Friday, May 27, 2016

Pse duhet miratuar “Reforma” që nuk do të sjellë Drejtësi

Përpara zgjedhjeve të vitit 2013 kam shprehur mendimin se është më mirë të fitojë Edi Rama sesa të qëndrojë Sali Berisha ende në pushtet. Argumenti nuk mbështetej, siç më kanë akuzuar mjaft PD-istë, në idenë se Edi Ramën e konsideroja e keqja më e vogël, pasi ka kohë që jam shprehur kundër teorisë së të keqes më të vogël, që bëhet më e madhja kur vjen në pushtet. Argumenti ka qenë i thjeshtë fare: nëse do të fitonte përsëri Sali Berisha do të rrinim edhe katër vjet duke pritur Edi Ramën me shokë, si shpresë për shpëtim, ndërkohë që, duke fituar Rama, do të kursenim katër vjet ndërgjegjësim për atë se shqiptarët duhet të lëvizin për të krijuar diçka të re, kundër sistemit oligarkik, klientelist dhe të korruptuar që kanë ndërtuar partitë e vjetra me në krye Ramën, Berishën, Metën me shokë.
Tani po bëj edhe një herë Kasandrën dhe po them se edhe reforma në drejtësi duhet miratuar, sa më parë, për të njëjtën arsye. Pra jo se ka shpresë se pas asaj reforme ne do të kemi më shumë drejtësi, apo se do të shpëtojmë nga skota e hajdutëve, mashtruesve dhe arrogantëve që kanë ndërtuar republikën e të padrejtëve të Shqipërisë. Jo, thjesht për të fituar kohë. Reforma në drejtësi, pra, duhet aprovuar sa më parë, në mënyrë që, me padrejtësitë edhe më të mëdha që do të sjellë, të na ndihmojë të ndërgjegjësohemi më shpejt se nuk mund të kërkosh drejtësi nga  kjo skotë që pushtetin e ka ngritur pikërisht mbi themelet e padrejtësisë.
Problemi është se kundër këtij ndërgjegjësimi punojnë përditë detashmentet e partive, gazetarët në shërbim të tyre, simpatizantë miopë, duke kërkuar të na mbushin mendjen se të tyret e duan reformën në drejtësi kështu apo ashtu, por janë të tjerët që nuk e duan kështu apo ashtu. Këta, ca me vetëdije dhe ca pa vetëdije, synojnë të na bindin që shpresën tonë për shpëtim dmth. edhe për drejtësi apo shtet të së drejtës, ta mbajmë brenda qerthullit të këtyre partive. Në fakt, po tu ndjekësh retorikën, do të vesh re se ajo që duan apo nuk duan nuk është drejtësia, por togfjalëshi “reforma në drejtësi”, të cilin e kanë mistifikuar aq sa po na e shesin si baras me drejtësinë apo shtetin e së drejtës dmth. baras me shpëtimin tonë. E ndërkohë, shqiptarët, të ngërthyer në këtë debat shterp, humbasim kohë me shpresa të rreme.
Më e keqja është se, për këtë debat shterp, bjerrakohës, po punojnë përditë  edhe të huajt që i kemi aq qejf, ambasadori amerikan apo ambasadorja e BE psh.. Edhe këta i dëgjojmë të flasin përditë për reformën në drejtësia thua se kanë gjetur fillin e Arianës që do të na nxjerrë nga labirinti. Por ajo që bën përshtypje është se si e shkëpusin atë nga i gjithë konteksti shqiptar; se si psh., nuk i dëgjojmë të flasin për drejtësinë apo padrejtësinë duke iu referuar skandaleve të përditshme të qeveritarëve tanë. A i keni parë të thonë një fjalë për padrejtësinë e madhe (në fakt krimin) që shtetarët tanë më të lartë kanë bërë duke bashkëpunuar me trafikantët e drogës e vrasësit duke i futur deri në Parlament. Unë jo. A i keni parë të thonë një fjalë se si policia përdoret për të rrahur protestuesit edhe pse këta janë në rregull me ligjin kurse pushtetarët janë kundra ligjit? Unë jo. A i keni parë të thonë një fjalë se si në Shqipëri Ministria e Brendshme sjell aparate përgjimi duke i kaluar ato pa doganë dhe pa marrë lejen e Prokurorisë. Unë jo. I dëgjojmë të flasin vetëm për gjyqtarë të korruptuar dhe për ndoca kriminelë ordinerë, por jo për bashkëpunëtorët e tyre në pushtet (të djeshëm dhe të sotëm). Aq sa s’merret vesh nëse nuk e kuptojnë apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë se në fakt po punojnë për t’i varur mëlçitë e drejtësisë pushtetit të më të fortëve në qafë.
Megjithatë unë mendoj se reforma duhet të ndodhë. Duhet t’i shohim mëlçitë tona në qafa pushtetarësh arrogantë dhe brutalë, edhe më të çapëluara se ç’i kemi parë deri më sot, që  të mësojmë të mos ua varim ato ujqvenë qafë. Dikush e quan këtë një rrezik të madh që duhet evituar. Unë dita ditës bindem se e meritojmë një mësim të tillë. Vetëm nga ky mësim ndoshta mund të lindë vetëdija për rëndësinë që ka të kemi një drejtësi të pavarur nga pushtetet e tjera, qofshin këta kombëtare apo ndërkombëtare. Vetëm pas këtij mësimi, ndoshta, do të lindë ndërgjegjësimi ndër shqiptarët se drejtësia nuk është diçka që falet në një ditë të bukur nga gangsterët, të shtrënguar nga miqtë e tyre të huaj, por, ashtu sikurse liria, diçka që fitohet ose humbet përditë në luftë me ta.
Dhe vetëm pas kësaj vetëdijeje ka shpresa se do të dalë më në fund një klasë drejtuese e vendit që do ta ndërtojë autoritetin nëpërmjet bërjes drejt e me ndershmëri të shërbimeve ndaj shqiptarëve dhe jo nëpërmjet imponimit të tij me dhunë, hile e padrejtësi apo nëpërmjet shërbimeve e mashtrimeve ndaj të huajve – siç ka ndodhur e po ndodh deri më sot në shtetin tonë.

(Panorama, 27 maj 2016)

Saturday, May 21, 2016

Sa nuk është vonë

Në vitin 2001 kam votuar për herë të dytë dhe të fundit një nga partitë e koalicionit të udhëhequr nga PS-ja. Ndonëse isha i zhgënjyer nga korrupsioni dhe mashtrimet e Nanos, Metës, Ramës & Co; nga mënyra se si po degjeneronin mediet, nga fakti se prej premtimit për meritokraci kaluam në regjimin që Dritëro Agolli e cilësoi asokohe “shkërthatokraci”, aplikova, megjithatë, logjikën e së keqes më të vogël. Sigurisht, kombinuar kjo me shpresën, që ende e ushqeja, se nga presioni i votuesit, zgjedhje pas zgjedhjesh, këto parti do të bëheshin gjithnjë e më pak të këqija; dmth. gjithnjë e më të mira.
Për të mbështetur zgjedhjen time, ndër të tjera, tregova një histori që më kishte rrëfyer një miku im i burgut, Romi. Po e përsëris pas pesëmbëdhjetë vjetsh pasi më është kujtuar shumë kohët e fundit. Romi, - emri i gjatë i të cilit ishte Romeo - në rini, përpara se të binte në burg politik, kishte ushtruar për ca kohë profesionin e hajdutit të xhepave. Ndër historitë e tij të asaj kohe më kishte treguar se, kur vidhte xhepat, kishte një parim: “mos e shih kurrë viktimën!”. “Çdo të thotë kjo?’ - e kisha pyetur. “Sepse – më kishte thënë - po e pe viktimën, të cilit i ke vjedhur kuletën, se si qan, të këputet shpirti dhe nuk e vazhdon më dot profesionin.”
Duke krahasuar çfarë kishte ndodhur gjatë rënies së piramidave nën udhëheqjen e Sali Berishës me vjedhjet e Fatos Nanos, Ilir Metës, Edi Ramës & Co në atë kohë, argumenti im elektoral, i bazuar në historinë e Romit, ishte se ata të PD-së, me në krye Saliun, jo vetëm që na kishin vjedhur, por edhe na kishin  rrahur, kurse për socialistët shkërdhatokratë, të shkretët, thoja se janë një e keqe më e vogël: të vjedhin, por nuk të shohin në sy.

***
Ka kaluar shumë vite që atëherë. Shpresat se e keqja më e vogël do të vinte duke u bërë gjithnjë e më e vogël, si rezultat i garës për t’i shërbyer sa më mirë publikut, kanë përfunduar me kohë në koshin e shpresave të fikura. Thellimi në krim dhe lufta e egër për pushtet/para me çdo mjet, në rreth vicioz, e kanë çuar të keqen në politikë në humnera gjithnjë e më të thella. Ama, pas kaq vitesh rënieje, me këta rilindësit them se jemi përpara një humnere të re. Këta po tregojnë dita ditës se janë një mutacioni i ri i racës së politikanëve tanë që vjen edhe si ndryshim brezash. Duke përdorur historinë e Romit do të thoja se jemi përpara një race të re hajdutësh: nga ata që pasi të vjedhin jo vetëm të shohin në sy pa iu dridhur qerpiku, por, po u ankove, me paturpësinë më të madhe fillojnë të të tallin e përqeshin duke të thënë: je qorr, je budalla që nuk e sheh se ne po t’i mbushim, s’po t’i zbrazim xhepat. Nëse ti qan ata gajasen edhe më; nëse, i revoltuar, ngulmon tu japësh prova se xhepat e tua po boshatisen, të fusin edhe ndonjë të rrahur jo vetëm me policët e shtetit, por edhe me policnë private të bashkëhajdutëve të tyre. Vërtet që nga pikëpamja e përdorimit të dhunës nuk kanë arritur ende Berishën e viteve 91- 97, por provat e dhunës i kanë bërë. Dhe më e lezetshmja është se dhunën e përdorin zakonisht në rastet kur e kanë shkelur ligjin vetë dhe me të  dobëtit. Shikoni historinë e rrahjes së protestuesve tek Parku i Liqenit. Shkurt,  me dhunë pa dhunë ka shumë njerëz që të thonë se rilindasit, veçanërisht pasi morën edhe Bashkinë e Tiranës me Velinë,  po shfaqen si raca më bastarde e politikanëve që ka nxjerrë Shqipëria këta 25 vjet. Them “me dhunë pa dhunë” pasi, kur u përmend dhunën e Berishës së parë, ata të thonë se dhuna asokohe gjithsesi tregonte se ti ekzistoje, kurse  vjedhja sy ndër sy dhe pastaj tallja dhe përqeshja e mosçarja kokë për çka thua janë edhe më poshtëruese.
Shkaqet që kanë sjellë tek dalja në krye e kësaj racë janë komplekse. Sigurisht kanë lidhje me degjenerimin e një sistemi ekonomik të bazuar mbi krimin, që çoi deri në futjen e kriminelëve në Parlament dhe në shumë bashki të Shqipërisë, me mungesën e shkollimit të rinisë, me varfërimin dhe degradimin e burimeve intelektuale e morale në vend për shkak të ikjes, me nevojën e mashtrimit të perëndimorëve duke e ngritur në nivele më të larta gjuhën e dyfishtë, por, pa dyshim, kanë të bëjnë edhe me llojin e njeriut që i ka dalë për zot kësaj situate. E kam fjalën për modelet në krye, një kryemashtrues dhe kryegënjeshtar si Edi Rama që ka prodhuar klonimet e tij të tipit Veliaj, Tahiri, Balla që nuk u bën syri tërr të ta japin ta hash me zor sapunin për djathë, të të bëjnë qorr e budalla po s’e hëngre, të bindur se gënjeshtra dhe mashtrimi sy për sy janë rruga e sigurt e suksesit pasi askush nuk ua ka treguar vendin ende.
Vështroni rastin e fundit të Escobarit të Ballkanit se si e shpëtuan nga duart e policisë evropiane pa pikë turpi dhe nuk thonë asnjë fjalë. Shikoni se si tallen pasi u është zbuluar se kanë sjellë në mënyrë të paligjshme në zyrat e shtetit një aparat përgjimi të qytetarëve. Shikoni se si, pasi gjykata Kushtetuese ka dhënë provën finale se deputeti i tyre Kokëdhima ka marrë një numër të pafundëm tenderësh në kundërshtim me ligjin akuzojnë drejtësinë në vend  se të kërkojnë procedimin penal. Shikoni se si as nuk u zverdhet as nuk u skuqet fytyra kur kryebashkiaku i zgjedhur prej tyre në Kavajë deklaron se nuk e mban mend pse është dënuar në Gjermani. Shikoni se si, pasi ta marrin votën duke premtuar zero ndërtime për Tiranën, deklarojnë se qyteti do të zhvillohet në densitet dhe planifikojnë të ndërtojnë kulla të reja brenda qytetit e kur u thua: “Ç’është ky stadium me kullë?!” të përgjigjen: merr vota ta bësh ndryshe.
Nuk kanë fund mashtrimet e tyre në këta tre vjet. Gjithnjë e më shumë po shtohet numri i atyre që të thonë se s’ka kuptim t’i vesh më në një kandar me PD dhe LSI, si pjesë e të njëjtit sistem, pasi këta, përveç të këqijave të sistemit shtojnë edhe paturpësinë e arrogancës dhe arrogancën e paturpësisë me të cilën kërkojnë të na i imponojnë vjedhjet dhe mashtrimet e tyre si e vërteta e fundit, si ekspertiza e ekspertizës, si shembulli se si bëhen gjërat edhe në Evropë.
Ka nga ata zëmergjerë që thonë megjithatë se do t’ua falnim edhe këto sikur të ngrinin ekonominë, por edhe këtë po e çojnë në pikiatë.  Sipas meje nuk janë pa lidhje arroganca në imponimin e gënjeshtrës me çuarjen në pikiatë të ekonomisë sepse ato nxisin njëra tjetrën.
Shkurt rilindasit po i kalojnë limitet e  vënies në provë të durimit tonë. Gjithnjë e më shumë ata po na sjellin ndërmend fjalën e urtë, por ndjellakeqe: “Kur mbaron fjala, gjykon palla.”, apo atë edhe më ndjellakeqe  të bashkimit të të gjitha qelbësirave kundër tyre. Personalisht nuk më bën zemra t’i këndoj këto këngë ashtu siç nuk ma ka bërë zemra t’i këndoja edhe tre vjet më parë. Por ama  problemi për t’u zgjidhur po bëhet gjithnjë e më akut: si të shpëtojmë nga këta lloj kafshësh që po na çmerisin përditë e më shumë, pa risjellë në pushtet Sali Berishën dhe pa fuqizuar edhe më Ilir Metën, që paradoksalisht janë mbështetja më e fortë e pushteti të tyre? Duket një ekuacion i pamundur për t’u zgjidhur në një kohë të shkurtër ndërkohë që koha nuk pret sepse një mandat më shumë me këta do të na çojë në situata krejtësisht të paparashikueshme. Por duhet zgjidhur sa nuk është vonë. Dhe, për mua, e vetmja rrugë është bashkimi i të gjitha forcat që i refuzojnë këto banda deri në atë pikë sa të formojnë një masë kritike e cila, edhe nëse nuk arrin të marrë pushtetin, të bëhet sa më parë aq e fuqishme sa të imponojë ndryshime rrënjësore edhe brenda vetë këtyre bandave. Përndryshe, pas dhjetë vjetësh, historinë e Romit do ta tregoj për të përshkruar evolucionin e rilindasve nga një racë që të sheh në sy e të përqesh pasi të vjedh në një racë që të nxjerr sytë dhe pastaj të vjedh. (Panorama, 20 maj 2016)

Thursday, May 5, 2016

Kullat si autoportret i Ramës

Dy perversionet e komunikimit, thotë filozofi danez Knud Logstrup, janë: më një anë reduktimi i tij në bërje qejfi njëri tjetrit (si dhe bashkimi kundër një të treti), më  anë tjetër, bërja e tjetrit si vetja nëpërmjet imponimit të mendimit. Në të dy rastet nuk kemi komunikim sepse kështu evitojmë përballimin e problemeve që kemi mes njeri tjetrit. Anija e komunikimit të vërtetë, që nënkupton atë midis subjektesh që shkëmbejnë mendime me njëri tjetrin, pasurojnë njëri tjetrin, e kësisoj thellojnë edhe njohjen edhe raportin me njëri tjetrin, duhet të kalojë midis këtyre dy perversioneve që janë Shila dhe Karibda e komunikimit. Këtë art lundrimi shqiptarët e njohim pak në përgjithësi, por nëse ka njeri anija e të cilit nuk e ka kaluar kurrë këtë ngushticë, por është mbytur duke u përplasur o me njërin perversion o me tjetrin, ky është Edi Rama. Në vend të komunikimit, qoftë si politikan qoftë si person, ai ushtron ose bërjen e qejfit dhe talljen e kundërshtarëve: "sa i madh je ti, sa të mëdhenj jemi ne, sa budallenj janë ata", ose imponimin e mendimit të vet: "ti je qorr, ti nuk merr vesh". Dështimi i raportit të këtij njeriu me njerëzit që kanë një fije respekti për vetveten dhe mendimin e tyre, qoftë në rrafsh politik qoftë në rrafsh marrëdhëniesh personale (duke përfshirë edhe raportin me autorin e këtyre radhëve), është, në thelb, dështim komunikimi. Paaftësia për të komunikuar, e pengon të arrijë pjekurinë e njeriut për të cilin thuhet: "Sapientis est mutare consilium" - i mençur është ai që di të ndërrojë mendim. Nëse ai na shfaqet sot si njeri që asgjë nuk ka mësuar dhe asgjë nuk ka harruar nga koha kur gabonte si kryebashkiak i Tiranës kjo vjen nga ky dështim komunikimi. 

          ***

"Ç'është kjo fobi për kullat!" - ishte shprehja e tij në të ashtuquajturin prezantim të projektit të stadiumit kombëtar ku denigroi kundërshtarët e kullave. Ndërkaq, për të mos dëgjuar përgjigjen e kësaj pyetjeje, prezantimin e organizoi gati fshehurazi në një hotel privat (zakonisht e ka bërë në Pallatin e Kongreseve) dhe vuri rojet e pronarit (klient i tij) të pengonin hyrjen në sallë të kritikëve të projektit. Ndërkohë kritikëve që i futi në sallë, në vend se tu kishte marrë mendimin, u kishte bërë shantazhe dhe lajka që të ndërronin mendim, pra i kishte bërë si vetja.

Në fakt, nëse do të njihte artin e komunikimit, Rama do të duhej t'i kishte bërë vetes, por edhe të tjerëve, edhe ndonjë psikoterapeuti madje, pyetjet që bëjnë shumë vetë: Ç'është kjo mani e Ramës për kullat, që dikur nuk i pëlqenin se i zinin malin e Dajtit? Mos vallë dëshira e madhe për para dhe pushtet i deformon perceptimin e bën t'i duken edhe të bukura? Mos ka edhe ndonjë problem psikik që e shtyn të shkatërrojë veprat e të tjerëve, edhe kur janë monumente të kulturës, dhe të ndërtojë mbi to kulla të larta?
Sepse, që kullat e Ramës, edhe kur nuk janë gabime arkitektonike, janë gabime të rënda urbane këtë e sheh edhe bufi. E shohin edhe kullat vetë që dëgjojnë njerëzit të ulërasin përditë se po u zënë atyre frymën dhe pamjen, se po prishin monumentet historike të qytetit madje po rrënojnë me gjigantizmin e  tyre të gjithë pejsazhin urban rreth e rrotull tyre. E ka shprehur më së miri këtë edhe arkitekt Artan Raça (https://www.facebook.com/notes/artan-ra%C3%A7a-arkitekt/stadiumi-dhe-nj%C3%AB-histori-me-fiorentin%C3%AB-n%C3%AB-tok%C3%ABn-e-shqiptar%C3%ABve/235659213461575) kur thotë, duke analizuar projektin e stadiumit, se "ky organizëm gjigant me një kullë befasuese  dhe ngjyrën e kuqe […] komprometon rëndë me sfondin e tij kompleksin e Bosio-s, transparencën drejt pejsazhit të Dajtit dhe sheshin “Italia”. Por Kryeministri nuk ha pykë nga këto argumente. Në stilin e tij të njohur do të nxitojë shpejt e shpejt o t'i japë arkitektit ndonjë projekt apo ndonjë leje ndërtimi që ta bëjë si vetja ose do t'i lëshojë qentë e tij t'i lehin. Sepse, sikurse e thashë, ai nuk di të lundrojë midis dy perversioneve të komunikimit për të kërkuar të vërtetën. Komunikimin me tjetrin ai e sheh vetëm si instrumentalizim të tjetrit në emër të qëllimeve të veta. Por edhe në këtë aspekt ai është rënduar shumë. Më parë, në kësi rastesh, për të instrumentalizuar, përdorte të paktën konkurset me juri, kurse  në këtë projekt të fundit ai po bën vetë edhe zgjedhjen e arkitektit, edhe jurinë, edhe Ministrin e Kulturës e përgjegjësin e Trashëgimisë, edhe Kryetarin e Bashkisë edhe përgjigjen ndaj oponentëve - sepse nuk dalin ta mbrojnë as specialistët më të afërt të tij.

***
Si ka mundësi? Ç'është kjo mani e këtij njeriu për kullat që e shtyn të ndërmarrë hapa të tilla që në një vend normal do ta kishin çuar deri në burg?
Po të shohësh historinë e kullave ato janë të njohura edhe në vendin e arkitektit Casamonti. Në kohën e Rilindjes italiane familjet e mëdha bënin garë se cila do të ngrinte kullën më të lartë. Më të njohurat janë kullat e San Giminanos. Ato ngriheshin si simbol fuqie i familjeve të pasura, në garë për tu dukur mbi të tjerët. Është shumë i njohur interpretimi i kullave si simbol i phallusit, penisit në gjendje ereksioni/fuqie. Edhe në kohët moderne ato nuk e kanë humbur këtë simbolikë. Ka shtete që janë venë në garë se kush ndërton kullën më të lartë për të treguar epërsinë teknologjike apo ekonomike. Të gjitha këto qëndrojnë në sfond të vetëdijes dhe nënvetëdijes edhe te Kryeministrit tonë. Në prezantimin e kullës së parë që ka ngritur Rama i ka thënë gazetares Jane Kramer: "Papët ngrenë obelisqe. Këto kulla do të jenë obelisqet tona."
Është çmenduri, gjendje paranojake,  të nisesh të ngresh kulla nga motive të tilla apo të krahasohesh me papët autokratë të Mesjetës në kohën tonë të demokracisë, të refuzimit të raporteve superior - inferior në emër të barazisë në dinjitet midis njerëzve. Megjithatë, ashtu si jemi katandisur, edhe mund t'ia pranonim Kryeministrit dhe oligarkëve të tij ndërtimin e kullave, si shprehje të pasurisë së tyre, apo qoftë edhe si nevojë zgjatjeje të phallusit apo kompensim të mungesës së ereksionit, (gjithë duke i krahasuar me sheikët arabë, jo me papët e sotëm që flasin përditë kundër të fortëve në emër të dashurisë për të dobëtit). Por problemi është se paranoja dhe perversiteti i tyre shkon edhe më përtej.  Ata nuk duan t'i ngrenë kullat as në një vend të ri, jashtë Tiranës, por në qendër. Ata duan që kullat e tyre të janë edhe obelisqe në sheshet qendrore edhe burim paraje prandaj bëjnë obelisqe të trash madje jo me majë lart po me bythë lart. Ata nuk çajnë fare kokën që kështu shkatërrojnë Tiranën historike, përkeqësojnë jetën e banorëve përreth, grabisin hapësirën publike jo vetëm direkt, siç është rasti i stadiumit, por edhe indirekt duke rënduar së tepërmi raportin ndërtim gjelbërim në një qytet ku ka më pak se në çdo qytet tjetër evropian metër katror gjelbërim për banor.
Arkitekti italian Paolo Di Nardo, njohës i mirë i Tiranës, që ka botuar edhe një numër të revistës së tij për arkitekturën italiane në Tiranë, i ftuar nga shoqëria civile i vuri pikat mbi i projektit të stadiumit dhe kullave në Tiranë. Bazuar mbi parimin se e rëndësishme është koncepti i qytetit si tërësi, dhe jo ndërtimi aty këtu i objekteve që kërkojnë të nxjerrin në pah një autor apo një porositës, ai tha se ai stadium aq i madh me atë kullë të lartë nuk mund të dialogojë me ndërtesat përreth. Sigurisht ai nuk e njeh kryeministrin dhe as oligarkët tanë, siç i njohim ne,  që të kuptojë se kullat e tyre janë ndërtuar pikërisht si e kundërta e konceptit të dialogimit dhe të komunikimit. Shihni kullën 4Ever Green dhe do të keni përpara autoportretin e Ramës dhe oligarkëve tanë. Arkitektonikisht ajo edhe mund të qëndrojë - kjo ha debat.  Disa e pëlqejnë disa jo. Por që ajo, edhe nëse nuk është një gabim arkitektonik, është një gabim i rëndë urban me vendin ku është vendosur, kjo nuk diskutohet. Kulla nuk është ngritur që të dialogojë me ndërtesat historike të ministrive, as me ndërtesën e vyer të Bankës, as me ndërtesën e bukur tiranase që ka përbri e njohur si Shtëpia me Gjethe, as me Shallvaret. Përkundrazi, ajo u imponohet atyre me stërmadhësinë dhe stërlartësinë e saj, i shtyp, u merr frymën dhe diellin dhe ulëret duke thënë: vetëm unë jam këtu. Të gjitha kullat e ngritura deri më sot janë kështu, pa lidhje me qytetin dhe as me njëra tjetrën, por kjo ndoshta është shprehja më eksplicite e kësaj mendësie ku dukja dhe arroganca e individëve zëvendësojnë përmbajtjen dhe dialogun e një komuniteti.

***
Dhe këtu del problemi Rama - Casamonti. Një arkitekt që ka minimumin e etikës profesionale do të ndihej keq duke e parë veprën e tij në kontekstin urban ku e ka futur Rama. E tha edhe Di Nardo që ajo dhe kullat e projektuara nga francezët nuk kanë lidhje me Tiranën, duke lëshuar thirrjen "mjaft më me kulla!" Si ka mundësi atëherë që Casamonti vazhdon të gabojë ndaj tiranasve kësaj hera madje duke shkatërruar edhe veprën e Bosios për të ngritur një kullë tjetër? Apo mos vallë ai thjesht ndjek vullnetin e porositësit/ve duke vërtetuar thënien e arkitektit Ludwig Mies van der Rohe, të cituar nga Raça, se "Asnjë vepër nuk mund të jetë më e mirë se sa porositësi i saj." Cila është e vërteta?
Kryeministri, pas reagimit qytetar, doli e na tha se do të ruhej fasada e vjetër e stadiumit, edhe pse në projekt-idenë ajo as që dukej. Tregoi me këtë rast edhe injorancë të madhe si ish-ministër kulture që ka qenë. Sepse mbrojtja e një monumenti kulture përfshin (me ligj madje) edhe distancat më të afërta  ku nuk duhet ndërtuar që monumenti të mund të ruajë vizualisht dhe materialisht vlerën e tij të pacënuar. Dhe në këtë rast monument është i gjithë Ansambli dhe jo thjesht fasada e stadiumit prandaj distancat duhet të jenë përtej saj. Dhe prapë ngrihet pyetja: mirë papa mesjetar që nuk do t'ia dijë, po Casamonti si nuk është shqetësuar fare për këto distanca. Nuk e ka ditur vallë që ky ansambël është monument kulture, ndoshta edhe unik ne Evropë me historinë dhe simbolikën e tij? Po si arkitekt nuk është në gjendje ta vlerësojë se ky ansambël, dhe atmosfera e tij, shkatërrohet me gjigantin që ai kërkon të ndërtojë siç janë shkatërruar ndërtesat historike përreth kullës së tij 4Ever Green?
Nga burime të brendshme kam mësuar se kur Casamonti e ka pyetur Ramën "a do që ta ruajmë fasadën e stadiumit?", papa ynë i ka bërë me dorë shenjën "fshije". Po ashtu, ndërkohë që ka deklaruar se kullën e ka kërkuar arkitekti ne kemi parë se ajo kullë është trashur disa herë  nga projekti i parë dhe për këtë ka ndikuar edhe fakti se porositësi kërkonte numrin e caktuar të metrave katrorë: 30000. Si është e vërteta?
Raça në shkrimin e tij, duke cituar një tjetër arkitekt të njohur,  thotë se porositësi dhe projektuesi nuk duhen ndarë, ata janë si nëna dhe babai i fëmijës. Për mua të dy kanë probleme të rënda etike në raport me qytetin dhe qytetarët të cilëve po u imponojnë këtë projekt me dhunë. që edhe i bashkojnë. Por për mua papa ynë është shumë më vendimtar sesa arkitekti në këtë projekt dhe mban përgjegjësi më të madhe qoftë morale qoftë ligjore. Përsa i përket raportit të tij me arkitektin kjo histori e kullave edhe obelisqe edhe qendra biznesi më kujton esenë e Elias Cannettit "Hitleri sipas Speer" (arkitekti i tij). Ma kujton shumë kur autori flet për lidhjen e ngushtë, në vizionin e Hitlerit, të krijimtarisë me shkatërrimin (e ndërtesave të vjetra); kur flet për kërkesën ndaj arkitektit që ndërtimet të tejkalonin madhësisë e ndërtesave ekzistuese, pasi objekte të tilla paranojaku i sheh si zgjatime të jetës dhe pushtetit të tij pas vdekjes; kur flet për faktin se këto i shihte si shumë më të rëndësishme sesa vendbanimet e qytetarëve të thjeshtë gjermanë. Por ma kujton edhe kur flet për faktin se arkitekti i talentuar, dora dorës që është në shërbim të Hitlerit, kthehet, edhe me veprën e tij në një alter-ego të diktatorit paranojak duke projektuar sipas vizionit të tij.
Nuk po shkoj aq larg sa ta quaj Casamontin një alter-ego të Ramës apo si phallusin e Ramës dhe të oligarkëve shqiptarë, sepse, për fatin e tij, nuk është nën pushtetin e tyre. Por fjala e arkitektit tjetër fiorentin Paolo Di Nardo, që erdhi të flasë me shoqërinë civile në emër të mbrojtjes së qytetit nga kësi projektesh, flet shumë edhe për Casamontin dhe etikën profesionale të arkitektëve që zgjedh Rama për të zgjidhur problemet e tij. Mendoj se, duhet të bëjmë çmos t'i vëmë në dukje këtij arkitekti, nëpërmjet komunikimit për të cilin fola në krye të shkrimit, se kullat që ai po projekton ne i shohim si kombinimi më pervers i etjes për të fituar maksimalisht me etjen për t'u dukur të disa individëve të sëmurë, - në dëm të një qyteti që na përket të gjithëve ku banojnë qytetarë që kanë dëshpërimisht nevojë për përmirësimin e cilësisë së jetës në vendbanimet e tyre dhe jo për këto kulla. (Panorama, 5 maj 2016)