Lexova para disa ditësh në Shekulli shkrimin “Manipulimi i mendjeve”. të Ardian Klosit. Nga ai mësova se në tekstet e mësimit të gjuhës e letërsisë të klasës së 10 paska çudira. Klosi tregon se atje ku fëmijëve u mësohet strategjia e të shkruarit jepen për ushtrim, midis të tjerash, edhe fragmente tekstesh, për të cilët fëmijëve u kërkohet të bëjnë një përmbledhje. Dhe deri këtu nuk ka ndonjë çudi. Çudia që sjell Klosi në shkrimin e tij ka të bëjë me përzgjedhjen e këtyre fragmenteve. Sëbashku me një fragment nga romani i Kadaresë “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në librin në fjalë na qënkej vendosur edhe një fragment i një libërthi të Ardian Ndrecës ku ky i kundërvihet monografisë së Skënderbeut të historianit zviceran Oliver Schmitt. Është një fragment ku, siç e shtjellon Klosi, mes tjerash, thuhet se autori qënka nisur me synimin për të çmitizuar Skënderbeun (ndërkohë që në të vërtetë autori thjesht shkruan historinë e Skënderbeut sipas studimeve dhe dokumenteve të tij), se paskësh shkruar se e ka pasur të atin sllav (çka është rrenë sepse ai nuk e ka shkruar) gjë që e paska bërë të bijën e Klosit, që është edhe ajo nxënëse e klasës së dhjetë, t’i thotë të atit: "Nxënësit mendojnë shumë keq për ju të dy”, “Schmitti dhe emri i tij janë bërë për nxënësit tashmë “tabu". Për ata si unë që kanë lexuar librin e Schmitt (por besoj se edhe për ata që nuk e kanë lexuar, por që kanë minimumin e racionalitetit e të pavarësisë së gjykimit), zgjedhja e një fragmenti me përmbajtje të tillë është skandaloze dhe alarmante në shumë aspekte. Së pari kjo zgjedhje më bën të ngre disa pyetje. Nuk paskemi ç’tu japim fëmijëve tanë ndonjë vlerë më të mirë sesa ato të kulturës së vjetër të urrejtjes etnonacionaliste, aq më tepër në një kohë kur aspirojmë të bëhemi pjesë e shoqërive që jetojnë periudhën postnacionaliste dhe kur ne, në Ballkan, jemi më të vonuarit në këtë aspekt? Si ka mundësi që fëmijët tanë kanë mbetur në rrethimin e kulturës nacional – romantike të Rilindjes, që e vinte shkencën në shërbim të ideologjisë nacionaliste (çka qe fenomen i kohës edhe gjetkë në atë kohë) e që pastaj u ngurtësua keqas në kohën e ideologjisë nacional - komuniste dhe të vetizolimit të pushtetit të Enver Hoxhës? Si ka mundësi që fëmijët tanë, ashtu si në atë kohë, vazhdojnë të frymëzohen që të mbajnë qëndrime armiqësor ndaj shkencëtarëve e studiuesve që japin versione të tjera të historisë nga ato të kulturës zyrtare të pushtetit, në një kohë kur s’duhet të ketë më versione zyrtare të historisë? A do të mundin fëmijët tanë nesër, pas kësaj shkolle, të aftësohen për t’iu qasur metodave të reja shkencore në shkencat humane apo do të mbeten përfundimisht jashtë tyre (siç duket se ka mbetur Ndreca dhe autori i tekstit të gjuhës), apo do të përdorin edhe ata nesër, ashtu si mësuesit e tyre, teknikat e mashtrimit, të rrenës e të manipulimit në punimet e tyre?
Ndaj këtyre pyetjeve, me fjalë të tjera ndaj pyetjes se çfarë po ndodh në shkolla me fëmijët tanë, përgjigja që të vjen duke iu referuar këtij fakti është: në vend se t’u ndërtohet mendja me aftësinë për të gjykuar e për të kërkuar e dashuruar të vërtetën po u shkatërrohet duke iu mbushur me stereotipe e klishe të stërvjetëruara e me kulturën e rrenës. (Dhe, siç do ta shtjelloj më poshtë, nuk është thjesht e vetëm ky fakt që më shtyn të mendoj kështu.)
Pyetja tjetër që shtrohet është pse ndodh kjo? E këtu më duhet të kundërshtoj autorin e shkrimit kur shpreh një lloj nostalgjie për shkollën e kohës së tij. Ai thotë se “dekada më parë brezi ynë [I Klosit F.L.], në pikëpamje të njohjes dhe përdorimit të gjuhës shqipe, të njohjes dhe dashurimit me letërsinë e mirë, u rrit shumë më i shëndetshëm se i sotmi.” duke na lënë të kuptojmë, indirekt, se ajo shkollë ishte superiore ndaj kësaj të sotmes. Nga sa dëgjoj pedagogë të djeshëm e të sotëm, jo vetëm gjuhën, por edhe matematikën edhe fizikën edhe biologjinë nxënësit e kohës së regjimit e kanë mësuar më me zell se sot, jo aq për shkak të teksteve, se sa për shkak se rëndësia që i jepej shkollës/shkollimit ishte më e madhe dje sesa sot. Por çështja që ngre fakti në fjalë, megjithatë, nuk vjen nga diferenca midis dy shkollave, por nga vazhdimësia e tyre. Fakti tronditës i sjellë flet për vazhdimësinë e shkollës nacional – komuniste të kohës së Hoxhës, të metodave të trushpëlarjes apo manipulimit të mendjeve të brishta të fëmijëve, veçanërisht përsa i përket lëndëve të tilla si historia apo letërsia shqipe që janë edhe më të lidhura me instrumentet e dominimit e manipulimt të njeriut shqiptar nga elitat. Sepse, kur ngre pyetjen se pse ndodh që Ndreca shkruan ashtu, apo pse autori i tekstit të gjuhës ka zgjedhur tekstin e Ndrecës për të venë në atë libër, nuk mund të kemi tjetër shpjegim përveç atij se ata janë produkte të asaj shkolle e jo i asaj të Schmittit. Dhe kur them “shkollë” nuk kam parasysh thjesht shkollat fillore të mesme apo universtitetet, por një kulturë që ka transmetuar ai regjim edhe nëpërmjet atyre shkollave. Dhe nuk e kam fjalën vetëm për Ndrecën dhe për këtë rast. Ky rast flet për politika dhe për një elitë të tërë që po dikton kulturën e vet retrograde në shkollat tona. Madje me në krye një nga mësuesit dhe frymëzuesit e Ndrecës, autorin e vendosur në tekstin në fjalë sëbashku me të, Ismail Kadarenë. Jo më larg se disa javë më parë ky botoi një libër sprovë letrare, “Mosmarrëveshja”, ku, në kapitullin “Gjergj K. Kundër Arbërit”, i quan ata që guxojnë të thonë se nëna e Skënderbeut qënkej sllave “renegatë” (kështu i ka quajtur ai, me gjuhën e Enver Hoxhës, tradhëtarët e atdheut në librat që botonte asaj kohe kurse në “shqipërimet” e paskomunizmit i quan “rimohues”), si njerëz që punokan që të zhbëhet kombi shqiptar, që inspirohen, në mos po paguhen, nga serbët. Nëse Fatos Lubonja ka shkruar më 1999 një shkrim të botuar në Courrier International, ku, duke shpjeguar historinë shumëshekullore të marrëdhënieve shqiptaro serbe, thotë se urrejta e shqiptarëve me serbët është një produkt i nacionalizmit të shek XIX-XX, nuk është një produk i kohës ë Skënderbeut kur shqiptarët dhe serbët kanë jetuar së bashku gati në simbiozë (dhe nën identitetin e krishterë jo atë nacional) aq sa nëna e Skënderbeut është sllave, për Kadarenë kjo është t’i futësh një thikë pas shpine Kosovës, të thuash gjëra që i ka thënë Vuk Drashkoviçi (paçka se atë e thotë edhe Fan Noli). Po të lexosh çka shkruan Kadare, dhe jo vetëm ai, për tema si kjo kupton se Ndreca nuk është një rastësi, por produk i asaj kulture që shkencën e letërsinë i ka vënë në shërbim të ideologjisë, të rrenës dhe manipulimit aq keq e kultivuar kjo veçanërisht nga intelektualët e komunizmit. Kupton pra edhe pse kjo kulturë është kaq e përhapur sot tek ne, aq sa të lind dyshimi nëse këta i kanë bindje këto apo i kanë konformizëm, dhe se sa e vështirë do të jetë të mbrohen fëmijët tanë prej saj.
Problemi pra është se fakti i sjellë nga Klosi tregon se thelbi i shkollimit dhe kulturës që i japim fëmijëve tanë, veçanërisht përsa i përket historisë sonë dhe gjuhës e letërsisë sonë, nuk ka ndryshuar edhe pse ndoshta kur bëhet fjalë për tekstet në përgjithësi formalisht mund të kenë më pak indoktrinim se dje. Dhe ky thelb buron nga fakti se shkrimtarët dhe studiuesit dhe mësuesit e regjimit/eve nuk i paraprijnë shoqërisë me ide të reja, me antikonformizëm, nuk guxojnë t’i kundrëvihen kulturës dominante të propaganduar në mënyrën më vulgare nëpër masat nga politikanët për t’i manipuluar ato, por i konformohen asaj, janë në shërbim të saj, dhe pastaj në një rreth vicioz, si gjarpëri që ha bishtin e vet, lidhen me pushtetin që të mbrojnë veprën e tyre dhe e përdorin pushtetin që të indoktrinojnë pasardhësit me kulturën e veprës së tyre. Thelbi pra është ai i ngritjes kësisoj të një kulture zyrtare për të cilën punon e paguhet një elitë retrograde, e cila nuk i paraprin shoqërisë, por ecën dorë për dorë me pushtetin. Thelbi është ai i një shkrimtarie, i një shkence, i një dijeje në shërbim të një pushteti, të sponsorizuar nga pushteti, të kontrolluar nga pushteti; të një ideologjie pushteti që sot vetëquhet antikomuniste, por që në thelb përdor të njëjtat metoda të komunizmit e që fare mirë mund ta quash nacional evropianiste, por edhe katoliciste në mjaft raste, siç është edhe ky i Ndrecës që në librin e tij Skënderbeun e nxjerr edhe katolik sepse kështu i leverdis ideologjisë së të sotmes paçka se ç’thotë shkenca. Ky është problemi që sipas meje ngre fakti i gjendur në atë tekst mësimor.
Dhe problemi tjetër është se kjo kulturë ka pasoja përtej edukimit të fëmijëve pasi retorika pseudopatriotike se kush na shkruan ndonjë libër apo thotë ndonjë të vërtetë që nuk përkon me të vërtetat e të paditurve që kanë sunduar historikisht këtë vend, na i shërbeka armikut serb apo grek është bërë një nga gjërat e padurueshme në këtë vendin tonë. Sepse njerëzit shohin përditë se çfarë po i bëjnë vendit efektivisht këta patriotë sot me babëzinë dhe me paditurinë e tyre. Karakteristika e kësaj elite, mu pse jeton në simbiozë me pushtetin dhe nuk lulëzon dot pa të, është që ajo tjerr retorika nacionaliste, por, kur vjen puna për plagët e hapura të shoqërisë të shkaktuara nga pushteti nuk hap gojën, por vazhdon t’i fryjë tamtameve të patriotizmit të shtirë. Nuk është rastësi që ndërkohë që Shqipëria po rrënohet nga një klasë politika super e korruptuar këta flirtues të përjetshëm me pushtetin i bijen kaq shumë tamtameve se kombi po rrezikohet nga ata që thonë se nëna apo babai i Skënderbeut paskesh qenë me origjinë sllave, se ky vetë paskesh qenë tregëtar kuajsh, nga Janullatosi në krye të Kishës Ortodokse, nga muslimanët me shami, apo ku di unë. Shqipëria vërtet po lëngon, por po lëngon mu nga kjo kategori që e ka kaq për zemër fjalën “atdheu” apo “kombi shqiptar”. Le të kujtojmë psh. se Sali Berisha shkoi në Krujë për t’u thënë shqiptarëve se heqja e vizave ishte ngjarja më e rëndësishme që nga koha e Skënderbeut, por nuk kishte sy e gojë, sëbashku me elitën e tij që harton këto tekste e punon nëpër institutet e tij, për të parë se banorëve të Krujës po u merret fryma nga fabrikat e çimentos që u ka sjellë Sali Berisha dhe sivëllezërit e tij tek dera e shtëpisë, se katastrofa ambjentale që po i shkaktojnë Krujës këta të babëzitur po i bën banorët të ikin fare prej kalasë së Skënderbeut. Më duket e tepërt të numëroj se çfarë gjëmash i ka bërë vendit kjo elitë gjithë duke i kënduar kalasë së Skënderbeut, atdheut dhe maleve të Shqipërisë.
No comments:
Post a Comment