Tuesday, August 28, 2018

Nëse do të sundosh shqiptarët manipulo ndërkombëtarët


Në të njëjtën ditë kur mësuam se Kryeministri ynë, pasi ka mbyllur me nxitim mbledhjen e qeverisë, paska marrë një helikopter Vlorë– Rinas dhe pastaj një çarter Rinas-Torino për të parë ndeshjen Juventus- Lazio e për të bërë një fotografi me Ronaldon, mësuam edhe se qeveria na paska vendosur të bëhet zgjidhëse e krizës Itali- BE rreth emigrantëve të anijes “Diciotti”. Ajo paska vendosur të marrë në Shqipëri 20 nga 170 emigrantët e lënë në det nga ministri i Brendshëm italian Salvini, ndaj të cilit, për këtë, Prokuroria e Agrigentos ka lëshuar akuzën për sekuestrim personash.
Salvini ishte i pari që e dha lajmin, duke falënderuar Shqipërinë, të cilën ia kundërvuri një Europe që “fa schifo” (të bën për të vjellë) sipas tij. “Bravo Albania”, – thanë shumë italianë. Por, po të dëgjosh analistë që flasin për krizën e shkaktuar nga Salvini, shumica pajtohen në mendimin e Europës se Italia nuk ka një alarm emigracioni, sepse zbarkimet në brigjet italiane janë ulur shumë, se ka shumë më tepër zbarkime në Greqi dhe në Spanjë – duke shtuar se këtë alarm Salvini e ka si kalë beteje elektorale. Rastin në fjalë, sipas së përditshmes “Il Fatto Quotidiano”, ai e përdori për t’i rrëmbyer skenën mediatike partnerit kundërshtar në qeveri, Cinque Stelle, që ia kishte rrëmbyer me rastin e tragjedisë së urës “Morandi” në Genova. Analistët seriozë italianë thonë po ashtu, se alarmet e vërteta të Italisë janë të tjera nga alarmi emigracion; janë alarme që kërkojnë një punë serioze të qeverisë dhe jo fushata elektorale permanente, që mbulojnë paaftësinë për t’u marrë seriozisht me alarmet e vërteta dhe për t’i zgjidhur ato.
Dhe ja ku dalim te Kryeministri ynë dhe vendi ynë. Po ai, pse e mori dhe si e mori këtë vendim? Italianët jo, por ne që e njohim siç njohin ata Salvinin, e dimë se e mori për të mbuluar alarmet e vërteta që ka Shqipëria, ndër të cilët, paradoksalisht, kryesori lidhet me faktin se në qeverinë Rama, që po pret emigrantë, numri i shqiptarëve që braktisin vendin ka një rritje dramatike. Ashtu si Salvini, edhe ai po manipulon me dramën e emigrantëve eritreas. Por midis manipulimeve të Salvinit dhe atyre të Ramës ka një diferencë interesante. Salvini manipulon drejt, Rama me spond. Salvini synon të manipulojë italianët kundër Europës, duke shfrytëzuar pakënaqësitë e akumuluara prej tyre gjatë viteve sikur fajin ua ka Europa, kurse Rama synon të manipulojë italianët dhe europianët për të manipuluar pastaj shqiptarët sipas parimit: nëse do të sundosh shqiptarët, manipulo ndërkombëtarët.
Ç’kuptoj me këtë? Duke ndjekur në “Facebook”-un e ministrit Bushati komentet e lajmit, nuk mund të mos të të binte në sy ndarja midis italianëve dhe shqiptarëve. Italianët falënderonin për solidaritetin, kurse shumica e shqiptarëve e konsideronin një akt “hipokrizie”. Një komentues shkruante: “Nuk bën fare sens logjik që ju të ofroni ndihmë për emigrantët e huaj, ndërkohë që me dhjetëra bashkëkombës lënë Shqipërinë çdo ditë. Dhe mos thoni se ata e lënë Shqipërinë nga zgjedhja e tyre personale. Ju e dini shumë mirë se ata ikin sepse Shqipëria ua ka këputur shpresat me të madh e me të vogël, sepse kanë një të ardhme të pashpresë e të mbytur me skamje, shtypje e padrejtësi”. Një tjetër i përmendte Bushatit fëmijët shqiptarë, që prindërit i braktisin qëllimisht në Itali dhe që po i mbajnë Caritaset italiane, duke i bërë thirrjen: “Lëri fasadat e shikoje realitetin në sy… mos u bëni gazi i botës!” Ishin të shumta edhe komentet e papranueshme raciste kundër sjelljes në Shqipëri të të zinjve, dhe, duke e ditur se shqiptarët janë më racistë se italianët në këtë drejtim, nuk është vështirë të mendosh se jashtë “Facebook”-ut këta janë edhe më të shumtë. Megjithatë, Rama nuk e përfill elektoratin që përfaqësojnë gjithë këta komentues.
Si ka mundësi, do të pyeste dikush. Sepse Edi Rama vazhdon të aplikojë parimin: nëse do të sundosh shqiptarët, manipulo ndërkombëtarët, të cilin e ka çuar në shkallën më të lartë të suksesit. Ai vazhdon të mendojë se kompleksi i inferioritetit të provincialit, kombinuar me mungesën e besimit në institucionet dhe elitën e vendit, i bën shqiptarët të përulen përpara vlerësimit të të huajve, i bën kundërshtarët të mbyllin gojën dhe dyshuesit të anojnë nga zgjedhja ndërkombëtare. Kështu, ai mendon se ky akt do të ushqejë imazhin, për të cilin ka kohë që punon në Itali, se nga vend eksportues emigracioni, Shqipëria është kthyer në vend pritës emigracioni (madje dhe italianësh). Të nesërmen e lajmit, “Corriere della Sera” vërtetoi se ky manipulim funksionon, paçka se mediat franceze, gjermane, holandeze e jo vetëm kanë kohë që shkruajnë për azilkërkuesit e panumërt shqiptarë në rritje (Che schifo da vero këto mediat italiane). Pastaj, imazhi i rremë i Shqipërisë që ka ndryshuar mund ta ndihmojë në hapjen e negociatave dhe gjithë ky vlerësim do t’i mbulojë alarmet e vërteta të Shqipërisë, të cilat manipulatori jo nuk mund, por nuk do t’i zgjidhë, pasi zgjidhja e tyre kërkon largimin e tij dhe të njerëzve të krimit rreth tij nga pushteti.
A do të ketë sukses manipulimi me këta gjynahqarë që, në vend se në Perëndim, do ta shohin veten në një nga vendet me numrin më të madh të azilkërkuesve në vendet Perëndimore (që tani do të kenë një motiv më shumë për t’i kthyer azilkërkuesit shqiptarë), më raciste ndaj të zinjve dhe krejt jashtë standardeve europiane? Ndoshta edhe po, por edhe dyshoj sepse më duket se qoftë brenda, qoftë jashtë vendit “rrogozi” i Ramës: ‘manipulo ndërkombëtarët për të sunduar shqiptarët’, po fut shumë ujë, shumë.
Megjithatë, kur prek të prapmet, Kryeministrit i dalin gjithmonë të thata. Kështu i thonë edhe të gjitha ata që ka përreth, që edhe pse i shohin njollat e ujit gjithandej, nxitojnë t’ia “thajnë”, sepse interesi i tyre është i lidhur ngushtë me mbajtjen e kësaj gënjeshtre dhe këtij manipulatori në këmbë. Përndryshe, nuk do të merrte guximin për të marrë vendime të tilla me po atë guxim papërgjegjshmërie, që e bën t’i duket normale të marrë helikopterin dhe pastaj çarterin për të parë ndeshjen Juventus-Lazio dhe për të bërë një foto me Ronaldon. (Panorama, 27 gusht 2018)

Read More......

Friday, August 17, 2018

Reforma në drejtësi: Ndërkombëtarët pjesë e problemit jo e zgjidhjes


Ky i Reformës në Drejtësi ishte një dështim i paralajmëruar nga jo pak vetë, por më emblematiku mbetet paralajmërimi i Komisionit të Venecias pasi iu dërgua drafti: "Komisioni i Venecias evidenton se zgjidhje të tilla radikale (si procesi i rivlerësimit [vetingut FL.]) janë të paarsyeshme në kushte normale, pasi krijojnë tensione të mëdha brenda gjyqësorit, destabilizojnë punën e gjyqtarëve, shtojnë mosbesimin e publikut në gjyqësor, shmangin vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre normale, dhe, si çdo masë e jashtëzakonshme, krijojnë rrezikun e kapjes së gjyqësorit nga ana e forcës politike që kontrollon procesin."
Provat se ka ndodhur pikërisht kështu janë të shumta. Madje e kanë kaluar imagjinatën e komisionarëve të Venecias sepse askujt asokohe nuk do t'i shkonte mendja se "destabilizimi i punës së gjyqtarëve" do të arrinte deri aty sa vendi të mbetej pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, se do të bllokohej shkolla e Magjistraturës etj.. Po ashtu edhe përsa i përket kapjes, askush nuk e imagjinonte se në sajë të Reformës do të kishim një kryeprokurore si Arta Marku që me veprimet dhe mosveprimet e saj po sillet si kamikaze e maxhorancës. (Mjaft të kesh parasysh mënyrën se si u soll ndaj protestuesve të Kukësit apo rastin e vëllait të Xhafës më një anë dhe heshtjen ndaj grabitjes që synohet t'i bëhet pronës publike tek Teatri Kombëtar më anë tjetër)
Pikëpyetja që ngrihet është: si ka mundësi, që ndërkombëtarët që u konsideruan si garanti i Reformës vazhdojnë ta mburrin si një punë të suksesshme dhe të këmbëngulin në vazhdimin e procesit të kapjes së drejtësisë nga Edi Rama?
Sigurisht nuk mund të futen të gjithë ndërkombëtarët në një thes dhe po ashtu nuk mund të gjesh një arsye të vetme për këtë, por po rreshtoj disa arsyeve që më duken më evidentet.

Ndjenja e superioritet

Duke ndjekur aktivitetin dhe deklaratat e ambasadores së BE Vllahutin apo të ambasadorit amerikan Donald Lu (që u ekspozuan si kampionët e reformës) ashtu sikurse edhe të disa funksionarëve të BE si Hann, nuk mund të mos konstatosh një pozicion prej sipërori që dikton dhe imponon zgjidhje që për shqiptarët duhet të jenë të padiskutueshme. Asnjë dialog me shqiptarët e tjerë përveç maxhorancës nuk kemi parë të zhvillohet kur u vendos që të kryhej kjo reformë. U bë një punë nën rrogoz nga fondacioni Soros që ka vite tashmë që nuk vepron si kundërpart i pushtetit por si "levë e partisë" së Edi Ramës, që ndihmoi në përgatitjen e një drafti që nxirrte sheshit synimet e maxhorancës për ta vënë Drejtësinë në dorë të Qeverisë, për të cilin Vllahutin deklaroi se mund të votohej edhe pa miratimin e opozitës. Ky qëndrim prej sipërori që  dikton dhe nuk dialogon e që bashkëpunon vetëm me ata që kanë pushtetin ka vazhduar dhe vazhdon edhe sot të mos ngrejë asnjë dyshim të arsyeshëm tek këta ndërkombëtarë, megjithë dështimin e prekshëm dhe megjithë skandalet e përditshme të qeverisë së Edi Ramës që tregojnë se kjo kategori politikanësh nuk ka asnjë lidhje me respektin ndaj drejtësisë dhe ligjit.

Mosnjohja dhe manipulimi

Kur i shkruaja një njeriu të njohur se si ka mundësi që nuk reagon ambasadori Italian Cotullo lidhur me atë që po ndodh me Teatrin (duke pasur parasysh jo vetëm shkeljet e Kushtetutës shqiptare e ato të ligjeve evropiane por edhe se bëhej fjalë për një trashëgimi kulturore që na lidh me Italinë e për të cilën Instituti Italian i Kulturës ka shpenzuar para për ta promovuar) mu përgjigj: "Por ai ndoshta nuk e di krejt historinë sepse ka ardhur në Shqipëri vetëm dy vjet më parë. Dhe ambasada nuk është selia e KGB ku dihet gjithçka për të gjithë." Pyetja që të vjen vetvetiu është: po atëherë, kur paskan një njohje kaq të cekët të realitetit shqiptar  përse mbështesin pa rezerva gjëra që kërkojnë një njohje shumë më të thellë sesa njohja e historisë së arkitekturës së Tiranës, siç është raporti i politikës me drejtësinë në Shqipëri?
Gjykoj se kjo nuk është vetëm çështje cektësie njohjeje, por edhe manipulimi. Tashmë dihet se ka një grup aktivistësh shqiptarë, dhe jo vetëm, që në një mënyrë ose në një tjetër, janë të kapur nga maxhoranca, kryesisht me forcën e lekut, e që nuk kanë punë tjetër veçse të xhirojnë nëpër ambasada që të japin opinionin e tyre "të pavarur" në favor të qeverisë për çfarë ndodh në Shqipëri.


Zgjedhja ideologjike

Një arësye tjetër është edhe mbështetja apriori, pa asnjë mendim kritik, e partive të qendrës së majtë evropiane që e konsiderojnë partinë e Edi Ramës si pjesë e familjes së saj evropiane. Ka dy arsye për këtë mbështetje: së pari mosinformimi se PS nuk është një parti e majtë, por vegla më e paskrupullt e oligarkisë dhe ekonomisë kriminale që ka katandisur në mjerim dhe dëshpërim shtresat më të brishta të vendit. Së dyti, fakti se edhe në Perëndim partitë e qendrës së majtë nuk e kanë më ndjeshmërinë që kanë pasur ndaj pjesës më të brishtë të popullsisë - çka ka shkaktuar edhe rënien e popullariteti të tyre.    Përndryshe Edi Rama nuk do të guxonte t'i mburrej publikisht Mateo Renzit se në Shqipëri nuk ka sindikata, si në Itali, prandaj investitorët italianë nuk duhet të tuten të vijnë këtu.

Konflikti i interesave

Buon-sensi minimal të thotë se nuk është "fair" që ambasadorë që punojnë të sjellin armët kimike apo muhaxhedinët në Shqipëri, apo biznese të vendeve të tyre, - për çka u duhet miratimi i maxhorancës dhe i qeverisë së krijuar prej saj, - të punojnë njëkohësisht edhe për të ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur që normalisht do të duhet të ketë target kryesor pikërisht maxhorancën pasi historia jonë tregon se zullumet më të mëdha në këtë vend i kanë bërë gjithmonë maxhorancat. Edhe nevoja e injorimit të këtij konflikti interesi  i kanë bërë mjaft ambasadorë të rreshtohen " nga ana e forcës politike që kontrollon procesin" e Reformës në Drejtësi.

Puna korruptuese e Edi Ramës & Co

Fakti që nuk kemi prova evidente për korruptim e ndërkombëtarëve të caktuar të përfshirë në mbështetjen e Reformës në Drejtësi - ndonëse rasti i vilës së Vllahutin në Rolling Hills apo ndërhyrja e Lu në prokurorinë shqiptare për Bankers Petrolium janë tejet të dyshimta - nuk na pengon ta ngremë hipotezën e korruptimi të ndërkombëtarëve duke pasur parasysh se ka tashmë prova të shumta se politikat e rilindësve të Ramës janë gjerësish dhe thellësisht të bazuara në blerjen dhe korruptimin e njerëzve si brenda dhe jashtë vendit.

Për gjithë sa thashë gjykoj se ndërkombëtarët e përfshirë në këtë të ashtuquajtur Reformë në Drejtësi nuk duhen konsideruar më si shpresë e zgjidhjes së problemit të krijuar, por si pjesë e këtij problemi. (Panorama, 30 korrik 2018)
 

Read More......