Monday, February 17, 2020

Shqipëria fallco dhe Shqipëria e vërtetë e Edi Ramës

Ka kohë që jemi dëshmitarë të ndërtimit, nga ana e propagandës së Edi Ramës, të një Shqipërie fallco, aq sa bashkëjetojmë tashmë me këtë gënjeshtër të madhe. Por ajo me të cilën nuk po mësohemi dot është spektakli i luftës së tij heroike për të mbuluar Shqipërinë e vërtetë, sa herë që dikush i nxjerr përpara ndonjë copëz të saj. Me një energji të pashoqe ai e bëri këtë së fundmi edhe në emisionin Opinion përballë disa provave evidente të lidhjes me krimin që i shfaqën gazetarët Rakipllari, Lala, Hoxha, Iljazaj. 
Në fakt, ajo që e dallon Edi Ramën nga rilindësit e tjerë kur ftohen në studio është se ndërsa ata, kur ballafqohen me të vërteta evidente, në përgjithësi ruajnë gjakftohtësinë dhe përpiqen të përdorin një gjuhë të drunjtë me sllogane të përgjithshme për ta kaluar situatën, pasi janë të vetëdijshëm se po gënjejnë, kryeministri nervozohet në kulm, sikur po i bëhet një shpifje e padrejtësi e madhe, dhe shpërthen në sulme kundër gazetarëve  duke i fyer, denigruar, duke u thënë “nuk të njoh”, “je injorant”, “po flet broçkulla” etj. etj. 
Disa thonë se ky është thjesht aktrim; se pasi del nga skena dhe zhvesh kostumin e kryeministrit, ai qesh me të afërmit e tij me aftësitë që ka treguar në luajtjen e rolit. Personalisht kam një lexim tjetër të fenomenit në fjalë. Ky lloj reagimi bën pjesë në mekanizmat psikikë të vetëmbrojtjes së njerëzve që vuajnë nga çrregullime narçizistike të personalitetit, siç është edhe Kryeministri ynë. Thelbi i këtyre mekanizmeve qëndron tek ndërtimi i një veteje fallco, një veteje glorioze, me të cilën narçizisti fsheh, mbulon veten e vërtetë, veten e tij autentike. Pra nëse, mund të flasim për aktrim në luajtjen e një roli, ky është roli i vetes fallco me të cilën Edi Rama kërkon të mbulojë veten e vërtetë, në skenën e psikikës së tij. Problemi ynë është se kemi të bëjmë me kryeministrin tonë, që ka dy dekada në politikë dhe se lufta e tij e paepur për të mbuluar veten e vërtetë gjithnjë e më shumë identifikohet me luftën për të mbuluar  Shqipërinë e vërtetë që ka ndërtuar. Kush çuditet se si ka mundësi që një kryeministër të ndërtojë televizionin e tij, me emrin e tij, duhet të kuptojë se, thellë thellë, për këtë e shtyn kjo nevojë e papërballueshme për të fshehur veten dhe veprën e tij autentike. Kush e sheh të sulmojë egërsisht gazetarët që i thonë disa të vërteta, që i dinë të gjithë, duhet të kuptojë se ai nuk lufton me ta, por  me veten dhe veprën e tij autentike që refuzon me ngulm ta takojë për shkak të katastrofës psikike që mund t’i shkaktojë ky takim. 
Mirëpo, siç thonë psikoterapeutët, sa më shumë ta refuzosh veten autentike aq më shumë ajo hedh shqelma nga qoshja e errët ku e ke futur, e të dëmton duke të disintegruar ekuilibrin psikik. Në këto kushte vetja fallco shëmbëllen gjithnjë e më shumë me një mur i cili, sa më i lartë dhe i fortë t‘i duket të sëmurit, aq më transparent e i ulët bëhet në sytë e të tjerëve, ngase të ngresh një mur të tillë është si të tentosh të vesh njëra mbi tjetrën gjëra që rrëzojnë njëra tjetrën apo ta ngresh atë me materiale që nuk ekzistojnë, dmth. me gënjeshtra. 
Po e ilustroj këtë që thashë me dy fabula të ditëve të fundit ku na shfaqet një kryeministër 1 që rrëzon Edi Ramën 2.
Fabula e parë është fjalimi i tij me rastin e 100 vjetorit të Tiranës. Midis tjerash kryeministri u tregoi të pranishmëve një fabul, që nuk është hera e parë që e dëgjojmë. E kam fjalën për atë me VIP-in ndërkombëtar, “nga një vend shumë serioz”, i cili  nuk dëgjonte të dilte nga salla e VIP-ave në Rinas sepse kërkonte makinë të blinduar ngaqë kishte idenë se rrrugës mund ta vrisnin apo grabisnin kriminelët e shumtë. Por, pasi kryeministri ynë i tha se mund të kthehej mbrapsh sepse qeveria nuk ofronte shërbime të tilla, ai u bind dhe u nis për në Tiranë. Kur e pa se çfarë vendi i qetë e i sigurt ishte kryeqyteti ynë VIP-i në fjalë shkoi e i kërkoi atij falje duke i thënë se ndihej në siklet, se ishte ndjerë budalla nga kërkesa që kishte bërë. 
Morali i fabulës 1: Shqipëria është një vend i sigurt, por janë ca njerëz të këqij që punojnë për ta bërë vendin gogol.
Fabula e dytë është e të njëjtës ditë, ose e një dite më pas. Sipas një lajmi që u dha nga policia, në afërsi të selisë së Partisë Socialiste, që atë ditë kishte nderin të kishte brenda vetë Kryeministrin, ishte arrestuar krimineli i rrezikshëm, Vladimir Gjuta, i cili po sillej atypari i armatosur. U aludua e ai ndodhej aty pasi donte të vriste kryeministrin si hakmarje për operacionin antikrim që ai kishte nisur nëpërmjet krijimit të OFL që, veç të tjerash, kishte sekuestruar brenda një dite 600 makina të blinduara në Tiranë. Për të evituar këtë atentat, sipas disa medieve, kryemistridoli nga selia dhe nuk hipi në makinën kryeministrore, por në makinën e të vëllait e cila, qenkej më e sigurt se ajo shtetërorja dhe që, sipas opozitës duhet të ishte në listën e 600 makinave të sekuestruar nga OFL-ja sepse e blinduar.
Morali i fabulës 2: VIP-i nga një vend shumë serioz paskësh pasur të drejtë të kërkonte makinë të blinduar derisa krimi qenkesh kaq i përhpaur dhe kaq i fortë në Tiranë, dhe shteti kaq i dobët para tij.
Sigurisht të dyja janë përralla, por janë dy përralla që rrëzojnë njëra tjetrën në murin e Shqipërisë fallco që ngulmon të ndërtojë kryeministri për të mbuluar Shqipërinë e vërtetë.
Ka dy rreziqe të mëdha në këtë situatë duke patur parasysh se kemi të bëjmë me kryeministrin e vendit. E para është ajo se  Shqipëria e vërtetë, e mbuluar kësisoj nga Shqipëria fallco po shkon dita ditës buzë greminës, sepse ata që duhet ta shohin, u intereson të mos e shohin.  E dyta, mekanizmat mbrojtës që Edi Rama  po ndjen nevojën t’i forcojë dita ditës kundër kujtdo që i zbulon copëza të vetes/Shqipërisë së vërtetë po bëhen gjithnjë e më të rrezikshëm për demokracinë dhe lirinë sepse po e shtyjnë drejt kapjen së tërë organizmave të shtetit. Ligji anti shpifje, KÇK-ja, OFL-ja, Kapja e Gjykatës Kushtetuese, heqja e Presidentit, gjyqet e panumërt që ka ngritur kundër politikanëve dhe gazetarëve opozitarë e shumëçka tjetër që ka venë e po ve në lëvizje duhen parë në këtë kontekst. 
Kush mendon se ai mund të ndalet në këtë rrugë nga zëri i arësyes gabohet rëndë. Përgjigja e tij do të jetë rritja e murit transparent të vetes/Shqipërisë fallco nën slloganin: nuk keni parë gjë akoma. Se si do të mbarojë kjo histori nuk mund të parashikohet më, por e sigurt është se sa më shumë të vazhdojë aq më keq do të mbarojë. (Panorama, 17 shkurt 2020)

Read More......

Monday, February 3, 2020

Letër e hapur një drejtori të Bashkisë Tiranë

Zoti drejtor,
Para disa ditësh, teksa komentoja një projekt kulle të re që paska aprovuar Bashkia e Tiranës, një mik më tha se një drejtor i saj paska hedhur, para ca kohësh, një postim në facebook në të cilin i  drejtohej të gjithë fansave të tij (apo të Bashkisë) duke u thënë se, nëse shohin ndonjë  nga ata që kanë sharë stadiumin të shkelë në ambientet e kësaj kryevepre, t’i bëjnë një foto, ta hedhin në facebook, e ta tallin duke i treguar injorancën apo hipokrizinë. Nuk i kujtohej emri yt. Edhe unë nuk u interesova ta gjej kur vendosa të të drejtoj këtë letër publike pasi mendova se ka shumë si ti, që punojnë si prapavija e oligarkisë vendimmarrëse, për të cilët mund të vlejë ajo thënia “Falua Zot se s’dinë se ç bëjnë!” pasi mendojnë se vërtet atje është bërë një kryevepër. Nëpërmjet kësaj letre, pra, po i drejtohem kësaj kategorie me shpresën se ndokush prej jush do të fillojë ta shohë me një sy tjetër jo thjesht atë që keni bërë me stadiumin, por çfarë po bëni në Tiranë.
Së pari dua të të them se unë jam një nga ata që e kam quajtur prishjen e stadiumit Qemal Stafa një krim ndaj Tiranës dhe po të konfirmoj se nuk e kam ndryshuar mendimin edhe pasi e pashë (nga jashtë) “kryeveprën” Casamonti/Rama të përfunduar, përkundrazi sot ngulmoj edhe më fort se është një përbindësh, që i shtohet shëmtimin galopant të Tiranës. Desha të të them gjithashtu edhe se nuk besoj se ti apo ndonjë nga fansat e tu, apo të Bashkisë, do të më shohë ndonjëherë në shkallët e atij stadiumi sepse kam vendosur që jo vetëm aty, por në shumë nga ndërtimet/shëmtimet që keni kryer apo po kryeni, të mos shkel në formë refuzimi për ta identifikuar veten me to. 
Në argumentet e mija nuk dua të ndalem tek vënia në dukje e faktit se në kohën kur jetojmë sekush ka të drejtë të ketë shijet, mendimet dhe besimin e vet, se ka të drejtë gjithashtu t’i ndryshojë ato nga kontakti me ide të tjera e vlera të tjera, (siç shpresoj edhe për ty)  pa u përqeshur apo linçuar nga të tjerët. As të futem në diskursin e shkatërrimit të trashëgimisë kulturore, sepse këtë argument e kam shteruar aq shumë dhe është trajtuar aq shumë së fundmi lidhur me temën e shkatërrimit të Stadiumit apo të Teatrit. Nuk do të futem as në shëmtimin moral të korrupsionit apo pastrimit të parave që shfaqet në këto ndërtime në mënyrën më ulëritëse. Ajo unë mendova të të sjell si argument se përse stadiumi është copë e madhe shëmtire në kuadrin e shëmtimit galopant të Tiranës është diçka shumë më prozaike dhe teknike. Kam vendosur ta argumentoj këtë duke të të sjellë në këtë letër disa fragmente nga Dekreti ndërministror 2 prill 1968, n. 1444; një dispozitë e Republikës Italiane, që është ligji që përcakton standardet urbanistike në Itali, me fjalë të tjera kufijtë dhe rregullat e zhvillimit urban, qe duhet t’i respektojë çdo Plan Rregullues i secilës komunë italiane (shtetas të së cilës janë arkitektit i kullës me stadium Casamoti si dhe Stefano Boeri, hartuesi i strategjisë “Tirana 2030”, dy arkitektët e referimit të Kryeministrit dhe Kryetarit të Bashkisë).
***
Ligji në fjalë përcakton në krye të tij ato që quhen Zona Territoriale Homogjene (shkurt ZTH) A, B, C, D, E dhe F.  Unë po ndalem në tre të parat që lidhen me standardet e qyteteve.
“ A) zona me vlerë të veçantë historike, artistike ose mjedisore ose zona që përmbajnë pjesë të zonave të këtij lloji, nëse ato konsiderohen pjesë integrale;
B) zona tërësisht ose pjesërisht të ndërtuara përveç A);
C) zona për komplekse të reja ndërtimore;”
Do të ndalem në tre nëntituj kryesor të këtij ligji.

1.            Raportet maksimale midis hapësirave të banimit 
“Për secilin banor dhe për secilën zonë banimi, pa përjashtim dhe pavarësisht nga lloji i ZTH, duhet të garantohen 18 m² hapësira publike të destinuara për veprimtari kolektive, zona të gjelbëra ose parkingje - përveç hapësirave të destinuara për ndërtesa.
Këto 18 m²/pb (për banor) duhet të ndahen si më poshtë:
a) 4,50 m²/pb hapësira për arsimim: çerdhe, kopshte dhe shkolla të detyrueshme;
b) 2.00 m²/pb sipërfaqe për objekte me interes të përbashkët: fetare, kulturore, sociale, mirëqenie, administrative, zyra shërbimesh publike (si zyra postare, mbrojtje civile) dhe të tjera;
c) 9,00 m²/pb sipërfaqe për hapësirat publike si parqe dhe sheshe lojërash sportive, të cilat mund të përdoren për këto qëllime me përjashtimin të shiritave të gjelbër përgjatë rrugëve;
d) 2.50 m²/pb sipërfaqe për zona të parkimit (si shtesë e zonave të parkimit të parashikuara nga neni 18 i ligjit nr. 765): këto zona - në raste të veçanta - mund të jenë me kate.”
I dashur drejtor, lidhur me atë se sa m² hapësirë publike na takon ne si individë në këtë qytetin tonë po ta le vetë ta llogaritësh. Në lagjen ku banoj unë më del se mund të jetë midis 0 deri në 1m² sepse e vetmja hapësirë publike janë rrugët që shërbejnë edhe si vend parkimi (që nuk hyjnë në këto 18m²); ai 9m² për parqe e sheshe sportive nuk ekziston fare; kurse një shkollë, që ka me qindra nxënës, e ka oborrin vetëm 100-150m² d.m.th. sa një apartament. (Sa për dijeni, në kohën e regjimit - që më rezulton se ka respektuar standardet që po përmend – kjo shkollë ka pasur një oborr sa katër herë sipërfaqja e godinës së shkollës). Të ftoj të bësh ca kalkulime edhe për stadiumin që ka qenë dhe është pjesë e një zone homogjene, madje e kategorisë A. 

2.            Limitet e densitetit të ndërtimit
“Për zonat A, kur aty kryen operacione restaurimi dhe transformime të tjera në funksion të ruajtjes, densiteti i ndërtimeve nuk duhet të tejkalojë atë para ekzistues; kurse për çdo ndërtesë të re të lejuar, densiteti nuk duhet të kalojë 50% të densitetit mesatar të zonës dhe, në asnjë rast, nuk duhet të jetë mbi 5 m³/m².”
Për densitetin e zonave B  ky ligji thotë se ai duhet të jetë:
 “  - 7 m³/m² për qytete me mbi 200 mijë banorë
- 6 m³/m² për qytete midis 200 mijë dhe 50 mijë banorë
- 5 m³/m² për qytete nën 50 mijë banorë ”
Zoti drejtor, së pari të kujtoj se Stadiumi ishte zonë A pjesë e kompleksit monument kulture në kohën kur u prish. Së dyti, besoj se ti, si i profesionit, je në gjendje ta kalkulosh kuptimin e densitetit 5m³/m²; por po e shpjegoj për fansat e tu në facebook. Kjo do të thotë që për çdo metër katror truall nuk mund të ngrihesh më shumë sesa 5 metra lartësi. Se sa kate mund të ndërtohen në një  sipërfaqe p.sh. 1000 m²,  sipas këtij ligji, nëse shfrytëzon të gjithë sipërfaqen, llogarite vetë, por mua më del se më pak se 2 kate ,ndërsa nëse përdor për ndërtim gjysmën e truallit del diçka si 3 kate e pak!  
Llogarite vetë zoti drejtor se çfarë volumi do të duhej të kishte stadiumi si dhe qindra ndërtesat që po ngrini sot nëpër zgëqet e mbetura të Tiranës sikur të aplikoheshin standardet e shtetit të hartuesit të strategjisë “Tirana 2030” Stefano Boeri. E sigurt është se kulla të atilla si ato të projektuara nga Casamonti dhe Boeri (sigurisht edhe ato që u kanë paraprirë këtyre) me standardet e vendit të tyre quhen krim. Dhe jo vetëm pse shkelin dy pikat që përktheva më sipër, por edhe një të tretë, shumë të rëndësishme, që po e përkthej më poshtë:

3.                      Limitet e lartësisë së ndërtesave
“Sa i përket ndërtesave në zonat A, punimet e restaurimit të tyre nuk mund të çojnë në një ndërtesë më të lartë se ndërtesa ekzistuese, përveç rastit të strukturave që u shtohen strukturave antike. Për çdo transformim ose ndërtim të ri që lejohet, lartësia maksimale nuk mund të tejkalojë atë të ndërtesave historike ose artistike përreth.
Në zonat B, lartësia maksimale e ndërtesave të reja nuk mund të tejkalojë lartësinë e ndërtesave ekzistuese përreth, me përjashtim të ndërtesave që përbëjnë objektin e planeve të detajuara ose nënndarjeve të dakordësuara me parashikimet planovolumetrike, me kusht që ato të respektojnë kufijtë e densitetit të referuar më lart në art. 7.”
Përsa i përket zonave C , lartësia e ndërtesave të reja që u bije të jenë afër, apo në raport vizual me zona të tipit A nuk mund të kalojnë lartësitë që janë kompatibël me ndërtesat e zonës A.”
I dashur drejtor, nga sa kam hulumtuar këto janë standarde urbane, që pak a shumë respektohen në çdo shtet evropian dhe që, po të kërkosh nëpër rregulloret e vjetra urbane në Bashkinë ku punon, do të gjesh se kanë ekzistuar edhe për Tiranën e kohëve të para kur u bë kryetar Bashkie maestroja i kryetarit që ke sot. Nuk do shumë mend për të kuptuar se këto standarde janë rezultat i një përvoje të gjatë të ndërtimit të qyteteve ku  cilësia e jetës harmonizohet me bukurinë arkitektonike duke na treguar se një objekt, cilido qoftë ky, nuk mund të jetë i bukur në vetvete, por nëse harmonizohet me pjesën tjetër të qytetit. E në këtë aspekt gjykoj se arkitektura është arti ku më shumë se çdo tjetër materializohet“kalokagathia”,  termi që përdornin grekët e lashtë për të bukurën që do të thotë: e bukura (kalos) është edhe e mirë (agathos). E pra, arkitektë si Stefano Boeri apo Casamonti, që pranojnë të projektojnë në Tiranë objekte që konsiderohen të shëmtuar sipas standarteve italiane, apo edhe ndonjë sivëlla i tyre perëndimor, (që çuditërisht thuajse të gjithë rezultojë të akuzuar për akte korruptive në vendin e tyre), nuk sillen në Shqipëri si arkitektë, por si rrobaqepës të këqij mafiozësh, që, nga etja për fitim, nuk i thonë klienti të tyre se kostumi që kanë porositur është i një shijeje të keqe. 
Këtë letër po e mbyll këtu, zoti drejtor, duke shpresuar se fragmentet e ligjit që të përktheva në këtë letër do të të vlejë ty dhe kolegëve të tu si një pasqyrë ku të shihni veten dhe se çfarë pune po bëni realisht. Një herë tjetër do të të shkruaj edhe pse më duket i shëmtuar Sheshi Skënderbe, ku nuk të siguroj dot se s’do të më shohësh duke shkelur sepse, ndryshe nga stadiumi, për nevojë lëvizjeje jam i detyruar ta përshkoj, siç jam i detyruar të jetoj në këtë qytet që po bëhet dita ditës më i pabanueshëm.

Fatos Lubonja
(Panorama, 28 janar 2020)

Read More......