Tuesday, January 25, 2011

Ku po shkojmë, ç’duhet të bëjmë

Ajo që po ndodh në Shqipëri këto ditë i ka ndarë njerëzit në dy kampe të mëdha. Në njërin kamp bëjnë pjesë ata që mendojnë se kjo që po ndodh është rezultat i dy burrave të këqij: Sali Berisha dhe Edi Rama. Për pjesëtarët e këtij kampi, - shumica militantë të partive në konflikt dhe mbështetës të tyre - e keqja do të zhduket kur njëri nga këta dy burra të këqij do të mposhtet përfundimisht. Ekziston edhe një kamp tjetër jo i vogël, ku bëjnë pjesë edhe simpatizantë e antarë të dy partive, madje, që gjithnjë e më shumë është i bindur se këta dy burra të këqij nuk janë tjetër veçse fytyra e një të keqeje shumë më të madhe dhe se ne do të hyjmë në një rrugë tjetër vetëm kur lufta jonë ndaj të keqes që përfaqësojnë këta dy burra do t’i fshijë nga skena politike këta të dy si simbole të asaj që përfaqësojnë.
Por përpara se të shprehem lidhur me këto dy qasje le të shohim dinamikën e ngjarjes tragjike të së premtes 21 janar.
Trazirat e fundit filluan me publikimin e videos Meta - Prifti ku del qartë se dy njerëzit e rëndësishëm të politikës bëjnë pazare korruptive me një gjuhë që kuptohet se nuk e përdorin për herë të parë e që na zbulon se çfarë ndodh prapa fasadës së institucioneve të ashtuquajtura të shtetit në këtë vendin tonë. Ndërkaq, në kontekstin e konfliktit që u zhvillua, pyetja shtrohet: a ishte publikimi i kësaj videoje një ngjarje thjesht spontane mediatike apo ishte një lëvizje e përgatitur në tavolinë për të lançuar një seri lëvizjesh të tjera politike nga ana e opozitës? Gjykoj se fakti që ajo nuk u çua nga Prifti në Prokurori, por në një media mbështetëse të opozitës, fakti se ajo u bë publike tani dhe jo para shumë muajsh kur ishte regjistruar, prerja e saj në një pikë shumë delikate në mënyrë të atillë që në aferën korruptive të përfshihej edhe kryeministri Berisha, si dhe fakti më i rëndësishëm se aferat korruptive nuk mund të trondisin vërtet politikanë si Rama që qëndrojnë në pushtet mu nëpërmjet këtyre lloj aferash, të le të mendosh se kjo ishte diçka e përgatitur për të filluar lëvizjen. Edhe fakti se opozita paralajmëroi, fill pas videos, demostratën duke i lëshuar ultimatumin Berishës: ose jep dorëheqjen ose ne nuk mbajmë përgjegjësi për daljen jashtë kontrollit të njerëzve në demostratë, ishte provë e kësaj. Ndërkaq nga pala e Berishës erdhën si kundërpërgjigje një lumë sharjesh e kërcënimesh në Parlament, të cilat sa ç’ishin një gjuhë urrejtjeje pafund, një metaforë e dëshirës për t’i asgjësuar moralisht dhe politikisht kundërshtarët që e kishin akuzuar, qenë edhe një thirrje për moblilizim emocional të falangave të militantëve të tij. Po ashtu, dorëheqja e Metës nuk u trajtua nga ky dhe Berisha si shenjë përgjegjësie e fajësie, por u shoqërua me betime për hakmarrje ndaj atyre që i kishin manipuluar këtë padrejtësi të madhe. Beteja me fjalë, pra, po përgatiste kësisoj një betejë me vepra. Kjo erdhi ditën e demostratës.
Le të ndjekim dinamikën e  kësaj dite. Për ata që kanë ndjekur nga afër dhe nëpërmjet televizionit ngjarjet është e qartë se kjo demostratë ishte e përgatitur për të dalë jashtë kontrollit dhe se, për të shmangur përgjegjësinë ligjore ndaj pasojave të kësaj, gjetja e organizatorëve ishte shumë dinake: ata kishin paralajmëruar se njerëzit e revoltuar mund të dilnin jashtë kontrollit, por përgjegjësia nuk do të binte mbi ta, por mbi qeverinë që nuk jepte dorëheqjen. Për ata që i kanë jetuar nga afër këta njëzet vjet paskomunizëm shqiptar, ky është një skenar i njohur: destabilizim i vendit nëpërmjet turmave derisa qeveria të japë dorpëheqjen. Berisha i njeh mirë këto skenare, sepse i ka përdorur edhe vetë. Pra, nuk mendoj, siç deklaron maxhoranca, se opozita kishte ndërmend të kryente një grusht shteti, të pushtonte institucionet e të deklaronte të shkarkuar Berishën. Demostrata synonte ta detyronte këtë të jepte dorëheqjen e të pranonte zgjedhjet e parakohëshme, duke krijuar një klimë të tillë që, tek e fundit, do t’i detyronte edhe ndërkombëtarët ta kërkonin një gjë të tillë, e kështu, i dorëhequr, ai do të shkonte në zgjedhje sa për të dorëzuar pushtetin. Përdorimi i kësaj strategjie është i kushtëzuar edhe nga fakti se opozita tashmë ka krijuar bindjen – dhe jo krejtësisht pa të drejtë - se nuk mund ta fitojë pushtetin me votë të lirë pasi Berisha do t’ia vjedhë.
Në momentin kur demostruesit u panë të lëshohen me hunj e bomba molotov kundër policisë, të djegin makina  e të shkulin trotuarët, u duk se njeriu më i lumtur për ngjarjet e ditës së premte 21 janar do të ishte kryeministri. Dhuna e atyre demostruesve të sjellë nga anë e anës, që vetëm pamje demokratësh nuk kishin, do t’u vërtetonte kështu shqiptarëve e botës se çfarë opozite, ose më saktë, se çfarë liderësh opozite ka ky vend. Madje u krijua përshtypja se pati një moment kur ky i tërhoqi forcat e policisë në mënyrë që zyrat e Kryeministrisë të dhunoheshin vërtet, duke na bërë të kujtojmë se ishte pikërisht 14 shatori i 1998 ai që e fundosi Berishën mu pse njerëzit e tij sulmuan e dhunuan institucionin e kryeministrisë. Mirëpo, duket se këtë e dinin mirë edhe drejtuesit e protestës. Kuptohej se ata e kishin lëshuar turmën me synimin që kjo të bënte zullumet e mundëshme, por, nga ana tjetër, askush prej tyre nuk kishte ndërmend të merrte autorësinë dhe përgjegjësinë e këtyre zullumeve dhe as të merrte televizionin shtetëror dhe të dilte e të deklaronte fitoren përfndimtare, sikurse tha Berisha më pas. Interpretimi që ata kishin përgatitur të jepnin, e përsëris, ishte se kishim të bënim me shpërthimin e zëmërimit popullor për shkak të një qeverie të korruptuar, si dhe për shkak të ndërhyrjes së dhunshme të policisë ndaj demostruesve, pa çka se kjo e fundit, sipas çka pamë, por edhe sipas dëshmitarëve të besueshëm që kanë qenë në vend, do të duhej të kishte kundërvepruar shumë më herët nga ç’kundërveproi.
Kësisoj beteja tek Kryeminstria më shumë sesa një sulm serioz për ta detyruar Berishën të linte vendin sipas një shembulli tunizian dhe një mbrojtjeje serioze nga krahu tjetër, i shëmbëllente një demostrimi force - nën regjistrimin dhe transmetimin direkt të telekamerave – ku pa dyshim, kishte edhe spontanitet në kuptimin se një pjesë e të rinjve që sulmonin ato porta i kishte kapur një instinkt luftarak (ashtu sikurse i kapi edhe policët dhe gardistët nga krahu tjetër), por që kishte edhe regjisorët e vet në të dy krahët. Sipas meje ishte një diçka që nëpërmjet amplifikimit mediatik të trazirës synonte të arrinte maksimumin nëpërmjet minimumit, jo pse nuk do të donin të arrinin më shumë, por sepse pjesa më e madhe e popullsisë i njeh mirë regjizorët që tërheqin fijet e këtyre ngjarjeve dhe nuk përfshihet në to, siç edhe nuk u përfshi. 
Momentin kur filluan breshëritë e kallashnikovëve personalisht e përjetova me habi. Ç’po ndodhte me regjinë që vinte nga Kryeministria? Pata bindjen se këto ishin të shtëna në ajër paralajmëruese ose frikësuese ndaj grupit që u nxit për të disatën herë që të dhunonte kryeministrinë. Nuk e imagjonoja dot se ata mund të ishin plumba të vërtetë. Vërtet mund të imagjinohej se ajo turmë në atë pikë vlimi ku kishte mbrritur konflikti, sikur të mos kishte rezistencën nga brenda, do të hynte në Kryeministri dhe do të kryente akte vandalizmi duke bërtitur “fitore, fitore” pa e ditur se kjo do të ishte humbja më e madhe, por, megjithatë, pyetja që ngrihet është: a nuk kishte mënyrë tjetër për t’u bërë rezistencë atyre njerëzve përveç vrasjes së disave prej tyre? Edhe fakti që ata po qëllonin me gurë, të sigurtë se nuk do të qëlloheshin me armë zjarri, a nuk i bënte jo ashtu dhe aq të rrezikshëm? Sipas meje kishte mënyra të tjera më të buta për t’u bërë rezistencë atyre njerëzve; madje edhe mund të lejoheshin të hynin dhe të bënin vandalizma në Kryeminstri, por të mos vriteshin. Një mënyrë do të kishte qenës sikur të lëshoheshin mbi ta makinat me ujë, që pamë në një moment të demostratës. Mundet gjithashtu, që të përdoreshin plumba manovre, për t’i trembur apo plumba plastikë për t’i qëlluar, por jo për vdekje. Kishte po ashtu edhe një mënyrë tjetër për të ndalur vandalizmin e pritur: Edi Rama me shokë, që i frymëzonin këta njerëz, do të duhej të kishin kurajon në këtë moment të dilnin në ballë dhe t’i ndalnin e t’i vinin ata gjoksin derës së Kryeministrisë. Apo edhe të lidheshin me kryeminstrinë apo me shefat e gardës e t’u thonin të bënin edhe pak durim se do të ndërhynin për t’i ndalur. Por problemi është se sipas meje, të dy palët i donin ata të vrarë. Pala e qeverisë donte disa të vrarë për të treguar atë që tha kryeministri në Parlament, se do t’ua shtypte kokën neobllokmenëve dhe pala tjetër për t’i pasur këta të vrarë si instrument akuze dhe po ashtu si flamuj në betejat e ardhëshme. Ja pse gjykoj se të vrarët janë viktima të të dy palëve: se Edi Rama e të tijtë i çuan njerëzit e gjorë në pritë dhe Saliu me të vetët i vranë.
Ajo që ndodhi thuajse menjëherë pas vrasjeve, kur të dy kampet shpërndanë akuza për njëri tjetrin pa pritur asnjë hetim, ishte një vazhdim i kësaj beteje të pamoralëshme në kurriz të njerëzve të vrarë e të instrumentalizuar. Qeveritarët, me Berishën në krye, ndonëse duhet ta dinin, madje kishin për detyrë ta dinin, se disa gardistë kishin qëlluar horizontalisht, nxituan të thonë se i kanë vrarë opozitarët prapa shpine për të akuzuar qeverinë. Ndërkaq opozitarët, me Edi Ramën në krye, nxituan të zgjedhin variantin më kriminal të vrasjeve, atë me snajper gjakftohtë, ndonëse duhet ta dinin se të vrarët ishin viktima të breshërive në momentin kur u sulmua kryeministria. As vdekja e njerëzve nuk i ndali këta njerëz në imoralitetin dhe papërgjegjshmëria e tyre, në manipulimet, shpifjet dhe gënjeshtrat reciproke.
Ajo që po vazhdon pas të premtes është një thellim i kësaj lufte të pamoralëshme dhe të papërgjegjëshme, ku balanca e fajësisë dhe përgjegjësisë tashmë po rëndon gjithnjë e më shumë mbi qeverinë dhe Berishën personalisht, por pa përjashtuar se krahu tjetër mund ta kthejë balancën në krahun e vet shumë shpejt. Refuzimi i qeverisë për të ekzekutuar urdhër arrestin e lëshuar nga Prokuroria e Tiranës për gjashtë drejtuesit e gardës që sipas saj rezultojnë përgjegjës për vrasjen e futi vendin në një krizë institucionale që të le të kuptosh se përdorimi i forcës dhe dhunës po merr gjithnjë e më shumë përparësi. Akuza e lëshuar mbi Prokuroren e Përgjithëshme, se ajo është pjesë e puçit si dhe inisiativa e Berishës për të ngritur një komision parlamentar, i cili sipas ligjit pezullon edhe kompetencat e prokurorisë për të hetuar mbi këtë tragjedi, de facto ka kuptimin se Sali Berisha po merr kështu kompetencat e një të gjithëpushtetëshmi, që kontrollon të tjerët, por që nuk pranon të kontrollohet, duke i dhënë demokracisë së brishtë shqiptare tiparet e një regjimi autoritar. Edhe shpërblimi që ai shpall ndaj atyre policëve të varfër, që u sakatuan nga të varfërit e tjerë të manipuluar, e manipulon dhe polarizon edhe më shumë situatën. Punonjësit e shtetit kanë bërë detyrën dhe nuk mund të shpërblehen si mercenarë të një force politike. Të paktën jo në këtë moment. Në këtë situatë opozita shpallet gati e paligjshme, e shtrënguar që ose të luftojë për jetë a vdekje me njerëzit e vet për të shtrënguar Berishën të dorëzohet, ose të dorëzohet vetë. Spiralja e këtij konflikti pa arbitër mund të na çojë kështu ose në kaosin e destabilizimin e një lloj lufte civile ose në instalimin e diktaturës së më të fortit.
  Në emër të kësaj perspektive, këto forca na bëjnë thirrje të dalim në miting këtë javë duke na thënë se po dalim për demokracinë dhe lirinë. Po a nuk e kemi parë tashmë se sa e duan ata vërtet demokracinë dhe lirinë dhe ndërshmërinë dhe drejtësinë dhe jetën e lumturinë e të tjerëve? Unë gjykoj se jo vetëm nuk duhet te dalim në mitingjet e tyre, por se këta duhen bojkotuar totalisht e denoncuar që të dy palët. Ka ardhur koha që Shqipëria të ngjizë një lëvizje që do të nxjerrë njerëzit në rrugë të demostrojnë paqësisht, por përditë dhe me shumë forcë, jo për të mbështetur këta, por për të dëbuar këta.
Ja pse, për të ardhur në temën që preka në fillim të këtij shkrimi, gjykoj se ne na duhet të nxjerrim nga skena politike liderë si Sali Berisha dhe Edi Rama jo thjesht si persona, por si çfarë ata përfaqësojnë. Sepse në fakt, Sali Berisha dhe Edi Ramë nuk janë thjeshtë dhe vetëm etja e tyre për pushtet, patriarkalizmi dhe autoritarizmi i tyre. Janë edhe kultura e dhunës, e pamoralshmërisë, e dyfytyrësisë, e korrupsionit, e paligjshmërisë që këta nxisin në shoqëri. Janë edhe oligarkët që qëndrojnë prapa tyre me të cilët ndajnë e grabisin paranë publike, janë edhe mediat që këta kanë ndërtuar si instrumente luftënxitjeje, manipulimi dhe mashtrimi, janë edhe intelektualët e gazetarët që kanë blerë, janë edhe trafikantët e kriminelët me të cilët bashkpunojnë, janë edhe injorantët dhe mercenarët që paguajnë, që u duhen si vegla për të vrarë. Dënimi i tyre do të duhej të shoqërohej me lëvizje brenda dy partive për pastrimin e tyre nga gjithë këto e për inkurajimin e një drejtësie e cila i konsideron të gjithë të barabartë përpara ligjit.
Dikujt ky propozim i duket jo realist, duke patur parasysh se sa mbizotërues janë në shoqëri personat dhe fenomenet që përmenda. Kjo është e vërtetë, por, nga ana tjetër, është edhe shumë realist përderisa e mendojnë shumë njerëz në këtë vend, sot më shumë se kurrë. Madje është mënçuria dhe vetëdija e këtyre njerëzve që nuk po lejon sot që të papërgjegjëshmit dhe të babëziturit për para dhe për pushtet na tërheqin në tragjedi më të mëdha. Prandaj u ndjeva shumë i lumtur kur, teksa shkruaja këtë artikull, më arriti në postën time elektroknike një e-mail nga njerëz që përfaqësojnë pikërisht këtë pjesë të shoqërisë “që refuzon te jete pjese e klientelizmit dhe militantizmit partiak” e që ka hartuar një peticion në të cilin kërkohet që të jepet dorëheqja e Sali Berishsë dhe Edi Ramës “TË GJYKUAR PUBLIKISHT SI FAJTORË POLITIKË PËR TRE TË PAFAJSHMIT E VRARË DHE QINDRA TË PLAGOSURIT”. E firmosa menjëherë dhe e shpërndava ku munda. (Panorama, 25 janar 2011)

Thursday, January 20, 2011

Kryeprokurorja duhet të japë dorëheqjen

https://blogger.googleusercontent.com/img/b/R29vZ2xl/AVvXsEihBwosmFJUdyEwnRNMk2Ec9NAoWBJAns4_MDftyrmHTZ-IudBBhFWhpLifCNDVf6qq9TVRWzNKCAV0tw7QD4iZlddYJ59NgIzUqtFstGco5cmmytME1QOYSwhL4or9O_Bur83W-A/s1600/FL+Grafik+Kopie.jpgNë këtë situatë superkrize, ku skandali mbulon dhe njëherësh gjeneron skandalin një gazetar e ka të vështirë të gjejë kohën e mjaftueshme për të kaluar në filtrin e një analize të plotë dhe sa më të menduar fenomenet që shfaqen. Do të jetë i detyruar medoemos të zgjedhë disa ngjarje, me rrezikun që të harrojë apo neglizhojë disa të tjera. Në këtë kontekst, vë re se situata të tilla mund të bëjnë të kalojnë jashtë vëmendjes skandale, që edhe pse në vështrimin e parë mund të duken më pak të bujshëm, kanë një kuptim shumë të rëndësishëm për të shpjeguar situatën që po kalojmë dhe rreziqet që na kanosen.

Radha e skandaleve të bujshme do të kërkonte të shkruaja për atë që ndodhi në Parlament, por gjykoj se ka rëndësi të evidentohet një skandal që ka ndodhur përpara këtij, kuptimi i të cilit është shumë më serioz, e pasojat e të cilit mund të jenë shumë më të rënda, edhe pse s’ka bërë bujë mediatike.
Gjykoj se më skandaloz se vetë kaseta Meta-Prifti është akti i Prokurorisë së Përgjithshme, e cila ia dërgoi kasetën Ambasadës Amerikane për ekspertimin e autenticitetit të saj. Është një skandal që konfirmon impotencën e prokurorisë sonë, që presupozohet se duhet të jenë garancia e ligjit, përpara pushteteve të tjera. Sepse është e qartë për këdo shqiptar se çështja e dërgimit të kësaj kasete Ambasadës Amerikane nuk lidhet me atë se Prokuroria jonë nuk ka mjetet e duhura teknike për të provuar autenticitetin ose jo të përgjimit që ajo përmban. Gjykoj se edhe një diletant në shtëpinë e tij do të mund ta bënte vërtetimin e kësaj. Jo, çështja nuk lidhet me aftësitë teknike. Prokuroria jonë, me një takticizëm bizantin, nëpërmjet këtij akti ka synuar t’ia kalojë përgjegjësinë që duhet ta mbajë vetë si institucion Ambasadës Amerikane, duke synuar që këtë patate të nxehtë ta lërë në duart e të huajve. Prokuroria provoi kështu se ka frikë se nëse ekspertët e saj thonë se kaseta nuk është e manipuluar, mund të bien nën sulmet e Berishës e Metës; ndërsa nëse thotë se është e manipuluar, do të bjerë nën sulmet e opozitës, e cila do t’i quajë instrumente të Berishës e Metës.
A mund të shtrohet në mënyrës simetrike kjo çështje, pra se Ina Rama ka frikë njëlloj si nga Berisha e të tijtë, si nga Rama dhe të tijtë. Mendimi im është se në këtë rast ka më shumë frikë nga të parët, por në tërësinë e vet, ky akt është një shenjë e sigurt e impotencës së atij pushteti pa pavarësinë e të cilit ne nuk mund të themi se jetojmë në një demokraci.
Ne e dimë pse ky akt i Prokurorisë nuk bëri shumë bujë, pasi për çdo shqiptar është e qartë se kështu (impotente) është Prokuroria jonë. Dimë se maxhoranca dhe opozita së bashku, para disa kohësh ia pakësuan edhe më pushtetin Ina Ramës. Dimë se Sali Berisha mund t’i hapë librin e shtëpisë atyre prokurorëve që do të guxonin të hetonin njerëzit e tij. Dimë se edhe një pjesë prokurorësh vetë mund të jenë të shantazhueshëm, dimë se këta, për të njëjtat arsye frike nga të pushtetshmit, u janë shmangur shumë ballafaqimeve me shkeljet ligjore që përfshijnë këta. Por edhe këta duhet të jenë të vetëdijshëm se opinioni publik gjithnjë e më shumë mendon se është më mirë që këta të mos jenë fare aty në ato zyra, sesa të na lënë kështu si po na lënë, në mëshirën e paligjshmërisë e të padrejtësisë. Jo vetëm, por këta prokurorë, me në krye kryeprokuroren Ina Ramën, duhet të jenë të vetëdijshëm se duke treguar hapur impotencën e institucionit, nuk japin asnjë garanci se do të bëjnë transparencën në këtë skandal dhe se mund të ndikojnë në thellimin e implikimeve që ai mund të sjellë. Ilir Meta, edhe pse për shumicën e opinionit, me aq sa ky ka parë në atë video, duket fajtor, (paçka se në atë video kemi edhe një manipulim 30 sekondësh për të futur edhe Berishën në vallen e korrupsionit me tenderin e hidrocentralit) ka të drejtë të mohojë e të mbrohet dhe të prezumohet i pafajshëm deri në një vendim të gjyqësorit. Por, a mund të ketë kush besim tek gjyqësori kur shikon Prokurorinë ta largojë kasetën me frikë nga duart e veta? Absolutisht jo. Ilir Meta ka dhënë dorëheqjen me kërcënime se do të bëjë namin ndaj atyre që i kanë manipuluar kasetën, se do të padisë Priftin e me radhë e me radhë. A është e vetëdijshme Ina Rama për përgjegjësinë që bie mbi shpatullat e saj në këtë rast? Kam përshtypjen se jo. Sepse nuk më duket se do të tolerojë kush që edhe kësaj here Prokuroria të veprojë si me një skandal korrupsioni të disa kohëve më parë, kur i nxori të dy palët kundërshtare, të maxhorancës edhe të opozitës, të pafajshëm.
Le të na thotë vetë Ina Rama se çfarë është më e rëndë për një vend: që të dalë një kasetë që akuzon një zv.kryeministër për korrupsion, apo që Prokuroria e këtij vendi të mos ketë guximin ta marrë në dorë këtë kasetë? Korrupsioni është një gjë që mund të ndodhë edhe në një demokraci. Por që Prokuroria e një vendi të mos marrë dot në dorë përgjegjësinë për zbardhjen e kësaj kasete, po t’ia çojë këtë një ambasade të huaj, kjo është superskandal. Të paktën të kishin pasur kurajon të jepnin edhe dorëheqjen kur dorëzuan kasetën në Ambasadën Amerikane.
Është folur e pretenduar shumë për arritjet e Shqipërisë në rrugën e saj drejt Europës. Ky akt i Prokurorisë, sipas meje, është prova më elokuente e asaj se tek ne nuk ka përparim të tillë. Përkundrazi, në Shqipëri po forcohet sistemi i partisë-shtet, që sot për sot nuk është një, por janë dy. Prandaj gjykoj se nëse kryeprokurorja Ina Rama do të jepte dorëheqjen duke pranuar pafuqinë e saj përpara krimit të veshur me pushtete partiake dhe shtetërore, do t’i shërbente mjaft debatit për ndryshime të rëndësishme që duhet të ndodhin tek, ne në mënyrë që Shqipëria të futet në hullinë e shtetit ligjor. (Panorama, 19 janar 2011)

Wednesday, January 19, 2011

Tronditje pa revoltë


Nuk ka nevojë të shohësh votime në internet për të nxjerrë përfundimin se numri i atyre shqiptarëve që thonë se edhe pas skandalit të kasetës Meta - Prifti nuk do të ndodhë gjë është më i madhi në numër. Këtë sikur e ndjejmë të gjithë nga përvoja e deridjeshme. E megjithatë pyetja e parë që të vjen ndërmend është: pse ndonëse e dimë fare mirë se çfarë ndodh, ne u tronditëm megjithatë? E shtroj këtë pyetje dhe më duhet të shtoj se  kjo lloj tronditje ka një karakter të veçantë shumë të ndryshëm psh. nga ajo trinditja që ndodhi në Hungari kur doli ai inçizimi ku kryeministri i thoshte një kolegu se e kishin gënjyer me vetëdije elektoratin dhe, si pasojë, njerëzit pushtuan rrugët të revoltuar. Kjo e jona është një tronditje, si ta quaj, e ndrydhur, pa atë ndjenjën e revoltës që të bën të pushtosh rrugët.
Pse kjo tronditje pa revoltë? Përgjigja që të vjen menjëherësh është se tek ne niveli i ndjeshmërisë së shoqërisë ndaj asaj që mund të quhet “skandal” është ulur aq shumë saqë kjo shoqëri mund të quhet në prag të paralizës. Analiza e asaj se çfarë ka ndikuar për ta paralizuar trupin e kësaj shoqërie kërkon më së pari t’i përgjigjemi pyetjes nëse kemi pasur ndonjëherë vërtet ndjeshmëri më të madhe apo kemi të bëjmë me një mënyrë të jetuari prej të nënshtruari ndaj abuzimit të pushtetit, të trashëguar nga komunizmi. Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje më duket sa e thjeshtë, kur them se ashtu është, edhe mjaft e komplikuar kur më duhet të them se nuk është tamama ashtu. Sepse rënia e komunizmit do të thoja se edhe çliroi ndjeshmëri të ndrydhura, të paralizuara, ndaj pushteteve abuzive dhe autoritare. Prandaj them se fakti që ato u rimpinë shumë shpejt nën goditjet e reja në forma të reja të pushteti të ri meriton një analizë jo aq të thjeshtë. Për shembull një analizë të veçantë në këtë drejtim gjykoj se meriton fakti se sa ka ndikuar pandëshkueshmëria e djeshme në mungesën e ndjeshmërisë së sotme. Sa psh. ka ndikuar një ngjarje si 97-ta që abuzuesit tanë të mos kenë frikë ta ngulin thikën e abuzimit thellë e më thellë? Sa ndikon fragmentizimi që i ka sjellë shoqërisë sistemi ekonomik në të cilin jetojmë dhe mungesa e strukturimit të atyre që punojnë bashkë?  Vini re: sot nuk mund të flitet më për kolektive punëtorësh që punojnë në një aksh fabrike apo ku di unë ku mund të ngjizej një protestë. Të gjithë jetojnë të ndarë e përçarë si kokrra (e në këtë analizë edhe emigracioni do të kishte peshën e vet); edhe fakti që përballë tyre qëndrojnë të punësuarit në shtet të cilët mund të konsiderohen kokrra të privilegjuarish që duhet të rrinë urtë sepse jeta e tyre varet nga pushteti. Do të meritonte një analizë po ashtu edhe fakti se jetojmë në një sistem që shumicës më të kualifikuar dhe më ambicioze të shoqërisë i imponon, për të mbijetuar, bashkëpunimin me këtë sistem korrupsioni, prandaj dhe bashkëfajësinë.
Ajo çka vihet re përtej analizës së shkaqeve të kësaj paralize të re, si formë edhe e paralizës së vjetër, është se megjithatë tronditja ekziston. Skandali i kasetës Meta - Prifti ka tronditur shumë vetë. Këta të tronditur do t’i ndaja në disa kategori. Në kategorinë e parë do të vendosja ata  që u tronditën jo pse mësuan ndonjë gjë që nuk e dinin, por pasi dalja në shesh e të keqes, që direkt apo indirekt e njohin dhe madje e pësojnë përditë, sikur  i poshtëron dhe demoralizon edhe më shumë duke ua vënë edhe më në dukje pafuqinë e tyre për të reaguar. Kjo kategori përjeton një tronditje ku peshën më të madhe si të thuash e ka poshtërimi e që lidhet sigurisht edhe me mosbesimin tek institucione të tilla si gjyqsori dhe opozita veçanërisht.
Por një tronditje disi ndryshe ka edhe një kategori tjetër.  Kjo është kategoria e atyre që do të thoja se janë ende në  gjendjen infantile në raport me pushtetin e partive dhe liderët e tyre. Këta janë si ata fëmijë të cilëve kaseta u nxorri para sheshit mënyrën se si e “mbajnë familjen” prindërit e tyre: me punë të pista, por edhe që nuk duan ta dinë këtë sepse kështu u tronditet lidhja familjare, besimi që kanë apo duan të kenë për të jetuar. Tek kjo pjesë kemi fenomenin e polarizimit emocional që skandalin kërkon ta shikojë si produkt të armikut, por nuk mund të thuash se për momentin ata nuk janë të tronditur sepse fakti është shumë i pakundërshtueshëm. Kështu që tek tronditja e kësaj kategorie peshën më të madhe e ka turpi, i cili edhe ky e frenon revoltën.
Një kategori tjetër e rëndësishme është ajo e të tronditurve të shtirur: e atyre që bëjnë sikur janë tronditur, por që në fakt u intereson thjesht e vetëm instrumentalizimi i tronditjes. Mjafton të kesh parasysh faktin se kaseta ka një vit që ekziston dhe as nuk ka dalë në media dhe as është çuar në prokurori apo faktin se si një pjesë e saj u pre për të lidhur Berishën domosdo me aferën e tenderit, për të kuptusr se kjo është kategoria e hajdutëve që bërtasin “kapeni hajdutin” të cilët nuk i motivon ndonjë ndjenjë drejtësie prandaj dhe s’mund të jenë vërtet të revoltuar. Fakti që protestat (e vonuara) që thuhet se do të bëhen këto ditë po organizohen nga kjo kategori sikur e paralizon edhe më pjesën tjetër.
Por të gjithë jemi të tronditur megjithatë. Dhe tronditja është një kusht i nevojshëm për të nisur një proces ndryshimi. Pa përjashtuar asnjë formë reagimi personalisht gjykoj se ky proces duhet të shoqërohet me një debat të madh publik që të zbërthejë fëlliqësirën që kemi gatuar këta njëzet vjet dhe njëherësh të denoncojë përgjegjësit kryesorë politikisht, moralisht dhe ligjërisht. Një debat e denoncim që duhet të zhvillohet edhe brenda vetë partive kryesore e jo të devijohet prej tyre në formën e akuzave të ndërsjellta. Në fakt është një debat dhe denoncim që njerëzit e bëjnë përditë me njerëzit më të afërm, por sjellja e tij në skenën e madhe publike sabotohet apo devijohet nga përgjegjësit e së keqes që kanë uzurpuar thuajse krejtësisht skenën publike. E megjithatë gjykoj se ky proces duhet të fillojë të shfaqet sa më parë në skenën e madhe publike që nesër të mos shfaqet në forma të dhunshme e tragjike. (Panorama, 18 janar 2011)
  

Saturday, January 15, 2011

Lubonja: Pse iu bashkova ekspozitës “Fjala”

Mosreagimi i artistëve mosreagimi ndaj shëmtirës shpirtërore dhe materiale që na rrethon, komprometon edhe artin e tyre.
Intervistë me Alma Mile

Pjesëmarrja juaj në një ekspozitë të arteve vizuale, nuk të lë indiferent. Ju njohim më së shumti si njeri të letrave, rastësi, apo ndonjë lidhje më e hershme?

Lidhja ime me artin vizual si diletant, në kuptimin e një njeriu që e do artin vizual, është e vjetër. Me këtë diletantizmin tim (ndonëse dikush thotë: "Nuk duhet të jesh as diletant as virtuoz, por artist" dhe unë nuk guxoj ta quaj veten artist), kam punuar prej kohësh gjëra të ndryshme, pra nuk është diçka e re. Qysh në burg kam realizuar ca skulptura të vogla, abstrakte. I kam bërë për të gjetur një mënyrë të shprehjes së dashurisë për njerëzit më të afërt. Me kalimin e viteve, pas daljes nga burgu, jam marrë me letërsi, por herë pas here i jam kthyer artit vizual. Interesi i hershëm për këtë art më ka shtyrë të njoh sadokudo edhe teorikisht, ato që quhen rryma të ndryshme të tij, si mënyra të ndryshme të këndvështrimit të botës, si gjuhë të ndryshme të artit dhe evoluimin e tyre. Deri sa kam rënë në burg, kam qenë disi i azhornuar me modernizmin e gjysmës së parë të shek XX, që ka influencuar skulpturat që përmenda. Pasi dola nga burgu, kurioziteti më ka çuar të njoh zhvillimet e tij të gjysmës së dytë, ndër to edhe artin konceptual të instalacionit, i cili edhe pse fillimet e tij i ka në gjysmën e parë, është zhvilluar shumë pas viteve '60 dhe për mua është bërë i njohur vetëm pasi kam dalë nga burgu, në '91.

Si u ngjiz pjesëmarrja juan në ekspozitën "Fjala"?
Siç e thashë, pra kontakti im me artin vizual, çka do të thotë edhe me miq artistë e krijimtarinë e tyre, ka qenë i vazhdueshëm. Mund të përmend emra si Ali Oseku, Maks Velo, që i kam pasur në burg, Ardian Isufi, Lad Myrtezai, Gaz Leka, Najada Hamza, Edi Rama etj. të së njëjtës famë, por edhe më pak të njohur, që unë i vlerësoj. Mos harroni se jam dhe botuesi i revistës "Përpjekja", ku kam botuar herë pas here mendimet e tyre artistike. Anri Sala p.sh., ka realizuar disa nga kopertinat e saj. I gjithë ky kontakt më ka ngacmuar edhe ide. Shpeshherë njeriu ka nevojë të shprehet edhe me mjeta të tjera, nga ato që janë gjuha e tij e zakonshme, që në rastin tim është shkrimtaria. Kjo është pjesë e nevojës njerëzore për të zhvilluar potencialitetin e tij. Me Ardian Isufin, së fundi, kam biseduar gjatë për një ekspozitë me instalacione, që mendoj ta bëj. Edhe ideja e hapjes së një ekspozite me temë "Fjalën", ishte pjesë e këtyre bisedave. Të gjithë që i kanë parë i ka intriguar pamja e atyre fletëve të vogla të letrave të cigareve, ku është shkruar romani "Ploja e mbrame". Pamja e tyre ngacmon shumë imagjinatën, kuriozitetin lidhur me përmasat, teknikën, me faktin që është një libër, i shkruar në burg, i bërë për t'u fshehur. Ardianit i shkonte shumë simbolika e tyre në ekspozitën që po kuronte. Ishte ai që më nxiti të marr pjesë duke më dhënë gjithë ndihmën e mundshme për realizimin e instalacionit.

Fakti që është vendosur në një kontekst të tillë, pra në një ekspozitë të arteve vizive, u jep atyre fletëve një tjetër simbolikë, përtej qenies si libër, apo jo?

Ajo që ju keni parë, nuk duhet interpretuar thjesht si një dokument historik. Kështu, fare mirë mund të ishin ekspozuar origjinalet në një muze të të përndjekurve politikë. Por këtu kemi të bëjmë me një pretendim tjetër. George Bracque i famshëm, kur shpjegon artin e tij, se si objektet që pikturon marrin vlerë nga raporti me artistin, sjell shembullin e një guri që qëndron në rrugë dhe ai e merr për t'ia vënë si tako rrotës së makinës, duke i dhënë kështu një vlerë e kuptim tjetër. Këto raporte me objektet - thotë ai - variojnë deri në infinit. Edhe këto fletë të shkruara në burg, të vendosura në atë zarfin e vogël, që në Burrel rrinin të fshehura tek libri, kurse në jetë rrinë tek sirtarët e mi, janë objekte që të fotokopjuara në mënyrë sa më identike, të hapura dhe të vendosura në atë mënyrë siç janë vendosur në ekspozitë njëra pas tjetrës, nga faqja e parë tek e fundit, së bashku me librin ku kanë qenë fshehur, pastaj me librin të botuar në '94-ën në krahun tjetër, bëhen diçka tjetër, që tenton të thotë tjetër gjë nga ç'thonë si dokument historik. Kam synuar të përçoj nëpërmjet këtij instalacioni që ia kam vënë titullin "Përpjekje, Burrel 1988 - Tiranë 2010", narrativës që ai përmban emocionet e përpjekjes së njeriut në këtë botë, për të mbijetuar; për ta lënë një gjurmë të ekzistencës së tij edhe në kushtet më ekstreme. Ai mund të interpretohet edhe si ilustrim i asaj që thotë Malarmeja, se e gjithë jeta e njeriut reduktohet në një libër, por një libër i shkruar ashtu mund të interpretohet edhe si simbol i çdo përpjekjeje njerëzore. Të gjitha këto emocione e mendime, e jo domosdoshmërisht këto, tenton t'i ngacmojë kjo vepër, ky instalacion në një hapësirë ku spektatori duhet të ndihet edhe ai pjesë e veprës, prandaj është vendosur edhe lupa aty.

Kemi të bëjmë me një gjuhë tjetër të artit nga piktura, kuptohet. Mua m'u dha rasti të ekspozoj me artistë të njohur, si piktorë kryesisht. Nuk do të guxoja të ekspozoja bashkë me ta, në gjuhën e tyre të ngjyrave, madje dhe në këtë rast kisha një lloj hezitimi. Fakti që ata më futën mua në bashkësinë e tyre është një vlerësim për këtë vepër, por kam dëshirë ta shoh edhe si një mesazh demokratik që i jep të drejtë Joseph Beuys, kur thoshte se "çdo njeri është artist".

Pra, ndoshta në një ekspozitë me temë "Fjalën", ju mund të ndiheshit më komod..


Do të thoja se puna ime përmban një pamje mjaft të veçantë të fjalës. Ajo fjala e shkruar ashtu, aq e vogël, ajo fjala që nuk zhduket sado që ta shtypësh, që përmban brenda edhe idenë se e vërteta e atij realiteti vetëm ashtu mund të shkruhej, me germa gati të padukshme, për t'u fshehur, më duket se ngacmon shumë imagjinatën dhe kuriozitetin. Tek e fundit, mendoj se kushdo që mund ta shohë atë vepër të lidhur me fjalën, me sy direkt dhe pastaj me lupë, në shkrim dore dhe pastaj të shtypur, sikur do të fitojë një nderim edhe më të madh për fjalën.

Siç e thatë edhe ju, veç mesazhit që këto fjalë përcjellin, ngjallin edhe shumë kuriozitet? Si janë shkruar ato?

Pjesa e kuriozitetit, si është shkruar, është interesante pa dyshim dhe ka vlerën e saj dokumentare, por edhe artistike, se i gjithë instalacioni synon të përçojë edhe idenë e mundimit të shprehjes së fjalës. Fletët që shihni janë fotokopje të origjinalit, sepse fletët në origjinal janë të shkruara në të dyja anët. Aty shihni 81 faqe, që në origjinal janë të shkruara në 41 fletë cigaresh, në një nga qelitë e burgut të Burrelit, me një teknikë shumë të thjeshtë. Në burg lejoheshin lapsat, pasi të burgosurit kishin të drejtë t'u shkruanin letra të afërmve. P.sh., lapsat e karbonit apo të plumbit, siç i thonë, kanë fortësi të ndryshme. Ai që kam përdorur unë ishte një laps tresh, shumë i fortë, që nuk konsumohet shpejt. Me një copë brisk të vogël, të cilin e mbaja fshehur, e mprehja vazhdimisht, që ta kishte majën sa më të hollë. Ato fjalë e fraza janë shkruar me sy, jo me lupë. Asokohe i shihja mirë dhe janë të gjitha të lexueshme. Sigurisht, është shkrimi im, që e lexoj lehtë vetëm unë, por po të vë syzet apo lupën, edhe sot i lexoj të gjitha.

Gjetët atë format, sepse ishte më i thjeshtë për t'u fshehur apo..?

Ai ishte formati i fletëve të duhanit që pinin të burgosurit, me të dredhur. Më duhet të sqaroj se romani "Ploja e mbrame", nuk u shkrua direkt ashtu. Po të shohësh, në ato fletë nuk ka fshirje, korrigjime. Në burgun e Burrelit njerëzit kanë shkruar letra, kanë bërë libra, përkthime. Unë në shtëpi kam mjaft të tilla. Problemi ishte se komanda bënte kontrolle të herë pas hershme dhe t'i merrte, t'i zhdukte. Ky roman ka një metaforë shumë të lexueshme kundër regjimit dhe frika se mund të kapej, të lexohej dhe të zhdukej, (këtë të fundit kisha më shumë frikë, pasi ne të ridënuarit nuk mendonim se do dilnim ndonjëherë, përveçse kur të binte regjimi, siç ndodhi me të vërtetë) më çoi në idenë të bëja një kopje të tij, në mënyrë të tillë, që ajo pastaj të mund të fshihej diku dhe të kisha mundësi ta ruaja, apo t'ia kaloja familjes.

Ndodhi që kur ra regjimi, ne nuk na i morën dorëshkrimet e mëdha; kam një arkë të tërë me shkrime të asaj kohe. Kështu, hedhjen në kompjuter nuk e kam bërë prej tyre, por nga blloqet, ku e kisha me germa të mëdha. Ky pra ishte procesi i hedhjes në "mikrofilm" të romanit.

Ju jeni një njeri i fjalës dhe ndoshta mund të na e thoni më mirë se shumë të tjerë. Nëse në diktaturë për fjalën burgoseshe, sot, a ka pengesa fjala?

Kur themi fjala, nënkuptojmë edhe ideja, informacioni, e vërteta. Pa dyshim që mbetet problem thënia e fjalës së vërtetë. Në një farë mënyre, pushteti e ka pasur gjithmonë frikë fjalën e vërtetë dhe ka dashur ta kontrollojë atë. Dhe kjo prirje për ta kontrolluar fjalën, që Foucault e quan "fashizmi brenda nesh", shfaqet edhe sot, por duke përdorur instrumente të tjera, që janë instrumente të kohës. Në qoftë se në kohën e regjimit komunist fjala e lirë burgosej, sepse dënoheshe për agjitacion e propagandë, prandaj ishe i detyruar ta mbaje brenda ose ta shkruaje fshehur, apo të mos e shkruaje fare, ta përçudnoje, të përdorje dygjuhësinë apo metaforën, në kohën e sotme, padyshim shkallët e lirisë së fjalës së vërtetë janë më të mëdha. Por megjithatë, sot pushteti përdor instrumente të tjera për ta shtypur fjalën e vërtetë: këto janë mjetet financiare, kryesisht blerja ose kërcënimi i mbijetesës për shumë njerëz, që bën sërish që fjalën të mos e thuash, të mos e shkruash, ta deformosh, të mos ia transmetosh tjetrit. Tek e fundit, kur themi fjala, nënkuptojmë njeriu, i cili është e vetmja qenie që e artikulon atë dhe kur flasim për lirinë e fjalës, flasim për lirinë e njeriut. Unë kam qenë dhe jam i mendimit se liria është një vlerë, për të cilën, siç thoshte Gëtja, duhet të shkosh në luftë çdo ditë. Pra, edhe në kohën e sotme duhet të shkosh përditë në luftë për fjalën e lirë. Ai që mendon se e ka të garantuar, se e kanë bërë luftën të tjerët, gabohet. Duhet ta bëjë vetë përditë këtë luftë, madje jo vetëm me të tjerët, por edhe me vetveten, jo vetëm me pushtetin e parasë, por edhe me injorancën e tij.

Është edhe ky (lufta e përditshme) një mesazh që doni të përcillni përmes instalacionit tuaj?

Ky mund të ishte një interpretim indirekt që mund t'i bëhej kësaj vepre. Por sipas mendimit tim, kjo ekspozitë nuk ishte e fokusuar në shprehjen e ndjeshmërisë ndaj ndrydhjes së fjalës në kohët e sotme. Shumica e objekteve me gjithë simbolikën e tyre të çonin në Shqipërinë e diktaturës, si gazeta "Zëri i Popullit", bashkë me kallirin prej dhëmbësh të Ardian Isufit, apo librat e të atit të Hamzës, që të kthejnë pas në atë kohë, kur libri ishte aq i çmuar, apo në rastin e dyshekut të Lad Myrtezait, i cili tregon transportimin e vazhdueshëm të njerëzve. Një dyshek i gatshëm për t'u transportuar. Ajo, më shumë lidhej me raportin e artistëve me fjalën e ndrydhur, apo përçudnuar, apo fshehur, apo adhuruar në diktaturë.

Nëse do të bëja diçka për të shprehur nëpërmjet artit vizual raportin tim me këtë kapitalizmin shqiptar, që nuk është demokraci, por sundimi i oligarkisë që kontrollon edhe fjalën e lirë, do të përdorja të tjera pamje. Për shembull, në një instalacion ndoshta do të përdorja shëmtinë dhe dhunën arkitektonike urbane që na rrethon, duke e projektuar atë në muret e një hapësire të mbyllur, që do ta bënin spektatorin kur të hynte aty, të ndihej si në një qeli, nga muret e së cilës do t'i bëhej sikur po i bien pallate mbi kokë, e ku njërën faqe muri do ta mbushja me gazeta e ekrane televizive. Pra, do të ishte një si punë videoinstalacioni.

A mendoni se arti ka bërë pak në këtë drejtim?

Mendoj se edhe për arsyet që përmenda më sipër, artistët kanë reaguar shumë pak, jo vetëm me veprat e tyre të artit në këtë drejtim, por edhe me qëndrimin e tyre publik. Madje, do të thosha se mosreagimi ndaj shëmtirës shpirtërore dhe materiale që na rrethon, komprometon edhe artin e tyre. (Panorama, 14 janar 2011)

Tuesday, January 11, 2011

Turizmi në CNN dhe antiturizmi ne vend


Kryeministri Berisha, gjatë këtyre ditëve të para të vitit të ri, ka ndërmarrë një fushatë paraelektorale duke trumbetuar me të madhe, kudo ku shkon, se e ka bërë Shqipërinë “lule”, aq sa CNN na e paska renditur si vendin e gjashtë më tërheqës në botë për turizmin e vitit 2011.
Pas nënqeshjes që të shkakton dëgjimi i kësaj “batute”, pyetja e parë që të vjen ndërmend është: si qëndron puna vallë, a mos jeton kryeministri në një Shqipëri krejt tjetër nga ajo që jetojmë ne të tjerët, apo bash, pse ai e di shumë mirë se ku po jetojmë, mendon se njerëzit, sadokudo e hanë sapunin për djathë, veçanërisht po e quajtën “djathë” të huajt.  E prandaj le të projektojmë një reklamë djathi në CNN dhe pastaj t’ua kthejmë pasqyrën e ekranit të CNN shqiptarëve, që të verbohen, e kështu ta hanë. Personalisht besoj se jemi në këtë variantin e dytë, por ndoshta i ndihmuar ky edhe nga një vetëverbim dhe vetëizolim karakteristik për mbretërit që nuk duan ta shohin lakuriqësinë e tyre.
Një shqiptari si unë, që e ka vizituar dhe vazhdon ta vizitojë Shqipërinë, madje edhe i shoqëruar me turistë herë-herë, nuk mund të mos i vijnë menjëherë ndërmend disa pyetje për kryeministrin.
Së pari, kushdo që vjen të vizitojë një vend me qëllime turistike, do të dojë të vizitojë kryeqytetin e tij, e veçanërisht qendrën e ashtuquajtur historike të tij. E pra, a nuk e sheh kryeministri se çfarë shëmtire është qendra ahistorike e Tiranës? A nuk e sheh ai se prej afro një viti ajo është e kthyer në gërmadhë dhe do të mbetet kështu për një kohë të gjatë mesa duket? A nuk e sheh ai se ajo rruga, m’u në qendër ku u zbuluan të famshmet muret e Kalasë së Tiranës, ka nja tre vjet që është e bllokuar nga punime që s’dihet se kur do të mbarojnë? A shkon ndonjëherë ai në selinë e PD për të parë nga dritaret e saj, se ajo ish-lulishtja e bukur përballë saj është kthyer tashmë në gërmadhë? A ka shkuar ndonjëherë kryeministri të shikojë, njëqind metra djathtas selisë, sesi është katandisur shtëpia më e bukur e Tiranës, ajo e Toptanëve? (Më ka rastisur jo më larg se një vit më parë të shkoj ta vizitoj me disa turistë, që mbetën të shastisur nga barbaria e braktisjes të saj.)
Poende, a e di kryeministri se sa pak muzeume ka Tirana – për të mos thënë se s’ka asnjë – ku turistët të mund të shikojnë ato kuriozitete që ofrojnë muzeumet e tërë kryeqyteteve të botës, e të paguajnë për këto? A e di kryeministri se në guidat e Shqipërisë, Tirana përmendet thuajse vetëm për ngjyrat e pallateve të kryetarit të bashkisë, i cili, edhe ai, me një manipulim të tipit të këtij që po bën sot kryeministri me CNN, na u shit si kryetari më i mirë i botës dhe na i paraqiti ngjyrat e tij, të zhdukura tashmë, si atraksioni i madh i Tiranës.  Dhe nuk ma merr mendja se kryeministri demokrat ka ndërmend të ndërmarrë një aksion të përbashkët me kryetarin e bashkisë socialiste për t’i rilyer ato pallate, që t’i gjejnë turistët të freskët këtë vit, sepse deri në verë, të dy palët, mesa duket sheshit, kanë ndërmend ta mbajnë Tiranën si shesh beteje, aq sa në emër të kësaj beteje, nuk kanë miratuar fare as buxhetin e këtij viti.
Shkurt, unë do të vija bast se kryeqyteti ynë, nëse do të lihej në dorë të vlerësimit të gazetarëve seriozë e të papaguar, do të zinte vendin e gjashtë nga fundi, për nga varfëria e atraksionit turistik.
Por le ta lemë kryeqytetin, që modelin shkatërrimtar të kthimit të qendrës historike në qendër ahistorike abuzimi e fitimi, ua ka përçuar edhe qyteteve të tjera, si Durrësi, Korça e Shkodra dhe le të shkojmë ca më përtej: në bregdet psh., me të cilin mburremi aq shumë. A e sheh kryeministri se çfarë fëlliqësirash janë plazhi i Durrësit, Golemit e Kavajës? Çfarë u ofrojnë turistëve këta plazhe, përveç varganëve, pa fund, me pallate të shëmtuara dhe detit të mbushur me fekale?
Poende, si mund të flasë kryeministri për Shqipëri turistike, kur qyteti më i lashtë, e ndër më turistikët, siç do të duhej të ishte Shkodra, është katandisur në atë derexhe, sa përmbytet katër herë në vit? Sepse, që të jesh vendi i gjashtë më atraktiv në botë për turizmin, do të thotë që turistët të të mësyjnë jo vetëm në verë, por në çdo stinë. E që të hynë në Shkodër në stinët me shira, ata duhet të marrin me vete varka.
Le të vazhdojmë më tej: a e ka parë kryeministri Sarandën se si është katandisur? Ajo mund të jetë interesante për të parë se çfarë shkatërrimi mund të shkaktojë industria e pastrimit të drogës, e për të ikur pastaj nga sytë këmbët i lebetitur, por jo për të qëndruar atje. E për këtë mjafton të bësh një xhiro me tragetin e Korfuzit, e të kthehesh prapë në Greqi.
Poende, a e ka parë kryeministri se për të shkuar në Butrint duhet të kalosh nëpër gërmadhat e fshat-qytetit të bombarduar Ksamil, që kanë mbetur atje së bashku me shtëpitë e pabombarduara, të cilat janë edhe ato gërmadha nga pikëpamja estetike.
Po Kruja, qyteti i muzeut më të bukur etnografik në vend, i tregut të antikuarëve, i teqesë së bektashinjve dhe i muzeut nacional-komunist të Skënderbeut? A nuk e sheh kryeministri se edhe pak e qyteti ka rrezik të futet në zonën e verdhë të pabanueshme, si ajo përreth Çernobilit, sepse me fabrikat e çimentos që ka projektuar ai rrotull saj, ndotja e ajrit do të kalojë çdo normë - aq sa ka mundësi që turistët, kur t’i shohin ato fabrika nga avioni, të protestojnë të ulen në Rinas.
E, meqë ra fjala për këtë aspekt, si ka mundësi të flasë për turizëm një kryeministër, që në projektet e qeverisë së tij synon bash shkatërrimin e çdo potenciali turistik të Shqipërisë, pasi ka planifikuar e firmosur të ndërtojë objekte masakruese për çdo lloj turizmi: portin më të madh në Mesdhe të kargove në Vlorë, parkun më të madh eolik në Karaburun, një port tjetër të madh në Lezhë, prej ku të transportohet çimentoja e gjashtë fabrikave monstruoze, një termocentral me karbon në Durrës, të çimentifikojë tërë lumenjtë e Shqipërisë në funksion të ndërtimit të hidrocentraleve, që do të prodhojnë energji për botën… E jo vetëm, por, së fundi ka vendosur të na sjellë edhe plehrat e Napolit të digjen këtu - e së bashku me ta edhe Camorrën, sepse dihet se është ajo që menaxhon plehrat e Napolit.
Pastaj të çudit një gjë në retorikën e kryeministrit. Meqenëse u referohet të huajve, a ka parë e lexuar kryeministri kritikat që bëjnë të huajt për vendin e tij? A e ka parë një emision të Rojterit, ku paraqitet i gjithë bregu i Shqipërisë i mbushur me plehrat që sjellin lumenjtë? Me këtë rast po i them kryeministrit, se jo më shumë se dy muaj më parë pata rastin të takoj një italian, me profesion ekonomist, që së fundi kishte vizituar si turist Shqipërinë. Më tha se kishte vizituat më shumë se gjysmën e botës si turist, por kurrkund s’kishte parë vend më të degraduar e shkatërruar si Shqipëria, jo vetëm fizikisht, por edhe si tesut social.
Megjithatë, Shqipëria është ende e bukur, këtë duhet ta pranojmë. Dhe ka vërtet shumëçka për t’u vizituar nga turistët, ndonëse gjithnjë e më pak se vendet fqinje. Por fatkeqësisht, jo atje ku kanë vënë dorë e këmbë kryeministrat e Shqipërisë dhe shqiptarët që u kanë shërbyer e u shërbejnë atyre, por pikërisht atje ku këta nuk kanë vënë as dorë, as këmbë. Pasuria jonë turistike është peizazhi aq i larmishëm natyror, po të kesh parasysh vogëlsinë e vendit. Pasuria jonë turistike është trashëgimia e mbetur e qytetërimeve të ndryshme që kanë kaluar në këtë truall si ata greko - romane, bizantine, otomane apo edhe veriu i egër i Kanunit e kullave të ngujimit. Janë këto që përbëjnë thuajse gjithçka që sot është atraktive, e që në vend se t’i ruajmë, po i shkatërrojmë përditë këta njëzet vjet. Pasuria jonë mund të ishte edhe shumëçka që do të fliste për diktaturën dhe socrealizmin e saj në arkitekturë në monumente, deri edhe në burgje. Por për të gjitha këto, kryeministri ynë dhe elita rreth tij nuk mendon fatkeqësisht. Së fundi, po duan të shkatërrojë edhe Piramidën në kryeqytet. Ndërkaq, kryeministri na tregon me mburrje rrugët. Nuk mund të mohohet se hapja, zgjerimi dhe shtrimi i disa rrugëve e kanë bërë më të lehtë-përshkueshme Shqipërinë edhe për turistët, por ato rrugë, m’u pse nuk janë shoqëruar me një vizion zhvillimi të qëndrueshëm, afatgjatë dhe koherent, por shpesh janë përdorur thjesht e vetëm si mjete pasurimi e grabitjeje të parave të taksapaguesit nga elitat ekonomiko politike në pushtet, kanë sjellë aq shumë shkatërrime me ndërtimet e paligjshme e të shëmtuara anash tyre, e me dëmtimin ekologjik e më the të thashë, saqë janë të shumtë ata turistë, që pasi vizitojnë Shqipërinë, të thonë se pjesët më tërheqëse të saj janë pikërisht ato ku nuk kanë shkuar rrugët si psh. Vermoshi, Thethi, Dukagjini etj., e se do të ishte fatkeqësi për turizmin të shkonin rrugët atje (sikurse po rezulton me rrugën e mirështruar në jug).
Së fundi, do të thosha se që të bësh një reklamë në CNN, në mënyrë që të tërheqësh turistët, e ca të ardhura më shumë në vend, mund të jetë një punë pozitive tek e fundit, por kur pas kësaj, në vend se të punosh seriozisht që të mbash përgjegjësinë që nënkupton kjo reklamë, të bësh ditë e natë propagandë për t’u thënë Shqiptarëve se CNN paska thënë se ua ke bërë vendin e tyre lule, kjo më duket një fushatë bajate propagandistike e stërkonsumuar, që synon të bëjë të dukshme atë që s’duket, e që nuk premton asgjë tjetër përveçse përkeqësim të mëtejshëm të  gjendjes. (Panorama, 11 janar 2011)

Thursday, January 6, 2011

Emigracioni-Zhvillim apo varfërim*

Këtë vit Parlamenti Evropian aprovoi, më në fund, heqjen e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen. Në Tiranë kjo u festua në mënyrë të veçantë. U hodhën fishekzjarre dhe u mbajtën fjalime të zjarrta politike. Kolonat e fasadës së Pallatit të Kulturës, në Sheshin Skënderbej, u  mbushën me flamuj të mëdhenj (të gjithë jo rastësisht në ngjyrën blu të partisë në pushtet) ku, në atë të qendrës, shkruhej: “Pa viza në Evropë” kurse nëpër të tjerët shkruheshin emrat e kryeqyteteve të mëdha të Evropës krahas kohës së fluturimit përdrejt tyre, duke transmetuar kështu idenë se tashmë, brenda një harku kohor prej një, dy, maksimumi tre orësh, shqiptarët do të mund të gjendeshin në Paris, Berlin, Romë, Athinë, Vjenë, Madrid, Zyrih e me radhë. Në semaforët e rrugëve të kryeqytetit u vendosën disa tabela ku shkruhej: “Evropë” e ku rrumbullakja e semaforit ku del drita jeshile koincidon me germën “o” të fjalës “Evropë”. Kryeministri Berisha shkoi posaçërisht në Krujë për ta quajtur këtë ngjarje si “më të rëndësishmen në historinë e shqiptarëve, që nga koha e Skënderbeut.”
Ndërkaq në shtypin perëndimor heqja e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjen ose nuk u përmend fare ose u përkthye nëpër artikujt e gazetave si një shqetësim jo i vogël. Shumë shpejt u bë e qartë se qeverisë shqiptare i janë kërkuar nga qeveritë evropiane garancira të forta se qytetarët e këtij vendi nuk do të veprojnë si maqedonasit kur u hoqën vizat. Duket se edhe për shkak të këtij presioni nga jashtë televizionet në vend përsërisin pareshtur njoftime të paguara nga qeveria ku shqiptarëve u thuhet se kush do të shkelë rregullin, dmth. do të qëndrojë përtej afatit apo do të kërkojë punë në Perëndim, do të penalizohet. Po ashtu Ministri i Brendshëm ndërmorri një fushatë informimi nga e cila doli se kërkesat për daljen në Evropë pa viza për qytetarët shqiptarë do të jenë shumë të rrepta: duhet paraqitur një biletë vajtje ardhje, duhet të vërtetohet pasja e një shume të mjaftueshme të hollash  që të provojë se udhëtari i ka mjetet financiare, duhet të tregohet vendi se ku do të qëndrohet, e me radhë – gjëra që nuk i kërkohen një qytetari perëndimor.

Kësisoj, ajo që bije në sy është një lloj skizofrenie shqiptare lidhur me këtë ngjarje: më një anë kemi propagandimin e heqjes së vizave si provë e realizimin të ëndrrës evropiane të shqiptarëve dhe, më anë tjetër,  për shqiptarët dalja në Evropë vazhdon të ketë kuptimin e daljes në një botë tjetër. Me fjalë të tjera ky festim i ekzagjeruar ka, si anë tjetër të medaljes, gjendjen e një realiteti në Shqipëri që e trajton heqjen e vizave jo si një sukses brenda vendit, por si një mundësi emigrimi. Madje ka komentatorë që propagandën festive të organizuar nga qeveria me flamujt e kudondodhur e tabelat tek semaforët që tregojnë dritën jeshile për në Evropë i interpretojnë edhe si nxitje indirekte që shqiptarët të marrin rrugët në mënyrë që ky emigrim i ri të shërbejë si valvol shkarkimi e tensioneve në rritje që po shkakton kriza ekonomike e politike ashtu siç ka shërbyer edhe në vitet 90-91 për qeverinë e fundit komuniste e siç ka shërbyer edhe në kriza të tjera pas këtyre viteve. 

Në kohën e këtij debati të hapur mbi atë se çdo të thotë kjo heqje e vizave po botojmë këtë numër të Përpjekjes kushtuar migrimit të shqiptarëve gjatë këtyre njëzet vjetëve. Mendojmë se ky do të jetë jo vetëm një dokument për historinë e migrimit shqiptar në 20 vjetët e fundit, por, duke sjellë analizën e kësaj përvoje njëzetvjeçare, do të shërbejë edhe si kontribut në këtë debat e, po ashtu, si mundësi reflektimi për atë se ku janë realisht shqiptarët, brenda dhe jashtë kufirit, në raport me ëndrrën e tyre të vitit 1990.

Siç del qartë nga punimet e autorëve të këtij numri periudha komuniste 1944-1990 ishte një ndërprerje ”e shkurtër” në historinë e migrimin të shqiptarëve, çka flet për faktin se ata kanë pasur gjithherë një jetë të vështirë në vendin e tyre. Ajo që ndodhi pas vitit 1990 ishte një moment kulminant në këtë histori. Duket se izolimi funksionoi si një “digë” brenda të cilës u akumulua potencial i madh emigrimi, e cila pastaj shpërtheu duke i dhënë emigracionit shqiptar trajtat e një përmbytjeje  dramatike me karakteristika që e bëjnë të dallohet nga emigracioni në vende të tjera të botës. Në këtë kontekst emigrimi si sëmundje kronike e shqiptarëve dhe veçanërisht dramaciteti i migrimit pas viteve 90 ngre një çështje të rëndësishme për shqiptarët, që  Russell King e artikulon kështu në shkrimin e tij: “ A nxit migrimi – nëpërmjet mekanizmave të tij dobiprurës të supozuar nga ekonomistët, siç janë ulja e papunësisë, ngritja e nivelit të pagave, prurja e dërgesave, kthimi i migrantëve i orientuar drejt investimeve – zhvillimin në vendin e origjinës së migrantëve? Apo mos duhet që marrëdhënia të ri-frazohet ndryshe: për shembull, që është zhvillimi i dobët ai që shkakton migrimin; ose që migrimi i tepërt nuk sjell aq shumë zhvillimin e vendit të origjinës sesa varfërimin e mëtejshmëm të tij për shkak të rrjedhjes së tepërt (ikjes jashtë) të kapitalit njerëzor?”

Për trajtimin e kësaj çështjeje e shumë të tjerave që lidhen me emigrimin e këtyre njëzet vjetëve Përpjekja sjell kontributin e një numri specialistësh nga më të njohurit ndërkombëtarë si dhe disa nga firmat e njohura shqiptare që kanë trajtuar këtë temë, edhe ata vetë emigrantë. Realizimi i tij u bë i mundur në sajë të përkushtimit të Eda Derhemit, që punoi për Përpjekjen si “guest editor”. Është ajo që, prej SHBA ku jeton, ka grumbulluar shumicën e materialeve, ka mbajtur kontaktet me autorët dhe përkthyesit, e ka paraqitur materialet. Kjo është një përvojë e re e Përpjekjes, jo pa lidhje me dramën e emigracionit. Sepse ky numër, i përgatitur thuajse i gjithi me kontribut nga jashtë, më një anë është provë e faktit se emigrantët shqiptarë gjithsesi mbeten të lidhur me vendin e tyre, se ata janë një burim i vyer për vendin, por, më anë tjetër, është edhe një dëshmi se ikja e trurit, si “varfërim i mëtejshmëm” i vendit,  po ia bën gjithnjë e më të vështirë, në këtë Shqipërinë e çoroditur nga kultura sipërfaqësore e konsumizmit, që i vjen aq për shtat elitës së korruptuar në pushtet, studimeve serioze brenda vendit si dhe botimeve të karakterit të Përpjekjes. (Panorama 6 janar 2011)



* Editoriali i Perpjekja 26 -27 (pranverë – vjeshtë 2010), që sapo është botuar, me temë emigracionin shqiptar gjatë këtyre 20 vjetëve.