Sunday, August 31, 2008

Rinia jonë dhe olimpiada


Olimpiadat kanë qenë dhe mbeten ngjarje të mëdha botërore multidimensonale, jo vetëm sportive, por edhe politike edhe mediatike edhe komerciale… edhe gjeografike, sepse të bëjnë të njohësh, madje të prekësh me dorë tërë botën, të ndjehesh qytetar i saj. Megjithë kontradiktat, e tillë ishte edhe kjo e Pekinit.
Mund të ulesh të shkruash për olimpiadën duke e parë në të gjithë këto fusha e të tjera. Por ajo që më uli të shkruaj për të ishte një ngacmim që më kthehej e rikthehej teksa ndiqja garat e ndryshme sportive.
E tregon edhe titulli: rinia jonë dhe olimpiada.
Ajo që personalisht më godet gjithnjë e më shumë në olimpiadat, sa më shumë kalon mosha e shtohet numri i olimpiadave që më jepet rasti të ndjek nëpërmjete ekranit televiziv apo të kinemasë (për mua kjo histori ka filluar me një film mbi olimpiadën e Romës të vitit 1960) nuk janë më kampionët e mëdhenj, as momentet e bukura të jashtëzakonshme agonistike, as shumësia e medaljeve që merr njëri vend apo tjetri. Sigurisht këto kanë vendin e tyre, por ajo që më ka mbresuar gjithnjë e më shumë në olimpiadat e fundit që kam ndjekur, ashtu sikurse edhe në këtë të Pekinit, është shumësia e sporteve që ushtron qënia njerëzore. Sepse vetëm në një olimpiadë sheh të mblidhen thuajse të gjitha sportet: futboll, basketboll, volejboll, waterpol, not, atletikë, gjimnastikë (kaq shumë disiplina në këto tre të fundit) hedhje nga trampolina, kanoe, kanotazh, vela dysh katërsh, mundje boks, xhudo, tenis, pingpong, skermë, çiklizëm, hipizëm, gjuajtje me pushkë me rrathë, me pjatel … nuk i numëroj dot të gjitha dhe nuk i di të gjitha. Kam përshtypjen se edhe fjalët në shqip nuk i kemi për t'i shenjuar e diferencuar të gjitha.
Nuk mund të mos mbetesh gojëhapur duke parë se sa kreative është qënia njerëzore, edhe përsa i përket sportit; por edhe përpara faktit që nënkupton kjo shumëllojshmëri: se sa shumë pasion dhe energji njerëzore derdhen në këto sporte.
Në fakt, sportistët që shohim në ekran në Olimpiadë janë vetëm maja e piramidës, ata që kanë dalë nga një seleksionim i gjatë që edhe frymëzojnë shumë të tjerë. Por nën ta, në vendet prej nga vijnë, duhet të imagjinojmë një numër shumë shumë herë më të madh sportistësh, pafundimisht më të madh. Pa ta nuk do të kishim as Olimpiadë. Dhe tek ata qëndron, për mua, mrekullia e vërtetë e sportit, ndoshta sporti i vërtetë. Sepse në thelbin e vet sporti nuk bëhet me synimin për të dalë në pedanat e medaljeve; ai bëhet sepse është një pasion, një kulturë, një mënyrë për t'i dhënë kuptim jetës, për të njohur veten, për ta forcuar atë si fizikisht edhe mendërisht, për t'u shoqërizuar, solidarizuar etj.
"Çfarë bëjnë kafepirësit e bllokut? - më pyeste me chat nga SHBA një mik që po e ndiqte edhe ai olimpiadën - është turp, gjithë rinia në botë merret me diçka pozitive, tenis, ping-pong, çfarëdo sporti, janë aktivë për mjedisin dhe çështje të tjera. Ata tanët i ke gjithë ditën e mbarë nga një kafe/bar tek tjetri."
Ishin edhe fjalët e tij që më nxitën të shkruaj këto rradhë.
Nuk e vuaj aspak skarcitetin e rinisë sonë në olimpiadë nga këndvështrimi i një nacionalisti. Sigurisht do të ishte e bukur edhe emocionuese të shihje ndonjë kampion shqiptar në podium teksa ngrihej flamuri ynë. Por jam kundër manipulimit nacionalist të sportit ashtu sikundër jam kundër komercializimit të sporti, kur gjithshka shndrrohet në para. Këto janë një tjetërsim i tij. Ndoshta shembulli më sintetik i këtyre të dy aspekteve ishte organizatorja e Olimpiadës Kina, ku pamë sportistë të prodhuar në laborator enkas për të afirmuar superfuqinë e re botërore dhe reklama gjigande me fytyrat e sportistëve milionerë kinezë, agjentët e të cilëve nuk bëjnë kontrata më pak se një millionëshe. Po ashtu nuk më shkon ndërmend se një vend i vogël si i yni mund të konkurojë me vende me një popullsi të madhe sepse në ato vende ka më shumë mundësi të dalin talente. Por ngulmoj se këtu nuk është as çështje konkurimi, tek e fundit, ndonëse nuk mund të mbetesh indiferent kur sheh se ka shumë vende më të vegjël se ne që garojnë me dinjitet, madje ngjiten edhe nëpër podiume medaljesh. Për mua çështja kryesore është ajo e kulturimit dhe edukimit sportiv, e zhvillimit të pasioneve për sportin, per të gjetur e shprehur veten nëpërmjet tij, për të derdhur energji në mënyre pozitive, për të krijuar shoqëri, solidaritet e me rradhë. Sepse sporti është një nga mënyrat më të shëndetshme për të zhvilluar potencialitetet pozitive të njeriut, për të zhvilluar edhe shpirtin e garës, por edhe solidaritetin dhe sakrificën për grupin, disiplinën dhe autodisiplinën, por edhe forcën fizike e mendore për të pasur një jetë me shëndet me gjallëri me sociabilitet dhe më me kuptim gjatë gjithë jetës.

Pse tek rinia jonë mungojne të gjitha këto, apo janë kaq të mangëta? Pse ne na duken sikur vijnë nga një botë tjetër, si marsianë, sportistët që shohim në olimpiada. Ne fakt jane homo sapiens si ne, dykëmbësh dhe dyduarsh si ne. E gjithë diferenca qendron ne kulturën, edukimin sportiv që kanë. Nuk është kjo as çështje race e as çështje prirjesh, paçka se u tha se xhamajkanët i kanë fibrat muskulore superiore për garat e shpejtësisë. Po ku ishin deri dje xhmjaknët? Pse nuk fitonin?
Olimpiada e Pekinit vetëm sa m'i ngacmoi këto mendime. Në fakt nuk ishte skarciteti i tanëve në Pekin, por ajo që shoh përditë të ndodhë në Tiranë e gjithë vendin tonë me sportin dhe raportin e rinisë sonë me të, që më nxitën të shkruaj këto rradhë. Sepse shoh me dhimbje për rininë dhe me revoltë ndaj atyre që duhet ta drejtojnë atë se ne, në vend të sporti kemi zhvilluar lojën e bixhozit me sportin; se kemi me qindra vende bastesh, por jo fusha sportive, me qindra kafe, por aq pak palestra; se ne lajmet kryesore që lidhen me sportin tek ne nuk mbizotërojnë rezultatet e mira, por shitjet e ndeshjeve nga sportistët tanë, se pikat e referimit për rininë tonë nuk janë sportistë të shquar, por trafikantët e drogës dhe prostitutave që bredhin të patrazur e të kapardisur mbi BMW X5 në rrugët e Tiranës.
Ku janë Agim Fagët, Panajot Panot, Asllan Rusët e Zhani Bonatët kampionët e çiklizmit si Agalliu të notit të boksit, që edhe në terrin e diktaturës inspironin me pasione pozitive rininë? A duhet thënë se komunizmi investonte më shumë sepse e përdorte edhe sportin si imazh? Pjesërisht kjo është e vërtetë, por këtë e hedh poshtë fakti se në vendet tona fqinje ra komunizmi, por shohim përsëri serbët, sllovenët, kroatët të dalin nëpër podiume. Ndiqja para disa kohësh një intervistë të numrit një të botës në tenis serbes Ivanoviç që tregonte se, në mungesë fushash tenisi, gjatë dimrit ishte stërvitur në një pishinë bosh që nuk funksiononte për shkak të mungesës së ujit të ngrohtë. E megjithatë një tjetër serb gati sa nuk i rrëmbeu në pishinat e Pekinit medaljen e arit njërit prej yjeve absolute të olimpiadës, amerikanit Phelips. "Kur ekziston një vullnet i madh - thotë Makiaveli - nuk ekzistojnë vështirësi të mëdha". Jo, ky skarcitet i të rinjve tanë nuk është as çështje të hollash as çështje sistemi as çështje race; është çështje kulture e cila i jep jetë tek i riu pasionit që ushqen e forcon pastaj edhe vullnetin.
Ku janë politikat e Ministrisë së Kulturës Turizmit dhe Sporteve? Ku janë politikat e Ministrisë së Arsimit. Kërkund. Jo, u gabova: ata ua kanë lënë në dorë punën e sportit, ashtu sikurse edhe shumë punë të tjera, bosëve tanë të biznesit. Janë ata që drejtojnë sportin tonë dhe politikat tona lidhur me sportin. Por, nga sa më rezulton mua, këta nuk i ka çuar atje dashuria për sportin. I ka çuar biznesi, veshja e figurës së tyre dhe e bizneseve të tyre me një kostum të mire publike. Kryetari i delgacionit tonë të vogël olimpik është një ish sportist, vërtet, por biznesin e tij sëbashku me ish basketbollistin Rama, sot kryetar bashkie i Kryeqytetit, nuk ka sportin, por, përkundrazi, shndrrimin e fushave të sportit, por edhe të teatrove dhe të parqeve në ndërtime fitimprurëse. Kurse, për ironi, mesa di, fëmijët e tij nuk po rriten në Shqipëri, por jashtë shtetit, atje ku ka shumë fusha sporti dhe shumë parqe, gjelbërim, teatro e kinema. Ministri ynë i Kulturës dhe Sporteve Ylli Pango, ka qenë edhe ai sportist, notar i mirë si bregdetas që është, por në vend se me ruajtjen e plazheve të bregdetit ai merret me kthimin e tyre në fshatra turistike, që në shqip do të thotë ndërtim vilash e hotelesh private për 1 përqindëshin e të pasurve shqiptarë, që do tu pakësojnë edhe më fëmijëve tanë mundësinë për të pasur kontakt me detin e për t'u bërë notarë.
Varfëria e jetës sonë sportive, e pasioneve të rinisë sonë për sportin është një nga simponat e krizës së vlerave të një shoqërie ku kultivohet vetëm një pasion: ai i lekut të fituar lehtë, pa punë, pa studim, pa mundim, pa sakrifica, pa solidaritet, pa ndershmëri. Rezultati duket në të gjitha fushat: një katastrofë kulturore dhe shpirtërore e pashembullt e njeriut shqiptar të cilit mburrja me pasurinë dhe dëfrimi me të i mbeten thuajse e vetmja ndjenjë. Dalja nga kjo krizë është punë e vështirë. Njohja e problemit nuk mjafton, por nëse ai ndjehet seriozisht atëhere ka më shumë mundësi të gjinden rrugët. Dhe rrugët, sipas meje, duhet të fillojnë me ndërtimin e një sistemi tjetër vlerash që njeriut njëdimensional shqiptar, të orientur vetëm nga leku, t'i hapen horizonte vlerash të tjera. Dhe ushtrimi i sportit, pasioni e dashuria për të, janë një nga më të bukurat e këtyre vlerave. (Korrieri, 30 gusht 2008)

Tuesday, August 26, 2008

Identiteti shqiptar dhe identiteti kosovar



Intervistë e Fatos Lubonjës botuar në gazetën kosovare "Epoka e re " (ribotuar në Korrieri, 25 gusht 2008)

Me 17 Shkurt 2008 është shpallur Kosova shtet i pavarur bashkë me Rezolutën 1244, me Pakon e Ahtisaarit, pa ushtri, policinë nuk e kontrollon vetë, nuk e kontrollon një pjesë të territorit të vet. A mund ta quajmë këtë pavarësi sipas jush?

Sigurisht, nuk është pavarësi, në rastin më të mirë është pavarësi nga Serbia, nëse është. Gjykimi im për këtë situatë është se nuk jemi në një proces të përcaktuar qartazi, prerazi, vijëdrejtë, përkundrazi, mjaft kontradiktor. Them kontradiktor në dy aspekte që duhen dalluar njeri nga tjetri. Njëri është procesi i kushtëzuar nga ndërkombëtarët, që marrin pjesë në proces me gjithë aktorët e vet; tjetri është konteksti brenda Kosovës ku ka edhe atje aktorë të ndryshëm të cilët, edhe ata, janë në proces. Dhe po t’i shohësh të dy plalët, edhe ndërkombëtaret edhe shqipëtarët brenda, ku duhet të përfshijmë edhe pakicat e tjera, kanë kontradiktat e veta në këtë proces. Gjendja e Kosovës përsa i përket statusit të saj është pikërisht për mendimin tim shprehje e të gjitha këtyre kontradiktave. Më konkretisht, kur flas për ndërkombëtarët dhe kontradiktat mes tyre kam parasysh: kontradiktat në një nivel gjeo-politiko-strategjik ku mund të përmendja Rusinë me njërin krah që ka mbrojtur Serbinë dhe është kundër pavarësisë, me pjesën kryesore të Perëndimit me në krye SHBA që e mbështet. Por është edhe kontradikta që ka vetë Perendimi brenda vetes në këto çeshtje. Disa shtete që kanë probleme të ngjashme, si Spanja dhe vende të tjera janë kundër. Po ashtu mendoj se ka edhe një kontradiktë tjetër që nuk duhet harruar, që lidhet me pyetjen se ku po shkon Europa. Ajo vetë është ngërthyer në kontradiktat midis atij që mund ta quajmë projekti i Europës së Bashkuar, kozmopolite më një anë dhe prirjet nacionaliste brenda shteteve të saj më anë tjetër. Edhe kjo është një kontraditë e pazgjidhur. Padyshim të gjitha këto reflektohen edhe në Kosovë me një situatë paqartësie siç e përshkruat edhe ju qe jetoni atje ditë-për-ditë. Nga ana tjetër mendoj që edhe aktorët shqiptarë nuk se janë të gjithë bashkuar në këtë proces. Ndoshta i bashkon të gjithë ideja e pavarësisë, por nga ana tjetër shoh se kanë shumë kontradikta midis tyre. Po ashtu raporti i politikanëve shqiptarë me ndërkombëtarët nga njëra anë dhe bashkëatdhetarët nga ana tjetër ngërthen brenda një kontradiktë tjetër të fortë për mendimin tim. Ç’kuptoj më këtë? Kuptoj që ata duhet të përdorin dy gjuhë, dy kode. Njëra është gjuha që lidhet me projektin ndërkombëtar, Planin e Ahtisaarit, që dukej qartë, psh në fjalën që mbajti ditën e pavarësisë Thaçi, apo që u shfaq në flamurin që u valëvit në Parlament si flamur i Kosovës; tjetra është gjuha nacionaliste me shqiptarët në kuptimin e gjuhës së aspiratave të shqiptarëve që kanë qenë aspirata të ndërtimit të shtetit të tyre komb. Edhe në këtë të fundit, përsëri, nëse i hyjmë edhe më thellë kontradiktave midis shqiptarëve do të dallojmë një projekt për një Kosovë të pavarur, shtet më vete, dhe një projekt për bashkim me Shqipërinë. Të gjitha këto që numërova e bëjnë situatën dhe këtë proces mjaft të paqartë e aspak vijëdrejtë.

P.sh. Partitë politike në Serbi për me ardh në pushtet atje propagandojnë për/me Kosovën, kurse partitë politike në Shqipëri vijnë në pushtet duke propaganduar se kush do ta fusë vendin nëpër strukturat e ndryshme perendimore? A është edhe kjo njëfarë amullie që është krijuar në Kosovë për shkak se Shqipëria nuk e ka rolin intervenues në këtë çështje?

Kjo, për mendimin tim, lidhet me atë se fati i shqipëtarëve, për fat të mirë apo të keq, edhe gjatë shekullit XX, është përcaktuar kryesisht nga vullnetet e Përendimit dhe jo nga proceset e brendshme shqipëtare. Pra, po ta shohim historikisht formimi i shtetit shqipëtar më 1912 dhe lënia e Kosovës jashtë tij, ishte rezultat i faktorit ndërkombëtar. Ai ka qenë përcaktues në dhënien e pavarësisë së Shqipërisë. Se shqipëtarët, për arsye që lidhen me atë se si u ka ardhur historia, nuk kanë mundur të jenë faktor determinues brenda-për-brenda vetëvetës për të përcaktuar fatin e tyre. Dhe politikanët shqipëtarë kanë lindur nga këto situata që janë lidhur pastaj edhe me interesat e tyre të pushtetit. Historia sikur të ishte përcaktuar vetëm nga brenda do të kishte qenë ndryshe sigurisht. Edhe Shqipëria duket e pavarur, mirëpo edhe politikanët tanë janë të varur. Për mirë apo për keq kjo është e diskutueshme.

Si e shpjegoni që politikanët si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri nuk e shiqojnë së pari interesin e vendit të tyre, por përkundrazi kanë një dashuri të pakusht ndaj Perendimit?

Por kjo s’është dashuri pa kushte. Kjo as nuk është dashuri fare. Ky është pragmatizmi i një klase politike e cila hisorikisht, siç thashë, ka ardhur në pushtet nëpërmjet të huajve. Historikisht. Merre me radhë historinë e Shqipërisë.

Mirëpo kjo është një gjë që po na kushton ?

Lidhur me çeshtjen nëse po na kushton ose jo, këtu në rastin e Kosovës sot, por edhe të Shqiupërisë dje dhe sot, unë kam pikëpyetjet e mia. Në ç’kuptim? Sepse në qoftë se do të flasim me termat e një shteti komb shqiptar, i vetëmjaftueshëm, i organizuar dhe i fuqishëm, ky ka munguar. Të flasim çiltas, unë kam pikëpyetjet e mia për atë që do të kishte ndodhur nëse disa rrethana historike të caktuara, për mirë a për të keq, - kjo është çeshtje prap e hapur, - nuk do të kishin bërë që forca të caktuara ndërkombëtare të mbështesnin ekzistencën e një shteti shqipëtar. Ashtu sikurse kanë bërë që sot të mbështesin një Kosovë të pavarur. Pra, sikur të bëhej fjalë për një popull shqiptar të pambështetur nga ndërkombëtarët, a do të kishte qenë ai në gjendje të fitonte pavarësinë e të ndërtonte shtetin e vet komb? Nuk e di, ndoshta edhe po, por ndoshta edhe jo. Të paktën, në rastin e Kosovës, jo kaq shpejt e kaq lehtë. Ne shikojmë një popull si ai palestinez që po lufton shumë për pavarësinë, por s'e merr dot, shikojmë kurdët s’marrin dot shtet, shikojmë Tibetin, çeçenët. Pra e kam fjalën se ajo që quajmë varësia ndaj ndërkombëtarëve është e diskutueshme se sa është pozitive e sa negative në këtë rast. Sot në botë ka një kontradiktë të fortë midis asaj që quhet e drejta e popujve për vetvendosje më një anë dhe principit të sovraniteti dhe integritetit territorial të shteteve më anë tjetër. E drejta e pupujve për vetvendosje mund ta ndryshonte krejtësisht hartën e botës e prandaj principi i sovraniteti i mosndryshimit të kufijve i nënshkruar në Helsinki mbetet dominant. Ja pse ngulmohet kaq shumë të thuhet se Kosova është një rast i veçantë. E nëse është kështu - çka mua nuk më bind - shqiptarët e Kosovës duhet ta shohin si privilegj që janë trajtuar si rast i veçantë se nuk më duket se kan bërë më shumë sesa palestinezët apo kurdët apo çeçenët për ta fituar vetë pavarësinë.

Unë nuk e di se sa ju jeni i njoftuar me planin e Ahtisaarit ?

Pak a shumë…

Kuvendi i Kosovës e ka pranuar planin e Ahtisaarit me aklamacion, ky është një plan që Kosovën e ndan në vija etnike, kulturën ortodokse mesjetare të Kosovës e serbizon, pra kishat dhe manastiret ortodokse shqipëtare ia jep Serbisëe dmth na e bën shkëputjen kohezive në aspektin historik? Dhe tash nëse flasim për mbështetjen e perendimit për krijimin e një shteti të tillë, kur me kalimin e kohës po sikur Bosnjen edhe Kosovën ndërkombëtarët do ta shpallin si shtet të dështuar…

Plani i Ahtisaarit sipas mendimit tim është projekti i një shteti që formon kombin. Ju më heret në bisedë përdorët fjalën shkombëtarëzim i shqipëtarëve. Është interesant përdorimi i këtij termi. Shkombëtarizim nënkupton që ti e ke një identitet kombëtar të cilin po e humbet, apo jo. Në fakt, ajo që ndodh është vazhdimi i një procesi kombformimi. Është një proces, sipas planit të Ahtisaarit, i formimit të një kombi që quhet në terminologjinë e njohur kombi i shtetit, siç janë shumë shtete: Franca, SHBA, Anglia dhe jo kombi i kulturës siç ka qenë modeli italian apo gjerman në shek XIX. Synohet të formohet një shtet i ri me një flamur të ri si simbolin e vet, me kufijtë e vet dhe tentohet të krijohet një identitet që në rastin e shqipëtarëve të Kosovës nuk mund të jetë më identiteti që ata kanë pasur më përpara, apo të cilin aspironin ta kishin. Sepse identiteti është një proces, dhe ky është problemi. Kur thua "shkombëtarizim" nënkupton se e ke një identitet kombëtar që po e humbet dhe po mbetesh pa gjë. Kurse kur e kupton identitetin si proces nuk po e humbet, por po e ndryshon. Çështje tjetër, pastaj, nëse e pranon këtë ndryshim apo nuk e pranon; sa ky ndryshim është i mirë për ty, sa është i keq, sa i madh apo i vogël. Kjo mbetet një çështje e hapur.

Identiteti është një proces shumë i ndërlikuar. Nuk bëhet me dekret e as në laborator dhe nuk krijohet me anë të dëshirave. Shqipëtarët e Kosovës kanë identitet, ata janë shqiptarë. Edhe lufta e fundit e 1999 është bërë në këtë frymë…

Deri më 1999 shqipëtarët luftuan në emër të flamurit të tyre kuq e zi. Mirëpo, çfarë ndodhi? E thashë më parë, ndodhi që, në këtë luftë, ndërhyri një forcë e tretë pa të cilën vështirë se mund ta fitoje luftën. Ajo hyri brenda për arsyet e veta; ka shumë hipoteza pse u bë ndërhyrja në Kosovë: humanitare, mbrojte të drejtave të njeriut, që të mos përsërtitej edhe njëherë Bosnja, në një kuadër gjeo-strategjik për të justifikuar ekzistencën e NATO-s etj.. Dhe duhet ta pranojmë këtë. Nuk mund të besojmë se ne shqiptarët na donin shumë ndërkombëtarët dhe hynë për ne sepse mendojnë se këta shqiptarët janë popull i zgjedhur…, apo jo. Ata hynë për interesat e tyre dhe, në momentin që hynë, vendosën, siç kanë bërë historikisht perandoritë e mëdha, le të përmend Romën psh. të vendosin ligjet e tyre në territorin ku shkelin. Dhe këtu shfaqet qartë ajo që e quajta kontradiktë që u lind shqipëtarëve: në një kohë kur ata luftuan me flamurin kombëtar sot u duhet të mbajnë një flamur tjetër që ua kanë imponuar ndërkombëtarët, që janë fitimtarët e luftës. Po pse? Sepse nuk mund të thuash kurrsesi se ata ndërhynë për të krijuar, shtetin-komb shqiptar në kuptimin e shekullit XIX, ku vërtet luftohej për pavarësi kombëtare, kur Bajroni shkonte dhe luftonte për pavarësinë e Greqinë, sepse çlirimi kombëtar ishte asohere fryma e kohës. Jemi në shekullin e XX-XXI, ku fryma e kohës në Perendim nuk është më çlirimi ose pavarësitë kombëtare, por globalizimi, ndërvarësia midis shteteve, të drejtat universale të njeriut, mbrojtja e multikulturalizmit që përbëjnë, si të thuash, frymen dominante. Edhe Perendimi, siç thashë, ka kontradiktat e veta në këtë aspekt, kundërprojektet nacionaliste, por fryma dominante është kjo. Dhe prandaj ai vjen me një projekt tjetër, me një flamur tjetër, me një proces tjetër nga ai i shqiptarëve. Të thotë ty: unë të mbështes deri këtu dhe ti do të pranosh këtë proces. Madje unë ta imponoj këtë proces. Tani pikëpyetja është kjo për mua: sa janë të gatshëm shqiptarët kulturalisht, shpirtërisht, për ta pranuar këtë proces, jo vetëm shqiptarët, por edhe serbët, por edhe gjithë Ballkani, ku dominojnë nacionalizmat. Pra, sa mund të këtë sukses ky proces? Unë kam pikëpytjet e mia se a mund të ketë sukses ky proces.

Në kohën e Millosheviqit shqiptarët janë rrahur, torturuar, dhe janë vrarë vetëm e vetëm pse kanë bartur flamurin kuq e zi. Dhe me anë të një lufte dhe me gjithë ato vrasje që ndodhën Millosheviçi nuk mundi t’i deshqiptarizojë shqiptarët. Mbase ndjenjën kombëtarë vetëm sa u’a forconte. Mirëpo çfarë ndodh tash? Këto plane, ky projekt që vijnë nga lartë e që e kanë përkrahjen e politikës vendore, po na e ndryshon edhe flamurin me anë të një procesi të ‘padhunshëm’. Madje ky projekt po na i ndryshon të gjitha ato të cilat Millosheviçi nuk mundi të na i ndryshojë madje as me luftë. Pse ndodh kjo?

Millosheviçi ka dashur të të asimilojë dhe të ta heqë flamurin kuq e zi në emër të flamurit serb, indentitetit serb, ose të të dëbojë fare. Perendimi don të të asimilojë ( qeshet ) edhe të të integrojë si me thënë në emër të flamurit të vet, me yje sëbashku me serbët. Edhe tani kemi një imponim. Këtu çeshtja është se sa janë shqiptarët dhe përgjithësisht ballkanasit, por edhe vetë perendimorët të bindur në këtë projekt. Për mua ky është një projekt shumë i madh. Është projekti i vllazërimit të popujve, i Europës së Bashkuar. Mos të harrojmë; ky jo se ta heq identitetin; identiteti shqipëtar mbetet, por të shtohen edhe identitete të tjerë plus, sipas këtij projekti identiteti yt nuk kërcënon identitetin e tjetrit dhe anasjalltaz. Kosova multietnike, siç përfytyrohet, është një shtet ideal edhe në Perendim. Ideal në bazë të një konceptit jonacionalist, por post-nacionalist në qoftë se mund ta quajmë kështu.

Mirëpo, ky farë identiteti që po tenton të krijohet në Kosovë nuk duket se është nuancë. Është tamam ngjyrë…

Po, po… ngjyrë është. Por tani problemi është ky: pse ti nuk e pranon këtë ngjyrë?

Mirë. Ne si Kosovë dhe si shqipëtar në përgjithësi jetojmë në një vend/kohë ku; Kroacia tenton ta marrë një pjesë të Bosnjës, Hungaria tenton ta marrë Vojvodinën e cila thotë se është e banuar me Hungarez, Bullgaria tenton ta marrë një pjesë të Maqedonisë, po ashtu edhe Greqia një pjesë të Shqipërisë dhe Serbia e kontrollon një pjesë dhe tenton që ta rrimarrë tërë Kosovën. Dhe në tërë këtë farë gjendje ne shqipëtarët tentojmë të bëhemi kozmopolit, ku na çon kjo?
Mbase edhe Arbër Xhaferin kur flet për këtë problem thotë se: A duhet te debatojmë se a jemi shqipëtarë? Kurse ne po debatojmë, e në fakt nuk duhet te debatojmë…

Hiq pretendimin e serbëve për sovranietein mbi Kosovën dhe ndoshta rrezikun e mosqëndrueshmërisë të Bosnjes përsa i përket vendeve të tilla si Greqia, Bullgaria Hungaria nuk i shoh orekset që përmendni të ndezur përveçse në mendjet e sëmura të një minorance. Janë vende që bëjnë pjesë në bashkësinë evropiane tashmë. Kjo që thoni ju mund të ndodhë në rastin e një Lufte të Tretë në Evropë, çka është thuajse e pamundur
Sa për debatin nëse jemi shqiptarë ne nuk debatojmë për humbjen, por debatojmë për ndryshimin e identitetit të shqiptarëve. E këtu ka një ndryshim të rëndësishëm që ka të bëjë me dy qasje të ndryshme ndaj identitetit. Ajo që e kam quajtur shpesh "qasja esencialiste" ndaj identitetit është qasja sipas të cilës identiteti është një dhe i pandryshueshëm. Është ajo që kemi qenë, që jemi dhe që do të jemi, - sikur të bëhet fjalë për një bërthamë, mishi rreth të cilës ikën, ndryshon, por ajo mbetet aty "e ngurtë". Kurse "identiteti i lëngshëm", siç e quan Baummani, e konsideron atë si një proces, një "ngjarje" në ndryshim. Pra ne na duket se kështu kemi qenë qysh nga koha ilire, në fakt identiteti shqiptar për të cilin po flasim është një konstruksion i elitave nacionaliste të shekullit XIX; shqiptari që kemi sot, ai flamur që kemi sot, për të cilin themi ky është flamuri ynë, është vendosur të ishte flamuri i Shqipërisë më 1912. Ky identitet është ndërtuar mbi disa mite të nacionalizmit shqipëtar, të rëndësishme si gjuha, Skenderbeu, disa momente të historisë së përbashkët. Por, po të shikosh historinë, ndërtimi i këtij identiteti ka qenë një proces shumë i komplikuar. Ka ardhur nga disa procese që kanë konverguar në një identitet dominant që erdhi duke u forcuar. Ndërkaq edhe ai nuk se ka mbetur gjithnjë i njëjtë. Në kohën e Enver Hoxhës ndryshoi identiteti. Nuk ishte e njëjta gjë shqiptari i Enverit me shqiptarin e kohës së Zogut apo edhe më heret. Kështuqë, në këtë proces, sot shqipëtarët edhe po humbasin diçka edhe po u shtohet diçka jo mekanikisht, por organikisht duke e ndryshuar pra të gjithin. Ndryshimi kryesor lidhet me atë që e quajmë identiteti europian që synon t'i bëjë pjesë e Europës. Se sa pastaj ata do të mund të arrijnë të jenë edhe europianë pa e humbur identitetin shqiptar që ka të bëjë me historin e tyre, - se kam dëgjuar se në Kosëvë ndodhin edhe gjëra të tilla që, meqënëse jemi europianë, atëherë le ta heqim fenë muslimane dhe të bëhemi të krishterë - kjo është një punë tjetër. Këto janë procese ndërtimi identitar dhe se sa t’i ke dinjitet në këtë proces, sesa t’i ruan dhe nuk hedh poshtë të kaluarën tënde, identitetin e mëparshëm kjo është një çështje e rëndësishme. Për fat të keq shqiptarët shpeshëherë në historinë e tyre i janë adaptuar identitetit të ri që u është imponuar nga konjuktura e jashtme dhe politika e brendshme; janë bërë kinezë, sovjetikë, kanë ndërruar emrat duke i bërë Vladimir… e kupton… dhe tash ndërrojnë edhe emrat edhe mbiemrat dhe fenë, bëhen të gjithë anglez, amerikan… e kupton në një mënyrë që tregon një popull ende të paformuar mirë, ende në një stad paksa fëminor.

Ju thatë se identiteti shqipëtar është ndërtuar mbi mite si Skenderbeu, është ndërtuar mbi simbolika dhe simbole kombëtare…

Po…

Po me të njejtat mite dhe simbole kanë qenë edhe shqipëtarët jashtë kufijve të Shqipërisë kanë kaluar me të njëjtën histori.

Jo, me të njejtën histori, sepse, po të shikosh, historia jonë me historinë e Kosovës është e ndryshme nga 1912 e këtej në shumë aspekte. Por edhe më parë ka qenë e ndryshme sepse katër vilajetet ku kanë jetuar shqiptarët në kohën e Perandorisë Osmane kanë pasur shumë ndryshime njëri nga tjetri. Shqiptarët e Kosovës kanë kultivuar disa mite nacionalist të konstruktuar në kohën e Rilindjes por, duke mos patur shtetin e tyre, si ata të Shqipërisë, procesi ka qenë i ndryshëm. Ata kanë qenë në Jugosllavi ku janë diskriminuar nga serbët, dhe kjo ka luajtur një rol me rëndësi, por ku ka pasur edhe Bashkim-Vllazërim, ku kanë mësuar serbisht, ku kanë mundur të dalin në kohën e komunizmit jashtë shtetit, ku kanë ruajtur fenë. Dua të them se kanë patur një histori tjetër nga ajo e shqiptarit të Shqipërisë dhe se, duke qenë identiteti një proces, historia ndikon edhe në formimin e identiteve, e diferencave. Nuk mund të thuhet, pra, se është ruajtur një thelb i njëjtë dhe i pandryshueshem për të gjithë; as se ky do të mund të ruhet nëse historitë do të jenë të ndryshme.

Edhe këto që ju po i thoni që si kanë jetuar në Jugosllavi ka pasur vllazërim-bashkim etj., e që i kishin futur me dhunë, prap shqipëtarët nuk i harruan këto mite përkundrazi janë forcuar dhe trashëguar.

Edhe i kanë harruar një pjesë…

Janë harruar nga presioni…

Edhe presionet janë pjesë e historisë. Psh. u eliminua feja fare në Shqipëri që është princip i rëndësishëm identitar, u injoruan dhe harruan shumë figura…

Përveç kësaj në Kosovë pas 17 shkurtit, 28 nëntori dita e flamurit nuk do të jetë festë zyrtare. Dmth nuk është se po e bëjmë edhe një identitet të ri... Jo, ne po e humbin identitetin që e kishim dhe kinse po na imponohet një identitet i ri e që në fakt s’është identitet.

Për mua kjo që thoni ju: kjo ndërprerje, ky ndryshim i menjëhershëm i imponuar është procesi interesant që e paraqet vështirësinë e madhe. Po të vësh re, identitetet në përgjithësi kanë ndryshuar me gradualitet, por mos të harrojmë se kanë ndryshuar edhe me hove, me revolucione të caktuara. Shqiptarët në shek XIX shumica identifikoheshin si turq, ama etno-lingustikisht qenë shqip tar. Vjen nacionalizmi dhe identifikohen si shqiptarë… vjen komunizmi si një revoulucion dhe identifikohen si komunistë internacionalistë më shumë sesa si shqiptarë nacionalistë. Pastaj, veçanërisht pas prishjes me jugosllavët e sovjetikët i rikthehen nacionalizmit duke u bërë nacional - marksist - leninistë. Edhe shqiptarët e Kosovës ka qenë një kohë që më shumë ishin jugosllavë sesa shqiptarë. Zgjimi kombëtar edhe aty ka qenë një proces. Qe një kohë që u bënë marksist leninistë për të qenë shqiptarë. Janë identitete këto. Pavarësisht sesa këto nguliten, sesa mund të rezistojnë në kohë. Tani edhe në këtë situatë në Kosovë jemi në një situatë ku ka ndërprerje të fortë, ku imponohet një identitet më shumë sesa pranohet. Imponohet edhe për rrethana pragmatizmi politik dhe kjo e bën të vështirë atë sesa mund të mbijetojë vërtet ky lloj identiteti i ri, kjo lloj Kosove a çka do të jetë. Por ama unë e quaj një eksperiment të hapur dhe jam shumë kurioz të shoh si do të shkojë. Kush do të triumojë? Por mos kujto se ke aq fuqi ta ndryshosh këtë perandorinë e madhe që na e ka imponuar. Është një perandori që i ka imponuar ligjet e veta. Mund të thuash: ç’është kjo padrejtësi, por kur shikon pastaj historia kështu ka qenë. Kështu ua kanë imponuar gjithmonë shumëçka vendeve të vogla.

Pajtohem se nuk mund t’i kundervihemi kësaj perandorie siç po e quani ju, mirëpo, a mund t’i bëjmë ballë një gjëje e cila është e dëmshme për ne, të mos ta pranojmë?

Po përse mos ta pranojmë, lind pyetja? Sepse unë vetë nuk jam nacionalist dhe gjithmonë e kam parë me shumë dyshim nacionalizmin me çka polli në Luftën e Dytë, por edhe së fundi në ish Jugosllavi. Koha provoi që nacionalizmi që pati periudhat e veta të rilindjeve dhe reformave të mëdha kombëtare solli pastaj edhe katastrofa të mëdha. Nuk kemi ardhur kot sot tek ky projekti i Ahtisaarit. Ai është një projekt antinacionalist në thelbin e vet. Sepse luftat nacionaliste bënë atë që bënë në Ballkan. Shqipëria e madhe, Serbia e madhe, Kroacia e madhe të gjitha këto krijuan në fakt plagë dhe probleme të mëdha. Tani këtu pyetja është, pse shqipëtarët e kanë kaq vështirë të pranojnë një projekt mbinacional? Dhe, a është pozitiv apo është negativ ky? Pse qenka më mirë që unë të jetoj vetëm në një shtet të vogël shqiptar dhe vetëm me shqiptarë dhe mos të ndjehem mirë kur ka edhe popuj të tjerë që jetojnë në shtetin tim, që më pasurojnë kulturalisht, siç është ideja e një Europe të së nesërmes, ku të lëviz pa kufi, sigurisht duke ruajtur edhe kultivuar kulturën time kombëtare. Kjo është një çeshtje që mbetet e hapur. Sepse, po të vësh re, nacionalizmi si ideologji dhe instrument politik, vërtet ka sjellë në shumë vende një çlirim kombëtar, ndaj një kolonizatori, por nuk mjafton vetëm kaq për të qenë i lirë nëse brenda vendit tënd nuk je i lirë. Ne ishim të pavarur në kohën e Enver Hoxhës. Ai na fliste për pavarësi gjithë kohën: nga Perendimi, Lindja, nga fetë nga të gjithë, por kishim diktaturën më të egër, jetonim në një zgjedhë që asnjë i huaj nuk e na e kishte sjellë më parë. Ka shumë raste kur vende të ndryshme janë çliruar nga kolonializmi, po përmend Algjerinë, që u çlirua nga Franca, e që kanë rënë në një diktaturë të egër. Pra ka shumë element që e krijojnë atë që mund të quhet liria e njeriut dhe sistemi i vlerave të demokracisë. Çeshtja është nëse e pranojmë apo s'e pranojmë këtë sistem vlerash që ka Europa sot. Cili është ky sistem vlerash? Çka don të imponojë ai? Nëqoftë se është një sistem vlerash antinacionalist në kuptimin e nacionalizmit si urrejtje ndaj tjetrit, si mospranim i tjetrit, si përjashtim i tjetrit, si luftë me tjetrin, atëherë ky është një sistem vlerash për t’u përvehtësuar. Mirëpo ti mund të thuash që unë nuk jam i sigurtë akoma se a jam çliruar dot nga Serbia me këtë proces, sepse mund të mbetem në Serbi. Kjo pastaj e komplikon situatën, por shumëçka do të varët nga shqipëtarët sesa dinë ta menaxhojnë këtë kontradiktë.

Problemi i Kosovës është se shqiptarët e Kosovës janë në një proces të humbjes së identitetit, kurse në anën tjetër e ka një armik të përbetuar siç është Serbia e cila e kontrollon një pjesë të territorit të Kosovës, i ka enklavat githandej nëpër Kosovë, të cilat i kontrollon nëpërmjet strukturave paralele dhe si rrjedhim ne në vend se të merremi me këtë rrezik që po na kanoset, ne merremi me këto që na i servon Europa siç është identiteti, që për disa është ‘vlera’, kurse për shqiptarët problem…

Në fakt procesi vjen nga Rambujeja

Po, po… ky proces ka një koherencë…

Procesi ka këtë koherencë, që vjen nga fakti se ne nuk fitojmë dot gjë pa mbështetjen e Perendimit. Dhe Perendimi, siç thashë, ka pasur interesat e veta. Unë dyshoj se po të kishte ndodhur pas 11 shtatorit ajo që ndodhi më 1999 do të bëhej dot ndërhyrja e NATO-s. Pse? Sepse do të prisheshin ekuilibrat me Rusinë, do të ishte një situatë tjetër do të ishte më e koklavitur puna. Prandaj them që ai që po e quajmë në këtë bisedë "identitet" edhe negociohet. Pra unë bëj negociata vendos kushtet e mia. Unë të pranoj ty me këtë flamur, s’do këtë flamur atëherë unë s’të pranoj fare. Në këtë negocim për mua është e rëndësishme që shqipëtarët të ndërtojnë shtetin në kuptimin e shtetit ligjor, administratës efiçente dhe të pakorruptuar se tek e fundit, siç thotë edhe Gëte-ja kombi është fjalë boshe përpara asaj që jeton përditë në kuptimin e mirëqenies ekonomike, kopshtit që ke, pranë shtëpisë, sa i mirëorganizuar je, çfarë cilësie të jetës ke. Në këtë kuptim përshtypja ime është që shqiptarët flasin kaq shumë për kombin, flet Xhaferi …OK, por nuk bëjnë dot një palë zgjedhje atje në Maqedoni, bëjnë banditizma atje. Atëherë, bëj më mirë punën e kulturimit, e shkollimit, e organizimit, e administrimit lokal e respeiktit të ligjit e të tjetrit dhe atëherë vjen vetë shumëçka.

Frojdi thotë që -qytetërimi është ndrydhje- në kuptimin që shoqëria i ka disa dogma ku edhe identiteti kombëtar është ndërtuar mbi këto dogma, mbi këto tema tabu.

Tabu nuk janë…

Madje edhe ju në një shkrim tuajin keni shpjeguar se përse na duhet Skenderbeu si hero kombëtar ndonëse në kohën kur ka luftuar Skenberbeu nuk ka pasur kombe. Dmth na duhet ky kohezioni historik që nëpërmes kësaj lidhje historike kemi krijuar edhe këtë identitet që kemi sot…

Skenderbeu është mit i nacionalizmit shqipëtar. Por po të shikosh, për mite kemi gjithmonë nevojë sepse miti, siç thuhet, është "fillesë organizuese", organizon, bashkon. Miti ka shumë rëndësi në krijimin e komunitetit, në identifikimin e një komuniteti. Por mitet ndryshojnë.

Në ç’kuptim ndryshojnë mitet?

Po të shohësh gjen shumë sot ne Europë kalorës si Skenderbeu që kanë bërë luftërat të ndryshme, që rrinë nëpër sheshe që mbajnë emrat e tyre. Po të pyesësh se kur janë ngritur ato monumente do të zbulosh se shumica janë ngritur në shekullin XIX, XX, e kjo është periudha e nacionalizmave. Po të shohësh sot nuk ka më thuajse fare monumente për luftëra e luftëtarë sepse, mbas Luftës së Dytë Botërore, bëhen monumente për viktima, jo për ata që kanë bërë luftëra. Jemi në kohën e konstruktimit të miteve që frymëzojnë paqen e bashkëjetesën. Çdo kohë ka mitet e veta.

Do të thotë që ka përfunduar ky procesi i krijimit të kombeve?

Në Evropë ka përfunduar ndonëse, siç thashë më parë, jo pa rrezik, rikthimi të nacionalizmave. Por fryma dominuese është bashkimi i vlerave dhe jo ndarja e urrejtjet nacionaliste. Shqipëtarët dhe Ballkani në tërësi jetojnë anakronizmin e fenomenit. Ti nuk ke mbaruar procesin e krijimit të shtetit-komb në një kohë kur bota, tek cila ti kërkon të futesh e të bësh pjesë, ajo perendimore, e ka tejkaluar, ka tjetër "frymë kohe". Kjo them se është gjithë kontradita e asaj që ndodh në Ballkan dhe në Kosovë, ky anakronizëm kjo mospërputhje e dy frymërave të kohës. Tani e gjithë zgjuarësia është se si ta kapërcesh këtë anakronizëm.

Çka mendoni Ju, si të kapërcehet?

Mendimi im është çka thashë më parë: duhet marrë më e mira e asaj që mund të jetë pjesë e ideologjisë nacionaliste, që të frymëzon ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës kombëtare, dashurinë për njëri tjetrin, sakrifikimin në emër të së mirës së bashkëkombësve dhe të ardhmes së tyre e të fëmijëve, por duke e hibridizuar me frymën e kohës europiane dhe vlerat themelore që ndërtojnë këtë frymë që janë ato të lirisë, demokracisë e respektit për tjetrin e ndryshëm, që e bëjnë njeriun një qënie që ka personalitetin dhe integritetin e vet individual, që nuk e plotëson boshllëkun e vet shpirtoror me një identitet të vetëm kolektiv dhe as me urrejtjen ndaj tjetrit, siç ka ndodhur me nacionalizmat, por që zhvillon personalitetin e vet shumëidentitar duke zhvilluar potencialitetet e veta e duke u pasuruar nga kontakti me të tjerët. Për këtë duhet patur parasysh gjithashtu se edhe në Evropë ka pluralizëm, ka të majta e të djathta pikërisht se disa janë më nacionalistë, e konservatorë e të tjerë më internacionalistë, kozmopolite e progresistë dhe kjo krijon dinamikën dhe ekuilibrin duke bërë të përfaqësohen të gjithë më mirë. Me fjalë të tjera mendimi im është që në qoftë se shqiptarët do të përqëndrojnë më shumë vëmendjen në kulturimin e tyre, nëse do të ndërtojnë një vend ku shkollat do t’i kenë të mira, ku të mësohet mirë shqipja, por edhe gjuhë të huaja, ku aritmetikën e shkencat e profesionet fëmijët t'i mësojnë mirë, ku administrimi lokal, punësimi, respekti për ligjin të funksionojnë, ku tek e fundit të rriten njerëz që kanë dinjiteet e personalitet individual, atëherë them se kjo do të ishte një rrugë që do ta lehtësonte shumë kapërcimin e kësaj kontradikte që po jetojnë midis aspiratës për pavarësi e sovranitetit nga njera anë dhe interdipendencës nga ana tjetër.

Intervistoi Dritan Dragusha

Thursday, August 21, 2008

Mbi krizën gjeorgjiane dhe rastin Kosovë

Ngjarjet në Gjeorgji na përkasin më afër nga sa e si i kemi trajtuar në mediat shqiptare. Kjo sepse ndërsa thuajse të gjithë analistët e huaj që janë marrë me krizën e fundit në Kaukaz i janë referuar edhe rastit Kosovë tek ne shumë pak është marrë në analizë seriozisht ky paralelizëm dhe pasojat që mund të ketë. Jemi mjaftuar me një mbajtje ane duke dënuar agresionin rus, pa u thelluar në argumentet komplekse e kontradiktore që paraqet kjo krizë.
Që të rrimë shtrembër dhe të flasin drejt Osetia e Jugut e sulmi Gjeorgjian ndaj saj ka më shumë sesa një arësye të trajtohen si të ngjashme me Kosovën dhe agresionin serb ndaj saj në vitin 1999. Në të dy rastet, si në atë të Millosheviçit më 1999 ashtu dhe në atë të Shakasvilit kemi të bëjmë me ndërhyrjen ushtarake të një shteti në një krahinë separatiste në emër të mbrojtjes së sovranitetit territorial apo principit të monsdryshimit të kufijve të tij. Në të dy rastet kemi ndërhyrje të njëanëshme, dmth. pa miratimin e Këshillit të Sigurimit, të fuqive ndërkombëtare për të mbrojtur të sulmuarit separatistë. Ndryshimi është se nëse për kosovarët ndërhyri Nato me në krye amerikanët - për hir të së vërtetës pas një aksioni më të gjatë diplomatik e mediatik - për osetët ndërhynë Rusët të cilët kanë qenë atje me një numër ushtarësh që garantonin paqen me mandatin e OKB. Një ndryshim i rëndësishëm sipas meje është ai se Serbia kishte prapa shpine, kur ndërhyri në Kosovë, krimet e Bosnjes, kurse Gjeorgjia nuk ka mbi shpinë luftra të mëparëshme. E po ashtu janë të ndryshëm faktet se për Kosovën ndërhyri një koalicion shtetesh demokratike që s'kishin interesa aneksimi kurse në Gjeorgji ndërhyri vetëm Rusia që jo vetëm nuk e ka reputacionin e një vendi demokratik, por ka edhe interesa të prëfshirjes në territorin e saj të Osetisë së Jugut. Megjithatë këto diferenca nuk e ndryshojnë rastin në raport me respektimin e principit të sovranitetit dhe pandryshueshmërisë së kufijve i cili del se është trajtuar nga Prëndimi ndryshe në rastin kosovar dhe ndryshe në atë gjeorgjian. Pra megjithëse rasti kosovar është përpjekur të trajtohet si i një lloji të veçantë ("sui generis") kur u bë ndërhyrja dhe më pas kur iu njoh pavarësia "lloji i veçnatë" (edhe nëse ka qenë i tillë) ka krijuar "llojin e vet" më vete: ja ku dalin dy raste të ngjashme në Gjeorgji Abkazia dhe Osetia e Jugut. Edhe një numër osetësh të intervistuar nga mediat perëndimore i dëgjon t'i mbështesin pretendimet e tyre për pavarësi duke sjellë shembullin e Kosovës. Në fakt kur u njoh pavarësia e Kosovës nga shtetet kryesore perëndimore Rusia kishte paralajmëruar në mënyrë kërcënuese se do të njihte kërkesat e tyre për pavarësi dhe duket sheshit se ndërhyrja në Oseti është bërë me skenar shumë të ngjashëm me atë të NATOs në Kosovë. Edhe osetët kanë vetëdeklaruar me kohë pavarësinë. Po ashtu 90% e popullsisë ka pasaportë ruse. Edhe ata me lëvizjen e tyre separatiste i kanë detyruar gjeorgjianët të ndërmarrin sulmin e ditëve të fundit ndaj të cilit u gjend gati menjëherë Rusia që ndërhyri në mbrojtje të tyre. Nuk do shumë mend që tani do të ngulmojnë në njohjen e pavarësisë si Kosova.
Ajo që ra në sy në zhvillimet e shpejta të kësaj krize në ditët e para ishte se ajo u konsiderua si një fitore jo vetëm ushtarake, por edhe politike e Putinit. Presidenti gjeorgjia Shakasvili thuhet se ra në një grackë me agresioni që kreu. Ndërhyrja e rusëve ishte e menjëherëshme; reagimi amerikan i dobët e zhgënjyes për gjeorgjianët kurse ajo që e bëri edhe më interesant e më të komplikuar skenarin ishte reagimi evropian.
Edhe një herë ra në sy përçarja midis asaj që u quajt nga Rumesfield në kohën e agresionit në Irak "Evropa e vjetër", ku do të përmendnim shtete si Gjermania, Franca, Italia dhe ajo që ai e quajti "Evropa e re" ajo e vendeve të ish bllokut sovjetik si Polonia, Çekia vendet balltike apo Ukraina. Të parët patën një reagim mjaft të matur ndaj Rusisë. Në fakt Sarkozi, i dërguari i Bashkimit Evropian, me planin e tij gjashtë pikësh thuhet se më shumë shkoi të legjitimojë ndërhyrjen ruse sesa ta kundërshtojë atë. Ne kami interesa të rëndësishme në Rusi; ajo nuk mund të izolohet e të rrethohet nga një luftë e re e ftohtë. - duket se ishte qëndrimi i Evropës së vjetër. Kurse qëndrimi i Evropës së re tregoi qartë se ata nuk e shohin Rusinë e Putinit aq ndryshe nga ish Bashkimi Sovjetik që i mbajti nën sundim, prandaj janë për vazhdimin e një lufte të ftohtë ndaj saj.
Ndërkaq, në ditët në vazhdim, moslargimi i premtuar i trupave ruse në Gjerogji, megjithë firmosjen e planit Sarkozi, bëri që edhe Evropa e Vjetër të ashpërsojë qëndrimin ndaj rusëve. Megjithatë në Bruksel, në mbledhjen e Natos të thirrur nga amerikanët dokumenti që doli u konsiderua "i ekuilibruar", jo ashtu siç do të donin SHBA dhe vendet e Evropës së re, pasi portat e Këshillit të bashkëpunimit NATO - Rusi mbetën te hapura.
Disa gjëra të rëndësishme po ve në dukje kjo krizë ende e pambyllur:
Së pari se ajo është një provë force midis SHBA dhe Rusisë në lojën/luftën për përcaktimin e kufijve të zonave të tyre të influencës dhe se shpesh pavaarësitë apo mohimet e tyre nuk i vendosin normat ndërkombëtare, por kjo lojë force. E në këtë provë force raporti që nga rënia e komunizmit e këtej duket se ka ndryshuar. Rusia e Putinit nuk është më ajo e dobëta e Jelcinit, por ka filluar të nxjerrë dhëmbët.
Së dyti, ajo është edhe një provë force midis SHBA dhe Rusisë për të përcaktuar politikat e "Evropës së vjetër" e cila e ndodhur në këtë darë, po provon edhe një herë dobësinë e saj, por edhe kërkon të ndërtojë pavarësinë e saj dhe rolin e saj. Në një rast si ai i Gjeorgjisë psh., sikur kjo të ishte në Nato, evropianët do të ishin të detyruar të hynin në luftë me Rusinë. Sigurisht nga ana tjetër Rusia do të mendonte dy herë sikur Gjeorgjia të ishte anëtare e NATOS, por a ia vlen që Evropa të vere veten në rrezik kur nuk rrezikohet nga rusët? Nato në fakt është krijuar më 1947 për të mbrojtur vendet perëndimore nga ekspansioni komunist sovjetik. Mbetja apo jo e NATOs pas rënies së komunizmit është një gjë e diskutuar. Le të kujtojmë se edhe ndërhyrja në Kosovë më 1999 është konsideruar si një rast për të konfirmuar dobinë e saj. Por tani një pjesë e evropianve thonë: mos Nato na hap më shumë telashe sesa na zgjidh? Mos duhet ta organizojmë ndryshe vetëmbrojtjen tonë? Për më tepër gjuha e luftës së re të ftohtë duhet të pësojë modifikime të rëndësishme nëse do të përdoret ndaj Rusisë pasi, nëse dje ajo akuzohej për ndryshimin e sistemit në tërë Evropën, madje botën, sot pretendon se ka një sistem demokratik e të ekonomnisë së tregut, si të gjitha vendet perëndimore. Mbetet rreziku i nacionalizmit rus, por nga ana tjetër, me globalizimin e ekonomisë edhe ky ka pësuar modifikimet e veta. Rusia sot e mbështet fuqizmin e saj ekonomik tek burimet energjitike, por sikur të mos kishte blerës në vendet evropiane si do t'ia bënte? Nga ana tjetër kush nuk i mbron interesat e veta? Ç'duan amerikanët në Gjeorgji përveçse kurimit të interesave të tyre që lidhen me rrugët energjitike?
Së treti, kjo krizë tregoi se politikat agresive dhe unilateraliste të Bushit nuk kanë sjellë frytet e pritura prej neokonservatorëve amerikanë, përkundrazi e kanë dobësuar ndjeshëm supremacinë dhe ligjimitetin që gëzonte SHBA në botë në kohën e Klintonit. Premtimet e tij për futjen e Ukrainës apo edhe Gjeorgjsë në Nato, që janë parë me skepticizëm nga "Evropa e vjetër", kanë nxitur edhe më nacionalizmin rus. Por edhe tensionet në botë po të kemi parasysh konfliktet në botën arabe apo edhe zhvillimet e fundit në Pakistan. Në këtë kontekst parashikimi i Fukajamës se shekulli XXI do të ishte shekulli i dominimit të patrazuar të një superfuqie të vetme botërore SHBA nuk është vërtetuar. Bota duke patur parasysh Rusinë, por edhe Kinën edhe çka po ndodh në botën arabe po bëhet gjithnjë e më multilaterale, po shkon drejt kompeticionit midis disa fuqive dhe kjo ka krijuar një kaos që pret vendosjen e një rendi të ri që duket se nuk mund të realizohet me politikat unilateraliste të Bushit. Ja pse pritet veçanërisht në Evropën e vjetër ardhja e Obamës si një president i interesuar të ketë në Evropë një aleat të fortë për të bërë politika multilaterale çtensionimi dhe jo një vasal të përçarë dhe të pafuqishme ndaj përshkallëzimit të një lufte të re të ftohtë.

Po si do të mund ta vendosnim pozicionin tonë duke patur parasysh analizën e bërë më sipër dhe rastin që na prek më nga afër atë të Kosovë?
Ajo që shohim të ndodhë është se kontradikta midis principit të sovraniteti dhe paprekshmërisë territoriale të shteveve, që e vuri në dukje edhe dokumenti i fundit i Brukselit lidhur me Gjerogjinë, dhe vetvendosjes së popujve rrallë mund të aplikohet në favor të këtij të dytit për shkak të pasojave zinxhir që mund të sjellë. Të rrimë edhe një herë shtrembër dhe të flasim drejt: rasti "sui generis" i Kosovës është një rast vërtet i veçantë. Janë mbledhur një numër faktorësh që zor se do të mbledheshin në të njëjtën kohë dhe vend për t'u mundësuar kosovarëve atë që, megjithë luftrat apo mbështetjet e ndryshme ndërkombëtare, nuk po e arrijnë dot as kurdët as çeçenët as tibetianët as palestinezët e që, pas shumë gjasash, vështirë se do ta arrijnë edhe osetët dhe abkazët, por që edhe kosovarët e kanë arritur përgjysëm. Sot mund të mendohet se zona jonë i përket përfundimisht zonës perëndimore ku rusët nuk mund t'i fusin duart. Do të ishte krejtësisht kështu sikur të mos ishte në mes Serbia e cila është në një udhëkryq kontradiktor. Nëse Kosova e ka të përcaktuar qartë pozicionin e vet Serbia më një anë synon të bëhet pjesë e Evropës më anë tjetër nuk pranon të lëshojë Kosovën dhe për këtë prej kohësh ka mbështetjen e Rusisë. Nuk është pa gjasë që kjo që ndodhi në Kaukaz të shtyjë njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtete që nuk e kanë njohur deri tani. Mund të ngrihet edhe hipoteza se mund ta shpejtojë nëse Osetisë dhe Abkazisë do t'u njihet pavarësia në shkëmbim të kësaj. Mirëpo një lëshim tjetër ndaj parimit të sovranitetit të shteteve dhe mosndryshimtt të territorit mund të kthehet shumë shpejt kundër vetë Rusisë duke patur parasysh Çeçeninë, por edhe shumë raste të tjera që janë në botë, madje, edhe në Evropë. Më shumë gjasa ka që situata e krijuar ta vonojë edhe më njohjen e Kosovës nga disa shtete.
Politikanët shqiptarë nuk është se mund të bëjnë shumë për ndryshimin e fateve të kësaj loje të fortësh. Ajo që mund tu kërkohet është të bëjnë sa më shumë për të ndërtuar një shtet serioz e kredibël atje ku qeverisin. Por edhe të mos bëjnë ndonjë budallallëk me vasalitetin e tyre të tepruar. Dhe rreziku i budallallëkut shtohet kur vasalitetit të tepruar i shtohet edhe injorimi i kompleksitetit të situatës së re të krijuar. (Korrieri, 21 Gusht 2008)

Thursday, August 14, 2008

Doktori, piktori dhe e keqja më e madhe

Një nga çështjet e ndezura të politikës sot janë akuzat që i bëhen Ramës dhe Berishës nga LSI e jo vetëm për bashkëpunim me njëri tjetrin e që kanë ngjitur jo pak në opinionin publik mu pse shenjat e këtij bashkëpunimi janë të dukshme. Megjithatë nuk mungon të ngrihet edhe pyetja: a ka apo nuk ka vërtet bashkëpunim midis tyre? Duket se edhe analistët janë të ndarë në këtë çështje duke iu përgjigjur në mënyrë pozitive apo negative kësaj pyetjeje. Në një shkrim të ditëve të fundit në "Tema" Mero Baze e quante "sempliste" opozitën e LSI të mbështetur mbi akuzën e bashkëpunimit Rama - Berisha duke bërë parashikimin se, kur të vijë koha e fushatës elektorale, ata do të fillojnë të konfliktojnë, siç kanë konflituar deri më sot para fushatave elektorale, pasi në fakt ata nuk se bashkëpunojnë, dhe kjo do ta lerë LSI duarbosh.
Edhe unë mendoj se është sempliste të reduktohet bërja opozitë në akuzat e bashkëpunimit midis Berishës e Ramës. Aq më tepër duke patur parasysh se, në aspektin e tipareve karakteriale, ëndrra finale paranojake e dy personave në fjalë është jo bashkëpunimi, por eliminimi i njëri tjetrit, madje, mundësisht, asgjësimi edhe i çdo konkurenti tjetër në Ballkan e më gjerë. Por, kur them se është sempliste të reduktohet opozicioni vetëm tek akuza për bashkëpunim midis tyre, kam parasysh të tjera arësye nga ato që shtjellon Baze në shkrimin e tij. Pra, jo pse mendoj se ata sot nuk po bashkëpunojnë, as se nesër Berisha dhe Rama do të fillojnë të shahen përsëri me familje, siç kanë bërë edhe më parë, por sepse, nëse duhet të bëjmë opozitë të vërtetë, çështjen nuk duhet kurrsesi ta reduktojmë tek lufta midis këtyre dy personave. LSI e kushdoqoftë do të mbetet vërtet duarbosh po u mor thjesht e vetëm me emra të përveçëm qoftë kur ata grinden, qoftë kur pajtohen.
Në një debat televiziv para zgjedhjeve lokale në emisionin "Opinion", ku kam marrë pjesë sëbashku me disa kolegë gazetarë përballë kryeministrit Berisha, kujtoj se erdhi një moment ku ai filloi të sulmojë Edi Ramën, që ishte kandidati rival i PD për Bashkinë e Tiranës. Nuk la gjë pa thënë, por ajo që më bëri përshtypje në sulmet e tij qe fakti se ai e përqendronte tërë patosin opozitar kundër personit në fjalë, por pa thënë asgjë për sistemin e korrupsionit rreth tij, për kryetarët e vërtetë të Bashkisë së Tiranës, oligarkët që qëndrojnë prapa Edi Ramës, një pjesë e të cilëve më rezultonin edhe sponsorë të fushatës së PD dhe aq më pak për "modelin Rama" të kopjuar keqas në qeverisjet lokale të PD-së. Duke i bërë koment kësaj heshtjeje paraelektorale ndaj tyre mbaj mend se i thashë kryeministrit, duke perifrazuar Ten Hsiao Pinin, se për këta (oligarkët e sistemit) nuk ka rëndësi se çfarë ngjyre ka macja, blu apo të kuqe, rëndësi ka që ajo të kapë minj. Prisja që kryeministri të thellohej tek kritika e sistemit, por ai nuk e bëri një gjë të tillë.
Besoj se është e tepërt të sjell sot shembuj që provojnë se, edhe me ardhjen e maceve blu në pushtet, si Rama në Bashki edhe Berisha në Kryeministri, kanë vazhduar t'u shërbejnë oligarkëve të sistemit në mënyrë të zellëshme në "kapjen e minjve". Përjashto ndonjë aksident natyror, si ai që i ndodhi Delijorgjit në Gërdec, ata kanë vazhduar të patrazuar bashkëpunimin me pushtetet lokale e qendrore që ka rezultuar frytdhënës edhe për Ramën e Berishën. Prova e fundit është edhe projekti për kapjen e fushave sportive të kryeqytetit ku na del se një nga protagonistët kryesorë të planit të grabitjes së pronës sonë publike në Dinamo është bash oligarku që, në bashkëpunim me Nanon, ndërtoi Kazinon në qendër të Tiranës, në bashkëpunim me Ramën privatizoi për pesë lekë edhe një pjesë të truallit tonë publik tek Parku Rinia ku ndodhet Kazinoja dhe, në bashkëpunim me Berishën, siguroi pandëshkueshmërinë dhe vazhdimësinë e bizneseve të tij të suksesëshme, megjithë premtimet e bujshme të këtij të fundit se një nga gjërat e para që do të bënte ishte heqja e Kazinos nga qendra e Tiranës. Tani me bekimin e Berishës dhe projektet e Ramës ai do të na privatizojë edhe pishinat e tërë kompleksin Dinamo.
Dikur, shumë shumë kohë më parë, kur PD-ja pillte vetëm trima dhe luanë dhe Baze besonte, siç besonin shumë, se Berisha ishte burrë i pakorruptueshëm, Drejtori i "Temës" tregonte një histori me këtë besnesmen që ngjante si anekdodë kuptimplotë. Meqënëse i bleu Bazes gazetën "Tema" duke e nxjerrë nga vështirësitë financiare që kishte akumuluar në kohën e socialistëve, ai i kërkoi këtij të fundit t'i bënte një nder, si mik e mbështetës i Berishës që ishte: t'i hiqte qafe disa taksidarë që po i trokisnin në derë. "E pamundur!" i tha Baze. "Nuk ka burrë të mund t'i flasë doktorit për këtë punë." Pas ca kohësh i kërkoi një tjetër favor që lidhej me fatura të kripura energjie elektrike të papaguara. "Largqoftë" i tha përsëri Baze "dashke që Saliu të na e mbyllë derën përgjithmonë." Më në fund një ditë miku i tha Bazes: "Mero, mirë që nuk më bëre ndonjë nder, po si gazetar a mund të më thuash një gjë të paktën?" "Fol" - i tha Baze. "Ore, më thuaj, kur do të fillojë të marrë lekë ky, se atëhere i zgjidh vetë punët, s'kam nevojë për ty."
Nuk e di a është e vërtetë, por siç thonë italianët: "Se non e vero e ben trovato". Ky është problemi. Se në krijimin e sistemit kanë kontribuar sa politikanët edhe oligarkët. Ndërkaq koha ka provuar që, nëse për politikanët është folur aq shumë duke i denoncuar e stërdenoncuar, për oligarkët e sistemit është folur shumë pak dhe, sipas meje, jo pse nuk kanë përgjegjësi, - edhe ligjore - por sepse ata janë pushteti i vërtetë, kryeministrat e vërtetë dhe kryetarët e vërtetë të bashkive. Sot, nëse flitet për një bashkëpunim Rama - Berisha flitet jo pse këta kanë bërë ndonjë krushqi familjare, por pse kanë bërë krushqi lekësh kryeministrat e tyre hije dhe kryetarët e bashkisë hije. Thënë më konkretisht disa nga oligarkët kryesorë të vendit, që kanë në dorë fijet e financimeve apo edhe interesat private të liderve në fjalë, janë marrë vesh të ndajnë një copë nga të fundit të tortës së mbetur të Tiranës. Çështja shtrohet: në këtë sistem që punon kësisoj, a ka kuptim të bësh opozitë duke u marrë vetëm me doktorin dhe piktorin. Baze shtron pyetjen: po sikur nesër Rama dhe Berisha të fillojnë luftë çfarë do t'i mbetet LSI për të bërë opozitë? Por çështja mund të ngrihet edhe ndryshe: po sikur të ndodhë që Berisha dhe Rama të ikin fare, mbi se do të bëhet opozita? A do të ndryshojë ndonjë gjë në Shqipëri nga ikja e tyre? Unë ngulmoj se sikur të ikë Berisha nga pushteti asgjë nuk do të ndryshojë në Shqipëri ashtu sikurse edhe sikur të ikë Rama nga Bashkia, pasi ata nuk janë veçse njëra anë e medaljes e cila shpejt do të rihidhet në treg me një fytyrë tjetër politikani. Do të vazhdojmë të kemi korrupsion, do të vashdojmë të kemi moskontroll të territorit, trafiqe droge e prostitucioni, leje ndërtimi pa kurrfarë plani, zhvatje të pronës publike, vila private politikanësh ngjit e ngjit me vila bodyguardësh apo oligarkësh në truaj të bregdetit të destinuara për zhvillim turizmi e me rradhë e me rradhë. Duhet pranuar se grindjet e tyre kanë nxjerrë në pah disa të vërteta të sistemit dhe se bashkëpunimi, nga ana tjetër, i ka pakësuar hapësirat e informimit e të kontestimit. Duhet pranuar gjithashtu se ky bashkëpunim i fundit ua ka mbyllur edhe më shumë gojën përsa i përket sistemit që kanë ngritur të dy palët. (A e keni vënë re se asnjëri prej të dyve nuk e përmend një herë Delijorgjin psh.?) Po a mjafton denoncimi i emrave të tyre të prëveçëm nga LSI për t'u quajtur opozitë e vërtetë dhe e besueshme? Jo. Mjafton që Berisha e Rama të fillojnë të shahen dhe akuzojnë njëri tjetrin përsëri dhe, vërtet, një opozitë e tillë do të humbiste kuptimin. Dhe, a do të fillojnë të konfliktojnë përsëri? Pa dyshim: sapo të mbarojnë këto xhambazllëqet e fundit. A do të pajtohen përsëri: pa dyshim sapo të fillojë t'i marrë uria për para përsëri oligarkët e tyre që, pas çdo xhambazllëku të përbashkët, i kanë gjithnjë e më në dorë. Por ndërkaq sistemi do të mbetet po ai.
Je pse ngulmoj edhe një herë, siç kam ngulmuar prej kohësh, se një opozitë apo kritikë që përqendrohet tek goditja mbi personat politikanë qoftë edhe mbi oligarkë të përveçëm - le të kujtojmë goditjet e fundit të "Temës" mbi çiftin Mediu - Delijorgji - por duke mos prekur mekanizmat e kudondodhur që kanë ndërtuar lidhjen midis tyre, jo vetëm nuk mund të jetë kredibël, por shpesh i shërben vazhdimësisë së sistemit. Mjaft të kesh parasysh mekanizmin e financimit të partive që vazhdon të mbetet i patrazuar në paligjshmërinë dhe jotransparencën e tij, paçka se kandidatët për deputetë e kryetarë bashkie ndryshojnë vazhdimisht. Pas përvojës zhgënjyese që kemi me tërë klasën politike sot mund të thuhet, pa ngurrim, se një opozitë sot nuk është e besueshme kur e redukton opozicionin e saj në emrat e përveçëm Berisha, Rama, Meta, Nano a ku di unë. Po ashtu sot është e vështirë të ndërtohet një opozitë e besueshme mbi opcionet e mbështetjes së njërit lider apo njërës parti kundër tjetrës. Madje edhe opcioni i mbështetjes së të keqes më të vogël kundër të keqes më të madhe ka rezultuar zhgënjyes sepse, e ardhur në pushtet, e keqja më e vogël është bërë shumë shpejt e keqja më e madhe. Kjo pikërisht sepse, në fakt, e keqja më e madhe nuk janë emrat e përveçëm, por sistemi. Të thuash "armiku ynë i përbashkët Sali Berisha", apo "miku ynë Ilir Meta", apo "tradhëtari Edi Rama" sot nuk ke thënë asgjë. Aq më pak kur ke parasysh se këtë nuk e thonë emra të rinj, por të njëjtët protagonistë për njëri tjetrin. Një opozitë serioze dhe e besueshme sot duhet të bëjë shumë më tepër se kaq. Nëse do të rendisja shpejt e shpejt disa kërkesa kryesore për një opozitë të besueshme do të thoja se kjo do të duhej të ishte një opozitë që: së pari, ka kuptuar natyrën e sistemit kriminal që është ngritur, së dyti, që krahas denoncimit të emrave të përveçëm del me denoncime të sistemit; së treti që duke mos qenë e korruptuar inkurajon pavarësinë e vërtetë të Gjyqsorit dhe të Prokurorisë dhe jo përdorimin e tyre në emër forcimit të sistemit të pandëshkueshmërisë; së katërti që ndërton një program të qartë dhe koherent për ndryshimin e sistemit me studime serioze dhe konkrete se çfarë duhet bërë në mjekësi, në arsim, në administratë, polici, gjyqsor, kontrollin e territorit, ruajtjen e ambjentit etj. që ato të kthehen në shërbime e të mira vërtet publike, e jo mjet pasurimi privatësh; së pesti që paraqet projekte të besueshme për ndryshimin e sistemit të financimit jotransparent e të paligjshëm të partive, së gjashti që ka një projekt për reformimin e mediave që synon shndrrimin e tyre vërtet në pushtet të katërt.
Dikush do të thotë se kjo është të kërkosh të zbresë nga qielli një opozitë tjetër pasi në terren ekzistojnë vetëm këta që kemi. Por edhe "këta që kemi" edhe ata që besojnë në korigjimin gradual të këtyre që kemi është e rëndësishme ta dinë atë që s'kanë. Të paktën ta dinë se nuk mund të na mashtrojnë më me emra të përveçëm prapa të cilëve fshihet një sistem krimesh të përgjithëshme. (Korrieri 13 Gusht 2008)

Cilësia e jetës dhe Tirana

Ata që e kanë jetuar Tiranën e para viteve të tranzicionit e kujtojnë fare mirë se në fëmijërinë e rininë e tyre kanë luajtur futboll apo basketboll në shumë fusha sporti të kryeqytetit. Ato njiheshin nga të gjithë sepse atje bashkoheshin skuadra lagjesh e rrugicash me tifozë lagjesh e rrugicash për të ngjizur një nga kënaqësitë e pakta të pandotura nga ideologjia që jepte jeta nën diktaturë. Ato qenë një nga vendet më të shëndetshme për krijimin e atij indi social pa të cilin individi mbetet një qënie e mangët në aspektin themelor që e bën atë të ndryshëm nga kafshët: sociabiliteti. Ishin vendi ku derdhej shumë energji e pasion rinor, ku ndërtoheshin miqësi e lidhje nga ato që shenjojnë krejt jetën. Me një parakalim të shpejtë nëpër kujtesën time do të sillja para sysh disa prej fushave kryesore ku kam luajtur futboll dhe basketboll: “Fusha e zezë” që ishte midis Pallateve të Oficerave dhe Kinema 17 Nëntorit; fushat pak përtej Maternitetit në fund të Bulevardit që shkurt i thoshim “Materniteti”; “Parku i Xha Tomit” tek rruga e Kavajës; fushat e Pallatit të Pionierëve ku kishte edhe fusha tenisi përveç futbolli dhe basketbollli; oborri i shkollës 10 Korriku; fusha prapa Shtëpisë botuese 8 Nëntori. Po përmend vetëm këto që i kam në kujtesë e që ndodheshin të gjitha brenda zonës së shtëpive ku kam banuar. Të tjerë mund të kenë në kujtesë edhe fusha më të vogla shkollash apo lagjesh. Midis tyre hyjnë edhe ato të Kompleksit Dinamo dhe Partizani për të cilat po flitet kaq shunmë këto ditë për shkak të projekteve të deklaruar nga Bashkia për shndrrimin e tyre në truaj ndërtimi.
Kujtoj se Tirana atëhere ishte një qytet me vetëm rreth 150 mijë banorë.
Nëse do të shtrojmë sot pyetjen: ku janë këto fusha sporti do të gjejmë se pikërisht mbi to sot janë ngritur pallate shumëkatëshe me një dendësi për metër katror që kalon çdo normë e ligj urbanistik të imagjinueshëm. Së fundi në njërën prej këtyre ish fushave, “Parku i Xha Tomit”, ku Kishës Ortodokse po i hyn në gojë një pallat i ri që po ndërtohet, ra një zjarr dhe zjarrfikëset nuk mundën të hyjnë pikërisht sepse aty nuk janë zbatuar as normat më elementare të urbanistikës.
Sot që Tirana po shkon afro 1 milion marrim vesh, pra, se edhe Kompleksi Dinamo edhe ai i Pallatit Partizani do t’i nënshtrohen të njëjtit fat. Do të shndërrohen në pallate shumëkatëshe. Kryetari i Bashkisë Edi Rama na e dha lajmin me të spërderdhurën e tij karakteristike para mikrofonit, që ka ardhur duke u bërë gjithnjë e më e sforcuar nga kontradikta gjithnjë e më në rritje midis asaj që thotë dhe asaj që bën. Ai shqiptonte vetëm fjalën “natyrë”, por duhet të ishe shumë më budalla nga ç’i pandeh njerëzit Edi Rama për mos të kuptuar se ai po kryente një tjetër akt vrastar ndaj qytetit.
Që Tirana është kthyer në “pre qensh”, siç e ka cilësuar Aurel Plasari para disa vitesh, këtë e dimë me kohë. Që Edi Rama ka marrë përsipër të bëjë dhëmbët e parë në këtë shqyerje të Tiranës duke përdorur të gjitha marifetet e mundëshme mashtruese, sa disinformimin e mediave, shumica e pronarëve të të cilave janë direkt të përfshrirë në këto plane, aq edhe me mashtrime me firma arkitektësh të huaj për të cilët, ata që i njohin nga më afër, thonë se i marrin lekët kesh në dorë, këtë e dinë të gjithë. Që Sali Berisha i cili erdhi në pushtet duke premtuar se do të vepronte kundër abuzimeve korruptive të Ramës që e kishin kthyer Tiranën, sipas tij, në vend riciklimi parash të pista, sot po ndan lejet e ndërtimit me Edi Ramën me një paturpësi më të madhe se ky i pari, mu për atë se e ka denoncur bash për këto gjëra, edhe këtë e dinë të gjithë. Por që të arrijnë deri aty sa të planifikojnë t’i vënë kazmën bashkë me dy komplekset sportive të mbetur edhe zonës së fundit të gjelbër të mbetur, Parkut të Liqenit artifical të Tiranës, kjo tregon se janë në një hall të madh.
Unë shpresoj që kjo historia hollandeze e 33 katësheve të jetë thjesht një lojë, një fushatë propagandistike për të thënë se industria e ndërtimit është në lulëzim dhe jo në krizë, siç thuhet poshtë e përpjetë, sepse nuk dua të besoj se papërgjegjshmëria e mirënjohur e këtyre njerëzve tyre ndaj qytetit dhe banorëve të Tiranës e shqiptarëve në përgjithësi mund të arrijë deri në këtë shkallë vetëdemaskimi. Megjithatë, duke menduar pikërisht se ka ardhur kjo krizë e ndërtimit, në vazhdën e shkrimit të botuar para disa javësh me titull “Kriza e një zhvillimi të paqëndrueshëm” (Korrieri, 30 qershor 2008) dhe në dritën e këtyre projekteve të fundit të shkatërrimit të dy komplekseve sportive dhe të zonës së gjelbër të Parkut të Liqenit dua të ngre edhe një herë në këtë shkrim alarmin se investimi i parave të shqiptarëve thuajse tërësisht në industrinë e ndërtimit është një vepër vetëvrasëse që po e paguajmë rëndë dhe rrezikojmë ta paguajmë edhe më rëndë. Këtu nuk dua të ndalem në aspektin e krizës ekonomike që na kanoset për shkak të hipertrofizimi në kurriz të ekonomisë prodhuese të këtij sektori. Kam shkruar disa herë për këtë. Edhe Spartak Ngjela bënte një paralajmërim në gazetën Panorama të djeshme. Këtu dua të theksoj edhe një herë një problem që ka të bëjë me atë që e quajmë cilësi jete e cila përcakton edhe llojin e kërkesë që kemi në ligjin e kërkesë ofertës që përcakton edhe fatin e kësaj industrie. Çfarë tregon shkatërrimi i fushave të sportit njëra pas tjetrës? Çfarë tregon pirshja e parqeve njëri pas tjetrit, e kinemave dhe zëvendësimi i tyre me banesa, vetëm me banesa dhe me kafenera e restorante? Kjo tregon, tek e fundit, një nivel të ulët, tejet të ulët, të asaj që quhet cilësi jete që po u imponohet shqiptarëve sa nga padija aq edhe nga zorri. Pra nuk është çështja vetëm atje se një pjesë njerëzish i kanë kthyer paratë vetëm në aparamente që as nuk haen as nuk prodhojnë e se, pa prodhuar, nuk blihen dot aapartamente të reja. Çështja është se edhe vlera e këtyre aparatmenteve po vjen e ulet për shkak se cilësia e jetës në shtëpinë e madhe po vjen duke u ulur pasi një apartament ka vlerë kur ka një dendësi për metër katror të pranueshme më së pari, kur ai përdoret, më së dyti, kur ka pranë një shkollë, një kopësht, një park, një fushë sporti, një kinema, një teatër, parkime të rehatëshme – pra tërë atë hapësirë publike që përbën shtëpinë tonë të madhe. Nëse të gjitha këto mungojnë atëhere cilësia e jetës përkeqësohet aq herë sa më shumë të mungojnë këto elementë të shtëpisë së madhe. Çështja ngrihet: a nuk e dinë shqiptarët se cilësia e tyre e jetës në shtëpinë e tyre të madhe është përkeqësuar disa herë; a nuk e kuptojnë se nuk është normale që dikush t’u ngrerë një pallat që u merr pemën e fundit që u zinte syri, që s’kanë më se ku të parkojnë, se ajri që thithin nga kjo dendësi e paparë po ua shkurton jetën? Shumica e dinë, por ndjehen të pafuqishëm për ta ndalur këtë masakër. Sot takon panumër njerëz që ankohen se s’kanë ku të çojnë fëmijën e vogël për të shëtitur, që miqtë e Ramës e Berishës u kanë ngritur pallate mu tek ballkoni i tyre, për ndotjen e ajrit, mungesën e parkimeve, për prishjen e lulishteve të mbetura (kujtoj se sipas planve të fundit të Rama - Berisha do të prishet edhe lulishta para PD edhe ajo midis Bankës Kombëtare dhe Muzeut Kombëtar edhe ajo prapa pallatit të Kulturës.)
Duke shëtitur dy miq të huaj nëpër Tiranë mbeta i habitur edhe vetë me atë se sa pak gjëra mund t’u tregoja atyre nga ajo që ata donin të shihnin nga Tirana historike. Hyra në një lagje midis rrugës së Barrikadave dhe rrugës Siri Kodra, ku kisha idenë se ishin ruajtur disa pjesë të Tiranës së vjetër, e që, për ironi, është zona ku ka shtëpinë e vjetër edhe Presidenti Topi. Por aty pashë se muajt e fundit në mënyrën më kaotike të mundëshme ishin shembur shtëpitë e vjetra e po ngriheshin cip mbi cip, mbi rrugica njëkalimëshe, pallate shumëkatëshe. E vetmja gjë impresionuse dhe interesante për miqt e mij rezultoi ky “zhvillim” i paparë në egërsinë dhe kaosin e tij. Kur shihnin ndonjë shtëpi të vjetër që u pëlqente ngrinin pyetjen: “po a nuk ka këtu intelektualë që t’i blejnë dhe të kërkojnë të jetojnë në këto shtëpi.?” Edhe ky shkatërrim i historisë dhe kujtesës së Tiranës sigurisht flet për cilësinë e jetës së prishur që ul edhe më vlerën e baneasve të reja duke ulur kërkesën.
Ngulmoj se megjithë injorancën e një pjese të madhe që, sigurisht, e ul ndjeshmërinë prapseprap tiranasit janë të vetëdijshëm për atë se çfarë po ndodh. Paradoskalisht, sipas meje, pikërisht kjo vetëdije e cilësisë së jetës së prishur po na çon edhe tek prishja e fushave të fundit të mbetura sportive, të zonave të gjelbëra të mbetura të cilat, për më tepër, janë edhe pronë publike; pra nuk po na çon tek tentativa e rregullimit të shtëpisë së madhe, por tek tenativa për të rregulluar kush të mundet shtëpinë e vogël. Ato po sulmohen pikërisht për shkak të kësaj asfiksie me synimin që nesër, duke u privatizuar e bërë ndërtime aty, të rregullojnë financae e cilësinë e jetës së një pakice për t’i prishur edhe më tej cilësinë e jetës shumicës.
Në fakt sot Tirana ka nevojë për të kundërtën e asaj që po bëjnë me fushat sportive dhe jo vetëm Berisha, Rama bashkë me “sponsorët” e tyre financiarë e mediatikë. Ajo ka nevojë të ngrihet cilësia e jetës që nuk mund të reduktohet kurrsesi në kafazin e një pallati, dhe as në kafenenë poshtë tij. Ajo përmirësohet pikërisht duke shtuar parqet, fushat e sportit, pishinat, kinematë, teatrot e tërë ato hapësira publike që dallojnë një qytet normal nga një qytet çmendinë. Dhe kjo nuk mund të bëhet duke i transferuar këto hapëpsira publike në kodrat përreth kryeqytetit, siç thonë disa, por duke i vendosur ato pranë vendbnimeve të njerëzve. Që të realizohet kjo Tirana ka nevojë të ngrijë ndërtimet e banesave që po e asfiksojnë përditë, të kanalizojë industrinë e ndërtimit në drejtime të tjera ku, përsa i përket investimeve urbane, të shpenzohen shumica e të hollave publike për gjelbërim për ndërtim shkollash e kopështesh e parqesh - pra për të rritur hapësirën publike që rrit cilësinë e jetës. Sot ndërtesat ende shtetërore që presin t’i marrin për pesë lek privatët për t’i përdorur për sheshe ndërtim duhet të përdoren për të ngritur aty shkolla, kopështe ose parqe. Po ashtu atje ku ka ndërtesa të ulta njëkatëshe që nuk kanë ndonjë vlerë historike e që kanë mbetur në mes pallatesh duhet të mendohet të merren nga Bashkia, duke kompensuar pronarët, e të shndrrohen në kopshte e shkolla e parqe e sheshe sportive për të normalizuar çka mund të normalizohet. Shtëpitë e vjetra me vlerë historike duhet të restaurohen. Kjo do të ngrinte sadopak cilësinë e jetës së degraduar. Ku do të gjinden paratë për të bërë tërë këtë? Sipas meje një pjesë e mirë e parave do të gjinden duke ulur çmimet e apartamenteve të pashitura e duke mbledhur taksa e shitjes së tyre. Ata ndërtues që kanë fituar shumë, deri disa herë më shumë se kostoja deri tani, në vend se 1,5 herë, siç ndodh në vendet normale, sot duhet të pranojnë të fitojnë më pak në emër të normalizimit të shtëpisë së madhe. Të sulmosh zonat publike e të gjelbërta të mbetura e fushat sportive që u përkasin të gjithëve apo edhe peisazhin përreth me idenë të marrim ç’të mundim sot, apo të dalim nga kriza me çdo mjet, është një strategji e gabuar që do të çojë shumë shpejt tek ndëshkimi i kësaj pakice që, me në krye Ramën e Berishën, po e tërheq vendin në një qorrsokak dramatik të ngjashëm me atë të vitit 97. (Korrieri, 6 gusht 2008)




Koment i një ngjarjeje “pa koment”

Skandali i fundit ne Parlament që pati për protagonistë Kryeministrin Berisha, Kryetaren e Parlamenti Topalli dhe deputetin socialist Tulant Balla bën pjesë në ato ngjarje që meritojnë diçiturën “pa koment".
Kuptimi më i drejtpërdrejtë i kësj diçiture është se ngjarje të tilla flasin vetë, madje nuk kanë nevojë as për kontekstin, ndonëse çdo ngjarje, që të interpretohet drejt, ka nevojë për kontekstin e saj. Kjo sepse konteksti ynë tashmë është i njohur, ai e ka sfondin e tij historik dhe kulturor. Skandali u dha edhe nga mediat e huaja ku besoj se, përveç përkthimit, fjalët komentuese, edhe atje, kanë qenë thuajse të panevojëshme. Për ne komenti implicit është “ja se cilët jemi” kurse për ta “ja se cilët janë”
Nëse do të duam të përkthejmë konstatimin “ja se cilët jemi” në rastin në fjalë besoj se na shkon një fytyrë e banalitetit të politikës sonë që së bashku me iracionalitetin dhe arrogancën prej kohësh denoncon vetveten, edhe me akte të tilla. Ti kthehesh nga pozitat e kryeministrit një deputeti që bën një provokim në kufijtë e të lejueshmes, paçka se banal dhe sipërfaqësor, duke e sharë më nënë e me motër në sytë e të gjithëve është shenjë alarmante. Por mua edhe më alarmante ma bëri situatën Kryetarja e Parlamentit Jozefina Topalli sepse, nëse Balla kishte marrrë përsipër të provokonte, dhe ia arriti, nëse Berisha e futi grepin e Ballës deri në angrrat e barkut dhe nxorri prej andej shumëçka nga ato që i nxjerr vetëm rakia apo tërbimi, Kryetarja e Parlamenti ishte e qetë. Jo vetëm, por ajo e ka për detyrë të ruajë gjakftohtësinë e të jetë kryetare e të gjithëve. Kurse ajo mbajti një qëndrim në krahun e palës së vet krejtësisht të padenjë për një Kryetare Parlamenti me arbitraritetin e sjelljes deri në përdorimin e fjalës “zhele” për një deputet. Jo vetëm, por skandali i saj u thellua po të kemi parasysh se edhe më pas, kur kishte kohë të këshillohej e të reflektonte, ajo vendosi për përjashtimin e Ballës duke e trajtuar Berishën si viktimë të tij ndërkohë që ky i fundit ishte protagonisti i vërtetë i skandalit.
Komenti i rëndësishëm që meriton ky akt i Topalit dhe i gjithë atyre që i dolën në krah Berishës, me në krye këtë të fundit, është se kjo ngjarje tregoi se këta njerëz i ka korruptuar keq pushteti. Ata treguan në mënyrën më skandaloze se në vendin tonë vazhdojmë të jetojmë në sistemin e pandëshkueshmërisë së të pushtetëshmëve të cilët qënien e tyre në mazhorancë e identifikojnë me të drejtën, por që kanë edhe sigurinë, që ua kanë dhënë bashkëkolegët e tyre, sot opozitarë, se edhe kur të dalin në minorancë nuk do t’u hyjë gjemb në këmbë.
Një koment i dytë, jo më pak i rëndësishëm, është ai që lidhet me dinamikën që ka shkaktuar kjo ngjarje brenda PD dhe mbështetësve të saj. Berisha dhe Topalli nuk duhet të mendojnë se një ngjarje e tillë i le indiferent njerëzit. Nuk e kam fjalën për popullin e thejshtë se ai edhe mund të jetë indiferent përdrisa ia ka futur vizën me kohë kësaj klase politike. E kam fjalën për ata njerëz që, në një mënyrë apo tjetrën, e kanë si të thuash profesion marrjen edhe me punët e politikës, ku do të fusja politikanë, intelektualë gazetarë, njerëz të shoqërisë civile. Një ngjarje e tillë i largon edhe më njerëzit e mënçur dhe të ekuilibruar prej këtij takëmi politikanësh. Shumë prej tyre sot mund edhe të heshtin, se kështu ua do intresi, por, pa dyshim, pas një ngjarjeje të tillë kredibiliteti i Berishës dhe i Topallit ka rënë edhe disa pikë më poshtë. Pas kësaj ngjarjeje ata kanë më pak besueshmëri se, në momente të vështira, që edhe mund t’u vijnë, do të sillen në emër të së drejtës dhe të interesit të përgjithshëm dhe jo të interesit të tyre personal. Madje ata nuk japin asnjë garanci se këtë interes nuk mund ta çojnë deri në kufijtë e arrogancës më iracionale. Në një kuptim më politik kjo do të thotë se Barisha dhe Topalli gjithnjë e më shumë, pas ngjarjesh të tilla, u mbeten rrotull vetëm besnikët e verbër që, më të shpeshtën, janë edhe të dhunshëm si edhe servilët më pa personalitet. Pra nëse PD në fushatën elektorale që e solli në pushtet dhe pas saj tregoi një hapje shumë të gjerë ndaj asaj pjese që, si të thuash, ishte e paanëshme, madje edhe ndaj një pjese që kishte qenë kundër saj më parë, dora dorës që ndodhin ngjarje të tilla, ku Gërdeci mbetet gjithsesi pika kulminante, shihet se ajo ngujohet në rrethin e ngushtë të militantëve të verbër. Kjo i bën edhe më agresivë liderët si Berisha e Topalli pasi mungesa e mështetjes kështu kompensohet: me agresivitet dhe arrogancë. Është një skenar i njohur dhe i provuar tashmë, ndaj të cilit kemi shumë më tepër imunitet nga ç’kemi pasur, por që, gjithsesi, është i mbarsur me plot rreziqe. (Korrieri, 31 Korrik 2008)


Kaosi – stratetgji apo paaftësi

Sikurse jam shprehur edhe në shkrimin paraardhës, ku tentoj të analizoj “pse”-të e zhurmës së hapjes së dosjeve të Sigurimit, ajo që bije në sy në qeverisjen dhe ligjvënien shqiptare, veçanërisht tek kjo mazhorancë kohët e fundit, pas Gërdecit, është kaosi i ideve, projekteve dhe vizioneve që prodhon kaosin e realitetit dhe anasjellataz.
Le ta ilustroj me një shembull nga një fushë shumë e rëndësishme e jetës së vendit, që drejtohet, madje, nga dy njerëz që kanë namin për më racionalë dhe më intelektualë sesa shumë nga qeverisësit e ligjvënësit e tjerë të mazhorancës. E kam fjalën për fushën e energjitikës.
Çfarë do të gjesh po të shikosh projektet e zgjidhjes së krizësh së pazgjidhur energjitike tash dy dekada. Do të gjesh se, në të njëjtën kohë, ka një numër projektesh që më shumë sesa komplementarë janë kundër njëri tjetrin. Ka një projekt për të ngritur termocentral me qymyr 1.3 Mwat që gati do të zgjidhte çështjen e furnizimit me energji të Shqipërisë e do të çonte energji edhe në Itali. Krahas këtij do të dëgjosh kryeministrin Berisha të angazhohet me të madhe për central termobërthamor i cili, edhe ai, do të zgjidhte problemet e furnizmitë të Shqipërisë me energji e do të furnozonte edhe Italinë. Nuk mjafton kaq, por janë bërë marrëveshje për TEC-ce me naftë e gaz në Vlorë e Seman, ku ai i Semanit do të prodhonte edhe për të huajt. Nuk mjafton kaq, por bëhen projekte për të ngritur hidrocentrale në kaskadat e lumenjve, si ai Vjosës psh..
Nuk ka nevojë të jesh specialist për të kuptuar se pranimi i njërit grup variantesh duhet të përjashtonte tjetrin. Kjo jo vetëm nga pikpamja e nevojave që ka vendi, por edhe nga pikpamja e filozofisë së dhënies prioritet njërit apo tjetrit. Nëse planifikon të ngresh një termocentral me qymyr, i cili një nga të këqijat e tij më të mëdha ka ndotjen ambientale, që aq më tepër do të shtrihet në zonën më të populluar të vendit, në bregdet, kjo, të paktën, do të nënkuptonte se s’ke më nevojë për një termocentral bërthamor, por edhe se nuk do të kesh më nevojë për të ngritur TEC-e në pjesë të tjera të bregdetit si ai i Vlorës apo Semanit. Dhe aq më pak të prishësh edhe kaskadat natyrore të lumenjve si Vjosa me hidrocentrale. Po ashtu, nëse mendohet se duhen ngritur hidrocentrale të vegjël që synojnë shfrytëzimin e kaskadave me ujra të shumta që ka Shqipëria, të cilët kanë një impakt ambiental më të vogël përsa i përket ndotjes së ajrit por që, gjithsesi prishin pakthyeshëm peisazhin dhe mundësitë turistike në ato zona e, më në përgjithësi, edhe cilësinë e jetës së banorëve që jetojnë anës këtyre lumenjve, të paktën duhet të kursesh bregdetin nga tymi i qymyrit. Nëse mendon se duhet ngritur një termocantral bërthamor atëhere ke ndërmarë riskun që të njollosësh një zonë të caktuar të vendit me shenjën e radioaktivitetit, me rrezikun e shpërthimit apo të rrjedhjes së ndotjes radioaktive, por ama ke siguruar pastërtinë e ambjentit si në bregdet ashtu edhe në kaskadat e lumenjve – sepse nga pikpamja e ndotjes së ajrit dhe të mundësive turistike e ambjentale e të pesazhit një central termobërthamor ka avantazhet e veta jashtë zonës ku ai ngrihet.
Kurse qeveritarët dhe ligjvënësit tanë duan t’i bëjnë të gjitha duke marrë përsipër edhe ndotjen e ajrit edhe prishjen e pejsazhit edhe masakrimin e bregdetit dhe të kaskadave të lumenjve, por edhe të na fusin rrezikun e bërthamorit.
E solla këtë vetëm si një shembull, si metaforë, pa hyrë në temën se çfarë do të ishte më mirë në këtë sektor, për të treguar kaosin ideor e të projekteve të qeverisësve dhe ligjvënësve tanë. Është vetëm një nga shembujt e shumtë që mund të jepen pasi i gjithë realiteti që jetojmë mban vulën e këtij kaosi që zgjat që prej 17 vjetësh.
Çështja në fakt është: nga se vjen ky kaos? A është strategji e menduar, për të peshkuar më lehtë në ujra të turbullta, a është paaftësi apo çfarë? Sipas meje njëra nuk e përjashton tjetrën madje ato gjenerojnë njëra tjetrën në një rreth të mbyllur: paaftësia kaosin kurse kaosi paaftësinë. Por, kur flitet për paaftësi, duhet të kemi parasysh diçka më komplekse sesa formimin dhe dijet personale të një kryeministri apo të disa ministrave. Për të sqaruar këtë le të përpiqem të shpjegoj, duke përdorur shembullin e sektorit të energjitikës, se pse ndodh kjo mbivendosje projektesh të kundërta pa asnjë vizion afatgjatë? Do të thoja se shkaku i parë vjen ngase politikanëve tanë u mungon një vizion dhe bindje e thellë personale mbi çështjen në fjallë për të cilën të jenë të gatshëm të luftojnë, por edhe të dorëhiqen kur e lyp nevoja. E këtu jemi në nivelin e paaftësisë apo papërgatitjes personale që sigurisht është mjaft e rëndësishme. Por nuk është vetëm kjo. Sepse, edhe po të mos e kenë përgatitjen personale, politikanët vullnetmirë mund ta marrin atë nga specialistët, madje janë të detyruar të konsultohen me specialistët edhe sikur të kenë bindjet e tyre. Por problemi tjetër është se atyre u mungon edhe vullneti i mirë i udhëhequr nga ndershmëria e qëllimit. Ata kanë hyrë në politikë me synim pushtetin për pushtet dhe përfitime individuale dhe jo shërbimi ndaj të mirës publike. Edhe kjo është një paaftësi e lloit të vet që mund ta quajmë edhe papërgatitje morale. Dhe ja ku vijmë tek mekanizmi që sjell mbivendosjen e gjërave që prodhon kaos. Nëse qeveritarëve tanë shkon e u troket në derë psh. një biznesmen financues i partisë së tyre që kërkon të bëjë një hidrocentral në kaskadën e Vjosës, ata i thonë ok. - se e kemi tonin. Por mund t’i thonë ok. edhe ndonjërit që, ndryshe, mund të mbështesë opozitën. Po kështu i thonë ok. edhe një të huaji që kërkon të ngrejë një termocentral sepse ai ose paguan ose na zgjidh një problem që s’jemi në gjendje ta zgjidhim. Por ka edhe grupe më të mëdha interesi që janë të lidhur me politikën italiane apo amerikane për të cilët pushteti ka nevojë ta mbështesin. Ja pra: i thuhet ok. të gjithëve sepse na duhen nga pak të gjithë për pushtetin dhe për paranë që na japin nën dorë apo në forma të tjera. Këtyre faktorëve të kaosit u duhen shtuar edhe përfitimet më direkte që kanë marrë tërë ata që nuk janë të interesauar të zgjidhet çështja e energjisë sepse me tendera janë bërë milionerë. Për ta shumë projekte do të thotë asnjë projekt dhe shtyrje e mundësisë për tendera. Mjafton kaq për të gjeneruar kaosin, por ka edhe më: një faktor tjetër që thellon paaftësinë që gjeneron kaos është edhe fakti se në qeveri e Parlament mungon realisht fryma demokratike e bashkëpunimit, e korrigjimit nëpërmjet debatit dhe ballafaqimit të ideve. Nga sa e kam ndjekur median lidhur me termocentralin bërthamor psh. Bojaxhi është shprehur diku kundër. Ka gjasa që edhe Ruli të jetë kundër. Por ata nuk kanë ngritur zërin ashtu dhe aq sa duhet. Del se Berisha e ka çuar përpara idenë e tij, pa u konsultuar as me ta as me specialistë. Madje ne kemi edhe një të ashtuquajtur Institut të Studimeve Bërthamore ku, gjithsesi, duhet të ketë njerëz të specializuar. Edhe ata injorohen. Pra paaftësia merr kështu edhe formën e një hibridi të krijuar nga shartimi i një varianti të enverhoxhizmit, ku udhëheqësi i madh është specialist për të gjitha, kurse të tjerët s’guxojnë ta kundërshtojnë, me prurjen e re të kapitalizmit: klientelizmin dhe korrupsionin.
Gjithë duke folur për paaftësinë duhet vënë në dukje se politikanët tanë nuk janë aktorët e vetëm gjenerues të kaosit për shkak të paaftësisë. Janë po aq të paaftë profesionalisht dhe moralisht edhe ata që hapin dyert e këtyre politianëve me para, me militantizëm apo me premtime mbështetjeje politike pa patur largpamësinë se, nëse varfërohet e prishet i gjithë vendi, varfërohen edhe ata sepse, në terma afatgjata, shtëpia e tyre e vogël lluksoze e zhytur midis plehërave dhe kaosit bëhet gjthnjë e më e pavlefshme dhe pajetueshme.
Por, nga ana tjetër, ndodh edhe e kundërta: kaosi i krijuar nga paaftësia gjeneron paaftësi. Kjo sepse një kaos i tillë dhe papërgjegjshmëri e tillë më së pari i largon të aftët, ngase ata që kanë sadopak ndërgjegje profesionale preferojnë të tërhiqen nga kjo çorbë apo ngase i përjashtojnë sepse u prishin planet. Së dyti, meqënëse vetëm të paaftët mund të jenë aventurierë dhe të papërgjegjshënm në këtë shkallë, ata gjejnë njëri tjetrin në zhvillimin e këtyre projekteve duke u shumuar. Së treti ky kaos është klima më e mirë pikërisht për këta njerëz të cilët në një shtet të rregullit, të ligjit dhe të meritokracisë ose e shohin veten në burg ose të falimentuar ose të paaftë për të krijuar pasuri. Së katërti ky kaos krijon edhe një bashkëfajësi duke i bërë edhe bashkëfajtorë e bashkëvuajtës të gjithë duke shpërndarë kësisoj përgjegjsinë e së nesërmes.
Jemi pra në një cikël të mbyllur ku paaftësia gjeneron kaos dhe kaosi paaftësi. Sot dëgjon gjithnjë e më shumë njerëz, të cilët, të pafuqishëm përpara këtij cikli të mbyllur, të thonë me naivitet: këtu duhet një juntë ushtarake që ta pastrojë vendin nga këta të korruptuar. Mirëpo këta harrojnë se juntat atje ku kanë dalë kanë përfaqësuar interesat e një kategorie të rëndësishme që ka investuar për politikën, ushtrinë, policinë, gjykatat, propagandën në mbrojtje të interesave të veta. Dhe shpesh ideologjia nacionaliste apo antikomuniste e përdorur prej tyre ka qenë fasada e përdorur për mbrojtjen e këtyre interesave. Dhe tek ne ekziston tashmë një juntë e tillë sepse njerëzit më të fuqishëm ata që drejtojnë politikën policinë, ushtrinë, gjykatat, propagandën mediatike janë pikërisht prodhuesit e kaosit të cilët janë të interesuar për ta mbajtur kaosin. Junta e tyre, “sui generis” mund të quhet “juntë e kaosit” dhuna e së cilës nuk është ashtu dhe aq policore as ideologjike, por, më së shumti e ndërtuar mbi pasigurinë e jetës që dikton gjendja e kaosit.
Dalja më e shëndetëshme nga ky kaos përdrejt një rendi të së ardhmes, krijimit të më shumë sigurie do të vijë vetëm nga aftësimi: dmth nga diturimi, ndërgjegjësimi mësimi. Prandaj vlen të shtrohet pyetja se nga do të vijë ky aftësim. Për fat të keq, sikurse e kam shprehur edhe herë tjetër, ne më shumë sesa nga përvojat pozitive apo negative e të tjerëve apo nga aftësia për të dëgjuar ata që dimë më shumë e për të korrigjuar njëri tjetrin mësojmë nga pësimi. (Korrieri, 23 korik 2008)