Tuesday, March 11, 2014

Dizintoksikimi nga krimi


Rreth një muaj më parë, pas ngjarje me protagonist tritolin në Vlorë e Durrës, kam hedhur propozimin që duhet të hapet një debat publik me temë çfarë po ndodh me këtë epidemi dramatike të shpërthimeve me tritol në vendin tonë? Në këtë kontekst dëgjova me vëmendje edhe emisionin Opinion të së hënës 3 mars të Fevziut, të ngacmuar nga shpërthimet e javës së fundit, ku u shpalosën mjaft teza që synonin të shpjegonin arsyet e fenomenit e rrugëdaljet prej tij. Po përpiqem të përmbledh ato kryesoret duke u bërë dhe kritikën:

Ndryshim i armës
Një nga tezat që u hodhën në Opinion ishte se nuk ka ndodhur ndonjë ndryshim thelbësor nga pikëpamja e numrit, ka ndërruar vetëm mjeti i vrasjes, i cili, duke qenë shpërthim, bën edhe më bujë. Ky argument nuk më duket bindës. Edhe sikur numri i atentateve të jetë i njëjtë kemi një ndryshim cilësor në mendësinë kriminale të atentatorëve.  Unë gjykoj se diçka ka ndryshuar edhe përtej llojit të armës që përdor krimi.

Dështimi i sistemit të drejtësisë
Sipas kësaj teze një pjesë atentatesh janë vetëgjyqësi, kryesisht për çështje pronësie, dhe kjo lidhet me dështimin e sistemit të drejtësisë. Qëndron si argument, por nuk mund ta thuash pa ngritur edhe disa pikëpyetje. Kryesori është ai se sistemi ynë i drejtësisë ka qenë edhe dje edhe pardje po ky që është sot.  Së dyti, dyshoj shumë se njerëz që i drejtohen drejtësisë për të zgjidhur një konflikt arrijnë deri në vrasje. Mendoj se mjaft nga këta as nuk denjojnë t'i drejtohen Gjyqësorit pasi shpesh ata funksionojnë në një sistem tjetër, informal. Për më tepër këto akte ndahen në dy: në akte paralajmërimi një pjesë e të cilëve edhe mund të shpjegohen me mosbesimin tek sistemit gjyqësor dhe në akte që duken si verdikte pra jo si zgjidhje e problemit, por si mbyllje e tij. Pra është shumë sempliste t'ia veshësh këtë epidemi tritoli thjesht Gjyqësorit.

Paaftësia e policisë së re
Është opozita ajo që i mëshon veçanërisht kësaj teze, duke pretenduar se shefat e saj të policisë kanë qenë më profesionistë. Një variant më i butë i kësaj teze është ai sipas të cilit krimi ndjehet më i lirë në periudhë ndërrimi pushtetesh; pra shfrytëzon boshllëkun e pushtetit për të larë hesapet midis vetes.
Edhe këta argumente nuk më duken bindës. Problemi është se krimineli nuk bëhet brenda gjashtë muajsh, sa ç'ka qeveria e re në pushtet. As edhe problemet që e kanë shtyrë dikë të kryejë krim nuk lindin e maturohen brenda gjashtë muajsh. Po ashtu nuk dimë që policia e mëparshme të ketë parandaluar krime të tilla më parë, pa mohuar se, kur vjen puna për finalen këto janë akte që vështirë se mund të parandalohen edhe sikur të ketë ca më shumë përvojë nga ana e policisë.

Shembulli që dha qeveria me tritol
Ka disa që mëshojnë tezës se një lloj familjarizimi qytetar me tritolin dhe vetëgjyqësinë krijuan edhe aktet e vetëgjyqësisë së qeverisë me shembjen e disa pallateve. Mund të ketë ndonjë ndikim psikologjik, por, sipas meje, kjo nuk mjafton kurrsesi si shpjegim për këtë epidemi tritoli.

Inkurajim nga opozita
Edhe kjo tezë nuk më duket se qëndron. Sado që mund të thuash se opozitës duket sikur i intereson kjo situatë për të akuzuar maxhorancën e re si të paaftë nuk mund të thuash se kaq mjafton për të nxitur dikë që të ndërmarrë rrezikun e vrasjes së një tjetri për hatër të kthimit në pushtet të Sali Berishës?

***
Personalisht besoj se kjo epidemi  e tritolit lidhet me disa faktor strukturorë që përbëjnë si të thuash terrenin ushqyes të kësaj epidemie, që ka shpërthyer në mënyrë virulente kohët e fundit.

Kriminalizimi në rritje i ekonomisë sonë
Prej kohësh kemi dëgjuar për lajme të tilla sipas të cilëve  "një biznesmen ndërtimi" apo "pronar restoranti" u gjet i vrarë, apo u vra këtu apo atje, me tritol, apo pa tritol.  Më shumë nga përvoja dhe intuita se sa nga investigime të thella në media apo nga organe të specializuara, ne  shpesh kemi hamendësuar me të drejtë se ky "biznesmeni" ishte një trafikant droge, që biznesin e kishte si riciklim parash të pista, e që ndonjë rival në tregun e drogës e kishte hequr qafe për hesape të vjetra. Pse jo nga mediet apo nga institucionet? Sepse, siç e shtjelloj në një shkrim me titull "Të hash nga ujku", ku numëroj pronat e panumërta të një trafikanti/biznesmeni të tillë që më në fund u vra - dhe pas tij u vra edhe nëna edhe ish-shoferi i tij - jemi një shoqëri që në heshtje apo në bashkëpunim e ka pranuar këtë lloj ekonomie, pasi nuk është treguar e aftë të ndërtojë një ekonomi tjetër. Dhe, për më tepër, edhe e frikësuar prej saj.

Ana tjetër e medaljes
Ana tjetër e medaljes së kësaj ekonomie kriminale, të cilës përsëri ne i jemi nënshtruar, është politika si shprehje e interesave të saj. Nuk ka pikë dyshimi se një pjesë e kësaj ekonomie ka  lidhje direkt apo indirekt me institucionet e shtetit, policinë, politikën, mediet etj.. Mungesa e respektit për ligjin, korrupsioni i thellë, pandëshkueshmëria  e më në përgjithësi sjellja e partive dhe e politikanëve jo si përfaqësues interesash publike, por si banda, që e përdorin politikën për interesa private, janë pjesë e pandashme e krimit, ku hyn edhe ai me tritol. Sikurse e kam shtjelluar edhe më parë, atentati  në Vlorë kundër prefektit, ashtu sikurse edhe ai i parealizuar kundër biznesmenit Piro Bare në Durrës nuk mund të shpjegohen pa lidhjet e krimit direkt apo indirekt  me politikën.
Pra, pa mohuar se disa nga argumentet e rreshtuara më lart lidhur me shkaqet e epidemisë së tritolit qëndrojnë, e vërteta është se kemi të bëjmë me një përkeqësim të gjendjes së krimit, shpjegimi i të cilit, - që lidhet pastaj dhe me terapinë që duhet përdorur,  - duhet kërkuar pikërisht tek lidhja e botës së krimit me botën  kriminale të politikës. Unë i mëshoj tezës se ky shtim i krimit lidhet me prishjen e disa ekuilibrave mbrojtjeve dhe sigurirave që ishin vendosur midis botës së krimit dhe politikës në kohën e Berishës e lidhur ngushtë kjo edhe me përkeqësimin e gjendjes ekonomike të vendit, me borxhet e mëdha në të cilat e ka futur atë një politikë e papërgjegjshme dhe kriminale.

Varësia nga krimi
Pra kjo epidemi tritoli nuk duhet klasifikuar kurrsesi si kronikë e zezë - a thua se ajo bën pjesë në nëntokën e shoqërisë sonë, me të cilën duhet të merret vetëm policia, kurse mbi tokë kemi një jetë tjetër. Ajo që ka ndodhur dhe po ndodh është një lloj rritjeje e varësisë nga krimi i krejt trupit të shoqërisë me në krye kokën e saj që është elita drejtuese e vendit. Është si varësitë nga drogat apo alkooli që vijnë e rëndohen, veçanërisht në situata krize, duke çuar deri në vdekjen e trupit.
Prandaj gjykoj si të domosdoshme nevojën e shoqërisë për një debat të madh me temë dizintoksikimin e shoqërisë nga krimi. Është një dizintoksikim që së pari, duhet të filloj nga koka dhe, së dyti, që kërkon sakrifica të mëdha, nëse duam të shpëtojmë.

Sakrifica e dizintoksikimit
Po ndalem për një moment tek sakrifica. Ç’kuptoj me këtë? Me sakrificë kuptoj se të dalësh nga varësia tek krimi sot metaforikisht është si tu kërkosh lazaratasve se në vend të kanabisit që e shesin 300 euro kilen të mbjellin grurë dhe misër dhe ta shesin atë aq sa kushton në treg; çka do të thotë se ato gratë që punojnë atje të fitojnë shumë herë më pak, që bosët kriminelë që ndajnë paratë me politikën të gjejnë punë apo të përfundojnë në burg, kurse politikanët e policët e më the të thashë, që i kanë favorizuar deri tani, ngase kanë mbushur xhepat direkt ose indirekt me paratë e tyre të pista, të mjaftohen me rrogat që u jep shteti. Lazarati në fakt është metaforë e Shqipërisë. E quajta sakrificë pasi kjo nënkupton se do të varfërohemi.
E quaj sakrificë edhe pse duhet të kemi parasysh se një kthim në këtë gjendje “varfërie” nuk e duan një numër jo i vogël njerëzish. Pra nuk e duan jo vetëm ujqit që humbasin ushqimin, por nuk e duan as ata që janë mësuar të hanë direkt me ujkun; por i tremben edhe ata që hanë indirekt nga ujku pasi nuk janë të sigurt se vendi ka burime të mbijetojë dhe ata mund të mbesin thatë. Është pasoja e intoksikimit me krim të shoqërisë.
Por vazhdimi në këtë fiction të krijuar nga droga e krimit do të ketë pasoja edhe më të rënda, që i kemi provuar një herë në vitin '97. Në fakt dizintoksikimi do të thotë të kthehemi tek Shqipëria reale, e njerëzve të ndershëm dhe të punës. Madje do të thosha tek krijimi i këtij njeriu që duket sikur po humbet përditë. Fictioni që jetojnë shumë nga këta banditë që u duket se po jetojnë si milionerët perëndimorë, që kanë vila dhe makina të shtrenjta e udhëtojnë nëpër botë si ata ndërkohë që këto i kanë nga një pasurim i shpejtë dhe pa asnjë lloj merite tjetër përveç krimit herët ose vonë përfundon në burg ose në tritol. Këta e kanë tërhequr boll thellë në humnerën e kësaj bote krejt shoqërinë. Ka ardhur koha të dizintoksikohemi. (Panorama, 8 mars 2014)

No comments: