Tuesday, December 31, 2019

Një paralajmërim për druvarët e zhvillimit dhe zhvillimin e druvarëve


Viti 2019 do të mbahet mend si viti i tërmetit që vrau 51 njerëz dhe shembi apo dëmtoi rëndë mijëra ndërtesa të vjetra dhe të  reja. Janë të shumtë ata që kanë shprehur urimin që kjo shkundje të na shërbejë si mësim për të mos u përsëritur më tragjedi të tilla. Do të doja ta bëja këtë urim për vitin e ri 2020, por, meqenëse më duket si të ngre një kupë bosh, preferoj të bëj thjesht një paralajmërim. 
 Arsyeja pse më duket kupa bosh është se, pas tërmetit, nuk kam parë të hapet një temë, që, për mua, është baza nga ku do të duhej të fillonte një shkundje në mendjet e shqiptarëve. E kam fjalën për nevojën e vënies në dyshim të paradigmës mbi raportin e njeriut me natyrën, në të cilën jemi mbështetur këta 30 vjet. Ç’dua të them me këtë? Kur ra tërmeti i 21shtatorit nëpër media mbizotëroi mesazhi se tërmeti ishte një provë se ndërtuesit e Shqipërisë së re, të pas 90-ës, kishin punuar mirë, pasi ndërtesat e tyre nuk u shembën. Njerëzit fjetën të qetë në pallatet e tyre të reja, por ja që erdhi ai i 26 nëntorit që i rrëzoi apo shndërroi në të pabanueshme edhe shumë syresh, por përsëri  të njëjtët zëra mbizotërues nxituan të thonë se  këto ishin shmangie nga normat, pasi gjithçka mund të ndërtohet, gjithkund mund të ndërtohet, mjafton të përdorësh teknologjinë e duhur. E pra, një qasje e tillë në thelbin e vet ka të bëjë me mbizotërimin thuajse total në vendin tonë të paradigmës kulturore të kohës së modernitetit, që predikon besimin e njeriut tek miti i zhvillimit të pareshtur teknologjik, që natyrën e sheh si materie për ta pushtuar e përdorur për lavdinë dhe pasurimin e tij. 
Ndryshimi i kësaj paradigme do të duhej të fillonte me debatin mbi ndërgjegjësimin e rreziqeve që ka shkaktuar aktiviteti njerëzor i bazuar tek ky mit i zhvillimit, si shterimi i burimeve energjetike të planetit, prishja e ekosistemeve, ngrohja globale, ndotjet e rrezikshme etj.. Tragjeditë që shkaktoi tërmeti nuk mund të mos shihen edhe si manifestim i mungesës thuajse totale në Shqipëri të vetëdijes së problematikës së kësaj teme tepër të debatuar në kohën që po jetojmë, që në thelbin e vet nuk ka të bëjë vetëm me raportin me natyrën e burimet e saj, por edhe me mënyrën e prodhimit si dhe me sistemin e vlerave që udhëheqin shoqërinë tonë.  
***
Raporti i njeriut me natyrën, në fakt, është një temë shumë e thellë që na çon në dy traditat bazë të qytetërimit perëndimor (për të ndalur vetëm tek ky qytetërim): atë të Greqisë së lashtë dhe atë ebreo-kristiane që kanë një ndryshim thelbësor midis tyre në këtë aspekt. Grekët e lashtë e shihnin natyrën si një sfond të pandryshueshëm, të cilin, sikurse thoshte Herakliti, nuk e ka krijuar asnjë zot dhe asnjë njeri; kurse njeriun ata e shihnin si pjesë e kësaj natyre, që lindte dhe vdiste si të gjitha qeniet e gjalla. Kjo i bënte grekët e lashtë të përdornin për njeriun shprehjen “vdekatar”. Platoni u drejtohet këtyre vdekatarëve duke u thënë: mos kujtoni se natyra është në shërbimin tuaj, ju duhet ta ndërtoni jetën duke iu përshtatur asaj, duke mësuar prej saj. Tek Eskili, kur Kori e pyet Prometeun, që u kishte dhënë njerëzve zjarrin (teknikën), se kush është më e fortë teknika apo ligjet e natyrës ai përgjigjet se teknika është shumë herë më e dobët. 
Në traditën ebreo-kristiane, kemi një ndryshim paradigme. Sipas saj natyra nuk është ai sfondi i pandryshueshëm që nuk e ka krijuar asnjë zot e asnjë njeri, por është krijuar nga vullneti i një Zoti aktiv, i cili, sipas Testamenti të Vjetër, kur krijoi njeriun, i tha (Adamit): do të dominosh mbi kafshët e tokës, mbi peshqit e ujërave dhe mbi zogjtë e qiellit. Me fjalë të tjera natyra, sipas këtij vizioni për botën, shikohet si një ente në shërbim të njeriut. Gjithë sipas kësaj tradite, njeriu nuk është më një vdekatar, si të gjitha qeniet e tjera të gjalla, por do të vazhdojë të jetojë në botën tjetër.  
Kritikët e mitit të zhvillimit pa cak të qytetërimit modern, ndër të cilët zëri më i thellë është ai i Heideggerit, e gjejnë origjinën e rreziqeve që i kanosen njerëzimit nga bombat e shumta (jo vetëm bërthamore) që ka prodhuar, tek fitorja e traditës ebreo-kristiane mbi atë të grekëve të lashtë. Sipas tyre kjo fitore (iluzore) e ka bërë njeriun perëndimor të harrojë urtësisë greke që e sheh atë si pjesë dhe jo sundues të natyrës, si vdekatar dhe jo si të përjetshëm; e ka bërë të harrojë mësimin e Orakullit të Delfit “çdo gjë me masë”, duke e shtyrë të kalojë çdo masë në bindjen se ai është padroni i kësaj bote aq sa, më në fund, ka vrarë edhe Zotin (Niçe) duke e zëvendësuar atë me zotin teknologji dhe zotin para, që i premtojnë parajsën mbi tokë.
***
Problemi shqiptar është se, ndërkohë që problematika e raporti të njeriut me natyrën në Perëndim është marrë e rimarrë, të paktën që nga koha e Rusoit të “kthimit tek natyra” për të arritur një kulm në shekujt e XX-XXI - aq sa sot atë e kanë bërë të tyren edhe fëmijët (shkoni lëvizjen e Greta Thunberg) - në këtë provincën tonë njerëzit e drejtuar nga elita sa injorante aq edhe manipulative vazhdojnë të jetojnë sikur të ishin në epokën kur mendohej se sa më i madh pushtimi dhe shfrytëzimi i natyrës aq më i madh superioriteti i qytetërimit të cilit i përkasim. Ndryshe mund të thuhet se shqiptarët vazhdojnë të jetojnë me kulturën e modernitetit ndërkohë që Perëndimi është në post-modernitet, që nënkupton, mes të tjerash, një vështrim fortësisht kritik të asaj çka ka bërë ai në modernitet. 
Duke iu referuar Heideggerit, do të thosha se një qasje e tillë ndaj natyrës e ka bërë njeriu shqiptar të kapitalizmit globalist ta shohë pyllin vetëm me syrin e druvarit. Çfarë kam parasysh me këtë? Nëse shkojnë në një pyll një poet dhe një druvar  ata nuk e shohin pyllin me të njëjtin sy. Poeti përjeton atmosferën e pyllit dëgjon cicërimat e zogjve, fëshfërimën e gjetheve, me idenë që t’u këndojë atyre kurse druvari e sheh me mendimin se sa dru mund të presë për ta shitur e për të fituar para. Në mënyrë figurative (por edhe në realitet, po të kesh parasysh masakrimin që u kemi bërë pyjeve) qasja e druvarit është bërë tek ne e vetmja qasje ndaj natyrës si dhe përcaktuese e gjithë sistemit tonë të vlerave. Druvari ka vrarë poetin brenda nesh për të cilin fola, por edhe piktorin brenda nesh që shkonte në një gji të bukur deti (siç ka qenë edhe Gjiri i Durrësit), për të bërë një pejsazh. Ai ka mbytur, kanoistin, që shkonte në një lum të rrëmbyeshëm për tu dëfryer, duke e futur, sëbashku me ujin, në tuba hidrocentralesh. Të njëjtin fat ka pësuar alpinisti që e kanë vrarë minat e guroreve të druvarëve në male; arkeologu që e kanë murosur në themelet e betonit të pallateve, teksa gërmonte për të zbuluar qytetërimet e lashta. Të gjithë ata që kanë adhuruar gjelbërimin e barit e të parqeve sot dergjen të çimentuar në grinë e ftohtë të mafies së druvarëve të betonit. 
Sikurse e thashë edhe më sipër burimi i këtij tjetërsimi nuk është shqiptar. Shqiptar është manifestimi në trajtën më ekstreme i fenomenit për shkak të injorancës ekstreme përsa i përket temës në fjalë, kombinuar me babëzinë ekstreme për pronë e pasuri dhe paaftësinë ekstreme për ta vënë këtë në forma të tjera nga shfrytëzimi barbar i natyrës. Kësisoj Shqipëria mund të quhet e vetmja republikë e druvarëve në botë (siç vetëquhej para 30 vjetësh “i vetmi vend socialist në botë). Është një republikë ku nuk ka ministri të kulturës, por një ministri të druvarëve të kulturës që merren kryesisht me lejet për të prishur monumentet e kulturës për të ndërtuar në vend të tyre kulla; ku nuk ka ministri të turizmit, por druvarë të turizmit që bukuritë natyrore i shndërrojnë në pllaka dhe kube betoni; ku nuk ka një ministri të sportit, por druvarë të sportit që prishin stadiume për tu hapur truall druvarëve të ndërtimit; ku policia, prokuroria e gjykatat shërbejnë si roje private të interesave  të bosëve druvarë. Aq larg kemi shkuar në ndërtimin e kësaj republike saqë edhe gjuha po krasitet me sëpatën e druvarëve duke i bërë fjalë të tilla si biologji, zoologji, botanikë, speleologji, ekologji, paleontologji etj. të zhduken nga fjalori i shqiptarëve, ndërkohë që si profesione janë zhdukur me kohë sepse ashtu si ata të poetit, shkrimtarit, piktorit, skulptorit, aktorit nuk sjellin para (përveç rasteve kur këta e përdorin talentin për të reklamuar druvarët). Me shumë gjasa, si në “Vitin 84” të Orwellit, së shpejti kryedruvari do të hapë  edhe një ministri të reduktimt të gjuhës, që do ta institucionalizojë nxjerrjen jashtë përdorimit të fjalëve të tilla.
***
E pra, diskursi post-tërmet nuk më jep shpresë se do të ndryshojë gjë, pikërisht sepse shoh që sëpata e druvarëve vazhdon të presë me tërbim. A e dëgjuat kryedruvarin e Bashkisë së Tiranës që së fundi i quajti “çetë” që “kërkon t’i kundërvihet zhvillimit” aktorët, artistët dhe intelektualët që mbrojnë Teatrin Kombëtar nga shembja? Asnjë fije reflektimi nuk ka ngjallur ky tërmet tek kjo specie, përkundrazi po e shohin edhe atë si një sfidë të re për sëpatat e tyre. A keni parë që kryedruvari të thërrasë në tryezë ndonjë poet, shkrimtar, arkeolog, ekolog, muzikant, zoolog, biolog që t’i thotë se  projekti i strehimit të banorëve duhet të ndërtohet mbi idenë e frenimit të çimentifikimit e betonizimit të mëtejshëm të kësaj cope natyrë që na ka rënë për hise: se ajo na duhet edhe për gjëra të tjera përveçse për dru me pre (duke e mbështetur këtë edhe me faktin se numri i ndërtimeve që kanë bërë druvarët këta 30 vjet i tejkalon, ndoshta disa herë, nevojat e shqiptarëve për banim)? A keni dëgjuar t’i thotë dikush se sikur të kishim ndërtuar një jetë në harmoni me natyrën dhe jo kundër saj, një sistem vlerash që ushqen dëshirën për të jetuar mes natyrës dhe jo për ta masakruar atë, se sikur të kishim pasur ca më shumë dije e dashuri për arkeologjinë e monumentet e kulturës, sot, në një qytet me histori botërore si Durrësi, jo vetëm do kishim pasur shumë më pak dëme, por do të ishim pasur edhe shumë herë më tepër solidaritet kombëtar dhe ndërkombëtar për t’i  riparuar ato? 

Prandaj në vend të urimit po shpreh këtu paralajmërimin se Shqipëria, po nuk ndryshoi kulturën që e ka shndërruar në republikë të druvarëve, duke ndryshuar edhe institucionet që ka ngritur kjo kulturë,  rrezikon të pësojë fatin e Ishullit të Pashkëve. Për ata që nuk e dinë historinë e këtij ishulli, po e them me dy fjalë: atje dy fise druvarësh u vunë në garë se kush do të ndërtonte statujat prej guri më të larta. Duke qenë se për këtë kishin nevojë të ngrinin skela druri filluan të presin pemët e pyllit. E bënë këtë punë për disa breza rresht derisa e shpyllëzuan ishullin aq sa erozioni bëri pastaj  të vetën dhe, më në fund, ishulli u zbraz nga njerëzit dhe mbeti i banueshëm vetëm për statujat absurde prej guri. (Panorama, 30 dhjetor 2019)

Read More......

Monday, December 23, 2019

Dënimi i Salianjit - drejtësia që kalon Rubikonin

Dënimi i ish-deputetit Salianji nga Gjykata, sipas meje – në ndryshim nga ata që u bien fanfarave se reforma po realizohet me sukses – është një moment tepër ogurzi për drejtësinë shqiptare, ku kam parasysh edhe Prokurorinë, edhe gjykatat. Çfarë nënkuptoj me këtë? Drejtësia jonë në vitet paraardhëse ka pasur shumë probleme, por, nëse do ta sintetizojmë qëndrimin e saj ndaj politikës, shprehja që e ka karakterizuar ka qenë ajo e përdorur dikur: “Fle mbi dosje”. Pra, kemi pasur një drejtësi që nuk ka guxuar të merret me çështjet e nxehta të korrupsionit të politikanëve tanë. Ajo ka hezituar, ose nuk ka guxuar, apo ka bashkëpunuar me politikanët për të mos dënuar ata, për të cilët kishte prova se duheshin dënuar, duke mos hapur çështje, duke kapërcyer afatet, duke fshehur prova etj. Ajo ka anuar gjithnjë nga pushteti i maxhorancës së radhës, por është treguar e kujdesshme edhe në trajtimin e politikanëve të opozitës si të paprekshëm, paçka se kundër tyre mund të ketë pasur prova.
Në këtë aspekt, ajo që ndodhi me Salianjin është një kalim Rubikoni, për fat të keq në drejtimin e gabuar, pasi e pamë drejtësinë të kalojë nga një rol gjithsesi pasiv politik në një rol aktiv kundër opozitës, dhe ç’është më e frikshmja, jo duke iu referuar provave, por duke fabrikuar prova.
Lidhur me çështjen “Salianji”, publiku është njohur me dy versione që bënin fajtor ose njërën palë politike, ose palën tjetër. Versioni i paraqitur nga opozita, protagonist i së cilës u bë Salianji, ishte se gazetari investigativ Olldashi kishte arritur, nëpërmjet ish të dënuarit, i ashtuquajtur Babale, të provonte me incizim se vëllai i ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj – i dënuar në Itali për trafik droge – vazhdonte aktivitetin kriminal në Shqipëri. Këtë incizim, duke mos mundur ta botonte nëpër media, ai më në fund ia çoi PD-së, e cila e bëri publik, duke krijuar një skandal politik tashmë të njohur, që çoi edhe në largimin e Xhafajt nga posti.
Versioni i maxhorancës, që u shpalos që ditën e dytë pas shpërthimit të skandalit nëpërmjet gojës së Kryeministrit, ishte se kishim të bënim me një manipulim të kryer në laboratorët e PD-së, se ai e kishte çuar incizimin në një laborator të huaj (emrin e të cilit nuk e tha kurrë), që kishte provuar se zëri nuk ishte ai i vëllait të ministrit. Ky version u konsolidua më pas nëpërmjet daljes në skenë të një personazhi të dënuar disa herë (Fredi Alizoti), i cili deklaroi se ishte ai që kishte simuluar zërin e vëllait të ministrit, i shtyrë nga premtimi se deputeti i PDsë, Salianji, do t’i jepte për këtë 100 mijë euro dhe që, po denonconte, sepse nuk i kishte marrë paratë (ndërkohë që Babalja i kishte marrë 200 mijë eurot e veta). Pra, sipas këtij varianti, në regjistrim kemi zërin e Babales dhe Alizotit, kurse i përdoruri i tretë është gazetari Olldashi, i cili deklaroi se ia ka dhënë stilografin Babales për të regjistruar Xhafajn në lokalin e tij, por gjatë regjistrimit nuk ka qenë prezent.
Ky është versioni që pranoi Gjykata, e cila dënoi për kallëzim të rremë Babalen me 3 vjet, Alizotin me 2 vjet, Salianjin me 1 vit dhe Olldashin me 100 ditë punë sociale për shlyerje dënimi.
Lidhur me këtë version nuk mund të flasim për gabime interpretimi nga ana e prokurorëve, por ose për vërtetësi të tij, ose për fabrikim me dashje. Dhe këtu konsiston kalimi i Rubikonit nga drejtësia sepse fabrikimi e fut drejtësinë në një rrugë që na kujton praktikat e një kohe shumë të errët. Dhe për mua ka shumë elementë në këtë histori, që na çojnë tek ato praktika ku vendimet i merrte pushteti politik, kurse Hetuesia, Prokuroria dhe gjyqësori kishin detyrë t’i vulosnin.
Për të përmendur vetëm ato më kryesoret: veprimi i parë depistues, që përcaktoi edhe linjën e hetimit nga Prokuroria, ishte deklarata e rreme e Kryeministrit, se laboratori i huaj kishte vërtetuar se nuk ishte zëri i Argon Xhafajt. Fill pas saj, Prokuroria, në vend që të hapte një hetim për aktivitetin kriminal në Shqipëri të Xhafajt (përveçse atë për kallëzim të rremë në dëm të ministrit dhe të vëllait), hapi hetim vetëm për këtë kallëzim. Lejimi prej saj i ikjes së vëllait të ministrit në Itali të nesërmen ishte tejet komprometues në këtë aspekt. Dhe sigurisht nuk mund ta shohim këtë veprim pa kujtuar edhe trajtimin para pak kohësh të komisar Zaganit nga Kryeministri dhe Prokuroria, ku, ndërkohë që ky kishte thënë disa fakte që dolën të vërteta mbi ministrin tjetër të Brendshëm, Tahiri, u akuzua si zagar nga Kryeministri dhe u dënua me arrest në shtëpi me kërkesë të Prokurorisë.
Nuk dua të zgjatem këtu me argumentet e shumta, që më bëjnë të mendoj se kemi të bëjmë me fabrikim dhe fshehje provash nga ana e Prokurorisë, ku spikat krimineli Alizoti, i cili doli se pasi ka shkuar në Polici të denoncojë veten për t’u futur në burg (ngaqë nuk i kanë dhënë 100 mijë euro), ka shkuar në zyrat e PD-së për të kërkuar eurot, i cili, ndërkohë që me Salianjin nuk ka asnjë bisedë telefonike, ka shumë të tilla me shefat e Policisë, ku, çuditërisht, u flet me tone urdhërore.
Por nuk mund të mos ma përforcojë bindjen se këtu kemi të bëjmë me fabrikim dhe fshehje provash edhe vendimi i dhënë nga gjykata. Nëse do të pranojmë versionin se arkitekti i gjithë këtij maskarallëku qenka deputeti Salianji, atëherë dënimi i tij me 1 vit nuk justifikohet sepse do të duhet të ishte shumë më i rëndë, patjetër edhe më i rëndë se ai i Babales dhe Alizotit (ndërkohë që Prokuroria kërkoi që të dënohej edhe më pak: 1 vjet me kusht). Jo vetëm, por ai do të duhej të ishte hetuar edhe se ku i ka gjetur 200 mijë eurot që i paska dhënë Babales si pastrim parash e bashkëpunim me të tjerë (paçka se nëse i paska dhënë atij 200 mijë, s’ka pse mos t’i jepte edhe Alizotit 100 mijë).
Sipas mendimit tim, kërkimi i një dënimi kaq të lehtë nga Prokuroria, për një krim që personalisht e mendoj shumë të rëndë, sikur të ishte i vërtetë, psikologjikisht nuk mund të shpjegohet veçse me një kompleks faji nga prokurorët, që, duke e ditur se e vërteta është krejt tjetër nga ajo që kanë fabrikuar, nuk kanë dashur të shtyhen edhe më thellë në krim. Por një fjalë e urtë thotë: “krimi ndjell krimin”. Siç e thashë, ky ishte një kalim Rubikoni për drejtësinë nën shtysat e një Kryeministri, që ka kohë që e ka kaluar Rubikonin e tij, duke punuar me ngulm që të përdorë drejtësinë për eliminimin, kërcënimin apo frikësimin e kundërshtarëve të tij politikë. (Panorama, 21 dhjetor 2019)

Read More......

Saturday, December 14, 2019

Edi Rama - hipokriti që bën nusen në dasmë dhe arkivolin në mort

 
Në ditët e para pas tërmetit e kam përshkruar Edi Ramën si një njeri, që, në panikun e përgjegjësisë, vuri në veprim të gjitha aftësitë e tij manipulative për t'ia veshur përgjegjësitë e pasojave të tërmetit natyrës, Zotit e kujtdo qoftë përveç vetes dhe të tijve. Në ditët në vazhdim, me ç'po na shohin sytë, ky panik, bashkuar me çrregullimet e rënda narçizistike të personalitetit, të manipulatorit pervers, po e bën gjithnjë e më të surreal e më të rrezikshëm. Ka një shprehje frënge për narçizistët si Rama që thotë: "Ata duan të jenë në rolin e nuses në dasmë dhe të arkivolit në mort". Ne rastin e tërmetit aktori në fjalë po arrin kulmin e karrierës së tij, sepse, më herët e kemi parë në rolin e nuses në dasmë, kurse me tërmetin po e shohim edhe në rolin  arkivolit në mort, madje duke arritur një sintezë tragjikomike të dasmës me mortin. Të tilla janë shfaqjet që po jep nëpër zonat e tërmetit i ndjekur hap pas hapi nga kamerat e Ertv, ku herë bën gallatë me fëmijët e traumatizuar nga vdekja e prindërve e humbjet e shtëpive, herë u jep urdhër qenve dhe servilëve që të heshtin në hallin e madh që e ka gjetur popullin; ku edhe transmeton non stop aktivitetin e tij, (edhe kur pi kafen në zyrë), edhe i urdhëron të zotët e shtëpive që viziton të mbyllin televizorin se sipas tij: është si të kesh shejtanin në shtëpi; ku një ditë e shohim t'i dridhet dora në një formë që të bën të mendosh se vuan nga një parkinson i avancuar, e ditën tjetër e shohim të ngrejë me një dorë në ajër, gjithë gaz, një foshnje dhe ta rrotullojë para kamerave si aeroplan (ndërkohë që ai i shkreti rrinte si i ngrirë), duke na bërë të mendojmë se dridhja e dorës ishte një lojë teatrale për të ngjallur ndjenja përdëllimi tek shqiptarët. Janë shfaqje në të cilat e ke vështirë të thuash nëse po bën nusen në dasmë, arkivolin në mort apo të dyja bashkë, por që dallohen edhe nga një hipokrizi e madhe, nëse me termin kuptojmë aktorin pervers, që ndërron faqe sipas interesit, që tjetër është e tjetër duket, tjetër flet dhe tjetër mendon. ("Hipokrit" e ka burimin nga fjala greke "hypokrites" që do të thotë "aktor".)
Në vazhdën e këtyre hipokrizive e pamë para disa ditësh të luajë rolin e arkivolit në mort në emisionin e Bruno Vespës "Porta a Porta". Me një pamje të pikëlluar, i veshur me kostum dhe kravatë të zezë, kërkoi t'i bënte italianët të mendonin se çfarë djali me shpirt të ndjeshëm u ka rënë për hise si kryeministër shqiptarëve, si dhe që të derdhnin ndihma në numrin e llogarisë bankare që ka hapur qeveria. Ato 15 - 20 minuta intervistë, ishin një shfaqje aktoriale gënjeshtrash manipulative.
Lajmi i shpërndarë në rrjet prej të birit, ku thoshte se edhe një e afërmja e tij kishte vdekur, i amplifikuar nga makina e propagandës në lajmin e vdekjes së një njeriu të shtrenjtë të familjes kryeministrore:  të dashurës apo të fejuarës së të birit, kishte arritur edhe në veshët e Vespës, i cili, me një pamje ngushëlluese, e filloi intervistën me këtë lajm. Kryeministri e kaloi ngushëllimin duke kaluar tek pikëllimi i tij për të gjithë shqiptarët. Ndoshta i erdhi zor nga i biri i cili nuk e ka quajtur "të dashur" apo "të fejuar", por “të afërme” dhe këtë e ka bërë o për të ruajtur diskrecionin o pse nuk e ka pasur të dashur, aq më pak të fejuar, dhe në fakt nuk kemi parë asnjë fotografi të të birit me këtë vajzë, aq më pak me vjehrrin e mundshëm. Por kur do të bësh arkivolin në mort  e vërteta apo diskrecioni nuk kanë pikë rëndësie. Aq më pak kur një sendërgji e tillë të çliron nga përgjegjësia e vdekjes së të ndjerës, e 50 të tjerëve, sepse në këtë rast distancohesh nga vrasësit dhe  bashkohesh me viktimat.
Gënjeshtrat manipulative vazhduan pikërisht me përgjegjësitë njerëzore për tragjedinë. Italianët nuk dëgjuan asnjë fjalë, si nga intervistuesi edhe nga të intervistuarit, për këtë. Sigurisht ata nuk dinin se nusja në dasmë dhe dasmorët e saj ishin tallur me Presidentin, kur ky, para disa muajsh,  u përpoq të vinte alarmin për rreziqet e tërmetit? Ata nuk morën asnjë shpjegim se përse, sipas "Il Fatto Quotidiano", mungonin hartat kadastrale të pallateve të shembura apo përse trupat e shpëtimit kishin punuar me duar e me lopatë, e jo me qen e mjetet që nevojiten në këto raste? Rama u tha italianëve se ishin shembur vetëm shtëpitë e vjetra, pallatet e komunizmit, (për të cilat nënkuptohej se fajin e ka tërmeti dhe komunizmi), dhe … ndoca ndërtime pa leje andej këtej. Asnjë fjalë për pallatet e dhëna me leje në Durrës  nga 2007 deri m 2019 nga bashkëpunëtori i tij më i afërt, Gjushi, një pjesë e madhe të ndërtuara nga ish-deputeti socialist Gashi, që, nga burime të besueshme, thuhet se janë 30% e pallateve të dëmtuara rëndë në Durrës.
Hipokrizia e Ramës shkëlqeu edhe me Sgarbin i cili, kur  Rama tha se arkitekti Casamonti do të merret me projektimin e ndërtimeve post-tërmet i tha: "kujdes se ai ka bërë Figline-n". Zgarbi e kishte fjalën për një projekt korruptiv (që e ka çuar Casamontin në burg), ku parashikohej restaurimi i një ndërtese të  vjetër historike duke e kthyer në diçka të stërmadhe, jashtë proporcioneve me kontekstin e qytetit Figline, për çka Sgarbi është shprehur se: "është krim që në vendlindjen e Bruneleschit të thërresësh një arkitekt për të ngritur një përbindësh." Tamam si puna e përbindëshit që ka realizuar Edi Rama dhe Casamonti në stadiumin Qemal Stafa, (korrupsion plus shkatërrim i trashëgimisë), por me ndryshimin se në Figline u ndërpre nga ndërhyrja e magjistraturës. Por hipokritit nuk i bëri syri tërr kur iu përgjigj: vërtet Casamonti ka bërë Filinen, por ka bërë edhe Stadiumin tonë që është tamam ashtu si i do ti gjërat, ku e vjetra ruhet.
Një kulm manipulativ personazhi e arriti kur, për t'u treguar italianëve se sa njerëz të mirë jemi ne shqiptarët, prandaj e meritojmë ndihmën e tyre, tha se Shqipëria është i vetmi vend që ka pasur më shumë ebrej pas Luftës sesa para Lufës, medemek ngaqë shqiptarët i karakterizon kulmi i humanizmit në Evropë. Nuk është këtu vendi të përgënjeshtroj këtë mit që nuk e ka shpikur Rama (Kush është kurioz mund të lexojë një shkrim timin "Holokausti dhe persekutimi komunist" Korrieri, 1 shkurt 2008 të ribotuar këtu on line http://www.zemrashqiptare.net/news/2345/fatos-lubonja-holokausti-dhe-persekutimi-komunist.html?skeyword=a), por të tregoj shtresëzimin e ri fantastik që i shtoi mitit pinoku. Duke menduar italianët katolikë tha se priftërinjtë katolikë shqiptarë paskan bërë mrekullira në atë kohë, që nuk i ka bërë askush: kanë pagëzuar ebrejtë për t'i shpëtuar nga holokausti. Po manipulonte një target duke harruar se mund të godiste indirekt pjesëtarë të tjerë të popullit shqiptar. Sepse është e ditur se në Prishtinë, që ishte pjesë e shtetit shqiptar asokohe, ka pasur një kamp përqendrimi ku kanë humbur jetën 200 ebrej, madje se shqiptarët e Kosovës kanë ngritur edhe batalionin SS Skanderbeg për arsye që s'kanë të bëjnë me fenë, por me nacionalizmin. Por, përtej të vërtetës historike, sipas së cilës edhe nëse mund të flitet për një tolerancë të shqiptarëve ndaj ebrejve kjo i atribuohet trashëgimisë së perandorisë multireligjioze osmane, të paktën mos të përmendte vetëm klerin e një minorance 10% për shpëtimin e ebrejve në një popullsi që ka edhe 70% myslimanë dhe 20% ortodoksë, pa llogaritur shqiptarët e Kosovës.  Mund të përmendte edhe ndonjë hoxhë, baba apo prift ortodoks. Po hipokriti nuk merakoset. Shqiptarëve u interesojnë lekët që do mbledh, - thotë me vete - prandaj do ta duartrokasin këtë gjetje fantastike.  Pastaj, edhe për myslimanët e kam gati Kuranin në xhepin tjetër.
Dhe kështu, pas ca ditësh, u shfaq në Stamboll para investitorëve turq të cilëve u tha: "Kurani i lavdishëm na mëson se asnjë gjethe nuk e prek tokën pa lejen e Zotit. Kurani i lavdishëm na mëson se katastrofat janë sprova për njerëzimin që të spastrohet nga mëkat e të pendohet." "Cila është fytyra më e bukur në Islam, sipas profetit të Zotit? - paqja qoftë mbi të -: të ndihmojmë ata që njohim dhe ata që nuk njohim."
E pra, në këto ditë të jashtëzakonshme, ku kriza morale është më e madhe se fatkeqësia materiale e kërkohet dashuri e vërtetë dhe jo shtirje perverse, çështja shtrohet: a mund t’i besohet pastrimi ynë nga mëkatet, pendimi ynë, krijimi i solidaritetit një hipokriti si Edi Rama, që këtej shet humanizmin dhe tolerancën e shqiptarëve dhe më anë tjetër përdor edhe qentë që lehin për të fyer shqiptarët që i flasin për përgjegjësitë? ("Hiqe more atë analist!" i tha një banori për qenin që po lehte jashtë derës.)  Meqënëse po flet kaq shumë për Kuranin dhe Profetin le ta japim përgjigjen me Kuranin dhe Profetin: Ja ç'thotë Muhamedi për hipokritët: "Kush ka katër karakteristikat e mëposhtme është një kryehipokrit […]: 1. Kur sa herë i besojnë, tradhëton. 2. Kur sa herë flet, gënjen. 3. Kur sa herë  bën një pakt, tregohet i pabesë. 4. Kur sa herë grindet, sillet pa respekt, në mënyrë të keqe dhe fyese."
 Dhe ja  se ç'thotë Kurani për hipokritët që mashtrojnë me oratorinë dhe paraqitjen e tyre: "Kur ju i shihni ata, pamja e tyre e jashtme ju pëlqen:  nëse flasin, ju i dëgjoni fjalët e tyre. E megjithatë ata janë si trungje që rrinë në këmbë të mbajtur me cungale (pa rrënjë). Ata kujtojnë  se çdo thirrje që dëgjojnë është kundër tyre. (kujtoni historinë e qenit F.L.)  Ata janë armiqtë e vërtetë, andaj ruajuni prej tyre. Mallkimi i Allahut rëntë mbi ta! Sa shumë janë larguar (nga e vërteta).!"
Për ata që nuk u pëlqen urtësia e Muhametit, sepse janë të krishterë le t'i drejtohen Ungjillit se çfarë thotë Krishti për farisenjtë. Unë po e mbyll këtë shkrim për të gjithë me një thënie popullore: "Hipokriti bën keq punët e mira dhe bën mirë punët e këqija. "  (Panorama, 12 dhjetor, 2019)

Read More......

Thursday, December 5, 2019

Rama në panikun e përgjegjësisë


Shumë njerëzve u ka bërë përshtypje përdorimi nga Edi Ramës i shprehjes “pabesi e natyrës” në mesazhin e parë të ditës së tërmetit. Personalisht më bëri të qesh hidhur, por edhe më futi në reflektim. Qesha duke thënë me vete se edhe në këtë rast ky njeri, që nuk mund të komunikojë veçse në mënyrë manipulative, nxitoi të gjejë armikun për t’ua hedhur si kockë njerëzve, me synim që të largojë çdo përgjegjësi nga vetja. Qeshja ishte e hidhur, sepse, duke dëgjuar ato fjalë, thashë me vete se edhe kësaj here, me ç’duket, faji do të mbetet jetim.
E vërteta është se edhe sikur ta marrim natyrën si një qenie me vullnet e qëllime të mbrapshta ndaj njerëzve, nuk mund të thuhet se na ka bërë një pabesi, sepse ajo na ka paralajmëruar vazhdimisht se herë pas here do të na tregojë se është më e fortë se ne. Paralajmërimin e fundit ajo na e dha vetëm para dy muajsh në tërmetin e 21 shtatorit. E megjithatë fjala e parë që i doli këtij njeriu nga goja ishte fjala “pabesi e natyrës” dhe jo përgjegjësitë që kemi ne për shkallën e tragjedisë që krijoi ky tërmet.
Pas disa ditësh, ngaqë e kuptoi se kishte shkuar larg me përdorimin e natyrës si armik, apo ndoshta kur pa se kishte shkaktuar zemërimin e besimtarëve, që punë të tilla si tërmetet ia atribuojnë Zotit, i cili nuk mund të jetë armik dhe i pabesë ndaj krijesave të tij, manipulatori gjeti një shprehje tjetër:  “është e shkruar” u thoshte njerëzve, duke ia vënë përgjegjësinë e vdekjes së 51 qyqarëve Zotit. Por në këtë rast harroi se ata që besojnë në Zot punë të tilla si tërmetet i quajnë ndëshkime për shoqëri keqbërësish që janë zhytur në krim e degjenerim. Duket që ky tërmeti e ka çoroditur shumë Ramën, sepse e ka zënë paniku i përgjegjësisë. Me siguri sikur t’i dilte vetë Zoti përpara do t’i thoshte se korrupsionin e degjenerimin, për të cilin ai i ndëshkoi shqiptarët, e kishte krijuar opozita deri në 2013-të, e se ai kishte bërë një gabim të madh që e hodhi tërmetin ndëshkues në kohën e qeverisjes së tij, por për këtë e kanë fajin gazetarët e kazanit që e kanë keqinformuar.
Nga paniku i përgjegjësisë për vdekjen e 51 vetave dhe dëmet kolosale që ka pësuar vendi Edi Rama nuk po le gjë pa bërë. Po luan teatër ku të mundet e si të mundet që të prekë njerëzit, që tu thotë se ai është njeri i mirë, që i do ata si Gregun, veç që të mos mendojnë se ai ka ndonjë përgjegjësi për këtë që ndodhi.  Ndërkohë që në këtë aktrim  bëri armik natyrën dhe Zotin, e harroi fare armikun që e ka përqeshur, kërcënuar e fyer pafund, opozitën, duke e ftuar atë të ulet në tryezë me të për të zgjidhur këtë hall të madh. Harroi se tepsinë e donte të tërën për vete dhe tani që në tepsi ka mbetur vetëm përgjegjësia dhe  vështirësia e pamasë që ka krijuar kjo tragjedi, e fton Lulzim Bashën t’i ndajë llokmat e boshësisë me të. Por nuk mjaftohet vetëm me këtë. Ndërkohë që gjatë dymbëdhjetë vjetëve kryetar bashkie nuk la fushë futbolli e basketbolli pa e kthyer në shesh ndërtimi të pallateve monstra, shkon në spitale tek fëmijët e plagosur të mbetur pa prindër e pa shtëpi dhe luan teatër me ta duke u dhuruar topa basketbolli e duke u premtuar se do t'u sjellë fanellat e Ronaldos dhe Donarumës të firmosura prej tyre (sepse i ka miq të afërt). Çmenduri! Por në këtë çmenduri nuk harron t’u thotë atyre, që të dëgjojnë të gjithë, që të mos shikojnë televizor dhe të mos hyjnë në facebook sepse atje (nënkuptohet) mund të dalin armiqtë që flasin për përgjegjësitë e tij.  Të mjerët fëmijë! Kur t’i shohin këto filmime të rritur do të kuptojnë se kë kanë takuar në ditën e tragjedisë së tyre më të madhe.
Ajo që na ndodhi me këtë tërmet tragjik: vdekja e 51 personave, shembja apo kthimi në të pabanueshme i qindra, mos mijëra ndërtesave, trauma psikike e një populli të tërë, kostot që do të na duhet të paguajmë në të ardhmen do të kishin qenë shumë herë më të vogla, ndoshta edhe të papërfillshme, sikur të mos kishim pasur në krye njerëz si Edi
Rama me shokë që kanë inkurajuar, me veset e tyre, pjesën më të keqe të njeriut shqiptar, e që ia kanë dhënë në dorë fatet tona e të natyrës që kemi trashëguar nga paraardhësit pjesës më të mbrapshtë të shoqërisë. Edi Rama në 12 vjet kryetar bashkie nuk bëri një plan urbanistik, i cili përcakton, përveç të tjerave, edhe lartësitë e ndërtesave sipas zonave sizmike dhe gjeologjike. Ai shkatërroi çdo institucion shtetëror që kontrollon mënyrën e ndërtimit duke ua lënë në dorë gjithçka oligarkëve të tij sipas parimit “Një pallat një votë.” Ai bëri gjithçka që të kontrollojë mediet dhe gazetarët dhe specialistët që duhet të informonin njerëzit edhe për rreziqet që paraqisnin këto lloj ndërtimesh. Nën shembullin e tij pararojë kështu kanë vepruar në Durrës dhe kudo jo vetëm të tijtë, por edhe ata të opozitës. Mënyra se si i ka shpenzuar paratë publike për t’i shpërndarë nëpër duart e babëzitura (për një kilometër rrugë 20 milion euro) ka bërë që trupat e shpëtimit, për turp të botës, të punonin me duar dhe lopata për nxjerrjen e viktimave. Janë këto përgjegjësi morale dhe ligjore që e kanë panikuar Edi Ramën e që ai kërkon t’i verë në heshtje me çdo mjet, deri edhe me kërcënime mbylljeje të portaleve apo edhe me arrestime. E pra, të mos flasësh për përgjegjësi në këto ditë, është sikur të rrish të qash të vrarin në shtëpi pa kërkuar të dish se cili është vrasësi dhe  nëse u kap apo jo. Është  e sigurt se në këtë rast ai do kryejë vrasje të tjera.
Thënë të gjitha këto për këtë njeri që meriton të ndëshkohet dhe jo t'i lihet në dorë menaxhimi i katrahurës së shkaktuar nga ky tërmet - nëse duam që të ngrihemi mbi të dhe jo të zhytemi edhe më - ngulmoj se vrasësi duhet kërkuar jo thjesht tek ky njeri, por tek një sistem dhe një kulturë që ka pjellë njerëz të tillë. Shtjellimin se çfarë kam parasysh me këtë po ia le shkrimit mbi reflektimet që më ngjalli shprehja e Ramës "pabesi e natyrës".  (Panorama, 2 dhjetor 2019)

Read More......

Monday, November 18, 2019

Për partinë e njerëzve të Astirit

Fakti që qeveria policia, drejtësia, mediat më të rëndësishme janë bërë palë me disa pak oligarkë e banditë kundër shumicës së shqiptarëve, kjo është e qartë tashmë kudo, por tek Astiri ky fakt ka kohë që ulëret në mënyrë të veçantë. Mjaft të kujtojmë që Prokuroria nuk ka hetuar aspak për planin e grabitjes së 20 milion eurove me falsifikim dokumentesh tek projekti Astiri, apo për shkeljet ligjore në projektin e shkatërrimit të pronave të banorëve, ndërkohë që ka goditur vazhdimisht protestuesit me arrestime. Por dhuna që u ushtrua para dy ditësh në prishjen e shtëpive të banorëve të Astirit, duke shkelur, e përsëris, ligjet kombëtare dhe ndërkombëtare, na tregoi, si kurrë herë tjetër, dhëmbët e një regjimi që po fashistizohet dita ditës. Ajo na paralajmëroi se ose frymëzuesit dhe  bashkëpunëtorët e tij këtij regjimi duhet të ndëshkohen sa më parë, jo vetëm politikisht e moralisht, por edhe ligjërisht, ose dëmet e pariparueshme që po i bëjnë këtij vendi do të rriten në mënyrë dramatike sipas thënies “krimi ndjell krimin”. Por që ndëshkimi të bëhet i mundur situata e krijuar meriton të analizohet thellë për të diagnostikuar sëmundjen që ka kapluar vendin, dhe për të gjetur rrugët e shpëtimit.
***
Diagnostikimi duhet të fillojë me pyetjen: si ka mundësi që interesat e dy-tre njerëzve tek Astiri rezultuakan më të forta sesa interesat e mijëra njerëzve edhe kur këta të fundit kanë ligjin me vete? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhet shtruar një pyetje tjetër:  a kanë njerëzit e Astirit një parti që t’i përfaqësojë e mbrojë realisht? Unë them se jo dhe se ky është shkaku më i thellë se pse po ndodh ky fashistizim i vendit. PD, LSI dhe partitë më të vogla opozitare rreth tyre sot po përpiqen të frenojnë politikat e Edi Ramës që po i heq sistemit edhe maskën e fundit demokratike, por, siç e tregoi edhe dhuna tek Astiri, kaq nuk mjafton për të ndaluar fashistizimin e vendit. E vërteta e hidhur është se asnjëherë  këto parti nuk kanë pasur në vizionin dhe programin e tyre përfaqësimin e interesave të shtresave më të pambrojtura të shoqërisë. E vërteta edhe më e hidhur është se, kur kanë qenë në pushtet, këto parti kanë përfaqësuar interesat e të njëjtës pakicë që sot, së bashku me Ramën, policinë, drejtësinë shumicën e mediave po lufton njerëzit e Astirit. Kujtoj se një nga oligarkët protagonistë të korrupsionit, nga i cili nisi edhe projekti Astiri, ishte Bashkim Ulaj, i cili është një nga katër oligarkët kryesorë që Rama, kur iu desh tu përgjigjej akuzave të opozitës për bashkëpunim me oligarkinë kundër njerëzve, e përmendi si një nga ish-mbështetësit kryesorë të PD-së, sëbashku me Kastratin, Manen dhe Gecin.
E pra, në një vend ku partitë e ndryshme përfaqësojnë shtresa të ndryshme social ekonomike –-mos të harrojmë se edhe vetë fjala parti ka kuptimin pjesë -  njerëzit e Astirit do të duhej të përfaqësoheshin nga një parti e majtë, siç vetëquhet PS-ja. Mirëpo, duke pasur parasysh faktin se të katër oligarkët e përmendur nga Rama janë sot shtylla të pushtetit të tij është e qartë se nuk ka asnjë shans ta shohim ndonjëherë Edi Ramën dhe rilindësit e tij në anën e barrikadës ku janë njerëzit e Astirit. Problemi është se ajo që ndodhi tek Astiri pardje, tregoi se vështirë se do të shohim në atë anë barrikade edhe opozitën. E them këtë pasi për mua, si reagim ndaj asaj që ndodhi, nuk mjaftonte kurrsesi prania apo sakrifikimi i deputetit të PD-së Balliu, apo vizitat në spital të Bashës tek të plagosurit nga policia. Atje do të duhej të ishte partia që mungon e njerëzve të Astirit me të gjithë militantët e saj për të mbrojtur, nëpërmjet atij rasti, një kauzë kombëtare, për t’i thënë jo fashistizimit të mëtejshëm të vendit.
***
E vërteta e hidhur është se banorët e Astirit dhe, më në përgjithësi, pjesa më e brishtë e shoqërisë, ku mund të fusim edhe tregtarët e vegjël, nuk përfaqësohen nga ndonjë parti politike ekzistuese. Shkaku i këtij mospërfaqësimi është një fenomen jo vetëm shqiptar, por që, në vende si Shqipëria po shfaqet në mënyrën e tij më të egër. Sikurse e kam shpjeguar edhe më herët ky është një kapitalizëm ku po shuhet kundërvënia midis partive e organizatave të borgjezisë dhe partive e organizatave të proletariatit që, duke u ndeshur dhe dialoguar, kanë bërë që, deri në vitet 90, të ketë në Perëndim arritje sociale të rëndësishme. Kapitalizmi i sotëm, produkt i neoliberizmit dhe globalizmit, është ai në të cilin më një anë kemi një pakicë që pasurohen, dhe, më anën tjetër, shumicën e kthyer në atome pa përkatësi dhe pa përfaqësim. Problemi  i të pasurve post-borgjezë sot është se ndryshe nga borgjezia në shekullin XIX- XX u mungon gjithnjë e më shumë një ndjenjë përkatësie dhe vlerash të saj si dhe ajo që Hegeli e quante “vetëdija e palumtur” (pjesa e vetëdijes që e çon njeriun drejt Zotit, idealeve, vlerave që e kapërcejnë personalen, materialen, të përkohshmen) e që i ka çuar borgjezë si Marksi, Engelsi e shumë e shumë intelektualët të shquar perëndimorë në krah të lëvizjeve socialiste. Problemi i të atomizuarve është se nuk po gjejnë dot ende alternativën për të dalë nga kjo gjendje, por se gjithsesi janë në kërkim të ethshëm të saj dhe kriza që po përjetojnë partitë e majta dhe të djathta liberiste në Evropë e provon këtë.
Problemi shqiptar është se ne i kemi dhënë këtij lloj kapitalizmi trajtën më të shëmtuar dhe të egër, atë fashistoide. Një nga arsyet kryesore pse ka ndodhur kjo është se, ndryshe nga në Perëndim, ne kemi kaluar direkt nga kapitalizmi i djeshëm shtetëror: ku një organizatë banditësh, e quajtur Partia e Punës, i ktheu njerëzit në argatë për epshe pushteti e privilegjesh në këtë kapitalizëm të egër ku kryeministri “socialist” nuk ngurron t’u thotë kapitalistëve perëndimorë, (që në frymën e globalizmit e neoliberizmit dominant nuk e kanë më problem të lenë pa punë bashkëkombasit e tyre), të vijnë në Shqipëri sepse këtu nuk do të bezdisen aspak nga organizata të tilla si sindikatat (sigurisht aq më pak nga ndonjë parti socialiste sepse atë e ka kapur vetë në dorë sëbashku me oligarkët dhe kriminelët e tij). Pra, sipas fenomenit të ekstremeve që puqen: ne sot jemi katandisur në një situatë ku ashtu si partia e nomenklaturës së djeshme edhe partia e oligarkëve të sotëm  kontrollon thuajse krejt ekonominë (në këtë rast edhe atë kriminale të trafiqeve të drogës), kontrollon plotësisht policinë, kontrollon plotësisht drejtësinë, kontrollon thuajse krejtësisht mediet, ka nxjerrë jashtë tepsisë partitë e tjera rivale në përfaqësimin e oligarkëve dhe pretendon të përfaqësojë edhe të shtypurit prej tyre me kusht që të ulin kokën se përndryshe i gjen ajo që i gjeti astirasit. Ja kjo e shpjegon dhunën fashistoide që pamë tek Astiri.

***
Që të ndryshojë kjo situatë duhet parë në sy fakti se nëse njerëzit e Astirit do të merrnin sot lekët e kompensimit që kërkojnë do të shpërndaheshin, si atome që janë, për të banuar nëpër pika të ndryshme të Tiranës pa menduar më gjatë se ka diçka që nuk shkon në këtë sistem që i ka sjellë në këtë gjendje e që mund të përsëritet në forma të tjera ndaj tyre. E njëjta gjë mund të thuhet për banorët e Kukësit që pasi fituan një betejë me shtetin e Kastratit u kthyen në jetën e tyre prej atomesh të pambrojtur pa reflektuar asnjë çast se shteti i Kastratit do t’ua marrë ndryshe ato lekë që kursyen. Edhe atje, po të kujtojmë mirë, ishin njerëzit e pakënaqur që me protestat e tyre të dhunshme ndaluan zhvatjen e tyre, kurse PD-ja u dha një mbështetje të vakët që shpjegohet pa dyshim edhe me atë  se, në pushtet, ka qenë partia e oligarkëve që i ka rrëmbyer ujin shumicës për t’ua dhënë oligarkëve që ta çojnë në hidrocentralet e tyre. 

Si përfundim
Fashistizimin e vendit deri në këtë shkallë nuk duhet ta shohim si diçka që na erdhi si rrufeja në qiell të kaltër. As si rezultat i psikopatisë dhe narçizizmit malinj të një personi si Rama. Sëmundja e tij do të kishte mbetur rrezik vetëm për të sikur të mos ushqehej nga sëmundja plitike ekonomike kulturore që ka kapluar vendin. Ai erdhi sepse njerëzit e Astirit protestojnë sot pa një vetëdije përkatësie dhe pa një parti politike apo lëvizje në nivel kombëtar, që tu afrohet atyre për t’i vetëdijesuar dhe organizuar rreth një vizioni tjetër për të ardhmen e tyre e të vendit. Sikur PD-ja, LSI-ja e partitë e tjera të kishin qenë vërtet parti përfaqësuese të  njerëzve të thjeshtë, e të kishin punuar për ta, Edi Ramës dhe banditëve e shërbëtorëve të tij as do t’u shkonte ndërmend të bënte atë që bëri tek Astiri sepse  përndryshe dy kilometrat rrugë tek Astiri do të ishin kthyer në një fushëbetejë nga e cila policia e oligarkëve do të ishte tërhequr me turp dhe qeveria do të kishte rënë, në mos arratisur nga vendi. Puna është se si PS-ja, PD-ja edhe LSI-ja apo ndonjë parti tjetër më e vogël i kanë përdorur këta njerëz thjesht si mish për top kundër njëra tjetrës duke i tradhëtuar sapo kanë ardhur në pushtet. Mjafton të kemi parasysh se ai që po u prish sot shtëpitë, kur mori pushtetin në 2013, u thoshte se jo vetëm nuk do t’i prishte, por do t’i legalizonte që ato t’i përdornin si kapitale hipotekare për të kërkuar hua zhvillimore nëpër banka.
E pra, nëse lufta midis partive të oligarkëve ka rritur  sot në finish është koha të fillojë lufta kundër partisë fashistoide të oligarkëve me partinë apo lëvizjen e shqiptarëve të nëpërkëmbur dhe poshtëruarve prej tyre. Me këtë nuk dua të them se PD-ja apo LSI-ja duhet të reshtin së ekzistuari apo që nuk duhet të vazhdojnë luftën e tyre, aq më tepër pasi shpresoj se përvoja e hidhur e këtyre kohëve të fundit mund tu ketë dhënë mësime të vyera për vetëkorrigjim. Por, meqenëse tashmë duket sheshit se ato nuk mund të kapërcejnë limitet që u ka vënë një histori e gjatë që i ka ndarë nga njerëzit e nëpërkëmbur të këtij vendi them se ka ardhur koha që jo vetëm të vetëkorrigjohen e t’i bëjnë thirrje për vetëkorrigjim pjesës më të vetëdijshme të oligarkëve duke u distancuar nga ky regjim fashistoid, por edhe ti hapin rrugën e krijimit (e të bashkëpunojnë nesër) partisë së njerëzve të Astirit, për njerëzit e Astirit në të gjithë Shqipërinë. (Panorama, 14 Nëntor 2019)

Read More......

Wednesday, October 23, 2019

Gishti i ambasadorit të OSBE-së si metaforë (ose për ata që thonë "nuk ka alternativë")

 
Gishti i ngritur i Ambasadorit të OSBE Boschard ndaj protestuesve të Astirit, si përgjigje e thirrjes së tyre: "Shame on you", dhe pastaj ndjesa e tij për këtë akt, duhen parë si metaforë e raportit të ndërkombëtarëve me shqiptarët që po ndeshen me arrogancën skandaloze të pushtetit. Sipas meje,  "Shame on you" duhet interpretuar si një thirrje e shqiptarëve drejtuar jo thjesht OSBE-së, por edhe Ambasadës Amerikane, asaj të BE-së e të tjerë aktorëve ndërkombëtarë të përfshirë në punët tona; gishti, si përgjigja e  tyre e parë që tregon se janë bërë palë me qeverinë, kurse ndjesa si një shenjë se ata edhe mund ta tërheqin këtë gisht, meqë për gishta në b…ë shqiptarët e gjorë kanë boll atë të Edi Ramës e të oligarkëve e kriminelëve që bashkëpunojnë me të.

Sigurisht ndërkombëtarët kanë edhe argumentet me të cilët e mbështesin gishtin ndaj shqiptarëve që protestojnë. Një nga argumentet që më ka qëlluar të dëgjoj më shpesh në bisedat me ta është ai: "po cila është alternativa?"; në kuptimin se edhe opozita, me këta që nxjerr në rrugë, është e njëjta gjë; se nuk ka ndonjë forcë të re (alternativë) që ta mbështesin. Është një argument që e përdorin edhe shumë shqiptarë, madje dyshoj se ndërkombëtarët e kanë huazuar nga shqiptarët. Edhe mund tu japësh të drejtë, po të kemi parasysh se mendimi "nuk ka alternativë"  ka ardhur duke u forcuar për shkak të zhgënjimeve të njëpasnjëshme me partitë që na kanë qeverisur, dhe se nevoja për njerëz të rinj të besueshëm ndjehet fort në vend. Por gjykoj se ndërkombëtarët, që pretendojnë të jenë aktorë të rëndësishëm ndryshimi në vendin tonë, nuk mund dhe nuk duhet të adoptojnë kurrsesi shprehjen "nuk ka alternativë". Kjo, sepse në këtë argument ka një kontradiktë që lidhet me faktin se demokracia nuk është një zgjidhje apo zgjedhje përfundimtare nëpërmjet një alternative, sado e mirë dhe e dëshirueshme të jetë kjo, por është një proces pa fund. Edhe vetë ideja e negociatave për pranimin në BE nënkupton një proces ku ndërkombëtarët kanë një rol të rëndësishëm, që nuk është mbështetja e një "alternative", por ndikimi në proces me atributet e një pale që luan rolin e arbitrit të paanshëm midis palëve në proces, që ka si busull parimet e shtetit të së drejtës, ligjin, vlerat më të mira evropiane; një arbitër, pra, që ndëshkon çdo shkelje, nga cilado palë qoftë, duke bërë që procesi të mos degjenerojë, por, përkundrazi, të edukojë edhe aktorët e procesit vetë. Aq më tepër duke pasur parasysh se shqiptarët, të padalë ende nga infantilizmi ku i la diktatura, i shohin ndërkombëtarët si të vetmin faktor që mund ta luajnë këtë rol. E pra gabimi i madh i ndërkombëtarëve si ambasadori i OSBE-së është se, në vend se të luajnë këtë rol, janë bërë dukshëm mbështetës të  palës në pushtet dhe përdorin shprehjen "nuk ka alternativë" për të justifikuar partizanërinë e tyre, apo për të larë ndërgjegjen për mosveprimin apo paaftësinë për të luajtur rolin e arbitrit të paanshëm aktiv që shqiptarët presin prej tyre, (por edhe taksapaguesit evropianë). Këtë e provoi edhe gishti i OSBE-së kundër protestuesve të Astritit.  Dhe rasti në fjalë është shumë kuptimplotë për të ilustruar çfarë po them, sepse ka të bëjë me rolin e ndërkombëtarëve në procesin e Reformës në Drejtësi, që u konsiderua lëvizja më e rëndësishme e ekipit të fundit të tyre në këta 30 vjet. Të gjithë e dinë tashmë, prej thuajse një viti, se tek Astiri po tentohet të vihet në zbatim një plan megakorruptiv i qeverisë Rama që përfshinte vjedhjen e rreth 20 milion dollarëve. Të gjithë e dinë se ky plan ka shkelur ligjin ndaj banorëve që protestojnë, të cilëve po u prishen shtëpitë në mënyrën më të paligjshme. Të gjithë e dinë se prokuroria e Reformës në Drejtësi nuk ka vepruar ndaj këtij skandali megakorruptiv, por vepron sistematikisht me arrestime për të mposhtur rezistencën e banorëve. Si është e mundur që arbitri garant i  Reformës në Drejtësi, jo vetëm nuk mban asnjë qëndrim për mosveprimin ndaj këtyre skandaleve të mëdha, por u nxjerr gishtin qytetarëve që protestojnë!
E pra Reforma në Drejtësi nisi me mbështetjen edhe ekonomike të ndërkombëtarëve, për të ndryshuar diçka për mirë në Shqipëri. Ata u paralajmëruan se Edi Rama synonte kapjen e drejtësisë, por le të pranojmë se ata i besuan dhe e mbështetën në emër të së mirës, ndoshta edhe pse besonin se Rama ishte "alternativa". Kishte shumë që nuk besonin tek Rama, por besuan se ndërkombëtarët, si arbitër të paanshëm, do të ndërhynin sapo të shihnin shenjat e para se Reforma po çohej në hullinë e kapjes së drejtësisë për qëllime të mbrapshta. Mirëpo kjo nuk ndodhi e nuk po ndodh ende, përkundrazi.  Në një vend ku flitej aq shumë për premtimin e një drejtësie të paanshme edhe anëtarët e Partisë Socialiste do të duhej të reagonin e të mos pranonin një kryeprokurore të zgjedhur kundër frymës së Reformës, si Arta Marku, e jo më ndërkombëtarët. Kurse ata e mbështetën dhe vazhdojnë ta mbështesin, madje jo vetëm, por i tregojnë gishtin protestuesve të mjerë që shohin se si përditë Arta Marku e përdor Prokurorinë kundër tyre në emër të korrupsionit e vjedhjes së pushtetarëve.
Sipas mendimit tim "Shame on you!" është më e pakta që mund t'u thuhet ndërkombëtarëve tanë; edhe ndjesa e tyre për gishtin duhet mirëpritur, por pas kësaj shqiptarët duhet të përveshin mëngët që ta nxjerrin gomarin vetë nga balta dhe jo të kërkojnë një "alternativë" ndërkombëtarësh të tjerë që t'ua nxjerrë atë.  (Panorama, 18 tetor 2019)

Read More......

Saturday, October 19, 2019

Shqipëria si problem për Evropën e sistemit dhe të antisistemit




Edi Rama nuk resht së deklaruari, në mënyrën më sipërfaqësore, se shkaku i mospranimit të hapjes së negociatave qëndron tek problemet e Evropës, tek rritja e partive antievropianiste, jo tek ne. Them se kryeministrit i duhen drejtuar disa pyetje për ta thelluar sadopak këtë pohim, të tilla si: Cilët janë problemet brenda Evropës? Nga çfarë burojnë ata?  A kanë ndonjë lidhje me problemet tona? A i rëndojmë ne, me hyrjen në BE, këta probleme apo jo?

Mendoj se kur flasim për problemet brenda Evropës duhet të dallojmë dy kategori syresh: ata të Evropës së sistemit dhe ata të Evropës antisistem, që ndërthuren me njëri tjetrin duke pasur një nga pikat e nxehta të ndërthurjes pikërisht debatin e zgjerimit apo jo të BE me vende si Shqipëria. Le t’i analizojmë shkurt këto dy kategori problemesh të Evropës.

Evropa e sistemit ka sot një nga problemet kryesore faktin se jo të gjitha vendet evropiane rezultojnë njëlloj të suksesshëm brenda sistemit. Ka vende si Gjermania, që janë shumë më të suksesshëm, e vende si Greqia apo edhe Italia që kanë probleme me borxhin, evazionin fiskal me të famshmin “spread” etj.. Pakënaqësirat e këtyre diferencave janë amplifikuar shumë edhe nga futja në BE e dhjetë vendeve të tjera, ndër të cilat 8 prej ish Lindjes, sepse vendet kryesore japin më shumë se sa marrin nga bashkësia evropiane. Kjo ka bërë të flitet për Evropën me dy shpejtësi, për një Evropë të Veriut dhe një të Jugut apo, së fundi, për një Evropë që, sipas Macronit, duhet të ngulmojë në forcimin brenda vetes përpara zgjerimit.

Një kategori tjetër problemesh janë ato që i gjen në argumentet antisistem të sovranistëve sipas të cilëve globalizmi dhe neoliberizmi i Evropës së sistemit ka krijuar një polarizim të paparë midis një pakice që dikton politikat dhe një shumice që i pëson këto politika. Popujt evropianë, duke u ndjerë gjithnjë e më të tradhtuar nga elitat nacionale politike, kulturore, mediatike, por edhe nga i ashtuquajturi projekt evropian, që sipas tyre bën lojën e oligarkive nacionale dhe multinacionale, gjithnjë e më shumë po u drejtohen sovranistëve. Ndër këta, ata të djathtë, u ofrojnë si zgjidhje nacionalizmin të kombinuar me politika sociale (Le Pain, Kazinskij) apo liberiste (Trump, Salvini); kurse sovranistët e majtë u thonë se  arritjet sociale që kanë pasur vendet evropiane deri në rënien e murit të Berlinit mund të rifitohen vetëm me rimarrjen e sovranitetin nga Evropa e bankave dhe oligarkivë financiare (pak a shumë qëndrimi i Jeremy Corbyn në Britani, një pjesë e Cinque Stelle në Itali, etj.).

Sikurse dihet ndeshja midis këtyre dy evropave po bëhet gjithnjë e më e ashpër pasi sovranistët po fitojnë shumë terren në opinionin publik ndërkohë që Evropa e sistemit po bëhet gjithnjë e më zhgënjyese, si në nivele nacionale ashtu edhe të BE-së.

Nuk është vështirë të kuptohet se Shqipëria përbën një problem për të dyja këto Evropa. Për Evropën e sistemit ajo është problem për shkak të gjendjes së saj ekonomike, mungesës së shtetit të së drejtës, të një tregu vërtet të lirë, të një demokracie të konsoliduar - çka po i jep udhë një autoritarizmi në rritje kombinuar me politika nacionaliste, korrupsionin, krimin e organizuar. Edhe sovranistët i ndajnë një pjesë të këtyre shqetësime, por ata kanë edhe të tjera. Ata i akuzojnë neoliberalët e djathtë dhe të majtë evropianistë se u intereson vetëm individi krah pune sa më i lirë, individi mall, atom dhe jo individi që i përket një komuniteti, një historie (sipas të djathtëve) apo individi që kërkon të ndërtojë një shoqëri më të barabartë ku cilësia e marrëdhënieve njerëzore, kuptimi i jetës përtej pasurimit janë vlerat kryesore (të majtët). Sipas tyre, për të pasur sa më pak pengesa komunitare apo sociale ata favorizojnë edhe emigracionin, i cili është burim problemesh të mëdha të punësimit, nivelit të pagave, identitetit kulturor, sigurisë. Prandaj ata janë shumë më të ashpër në qëndrimin ndaj emigracionit. E pra, një Shqipëri kampione ndër vendet e Evropës përsa i përket fluksit emigrues, nuk mund të mos jetë në shënjestrën e tyre, siç ishte së fundmi në Francë. Jo vetëm, por shqiptarët, shtojnë ndjenjën e pasigurisë në popullatat vendase (temë kjo shumë e rëndësishme për sovranistët e djathtë) për shkak se një pjesë e mirë e të rinjve shqiptarë që emigrojnë nuk integrohen në sistem, por merren me krim. 

Të ndodhur përpara këtij presioni në rritje Evropa e sistemit ndjen nevojën të mbrohet nga ofensiva antisistem. Dhe është e qartë se një nga këto mbrojtje është edhe shtyrja e hapjes së negociatave për të pranuar në BE vende gjeneruese të këtyre problemeve si Shqipëria.

Megjithatë, paradoksalisht, i vetmi shans që ka Shqipëria që t’i hapen negociatat është pikërisht ndeshja e Evropës së sistemit me atë të antisistemit. Ndërkohë që Evropa e sistemit është e gatshme ta pranojë Shqipërinë për të mbajtur gjallë narrativen e projektit evropian si dhe për ta përfshirë në fushën e influencës së vet Ballkanin Perëndimor, (edhe si treg e vend investimesh), Evropa antisistem do të mbyllte dyert përfundimisht për Shqipërinë pasi ajo kërkon të ndërtojë një narrativë tjetër.  

E pra të thuash se Evropën e detyrojnë të shtyjë negociatat problemet që ka brenda vetes, pa lidhje me problemet tona, është si të marrësh një pjesë të “puzzle”-it dhe ta shesësh si e tërë pamja e tij. E vërteta është se ne jemi pjesë e rëndësishme dhe jo vetëm pasojë e problemeve të Evropës aq sa, nëse një ditë projekti Evropian do të dështojë, historianët do t’ia atribuojnë këtë edhe gabimeve të zgjerimit me vende si i yni. Të mos njohësh këtë përgjegjësi historike, morale, politike, duke akuzuar Evropën e sistemit që, në fakt, për interesat e veta, po bën shumë më tepër se ç’meritojmë do të thotë të vazhdosh të bësh një demagogji banale. Dhe s’ka se si të jetë ndryshe me këtë kryeministër dhe sivëllezërit e tij që atë që thonë ditën e zhbëjnë me punët e natës. Sepse nëse ka ndonjë gjë që ata i tmerron është pikërisht një Shqipërie e modelit evropian të shtetit të së drejtës që do t’u hiqte atyre pushtetin dhe paratë që i kanë fituar dhe vazhdojnë t’i fitojnë me punët e natës. (Panorama, 14 tetor 2019)

Read More......

Wednesday, October 2, 2019

Marrëveshja që i duhet opozitës

Një fantazmë e njohur është rikthyer në gjuhën politike shqiptare: marrëveshja maxhorancë - opozitë. Ajo po bën xhiron nëpër opinion duke shprehur njëherësh një nevojë dhe një frikë. Nevojë, sepse të gjithë ndjehen të lodhur nga konfliktualiteti politik që e ka kthyer Shqipërinë në një sherrhanë të mundimshme nga ku njerëzit po ikin nga sytë këmbët. Frikë, sepse shqiptarët e mbetur janë të tejlodhur duke parë një  drame qesharake të titulluar ‘Marrëveshja’ që riciklon, çdo dy - tre vjet, me katër akte, pikërisht sherrin e mundimshëm e shterp të politikës shqiptare: 
Akti i parë: maxhoranca e radhës shton abuzimin me pushtetin duke shkelur ligje e kushtetutë deri atje ku s'mban më.
Akti i dytë: opozita vendos të kërcënojë stabilitetin e sistemit nëpërmjet provokimit të një krize politike.
Akti i tretë: në një pikë të vlimit të krizës, me ndërhyrje edhe të ndërkombëtarëve, opozita ulet në një tryezë marrëveshjeje me maxhorancën
Akti i katërt: opozitë e maxhorancë falënderojnë ndërkombëtarët dhe fillojnë punojnë për krizën e radhës dhe marrëveshjen e radhës.
Cilët janë tiparet kryesore të këtyre marrëveshjeve? E para, ato janë arritur duke e vendosur pushtetin e marrëveshjes së personave mbi ligjet e shtetit. E dyta, ato kanë amnistuar çuarjen para drejtësisë të abuzuesve. E treta, aktorët opozitarë  kanë tradhtuar premtimet e bëra njerëzve para uljes në tryezë. E katërta, ato kanë rritur vartësinë nga ndërkombëtarët, në vend se të rritin ndërgjegjen politike të shqiptarëve.
Nëna e të gjithë marrëveshjeve kësisoj është ajo e 7-9 marsit 1997. Njerëzit, të grabitur për shkak të bashkëpunimit të maxhorancës së asaj kohe me grabitësit e piramidave financiare, u rrahën, u poshtëruan dhe u vranë kur u ngritën të protestojnë. Partitë opozitare, të mbledhura në një aleancë 10 partish (Forumi për Demokraci), u vunë në krye të protestave duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë (e pastaj të Berishës) si shkaktarët kryesor të krizës dhe premtuan demokraci si dhe drejtësi për të gjitha bëmat e kryera.  Kur konflikti arriti kulmin, me ndihmën edhe të ndërkombëtarëve, krerët e partive kryesore të opozitës u ulën në një marrëveshje të 7 dhe 9 marsit me Berishën e cila prodhoi një qeveri të quajtur të stabilitetit, deri në zgjedhjet e parakohshme që sollën në pushtet PS. Pasoja e parë dramatike e “paqes” së kësaj marrëveshjeje ishte hapja e depove të armëve në të gjithë vendin me katrahurën që shkaktoi 2-3 mijë të vdekur. Një pasojë e dytë ishte se nuk prodhoi drejtësi për të grabiturit dhe të vrarët e asaj periudhe, por një amnisti dhe amnezi totale. Një pasojë e tretë ishte sa pas një viti PD kreu një grusht shteti në Tiranë që dëboi kryeministrin dhe  që i detyroi ndërkombëtarët të ndërhyjnë përsëri për t'i tërhequr njerëzit e PD nga Kryeministria dhe Radiotelevizioni.  Megjithatë, për faktin se askush nga aktorët kryesorë nuk e dënoi ndonjëherë marrëveshjen e 7-9 Marsit, pasi u erdhi pas midesë, ajo u bë nëna e të gjitha marrëveshjeve të mëpasshme duke krijuar edhe modelin e bërjes politikë në Shqipëri. Kësisoj, në të gjitha marrëveshjet që kanë pasuar kemi parë që pushteti i personave dhe i ndërkombëtarëve është vendosur mbi ligjin; janë amnistuar krimet e shkaktarëve të krizës; janë tradhtuar njerëzit e thjeshtë që kanë mbështetur opozitën, (pasi, edhe kur kanë prodhuar rotacion, ato kanë lënë të paprekur sistemin kriminal ekonomik, që është në bazën e bazave të krizave); kanë rritur vartësinë nga ndërkombëtarët duke lënë tek njerëzit shijen e hidhur të zhgënjimit nga politika vendore.
A e kanë parasysh këtë mësim të historisë opozitat e sotme për të ndryshuar historinë apo duan ta përsërisin atë? Personalisht më duket se ka shumë shenja se do të përsëritet historia. Kujtoj se opozita doli nga sistemi për t’i evidentuar opinionit kombëtar dhe ndërkombëtar pamundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në një regjim ku maxhoranca jo vetëm kontrollon të tëra pushtetet, por ka me vete edhe fuqinë më të madhe financiare në vend: narkokrimin. Me fjalë të tjera ajo e akuzoi maxhorancën si një organizatë kriminale që meriton të nxirret jashtë ligjit dhe krerët e saj të dënohen. Për këtë ajo ka paraqitur prova evidente, që po shtohen ditë për ditë me daljen e dokumenteve të kryebashkiakëve me precedentë të rënda penale në Itali, Greqi e gjetkë. E pra është e qartë se ulja në marrëveshje me një organizatë të tillë automatikisht e ve opozitën në pozitën që të konsiderohet e ngjashme me të, duke i bërë nul akuzat që ajo ka ngritur e, sëbashku me to, edhe premtimet. Mirëpo, më anë tjetër, e vërteta është se po aq sa ç’janë evidente provat e paraqitura nga opozita po aq evidente është se organizata ka kapur shtetin, prandaj  s'ka kush ta nxjerrë jashtë ligjit. E vetmja forcë, në një vend ku nuk ka demokraci (pushtet të popullit), por pushtet të ndërkombëtarëve, do të ishte një akuzë e qartë e tyrja, por ata për arsye gjeopolitike, stabiliteti, mosbesimi tek opozita, por edhe interesash korruptive në disa raste, nuk e formulojnë një akuzë të tillë, por kanë gjetur rrugën e vjetër: të propozojnë përsëri një marrëveshje, që, kësaj here, duhet të fillojë me uljen në një tryezë për kodin zgjedhor. Propozim  më qesharak, nuk mund të bëhet. Është sikur t’i thuash të sëmurit me kancer se duhet të marrë aspirina, sepse kriza që e ka nxjerrë opozitën në rrugë jashtë institucionale nuk buron nga kodi i keq zgjedhor, madje as nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë apo SPAKU-t, por nga organizata kriminale që e ka kthyer Shqipërinë në një narkoshtet. Prandaj gjykoj se një marrëveshje e bazuar në plotësimin e kërkesave të tilla nuk do të jetë gjë tjetër veçse surrogat i marrëveshjeve më të hershme. ku më e fundit është dalja e PD-së nga çadra.
Në këtë pikë vijmë tek dilema: a duhet të hyjë apo nuk duhet të hyjë opozita në një marrëveshje dhe, nëse po, cilat duhet të jenë kërkesat e saj që marrëveshja të mos përsërisë historinë? Nuk është e thjeshtë t’i japësh përgjigje kësaj pyetjeje. Personalisht, duke iu referuar edhe përvojave të rrëzimit të regjimeve nëpër botë, do të ndryshoja aktin e tretë dhe të katërt të dramës. Në aktin e tretë, në vend të marrëveshjes së opozitës me regjimin, me ndërhyrje ndërkombëtare, do të punoja për marrëveshjen në rritje të opozitës me popullin që të gjejë tek ajo një instrument për të rrëzuar regjimin autoritar dhe sistemin kriminal që e mban. Në aktin e katërt, regjimi do të ndjehet aq i dobët e i delegjitimuar sa me hir apo me pahir do të detyrohet të bjerë, i braktisur edhe nga ndërkombëtarët. (Panorama 30 shtator, 2019)
.

Read More......

Wednesday, September 25, 2019

Çfarë tregoi procesi Tahiri



 Nuk mund të besosh se prokurorët e procesit Tahiri janë aq të dobët profesionalisht sa të ngrenë akuza aq të rënda me prova aq të dobëta, apo se u ka shpëtuar "shpërdorimi i detyrës", që nuk ishte përfshirë në aktakuzën e tyre. Të gjitha arsyetimet të çojnë në idenë se ata kanë ngritur një akuzë me mungesë të dukshme provash sepse i janë shmangur hetimit serioz të rastit Tahiri, pasi ky do të çonte tek e vërteta se ish ministri i brendshëm është vetëm një hallkë e zinxhirit të krimit të kanabizimit të vendit për të cilin duhej hetuar.

Procesi Tahiri ka pasur aq vëmendje jo për vërtetimin nëse qytetari Saimir Tahiri ka qenë pjesëtar i një grupi kriminal, por për vërtetimin e akuzës së ngritur nga opozita, si dhe mediet kombëtare dhe ndërkombëtare, se Edi Rama dhe organizata e tij kanë ndërtuar një aleancë me krimin ku një nga provat është fakti se kanë emëruar në postin e ministrit të brendshëm një njeri të lidhur me krimin i cili, me veprimet dhe mosveprimet e tij, ka nxitur kanabizimin e Shqipërisë me synim përdorjen e parave të drogës për të mbajtur në pushtet organizatën. Pikërisht hetimit se Tahiri dhe shefat kryesorë të PS-së jo thjesht kanë ditur, por edhe kanë projektuar këtë aktivitet kriminal, i janë larguar prokurorët edhe pse indiciet kanë qenë të shumta. Mjafton të kesh parasysh përqeshjet e Ramës dhe Tahirit ndaj opozitës kur kjo akuzonte për avionë që transportonin drogë, sulmin e egër që iu bënë oficerit të policisë Dritan Zagani, kur ky, në gjurmimet e tij, arriti të gjejë se trafikantët, duke përdorur makinën e paprekshme të ministrit, hynin e dilnin jashtë Shqipërisë. emërimin e drejtorëve të policisë që sot ndodhen në arrati, e mjaft fakte të tjera që koincidojnë me faktin e fakteve: shtimin dramatik të sipërfaqeve të mbjella me kanabis në të gjithë vendin. Po ashtu, këto indicie nuk mund të shihen pa lidhje me faktet se njerëz me aktivitet kriminale janë vënë ngado në poste kyçe nga organizata. Këtë e vërtetojnë përgjimet që implikojnë kryetarin e bashkisë së Durrësit me grupe kriminale, përgjimet e Dibrës, zbulimet e njëpasnjëshme që po bën  opozita të kryetarëve të bashkive me të kaluar kriminale, mbushjen e kryeqytetit me leje ndërtimi për kulla e pallate super lluksoze që ulërasin për pastrim parash të pista. Të gjitha këto duhet të bënin që prokuroria ta trajtonte Tahirin jo thjesht si një person i lidhur me një grup të vogël kriminal, por si eksponent i një organizate tejet të rrezikshme kriminale që ka kapur shtetin.

Kapakun e mbulimit, në vend se të hetimit, të kësaj të vërtete ia vuri vendimi i gjykatës. Ajo na tha se Tahiri vërtet ka bërë shpërdorim me pasoja kanabizimin, por nga neglizhenca apo pakujdesia, jo me dashje, duke i dhënë 5 vjet që përfundoi në 3,5 vjet me kusht, pra në asnjë ditë burg. Mirëpo ky vendim bije në kundërshtim me faktin që e dinë të gjithë se ka pasur prova të shumta që ish ministri ka qenë i lajmëruar dhe paralajmëruar për kanabizimin e vendit, madje edhe për aktivitetin e kushërinjve të tij trafikantë, por se ai jo vetëm s'ka marrë asnjë masë, por ka venë nën akuzë denoncuesit dhe oficerët e policisë (si Zagani) që janë marrë me hetimin. Le të mos harrojmë gjithashtu se në përgjimet e trafikantëve flitet qartazi se një pjesë e parave që do të merrte prej tyre atij i duheshin për fushatat elektorale të organizatës. Gjykata jo vetëm që i ka anashkaluar këto, duke e konsideruar shpërdorimin si pa dashje, por u kufizua tek shifra 5 vjet, tavani i dënimit që lejon aplikimin e nenit 59, që parashikon dënimin me kusht duke "harruar", madje, se neni 59 aplikohet kur i pandehuri tregon pendesë për krimin që ka kryer dhe jo kur, përkundrazi, akuzon me agresivitet se po e dënojnë duke qene i pafajshëm. Shtoj se sipas gazetarëve që kanë ndjekur precedentët e dënimit të trafikantëve të thjeshtë, megjithë dobësinë e akuzave të prokurorisë, Tahiri mund të mos dënohej si pjesëmarrës apo kryetar një grupi kriminal, por nuk do të mund t'i shpëtonte akuzës për trafikim.

Nga gjithë sa thashë më duket se del qartë që Tahiri ka gëzuar një mbrojte të fortë nga organizata - disa thonë falë provave shantazhuese që ka, të tjerë se kjo nuk i intereson organizatës. Edhe kjo mbetet për tu hetuar nga një tjetër drejtësi.

***

Duke iu referuar procesit Tahiri dy gjëra mund të thuhen lidhur me të shumëpërfolurën Reformë në Drejtësi.

Së pari, prokurorët që kanë kaluar vetingun e që u vunë atje nga kryeprokurorja që ka kaluar vetingun Arta Marku, si dhe gjyqtarët që dhanë vendimin janë prova më e gjallë e faktit se Reforma në Drejtësi është përdorur nga Rama për të kapur drejtësinë në mbrojtje të aktivitetit të organizatës së tij si dhe për të shantazhuar kundërshtarët.

Së dyti, procesi Tahiri rrëzoi mitin e shumëpërhapur ndër shqiptarët se tashmë drejtësinë në Shqipëri e kanë marrë në dorë amerikanët që do t'i pastrojnë politikanët e korruptuar e të lidhur me krimin. 

Për të gjithë ata që i dëgjojnë kambanat e këtij procesi mund të them se nëse shqiptarët e rënë në gjunjë nga pushteti i organizatës nuk ngrihen të veprojnë vetë dhe shpejt për frenimin e saj, nesër shpëtimi prej saj do të ketë një kosto shumë më të madhe për të gjithë.  Edhe për ndërkombëtarët. (Panorama, 23 shtator, 2019)




Read More......