Tuesday, March 28, 2017

Gjyqi famëkeq ndaj studentëve dhe Vetingu

E përjetova  me indinjatë, por edhe shqetësimi jo të vogël vendimin e  gjykatës për të dënuar 8 studentë 20-vjeçar me 2 muaj burg ose konvertim me 60 ditë punë pranë komunitetit dhe pagesën e shpenzimeve të gjyqit për shkak se kanë hedhur tre vezë dhe disa sharje kundër Kryeministrit gjatë një proteste. Akuza formulohet si “kundërshtim i Kryeministrit dhe policisë për shkak të detyrës”.
Indinjata të rritet në mënyrë progresive kur ke parasysh se  ku dhe si ka ndodhur ngjarja. Edi Rama ka qenë në një nga ambientet e Universitetit Publik (atë të Shkencave Sociale) për të bërë – vini re! - një mbledhje me biznesmenë në të cilën ka folur për sukseset e qeverisë përsa i përket politikave tatimore?!  Pra mbledhja s’ka qenë me dhe për studentët, dhe s’ka pasur fare të bëjë me ligjin e arsimit të lartë, sikurse mendojnë disa. Për të folur për ligjin e arsimit të lartë, thonë studentët, ky ka zgjedhur universitete private si UET apo Universiteti i New Yorkut. Kemi të bëjmë pra, me përdorimin e ambienteve të Universitetit Publik kundër statusit që u garanton atyre autonomi. E ka bërë edhe Erjon Veliaj për të bërë mbledhje partie - të thonë studentët. Dhe kuptohet se pse - sepse publiken këta e konsiderojnë si pronë të tyre dhe se kanë dashur t’u japin studentëve edhe një mesazh se kush është padron në shtëpinë e tyre.
Kur kanë parë “Live”, në televizionet që e ndjekin hap pas hapi me servilizëm, se Kryeministri po flet në ambientet e tyre, studentët që kanë protestuar vazhdimisht kundër ligjit për arsimin e lartë, e kanë parë këtë si një mundësi për të protestuar edhe një herë, - kësaj here madje në oborrin e shtëpisë së tyre. Kur Rama ka dalë, i kanë thënë “i shitur”, “klientelist”, “sharlatan” dhe pastaj, kur ky  i ka ofenduar nëpër dhëmbë dhe një nga gorillat e tij ka pështyrë në fytyrë një nga vajzat protestuese i kanë thënë edhe “kryeministër plehrë”. Ndërkaq tre prej tyre i kanë gjuajtur me vezë, ndër të cilat njëra ka arritur të ndotë parafangon e makinës së tij.
Kaq ka mjaftuar që bodyguardët dhe pastaj policë të Kryeministrit të lëshohen kundër studentëve të cilët, mos harroni, kanë qenë në ambientet e tyre ku garantohet autonomia. Disave që rezistuan të tërhiqen zvarrë, u kanë shkuar edhe në shtëpi u kanë bërë kontrolle, i kanë keqtrajtuar në polici. Jo vetëm, por ndërkohë që pesë prej tyre kanë qenë vajza, atje s’ka pasur asnjë police femër kështu që dhunën mbi vajzat, siç dëshmon edhe studentja Bora Mema (http://opolitike.org/shpallje/rreth-kryeministrit-genjeshtar-te-republikes-se-privateve/) e kanë ushtruar burrat. Dhe s’ka mjaftuar gjithë kjo, por u kanë hapur edhe këtë proces famëkeq.
***
Indinjata të rritet kur mendon se protesta është e drejtë, se në një shtet demokratik do të mjaftonte ai ligj për ta delegjitimuar një Kryeministër që i stërmeriton epitetet “i shitur”, sharlatan”, “klientelist”, veçanërisht nga populli që e ka votuar mbi premtimet se do të mbrojë publiken.
Por indinjata mbarset edhe me shqetësim serioz, sepse ky proces është edhe ndjellakeq në shumë aspekte të tjera që kanë të bëjnë me raportin e këtij Kryeministri dhe pushtetit të tij, jo vetëm me studentët, por edhe me gjithë qytetarët.
Së pari, procesi gjyqësor përsërit për të disatën herë se ky Kryeministër dhe shpura e tij dhe policia e tij sillen sikur vetë të jenë mbi ligjin, të cilin gjithnjë e më shumë kërkojnë ta përdorin vetëm si instrument kundër të tjerëve që nuk u nënshtrohen. Sepse, ndërkohë që vetë shkon e dhunon ligjin për autonominë e universiteteve, ndërkohë që tërheq zharg studentët dhe u dhunon shtëpitë pa pasur as mandat, nuk mendon për asnjë çast se për këto mund të jetë përgjegjëse përpara ligjit dhe aq më pak i barabartë me studentët përpara ligjit.
Së dyti, shqetësimi bëhet edhe më i madh kur mendon se ky kryeministër kërkon të na shitet edhe si kampion i Vetingut që medemek do të vendoska më në fund drejtësinë në këtë vendin tonë sepse do ta pastrojë atë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Por çka del qartë nga ky proces është se Vetingu po përdoret ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve për t’i korruptuar ata edhe më keq, sepse të marrësh një vendim të tillë kundër njerëzve që mund të quhen shpresa e shoqërisë sonë, ndaj atyre të paktëve që kanë kurajë të protestojnë, do të thotë të rritësh edhe më nivelin e nënshtrimit të shoqërisë dhe të Drejtësisë në këtë shoqëri që po poshtërohet përditë nga pushteti arrogant. E provon këtë edhe fakti se ndërkohë që, sipas procedurës që i trajton të gjithë qytetarët të barabartë përpara ligjit, Edi Rama do të duhej të paraqitej në gjyq për të dëshmuar - pas kërkesës së studentëve - ai as ka denjuar ta bëjë këtë dhe gjyqtarët, në vend se t’i kërkojnë të zbatojë ligjin,  i kanë qëndruar në dispozicion vullnetit të tij mbi ligjin. Në këtë aspekt ky proces ngre edhe një çështje tjetër lidhur me të ashtuquajturin Veting: vallë mjafton që një gjyqtar apo prokuror të na nxjerrë disa dokumente që tregojnë se si e ka vënë pasurinë, apo çfarë shkolle ka mbaruar për ta besuar se ai mund të jetë i drejtë? Por në regjimin komunist gjyqtarët dhe prokurorët as nuk guxonin të vinin pasuri, duke marrë ryshfet, e megjithatë vendimet e tyre ishin tmerrësisht të padrejta pasi qenë në shërbim të pushtetit. Si do të matet kuraja qytetare e prokurorëve dhe gjyqtarëve në proceset tona të Vetingut, kur jemi në situatën e një regjimi?  

Por, shqetësimi më i madh në këtë histori ka të bëjë me atë se ky tejkalim skandaloz i masës së të drejtës në favor të pushtetit dhe kundër rinisë që është shpresa jonë e së ardhmes, tregon se sa e rrezikshme mund të bëhet situata nëse rritet edhe më pushteti i këtij Kryeministri dhe i banditëve të tij. Veprimi hakmarrës ndaj këtij grushti studentësh që janë më të pa mbrojturit, (sepse janë edhe kundër opozitës), vetëm pse i vunë Edi Ramës pasqyrën përpara syve, tregon se çfarë mund të të bëjë ky dhe banditët e tij nëse do të zhduket krejt opozita dhe mediet dhe çdo institucion i pavarur, çka është edhe ëndrra finale e këtij narçizisti malinj. (Panorama, 22 mars 2016)

Read More......

Tuesday, March 14, 2017

Pse lëvizi Tahiri

Deri ditën  shtunë ideja që ka mbizotëruar mbi qëndrimin e Edi Ramës ndaj kësaj që po ndodh me çadrën e opozitës dhe kërkesën e saj për qeveri teknike mund të sintetizohej në një përgjigje që ky i ka dhënë në facebook dikujt se politika "budallait i duhet hapur rruga" është e gabuar. Par, deri të shtunën, perceptimi ka qenë se loja midis opozitës tek çadra dhe kryeministrit  me ministrat në zyrat e tyre do të vazhdonte deri në një acarim edhe më të madh të situatës ku pastaj, me ndonjë ndërhyrje ndërkombëtare, mund të arrihej ndonjë marrëveshje si ajo e Krokodilit në Bruksel ose do të precipitonim drejt ndonjë situate të panjohur.
Sipas këtij perceptimi që kemi pasur deri të shtunën, edhe pse çadra mbetet si faktor në sfond, shkarkimi i Tahirit dhe pastaj edhe i disa ministrave rezultoi një lëvizje e papritur që të bën të mendosh se nuk ishte thjesht "efekti çadra" faktori, por se ka pasur edhe lojtarë të tjerë në lojë që e kanë shkaktuar këtë lëvizje.
Shpjegimi që dha Rama të dielën se Tahiri dhe ministrat por shkarkoheshin për tu graduar për zgjedhjet, pra se asgjë nuk ka ndodhur, zor ta besojë kush sepse, nëse donte të ruante imazhin se asgjë e keqe nuk ka ndodhur, dihet se puna më  mirë do të ishte të mos lëvizte asgjë.
Ndërkaq ajo çfarë ka ndodhur mbetet ende e paqartë, e rrethuar me hipoteza e thashetheme gjithfarëshe. Në këtë shkrim po rrekem t'u afrohem faktorëve të shkarkimi i mbështetur tek të dhënat dhe hipotezat më të besueshme që qarkullojnë deri më tani:

Faktori Ilir Meta.
Më e besueshme është që, duke përdor edhe krizën e shkaktuar nga çadra, Ilir Meta po luan që të rrisë pushtetin e tij duke dalë si shpëtimtar i situatës sikurse doli edhe me reformën në drejtësi - e sigurisht për të larë ca hesape të vjetra me Ramën. Dalja e ministres së LSI-së Gjosha, fill pas lajmit për Tahirin, e cila gati tha troç se ne kemi nevojë për një kryeministër si Meta dhe jo për një arrogant kryeministër si Rama, që na ka sjellë në këtë situatë, e shpreh qartë këtë rol. Nga ana e tij Rama duket se më shumë me pahir se sa me hir e ka pranuar këtë rol për të marrë në shkëmbim mbështetjen e munguar deri tani prej Metës për të përballuar situatën që ka krijuar çadra, ku hyn edhe hyrja në zgjedhje së bashku. Largimi i Tahirit në këtë rast duhet parë si largimi i një njeriu që është përdorur dhe mund të përdorej  më shumë se të tjerët si dorë e Ramës edhe kundër LSI-së së Ilir Metës.

Ndërkombëtarët
Një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në këtë lëvizje të papritur mund të jenë ndërkombëtarët të cilët, po t'i besojmë këtij versioni, duket se nuk e hanë më fabulën e Ramës duarpastërt që lufton me duarndoturit Berisha e Meta e që duhet ndihmuar që t'i heqë qafe këta nëpërmjet reformës në drejtësi. Duket se ata kanë grumbulluar tashmë edhe mjaft informacion,  sa nëpërmjet vëzhgimit të punëve të qeverisë aq edhe nëpërmjet shërbimeve të tyre apo punës së kundërshtarëve të Ramës, që u ka sqaruar se ajo që opozita e quan "republika e kanabisit" apo e "krimit" në krye të të cilës është dora vetë Kryeministri është një realitet që duhet marrë seriozisht. Një lajm që po sillet si fantazmë kërcënuese pa u konfirmuar plotësisht por as pa u përgënjeshtruar bindshëm nga Rama - ai i  1300 kontenierë me mbetje toksike të futura në Shqipëri me ndihmën e qeverisë -  mund të jetë pjesë e ekuacionit që po përpiqemi të zgjidhim. Pra ndërkombtarët ka gjasa që t'i kenë çuar Ramës sinjale të qarta se me Tahirin kredibiliteeti i tij cënohet edhe më tej veçanëriaht në këtë situatë.

Një version i çuditshëm
Qarkullon edhe një version, që i përjashton këta të tjerët, se Tahri është shkarkuar për arsye të brendshme të konfliktit midis bandave dhe banditëve që mbështesin PS-në. Se Rama pra, i kërcënar nga disa banditë që i konsideron të rëndësishëm  për pushtetin e tij, veçanërisht fushatën elektorale,  ka hequr atyre qafe një njeri që i pengonte në aktivitetin e tyre për shkak të lidhjeve të tij me banditë të tjerë rivalë.
Edhe pse më i pabesueshëm se të tjerët, fakti që  ky version qarkullon dhe besohet nga një pjesë jo e vogël njerëzish, flet shumë për klimën dhe opinionin që qarkullon rreth institucioneve tona kryesore të shtetit.

Dobësia e Ramës
Një faktor i katërt që mund të shpjegojë këtë ngjarje të papritur është brishtësia psikologjike  e Edi Ramës në këtë moment krize. Kjo edhe pasi thellë thellë ai e di lojën e pisët që kryen, lidhjet e pista që ka përdorur dhe faktin se është i rrethuar me njerëz të cilëve ua ka dhe ia kanë me hile.  Situata e rënduar sa nga çadra edhe nga Meta e një pjesë ndërkombëtarësh apo edhe e kombinuar me interesa banditësh e ka bërë të thyhet  përpara kohe, duke e dorëzuar Tahirin pa menduar se kështu po i bënte një çarje të madhe fasadës së propaganduar deri te shtunen se kemi qeverinë dhe ministrin më të suksesshëm në historinë e këtyre 25 vjetëve. Në një hap të dytë duket se është penduar që ka bërë këtë hap dhe ka menduar ta frenojë rrëshqitjen duke shpjeguar heqjen e Tahirit si një reformatim të qeverisë për shkaqe elektorale. Duke ia njohur stilin e punës nuk përjashtohet që ndërkaq veçmas Metës i thotë "e bëra për ty", ndërkombëtarëve si lëshim që po  i bën opozitës dhe banditëve në fjalë se e bëri për ata.

Si përfundim
Gjithsesi kjo lëvizje na paralajmëron se shumë shpejt do të kemi lajme të reja sepse jemi në një krizë,  dhe se fatkeqësisht zgjidhja apo dalja prej saj zor se mund të jetë e shëndetshme dhe afatgjatë pasi vendimmarrja nuk ka asgjë demokratike, por i ngjet lojërave të kapobandave nëpër kulisa dhe bodrume. (Panorama, 14 mars 2017)

Read More......

Wednesday, March 1, 2017

Çadra e Bashës dhe “republika e dytë”

Kryeredaktori i portalit Exit.al Carloalberto Rossi, i cili, sëbashku me Neritan Sejaminin, Vincent WJ. Van Greven Oei e bashkëpunëtorët e tyre, po bën një punë të çmuar për të mbajtur gjallë mendimin kritik e të lirë, në një kohë kur mediet tona kanë degraduar në një sevilizëm banal ndaj pushtetit, më drejtonte një letër të hapur pas shkrimit tim “Si e mbështes protestën”. Në thelbin e vet letra ngrinte problemin se nëse të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë nuk hipin në anijen (çadrën e protestës), por sillen rrotull saj “me shpresën se dikush tjetër do ta bëjë atë”, atëherë si do të mund të ecë ajo në drejtimin e duhur? Kështu, sipas tij, politika do të mbetet pre e atyre që spekulojnë me inercinë tonë shoqërore, me “frikën atavike për t’u ekspozuar,” me “pasivitetin e popullit shqiptar”. Ndaj mosbesimit tim se shumë nga marinarët e saj kanë dhënë prova se sapo dalin në breg fillojnë e plaçkitin, ai i referohej Lulëzim Bashës dhe disa prej qëndrimeve e fjalimeve të tij të fundit, të cilat, sipas tij, meritojnë besim, duke shtuar se ta lesh atë vetëm sot do të thotë ta lesh në dorë të armikut.
Carloalbertos Rossi-t do t’i përgjigjesha se argumeti i tij qëndron. Pa marrë pjesë në proces nuk mund të ndryshosh një realitet që nuk e pranon. Por pjesëmarrja në proces për mua nuk është domosdoshmërisht hipje dhe rremim në anijen e Bashës. Duke hequr një paralele (paksa të sforcuar) midis situatës politike në vendin e tij (Itali) dhe Shqipëri do t’i kujtoja lëvizjen “Cinque Stelle”. Ajo lindi pas një zhgënjimi me dy polet kryesore të politikës italiane që, gjithë duke u alternuar për dy dekada, nuk sollën ndryshim, por një zhgënjim në rritje midis italianëve. Duke qenë se kam kohë që shkruaj për nevojën e një lëvizjeje të tillë në Shqipëri, aq sa zëvendësimin e Sali Berishës me Edi Ramës e kam mbështetur vetëm me idenë se kështu kjo mund të lindte më shpejt - sepse shqiptarët do të bindeshin më parë që s’duhet të shpresonin tek Rama&Co, - e kam të vështirë të besoj sot, se duhet të rikthehemi te PD-ja. Fakti që s’po lind megjithatë një lëvizje e re e fuqishme më një anë dhe fakti që Rama i ka tejkaluar përmasat e zhgënjimit, po i detyron një pjesë t’i rikthehen PD-së me idenë apo shpresën se ky fillim mund të ngjizet me Bashën.
Besoj se ka nga ata që besojnë dhe ka nga ata që, si unë, mbeten skeptikë për një sërë arsyesh. Kuptohet se për ata që besojnë çështja është se si të krijojnë besimin e të tjerëve. Duke menduar se besimi në këtë rast nuk mund të vijë si një dashuri me shikimin e parë me një të panjohur, por si një proces shumë i vështirë, për shkak të njohjes së vjetër, plot zhgënjime, qëndrimi im është që, në momentin aktual, të marr pjesë në këtë proces si gazetar, thuaj po deshe si intelektul i angazhuaar, por pa u bërë militant. Dikush e quan pozicion komod prej spektatori. Unë e quaj punë e vështirë prej arbitri, që duhet të vrapojë pas lojtarëve hap pas hapi për të ndjekur çdo faull, me një përgjegjësi të madhe. Pa këtë punë procesi do të degjeneronte shumë lehtësisht.
***
Nga ky pozicion vë re se diskursi rreth besueshmërisë apo jo të Lulëzim Bashës është vënë në qendër të debatit këto ditë. Maxhoranca me në krye Edi Ramës deri më sot ka luajtur kartën e zhvleftësimit të Lulëzim Bashës duke i mëshuar tezës se lideri i vërtetë i PD-së është Berisha, të cilin, u thotë shqiptarëve, e keni provuar dy herë. Por protesta e ka ngritur profilin e tij duke e përqendruar vëmendjen tek ai, aq sa suksesi apo mossuksesi i saj duket se do të përcaktojë edhe fatin e lidershipit të ardhshëm të PD-së.  Duke gjykuar se jemi në një moment të rëndësishëm, jo vetëm për PD por edhe për demokracinë shqiptare, them se, siç thashë, ky debat mbi besueshmërinë apo mosbesueshmërinë e PD-së apo dhe mbi çfarë duhet bërë që ajo të rritet duhet vazhduar. Në këtë shkrim po prek një pikë që më duket tejet e rëndësishme, por që më duket se po anashkalohet me një lehtësi të pabesueshme.
E kam fjalën për faktin se, ndërkohë që më një anë ne flasim për rrezikim të demokracisë, kur bëhet fjalë për shpëtimin, paradoksalisht, i referohemi - si ata që e mbështesin edhe ata që e zhvleftësojnë, - figurës së liderit.  Kjo sepse kemi kohë që institucione kaq të rëndësishme siç janë partitë i reduktojmë në liderin e tyre. Edhe në botën demokratike vihet re ky fenomen i rritje së rëndësisë dhe peshës së liderëve karizmatikë, por atje ka shqetësim, duke e konsideruar si diçka negative, që vjen nga mediatizimi i politikës. Kurse ne s’kemi asnjë dilemë. Mjaft të kesh parasysh hapësirat që zënë në media tona takimet dhe darkat private midis Ramës dhe Metës, siç ishte edhe kjo darka e fundit, për të kuptuar se sa poshtë jemi në këtë drejtim. Të gjithë e marrin për normale që vendimet e rëndësishme për fatet tona të merren në dreka apo darka me ngjala, peshq, apo kastravecë, midis këtyre të dyve. Po të tjerët pse duhen atëhere, pse janë partitë e tyre, po zyrat e tyre, po takimet me militantët? Thjesht për fasadë, për të gënjyer njerëzit? A mos po ndodh po kështu edhe me çadrën e Bashës?
***
Si një ndjekës entuziast i lëvizjes “Cinque Stelle” në fillimet e veta në Itali, një nga pikat kryesore të forcës së saj mobilizuese kam konsideruar pikërisht thirrjen “Uno vale uno” që nënkuptonte se kjo ishte një lëvizje e të gjithë qytetarëve të zhgënjyer zëri i të cilëve vlente sa zëri i çdonjërit prej liderëve të tyre. Jam zhgënjyer kur kam parë se Grillo filloi të imponohet si garant i koherencës dhe moralit të lëvizjes, por prapë mendoj se forca e saj edhe sot qëndron në atë fillim përbashkues.
Po t’i referohemi përvojës shqiptare, momentet më të mira përsa i përket besimit të popullit tek politikanët e vet kanë qenë kur kishte lëvizje ku binte në sy ekzistenca e shumë figurave që për kohën ngjallnin besim. Kështu ndodhi me lëvizjen antikomuniste derisa Sali Berisha vendosi kultin e vet mbi të gjithë partinë dhe shtetin, duke mbytur demokracinë, kështu ndodhi edhe në vitin 1997 derisa Fatos Nano, e më pas Ilir Meta e Edi Rama, personalizuan vendimmarrjen, duke ndërtuar sistemin oligarkik e pastaj bandokratik që kemi sot. Gjatë gjithë këtij 25-vjeçari historia jonë ka qenë ajo e personalizimit të institucioneve të shtetit, reduktimit të partive në një njeri, reduktimit të medieve në një pronar të vetëm, reduktimit të drejtësisë (siç dua ta bëjmë sot) në dy ambasadorë, çka ka rezultuar si mënyra më efikase për të lehtësuar abuzimin me pushtetin, korrupsionin, padrejtësinë, dezinformimin etj. të këqija nga ato që Lulëzim Basha premton sot nga çadra se do t’i luftojë.   

Në funksion të ndryshimit të kësaj historie, e shoh kundërproduktiv nxitimin për të krijuar kultin e kapitenit të anijes në një kohë kur PD-ja kërkon të tërheqë energjinë dhe besimin e tërë popullit për të rremuar në të.  Ashtu sikurse shoh me skepticizëm edhe faktin se partitë e reja që kanë dalë, ku spikat ajo e Blushit, po duan të ndërtohen po mbi kultin e individit. Lëvizja për të ndërtuar “republikën e dytë”, siç thotë Rossi, sot ka nevojë për njerëz që japin shembullin se heqin dorë nga kulti i vetvetes, nga kalkulimet për vetveten, për hir të interesave të shoqërisë e që nuk mbeten tek fjalët por që bëjnë vepra për ta vërtetuar këtë. Vetëm ata, mund të shporrin demonin e autoritarizmit, arrogancës e papërgjegjshmërisë së liderit që sakrifikon vendin për interesat e veta që e ka sunduar e vazhdon ta sundojë Shqipërinë që nga fillimet e veta. Vetëm njerëz të bashkuar me këtë frymë e me këto vepra mund t’u ngjallin besim shqiptarëve të rrasbitur për tu ngjitur në anije e t’u japin energji për të rremuar kësaj here në drejtimin e duhur. (Panorama, 28 shkurt 2017)

Read More......