Wednesday, May 30, 2018

Protesta e opozitës: nevoja për të dhe kufizimet e saj

E para gjë që duhet thënë për protestën e 26 majit të opozitës është se ajo ishte e drejtë pasi në  çdo vend që pretendon të bëhet pjesë e familjes së vendeve demokratike, ku sundon shteti i së drejtës dhe jo i personave, jo vetëm që Ministri i Brendshëm do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen, për t’i hapur hetimeve rrugë të lirë, por me kohë do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen edhe kryeministri. 
Së dyti, protesta ishte pozitive për të gjithë sepse, në kushtet ku ndodhet vendi, mungesa e çdo proteste do të kishte pasoja edhe më të rënda. Ajo tregoi se opozita, edhe pse e anatemuar nga një pjesë, e nënvleftësuar nga të tjerë apo e përqeshur nga Edi Rama, është në gjendje të bëjë bashkë goxha njerëz që reagojnë. Dhe kjo është e rëndësishme për sot dhe për nesër. Le të imagjinojmë se çfarë do të ishin në gjendje të bënin njerëz si Edi Rama me shokë sikur të mos kishte fare opozitë dhe protesta të tilla. 
Së treti, ajo ishte pozitive pasi, sidokudo, ka arritur të sensibilizojë edhe botën për atë që po ndodh në Shqipëri.
Së katërti, ajo arriti edhe një herë të tregojë se çfarë maxhorance kemi. Fjalët e Edi Ramës se protesta ishte një « punë e pabesë », « antishqiptare » tregojnë se kryeministri i kësaj maxhorance po përdor në mënyrë gjithnjë e më të palejueshme metodat komuniste. Sigurisht konteksti është krejt tjetër, mungon neni i agjitacionit dhe propagandës dhe burgjet politike, mungojnë ligjet kushtetuese që përcaktonin partinë e vetme si drejtuese të të gjithë institucioneve, mungon parulla famëkeqe « me gjak e kemi marrë me gjak do ta lemë (pushtetin) »  por « forma mentis » e kryeministrit dhe ndjekësve të tij është po ajo. Sjellja ndaj rastit Xhafaj ku prokurorisë gati sa nuk iu dha hapur urdhri për rezultatin e hetimit që duhet të nxjerrë si dhe shurdhëria ndaj çdo kritike dhe proteste janë shenja se Edi Rama me shokë po veprojnë në atë rrugë që i çoi komunistët nga krimi në krim.  
***
Thënë këto nuk mund të mos vihen në dukje edhe kufizimet e protestës së opozitës.
Duke pasur parasysh gjendjen e rëndë të vendit, që kërkon medoemos një ndryshim rrënjësor, do të ishte dashur që opozita të arrinte të mblidhte në shesh një numër shumë më të madh njerëzish. Do të ishte dashur që thirrjes së saj t’i përgjigjeshin jo vetëm militantët, por edhe masa e madhe e njerëzve të grabitur, të fyer e të poshtëruar nga babëzia korruptive e kësaj qeverie, nga bashkëpunimi pa precedenti i saj me krimin, nga arroganca dhe paturpësia me të cilën i mohon Kryeministri dhe ndjekësit e tij krimet që tashmë janë bërë evidente për këdo.
Shkaqet se pse kjo masë e madhe nuk ngrihet s’kanë të bëjnë vetëm me dobësitë e opozitës, por, pa dyshim, këto dobësi kanë pjesën e tyre kryesore. Ndër to, të lidhura zinxhir me njëra tjetrën, do të përmendja: 
Së pari, se diskurset politike të opozitës, që krijojnë edhe klimën e protestës, ndalen deri tek denoncimet dhe, ç’është më problematike se edhe këto denoncime ndalen më së shumti deri tek aktorët e politikës, e nuk thellohen tek sistemi (ekonomik, mediatik, i drejtësisë etj.) që na ka çuar tek kapja e shtetit nga krimi i organizuar. 
Së dyti, se këto denoncime i bëjnë po të njëjtët njerëz që kanë pasur mundësi ta luftojnë këtë sistem, madje edhe aktivitetin e protagonistëve që përmendin sot me emra (si p.sh. vëllai i ministrit të brendshëm), por nuk kanë bërë asgjë. Përkundrazi, perceptimi i njerëzve është se  kanë punuar për këtë sistem duke qenë përgjegjës edhe për kalimin e tij në shkallën më kriminale që po përjetojmë sot.  
Së treti, në diskurset e opozitës, por edhe në qeverisjen e njerëzve të saj atje ku kanë pushtetin, mungon paraqitja e një alternative ndaj sistemit kriminal të ngritur, e tillë që të ngjallë shpresë dhe besim tek njerëzit.
Shkurt, qasja e opozitës ndaj të keqes që denoncon është trajtimi i saj si diçka që është produkt i të këqijve që janë në krahun tjetër të politikës. Premtimi që u bën ajo njerëzve është largimi i këtyre të këqijve dhe zëvendësimi i tyre me njerëzit e opozitës. Shumicën e shqiptarëve të demoralizuar kjo nuk i bind jo vetëm pse i kanë parë tashmë këta njerëz se si janë sjellë kur kanë qenë në pushtet, por edhe sepse tashmë ata e dinë shumë më mirë se më parë se e keqja nuk qëndron vetëm tek « kati » i pushtetit politik, që denoncon sot opozita, por edhe në katet dhe themelet ekonomike, mediatike e kriminale që ajo nuk i prek siç duhet.
Ngulmimi i opozitës për të mbetur vetëm tek kati i politikës, që justifikohet sot edhe me idenë se nuk është koha për të nxjerrë përgjegjësitë e së keqes, por për të larguar sa më parë këtë kryeministër që po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm e më i çmendur, e mban atë të izoluar nga një pjesë e madhe e shqiptarëve të demoralizuar. Ky ngulmim shfaqet jo rrallë edhe me dorashkën që u hedhin njerëz të opozitës atyre që qëndrojnë mënjanë duke u thënë: nëse nuk bashkoheni me ne në protestë atëherë s’keni të drejtë as të ankoheni. Problemi i problemeve të këtij qëndrimi është se, edhe sikur opozita t’ia arrijë ta heqë qafe këtë kryeministër, që vërtet meriton të hiqet sa më parë, pak gjë do të ndryshonte në vend, sepse çmenduria dhe kriminaliteti i këtij kryeministri është shprehje e çmendurisë dhe kriminalitetit të sistemit që e ka ngritur e mban në majë të tij.
Një kufizim tjetër i opozitës është edhe kompleksi i saj ndaj ndërkombëtarëve. Ajo e ka më shumë problem tu tregojë atyre se nuk është e dhunshme, se sillet mirë, sesa të marrë përsipër nxjerrjen e shqiptarëve nga balta. Por  shembulli i protestës së Kukësit - që jo rastësisht nuk ishte e organizuar nga opozita, - tregoi se një qeveri e tillë dhe një kryeministër i tillë të tallin e përqeshin po nuk u tregove se je në gjendje t’i përgjigjesh dhunës strukturore që ata ushtrojnë (me vendimmarrjet e tyre arrogante dhe korruptive, me keqpërdorimin e policisë dhe prokurorisë, dhunën verbale të rilindësve etj.), me mjete dhe forma që t’i bëjnë të ndjejnë frikë.
Ky kufizim, si dhe kufizimet e përmendura më sipër kanë bërë që opozita të shihet nga jo pak njerëz sikur tek e fundit është në të njëjtën anë të barrikadës me maxhorancën, duke kujtuar vazhdimisht jo vetëm lidhjet e saj në pushtet me të njëjtët aktorë ekonomikë, mediatikë që përbëjnë sot mbështetësit dhe klientelën e Ramës, por edhe protestat kundër sjelljeve të armëve kimike nga Siria apo kur, pas çadrës, Basha bëri marrëveshjen e famshme me Ramën. 
Ky perceptim vlen jo vetëm për PD-në, por edhe për LSI-në ku kryetari i saj historik Meta, sot president i republikës i zgjedhur nga maxhoranca, duket sikur të jetë në muaj mjalti me Ramën, ndërkohë që e shoqja, në krye të partisë së tij, e kërkon këtë në turrën e druve.
Dyshimi se nesër mund të ulen të gjithë rrotull tepsisë sëbashku me Ramën apo pa Ramën, nën bekimin e ndërkombëtarëve që gjithherë kanë mbështetur interesat e tyre dhe stabilitetin mbi demokracinë në këtë vend, mbetet shumë i madh ndër njerëzit. Ky dyshim është si ai uji që ka lagur e lag një turrë drush duke mos e lënë atë të ndizet për të na ngrohur.

Këto janë disa refleksione – sigurisht jo shteruese - që më lindën duke ndjekur protestën e opozitës. Gjykoj se në thelb të tyre ato ngrenë çështjen se ç’duhet të bëjë kjo opozitë, kaq e rëndësishme për momentin që po kalojmë, që të mund të nxjerrë veten dhe vendin nga balta ku po e zhyt përditë «qeverisja e krimit». (Panorama, 28 maj 2018)

Read More......

Saturday, May 19, 2018

Rreziku i Ramës së rremë dhe Shqipërisë së rreme

Pas publikimit nga opozita të vendimit të dënimit në Itali të vëllait të ministrit të Brendshëm Xhafaj, pastaj të një dokumenti që sipas saj provon se maxhoranca në mënyrë të njëanshme e gati të fshehtë ka ndryshuar një nen të Kodit Penal, që pengon ekstradimin e vëllait të ministrit, si dhe të një audioje që provon se vëllai i ministrit vazhdon ende të ruajë lidhjet me krimin, Edi Rama doli më në fund, me një qëndrim ndaj gjithë këtyre akuzave.
Kryefjala e qëndrimit të tij ishte se kemi të bëjmë me akuza të montuara nga ana e opozitës, e cila po punon kundër interesit të shqiptarëve, duke i quajtur eksponentët e saj “vulëhumbur pa atdhe” dhe duke u shprehur se kjo “maskaradë destabilizuese meriton përgjigje të qartë edhe në rrafshin e ndëshkimit penal”. Për sa i përket audios, që është pika më e nxehtë e denoncimit, Rama tha se, për të marrë vendimin e tij politik, e ka çuar atë në një laborator ndërkombëtar për t’i bërë ekspertizë, ku është provuar se ajo është e rreme. Tani, sipas tij, i mbetet Prokurorisë që të vërë vulën që është kështu dhe atëhere shpifësit duhet të shkojnë në burg.
Ky deklarim i fundit rreth audios është tejet i rëndë dhe tejet i rrezikshëm. Kryeministri thotë se e paska një ekspertizë, por pa na thënë se cili është laboratori që e ka bërë dhe çfarë kredibiliteti ka ky laborator. Sepse kjo na kujton një histori të mëhershme, kur Kryeprokurorja Ina Rama kërkonte nga laboratorët e huaj të SHBA të bënin ekspertizën e plumbave të 21 janarit, sepse nuk kishin besim tek ekspertët e brendshëm që ishin nën kontrollin e ish-Kryeministrit Berisha, sepse ata vareshin nga Ministria e Brendshme. Por atëherë, kërkesa u bë publike të paktën dhe u desh një kohë të vijë përgjigja. Pyetja që ngrihen në këtë rast është: çfarë qenka ky laborator që i sillka përgjigjet brenda natës, sikur të punoka nën urdhrat e Ramës? A mund të provohet autenticiteti i audios në kushtet e këtij presioni të fortë nga ana e pushtetit, ndërkohë që edhe ministri i Brendshëm nuk jep dorëheqjen? A mos kemi të bëjmë me një nga gënjeshtrat e manipulimet e radhës të Ramës, të cilat duhet t’i provojë Prokuroria e kapur si të vërteta?
Kur ngre pyetjen se cila është më e besueshme, vërtetësia e audios apo vërtetësia e laboratorit të Ramës, e kam të vështirë të mos mendoj se më shumë gjasa ka që të kemi të bëjmë me një nga gënjeshtrat e radhës së Ramës. E them këtë, duke pasur parasysh shumë përgënjeshtrime që ka bërë Rama me të njëjtën forcë fjalësh kur avionët e drogës i kthente në dezinfektues mushkonjash dhe tallej me opozitën, apo rastin Zagani, për të cilin mobilizuan edhe Prokurorinë që ta fusnin në burg si shpifës, ndërkohë që doli se ai thoshte të vërtetën për Tahirin dhe lidhjet e tij me trafikantët. Por e them këtë, edhe pse kohët e fundit Ramës po i del thuajse përditë nevoja për të gënjyer gjithnjë e më trashë, kombinuar kjo me nevojën për të akuzuar gjithnjë e më trashë të tjerët si gënjeshtarë dhe shpifës. Vetëm dy ditë më parë, kur doli skandali i vendimit të vëllait të Xhafajt, ai deklaroi në Torino që protestuesit atje gënjenin sepse vëllai i ministrit ishte në burg tashmë. Le të kujtojmë edhe akuzat ndaj deputetëve gjermanë, të cilëve u tha me plot gojën “gënjeshtër, gënjeshtër”, për gjëra për të cilat ata ishin shumë mirë të informuar. Dhe gjithmonë motivi i gënjeshtarëve lidhet me vullnetin e tyre të keq dhe armiqësor për të prishur imazhin e Shqipërisë. Ky është qëndrimi edhe kësaj here: akuzë totale ndaj të tjerëve, mbrojtje totale ndaj vetes, pa pranuar asnjë përgjegjësi, as politike, as morale, pale ligjore.
Cili është thelbi i këtij qëndrimi të Ramës, që po trillon përditë gënjeshtra lehtësisht të vërtetueshme si të tilla, por edhe po na fut në një qorrsokak të rrezikshëm sepse po heq çdo mundësi dialogu dhe korrigjimi të punëve të mbrapshta? Gjykoj se në thelb kemi të bëjmë me kriza që vijnë nga rëndimi i sëmundjes së tij psikike, që po manifestohet gjithnjë e më rëndë si kriza politike e vendimmarrjeve të tij të mbrapshta dhe anasjelltas.
Them kriza psikike pasi, sipas studiuesve që merren me sëmundjen e çrregullimeve të narcizizmit pervers që ka Rama, personi që e gjen të keqen gjithnjë te të tjerët, që i akuzon ata se vetëm gënjejnë kur thonë ndonjë gjë kundër tij apo punëve të tij, është në një hall të madh psikologjik. Sipas këtyre studiuesve, narcizizmi pervers, si sëmundje, manifestohet në formën e krijimit nga i sëmuri të një imazhi të rremë të vetvetes, të një “uni glorioz” – si nevojë vetëmbrojtjeje psikologjike ndaj dobësive dhe pasigurive që ka thellë vetes – dhe problemi i problemeve të tij është se ai lufton ta mbajnë në këmbë me çdo çmim këtë imazh, edhe duke gënjyer, intriguar, mashtruar, manipuluar, pasi rënia e këtij imazhi i shkakton një rënie të padurueshme psikologjike. Ndërkaq, problemi ynë është se këto kriza të imazhit të Ramës po bëhen gjithnjë e më shumë kriza politike të imazhit të Shqipërisë dhe anasjelltas. Duke qenë Kryeministër i vendit, imazhi i rremë i vetvetes që ka ngritur Rama identifikohet gjithnjë e më shumë me imazhin e rremë të Shqipërisë që propagandon se ka ndërtuar. Ai kërkon ta mbajë në këmbë me çdo kusht këtë Shqipëri të rreme, sepse kështu mban në këmbë imazhin e rremë të vetvetes. Kush cënon këtë imazh, kërcënon një rënie të dyfishtë të Edi Ramës, psikologjike, por edhe politike, sepse këto të dyja janë bërë tashmë dy anë të së njëjtës medalje – po të kesh parasysh se për të mbajtur në këmbë imazhin e rremë të vetvetes, i duhet medoemos pushteti politik që mbahet në këmbë nga imazhi i rremë i Shqipërisë.
Kjo është një situatë shumë e rrezikshme, që duhet eliminuar sa nuk është vonë (në fakt ka kohë që është vonë), për dy arsye kryesore: së pari, pasi përdorimi i mjeteve të tilla si njerëzit dhe paratë e drogës dhe të krimit, propaganda në vend të punës, gënjeshtra në vend të së vërtetës do të intensifikohen për të mbajtur në këmbë imazhin e një Shqipërie të rreme, me pasojat që merren me mend; së dyti, pasi kushdo që do të kërkojë ta denoncojë e të thotë të vërtetat e kësaj Shqipërie të rreme, do të ndeshet gjithnjë e më shumë me akuzat të egra kërcënuese dhe frikësuese si ato që lëshoi Kryeministri ditën e mërkurë kur paralajmëroi se “vulëhumburit pa atdhe”, që s’po lenë gur për të prishur imazhin e Shqipërisë, do të përgjigjen së shpejti para drejtësisë (së tij)./ Panorama, 16 maj 2018)


Read More......

Tuesday, May 8, 2018

Pokeri Rama-Tahiri, -kush iu nënshtrua blofit të radhës

Pas kthimit të Ramës nga Gjermania, emri më i lakuar në vend është ai i ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Titujt më të përhapur janë ato se Gjermania kërkon “kokën e Tahirit, a do ta japë Rama kokën e tij, a mjafton kjo?”. 
Pas këtyre, pamë vetë Tahirin të bëhet kryelajm, duke deklaruar se hiqte dorë vetë nga mandati i deputetit për të mos u bërë pengesë e integrimit. Dhe ndërkaq, po vazhdon debati se çfarë do të bëjë Prokuroria: A do ta arrestojë, siç kërkoi disa muaj më parë, apo me kapjen e Prokurorisë nga Rama kjo nuk do të ndodhë, madje, dorëheqja është bërë me marrëveshje. Ngrihen edhe pyetjet, nëse do ta hanë gjermanët këtë apo jo? 
Le të përpiqemi të hedhim pak dritë mbi këtë lëmsh pyetjesh. Së pari, duhet shtruar pyetja bazë: A mundet Tahiri ta ketë bërë me kokën e vet dhe për përfitime thjesht të vetat atë, që sot e quajmë “kanabizimi i vendit”? Është e tepërt të zgjatesh me argumente për të provuar se kjo nuk është e mundur. Tahiri me kokë të vet mund të ketë ndarë paret e ndonjë tenderi, mund të ketë marrë ryshfet për ndonjë favor e emërim të vartësve të tij, por kurrsesi nuk do të mund të guxonte të implikonte krejt strukturat e Policisë në trafikimin e kanabisit pa dijeninë e shefit. Në krye të kësaj strategjie ka qenë Edi Rama, i cili jo më kot, prandaj, mori për një kohë të gjatë rolin e përgënjeshtruesit të akuzave për trafik droge- sa duke i quajtur aeroplanët që trafikonin drogë, dezinfektues mushkonjash, aq edhe duke organizuar konferenca me ambasadorë për ta paraqitur Shqipërinë një vend që e luftonte drogën. Një provë më tepër e kësaj është, edhe fakti se sot e gjithë strategjia mbijetesës ekonomike dhe politike të Ramës është bazuar mbi riciklimin e parave të drogës nëpërmjet ndërtimit. 
Në kontekstin e kësaj bashkëfajësie, lojtarët Rama, Tahiri e të tjerë po luajnë një lojë me bllofe. Kujtoj, se në lojën e pokerit blofi është kur njëri lojtar, që ka karta të dobëta në dorë, bën të fortin duke shfrytëzuar frikën e humbjes së lojtarëve të tjerë, duke hedhur në tryezë një shumë të madhe, së cilës të tjerët ose duhet t’i kundërpërgjigjen, ose mund të tërhiqen dhe atëherë blofisti fiton. Në lojën e pokerit Rama- Tahiri, etj, po shohim një seri blofesh lojtarësh të tillë me karta të dobëta.

Blofi i parë
Meqenëse provat kundër Tahirit, të nxjerra nga italianët, qenë shumë të rënda, Rama blofoi, duke thënë se në pyllin me pisha të drejta të Partisë Socialiste, edhe mund të kishte ndonjë dru të shtrembër, duke lënë të kuptojë se Tahiri mund të sakrifikohej për interesin e Partisë. Them blofoi, sepse ai e dinte se kishte karta të dobëta, se përndryshe, po të ishte me karta të forta, dmth i pastër, do të duhej të indinjohej dyfish: së pari, për ato që i kishte bërë Tahiri pas shpinës dhe, së dyti, për faktin se ai e kishte njollosur të gjithë partinë padrejtësisht. Ndërsa ai foli me shpresën se Tahiri do ta pranonte fatin e tij pa implikuar të tjerët, dmth duke i thënë se, tek e fundit, duhet ta pranonte se kali i kapur shin lëmin.

Blofi i dytë
Mirëpo Tahiri nuk e hëngri këtë blof, ai u kundërpërgjigj. Sipas disave, këtë e bëri duke u mjaftuar me deklaratat në media ku përdori fjalët e Ramës “nuk keni parë gjë akoma”, kurse, sipas të tjerëve, duke shantazhuar direkt, nëpërmjet të tretësh, se do të nxirrte në shesh të vërtetat e përfshirjes së Ramës (sipas disave edhe të vëllait) në aferën e bashkëpunimit të qeverisë me krimin e organizuar, si dhe me prova komprometuese ndaj ministrave të qeverisë, që i ka siguruar kur ishte ministër i Brendshëm. Kjo e bëri Ramën të tërhiqet duke i rreshtuar deputetët e Komisionit parlamentar të Mandateve dhe Imunitetit në mbrojtje të Tahirit. Ndërkaq, Rama punoi me shpejtësi për të kapur Prokurorinë nëpërmjet zëvendësimit të Llallës me Arta Markun.

Blofi gjerman
Pse them “blofi gjerman”? Sepse nuk jam i sigurt, nëse gjermanët ia kanë ngritur Ramës çështjen “Tahiri”, për të kuptuar disi më mirë se implikimi i tij për të mbrojtur Tahirin buron nga fakti se ministri ka qenë më shumë një urdhërzbatues sesa një protagonist në strategjinë e bashkëpunimit me krimin e organizuar? Po ashtu nuk jam i sigurt as nëse gjermanët kanë kërkuar hollësi mbi mosheqjen e imunitetit të tij për t’u siguruar se Reforma në Drejtësi, për të cilën po flitet kaq shumë, nuk është kapje e drejtësisë krejtësisht nga maxhoranca për të shantazhuar nëpërmjet saj opozitën e për të mbrojtur njerëz si Tahiri. Kam frikë se, edhe atyre u duhet thjesht një justifikim si arrestimi i Tahirit, për arsye sa të elektoratit të tyre aq edhe të stabilitetit dhe gjeostrategjisë për t’i hapur rrugën Shqipërisë në BE – gjëra këto që për ta janë më të rëndësishme sesa vuajtja e shqiptarëve në këtë regjim, ku sundon krimi i organizuar. Dhe kjo është dobësia e kartave të tyre.

Blofi i katërt
Dhe ja ku vijmë në momentin pas vizitës së Ramës në Gjermani, ku u duk se ai nuk kishte rrugë tjetër, veçse ta lëshonte Tahirin. Ndërkaq Tahiri, duke ndjerë rrezikun, tentoi të blofojë edhe një herë me deklaratat që lëshoi nëpër media, që u interpretuan si një shantazh i ri ndaj Ramës. Nuk dimë se çfarë ka ndodhur, por, më me gjasa, Rama, i sigurt që ka në dorë karta shumë më të forta se Tahiri, tani që ka edhe Kryeprokuroren nën urdhrat e veta, i është kundërpërgjigjur blofit ose duke i çuar Tahirit fjalë se ai mund të zgjedhë të hyjë në burg për pak kohë, sa të mbyllet me sukses loja e tij politike me ndërkombëtarët, ose duke i dhënë garanci se mjafton të lërë imunitetin, sepse asgjë nuk do t’i ndodhë. (Sesa i zihet besë Ramës pastaj në këto premtime, është çështje tjetër). 
Dhe ja ku Tahiri, të mërkurën më 3 maj, i tha “pas” Ramës, që në gjuhën e pokerit do të thotë se hoqi dorë nga lufta, duke iu dorëzuar blofit të Ramës. Doli me një fjalim dorëheqjeje nga deputetllëku, që mallëngjeu mjaft njerëz për shkak të disa të vërtetave të hidhura që tha për klasën politike që na qenka shumë herë më e keqe se ai. Por të mallëngjyerve u duhet kujtuar se kur disa të vërteta thuhen, për të mbuluar disa të vërteta të tjera ato nuk quhen të vërteta, por mashtrime. Shkurt, pyetjet që ngrihen sot janë, nëse Tahiri është dorëzuar nga kundërpërgjigja e Ramës ndaj blofeve të tij, apo janë marrë vesh që të dy për të blofuar gjermanët. Dhe, gjithashtu, se mos edhe gjermanët, edhe ndërkombëtarët po blofojnë me shqiptarët dhe elektoratin e tyre. Kjo mbetet për t’u parë, por problemi është se gjithë këtë histori, shqiptarët po e ndjekin sikur kanë të bëjnë me një lojë pokeri dhe jo ashtu siç do të duhet ta ndiqnin: duke u ngritur me indinjatë në protesta kundër kësaj loje tragjike me fatet e tyre. (Panorama, 8 maj 2018)

Read More......

Wednesday, April 25, 2018

Rama ka nevojë për ultimatum nga Brukseli, jo legjitimim

Pse të këqijat e raportit të rremë të Brukselit janë më të mëdha sesa të mirat që mund të sjellë ai nëpërmjet hapjes së negociatave? Pse, edhe në qoftë hartuar me synime të mira, në vend se inkurajim për mirë, ky raport dhe negociatat mund të sjellin një inkurajim për keq? Në shkrimin paraardhës premtova të jap argumentet e këtyre pseve.
Argumenti im kryesor mbështetet mbi tezën se Shqipëria, nën drejtimin e klasës së saj politiko ekonomike, gjatë këtyre 25 vjetëve nuk ka bërë hapa para, qoftë edhe të ngadalta, në drejtimin e duhur, por ka ecur në drejtim të gabuar. Dhe, për pasojë, kjo ecje në drejtim të gabuar nuk e ka afruar përdrejt atyre që mund të quhen standardet evropiane – që, me një tog fjalësh të vetëm, mund të përmblidhen në “shteti i së drejtës”, - por e ka çuar gjithnjë e më shumë drejt një shteti të dështuar, të kapur nga oligarkia dhe krimi i organizuar, aq sa së fundi po quhet “narkoshtet”.  Si prova për këtë do të përmendja vetëm tre gjëra që më duken më domethënëset. Së pari, ekonomia shqiptare, që ka qenë gjithnjë e dobët, informale dhe e lidhur me krimin, gjatë viteve të fundit është mbështetur, si kurrë ndonjëherë më parë, në paratë e krimit të organizuar. Së dyti, mu për shkak të këtij fenomeni ekonomik edhe politika shqiptare është bërë gjithnjë e më shumë përfaqësuese dhe menaxhere e interesave të krimit. Së treti, si rrjedhojë e dëshpërimit që ka krijuar ky proces degradues  numri i shqiptarëve që ikin nga vendi është rritur dramatikisht vitet e fundit.
Të mohosh këtë realitet me të dhëna të rreme apo pseudoreforma më duket punë e dobët, por, megjithatë, pyetja që shtrojnë disa dashamirës së Shqipërisë është: edhe në qoftë kështu a nuk do të ishte më mirë që Shqipëria të futej diçka më shumë në ombrellën e BE-së, sepse kështu këto fenomene degraduese do të mund të frenoheshin më lehtë?
Gjykoj se kjo është një tezë serioze që meriton të diskutohet si brenda vendit edhe në qarqet evropiane që do të marrin vendim. Shpresoj që ky shkrim ta nxisë këtë diskutim që në Shqipëri po shtypet nga propaganda e Ramës që synon të kompleksojë opozitën edhe çdo kritik me akuzat se kritikat ndaj qeverisë apo Brukselit po pengojnë aspiratën e shqiptarëve për të hyrë në Evropë; dhe po bëhen, medemek, nga antishqiptarë të shitur apo të blerë tek armiku.
Ruajtja e një vështrimi drejt Evropës dhe standardeve të saj ka luajtur dhe luan një rol pozitiv për mosrrëshkitjen e Shqipërisë në realitete edhe më problematike, por gjykoj se hapja e negociatave, e pa shoqëruar nga progres i vërtetë në Shqipëri, do ta zhvlerësonte këtë perspektivë që, edhe kështu, ka humbur shumë me kalimin e viteve. Madje gjykoj se një hapje e negociatave të Shqipërisë me BE në këto kushte do të kishte rrjedhoja më shumë negative sesa pozitive në terma afatgjata jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për projektin evropian. Një nga rrjedhojat më negative të njohjes së një progresi të rremë do të ishte ajo se më shumë sesa një inkurajim për popullin shqiptar kjo do të ishte një inkurajim për klasën politike që e ka katandisur vendin në këtë gjendje. Sikurse dihet, fatkeqësisht, lufta për tu legjitimuar nga Evropa është shumë herë më e rëndësishme për klasën politike shqiptare sesa lufta për tu legjitimuar nga populli i vet. Mjaft të kemi parasysh se gjatë gjithë kohës që është akuzuar nga opozita apo nga mediet për kanabizimin e Shqipërisë dhe pasojat e tij tragjike për shtetin Kryeministri Rama ka përdorur si argument ndërkombëtarët: “Po të ishte kështu pse nuk flet ambasadorja e BE, pse nuk flet ambasadori amerikan”. Një hapje e negociatave Shqipërisë do t’i jepte Ramës refrenin e radhës për të mohuar e përgënjeshtruar çdo kritikë e çdo kundërshtar me pyetjen: “Po atëherë pse na u hapën negociatat?”  Dhe ç’është më e keqja, kjo do t’i jepte dorë më të lirë atij për të vazhduar procesin e vënies së shtetit që drejton në shërbim të interesave të veta e të një pakice oligarkësh, të krimit të organizuar me pasoja gjithnjë e më të pariparueshme jo vetëm për ekonominë, por edhe demokracinë dhe lirinë.
Por, prapë, do të ngulmonte dikush, hapja e negociatave do ta bënte më të frenueshëm këtë proces nëpërmjet mekanizmave të negocimit. Duke iu referuar edhe përvojës së deritanishme të marrëdhënieve të Shqipërisë me BE gjykoj se, veçanërisht në kushtet ku ndodhet sot BE, fuqia e saj negociuese e korrigjuese është shumë e vogël dhe gjithnjë e më në zvogëlim sepse edhe autoriteti dhe legjitimiteti i saj është në rënie. Kjo duket edhe në pafuqinë e saj për të frenuar fenomenet antibashkim dhe autoritariste që po ndodhin brenda kufijve të saj aktualë. Shembulli i Turqisë që i ka hapur negociatat që më 2002 dhe ka bërë hapa dramatike prapa mund të ishte një shembull tjetër. Në terma afatgjata, në kontekstin e një procesi të bashkimit evropian të vënë gjithnjë e më në vështirësi nga prirjet antievropianiste, nacionaliste, autoritariste, një Shqipëri me shtet të kapur nga krimi do të ishte  një argument më shumë për të zhbërë projektin evropian. Prandaj, ashtu siç e shikoj unë realitetin shqiptar dhe evropian, Edi Rama dhe njerëzit që e mbështesin kanë nevojë, sa s’është vonë, të marrin nga BE ultimatume për gjendjen se si e kanë katandisur vendin dhe jo inkurajime dhe legjitimime.  (Panorama, 24 Prill 2018)

Read More......

Thursday, April 19, 2018

Realiteti shqiptar, Freedom House dhe raporti Mogherini

Para disa ditësh mediet tona u përmbytën nga raporti i organizatës Freedom House i cili u interpretua si një raport negativ, pasi fliste për një Shqipëri që ka bërë vendnumëro.
Pas një jave erdhi Mogherini në Tirane dhe na dha lajmin e gëzueshëm se jo, kemi bërë “përparime të dukshme”, qe justifikojnë rekomandimin për hapjen e negociatave me KE.
Por le t’i krahasojmë këta dy  raporte kontradiktore që na vijnë së jashtmi me “raportet” që bëjnë përditë së brendshmi shqiptarët që jetojnë në Shqipëri.
Personalisht, pasi e lexova raportin e Freedom House, arrita në përfundimin  se ai nuk përputhej në shumë pika me realitetin që jetojmë pasi nuk interpretonte drejt disa nga zhvillimet kryesore në Shqipëri, duke e sfumuar mjaft dramacitetin e tyre.
Le te marr disa nga pohimet kryesore të raportit që u lakuan nëpër media.
I pari ishte ai sipas te cilit “përparimi në reduktimin e kanabisit u zhbë nga zbulimi prej organeve të antikrimit italian se ish ministri i brendshëm Sajmir Tahirit ishte i lidhur me një rrjet trafikantësh droge.”
Kuptimi i këtij pohimi është se qeveria dhe kryeministri kanë bërë punë të mira që kanë sjellë përparim në luftën kundër kanabizimit, por këto u zhbënë (edhe si perceptim) kur u zbulua se ministri i brendshme  na  paskësh dalë i lidhur me krimin e organizuar. Po a është vërtet kështu? E vërteta që e dinë edhe vetë aktorët në fjalë është se ajo qe Freedom House e quan “përparim” ishte një aksion propagandistik fasade ne stilin e Edi Rames, (Lazarati) për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve në mënyrë që t’i hapte më lehtë rrugën lazaratizimit të krejt Shqipërisë. Për shqiptarët është e qartë se Sajmir Tahiri nuk u bë ministër i brendshme aksidentalisht, por se u zgjodh nga kryeministri pikërisht si njeri i përshtatshëm për këto punë ashtu sikurse edhe shumë njerëz të tjerë të krimit që Rama i futi në parlament apo në krye bashkish të vendit. Provat për këtë janë të shumta dhe të pakundërshtueshme. Le të përmend rritjen më pas në përmasa të papara të kultivimit të kanabisit, faktin se SHIK-u shqiptar ka informuar kryeministrin e kryeprokurorin për 128 oficere policie te përfshirë në të gjithë vendin ne kultivimin dhe trafikimin e kanabisit dhe ai s’ka vepruar; talljet me akuzat për trafik droge kur aeroplanët që e transportonin këtë i shiste për dezinfektues mushkonjash; mbrojtja ndaj Tahirit nga kryeministri dhe deputetët e tij etj.. Pra, nuk bëhet fjalë për një hap para dhe një hap mbrapa, siç e përshkruan raporti, por për një strategji për të bashkëpunuar me krimin së bashku me Tahirin, të cilin, mmos të harrojmë, e zbuloi prokuroria italiane jo ajo shqiptare, e cila e mbrojti kur u denoncua nga Zagani ashtu siç vazhdon ta mbrojë edhe sot. 
Të njëjtin arsyetim meritojnë edhe dy pohime të tjera të raportit të Freedom House: ai se “lufta kundër korrupsionit mori një goditje me zgjedhjen e Ilir Metës president, ndërkohë që vetë Edi Rama e ka përshkruar atë më herët si simbol të gjithçkaje që është e kalbur në Shqipëri” si dhe ai se “”zgjedhja e me maxhorancë të thjeshtë e Prokurorit të Përgjithshëm minoi seriozisht besueshmërinë e pavarësisë së prokurorit të përgjithshëm”  duke dëmtuar kësisoj edhe reformën në drejtësi.
Ajo që mungon edhe në këto dy pohime të rëndësishme është shpjegimi se si ka mundësi që edhe paska pasur luftë kundër korrupsionit edhe është zgjedhur si president, nga vetë luftëtarët ndaj korrupsionit, politikani më i korruptuar; se si ka mundësi që maxhoranca edhe paska punuar për të bërë një reformë në drejtësi me gjyqtarë dhe prokurorë të pavarur edhe zgjedh dhunshëm si prokurore të përgjithshme, pa përfillur frymën e kushtetutës, një figurë që po tregon dita ditës se është një ushtare e bindur e një pale? Përgjigjet ndaj këtyre dy pyetjeve për shqiptarët që jetojnë në Shqipëri janë shumë të thjeshta: së pari, nuk ka pasur kurrë luftë kundër sistemit të korrupsionit përkundrazi ka pasur avancim të tij, ku njeriu më i korruptuar ka qenë dhe mbetet ai që është në krye të sistemit, kryeministri; dhe, së dyti, zgjedhja në atë mënyrë e prokurores së përgjithshme tregon se qëllimi i vërtetë i reformës ne drejtësi ka qenë heqja e një farë kontrolli që ruante opozita ndaj drejtësisë dhe kapja e saj plotësisht nga maxhoranca për të shantazhuar e intimiduar kundërshtarët si dhe për tu mbrojtur nga akuzat e shumta për korrupsion që kanë arritur nivele të papara. Ngjarjet e fundit në Kukës dhe qëndrimi i Prokurorisë nda tyre ishin vërtetimi më i qartë i këtij qëllimi.
Po ashtu Freedom House flet pozitivisht për zgjedhjet e vitit 2017 duke vënë në dukje mungesën e konfliktualitetit dhe moskontestimin e tyre nga opozita. Por raporti ka harruar të verë në dukje se përpara marrëveshjes Rama-Basha opozita, që ishte në çadër, pretendonte se në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje te lira sepse zgjedhjet do te bliheshin (sipas modelit qe ishte eksperimentuar ne zgjedhjet lokale ne Dibër) nëpërmjet parave të  oligarkisë dhe ato të trafikantëve të drogës të lidhur ngushtë me pushtetin e Ramës.  Dhe situata ishte aq konfliktuale saqë për herë të parë në historinë e këtyre 25 vjetëve opozita nuk donte të hynte fare në zgjedhje. Fakti që Basha u shtrëngua nga ndërkombëtarët apo u josh apo ble nga Rama dhe hoqi dorë nga ky plan dhe hyri në zgjedhje dhe nuk i kontestoi ato nuk vërteton se zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë qenë të blera. Po ashtu mungesa e konfliktualitetit nuk është vetëm shenjë e mirë apo ajo mund të jetë edhe rezultat i komprometimit të opozitës, intimidimit të saj nga branda dhe jashtë si dhe e dobësimit të saj në një regjim ku maxhoranca praktikisht kontrollon gjithçka nëpërmjet lidhjeve së saj me oligarkinë dhe krimin. 
Si një provë tjetër se raporti i Freedom House, megjithëse kritik, nuk pasqyron dramacitetin e degradimit të vendit do të evidentoja  mospërmendjen askund të dy fenomeneve shumë domethënës për realitetin shqiptar: ikjen masive jashtë shtetit të shqiptareve vitet e fundit si dhe rritjen jashtëzakonisht të madhe të krimit të organizuar shqiptar jo vetëm në Shqipëri (ku nuk matet) por edhe në Evropë (ku po matet përditë me shqetësim të madh), pasojë kjo direkt e një procesi degradimi të një ekonomie që po mbeshtetet gjithnjë e më shumë tek parate e krimit. Dhe, sigurisht, me një ekonomi kriminale në rritje, nuk mund të flitet për progres dhe as për demokraci.
E megjithatë ja ku na vjen Mogherini dhe na flet për një përparim të  dukshëm që dukshëm është shpikur në Bruksel. Si ta shpjegojmë këtë shpikje të Brukselit? Një pjesë kanë gjetur përgjigjen më të thjeshtë: se ky raport i rremë është punë e Vllahutinit të korruptuar nga mjeshtri i korruptimit të shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve Edi Rama. Të tjerë se kjo punë bëhet për të fshehur dështimin e burokracisë së Brukselit e cila kërkon të mbaje dhe justifikojë vetveten nëpërmjet këtij zgjerimi. Një pjesë tjetër se ky është një vendim gjeostrategjik, sepse përndryshe Ballkani mund të bjerë nën ndikimin rus apo të Erdoganit, çka do të ishte me pasoja për Evropën. Junkeri në mbrojtje të kësaj teze foli edhe për rreziqet që Ballkani të ribjerë në luftëra si në vitet 90. Një argument tjetër është ai se hapja ndaj Ballkanit perëndimor është një strategji e evropianistëve ndaj nacionalizmave në rritje në vendet kryesore evropiane që kërcënojnë projektin evropian. Por këtyre dy argumenteve të fundit iu kundërvu vetë evropianisti Makron sipas të cilit kjo hapje do ta dobësonte më shumë Evropën e bashkuar, e cila, më së pari, ka nevojë të forcohet në kufijtë aktualë, që të mund të hapet më pas.  Arsyet se pse Brukseli ka hartuar këtë raport të rremë mund të jenë të shumta. Arsyeja më pozitive që iu ofrua shqiptarëve të zhgënjyer me këtë raport të rremë është ajo që na ofroi edhe kryetari i opozitës Lulëzim Basha se  futja në ombrellën Evropiane do ta bënte më të mundur luftimin e fenomeneve që rreshtova më sipër. Po a është vërtet kështu? Kjo tezë meriton një debat të thelluar si në Shqipëri edhe në Evropë duke iu referuar edhe përvojave të deritanishme shqiptare dhe evropiane edhe realiteteve që po jetojmë. Personalisht gjykoj se të këqijat e këtij raporti të rremë janë më të mëdha sesa të mirat që mund të sjellë ai nëpërmjet hapjes së negociatave. Argumentet se përse po i le t’i shtjelloj në shkrimin pasardhës. (Panorama, 19 prill 2018)

Read More......

Tuesday, April 3, 2018

Jemi të gjithë kuksianë

Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që, pasi u ka marrë votën duke premtuar ulje të taksave dhe përmirësim jetese, pa përfillur as fjalën e dhënë, as gjendjen e tyre në zgrip të mbijetesës,  as ekspertë, dhe as ligje, e ngre traun e taksave e gjobave sa herë i teket duke u marrë edhe kacidhet e fundit  për t'i ndarë me një grusht oligarkësh të cilëve u jep pastaj të drejtën të ndërtojnë kulla qejfi e pushteti në sheshet publike ku deri dje luanin fëmijët shqiptarë?
Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që sëbashku me oligarkë e tij u vjedh  përditë trashëgimtarëve të ligjshëm dhe shqiptarëve në përgjithësi copa të bregdetit për të ndërtuar atje sarajet e verës së këtyre oligarkëve?
 Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin se të njëjtën gjë bëjnë edhe me lumenjtë e me gjithë pasuritë e përbashkëta që kryeministri dhe oligarkët e tij i shohin thjesht e vetëm si mundësi pasurimi për veten?
Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që, pasi ua merr votën duke u premtuar “zero ndërtime”, pa pyetur as për historinë e tyre as për cilësinë e jetës u ngre pallate përpara ballkoneve e dritareve duke shpëlarë paratë e trafikantëve që e kanë ndihmuar të blejë votën e atyre që s’ua ka marrë dot me mashtrime?
Çfarë duhet të bëjnë njerëzit kur shohin një kryeministër që, në bashkëpunim me oligarkët e tij, duke shkelur ligjin, ua rrethon stadiumin me status monument kulture dhe ua shemb përpara syve? Po, kur pas një viti, duke parë suksesin e këtij maskarallëku kërkon të shkatërrojë edhe Teatrin Kombëtar për të ngritur në truallin e tij publik gjashtë kulla medemek si çmim që oligarku i tij të na bëjë një teatër të ri?
Përgjigja e parë (demokratike) është që të flasim e denoncojmë këtë përdorim skandaloz  të shtetit për interesa private, këtë regjim që, me Edi Ramën po shkon dita ditës drejt atij që quhet fashizëm ekonomik, dmth. një regjim ku qeveria “e oligarkëve”, “nga oligarkët” dhe “për oligarkët” po arrin deri në përdorimin e dhunës për të mbrojtur interesat e veta.
Mirëpo, çfarë duhet të bëjnë njerëzit, kur, edhe pasi flasin, përgjigja që vjen nga Kryeministri dhe oligarkët e tij është mospërfillja, denigrimi, shantazhimi, dhuna verbale dhe etiketimi nëpër medjat si plehëra kazani?
Përgjigja e dytë (demokratike) është denoncimi në institucionet e drejtësisë të të gjitha shkeljeve ligjore.
Por, çfarë u mbetet njerëzve të bëjnë kur, edhe pasi bëhen këto denoncime, policia dhe drejtësia nuk veprojnë, sepse kontrollohen nga kryeministri dhe oligarkët e tij ose sepse kryeministri ka sajuar ndërkaq VKM pas VKM-je për të ligjëruar vjedhjet që ka bërë sëbashku me oligarkët e tij?
Një përgjigje gjithnjë demokratike janë protestat paqësore. Të tilla ka pasur jo pak, por kryeministri dhe oligarkët e tij nuk kanë ndalur.  Të shkretët njerëz, që nuk e duan dhunën apo i frigohen asaj, janë përgjigjur duke marrë plaçkat dhe kërkuar azil në masë edhepse nuk jemi në luftë civile e nën bombardime si gjetkë. Mirëpo megjithë sinjalet dramatike që ka dhënë ky ekzod Kryeministri dhe oligarkët e tij nuk kanë reflektuar as një çast për njerëzit që ikin për t'u shpëtuar bombardimeve të grykësisë së tyre, por kanë vazhduar ta ngrenë traun e grabitjes, arrogancës, paturpësisë?
Dhe, së fundi, çfarë u mbetet njerëzve të bëjnë kur shohin se kryeministri nuk mjaftohet me këto, por, duke pasur në dorë të gjitha instrumentet e shtetit që punojnë për të dhe oligarkët, jo për njerëzit, edhe i poshtëron duke i quajtur “dele” e njerëz të tredhur?

Dhe ja ku erdhi ngjarja e Kukësit si reagim i njeriut të grabitur, fyer e poshtëruar që nuk sheh rrugë tjetër daljeje nga gjendje e tij e dëshpëruar përveç asaj fjalës popullore: “Kur mbaron fjala, gjykon palla.” Dihet se pasojat e dhunës janë gjithmonë të rrezikshme sepse dhuna pjell dhunë, por për gjithë sa thashë më lart përgjegjës për dhunën e kuksianëve është dhuna kryeministrore dhe ajo e oligarkëve bashkëpunëtorë të tij, dhuna strukturore e një regjimi fashistoid që ka kohë që po u merr frymën njerëzve. Në gjykimin e kësaj ngjarjeje duhet të ndjehemi të gjithë kuksianë sepse të gjithë në Jug dhe në Veri po e përjetojmë në forma të ndryshme këtë dhunë. Përgjigja e kuksianëve, si e shqiptarëve më të goditur nga taksa grabitqare e Rrugës së Kombit, është edhe përgjigja jonë e munguar për grabitjet që po na bëhen përditë. Ajo është edhe shpresëdhënëse sepse, kurajua e tyre na tregoi se përveç ikjes, nënshtrimit, dhe shitjes së votës  për pesë lekë ka edhe rrugë të tjera për ta ndalur dhunën fashistoide të këtij regjimi, por edhe pse mund të shërbejë si një mësim dhe paralajmërim për çdo qeveritar dhe biznesmen që sillet si këta që na kanë sjellë në këtë gjendje. (Panorama, 2-3 shkurt 2018)

Read More......

Kthim i Berishës apo parti ndryshe

Këtë shkrim për opozitën shqiptare po e filloj me dy kronika të kohëve të fundit që kanë protagonist Sali Berishën.
Kronika e parë është ajo ku paraqitej Sali Berisha në kullën ABA Center, në përurimin e organizuar nga pronari i saj, oligarku Bashkim Ulaj, me rastin e hapjes së televizionit të tij që u mbiquajt CNN-i shqiptar – shoqëruar me komentet e ish kreut të PD-së që, me dy fjalë, tha se ky televizion do të jetë nga ata që do të thonë me të vërtetë të vërtetën.
Kronika e dytë ishte një intervistë e ish ministrit të PD-së Arben Imami që, mes të tjerash, duke përshkruar krizën e PD-së, tha se ne gjendjen ku është katandisur ajo me Lulzim Bashën e vetmja rrugëzgjidhje është rikthimi i Berishës në krye të saj (zgjidhje që nuk e kërkon vetëm Imami).
                                             ***
E vërteta është se kohët e fundit është rritur shumë numri i atyre njerëzve që, pasi ankohen pa fund për mashtrimet, arrogancën dhe korrupsionin e rilindasve, si dhe lidhjen e tyre me krimin, që e ka futur ekonominë në një rrugë tejet të rrezikshme jo vetëm për progresin, por edhe për lirinë dhe demokracinë, e mbarojnë fjalën e tyre duke thënë “po s’kemi opozitë”. Duket sikur, paradoksalisht, sa më shumë përkeqësohet mendimi i njerëzve për rilindasit me Ramën në krye aq më shumë shtohet edhe nënshtrimi i njerëzve përpara kësaj të keqeje. Dhe emri që përmendet si përgjegjësi i kësaj pafuqije është ai i Lulzim Bashës. Dhe ja ku na del në skenë nevoja për rikthimin e të fuqishmit Berishën.
Po a është vërtet kthimi i Berishës një zgjidhje? Gjykoj se të mendosh kështu është një gabim shumëplanësh që fillon nga vlerësimi gabim i krizës së PD - sikur kjo të vijë për shkak të liderit të saj të pafuqishëm. Sepse, pa mohuar rolin që ka energjia dhe karizma e një individi në jetën politike të një vendi dhe pa mohuar kritikat e shumta që Basha i meriton, ta reduktosh gjithë fatin e luftës politike në ndeshjen midis dy liderëve është jo realiste.  Problemi i pafuqisë së PD-së sot nuk është mungesa e një lideri të fortë autoritat që mund të bashkojë opozitën e përçarë kundër një lideri të fortë autoritar siç është Rama në krye të PS-së.  Madje do të thoja se është e gabuar të mendosh edhe se lideri autoritar i tipit Berisha – Rama, që Basha kërkon të imitojë, gëzon simpatinë e shumicës së shqiptarëve. Aq më tepër kur shqiptarët po e shohin këtë autoritarizëm të shfaqet tek Rama në formën më perverse. PD-ja nuk është në krizë për mungesë të një lideri të tillë, por pasi nuk mund të tërheqë dot rreth saj njerëzit që kërkojnë ndryshim. Dhe kjo jo për shkak të paaftësisë apo pafuqisë së Bashës për të përbashkuar PD-në por për shkak të mëkateve të asaj të kaluare që disa duan të na rikthejnë me rikthimin e Berishës.
Dhe këtu po dal tek kronika e parë që përmenda. Vizita e Berishës tek oligarku Ulaj dhe promovimi që i bëri televizionit të tij të ri ishte një sinjal i qartë se Sali Berisha nuk mund të përfytyrojë një lojë tjetër politike përveç asaj që ka luajtur deri tani. Puna është se Shqipërisë sot po ia merr frymën  pikërisht sistemi i përqendrimit të pushteti politik, mediatik, financiar - ekonomik në pak duar politikanësh e oligarkësh. Është ky sistem, dhe jo thjesht Rama që, për të mbijetuar, sot ka futur në politikë dhe ekonomi edhe krimin e organizuar. Nëse Ulaj ka vendosur të ngrerë një televizion edhe më budallai e di se ka vendosur ta bëjë këtë jo për të mirënformuar shqiptarët për të këqijat e këtij sistemi, por për të fuqizuar pushtetin e tij brenda këtij sistemi ndoshta duke parë se sivëllezër të tij me televizone kanë arritur të marrin më shumë. Problemi sot është se fuqia e Ramës qëndron pikërisht në faktin se atyre që kanë ngritur sistemin e grabitjes dhe mashtrimit u duhet në krye një njeri gjithnjë e më mashtrues, sepse, siç tregojnë studiuesit e sistemeve të përfitimit të ngritura mbi mashtrimin, sa më shumë këta bijen në krizë aq më shumë shtojnë dozat dhe format e mashtrimit. Dhe në pikën e aftësisë dhe paturpësisë së mashtrimit Rama ua kalon të gjithëve. Prandaj ta zhvillosh luftën politike me synimin për të marrë rolin e Ramës në krye të tryezës së oligarkëve është jo vetëm e gabuar për të nxjerrë Shqipërinë nga balta por edhe për të nxjerrë PD-në nga opozita.  
Sot nuk kemi nevojë për një rikthim të Berishës në krye të të gjithë mëkatarëve të PD-së, por për një parti (jo thjesht opozitë)  që veprojë e sillet ndryshe: duke denoncuar dhe duke u kthyer kurrizin oligarkëve dhe duke e kthyer fytyrën nga njerëzit që po vuajnë prej tyre. (Panorama, 27 janar 2018)


Read More......