Monday, March 31, 2014

Ilir Meta si shtyllë e sistemit

Për Ilir Metën po flitet shumë kohët e fundit. Ka ndikuar ndoshta edhe një lajm që nuk u pasqyrua shumë, ose u pasqyrua keq në media por që, edhe për shkak të kësaj, përflitet edhe më shumë në korridoret e saj, e më gjerë. E kam fjalën për festimin e ditëlindjes së tij para disa ditësh. U tha se kishte ndonja 600 të ftuar nga të gjitha llojet: kryesisht politikanë, (të maxhorancës dhe të opozitës), gazetarë (afër maxhorancës dhe opozitës), biznesmenë (afër maxhorancës dhe opozitës) dhe shoqëri civile (afër maxhorancës dhe opozitës). Ashtu sikurse edhe peshqeshet u tha se qenë të të gjitha krahëve.
Ka shumë komente lidhur me qëllimin pse e festoi me kaq madhështi këtë ditëlindje Iliri. Normalisht në një shoqëri ku mezi gjen dy tre miq të sinqertë për t’i ftuar me rastin e ndonjë feste të tillë, që sipas meje duhet të jetë intime, me njerëzit më të afërt, afërmendsh s’mund të mendosh se këta 600-tët qenë miq për kokë të cilët ai s’kishte si bënte pa i ftuar, që të gjithë.
Sigurisht festimi kishte kuptim tjetër; po çfarë kuptimi? Dëgjova hipotezën se Iliri, realist dhe pragmatist, po sëmuret nga mania e madhështisë, se ka humbur sensin e realitetit dhe se ndërsa deri dje nuk kishte shumë qejf ta tregonte pasurinë tani ka qejf ta tregojë edhe pse jetojmë në një situatë të tillë, ku festa të tilla kontrastojnë dramatikisht me varfërimin e shqiptarëve. Dikush tjetër tha pikërisht të kundërtën: se edhe kjo ditëlindje, e festuar kështu, bën pjesë në pragmatizmin e Ilirit. Me fjalët të tjera se ai po aspiron për presidentin e shqiptarëve ngaqë është figura që, më mirë se kushdo, mund t’i bashkojë të gjithë, kur ke parasysh edhe Edi Ramën e Berishën që dinë vetëm të ndajnë e përçajnë. Nuk di të them se cila është më e vërtetë edhe pse mendoj se njëra hipotezë nuk përjashton tjetrën. Në fakt kjo elita jonë ka filluar t’i kthejë si çështje statusi, ashtu si edhe shtrenjtësinë e makinave, këto festimet private ku çdonjëri i bën karshillëk tjetrit, aq më tepër kur ka përballë vetëm vetveten dmth. njerëz që s’kujtohen e s’guxojnë t’u kërkojë se me çfarë parash i kanë ngritur këto pasurira në mes të kësaj varfërie, por që presin, me ankth, të dinë nëse i kanë ftuar apo jo edhe ata në festë.  Në mungesë të këtyre skrupujve, festa fare mirë mund të përdoret për të mikluar vanitetin e, njëherësh, të ndihmojë në lojën e pushtetit; në rastin e Metës, pra, për të “bashkuar” sa më shumë njerëz në rrethin e tij. E vura në thonjëza fjalën bashkim pasi me të dua të shpreh ato kuptime të shumta të atyre nuancave “soft” apo “hard” të punës së Ilirit për të bërë sa më shumë njerëz për vete dhe që qëndron në bazën e suksesit të partisë së tij. Prandaj, në komentet për ditëlindjen, “bashkimi” u përfol më shumë se sa fakti se disa nga personazhet e tryezës kryesore ishin ndërruar: ndërsa tre vjet më parë - me rastin e ditëlindjes së të shoqes - në tryezën kryesore kishte familjarë të Berishës tani ishte Edi Rama me të tijtë. Jo, më i rëndësishëm ishte fakti se aty, simbolikisht, ishin bashkuar të gjithë: me në krye Ramën e gazetarët e Topit që kanë dashur t’i bëjnë varrin Ilirit më 21 janar e se, prandaj, përballë këtij “bashkimi”, zor se del kush të guxojë të thotë ndonjë fjalë të keqe.
Prandaj ky “bashkim” rreth Ilirit, për mendimin tim, ka rëndësi politike, jo thjesht personale. Ditëlindja e tij për mua tregoi se ai është shtylla e sistemit që kemi ngritur, ku, siç e kam shkruar edhe herë tjetër, me “sistemin” kam parasysh dy anë të së njëjtës medalje: mënyrën se si funksionon oktapodi shumëkëmbësh i pushtetit politik, ekonomik, mediatik, gjyqësor në Shqipëri dhe elitën që lëviz tentaklat e këtij oktapodi. Me fjalë të tjera: më një anë klientelizmin, monopolet, korrupsionin, dhe, më anë tjetër, klientizuesit, monopolizuesit, korruptuesit.
Shkurt, Ilir Meta mund të quhet sot për sot edhe njeriu më i fuqishëm i Shqipërisë. Nëse sistemi do të vazhdojë të funksionojë kështu ai do të bëhet vërtet president i ardhshëm i vendit, siç parathonë ata që ishin në ditëlindje. Sa më shumë kalon koha aq më shumë forcohet Ilir Meta “që i di mirë punët e veta”, njeriu që “politikën e konsideron maratonë dhe jo sprint”, siç thanë të majtë dhe të djathtë për të me rastin e ditëlindjes.
Megjithatë, paradoksalisht, Ilir Meta është edhe njeriu më i dobët i Shqipërisë pikërisht pasi është njeriu më i fortë. Le ta shpjegoj këtë dobësi që disa nuk e shohin, por që është aty, si hija e Ilir Metës, që e ndjek atë hap pas hapi në maratonën e tij.
Në të dy krahët e Ilir Metës janë dy parti që, po t’u ndjekësh retorikën, që të dyja nuk bëjnë gjë tjetër veçse sulmojnë sistemin për të fituar simpatinë e munguar të asaj që mund të quhet shumica e shqiptarëve. Edi Rama kur premtoi “rilindjen” a nuk na premtoi goditjen e sistemit, eliminimin e monopoleve, një drejtësi të pavarur që do të dënojë krimin dhe korrupsionin, pavarësimin e medieve nga pesha e rëndë e pronarëve etj. etj.? Tani që ka dalë në opozitë a nuk po bën të njëjtën gjë edhe Berisha dhe Lulzim Basha.
Ja pikërisht kjo është edhe dobësia e Ilir Metës. Shqipëria nuk mund të bëjë dot përpara – edhe në sytë e Evropës – pa ndryshuar sistemin shtyllë e të cilit, me të drejtë apo pa të drejtë, konsiderohet pikërisht Ilir Meta.
Po të dëgjosh se ç’thuhet në prapaskenë për Ilirin, që sot për sot në skenë nuk e godet thuajse askush, do të dëgjosh një muzikë krejt tjetër nga ajo e ditëlindjes. Nga ish aleatët, opozitarët e sotëm, ai trajtohet si shkaku i humbjes së zgjedhjeve. Ishte aleanca me një parti të korruptuarish, si ajo e Ilir Metës, që prishi edhe imazhin e PD-së së pastër me Saliun, njeriun e ndershëm, në krye të saj. Në anën tjetër është shumë i madh numri i atyre socialistëve që, kur flasin për Edi Ramën, njeriun që me idealizmën e tij, punon vetëm për historinë, kur vjen puna për mashtrimet e tij të shumta, prapë alibinë e gjejnë tek Ilir Meta, “plehra” me të cilin duhej bashkuar për të rrëzuar Berishën, e që përsëri po bëhet pengesë për të realizuar premtimet tona.  Ja pra, paradoksi: dy partitë tona mbijetojnë politikisht me fjalime kundër sistemit që me vepra e kanë ngritur vetë (sëbashku me Ilir Metën sigurisht); e, në këtë lojë i vetmi që s’ka shans të ndahet nga sistemi, sepse ka qenë vazhdimisht në pushtet, është Ilir Meta, që me zgjedhjet që ka bërë është i destinuar të qëndrojë si shtyllë e palëkundur e  sistemit.

Sigurisht as Edi Rama, as Sali Berisha, as Lulzim Basha sikurse as Ilir Meta e festexhinjtë e ditëlindjes së tij nuk kanë interes të bjerë sistemi. Mjaft të shohësh heshtjen thuajse totale të gazetarisë ndaj skandalit të ditëlindjes së tij. Interes për këtë kanë vetëm shqiptarët që, sa më shumë festa të tilla shohin, aq më shumë i gjykojnë këta festexhinj siç gjykonin dje nomenklaturën komuniste. Mirëpo problemi është se këta shqiptarë janë shumica dhe, çka është më e keqja, ky sistem nuk mund të qëndrojë dot gjatë më këmbë kështu siç është ndërtuar pasi këta e kanë ndërtuar shumë shumë keq, edhe kundër interesave të tyre afatgjata. E në momentin që do të bjerë të gjithë do të turren, me të drejtë apo pa të drejtë, kundër Ilir Metën si shtylla e urryer e sistemit. Ja kjo është hija e dobësisë që e ndjek hap pas hapi Ilirin në maratonën e tij drejt presidencës. Në fakt është hija që prodhon drita e së vërtetës që vonon, por nuk harron. (Panorama, 29 mars 2014)

Saturday, March 22, 2014

Myslimanët, historia dhe miti i Skënderbeut


Nuk mund të mos më tërhiqte vëmendjen një polemikë që erdhi nga Kosova mbi Skënderbeun, që i referohej edhe polemikave që janë hapur në Shqipëri mbi rishkrimin e historisë dhe dekonstruktimin e miteve. Më tërhoqi vëmendjen jo vetëm nga rëndësia e saj, por edhe pasi kam qenë një ndër pjesëmarrësit aktivë të këtyre polemikave me debate, shkrime e botime në Përpjekja.
Amir Ahmeti, një themelues i partisë Nisma për Drejtësi dhe Zhvillim, me inspirim erdoganist, duke iu referuar edhe debatit në Shqipëri, ka deklaruar së fundmi se "… për Skënderbeun mendoj se duhet t’i japim fund miteve, sepse gjeneratat e ardhshme kanë nevojë për historinë tonë të vërtetë, cilado qoftë ajo, dhe jo të ushqehemi me mite."; “...se në mesjetën e hershme kombet nuk kishin lindur ende dhe nuk kishte kurrfarë rëndësie se çfarë gjuhe flisje kur vihej interesi fetar para.”; se “Skënderbeu, me t’u kthyer në Krujë, myslimanëve shqiptarë iu dha të zgjidhnin në mes krishterimit ose vdekjes, shumica e tyre refuzuan të braktisnin besimin islam dhe i masakroi pa mëshirë.”. E këtu ai e mbyll diskursin e tij duke deklaruar se  "përderisa Skënderbeu derdhi gjak shqiptari për motive fetare unë nuk mund ta quaj hero kombëtar.”
Këshilltari kryesor i Ramush Haradinajt, Avni Arifi, iu përgjigj se Skënderbeu vërtet ka vrarë në Krujë, por ka vrarë veç tradhtarë, të cilët nuk kanë as komb as fe… dhe se përkatësia etnike nuk është alibi për tradhtinë.”
 Për mua nuk ka ilustrim më të mirë se sa kjo polemikë për të provuar disa prej tezave të cilave u kam mshuar mëse një herë lidhur me nevojën e dallimit midis historiografisë si shkencë dhe diskursit të ideologjizuar të historisë që shpesh unifikohet me mitet tona të nacionalizmit. (Përpjekja ka botuar edhe një dynumërsh të saj (28 - 29) me titull “Skënderbeu i kërkimit shkencor”.) E them këtë pasi gjykoj se brenda kësaj polemike flenë rreziqe sociale e politike jo të vogla. Dy polemizuesit, duke projektuar ne Mesjetë, me stilin e vjetër nacional romantik e  nacional komunist, situata dhe rivalitete të sotme fetare, latente ose të hapura, në Kosovë, por edhe në Shqipëri, nuk bëjnë gjë tjetër veçse instrumentalizojnë historinë. Por tani, në mungesë të diktaturës që impononte një instrumentalizim të vetëm, paraqitet rreziku që ajo të instrumentalizohet nga qasje dhe interesa të ndryshme politike dhe idelogjike me mbështetje brenda dhe jashtë vendit. Me fjalë të tjera, sipas meje, dy polemizuesit nuk e kanë aq shumë hallin tek historia, por tek elektorati i partive të tyre të cilin kërkojnë ta manipulojnë duke ngacmuar ndjenja që lidhen me vetëdijen e tyre identitare. Dhe kështu mund të arrijmë të imagjinojmë një situatë ku shqiptarët myslimanë, për interesa të aktualitetit, t’i bëjë thirrje komunitetit të tyre që të mos nderojë Skënderbeun si hero kombëtar sepse ai ka vrarë myslimanë; dhe shqiptarë nacionalistë, të edukuar me mitin e rilindjes "feja e shqiptarit është shqiptaria" dhe me Skënderbeun si çlirimtar të atdheut nga "pushtuesit turq" t'u kundërvihen duke i quajur "tradhëtarë të atdheut" - e kjo t'i polarizojë keqas të dy palët sikur të bëhet fjalë për ngjarje që kanë ndodhur midis baballarëve të tyre gjatë Luftës së II-të apo gjatë luftës në Jugosllavi e jo në Mesjetë.
E këtu më duhet të them se jam kundër tezës së disave që thonë se është mirë që ky debat të mos hapet apo t’u lihet akademikëve - që në fakt nënkupton t'i lemë versionet e historisë ashtu siç ka qenë. Sepse ja se ç'ndodh. Ndërkohë që kemi nevojë ta rishkruajnë historiografinë e të dekonstruktojnë mitet nacionaliste të shekujve XIX e XX, - çka e kanë bërë tashme pas Luftës së II-të vendet demokratike, - tek ne opinioni publik uzurpohet nga polemika të tilla anakronike mbi atë se cilët duhet të jenë simbolet e nacionalizmit shqiptar.

Myslimanët dhe Skënderbeu
Kur Amir Ahmeti thotë se në mesjetën e hershme kombet nuk kishin lindur ende dhe nuk kishte kurrfarë rëndësie gjuha që flisje përpara interesit fetar apo se Skënderbeu ka vrarë shqiptarë myslimanë -  thotë disa të vërteta historike që i përkasin asaj kohe. Pa hyrë në histori po ve në dukej se Ballaban Pasha psh., që njihet si një nga komandantët më të shquar osmanë që ka luftuar kundër Skënderbeut, që vdiq në Petrelë, e që ne e kemi njohur si osman, ka qenë edhe ai shqiptar. Por edhe vetë Skenderbeu ka qenë edhe ai mysliman përpara se të braktiste ushtrinë osmane. Deri këtu jemi në histori që duhet parë me racionalitet në kontekstin e një kohe dhe jo sikur bëhet fjalë për baballarët tanë të djeshëm që luftonin kundër pushtuesit apo bashkëpunonin me të (madje, në fak, edhe kur bëhet fjalë për baballarët tanë, do të duhej të kishim më shumë distancë). Problemi me deklaratën e Ahmeti fillon pikërisht tek mungesa e distancës historike kur thotë: "përderisa Skënderbeu derdhi gjak shqiptari për motive fetare unë nuk mund ta quaj hero kombëtar.” Në këtë moment duket qartë se ai nuk po bën më histori, por mitologji, duke kërkuar, indirekt, një tjetër hero/simbol kombëtar për shqiptarët. Dhe një nga arësyet e kësaj qëndron në atë se edhe ai ka trashëguar nga kultura nacional romantike e manipulimit të historisë sonë një vështrim teleologjik të saj: pra sikur historia e shqiptarëve, duke filluar që nga koha kur ata shfaqen në histori e deri më sot, të jetë historia e shtetit të tyre komb. Dhe këtu lindin paradokse sepse, nëse thuhet me të drejtë se shtetet kombe - në kuptimin që kemi sot për ta - nuk kishin lindur ende në mesjetë  dhe se morali shoqëror i asaj kohe ishte besnikëria ndaj fesë, nuk ka kuptim të përdorësh konceptin e besnikërisë apo tradhëtis kombëtare në atë kohë. Në atë kohë një shqiptar dhe një sllav ortodoks psh. ndiheshin shumë më afër me njëri tjetrin sesa me shqiptarë dhe sllavë të kthyer në myslimanë dhe prandaj s'ka se si të kërkosh që shqiparët myslimanë dhe ata të kishterë të kishin solidaritet kombëtar mes vetit. Vetë nëna e Skënderbeut, Vojsava, ishte sllave, e sikur t'i mbeteshim koherent projektimit të konflikteve të kohës sonë në atë kohë, siç bëjnë polemizuesit, atëhere i bije që të atin e Skënderbeut ta konsideronim tradhëtar të atdheut.
Fakti është se ndërsa historia e Skënderbeut të shekullit XV është komplekse, mitizimi i historisë së tij në shekujjt XIX, XX e ka thjeshtëzuar figurën për qëllime të nacionalizmit shqiptar që lidhen, pa dyshim, edhe me aleancat e tij me të krishterët. Nëpërmjet mitizimit ai është bërë më së pari hero i krishtërimit, për të fymëzuar të kishterët në Perëndim që ndjeheshin të rrezikuar nga osmanët/myslimanët. Ky mitizim e bëri të famshëm në botën e krishterë (e theksoj, në botën e krishterë jo në atë të shteteve kombe evropiane që lindën më vonë). Kjo famë e tij u përdor në shek XIX nga rilindasit për t'i thënë botës se kishte shqiptarë kaq të famshëm prandaj ajo duhej t'i njihte si komb. Jo vetëm, por ai edhe kishte luftuar kundër osmanëve në krahun e botës së krishterë dhe një pjesë e mirë e shqiptarëve të Rilindjes ishin angazhuar - me ndihmën e Evropës - të pavarësoheshin nga Perandoria. Ndërkaq, duke qenë se shqiptarët ishin shumica myslimanë, rilindasit me në krye Naimin, që ishte dhe ai vetë mysliman, e zhveshën Skënderbeu nga përmbajtja e krishterë. Kështu gjatë gjithë shekullit XX, si në kohën e Zogut edhe në atë të Enver Hoxhës, ai u bë simbol i parë i nacionalizmit shqiptar, si luftëtar për çlirimin dhe pavarësinë e atdheut nën moton “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Enver Hoxha me fuqinë e madhe propagandistike që kishte regjimi i tij e çoi deri në grotesk këtë projektim. Ai edhe fenë e quajti diçka të huaj për shqiptarët, që ia kishte sjellë armiku. Ne sot paguajmë veç të tjerash edhe ideologjizimin e thellë, me frymë totalitare, që i ka bërë ai mendjes së shqiptarëve edhe përsa i përket vetëdijes historike. Edhe ndarja e shqiptarëve që jetonin në Mesjetë në tradhëtarë dhe patriotë është rezultat i kësaj pune - sigurisht me kontributin e një aradhe të tërë historianësh, shkrimtarësh, piktorësh, skulptoësh, kineastësh etj.
Pas rënies së komunizmit me rilindjen e fesë dhe rimodulimin e identiteteve, ndër to edhe fetare, Skënderbeu është riinterpretuar. Elita ish komuniste e kthyer tashmë në evropianiste e ka përdorur si simbol të përkatësisë së shqiptarëve në botën perëndimore duke arritur ta quajë deri “pararendës të NATO-s” (I. Kadare). Një pjesë e kësaj elite, që e identifikonte Evropën me krishtërimin, filloi të theksojë edhe faktin që ai kishte luftuar për krishtërimin kundër myslimanve. Nga kjo vjen edhe tentativa për ta bërë Skënderbeun katolik dhe jo ortodoks, siç ka qenë në të vërtetë. Por kjo ka vënë, ndërkaq, gjithnjë e më në vështirësi, me kalimin e  viteve, një pjesë të komunitetit mysliman në rritje pasi, dashur pa dashur, pjestarët e tij, duke e jetuar edhe ata historinë si kontinuitet i shtetit komb, siç u është servirur,  janë ndjerë direkt apo indirekt të detyruar ose të heqin dorë nga feja e tyre ose të pranojnë se janë shqiptarë tradhëtarë apo të dorës së dytë. Si reaksion ndaj kësaj, nga pjesëtarë të këtij komuniteti, edhe më herët, i është mshuar tezës se është pikërisht në sajë të fesë myslimane që shqiptarët kanë mundur të mbijetojnë se, përndryshe, si të krishterë, ata do të ishin greqizuar apo sllavizuar. Në fakt edhe në këtë rast kemi të bëjmë me projektim me të njëjtën metodë të kohëve të nacionalizmit në kohë të para nacionalizmit.
Po të përdoret kjo teknikë e instrumentalizimit të historisë së paraardhësve për t'i ndarë shqiptarët në besnikë e tradhëtarë të atdheut, sipas përkatësisë fetare, historia mund të instrumentalizohet edhe më tej  duke kërkuar psh. të gjejë besnikët dhe tradhëtarët e atdheut - sipas kampeve - te shqiptarët ortodoksë  që luftuan krahas grekëve për pavarësimin e Gerqisë dhe shqiptarët myslimanë që, duke luftuar kundër grekëve, mbronin tokat e banuara nga shqiptarë myslimanë; tek shqiptarët katolikë që kërkonin ndihmën e Malit të Zi e ata myslimanë që i ndoqën ata; tek myslimanët qe u ngritën me Haxhi Qamilin kundër Princ Vidit dhe të tjerët që në bashkëpunim edhe me serbët e shtypën kryengritjen e tyre etj..
Ose ose, për të vazhduar me paradokset ku të çon intrumentalizimi i historisë le të kujtoj një gjykim manipulativ të historisë, tejet të përhapur midis shqiptarëve. E kam fjalën për atë që shumë shqiptarë edhe sot akuzojnë Evropën si "kurvë" sepse e ndau Shqipërinë më dysh ndërkohë që e vërteta është se Shqipëria në atë kohë u krijua si shtet komb dhe se, për aq sa u krijua në atë kohë, u krijua me ndihmën e shteteve Evropiane dhe, ç'është më e rëndësishmja, edhe Evropa që kemi sot nuk është Evropa që ishte në prag të Luftës së I-rë botërore.
Si mund të dilet nga këta qorrsokake?
Personalisht mendoj se duhen tre gjëra:
Së pari: të krijojmë distancën racionale shkencore me të vërtetat e periudhave të ndryshme historike që ka përjetuar treva ku jetojmë dmth. të njohim historinë e paraardhësve tanë duke i vendosur konfliktet dhe aleancat e tyre në kontekstin e kohës kur kanë ndodhur dhe jo t'i trajtojmë si një kontinuitet "heroizmash të popullit tonë në shekuj". E kjo duhet bërë edhe me ndryshimin e teksteve të historisë nëpër shkolla edhe me ndryshimin e diskursit mbi historinë që, për fat të keq, vazhdon me të njëjtën metodë madje edhe më i banalizuar pasi sot rolin e protagonistit në mësimdhënien e historisë e luajnë mediat me gazetarë që janë në një nivel shumë të ulët të njohjes së saj dhe aq më të ulët përsa i përket njohjes së metodologjisë bashkëkohore të studimit të saj.
së dyti: në krijimin e kësaj ndërgjegjeje të re historike duhet të arrijmë të dekonstruktojmë mitet tona nacionaliste që kanë lindur në periudha të tjera historike me çka kuptoj jo t'i shkatërrojmë (destruktim) siç ma kanë "përkthyer" shpesh termin, por t'i zëbërthejmë (dekonstruktim) për t'i njohur se si janë ndërtuar, nga ç’shtysa historike, ideologjike, gjeopolitike të kohës kanë lindur, në mënyrë që të kuptojmë vlerat dhe kufizimet e tyre të asaj kohe, të mirat, por edhe pasojat në kohën që jetojmë. Kjo do të na ndihmonte edhe të ndanim e dallonim historinë shkencore nga historia e miteve nacionaliste edhe për të ndarë më qartë problemet e sotme nga ata të djeshme.
së treti: të vështrojmë nga e ardhmja edhe në kuptimin e kërkimit të miteve e simboleve të reja që na inspirojnë për të parë përpara dhe jo prapa. Ç'kuptoj me të ardhme? Këtu diskursi komplikohet pasi, sikurse u përpoqa të shpjegoj, për të ardhmen mendojnë se punojnë edhe ata liderë myslimanë që thonë se heroi kombëtar i shqiptarëve duhet të jetë një mysliman edhe ata që në emër të Skënderbeut kërkojnë të na frymëzojnë, si Konica dikur, që të na ndajnë prej çdo gjëje që kemi trashëguar nga Lindja  në emër të bashkimit me Perëndimin.  Personalisht këto qasje i konsideroj e kaluar jo e ardhme. Me të ardhmen kuptoj respektimin e prmovimin e disa vlerave që historia e njerëzimit i ka provuar si themelore për mbarëvajtjen e shoqërive njerëzore pas përvojave tragjike që ka kaluar, veçanërisht pas luftrave fetare dhe atyre nacionaliste. Pra, e para gjë që mund të them është se konfliktet që ravijëzojnë këto polemika nuk mund të parandalohen as duke u imponuar të gjithë shqiptarëve Skënderbeun apo thënien e Vaso Pashës "feja e shiqptari është shqiptaria" dhe as duke vendosur që heroi i shqiptarëve të jetë një tjetër dhe jo Skënderbeu. Ato parandalohen duke e vështruar të ardhmen në prizmin e parimit themelor të të drejtave të njeriut: atë të lirisë së shprehjes, mendimit e besimit. Sepse e kundërta ka provuar se mund të çojë në prirjen për t'i eliminuar deri edhe fizikisht të gjithë ata që mendojnë e besojnë ndryshe.
Së dyti, për të ndërtuar një të ardhme ku të gjithë të ndjehen të lirë në diversitetin e tyre mendoj se na duhet simbole që t'i përgjigjen kësaj të ardhmje, që fatkeqësisht mungojnë më së shumti për shkak të uzurpimit të hapësirës sonë publike nga simbolet nacionaliste me frymë totalitare. Ndër simbolet që na duhet të ngremë do të rendisja shpejt e shpejt:
Simbole të paqes dhe harmonisë mes diversiteteve
Simbole të dashurisë së njeriut pë njeriun
Simbole të barazisë së njeriut me njeriun
Simbole të solidaritetit
Simbole të sakrificës për të tjerët
Simbole të dashurisë për natyrën 
Simbole kundër racizmit dhe homofobisë
Simbole të rezistencës kundër autoritarizmit
Simbole të luftës kundër krimit e korrupsionit e mafjes
Kuptohet se të gjitha këto simbolika, e të tjera si këto, që janë, sipas meje, në frymën e kohës ku jetojmë, s'mund t'i mbulojë Skënderbeu, megjithë  vendin e rëndësishëm që ai ka në historinë dhe mitologjinë e shqiptarëve. Për të ndërtuar simbolet e kësaj të ardhmje, që mishërohet më së shumti në idealet e Evropës e më gjerë të botës që duam të ndërtojmë, mund të na vlejë edhe historia, sigurisht, por një histori e lexuar ndryshe, jo me syzet e nacionalizmit e shovinizmit,  e as  duke evokuar luftrat e përgjakëshme me kristianë që vrasin myslimanë dhe e kundërta, por duke treguar anën e zezë të këtyre luftrave dhe po ashtu duke treguar se nuk kemi patur vetëm luftra midis vetes apo me fqinjët, por edhe bashkëjetesë si brenda vetes ashtu dhe me fqinjët. 
(Panorama, 20 mars 2014)

Tuesday, March 11, 2014

Dizintoksikimi nga krimi


Rreth një muaj më parë, pas ngjarje me protagonist tritolin në Vlorë e Durrës, kam hedhur propozimin që duhet të hapet një debat publik me temë çfarë po ndodh me këtë epidemi dramatike të shpërthimeve me tritol në vendin tonë? Në këtë kontekst dëgjova me vëmendje edhe emisionin Opinion të së hënës 3 mars të Fevziut, të ngacmuar nga shpërthimet e javës së fundit, ku u shpalosën mjaft teza që synonin të shpjegonin arsyet e fenomenit e rrugëdaljet prej tij. Po përpiqem të përmbledh ato kryesoret duke u bërë dhe kritikën:

Ndryshim i armës
Një nga tezat që u hodhën në Opinion ishte se nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim thelbësor nga pikëpamja e numrit, ka ndërruar vetëm mjeti i vrasjes, i cili, duke qenë shpërthim, bën edhe më bujë. Ky argument nuk më duket bindës. Edhe sikur numri i atentateve të jetë i njëjtë kemi një ndryshim cilësor në mendësinë kriminale të atentatorëve.  Unë gjykoj se diçka ka ndryshuar edhe përtej llojit të armës që përdor krimi.

Dështimi i sistemit të drejtësisë
Sipas kësaj teze një pjesë atentatesh janë vetëgjyqësi, kryesisht për çështje pronësie, dhe kjo lidhet me dështimin e sistemit të drejtësisë. Qëndron si argument, por nuk mund ta thuash pa ngritur edhe disa pikëpyetje. Kryesori është ai se sistemi ynë i drejtësisë ka qenë edhe dje edhe pardje po ky që është sot.  Së dyti, dyshoj shumë se njerëz që i drejtohen drejtësisë për të zgjidhur një konflikt arrijnë deri në vrasje. Mendoj se mjaft nga këta as nuk denjojnë t'i drejtohen Gjyqësorit pasi shpesh ata funksionojnë në një sistem tjetër, informal. Për më tepër këto akte ndahen në dy: në akte paralajmërimi një pjesë e të cilëve edhe mund të shpjegohen me mosbesimin tek sistemit gjyqësor dhe në akte që duken si verdikte pra jo si zgjidhje e problemit, por si mbyllje e tij. Pra është shumë sempliste t'ia veshësh këtë epidemi tritoli thjesht Gjyqësorit.

Paaftësia e policisë së re
Është opozita ajo që i mëshon veçanërisht kësaj teze, duke pretenduar se shefat e saj të policisë kanë qenë më profesionistë. Një variant më i butë i kësaj teze është ai sipas të cilit krimi ndjehet më i lirë në periudhë ndërrimi pushtetesh; pra shfrytëzon boshllëkun e pushtetit për të larë hesapet midis vetes.
Edhe këta argumente nuk më duken bindës. Problemi është se krimineli nuk bëhet brenda gjashtë muajsh, sa ç'ka qeveria e re në pushtet. As edhe problemet që e kanë shtyrë dikë të kryejë krim nuk lindin e maturohen brenda gjashtë muajsh. Po ashtu nuk dimë që policia e mëparshme të ketë parandaluar krime të tilla më parë, pa mohuar se, kur vjen puna për finalen këto janë akte që vështirë se mund të parandalohen edhe sikur të ketë ca më shumë përvojë nga ana e policisë.

Shembulli që dha qeveria me tritol
Ka disa që mëshojnë tezës se një lloj familjarizimi qytetar me tritolin dhe vetëgjyqësinë krijuan edhe aktet e vetëgjyqësisë së qeverisë me shembjen e disa pallateve. Mund të ketë ndonjë ndikim psikologjik, por, sipas meje, kjo nuk mjafton kurrsesi si shpjegim për këtë epidemi tritoli.

Inkurajim nga opozita
Edhe kjo tezë nuk më duket se qëndron. Sado që mund të thuash se opozitës duket sikur i intereson kjo situatë për të akuzuar maxhorancën e re si të paaftë nuk mund të thuash se kaq mjafton për të nxitur dikë që të ndërmarrë rrezikun e vrasjes së një tjetri për hatër të kthimit në pushtet të Sali Berishës?

***
Personalisht besoj se kjo epidemi  e tritolit lidhet me disa faktor strukturorë që përbëjnë si të thuash terrenin ushqyes të kësaj epidemie, që ka shpërthyer në mënyrë virulente kohët e fundit.

Kriminalizimi në rritje i ekonomisë sonë
Prej kohësh kemi dëgjuar për lajme të tilla sipas të cilëve  "një biznesmen ndërtimi" apo "pronar restoranti" u gjet i vrarë, apo u vra këtu apo atje, me tritol, apo pa tritol.  Më shumë nga përvoja dhe intuita se sa nga investigime të thella në media apo nga organe të specializuara, ne  shpesh kemi hamendësuar me të drejtë se ky "biznesmeni" ishte një trafikant droge, që biznesin e kishte si riciklim parash të pista, e që ndonjë rival në tregun e drogës e kishte hequr qafe për hesape të vjetra. Pse jo nga mediet apo nga institucionet? Sepse, siç e shtjelloj në një shkrim me titull "Të hash nga ujku", ku numëroj pronat e panumërta të një trafikanti/biznesmeni të tillë që më në fund u vra - dhe pas tij u vra edhe nëna edhe ish-shoferi i tij - jemi një shoqëri që në heshtje apo në bashkëpunim e ka pranuar këtë lloj ekonomie, pasi nuk është treguar e aftë të ndërtojë një ekonomi tjetër. Dhe, për më tepër, edhe e frikësuar prej saj.

Ana tjetër e medaljes
Ana tjetër e medaljes së kësaj ekonomie kriminale, të cilës përsëri ne i jemi nënshtruar, është politika si shprehje e interesave të saj. Nuk ka pikë dyshimi se një pjesë e kësaj ekonomie ka  lidhje direkt apo indirekt me institucionet e shtetit, policinë, politikën, mediet etj.. Mungesa e respektit për ligjin, korrupsioni i thellë, pandëshkueshmëria  e më në përgjithësi sjellja e partive dhe e politikanëve jo si përfaqësues interesash publike, por si banda, që e përdorin politikën për interesa private, janë pjesë e pandashme e krimit, ku hyn edhe ai me tritol. Sikurse e kam shtjelluar edhe më parë, atentati  në Vlorë kundër prefektit, ashtu sikurse edhe ai i parealizuar kundër biznesmenit Piro Bare në Durrës nuk mund të shpjegohen pa lidhjet e krimit direkt apo indirekt  me politikën.
Pra, pa mohuar se disa nga argumentet e rreshtuara më lart lidhur me shkaqet e epidemisë së tritolit qëndrojnë, e vërteta është se kemi të bëjmë me një përkeqësim të gjendjes së krimit, shpjegimi i të cilit, - që lidhet pastaj dhe me terapinë që duhet përdorur,  - duhet kërkuar pikërisht tek lidhja e botës së krimit me botën  kriminale të politikës. Unë i mëshoj tezës se ky shtim i krimit lidhet me prishjen e disa ekuilibrave mbrojtjeve dhe sigurirave që ishin vendosur midis botës së krimit dhe politikës në kohën e Berishës e lidhur ngushtë kjo edhe me përkeqësimin e gjendjes ekonomike të vendit, me borxhet e mëdha në të cilat e ka futur atë një politikë e papërgjegjshme dhe kriminale.

Varësia nga krimi
Pra kjo epidemi tritoli nuk duhet klasifikuar kurrsesi si kronikë e zezë - a thua se ajo bën pjesë në nëntokën e shoqërisë sonë, me të cilën duhet të merret vetëm policia, kurse mbi tokë kemi një jetë tjetër. Ajo që ka ndodhur dhe po ndodh është një lloj rritjeje e varësisë nga krimi i krejt trupit të shoqërisë me në krye kokën e saj që është elita drejtuese e vendit. Është si varësitë nga drogat apo alkooli që vijnë e rëndohen, veçanërisht në situata krize, duke çuar deri në vdekjen e trupit.
Prandaj gjykoj si të domosdoshme nevojën e shoqërisë për një debat të madh me temë dizintoksikimin e shoqërisë nga krimi. Është një dizintoksikim që së pari, duhet të filloj nga koka dhe, së dyti, që kërkon sakrifica të mëdha, nëse duam të shpëtojmë.

Sakrifica e dizintoksikimit
Po ndalem për një moment tek sakrifica. Ç’kuptoj me këtë? Me sakrificë kuptoj se të dalësh nga varësia tek krimi sot metaforikisht është si tu kërkosh lazaratasve se në vend të kanabisit që e shesin 300 euro kilen të mbjellin grurë dhe misër dhe ta shesin atë aq sa kushton në treg; çka do të thotë se ato gratë që punojnë atje të fitojnë shumë herë më pak, që bosët kriminelë që ndajnë paratë me politikën të gjejnë punë apo të përfundojnë në burg, kurse politikanët e policët e më the të thashë, që i kanë favorizuar deri tani, ngase kanë mbushur xhepat direkt ose indirekt me paratë e tyre të pista, të mjaftohen me rrogat që u jep shteti. Lazarati në fakt është metaforë e Shqipërisë. E quajta sakrificë pasi kjo nënkupton se do të varfërohemi.
E quaj sakrificë edhe pse duhet të kemi parasysh se një kthim në këtë gjendje “varfërie” nuk e duan një numër jo i vogël njerëzish. Pra nuk e duan jo vetëm ujqit që humbasin ushqimin, por nuk e duan as ata që janë mësuar të hanë direkt me ujkun; por i tremben edhe ata që hanë indirekt nga ujku pasi nuk janë të sigurt se vendi ka burime të mbijetojë dhe ata mund të mbesin thatë. Është pasoja e intoksikimit me krim të shoqërisë.
Por vazhdimi në këtë fiction të krijuar nga droga e krimit do të ketë pasoja edhe më të rënda, që i kemi provuar një herë në vitin '97. Në fakt dizintoksikimi do të thotë të kthehemi tek Shqipëria reale, e njerëzve të ndershëm dhe të punës. Madje do të thosha tek krijimi i këtij njeriu që duket sikur po humbet përditë. Fictioni që jetojnë shumë nga këta banditë që u duket se po jetojnë si milionerët perëndimorë, që kanë vila dhe makina të shtrenjta e udhëtojnë nëpër botë si ata ndërkohë që këto i kanë nga një pasurim i shpejtë dhe pa asnjë lloj merite tjetër përveç krimit herët ose vonë përfundon në burg ose në tritol. Këta e kanë tërhequr boll thellë në humnerën e kësaj bote krejt shoqërinë. Ka ardhur koha të dizintoksikohemi. (Panorama, 8 mars 2014)