Tuesday, April 28, 2015

Tranzicion apo drejtim i gabuar


Janë të shumtë ata që vazhdojnë të përdorin edhe sot termin tranzicion kur flasin për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Evropës me idenë se jemi ende në tranzicion. Disa i shtojnë epitetin "i vështirë", por emrin ia lenë "tranzicion". Të tjerë pretendojnë se tranzicioni ka mbaruar. Sipas meje ky diskurs nuk mund të ndalet deri këtu. Veçanërisht nëse kemi parasysh se ka kaluar afro një çerek shekulli qysh kur ka nisur i ashtuquajturi tranzicion dhe ndërkaq shqiptarët vazhdojnë të ikin dramatikisht nga barka e tij duke kërkuar rrugën e tyre individuale të shpëtimit.
Me fjalën tranzicion kuptohen kryesisht dy gjëra:
Së pari figurativisht tranzicioni paraqitet si një rrugëtim apo si një lundrim nga një vend/breg për në një tjetër. Më i njohuri në sensin metaforik është rrugëtimi i ebrejve për në tokën e premtuar nën udhëheqjen e Moisiut. Në vitet '90 ky është përmendur shpesh edhe për faktin se u deshën 40 vjet që ebrejtë të arrinin tokën e premtuar, duke qëndruar një kohë të gjatë në shkretëtirë, jo për shkak të largësisë, por sepse askush prej atyre që kishin lindur në skllavëri, nuk mund ta shkelte atë. Është përdorur ky krahasim për të thënë se edhe ne që jetuam skllavërinë komuniste do të na duhet kohë për të arritur ato vlera themelore të demokracive perëndimore që me një fjalë të vetme ndoshta mund të përmblidhen në "shteti i së drejtës".
Së dyti, kur themi tranzicion ajo që mund të diskutohet është kohëzgjatja, pra sa rrugë kemi bërë, sa na ka mbetur për të bërë, a po ecim shpejt apo kemi ngecur në shkretëtirë, është i vështirë apo i lehtë, por, ndërkaq, afrimi drejt "vendit/bregu" të shumëpritur nuk diskutohet?
Tani ka ardhur koha të ngremë pyetjen:  a mund të quhet vërtet tranzicion ky i yni apo më së shumti mund të quhet drejtim i gabuar sepse, pas njëzet e pesë vjetësh rrugëtim, qëndrim në shkretëtirë, adhurim të zotave të rremë, a nuk do të duhej të dukeshin së paku konturet e "tokës së premtuar", shtetit të së drejtës, që do të na gjallëronin e jepnin shpresë?
Për t'iu përgjigjur këtyre pyetjeve më së pari po i referohem disa argumenteve të vetë maxhorancës që na qeveris sot. Vetë fakti që në fushatën elektorale që i solli fitoren në vitin 2013 ajo përdori termin "rilindje" tregon se deri në atë vit, sipas saj, Shqipëria ishte e vdekur. Dhe një i vdekur minimumi nuk lëviz. Por duke qenë se nuk mund të mohohet se një lëvizje ka ndodhur a nuk është më e drejtë të themi se kemi ecur në një drejtim të gabuar, që nuk na ka afruar drejt qëllimit? Më duket se ka shumë tregues të kësaj, duke filluar që nga politikat ekonomike të dështuara që kanë sjellë  një shkatërrim katastrofik të burimeve natyrore dhe njerëzore e të territorit dhe deri tek politikat e arsimimit që kanë sjellë një nivel arsimimi shumë më të ulët se në fillim të të ashtuquajturit tranzicion. Po fakti i mbushjes së Parlamentit dhe i segmenteve të shtetit me kriminelë, trafikantë droge e prostitutash, aventurierë e mashtrues që, sikur të kishim ecur në drejtimin e shtetit të së drejtës, me kohë do të duhej të kishin qenë në burg për çfarë flet? E pra në fillim të viteve nëntëdhjetë në Parlament kishim atë që mund të quhej elita intelektuale e vendit, e cila, megjithë defektet e trashëguara nga komunizmi as që imagjinohej se në rrugën drejt shtetit të së drejtës do të zëvendësohej me njerëz të krimit të organizuar.
Tërhoqi vëmendjen së fundi një shkrim i deputetit të maxhorancës Ben Blushi i cili ecjen dyvjeçare të Rilindjes e quajti si një procesion funeral. Sipas meje kjo që po përjetojmë nuk është funerali i një maxhorance që sapo ka ardhur në pushtet, por funerali i shpresës që lindi në Dhjetor të 90-tës u sëmur shpejt dhe që ka qenë gjatë gjithë këtij çerek shekulli e sëmurë, ndërkohë që fjala tranzicion është përdorur për ta mbajtur atë gjallë. Kjo Rilindje erdhi me gjoja premtimin e një terapie të re, por  mënyra e si po sillet dhe po qeveris jo vetëm i ngjan si dy pika uji asaj të paraardhësve  përsa i përket ruajtjes së një sistemi të kapur nga krimi, të korruptuar, klientelar dhe jodemokratik, ku shumica e njerëzve punon për një grusht mashtruesish dhe abuzuesish me shtetin, por, në disa aspekte, duket se e ka thelluar këtë prirje.  Kjo e ka vrarë shpresën përfundimisht dhe ne po asistojmë në funeralin e saj. Karvani i funerali të shpresës  së fundi po shfaqet si një karvan refugjatësh që ikin jashtë shtetit.
Që përgjegjësit e këtij rrugëtimi në drejtim të gabuar janë timonierët kapitenë e anijes, partitë politike dhe elitat që i kanë mbështetur ato kjo nuk do diskutim. Pyetja që ngrihet është ç'duhet bërë për të ndërruar drejtim.
Personalisht gjatë fushatës elektorale të vitit 2013 kam mbështetur ardhjen e kësaj maxhorance në pushtet jo pse më ngjallte shpresë. Ishte naive të shpresoje se njeriu që u vu në krye të sistemit kriminal që shkatërroi Tiranën në mënyrë të pakthyeshme do të transformonte për mirë Shqipërinë duke u vënë në krye të këtij sistemi në nivel kombëtar. E kam mbështetur rotacionin duke hedhur idenë se PS duhet të vijnë në pushtet që të na shkurtojnë kohën e zhgënjimit dhe ndarjes me krejt këtë klasë politike. Sepse po të qëndronte Berisha edhe 4 vjet të tjera njerëzit do të vazhdonin të shpresonin tek ardhja e rilindësve për të ndryshuar gjendjen kurse kështu do të bindeshin se zgjidhja shpëtimi duhen kërkuar përtej kësaj klase politike tek një lëvizje që ose do t'u marrë pushtetin këtyre partive ose do t'i detyrojë të transformohen radikalisht.  Dalja në zgjedhjet lokale të këtij viti e disa kandidatëve të pavarur antisistem, është fillimi i artikulimit politikisht të kësaj vetëdijeje.  Është vetëm një fillim që duket ende shumë i brishtë përpara sistemit që ka zaptuar gjithçka, por kush kërkon vërtet fillimin e një tranzcioni të vërtetë drejt shteti të së drejtës duhet t'i hedhë sytë e të veprojë për nga këto zgjidhje. (Panorama, 27 prill 2015)

Tuesday, April 7, 2015

Gjuha e trefishtë e Edi Rames dhe flamuri si cohë toreadori


Nëse ka ndonjë fushë ku Kryeministri ynë ka arritje të padiskutueshme kjo është ngritja në një nivel më të lartë e një karakteristike kulturore tonën: atë të përdorimit të gjuhës së shumëfishtë në vartësi të bashkëbiseduesit. E quaj këtë një veti kulturore pasi mendoj se rrethana të caktuara historike kanë bërë që ne shqiptarët ta zhvillojmë në mënyrë veçanërisht të theksuar këtë aftësi.  Nuk është këtu vendi për të shtjelluar arsyet – një rol të rëndësishëm do të zinte jeta nën diktaturë - por mund të them se përvoja tregon se më shumë se sa aftësinë për të krijuar një bindje, një mendim tonin personal, një gjuhë tonën,  ne kemi vetinë e hatashme për t'iu përshtatur bashkëbiseduesit nga i cili kemi ndonjë interes, t'i themi atij atë që ai kërkon të dëgjojë. E kemi zhvilluar këtë aftësi deri në atë pikë saqë atë pjesën e trurit ku ruhen ato mendime që njeriu  i ka të vetat, për të cilat investon që t’i zhvillojë dhe t’i mbrojë, tek të cilat beson dhe që, edhe kur i ndërron, në sajë të përvojave të mëtejshme, i përmend gjithmonë si një periudhë e mendimit apo besimit të tij, ne e mbajmë si të thuash bosh. Mund ta krahasonim me një dhomë pritjeje që e mbajmë të pamobiluar dhe ku, sipas mikut që na vjen, vendosim mobiliet që i pëlqejnë mikut të radhës të cilat i nxjerrim nga një magazinë ku i mbajmë gati për t’i shtruar  sipas nevojës. Ndryshe ajo mund të quhej dhoma e hipokrizisë.
Mirëpo problemi vjen e ndërlikohet kur na duhet të takohemi të bisedojmë me shumë persona njëherësh. Ose, siç është rasti i politikanëve, kur  duhet të flasin në publik çka presupozon se fjalën e tyre e dëgjojnë interlokutorë të ndryshëm. Në këtë rast, që t’i bësh qejfin edhe njërit edhe tjetrit edhe tjetrit nuk është aq e lehtë, veçanërisht kur këta mund të kenë mendime e besime të ndryshme, prandaj duhet qe gjuha e shumëfishtë të ngrihet në një lartësi më të madhe, siç na mëson edhe Kryeministri ynë.
E bëra gjithë këtë hyrje për të komentuar paradën e fundit me shqiponjë dhe bashkim kombëtar që bëri Kryeministri Rama në Pallatin e Kongreseve me rastin e takimit të dy qeverive: asaj tonës dhe asaj të Kosovës. Deri tani kam shkruar për një gjuhë të dyfishtë lidhur me Kosovën: nacionaliste për shqiptarët dhe post - nacionaliste për perëndimorët. Ne flasim rëndom për bashkimin kombëtar të shqiptarëve si çështje madhore, si çështje e çështjeve, por njëherësh flasim edhe për respektimin e kufijve, të marrëveshjeve ndërkombëtare, të asaj që kanë vendosur të mëdhenjtë. Formula që ka përdorur Rama shpesh është "shqiptarët do të  bashkohen nën qiellin evropian". Askush nuk i ka bërë pyetjen se si e mendon ai këtë bashkim në qiell dhe ndarje në tokë – ku për bashkim me serbët dhe me grekët as që flitet, sigurisht. Por kjo është vetia e gjuhës së dyfishtë: të gjesh fraza ambivalente ku interlokutorët të mund të dëgjojnë atë që duan të dëgjojnë. Po ashtu, lidhur me këtë formulë, askush nuk i ka bërë Kryeministrit një pyetje që më duket shumë e rëndësishme: po sikur të ndodhë që projekti evropian të dështojë, që në vendet kryesore evropiane të triumfojnë lëvizjet kundër bashkimit, a do të kryhet bashkimi  i shqiptarëve nën ndonjë qiell tjetër dhe si do të kryhet? Çfarë mund të ndodhë në këtë rast?
Nuk e di a ka ndonjë mendim Kryeministri për këtë, por jam i sigurt që, po t’i vijë koha, do të nxjerrë ndonjë gjë nga magazina e tij për ta vënë në dhomën e hipokrizisë. Sepse ai është njeri i aftë, madje shumë i aftë. Siç po e vërtetojnë edhe ngjarjet e fundit ai është në gjendje të ulet në dhomën e hipokrizisë e t'i bëjë qejfin duke i dhënë dashuri dhe para dhe pushtet, madje edhe t'i thotë gjeni, kategorive nga më të përkundërta të njerëzve: edhe një intelektuali apo një politikani të vërtetë edhe një artisti, edhe një biznesmeni të ndershëm edhe një mashtruesi ordiner, edhe një trafikanti droge e prostitutash edhe një vrasësi apo një hajduti e të korruptuari edhe ndonjë hallexhiu që punon përditë për bukën e gojës - e jo më të bëjë shqiponjën sorrë dhe sorrën shqiponjë.
***
Ajo që më tërhoqi vëmendjen në eventin e fundit gjatë vizitës së Kryeministrit të Kosovës në Tiranë, që u zhvillua në një kohë kur kosovarët dhe shqiptarët kanë arritur pikën më të ulët të besimit tek e ardhmja, mu për shkak të politikanëve të tyre shumëgjuhësh, ishte një ndryshim në gjuhën e Kryeministrit që nga e dyfishtë ishte bërë e trefishtë. Ai përdori disa tone të forta patriotike, që dallonin edhe nga gjuha që Rama përdor me shqiptarët e këtushëm e aq më shumë nga gjuha që përdor me evropianët. U dallua qartë, pra, edhe një gjuhe e tretë për shqiptarët e Kosovës pasi tashmë Kryeministri ka marrë edhe rolin e babait të kosovarëve, të cilët i mendon se jo vetëm e kanë më të madhe dëshirën për bashkim, por kanë nevojë edhe për mbrojtjen e Shqipërisë mëmë nga padrejtësitë jo vetëm të serbëve, por edhe të perëndimorëve.
Ku është e keqja e kësaj do të më thotë lexuesi.   Ka shumë të këqija, por po ndalem në një: sepse kjo gjuha e tretë po ka prirjen të bëhet dominante dhe po prodhon fenomene shumë të shëmtuara që vetëm me gjuhën e bashkimit të evropianëve nuk kanë të bëjnë, përkundrazi, që flasin për rritjen e vlerave antievropiane në këtë treva. Mu këto ditë  na ka dalë një këngë me një tekst të tmerrshëm patriotik: "Jemi ne, jemi ne; 
vijmë nga trojet tona. 
Nuk na ndan dot askush; fluturon shqiponja. 
Po thërret toka jonë, lisat edhe malet; 
se ne jemi një komb, Shqipëri e Madhe.” që sipas faqes zyrtare të Digitalb-it dhe Top Channel-it në Facebook, do të shoqërojë Kombëtaren Shqiptare të Futbollit në çdo ndeshje, brenda dhe jashtë vendit. Mua më duket se jemi përpara një ekzibicioni - edhe me kontributin e ekzibicionizmit bosh të Kryeministrit -  ku një pjesë njerëzish, pikërisht se janë më të përçarë se kurrë, më individualistë se kurrë, më të varfër se kurrë, jo vetëm materialisht por edhe shpirtërisht dhe intelektualisht, me një krizë të thellë identiteti individual prandaj dhe me komplekse të thella inferioriteti kërkojnë të mbushin këto boshllëqe e nevoja duke u identifikuar në mënyrën më infantile me tifozerinë kuq e zi. Të bëhet se këta njerëz të vetmen mënyrë për të qenë patriotë, ndërkohë që lisat e Shqipërisë i shuajnë me sharra dhe malet i bëjnë çimento kanë gjetur të tundin flamurin në ndonjë ndeshje futbolli.
Më bëri shumë përshtypje para disa ditësh një gjest i tillë ekzibicioni patriotik. E kam fjalën për atë skenën në nga stadiumet tona ku një tifoz i doli përpara portierit të skuadrës së Apolonisë që ishte serb duke i valëvitur para syve një flamur kuq e zi ndërkohë që këtij të ziut i duhej të priste penalltinë. Dhe ky tifozi jo vetëm që u lejua të shkojë ta provokojë duke e përdorur flamurin si ajo copa e kuqe që përdorin toreadorët për demat, por trajneri e nxori edhe jashtë skuadrës sepse portieri, medemek, bëri një gjest të antishqiptar sepse tentoi ta largojë toreadorin nga fusha. Dhe më skandalozja ishte se askush nga kuqezinjtë shqiptarë të medieve nuk guxuan as të thoshin një fjalë për këtë palaçollëk me flamur. Siç mora vesh pas kësaj ngjarjeje portieri serb dhe një lojtar tjetër serb që luante po në atë skuadër u larguan nga Shqipëria. Shikoni çfarë degradimi pra. Nuk di kur kanë ardhur lojtarët serb, por ata kanë ardhur dhe kanë luajtur, kurse me rritjen  e këtyre masturbimeve tona detyrohen të ikin. Dhe ndërkohë Shqipëria dhe Kryeministri ynë kërkon të hyjë në bashkimin evropian. Por të hysh në Bashkimin Evropian do të thotë pikërisht e kundërta e përdorjes së flamurit tënd kombëtar si cohë toreadori për të tërbuar fqinjin  - siç qe edhe flamuri me të famshmin dron mbi stadiumin e Beogradit para disa muajsh, që Kryeministri e vuri edhe në fasadën e ndërtesë së tij me rastin e festave.
E ndërkaq le të mos harrojmë se nga ky vend nuk po ikin vetëm futbollistët serbë të Apollonisë. Në anën tjetër të medaljes me shqiponjë dhe Shqipëri të madhe ne kemi të gdhendura fytyrat e kriminelëve dhe vrasësve që na kanë kapur shtetin. Sipas meje pikërisht për shkak të asaj që këta kërkojnë të mbulojë si gjethe fiku me shqiponja dhe flamur, me gjuhën e trefishtë, për shkak pra të injorancës dhe varfërisë që shpreh edhe ky degradim kulturor, po ikin nga Shqipëria e madhe për në botën e madhe edhe shumë shqiptarët.
Është koha që kush e do sadopak Shqipërinë të mbajë në dorë një vegël pune më shumë se flamurin, të ruajë fushat dhe malet dhe lisat e gjatë nga plehrat që u hedhim përditë mbi shpinë, të ruajë shoqërinë nga plehërat e krimit që po e mbysin, të bëjë pra punë që ta nderojnë këtë vend se vetëm kështu flamuri do të jetë i nderuar në kohën dhe vendin që i përket. (Panorama, 6 prill 2015)

Kjo që po ndodh është e frikshme


Çështjen Doshi dhe Frroku më vjen ta krahasoj me fijen e fillit që ka dalë nga lëmshi i lidhjes së politikës sonë me krimin, e cila, po të tërhiqet, mund  të zbulojë shumëçka nga çfarë ka lëmshi brenda. Por siç po zhvllohen ngjarjet, duket se askush ndër aktorët kryesorë në lojë nuk ka interesa për ta çmbështjellë këtë lëmsh. Qëllimi i maxhorancës është ta këpusë këtë fije sa të jetë e mundur më shpejt. Jo më larg se disa ditë më parë, duke iu referuar edhe deklaratës së Ambasadës Amerikane që e nxiti hetimin mbi Doshin, Rama tha se nuk ka asnjë dijeni për njerëz të partisë së tij të lidhur me krimin. Edhe opozita po kërkon më së shumti të përçajë kundërshtarët në interes të pushteti të vet, por se çka mbrapa çështja/çështjet nuk kërkon ta zhbirilojë. Sipas meje edhe Prokuroria është në të njëjtën linjë; në lojën “le të bëjmë sikur” po e çmbështjellim lëmshin se janë edhe këta amerikanët që po na i trazojnë një çikë ujrat.
Është e njëjta gjë me çfarë ndodhi pas vrasjes së Santos. Mediat dhe politika u morën më së shumti me figurën e lartë të Santos, me rrugën që përshkoi motorri,  me akuza ndaj policisë që nuk u tregua në lartësinë e duhur për të ndjekur vrasësit - por asnjë thellim nuk u bë mbi pistat e mundëshme që mund të kishin çuar në këtë vrasje. Aq më pak për tu thelluar pastaj në fenomenin/et që qëndronte prapa kësaj vrasjeje.
Në fakt tërheqja e fillit të lëmshit mund  të bëhet duke kërkuar t'u japësh përgjigje disa pyetjeve të rënda që duhet të ngrihen mbi  motivet e vërteta pse do ta vriste Ilir Meta Tom Doshin apo pse ka shpifur Tom Doshi ndaj Ilir Metës. Gjatë pyetjeve në Komisionin Parlamentar, kur iu kërkuan motivet, Doshi u tregua kontrdiktor sepse dha si motiv hakmarrjen e Metës për videon e Dritan Priftit ndërkohë që disa çaste më parë kishte dhene shpjegime se kishte pasur marrdhënie të mira me Metën. Po kështu asnjë motiv nuk u dha nga Prokuroria se pse e paska inskenuar Doshi një shpifje të tillë aq të rëndë ndaj Kryetarit të Parlamentit. Enigëm mbeten edhe pyetja se si ka mundësi që ky Bami, sado budalla qoftë, pranoka të japë dëshmi të rreme, duke akuzuar për vrasës jo një person dosido por vetë Kryetarin e Parlamentit.
 E gjithë kjo lojë e shëmtuar sipas meje të bën të mendosh se aktorët e saj dinë shumë më tepër dhe pikërisht për këtë lëmshi ruhet i mbështjellë me kujdes dhe fanatizëm prej tyre. Edhe lënia e Doshit dhe Frrokut në arrest shtëpije megjitha akuzat e rënda që kanë mbi shpinë qe një provë e kësaj. Sipas hetimeve të deritanishme të Prokurorisë na del se dy deputetët e maxhorancës së bashku me një vrasës me pagesë paskan synuar të bëjnë një shpifje monstruoze ndaj kryetarit të Parlamentit Ilir Meta sikur gjoja ky ka dashur të vrasë njërin nga këta dy deputetë, (Doshin), si dhe një deputet të PD-së (Fufin). Për këtë të dy deputetët kanë përdorur para të madhe, por edhe kërcënime, deri me pistoletë mbi kokë (thuhet se ka një video të marrë kështu) për të bindur bashkëpunëtorin e tyre në krim, vrasësin me pagesë, që të shkojë tek Ministri e Prokurori të pohojë rrejshëm si me gojë dhe me video se ka marrë para nga njerëzit e Ilir Metës që të kryejë vrasjen. Mua më duket shumë e tmrrshme një gjë e tillë po të jetë e vërtetë. Por po aq i tmerrshëm më duket versioni që paraqet Doshi se Ilir Meta ka paguar 500 000 euro për ta vrarë, dhe se brenda mureve të Prokurorisë dëshmitari i tij është kërcënuar me zhdukjen e familjes nëse nuk e mohon këtë. Dhe çështja është se o njëri o tjetri nga këta dy versione është i vërteti. Dhe që të dy kanë një rreikshmëri të tillë që zorr se mund të parashikohet arrest shtëpiak për autorët. Duhet thënë se ka diçka që nuk shkon, që nuk të bind në këtë histori në të dy versionet që tregohen, por përtej kësaj ka edhe një gjë shumë të tmerrshme në këtë histori që ngre pyetjen e rëndë plumb për politikën dhe drejtësinë tonë: si është e mundur që nuk është nxjerrë në dritë njëri nga këta ky krime duke u hetuar menjeherë sapo që Doshi shkoi gjashtë muaj më parë dhe i tregoi Kryeministrit, edhe Ministrit të Brendshëm dhe Kryeprokurorit trillimin e tij (sipas njërit variant) apo të vërtetën (sipas variantit tjetër)? Si është e mundur që askush prej tyre nuk ka bërë asgjë për t'i mbërthyer këta shpifës të rrezikshëm ose vrasës edhe më të rrezikshëm për t'i vënë para drejtësisë. Ne e morëm vesh gjënë vetëm pas përplasjes brenda PS midis Doshit dhe Ramës dhe përjashtimit politik të këtij nga grupi parlamentar socialist. Dhe ç'është më e pabesueshmja kjo nuk doli në shesh nga Kryeminstri apo Ministri i Brendshëm dhe as Prokuroria, por pasi Doshi vetë e bëri publike shpifjen e ti (sipas njërit variant) ose të vërtetën (sipas variantit tjetër). Me një fjalë gjithshka doli në shesh jo pse politika kërkonte të ndahej nga krimi, por kur krimi sipas njërit variant u prish me politikën ose, sipas variantit tjetër, kur deputeti u ndje i pambrojtur nga krimi me emrin Meta brenda politikës.  Me fjalë të tjera nëse besojmë variantin e shpifjes pyetja që lind është: si ka mundësi që ata kanë vazhduar ta mbajnë Doshin brenda gjirit të tyre, pa e hetuar? Si ka mundësi që nuk kanë menduar as edhe një çast se nëse këta deputetë kanë bërë një krim të tillë rrezikshmëria e tyre është shumë shumë e lartë dhe detyra e institucioneve, e tyrja, pra, më së pari, është të na mbrojnë nga njerëz të tillë kq të rrezikshëm dhe jo t’i promovojnë ata në krye të vendit. Duke i shtuar kësaj edhe faktet që po dalin për Frrokun se ka qenë përfshirë në trafiqe prostitucioni dhe vrasje kjo pyetje  merr rëndësi politike të jashtëzakonshme. E njëjta gjë shtrohet edhe për Ilir Metën nëse ajo që thotë Doshi është e vërtetë. Sot ka nga ata që duke u nisur nga mosveprimi i Kryeministrit dhe Minstrit të brendshëm ngrenë versionin se ata në krye të herës kanë bashkëpunuar me Doshin për ta ralizuar heqjen qafe të Metës politikisht. Ka të tjerë që pikërisht nga heshtja e tyre beojnë se ajo që thotë Doshi është e vërtetë. Ka që thonë se prapa figurave të tilla të politikës qëndrojnë banda kriminale dhe e gjitha kjo shpjegohet me luftën e këtyre bandave që janë rapavija e politikanëve tanë më të lartë. Ka shumë hipoteza te frikshme qe ngrihen dhe që edhe nëse nuk janë të vërteta një gjë e bëjnë të qartë: se lidhjet e politikës sonë me krimin janë shkaqet se pse ashtu si çështja Santo edhe kjo Doshi do të mbesë e pazbuluar nëse nuk i shkohet deri në fund jo vetëm anës ligjore të rastit në fjalë, por edhe anës morale dhe politike të tij. Nuk është vendi për tu marrë vetëm me personat dhe ngjarjet, por edhe me fenomeniet që kanë promovuar këta persona dhe prodhuar këto njarje. Po nuk u çmbështoll filli i lidhjes së politikës sonë me krimin, e të përcaktohen e dënohen përgjegjësit ligjorë, politikë dhe moralë, ngjarje të tjera edhe më të rënda na presin. (Panorama, 30 mars 2015)