Monday, January 27, 2020

Opozita – më mirë fasadë sesa jashtë sistemit

Silogjizmi është një arsyetim ku nga dy pohime që quhen premisa, ndër të cilat njëra është primarja, tjetra sekondarja, me deduksion, nxjerrim një konkluzion. Për shembull: premisa 1: me Edi Ramën kryeministër nuk ka zgjedhje të lira në Shqipëri; premisa 2: Edi Rama është kryeministër; konkluzioni: në Shqipëri nuk mund të ketë zgjedhje të lira.
Ky silogjizëm u kthye në parullën e aksionit politik me të cilin opozita braktisi Parlamentin dhe i nxori njerëzit nëpër protesta me thirrjen “Rama ik!”. Ishte një aksion që u drejtohej jo vetëm shqiptarëve, por edhe ndërkombëtarëve me argumentim shtesë, shumë të rëndësishëm, se, nëse rrimë në Parlament në kushtet kur Rama ka kapur të gjitha institucionet nuk bëjmë asgjë pozitive përveçse shërbejmë si fasadë e këtij regjimi që nuk ndryshohet dot me mjete institucionale. Synohej kështu krijimi i një krize që do të vinte Ramën në kushtet e dorëheqjes, të pranimit të një qeverie teknike që do të punonte për pastrimin e politikës nga krimi dhe do të përgatiste zgjedhje të lira (ndonëse duhet pranuar se nuk u artikulua asnjëherë qartë e shkoqur roli i kësaj qeverie teknike dhe koha e punës së saj.)
Ky aksion nuk e arriti qëllimin sepse opozita nuk mundi të mobilizojë protesta të pandërprera sa ta detyronte Ramën të dorëhiqej, por edhe sepse Rama pati mbështetje të ndërkombëtarëve, që u shfaqën deri kërcënues ndaj opozitës në prag të 30  qershorit.
Që pas 30 qershorit opozita ka marrë kthesën për nga një aksion politik tjetër të bazuar  në një silogjizëm tjetër që mund të formulohet kështu: me një reformë zgjedhore të përshtatshme (sipas udhëzimeve OSBE/ODIR) bëhen zgjedhje të lira; ne po e bëjmë këtë reformë; konkluzioni: në Shqipëri, pas reformës, do të ketë zgjedhje të lira. Si shtesë kjo shoqërohet me një tezë të pakonfirmuar se fill pas kësaj reforme do të ketë zgjedhje të parakohshme, për çka kanë hyrë garant edhe ndërkombëtarët, që po tregohen shumë të kënaqur që në Shqipëri po mbyllet kriza.
A ka një kundërshti themelore midis aksionit të parë dhe këtij të dytit? Për mua kjo kundërshti ekziston dhe, fatkeqësisht, po mbulohet nga opozita me arsyetime të pabesueshme, plot ambiguitete. Sepse, p.sh. nëse thua se me Edi Ramën kryeministër (çka nënkupton në krye të të gjitha strukturave ligjore dhe joligjore, policore publike dhe private që kontrollojnë e vjedhjen votën) nuk mund të ketë zgjedhje të lira, vështirë se mund të bindësh kënd se këto struktura do t’i neutralizosh me një reformë që, për më tepër, do ta bësh së bashku me vjedhësit. Kujtoj se në versionin e parë këtë reformë e shumëçka tjetër do ta bënte qeveria teknike; pra jemi shumë larg tij.
I ndodhur nën presionin e atyre që i vënë në dukje këto kundërshti Lulzim Basha u përpoq të na bindë se midis aksionit të parë dhe atij të dytë nuk ka kundërshti, por vazhdimësi. Sipas tij dalja nga Parlamenti dhe i gjithë aksioni jashtë institucional ishte frytdhënëse sepse ndërgjegjësoi ndërkombëtarët se këtu kemi një regjim që vjedh e manipulon votën (çka e tregojnë edhe nëntë kushtet që kanë vënë Gjermanët) duke krijuar kushte të reja  në të cilët Rama ka humbur kredibilitet dhe legjitimitetin që i jepnin ndërkombëtarët, është diskredituar edhe brenda vendit, prandaj mund të shkojmë në zgjedhje të lira dhe t’i fitojmë ato.  Këtyre argumenteve Basha i shtoi së fundmi edhe ata se  opozita nuk ka hequr dorë as nga kërkesa për largimin e Ramës, as nga ajo për qeveri teknike dhe as nga premtimi se njerëz si Gjiknuri do të paditen e do të çohen në gjyq për vjedhjen e votës. Mirëpo kjo duket se po thuhet për të qetësuar atë pjesë të shumtë që tek kjo reformë sheh një braktisje të zotimeve të mëhershme dhe që, pas aktit të fundit, i është kthyer fort identifikimit të të dy palëve me sistemin.  
Shkurt mua më duket se opozita po bën një sforco të madhe për të mos e paraqitur këtë që po bën si një dorëzimin përballë sistemit. Nëse duam të vërtetën gjykoj se jemi shumë më afër asaj po të themi  se ulja në tryezën e një reforme zgjedhore, që nuk premton thuajse asgjë përsa i përket ndryshimit që kërkohet për tu çliruar nga shteti i kapur nga bandat e Ramës, është thjesht një “modus viventi” e gjetur për të kryejë një akt bindjeje nga ana e opozitës ndaj sistemit që ka denoncuar, ndaj diktatit të ndërkombëtarëve, por duke mos e turpëruar atë plotësisht.
Po çfarë mund të bënte opozita do të thotë dikush. Sipas meje të punonte për mbështetje popullore deri më 2021 dhe të ngulmonte tek ndërkombëtarët se çelja e negociatave, nuk i shërben popullit shqiptar, por mbështetjes së një regjimi që po bëhet gjithnjë e më i egër, i të cilit ata nuk pranojnë të bëhen fasadë. Kurse kështu skenari më i mundshëm që shoh në zhvillimet e mëtejshme të këtij procesi – qofsha i gabuar – është ky: Rama me aprovimin e reformës mund të marrë hapjen e negociatave, (që, e përsërirs, Perëndimit i duhen për arsye gjeopolitike, aspak për shqiptarët); do t’i përdorë ato si shenjë suksesi, madje duke ia veshur vonimin e tyre krejtësisht opozitës, dhe pastaj mund edhe të shkojë (së bashku me strukturat e tij të paprekura) në zgjedhje të parakohshme që në kushtet ku gjendemi i fiton. 
Uroj që të mos ndodhë kështu; por pyetja që shtrohet është: po ndodhi kështu çfarë i mbetet më opozitës të bëjë? Apo mos vallë nuk ka kuptim ta ngremë këtë pyetje sepse edhe ata e dinë se mund të ndodhë kështu, por kanë bërë kalkulimin: më mirë fasadë e sistemit sesa jashtë tij?  (Panorama, 17 janar 2020)

Read More......

Monday, January 13, 2020

Nga duhet filluar?

Nga duhet filluar?”, kjo është një pyetje që e dëgjon shpesh sot midis njerëzve që kërkojnë ndryshim. Po për të shkuar ku? – është pyetja e dytë që do ta pasonte atë të parën, sepse dihet se synimi përcakton edhe fillimin e lëvizjes sonë. Për shembull, nëse synojmë të çlirojmë Shqipërinë nga kapja e shtetit apo të kalërojmë sistemin që ka kapur shtetin, janë dy synime që na përcaktojnë fillime të ndryshme.
Këto radhë po i shkruaj i nxitur nga një debat që është ndezur këto ditë lidhur me propozimin e hedhur nga Nisma Thurje (firmosur nga 50 000 qytetarë), ku kërkohet ndryshimi i sistemit elektoral që kemi, (i ashtuquajtur proporcional lokal me lista të mbyllura), në favor të një sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura. Debati është ndezur sepse kryetari i PD-së, Lulizm Basha, iu kundërvu së fundi këtij propozimi duke argumentuar se kjo nuk e shmang abuzimin me votën dhe vjedhjen e saj, duke shtuar madje se diskursi se fajin e ka sistemi zgjedhor çon ujë në mullirin e Ramës. Sipas Bashës, fillimi duhet kërkuar tjetërkund: te shkëputja e lidhjeve të politikës me krimin, për çka fajtor bën Edi Ramën. Po si mund të kryhet kjo? – është pyetja që lind vetvetiu – qoftë edhe për të hequr fajtorin Rama. Dhe këtu gjykoj se nuk mund të mos i kthehemi debatit mbi propozimin në fjalë, ku po përpiqem të jap disa argumente në favor të tij.

Më së pari, më duhet të them se kjo nismë nuk duhet paraqitur si zgjidhja e problemeve që ka Shqipëria. Metaforikisht do të thosha se tumori shqiptar nuk ka prekur një organ të vetëm, kurimi i të cilit (apo operimi) do të shëronte të gjithë trupin. Ky tumor tashmë ka lëshuar metastaza gjithandej dhe prandaj kurimi – d.m.th. fillimi – nuk mund të bazohet vetëm në ndërhyrjen në një organ të vetëm, por te një terapi shumë më komplekse, që do të synonte goditjen e metastazave në të gjitha organet e prekura. Po cili është ky tumor? Për mua ai nuk konsiston te përqendrimi i pushtetit në duart e kryetarit të partisë në pushtet, por te rritja galopante e pushtetit të një grushti relativisht të vogël oligarkësh dhe njerëzish të krimit, që kanë kapur me metastazat e tyre partitë dhe nëpërmjet tyre organet e pushtetit qendror e atij lokal, parlamentin, drejtësinë, ekonominë, tregun, mediat, shoqërinë civile, krejt shoqërinë. E përdora në shumës: “partitë” - çka nuk i pëlqen Lulzim Bashës - sepse mendoj se ky tumor fillimet e tij i ka shumë më herët sesa koha kur Edi Rama u bë Kryeministër. Pajtohem me atë se me Edi Ramën shtrirja e metastazave ka arritur një pikë kulminante, pasi me sëmundjen e tij, që Platoni do ta quante “pleoneksi” (etja e pangopshme për të marrë atë që u takon të tjerëve, pasi ata i mendon se ekzistojnë thjesht e vetëm për ty), tumori ka marrë një zhvillim virulent të paparë.
Por ta reduktosh pleoneksinë te Edi Rama - siç bëri së fundmi Basha - do të thotë të çosh ujë në mullirin e sistemit pleoneksik që kryeson Edi Rama, pa na dhënë asnjë garanci se i gjithëpushtetshmi i partisë së radhës në pushtet nuk do të punojë për të. Nisur nga kjo, them se propozimi i Nismës Thurje meriton të debatohet jo përballë çështjes nëse duhet dobësuar apo jo pushteti i kryetarëve, por përballë çështjes nëse Reforma Zgjedhore e propozuar e dobëson apo jo pushtetin e atij grushti njerëzish me mendësi grabitqare dhe kriminale, pa paratë dhe mbështetjen e të cilëve pushteti autoritar i kryetarëve do të ridimensionohej në favor të demokracisë?

Mua më duket se ka disa argumente serioze, që shkojnë në favor të idesë se sistemi me lista të hapura i propozuar ndihmon luftimin e pushtetit pleoneksik. Le të analizojmë pak sistemin aktual. Sipas tij, në çdo zonë elektorale zgjidhet një numër i caktuar deputetësh, varësisht nga numri i banorëve të zonës. Këta variojnë nga 4 në Kukës, deri në 34 në Tiranë. Emrat e tyre përzgjidhen nga kryetarët e partive në garë. Pra, sipas këtij sistemi, kuksiani nuk ndikon në zgjedhjen e deputetëve të Shkodrës dhe po kështu shkodrani nuk ndikon në zgjedhjet në Durrës e me radhë. Për të arritur fitoren, kryetarët e partive hartojnë lista të mbyllura, me radhë të përcaktuar, ku për secilën zonë zgjedhin ata individë që kanë mundësi më të madhe të sigurojnë vota - kryesisht në sajë të forcës së tyre ekonomike. Kjo i ka çuar ata gjithnjë e më shumë te pleoneksikët e zonës, quaji po deshe të fortë, oligarkë apo edhe njerëz të krimit, që diku kandidojnë vetë, diku venë njerëzit e tyre. Ky është një lloj sistemi feudal, nëse mund ta përdor këtë krahasim, ku pushteti sigurohet nga lidhja e të fortëve lokalë me pushtetin qendror.
Sipas sistemit të propozuar nga Nisma Thurje, partitë do të hartojnë një listë prej 140 vetash, pa ndonjë radhë të përcaktuar nga kryetari e për të cilën do të votohet në të tërë vendin. Në fund, ata që do të marrin më shumë pikë do të dalin në krye të listës dhe do të bëhen deputetë, sipas përqindjes që ka marrë partia. Pyetja shtrohet: po të pranohet ky sistem, a do të kishte më shumë apo më pak interes një parti të vendoste të fortët e zonave (apo njerëzit e tyre) në lista, që do të votoheshin në nivel kombëtar. Mua më duket se do të kishte më pak interes, pasi, edhe nëse një i fortë i ka mjetet për të rrëmbyer vota në zonën e tij, emri i tij i keq do ta çonte partinë në humbje votash në zonat e tjera, ku ai s’ka pushtet. Në këtë pikë, dikush mund të thotë se partia mund ta mbushte listën e saj vetëm me të fortë të zonave të ndryshme apo njerëz të tyre, të cilët do të punonin në secilën zonë për të mbledhur votat dhe ja ku do të dilnim në të njëjtën qafë. Gjykoj se kjo do të ishte shumë diskredituese, aq më tepër po të kemi parasysh se të fortët dhe njerëzit e tyre tashmë janë figura të njohura dhe të diskredituara kombëtarisht, si dhe faktin se një fushatë elektorale ku kandidatët do t’u drejtoheshin të gjithë votuesve, do ta bënte shumë më të lehtë demaskimin e këtyre lloj kandidatëve. Pa dyshim, fenomeni i blerjes së votës nga të fortët nuk do të zhdukej, por mua më del se do të pakësohej.
Gjithashtu, më duket se ky sistem e rrit mundësinë e dobësimit të të fortëve edhe për një arsye tjetër. Sipas sistemit aktual, në një zonë elektorale, si Kukësi p.sh., që të dalësh deputet duhet të marrësh 25% të votave të asaj zone sepse ata janë vetëm katër (së fundi janë bërë 3, për shkak të ikjes së njerëzve). Kjo demoralizon çdokënd që kërkon të krijojë apo votojë një parti të re, që kërkon të hyjë në lojë me idenë se të dyja partitë kryesore i kemi provuar se nuk kanë punuar për interesat tona. Kjo, sepse sipas sistemit aktual, votat e këtyre partive të reja, nëse nuk e arrijnë këtë prag shumë të lartë, do të shkonin të gjitha në favor të partive të mëdha. Kurse në sistemin proporcional kombëtar, parti të tilla do ta kishin shumë më të lehtë të arrinin pragje të tilla si 3- 4% (që në sistemin aktual i del vetëm Tiranës) e të fusin deputetë në Parlament.
Duke pasur parasysh gjendjen aktuale, është i kuptueshëm mospranimi i këtij sistemi nga Edi Rama sepse sot ai ka me vete thuajse të gjithë të fortët e vendit - edhe ata që deri dje kanë punuar për PD-në apo LSI-në. Çfarë kërcet është mospranimi nga Partia Demokratike dhe LSI-ja i këtij propozimi. Një sistem i tillë kuptohet lehtë se përveç avantazheve që përmenda, do të çlironte energji të reja, si brenda këtyre partive edhe jashtë tyre, sepse kandidatët do të ishin shumë më të motivuar për të dalë në krye të listave të partive. Po ashtu, nëse lindin parti të reja në sajë të këtij sistemi, ta do mendja se do të lindnin me premtimin për goditje të pushtetit të të fortëve, që tashmë është identifikuar si tumori që po na shkatërron dhe kështu do të ishin shumë më të gatshme të bashkëpunonin me opozitën aktuale sesa me Edi Ramën. Prandaj, gjykoj se shpjegimi i refuzimit lidhet me faktin se një sistem elektoral i tillë rrezikon pushtetin e shumë individëve, që bëjnë pjesë në hierarkitë tashmë të konsoliduara brenda këtyre partive, duke vënë në pikëpyetje ndoshta deri pushtetin e kryetarit. Por, të vazhdosh kështu edhe në gjendjen ku jemi, do të thotë të ngulmosh në atë qasje që i ka çuar gjithnjë politikanët shqiptarë të sakrifikojnë interesat e shumicës për interesa të pushtetit personal. Kjo qasje më duket se është dy herë fatale, sepse, sikurse e kam shkruar edhe herë tjetër, opozita jonë sot është e dënuar që, ose ta rrëzojë pleoneksistin Rama së bashku me sistemin pleoneksik që e mban në pushtet, ose të eliminohet krejt prej tij, pasi ky dhe sistemi tashmë janë bërë dy anë të së njëjtës medalje. Sigurisht, sikurse e thashë më sipër, për këtë duhet punuar në shumë fronte, duhen bërë shumë beteja, por një nga këto më duket se do të ishte edhe ajo e ndryshimit të sistemit zgjedhor. (Panorama, 13 janar 2020)

Read More......