhe ajo shtesa e katit mbi zyrat e Enver Hoxhës që ka projektuar Rama, deri në një moment tjetër kur t'i vijë rradha një parlamenti joenverist. Mirëpo për këtë do të duhet shumë kohë, e, në funksion të kësaj kohe të pritshme, po hedh idenë që vijon.

Shkurt, ideja ime është që Piramida të bëhet "Qendra Kombëtare e Psikoterapisë Politike".  Me këtë kam parasysh nje qendër të veçantë psikoterapie për politikanët shqiptarë për pastrim, ç'helmim, dekontaminim nga traumat e enverizmit dhe nga sindromat e homo economicus (këto do t'i shpjegoj më poshtë). Jam i bindur se kjo do t’i shërbejë vendit shumë më tepër se Parlamenti dhe teatri. Sepse është e vërtetë që teatri, me një fjalë drama, tragjedia që luhet aty, mund të shërbejnë për atë që Aristoteli e quante katharsis nëpërmjet përjetimit të tragjikes, por, duke patur parasysh se politanët tanë, edhe kur shkojnë në teatër apo shfaqje të tjera, shkojnë atje që t'i shohin jo që të shohin, mendoj se një qendër e tillë, e rregulluar me ligj, megjithë shpenzimet fillestare që do të kërkonte për një vend të varfër si ky i yni, e megjithë çuarjen në erë të disa milion eurove të projektit për teatrin, them se do të ishte shumë më e dobishme.

Le ta shtjelloj edhe pak më shkoqur idenë time. E para, le të shpjegoj pak më qartë qëllimin. Qëllimi kryesor të cilit do t'i shërbente një qendër e tillë është që politikanët tanë të fillojnë të provojnë ndjenja të tilla si empatia, bujaria, ndershmëria, besnikeria, turpi apo ndjenja e fajit që janë që të gjitha ndjenja që burojnë nga raporti i njeriut me të tjerët atje ku ka shoqëri dhe drejtësi, të cilat ndjenja duket sheshit se këta tanët i kanë bjerrur tashmë thuajse krejt duke na bërë të dyshojmë nëse mund të quhemi më apo jo shoqëri dhe nëse ka më kuptim të flitet për drejtësi tek ne. Duke patur parasysh se Piramida është shumë afër vendit të punës së shumicës së politikanëve tanë, Kryeministrisë, Ministrive, Bashkisë, Presidencës. Kryesisë së Kuvendit, Parlamentit, por edhe selive të partive, mendoj se Piramida, e kthyer në një Qendër të Psikoterapisë Politike, do të ishte vendi ideal ku, pas mbarimit të punës ose ndoshta edhe në fillim të saj (për këtë mendoj se duhet të merret mendimi i ekspertëve ndërkombëtarë), udhëheqësit tanë të kishin mundësinë të bënin seanca psikoterapie. Nuk mund të rekomandoj në detaje punën e një pastrimi psikoterapik të tillë pasi është punë specialistësh. Di të them se ajo mund të ishte si individuale ashtu edhe kolektive (në grup siç i thonë), dhe se duhet të kapërcente atë fazën e shkollës frojdiste, e cila, ndonëse të ndërgjegjëson për shkaqet e neurozave, nuk të ndihmon ashtu dhe aq që të mos të të  përsëriten ato. Kam parasysh faktin që ka kaq kohë që ne themi "enverizmi", "enverizmi", por nuk shërohemi prej tij. Jam i mendimit pra, që duhet aplikuar Gestalt-terapia, siç më duket se i thonë, që do të thotë një psikoterapi që niset nga gjendja e të tashmes së pacientit, jo nga ajo e traumës së të kaluarës që, sipas frojdistëve, ka përcaktuar ekzistencën e tij. Gestalti frymëzohet nga filozofia ekzistencialiste "L'existence precede l'essence" - sipas së cilës njeriu nuk është i determinuar pashpresërisht për të qenë i keq apo i mirë, por e ka vazhdimisht në dorë të zgjedhë të jetë i keq apo i mirë nëpërmjet akteve të tij në të sotmen, çka do të thotë se enverizmi, pra, nuk na ka determinuar  përfundimisht për të qenë të këqij, se po u kuruam kemi shpresë të bëjmë edhe mirë. Veçanërisht kam parasysh degën e Gestaltit në të cilën pacienti apo pacientët çohen, me ndihmën e psikoterapeutit, në gjendjen emocionale të traumës që ka/në pësuar duke zhvilluar psh. edhe shfaqje teatrale që inskenojnë traumën. Dhe kjo do ta afronte shumë punën e Qendrës edhe me idenë e katharsisit aristotelian të teatrit. Dhe për këtë ndoshta do të shërbente ajo salla e vogël poshtë, që është në mbarim e sipër. Dhe po ashtu aty do të mund të punësoheshin edhe regjizorë, si Arben Kumbaro, që kanë punuar që Piramida të bëhet teatër, duke mos u zhgënjyer tërësisht për punën e çuar dëm.

Nejse, siç e thashë, nuk jam ekpert, por, di të them megjithatë se psikoterapeutët duhet të punojnë në disa drejtime që do të thoja se janë shumë, po, shumë të rëndësishme për njerëz të cilët kanë në dorë punët tona publike. Ja dy  drejtime dekontaminimi që modestisht po i rendis si kryesorët.

Se pari, gjykoj se prirja e politikanëve tanë për të shkatërruar edhe fizikisht gjithshka që kanë bërë të tjerët përpara tyre ka brenda edhe elementë të paranojës hoxhiste të njeriut që mendon se ekziston vetëm ai në këtë botë. Në këtë Qendër psikoterapie të politikës do të duhej urgjentisht që një grup mjekësh të punonin intensivisht me udhëheqësit tanë për t’i çliruar nga deliri i madhështisë hoxhiste, me fjalë të tjera, që hap pas hapi të fillojnë të ndërgjegjësohen se nuk kanë ekzistuar dhe nuk ekzistojnë vetëm ata në hapësirë dhe në kohë, por edhe qënie të tjera, të barabarta me ta sipas ligjit apo dhe sipas moralit të trashëguar prej shumë kohësh që thotë, se jemi të gjithë të barabartë përpara Zotit. Nga sa kam lexuar arritja e këtij ndërgjegjësimi mund të ketë nevojë për terapi grupi. Pra do të duhej që në seancat të merrnin pjesë deputetët psh. me grupe parlamentare, ku sejcili deputet të luante rolin e Sali Berishës apo të Edi Ramës dhe këta të luanin rolin e deputetëve të thjeshtë duke provuar reciprokisht ndjenjat e skllavit dhe padronit. Edhe ministrat do të duhej të vinin me të gjithë stafin e tyre. Por, e përsëris edhe një herë, nuk jam ekpert, aq më pak ndërkombëtar, e puna në detaje u përket atyre.

Së dyti, duke qenë se politikanët tanë janë për të bërë punë publike, dmth., siç thuhet rëndom, për t'i shërbyer publikut dhe jo vetvetes dhe familjes së tyre, një pavjon tjetër i kësaj Qendre mendoj se duhet të punojë që ata të çlirohen nga sindromat e homo economicus. Antropologjikisht homo economicus karakterizohet si një qënie që vepron i shtyrë vetëm nga motive instumentalizimi të gjithshkaje që e rrethon për të arritur qëllimet e tij materiale dhe egoistike; me një fjalë ai nuk bën kurrë një gjë për asgjë si ç'është psh. të kënduarit apo të menduarit me vete, shëtitjet në ndonjë park apo bisedat me miqtë e fëmijërisë për të kujtuar të kaluarën e lumtur. Është një qënie që atë mësimin moral të Kantit që thotë "Njerëzit mos i shih si mjete, por si qëllime" e ka të kthyer kokëposhtë: i sheh të tjerët vetëm si mjete për përfitimin e tij material. Dikush do të thotë se kjo është tashmë diçka normale në shoqërinë e konsumit, se nuk është sëmundje. Mirë, por problemi është se politikanët nuk janë biznesmenë as industrialistë të cilët, si të thuash, e kanë këtë sëmundje "profesionale". Politikanët, edhe në të ashtuquajturën botë e konsumit, demokratike, me ndonjë përjashtim sigurisht si psh., Berlusconi në Itali, shihen si në shërbim të publikut për çka ky i paguan ata me rroga jo të këqija, por që s'u lejojnë kurrsesi të bëhen milionerët e vendit.  Kurse këta tanët janë në garë se cili të bëhet milioner më parë, sikur të punojnë në Bursë jo në Parlament. Mendoj se puna që këta të kuptojnë se Parlamenti nuk është Bursa ka nevojë edhe për një trajtim psikoterapeutik.

Jam i bindur se nëse punohet në këto dy drejtime shumë shpejt do të vihen re përmirësime të dukshme tek politikanët tanë. Ndër këto do të theksoja rizgjimin tek ata të ndjenjës së të bukurës që bije në sy se e kanë humbur krejtësisht. Dikush do të thotë se ndjenja e të bukurës ka nevojë për edukim estetik dhe jo për kura psikoterapeutike. Unë ngulmoj se diçka anormale ka ndodhur tek ata dhe se kjo e ka burimin tek dy problemet psikike që përmenda. Përndryshe s'kam se si e shpjegoj që Sali Berishës vetëm pas njëzet vjetësh i duket e shëmtuar Piramida, kurse Edi Ramës, që ka mbaruar akademinë e arteve të bukura, i duket një mrekulli arkitektonike shtesa e katit mbi ish Komitetin Qendror?

Sipas teorisë time, kjo humbje e ndjenjës së të bukurës vjen së pari, nga uni i stërfryrë i politikanëve tanë që i ka bërë të besojnë se e vetmja gjë e bukur që ekziston mbi tokë është vetja e tyre. Mjafton të shohësh se sa shpesh e sa gjatë dalin nëpër televizione. Së dyti, nga homo economicus. Sepse, sikurse dihet, e bukura lidhet shumë me formën: "formë e pastërt e paqëllimtë" e quan Kanti artin; lidhet me ruajtjen e trashëgimisë, të kujtesës, të pejsazhit etj., etj.. Kurse homo economicus, me deformacionin e tij, që e bën të shohë vetëm përfitimin material, i humbet këto forma marrëdhënieje me botën që e rrethon. Ai po pa një pejsazh të bukur nuk ka aftësinë ta shijojë atë, por menjëherë mendon se sa fitim do t'i sillte ndërtimi i një pallati, i një vile apo i një fshati turistik atje; po pa një plazh të bukur thotë se mbi rërën e tij mund të ngrihet një hotel; po pa një lumë ai thotë se aty mund të bëhet një hidrocentral; po pa një pyll thotë se nga shitja e drurit të tij mund të fitoj kaq e aq; po pa një vilë të vjetër dykatëshe thotë se kjo duhet shembur sa më parë që të ngrihet një dhjetëkatëshe; po pa nje pallat katërkatësh thotë se aty mund të bëhet për bukuri një shtesë kati; po pa piramidë thotë se ajo nuk e shfrytëzon si duhet ajrin mbi bazament duke llogaritur menjëherë se sa metra katrorë sipërfaqe ndërtimi ka humbur atje. A nuk e keni vënë re se homo economicus ka filluar të ndërtojë në Tiranë piramida me majën poshtë për të shfrytëzuar sa më mirë ajrin?

Ja pse mendoj se kurat e propozuara do të risillnin ndjeshmërinë për të bukurën tek politikanët tanë dhe do të na e bënin të gjithëve kësisoj jetën dhe ambjentin një çikë më të bukur. Po u realizua projekti i kësaj Qendre, Piramida, që është si të thuash simboli i diktaturës, dmth. i psiqikës së sëmurë të individit dhe kolektivit shqiptar, do të kthehej kështu në vendin ku do të fillojnë të çlirohen potencialet sociale, afektive, etike të "kafshëve politike" të vendit të shqiponjave. Do të ishte një vend ku madje do të mund të vinin për shkëmbim eksperience edhe nga bota. Personalisht duke qenë se punën që bëj si gazetar e person publik e konsideroj edhe atë politikë, do të nxitoj të regjistrohem ndër pacientët e parë të Qendrës e cila mendoj se herë pas here duhet të jetë e hapur edhe për publikun i cili duhet të vigjëlojë rreptësisht se mos politika korrupton psikoterapeutët.

Përfundimisht, sikurse e thashë disa herë gjatë këtij shkrimi, ky propozim ka nevojë të konsultohet me ekspertë ndërkombëtarë, të cilët do të jenë ata që do të përcaktonin në detaje punën që duhet bërë në Qendrën e Pastrimit Psiqik të Politikës dhe e pranoj se, tek e fundit, për këtë do të vendosë Parlamenti. (Panorama, 10 nëntor 2010)

Read More......

Tuesday, November 2, 2010

Kudhes - Qeparo

Shënime udhëtimi


Gjetja e një vendi për të fjetur ku të mos binim pre e zhurmave ishte për ne aventura e çdo mbrëmjeje. Duke parë se në Porto Palermo nuk kishte disko, pyetëm se mos ishte e lirë ndonjëra nga ato shtëpizat prej druri. Përgjigja që morëm ishte se qenë të gjitha të zëna. Vendosëm të vazhdonim rrugën për më në jug, drejt Borshit apo Lukovës. Dikush na tha se ndoshta do të na duhej të udhëtonim deri në Sarandë për të gjetur një vend të qetë, por planet tona ishin të vizitonim edhe fshatra të tjera përpara se të mbrrinim në Sarandë. 
Darkën u ndalëm ta hamë në Qeparoin e poshtëm, në një lokal buzë detit. Aty ishin një numër lokalesh jo më larg se njëzet metra nga bregu prapa të cilëve s’kishte as rrugë makine, kështu që ai breg i bukur nuk shërbente vetëm për çadrat e diellit të plazhistëve, por edhe si rrugë për ca xhipa që shkonin e vinin nëpër rërë, nga e për në lokalet më përtej.
Supa e peshkut ishte e mirë. Pronari u interesua për të na gjetur ndonjë vend për të fjetur, por, pas disa telefonatash, na tha se të gjithë të njohurit e tij që merreshin me këtë biznes i kishin të zëna dhomat. Ishte vonë, krejtësisht terr, kur u nisëm për më në jug drejt Borshit me shpresën se do të gjenim dhoma fjetjeje aty. Dhe në fakt na buzëqeshi fati. Në një shtëpi në hyrje të një rruge që të çonte për në plazhin e Borshit pamë një tabelë ku shkruhej se jepeshin dhoma fjetjeje. I ramë celularit dhe na u përgjegj një burrë që na tha se kishte, por vetëm një dhomë. Ndaluam dhe pritëm të dilte. Shtëpia ishte një dykatëshe me obor rreth e rrotull me një hyrje të mbuluar me hardhija rrushi. Hymë brenda dhe pamë se dhoma për ne ishte në katin përdhes, dhomë ndenjeje e kuzhinë bashkë, ku përveç një krevati dopio kishte edhe një si divan  për të cilin i zoti i shtëpisë na tha se hapej e bëhej shtrat dysh.
Vendosëm menjëherë të qëndrojmë të pestë atje, Yuri me Davidin tek divani shtrat, ne me Lunën në krevatin dopio, pa e çuar më tej aventurën nëpër terr. Banja ishte jashtë, prapa një dere që dilte në oborr. Debora me shqipen e saj i tha atij nëse mund të hanim mëngjesin aty. Është shumë “carino” të hamë nën ato hardhitë e rrushit këtu jashtë – na tha ne në italisht. E paguajmë veçmas dhomës - më tha - thuaji. I zoti i shtëpisë në fillim ose nuk mori vesh shqipen e saj ose nuk mori vesh kërkesën. Por për mua ishte e qartë se atje nuk mund të kërkonim këtë lluks agroturistik. Ajo megjithatë ngulmonte se isha unë që nënvleftësoja, s’provoja. Gati sa nuk u zumë sepse unë pretendoja se isha ekspert në vendin tim dhe s’mund të bëja qesharakun duke kërkuar një gjë që atje s’mund të kërkohej pasi kuptohej me një të parë se ajo ishte një shtëpi e improvizuar për t’u bërë bujtinë. Le të tjera, por as na u shfaq ndonjë grua e shtëpisë që të nesërmen mund të na shërbente ndonjë gjë nga kuzhina e tyre sepse, sa për burrin, dukej sheshit se s’bëhej fjalë. I zoti i shtëpisë, pasi e kuptoi më në fund se për çfarë po grindeshim, na tha se kishte plot lokale andej rrotull ku mund të haej.
Kur ne mbaruam punë në banjo, në shtëpi kishte rënë qetësi e madhe, ishin fikur të gjitha dritat. Por jo ajo e koridorit të hyrjes së shtëpisë që, kur fikëm tonën, vumë re se na hynte keqas në dhomë sepse gjysma e derës ishte prej xhami. Dolëm në koridor për të gjetur çelësin që s’gjindej kërkund. Një provë më tepër se kishim të bënim me një bujtinë të improvizuar. Dhamë e morëm derisa vendosëm të varim mbi derë një batanije që ndodhej aty për të penguar dritën.
Gjithsesi një problem më i madh na doli pasi errësuam dhomën: mickonjat me të cilat luftuam ndonjë copë herë derisa na zuri gjumi.
Të nesërmen fëmijët e familjes na përcollën me kuriozitet dhe me shumë dashamirësi.

Kudhës
Për të ngrënë mëngjesin u kthyem në Qeparoin e poshtëm në të njëjtin lokal ku hëngrëm darkën. I zoti i lokalit na tha se për në fshatin Kudhias rruga nuk na merrte më shumë se njëzet minuta.
Kudhësi nuk duket nga deti, është i fshehur prapa kodrave. Kjo e bënte zbulimin e tij edhe më tërheqës në imagjinatën tonë. U ngjitëm atje pasi kaluam një luginë të bukur plot gjelbërim e lule, ngjyra ngjyra të lumit të Qeparoit që në pjesën e sipërme, që zbret nga malet, quhet i Kudhësit dhe pastaj morëm një rrugë të përpjetë që ishte, në pjesën më të madhe, njëkalimshe, e shtruar me një si beton të vijëzuar.
Rruga e makinës, kur hynte në fshat, kalonte nëpër shtëpitë e poshtme të tij dhe mbaronte në një shesh që mund të konsiderohej qendra e fshatit. Ajo që na befasoi ishte se fshati dukej më i mbajtur sesa fshatrat e tjerë që kishim vizituar. Kishte më pak shtëpi të rrënuara.
Tek sheshi, parkuam makinat nën hijen e një rrapi anës të cilit ishte një ndërtesë nga ato të kohës së Hoxhës. Në krahun e sipërm të sheshit ishte një lokal i vogël në oborrin e të cilit kishte një tjetër rrap, më të madh se i pari, rreth të cilit ishin disa tryeza e karrike ku qenë ulur disa djem të rinj. Kurse përmbi klubin ishte një rrugë e ngushtë me kalldrëm që të çonte në pjesën më të vjetër të fshatit, ku na thanë se ndodhej edhe kisha.
U ulëm për të pirë kafe nën hijen e rrapit të madh. Prej aty dukej fasada e ndërtesës bri së cilës kishim parkuar makinat. Ishte nga ato të kohës së Hoxhës që i dallon menjëherë, kryesisht për shkak të formës së dritareve që janë të mëdha, me tre kanate dhe me një sopraluçe sipër. Me vështrimin e parë mu duk se mund të kishte qenë o shkolla e fshatit, o zyrat e kooperativës, sepse ishte e pabanuar dhe kishte shumë parrulla të vjetra mbi fasadën e saj. Fillova t’i deshifroja ato. Ashtu si në Porto Palermo, në tërë gjatësinë e fasadës pëmbi dritaret kishte një mbivendosje shtresazh, ku disa fjalë të shtresës së sipërme lexoheshin më qartë me atë të kuqen në vishnje  rroftë…  ppsh, kurse poshtë tyre dalloje ndonjë SH e ndonjë P, por jo fjalë të plota. Edhe në të dy anët e derës së hyrjes kishte nga ato citatet e gjata, të futura në korniza, ku jepet ndonjë mësim moral a politik i partisë apo shokut Enver. parti … mësimet kongresit të saj ishte një copë fraze që lexova. Në fasadë kishte edhe shenja të kohës së paskomunizmit që tregonin se funksioni i ndërtesës ishte ndryshuar. Diku përbri derës kryesore ishte shkruar në të zezë “bufe” dhe bri saj një shigjetë që tregonte derën e hyrjes prej llamarine të ndryshkur.  Diku më poshtë dikush kishte shkruar edhe të dua. Por spikaste mbi të gjitha një e kuqe e freskët: ps. fitore me të njëjtën ngjyrë me të cilën ishte shkruar, ndoshta në të një njëjtën ditë me të, edhe një ps e madhe në trungun e rrapit nën hijen e të cilit po rrinim. Fshat socialist ky, – thashë me vete.

* * *
Pasi pimë kafen morëm rrugën e kalldrëmtë për në pjesën e vjetër të fshatit ku na thanë se ishte edhe kisha. Takuam atje pak a shumë të njëjtën romantikë të shtëpive me gurë të vjetër, me vilet e rrushit dhe gomerët që ngjiten e zbresin të heshtur në rrugicat me kalldrëm. Na ra në sy se kishte më pak shtëpi të rrënuara dhe më shumë njerëz dhe gomerë nga ç’mund ta imagjinonim.
Gjatë rrugës dëgjova disa vajza të vogla që flisnin greqisht me njëra tjetrën. I pyeta në shqip se ku ishte kisha dhe u habita kur dëgjova  të ma shpjegonin me një shqipe mjaft të pastër.
“Ku e keni mësuar shqipen?” – i pyeta, duke menduar se ishin minoritare dhe se shkollën fillore e bënin në greqisht.
“Na e kanë mësuar prindërit.” - mu përgjegjën.
Mbeta pak i habitur: fëmijë që me njëri tjetrin flisnin greqisht dhe që, megjithatë, si gjuhë të prindërve kishin shqipen.
“Po greqishten ku e keni mësuar?”
“Në shkollë.”
Prap s’po kuptoja gjë. Prindër shqiptarë që i kanë çuar fëmijët në shkollë greke? Por më ndihmoi një grua që kaloi aty më në atë çast.
“Këta janë fëmijë shqiptarësh – më tha. Fshati ynë është fshat shqiptarësh në origjinë, por shumica e banorëve kanë shkuar në Greqi dhe këto vajza që sheh ti janë fëmijë shqiptarësh që e bëjnë shkollën në Greqi prandaj flasin greqish me njëra tjetrën. Tani janë këtu me pushime.
Po prekja një realitet të ri shqiptaro-grek të atyre anëve. Pas një periudhe gati gjysëm shekullore që minoriteti grek u shtrëngua të jetonte i izoluar nga Greqia e ku, për ata që synonin arsim të lartë, shqipja bëhej gjuha më e rëndësishme kulturore, tani po jetojmë një kohë kur shqiptarët e atyre anëve shkojnë të punojnë e studiojnë në Greqi aq sa gjuha greke bëhet për fëmijët e tyre gjuha më e rëndësishme kulturore. Një provë tjetër e identiteteve të lëngshëm e të shumëidentiteteve kundër identiteteve të ngurta e njëidentiteteve në të cilët janë reduktuar gjyshërit e prindërit e këtyre fëmijëve nga politikat nacionaliste dhe do të duan t’i reduktojnë edhe këta fëmijë nesër nacionalistët e rinj të të dy anëve duke u thënë jeni puro shqiptarë ose puro grekë.

* * *
Kur arritëm tek kisha e lyer e tëra në të bardhë, me këmbanoren të re, pamë se nuk hynim dot brenda. Vendosëm të zbresim. Duke zbritur më poshtë më tërhoqi vëmendjen një sheshi i vogël ku ishte rritur një bar i egër, tufa-tufa, në fund të të cilit kishte një si varr e memorial njëherësh në një stil që mu duk i çuditshëm. Kur u afrova pashë se ishte memorial i tre vëllezërve dëshmorë të fshatit me mbiemrin Dako. Nuk ngjasonte me stilin e monumenteve që kanë ngritur komunistët. Ata zakonisht kanë pasur një ballinë që ngrihej vertikalisht ku shkruhej emri i dëshmorit dhe dita e lindjes e vdekjes dhe, në rastet kur kishte varr, edhe një pllakë horizontale, por nuk kanë qenë të mbyllur anash. Kurse ballina e këtij, ku spikasnin tre pllaka mermeri me emrat e dëshmorëve, të futura në një si mur të trashë me një si hark sipër, vazhdonte nga përpara me një rrethim katror që zbriste shkallë-shkallë për t’u mbyllur me derë hekuri përpara. Mu duk një gjë si pa stil dhe, sikur të mos ishin tre yje partizani në pllakat prej mermeri, zor ta merrje për memorial të kohës komuniste. Fotot e dëshmorëve, midis yllit të kuq lart dhe emrit poshtë, kishin rënë. Pas gjasash, thashë me vete, ky memorial është modifikuar në kohët e mëpastajme.

 * *
Kur po dilja nga ai shesh i vogël më tërhoqi vëmendjen, në një cep të tij, një çezmë publike e rrënuar dhe e tharë çprej kushedi se sa kohësh. Mbi murin mbi të cilin ishte mbështetur ajo kishte një pllakë përkujtimore ku thuhej se ajo çezmë ishte dhuratë që ia kishte bërë fshatit nëna e tre dëshmorëve të Kudhësit.
Pra nëna e tre dëshmorëve paskësh qënë një lloj kulti në fshat. E lidha këtë me parrullat që pashë tek fasada e ndërtesës, tek sheshi ku kishim pirë kafen, dhe mendova se fshati duhej të ishte nga ata që kanë nxjerrë pushtetarë komunistë që pastaj i kanë vënë vulën  historisë së fshatit dhe identitetit të tij politik duke përdorur edhe nënat e dëshmorëve. Më intrigoi figura e kësaj nëne. E imagjinova të veshur me petkun e personazheve të ashtuquajtur tipike të socrealizmit, që i kanë dhënë asaj një rol që duhej ta shkërbente tërë jetës duke u bërë personazh e duke e humbur veten si person. Nëna, e cila dashurinë për fëmijën, një nga ndjenjat më të forta njerëzore, e sakrifikon në altarin e një ndjenje më të lartë. Nëna që pjell heronj, krenare për bijtë e saj që i janë vrarë në luftë, që këtë krenari e ve mbi dhimbjen e vuajtjen e humbjes së bijve; një kopje e vogël e nënës Shqipëri që i jepte kuptim vdekjes dhe sakrificës së dëshmorëve të kombit. Ky ishte pesonazhi tipik socrealist që kishte për bazë nënën e maksim Gorkut. Por thellë-thellë ndoshta personazhi e kishte burimin që nga e ëma e Krishtit. Mirëpo Maria është shumë më e besueshme si personazh, ajo vuan e qan për kryqëzimin e të birit, kurse në socrealizmin tonë ky personazh nëne nuk mundi të bëhej kurrë bindës.Heronjtë e socrealizmit tonë nuk duhet të vuanin, nuk duhet të kishin dobësi, as dhimbje, sepse këto qenë shenja dobësie. Ata duhet të ishin edhe të pamëshirshëm ndaj atyre që tradhëtonin idealet. Ndoshta është pikërisht mungesa e vuajtjes, e dhimbjes, e mëshirës - dimensione kaq të rëndësishëm njerëzor - që realizmi socialist ua hoqi personazheve të veta, duke i bërë të paarritshëm nga vdekëtarët, që i bëri ata krejt të pabesueshëm, pa lidhje me realitetin dhe prandaj edhe jo frymëzonjës. Kush e di se sa e ka vuajtur në fakt ajo nënë humbjen e tre djemve.
Mu kujtua historia e një nëne tjetër, edhe ajo nga fshatrat e Jugut, që jo rastësisht s’u bë kurrë personazh i realizmit socialist. Asaj iu vra djali në luftë. Kur ishte në kulmin e dhimbjes dhe shokët e djalit partizan i dërguan një gjerman që e kishin kapur rob që ta vriste vetë apo që t’ia vrisin në sy për shpagim, ajo refuzoi duke u thënë: ka edhe ky nënën e vet.
Gellenri, në “Feja dhe profanja”, duke u marrë me pyetjen se pse marksizmi nuk u bë dot një fe e qëndrueshme si Krishtërimi apo Islami e gjen shkakun në faktin se marksizmi kërkoi të zhdukë dallimin midis së shenjtës dhe profanes në jetën njerëzore, duke argumentuar se njeriu ka nevojë për profanen. Persomazhet e socrealizmit më duket se janë  ilustrimi më i mirë i kësaj ideje, i prirjes për ta zhdukur profanen nga jeta njerëzore. Sepse vuajtja, apo dobësia janë profania. Në fakt, refuzimi nga Krishti i tre tundimeve të Djallit, e ruan ndarjen midis profanes dhe së shenjtës.
 

Qeparo
Fshatrat e Jugut shpesh më vjen t’i krahasoj me tablotë e ndryshme, të së njëjtës periudhë, të ndonjë piktori të madh, në të cilat gjen të njëjtën dorë, talent, frymëzim, stil, dashuri, por midis tyre, megjithatë, veçon ndonjërën që të duket më e bukura, më e veçanta. Qeparoi i sipërm në këtë kuptim është, për mua, më i bukuri krijim i “autorit” të fshatrave të Jugut.
Dhe përsëri, kur them këtë, ndodhem përpara vështirësisë për të shpjeguar deri në fund: Pse është më i bukuri? E ndjen dhe thua se të pëlqen më shumë nga të tjerat që ke parë, se është kryevepra e autorit, po pse? Rrugët dhe rrugicat e Qeparoit mund t’i gjesh edhe në Vuno, edhe në Dhërmi, edhe në fshatrat e tjera të Jugut. Edhe intimitetin, edhe stilin e shtëpive, edhe befasitë që të presin në kthesat e papritura të rrugicave. Po ashtu, një pjesë e rrënojave të Qeparoit sikur kanë marrë atë shkrirjen me shkëmbin, me natyrën që kanë në Himarë, sa tashmë janë kthyer në monumente artistike që sikur të vjen keq t’i ndryshosh.
Por  Qeparoi veçohet, është më magjepësi nga të gjithë dhe duke dashur ta shpjegoj pse do të thoja se kjo vjen ngase disa nga karakteristikat e bukurive të fshtrave të Jugut në Qeparo shfaqen në mënyrën më ekspresive apo më të skajëshme. Njëra syresh, ndoshta më kryesorja, është vendosja e këtyre fshatrave mbi lartësitë e kodrave dhe maleve që shohin mbi det. Në Qeparo kjo lartësi është më e madhe se e të gjithë të tjerëve. Dhe lartësia nuk e bën Qeparoin të veçantë vetëm përsa i përket bukurisë së pejsazhit që të hapet nga ballkoni malor ku është vendosur ai. Edhe vetë fakti që njeriu ka shkuar aq larg, aq lart për të ngritur ato shtëpi të mrekullueshme prej guri, i jep një magji të veçantë këtij fshati. Dhe prap nuk është vetëm kjo. Pejsazhi që shfaqet kur je në Qeparo është i mrekullueshëm jo vetëm për nga ana e detit poshtë, por edhe për nga ana e maleve prapa tij. Jo gjithmonë majat e maleve të krijojnë të njëjtën ndjenjë estetike. Duhet një distancë prej ku ata të duken më të bukur, duhet edhe një kënd gjithashtu. Vendi që ka zgjedhur “autori” për të ngritur fshatin e ka bërë këtë mrekulli. Midis fshatit dhe maleve prapa tij ka një distancë që jo vetëm të jep mundësi lëvizjeje nëpër hapësira të sheshta, por që i jep edhe shikimit frymëmarrje për të parë e shijuar qiparisat përtej, tek varreza e fshatit, e për të ngritur pastaj shikimin tek malet e larta të cilat nuk i rrinë fshatit si barrë mbi kurriz, por i ofrojnë pamjen e një pejsazhi malor me maja që qëndrojnë në një harmoni të veçantë ndaj njëra-tjetrës e ndaj qiellit.

Çezmat e shterura

Një nga gjërat e veçanta që më tërhoqi duke ecur nëpër rrugicat e Qeparoit qenë disa çezma publike, edhe ato tashmë të shterura si çezma e nënës së heronjve në Kudhias.
Shumica ishin të thjeshta: një kuadrat çimentoje i mbështetur mbi një mur prej ku dilte tubi i rubinetit dhe një kuadrat i poshtëm, po prej çimentoje, me vendin për të venë këmbët dhe vrimën katrore. Tashmë, tubi ku duhej të derdhej uji ishte në të gjitha çezmat i tharë dhe pa rubinet dhe, po ashtu, gropa poshtë kishte tashmë një zgarë të ndryshkur. Të gjitha, së jashtmi, mbanin shenjat e kohës së komunizmit. Në njërën prej tyre kishte të shkruar 1962 në pjesën e sipërme. Por aty, më tërhoqi në mënyrë të veçantë vëmendjen një çezmë e madhe, që ngrihej më vete edhe si një vepër arti. Ajo kishte edhe një prag të lartë ku mund të hipje kur doje të mbushje ujë, edhe vendin ku derdhej uji e kishte të lartë e të gjerë; kishte edhe një si ballinë prej çimentoje të dalë përpara përmbi mbi vendin e rubinetit në të cilën spikaste relievi i një ylli të madh.
Për një çast mendova se, paradoksalisht, mungesa e mundësisë për të lëvizur gjatë diktuturës sikur i kishte mbajtur gjallë ato fshatra, sepse kuptohej qartë se ato çezma ishin rezultat i ujësjellësave të ndërtuar nga diktatura. Megjithatë, duke parë shtëpitë e bukura të ndërtuara shumë më herët, nuk mund të rikujtoje se edhe koha e komunizmit ka qenë, gjithsesi, kohë e braktisjes së tyre.  Koha e lulëzimit të tyre është ajo kur uji mblidhej me stere, kur ende nuk kishte filluar urbanizimi dhe industrializimi i Shqipërisë.
Por përtej këtyre persiatjeve, duke parë ato çezma të shterura, nuk mund të mos ndjeje trishtimin e braktisjes. Një çezme ku të gjithë pijnë të njëjtin ujë, si dhe përpjekja e përbashkët e njeriut për ta sjellë atë ujë atje ku jeton, ka një simbolikë shumë të fortë bashkësie, do të thoja. Nuk di sa ndikoi për këtë vëzhgim një nostalgji e jashtzakonshme që kam për çezmat publike që ekzistonin edhe në Tiranën e fëmijërisë sime. Ato ishin një pikë e rëndësishme, sa simbolike aq edhe jetësore, e lagjes.  Zhdukja e tyre, që mesa kujtoj filloi që me kohën komuniste, me pakësimin e ujit anës rrugës apo në cepa rrugësh ku ndaleshim, pinim ujë, freskoheshim apo lanim duart, ishtë një gjë e trishtueshme. Kjo zhdukje ishte një shenjë degradimi, jo thjeshtë e qytetit, por e cilësisë së jetës e relacioneve njerëzore.
Çezmat e shterura të Qeparoit sikur ishin dëshmia më e fortë e një jete që kishte qenë aty dhe që nuk dihet se kur do të kthehet, nëse do të kthehet ndonjëherë.

* *  *

Në një nga rrugicat e fshatit dëgjuam, prapa një dere, lehjen e një qeni që duket e shqetësuam me praninë tonë. Pas pak nga dera doli një grua e vjetër, me një shami lidhur pas koke, me një fund mbi pantallona të zeza si tuta, të futura në fund nën çorapa të bardha, dhe një bluzë të lëshuar. Megjithëse ajo doli, qeni nuk pushonte së lehuri. Pasi pak hipi edhe mbi njërin nga muret e shtëpisë, duke vazhduar të lihte derisa pa që filluam të flasim me të zonjën e shtëpisë.
Gruaja u duk menjëherë se kishte qejf të bisedonte.
“Si ia kaloni këtej?” – e pyeta.
“Si t’ia kalojmë – më tha. Enver Hoxha ka qenë njeri i ditur. Ai ka thënë një fjalë: po u hapën kufijtë njerëzit do të ikin. Dhe ashtu ndodhi. I doli fjala.”
Duke i ngatërruar kohët dhe vitet, e duke i veshur Enver Hoxhës fjalë që nuk i kishte thënë kurrë, na la të kuptojmë se jetonte me nostalgjinë e kohës kur kishte qenë mësuese fshati, që kishte qenë për të një kohë shumë më e mirë se kjo që po jetonte tani aty, e vetmuar me një pension të vogël nga koperativa.

Duke i ngatërruar kohët dhe vitet, e duke i veshur Enver Hoxhës fjalë që nuk i kishte thënë kurrë, na la të kuptojmë se jetonte me nostalgjinë e kohës kur kishte qenë mësuese fshati, që kishte qenë për të një kohë shumë më e mirë se kjo që po jetonte tani aty, me një pension të vogël, e vetmuar në mes të shtëpive të braktisura.
Takimin me këtë ish mësueses fshati, ashtu si atë me çezmat e shterura të Qeparoit e përjetova edhe me kënaqësisë e emocioneve të zbulimit të tyre, që sikur vjen përpara e përtej reflektimit. Më pas, sa më shumë mendoja, aq më pak isha në gjendje të dalloja se ç’pjesë të këtyre emocioneve e zinte përjetimi i takimit me to si me dëshminë e një jete që kishte qenë aty dhe që nuk dihet nëse do të kthehet ndonjëherë dhe ç’pjesë e zinte dëshira që kjo jetë të rikthehet aty duke i dhënë gjallëri edhe bukurive të Qeparoit. Por - vazhdova të mendoj - nëse ajo rikthehet kjo do të duket jo me rindërtimin e shtëpive private, që shihje se aty këtu kishte filluar, por me rrjedhjen e ujit nëpër ato çezma publike dhe me mbushjen përsëri me fëmijë të shkollës së asaj ish mësuesje.


vijon

Read More......