Wednesday, August 3, 2022

Oligarkët e Putinit dhe hipokrizia e Perëndimit me demokracinë

Me fillimin e luftës në Ukrainë është folur shumë për oligarkët e Putinit të cilëve në Perëndim iu sekuestruan apo ngrinë prona dhe biznese të rëndësishme si: vila, jahte, banka etj. Qëllimi i këtij veprimi, ishte i dyfishtë: të goditeshin oligarkët si bashkëpunëtorë e bashkëpërgjegjës me Putinin, por edhe të nxiteshin për t’iu kthyer kundër autokratit. Po t’i analizosh këta dy opsione, nuk mund të mos konstatosh se janë kontradiktorë, sepse, sipas të parit, oligarkët konsiderohen bashkëpërgjegjës e prandaj duhen ndëshkuar, kurse, sipas të dytit, ata janë të mirëpritur po t’i kundërvihen Putinit.

Ky kontradiksion është shprehje e një kontradiksioni më të thellë të Perëndimit, që shfaqet veçanërisht në qëndrimet e tij me standarde të dyfishta ndaj vendeve që më një anë ekonomikisht funksionojnë sipas kapitalizmit globalist dhe, më anë tjetër, janë autoritare, autokratike, antidemokratike. Rëndom, varësisht nga interesat e tij, Perëndimi i trajton disa nga këta vende si “beninjë” (nganjëherë deri si liridashës e demokratikë) dhe të tjerë si “malinjë”, si rrezik për demokracinë e lirinë. Nga ky rregull nuk bëjnë përjashtim edhe vendet oligarkike të ngritura në Lindjen ish-komuniste, siç po e evidenton edhe rasti i luftës në Ukrainë.


“Periudha Jelcin” dhe ajo “Putin” në Rusi

 

Për t’u thelluar në temën e këtyre standardeve të dyfishta perëndimore, si dhe të pasojave të tyre për demokracinë, më së pari le të shtroj pyetjen: a ka kuptim të bëjmë një krahasim mes sistemit oligarkik të Putinit dhe atij ukrainas, shqiptar, serb, polak, hungarez etj.? Mendoj se po, pasi ngjashmëritë janë të shumta, por në këtë shkrim dua të ndalem në atë që lidhet ngushtë me demokracinë: ngjashmëria në fenomenin e kalimit nga sistemi oligarkik i Jelcinit në atë të Putinit.

Në periudhën e Jelcinit, oligarkët ishin shumë të fuqishëm, kishin filluar të ndërtonin mediat e tyre, në rivalitet me njëri tjetrin dhe kishin ambicie politike gjithashtu. Kjo njihet si periudha kur oligarkët, nëpërmjet privatizimeve korruptive, grabitën vendin në mënyrën më të paskrupullt duke shkaktuar edhe rrënimin e autoritetit të shtetit. Por kjo njihet edhe si një periudhë me mundësi më të mëdha zhvillimesh demokratike për Rusisë, kur opozitat e mbështetura nga oligarkët opozitarë dhe mediat e tyre kishin shumë më tepër peshë në vendimmarrje. Këtë periudhë lirie e pluralizmi për oligarkët mund ta quajmë edhe si faza e parë e tranzicionit të dështuar drejt demokracisë, e cila, për të qenë e suksesshme, do të duhej të ishte pasuar nga një fazë kalimi në liri e pluralizëm demokratik. Ndërkaq periudha e Putinit shënon vënien në rresht të oligarkëve, burgosjen e atyre që ishin opozitarë si Kodorovski dhe lidhjen e një pakti me oligarkët, sipas të cilit, ata do të vazhdonin të pasuroheshin vetëm nëse bashkëpunonin me të. Nga mbështetësit e Putinit (mes tyre edhe Gorbaçovi) periudha e tij është interpretuar, veçanërisht në fillimet e veta, edhe si ajo e rivendosjes së autoritetit të shtetit në Rusi. Por, në fakt, është periudha e instalimit të autoritarizmit të Putinit, e asgjësimit të opozitës si mundësi për të ardhur në pushtet për të frenuar rreziqet që prodhon pushteti i tejzgjatur i një autokrati. Për sa i përket demokracisë, është periudha e braktisjes së saj në emër të autokracisë, çka nuk i dedikohet thjesht vullnetit për pushtet të Putinit, as thjesht kulturës së pakët demokratike të rusëve, por edhe faktit se sistemi oligarkik i ngritur ishte i bartur me mundësinë e kapjes së shtetit nga oligarkët dhe përdorimin e tij për të eliminuar rivalët.

Veç të tjerash, në këtë fenomen të kalimit në autokraci, vihet re se, për ta justifikuar këtë, krahas mbështetjes gjithnjë e më të madhe në ndjenjat e rikthimit të lavdisë së humbur perandorake ruse, Putini filloi të theksojë edhe diferencat midis qytetërimit rus dhe atij perëndimor në raport me konceptimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë.

 

Shembuj të ngjashëm


Gjithë duke pasur parasysh specifikat e çdo vendi, mund të thuhet se edhe sistemi oligarkik në mjaft vende të tjera ish-komuniste ka kaluar një periudhë të parë të ngjashme me atë të Jelcinit dhe ka hyrë më pas në një periudhë të dytë të ngjashme me atë të Putinit. Për Shqipërinë me “periudhë Jelcin” kam parasysh se pas vitit 1997, oligarkët filluan të dalin në skenë jo vetëm si aktorë ekonomikë, por edhe mediatikë, duke qenë mbështetës ose edhe militantë të njërës nga tri partitë kryesore. Është një periudhë ku, me gjithë korrupsionin dhe problemet e shumta, kishte ende hapësira për zhvillime demokratike dhe rotacion pushteti. Ndërkohë, jo thjesht për shkak të vullnetit të mbrapshtë të Ramës për gjithëpushtetshmëri, as vetëm për shkak të kulturës së pakët demokratike të shqiptarëve, por edhe si ligjësi e sistemit ku oligarkët synojnë kapjen e shtetit dhe eliminimin e rivalëve, mandati i dytë dhe ky i treti i tij shënon fillimin e “periudhës Putin”: rreshtimin e oligarkëve në një anë, pamundësimin e zgjedhjeve të lira e të rotacionit dhe rritjen eksponenciale të pushtetit autokratik të Ramës në krye të tyre, duke arritur në një pikë që ndonëse nuk ka kapur nivelet e autoritarizmit të Putinit, i shëmbëllen gjithnjë e më shumë atij. Po ashtu, në sjelljet prej autokrati të Ramës, bie në sy, ndonëse ende nuk teorizohet, shpërfillja e vlerave të demokracisë, sikur këto të mos jenë kompatibël me traditën e kulturën e shqiptarëve, çka e tregon edhe afërsia e veçantë me vëllain e tij të madh në rajon, Erdoganin. Kohët e fundi vihen re edhe shenja sfidimi të BE-së, siç e tregojnë qëndrimet e fundit me “Ballkanin e Hapur” si sfidë ndaj Procesit të Berlinit apo referimi te sovranizmi kur i duhet të kalojë ligje të kritikuara nga BE, siç ishte ai i amnistisë fiskale.

Me gjithë specifikat, edhe në vende të tjera të ish-Lindjes, si: Serbia, Polonia, Hungaria etj., vihet re në thelb ngjashmëria me Rusinë në kalimin nga “periudha Jelcin” në atë “Putin” ku shohim daljen e liderëve që bëhen gjithnjë e më autoritarë duke kontrolluar gjithnjë e më shumë institucionet dhe ekonominë oligarkike, si dhe që i mbulojnë dështimet e tyre në aspektin e lirisë dhe demokracisë herë me instrumentalizimin e problemeve që ka krijuar neoliberalizmi globalist perëndimor, herë duke tundur flamurin e sovranizmit e krenarisë kombëtare, e herë duke sfiduar në emër të vlerave konservatore disa nga arritjet më të rëndësishme pogresiste të demokracive liberale në fushën e të drejtave civile.


Mbi standartet e dyfishta të Perëndimit 

 

Në qëndrimet e Perëndimit ndaj Rusisë, bie në sy se, me gjithë vënien në resht të oligarkëve, me gjithë shtypjen e egër të çeçenëve, megjithëse gazetarja Ana Politkovskaja u vra më 2006, Putini ka vazhduar të respektohet, madje edhe pas vitit 2008, kur ai iu kundërvu ftesës së NATO-s në Bukuresht ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë duke pushtuar Osetinë e Jugut. Ndërkohë, oligarkët rusë dhe paratë e investimet e tyre janë mirëpritur, madje inkurajuar deri në fillimin e luftës në Ukrainë. Bën ferk në këtë mirëpritje Londra e antiputinianit më të thekur britanik, ish-kryebashkiakut, sot ish-Kryeministër, Boris Jonson, i cili jo vetëm që i ftonte oligarkët rusë të investonin në Britani, por ftonte edhe gratë e tyre t’i bënin në Londër gjyqet e majme të divorceve me ta.

Duke parë reagimin e Jonson-it e të ishmiqve të tjerë perëndimorë të Putinit pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, nuk mund të mos ngresh pyetjet: mos vallë këta nuk e kanë parashikuar se inkurajimi i oligarkëve rusë do të forconte autokratin dhe do të dobësonte demokracinë – me gjithë rreziqet që kjo sjell brenda dhe jashtë vendit? Duke parë se sa të shumta janë rastet dhe se sa evidente bëmat, vetëm naivët mund të besojnë se kemi të bëjmë me miopi. Në fakt, pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, me fitoren e sistemit kapitalist, qëndrimi i Perëndimit ndaj vendeve ish-komuniste është mjaftuar me idenë se sa kohë që liderët autoritarë dhe oligarkët rreth tyre në këto vende kanë përqafuar sistemin e tyre ekonomik dhe veçanërisht nëse janë aleatë gjeostrategjikë ose u shërbejnë interesave të tyre ekonomike, problemet që këta kanë me demokracinë në vendet e tyre janë të dorës së dytë apo edhe të tretë. Me fjalë të tjera, kanë aplikuar të njëjtat qëndrime që kanë mbajtur para rënies së komunizmit edhe ndaj vendeve autokratike jokomuniste, te të cilat kanë pasur interesa ekonomike e gjeostrategjike, madje nganjëherë deri në atë pikë sa në disa prej tyre, kur ka pasur zhvillime demokratike që i kanë prekur interesat ekonomike, Perëndimi ka ndërhyrë për të vendosur në pushtet autoritarë vasalë në shërbim të tij. Një nga shembujt më domethënës është përmbysja e qeverisë së Musadekut në vitet ‘50 në Iran, për interesat e kompanive naftënxjerrëse britanike dhe riinstalimi i pushtetit autoritar të shahut, çka konsiderohet nga historianët si shkaku fillestar i revolucionit islamik që solli në pushtet në vitet ‘70 diktaturën e Khomnenit.

Por standardet e dyfishta të Perëndimit ndaj vendeve të tjera për sa i përket mbrojtjes së lirive dhe demokracisë, nuk shpjegohen vetëm nëpërmjet politikave të dominimit të botës në emër të interesave të tij gjeostrategjike ekonomike (ku nuk mungojnë edhe rrënjët raciste e koloniale). Në kohën që po jetojmë, që konsiderohet si ajo e triumfit të ekonomisë mbi politikën, këtyre faktorëve u duhet shtuar edhe fakti se vendet perëndimore, me në krye SHBA-në, kanë një tendencë në rritje për t’u bërë edhe ato gjithnjë e më oligarkike, aq sa politologu i njohur Colin Klouch i konsideron prej vitesh si “post-demokraci” – në kuptimin që vendimmarrjet diktohen gjithnjë e më shumë nga pakicat e fuqishme ekonomikisht. Në këtë klimë postdemokratike, aleancat ose armiqësitë midis shteteve diktohen gjithnjë e më shumë nga interesat e përbashkëta ekonomike të këtyre pakicave dhe jo nga projektet e politikanëve vizionarë, të ndërtuara mbi vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë, duke i bërë kësisoj gjithnjë e më të ngjashëm këto shtete. Jo rastësisht një nga argumentet e Putinit për të justifikuar sulmin e tij në Ukrainë dhe jo vetëm, është se ai s’po bën gjë tjetër veçse atë që ka bërë SHBA, nëpërmjet NATO-s, në vende të tjera të botës për interesat e veta gjeostrategjike ekonomike.


Demokracia si fasadë e zhvleftësuar

 

E megjithatë, në propagandën perëndimore rreth luftës në Ukrainë, predominon retorika se mbështetja që i jepet Ukrainës bëhet pasi janë në lojë vlerat e botës demokratike që po ndeshet me botën autoritare, autokratike; se Ukraina po lufton për të mbrojtur vlerat perëndimore të lirisë dhe demokracisë; se Putini e sulmoi Ukrainën pasi nuk do që t’i afrohet në kufi një shtet demokratik që do t’i inspironte rusët ta rrëzonin edhe atë; se ky është shkaku që atë e mbështesin edhe vende të tjera autoritare, si Kina etj. Por a është vërtet kështu? Mjafton të kemi parasysh se vetëm disa muaj më parë, Perëndimi braktisi Afganistanin duke e lënë në dorë të regjimit të talibanëve, për t’i vënë në dyshim këto retorika. Investimi gjigant ushtarak, politik, mediatik e financiar në Ukrainë dhe braktisja aq dramatike e demokratëve afganë, nuk qëndrojnë dot së bashku në shportën e demokracisë si yll polar i Perëndimit. Paradoksi, që vihet re edhe kur kemi parasysh shembuj të tjerë, kërkon një shpjegim tjetër. Ai nuk mund të shpjegohet me atë se afganët apo kurdët janë myslimanë, se nuk janë aq të bardhë sa ukrainasit, se nuk vishen si perëndimorët. Ai shpjegohet me interesat gjeostrategjike veçanërisht të SHBA-së. Afganistani u braktis pasi aty nuk ishte në lojë rivali gjeostrategjik Rusia, siç ishte në vitet ’80 Bashkimi Sovjetik kur muhaxhedinët afganë u mbështetën deri në fitore, me pasojat që dihen për demokracinë në Afganistan. Sot rolin e muhaxhedinëve afganë po e luajnë nacionalistët ukrainas, kurse liria e demokracia po përdoret për të mbuluar qëllimet gjeostrategjike, madje pa e vrarë mendjen shumë për pasojat që ky keqpërdorim mund t’i sjellë vetë lirisë dhe demokracisë në botë.

Lufta që po zhvillohet në Ukrainë ka pak ose aspak lidhje me motivet e deklaruara jo vetëm nga Putini, por fatkeqësisht edhe nga Perëndimi. Ajo na provon për të shumtën herë atë që thotë Hannah Arendt se luftërat nuk bëhen për të vendosur të drejtën, por për të rikonfiguruar sundime. Në fakt, ajo ka filluar që në vitin 2014, si një luftë midis nacionalizmit ukrainas dhe imperializmit rus. Por mbi këtë fazë të parë të saj, nuk janë hedhur thuajse fare projektorët mediatikë perëndimorë. Ata u hodhën vetëm kur ajo u shndërrua në luftë ndërimperialiste Rusi-Perëndim, ku Putini përdor pretekstin e shkeljes së të drejtave të rusëve në Ukrainën Lindore për të rikonfiguruar sistemin e ekuilibrave botërorë të vendosur me mbarimin e Luftës së Ftohtë, kurse SHBA dhe vendet e NATO-s, po kërkojnë të ruajnë hegjemoninë e kërcënuar kohët e fundit nga Rusia, por edhe më shumë nga Kina. Për sa i përket demokracisë, kjo luftë, fatkeqësisht, nuk mund të mos na sjellë ndërmend thënien e një funksionari të lartë të Departamentit të Shtetit në kohën e luftës në Vietnam, sipas të cilit, atë luftë SHBA po e bënin 70% për ruajtjen e prestigjit të tyre, 20% për të mos lejuar që BS dhe Kina të hynin në Vietnamin e Jugut dhe 10% që vjetnamitët të mund të jetonin në një sistem demokratik dhe jo diktatorial. Nëse për Putinin mund të thuhet se i mungon edhe ky 10% ndjeshmëri demokratike, kaq diferencë nuk mjafton që Perëndimi ta paraqesë mbështetjen që i ka dhënë dhe po i jep Ukrainës si një luftë për mbrojtjen e lirisë e demokracisë në botë. Përkundrazi, të gjitha shenjat janë se kjo luftë do të përkeqësojë gjendjen e lirisë e demokracisë në të gjithë botën.


 “Fuck Europe” si “fuck democracy”

 

Po të gërmojmë në realitetin politik ukrainas, do të gjejmë edhe aty, ashtu si në rastin shqiptar dhe jo vetëm, shumë ngjashmëri me ato që i quajta “periudha Jelcin” dhe pastaj “periudha Putin”. Të paktën që nga viti 2004 i revolucionit portokalli, Ukraina është karakterizuar nga lufta për pushtet politik dhe ekonomik midis oligarkëve pro-rusë dhe atyre pro-perëndimorë – të lidhur këta edhe me krimin e organizuar – me prirjen e të dyja palëve për të eliminuar tjetrin duke ndezur për këtë edhe nacionalizmat e të dyja anëve. Nuk mohohet, megjithatë, se ky pluralizëm oligarkik, ashtu si ai i periudhës Jelcin në Rusi, me gjithë problemet që bartte, siguronte mundësi më të mëdha demokratizimi, që do të thotë edhe bashkëjetese midis ukrainasve properëndimorë dhe atyre rusishtfolës apo filorusë të Krimesë, Donbasit e Luhanskut. Pyetja ngrihet: mirë që Rusia e autokratit nacionalist imperialist Putin nuk mund të bëhej katalizatore e kalimit nga ky pluralizëm oligarkik në një pluralizëm demokratik, e prandaj punonte që të rivendoste atje një qeveri kukull proruse, por pse as Perëndimi, pas vitit 2014, nuk u përpoq të investonte në një qeveri që të punonte, sipas modelit aq të vlerësuar perëndimor, në emër të pluralizmit, kundër frymës përjashtuese nacionaliste, për vlerat e bashkëjetesës midis këtyre dy popullatave, por investoi për fitoren e oligarkëve pro-perëndimorë, madje të atyre me qëndrimet më radikale nacionaliste antiruse? Thënia “Fuck Europe” e ndihmëssekretares së shtetit Victoria Nuland në një telefonatë me ambasadorin amerikan në Kiev gjatë protestave në sheshin Mejdan në 2014, është ndriçuese për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje. Në këtë telefonatë – që thuhet se u hodh në “YouTube” nga shërbimet sekrete ruse, por që njihet si autentike – ajo i kërkonte ambasadorit të punonte në rrethet e opozitës ukrainase për zgjedhjen si Kryeministër të radikalit antirus Jatseniuk dhe jo të Klitchkos, i cili ishte asokohe kandidati i gjermanëve dhe kishte një qëndrim më të moderuar ndaj prorusëve. U bë ashtu siç deshën amerikanët, u zgjodh Jatseniuk-u, i cili, sapo erdhi në pushtet, hoqi gjuhën ruse si gjuhë zyrtare dhe mori vendime që e polarizuan frikshëm Ukrainën.

“Fuck Europe” e Nuland, që mund ta përkthejmë edhe “fuck democracy”, shënon fillimin e luftës civile në Ukrainë për përshkallëzimin tragjik të së cilës pa dyshim Putini ka përgjegjësitë kryesore, por, sikurse ka shkruar edhe Thomas Friedman në “New York Times”, SHBA dhe NATO nuk janë spektatorë indiferentë, sepse duket qartë se në vend të demokracisë dhe paqes, kanë investuar atje për këtë luftë.

Sot ndjeshmëria ndaj demokracisë ka rënë aq poshtë në Perëndim sa, kur bëhet fjalë për Ukrainën, thuajse askush nuk guxon të thotë një gjysmë fjale për atë se, duke shfrytëzuar situatën e luftës, Zelenskyy ka nxjerrë jashtë ligjit të gjitha partitë opozitare, po eliminon figura të rëndësishme deri dje bashkëpunëtorë të tij, ka vënë nën kontroll të gjitha mediat, ka rreshtuar edhe më afër vetes oligarkët dhe po merr vendime në emër të të gjithë ukrainasve pa asnjë debat, pasi askush nuk guxon më t’i vërë në diskutim vendimet e tij, jo vetëm për shkak të regjimit të instaluar, por edhe presionit perëndimor. Është një presion antidemokratik ky që vihet re edhe në Perëndim ndaj figurave që i kundërvihen mendimit dominant që propagandon luftën deri në shkatërrimin e Rusisë si zgjidhjen e vetme, që venë në dukje edhe përgjegjësitë e SHBA-së dhe NATO-s në këtë histori dhe që kërkojnë gjetjen e rrugëve të tjera për të ndaluar masakrimin e Ukrainës dhe rrezikimin e të gjithë botës nga kjo luftë.

Pandjeshmërinë ndaj demokracisë e tregon edhe rendja e qeveritarëve perëndimorë për të zëvendësuar burimet energjetike ruse me ato të vendeve që qeverisen nga Putinë të vegjël nëpër botë. E tregon edhe heshtja e kritikave ndaj autoritarizmit në rritje të Kazinskit në Poloni. Por shembulli më elokuent i kësaj pandjeshmërie është qëndrimi ndaj autokratit Erdogan. Vetëm disa muaj para luftës, Kryeministri italian Dragi e cilësoi atë publikisht “diktator”, kurse sot autokrati që po masakron kurdët, që burgos gazetarë e intelektualë, që mbështeti Azerbajxhanin në luftë me Armeninë, që së fundmi shantazhon vende demokratike si Suedia dhe Finlanda me mospranimin e futjes së tyre në NATO pa ekstradimin në Turqi të kurdëve dhe gylenistët respektohet si kryenegociator pa menduar dy herë se kjo forcon pushtetin e tij autokratik me pasoja dëshpëruese për gjithë ata opozitarë e intelektualë turq që presin nga Perëndimi mbështetje në emër të parimeve të demokracisë.

Dikush do të thotë se sot në Ukrainë nuk bëhet më fjalë për demokraci versus autoritarizëm, por për një shtet agresor që ka sulmuar ushtarakisht një shtet sovran, çka i justifikon aleancat me shtetet autoritare kundër këtij agresori, madje, siç thonë shumë komentatorë luftënxitës perëndimorë, edhe shtyrjen pas mbarimit të luftës të analizave për përgjegjësitë në të shkuarën të Perëndimit, madje edhe zëvendësimin e informacionit të paanshëm në mediat perëndimore me propagandën e luftës që shkon deri në demonizimin si putinist të çdokujt që mendon ndryshe. Por pikërisht kjo qasje, që injoron demokracinë, që deri dje është aplikuar në terma ekonomikë në formën e mbylljes së syve ndaj oligarkive, na ka sjellë sot në këtë luftë me armë. Në fakt, vendimet më të drejta të së sotmes nuk mund të merren duke sakrifikuar lirinë dhe demokracinë, por duke i respektuar ato si kushti i domosdoshëm për të arritur, nëpërmjet dëgjimit e respektimit të të gjithë zërave, sa më afër së vërtetës dhe të drejtës.


Poshtë shënim ballkanik


Kryefjala e këtij shkrimi është demokracia dhe teza e tij është se lufta në Ukrainë është përgatitur nga mosdemokracia dhe po rrit mosdemokracinë. Ai është shkruar duke u nisur nga zhvillimet jodemokratike të së djeshmes dhe të së sotmes në Rusi, Ukrainë e më gjerë, si dhe nga qëndrimet e dyfishta të Perëndimit, të keqpërdorimit apo injorimit të demokracisë në këto zhvillime. Gjatë shtjellimit të argumenteve, kam pasur vazhdimisht parasysh edhe zhvillimet në vendet ballkanike – të ngarkuara nga historia me konflikte të ngrira nacionale territoriale – si dhe qëndrimet e Perëndimit, veçanërisht SHBAsë, ndaj tyre. Është evidente se, në klimën e kësaj lufte, qasja perëndimore e vënies së interesave gjeostrategjike mbi demokracinë në rajon, që ka inkurajuar edhe më herët Putinë më të mëdhenj apo më të vegjël me oligarkët rreth tyre, mbetet shumë problematike. Kjo mbi të gjitha pasi autokratët ballkanas po inkurajohen direkt ose indirekt të injorojnë në mënyrë gjithnjë e më të paskrupullt demokracinë duke i shkaktuar dëme të pallogaritshme popujve që qeverisin. Por nuk përjashtohet që nesër, në një kontekst tjetër gjeopolitik, pushteti i tyre i pakontrolluar nga demokracia, të mund të ndezë edhe një herë Ballkanin “fuçi baruti”, duke shkaktuar tragjedi si kjo që po përjetojmë me luftën në Ukrainë. (Panorama, 3 gusht 2022)

 

Monday, February 21, 2022

Xhafer Deva i demonizuar ose i glorifikuar duhet studiuar që shqiptarët të kuptojnë historinë e tyre tragjike e të nxjerrin mësime për sot

 


1.           Figura e Xhafer Devës është përfolur ditëve të fundit për rolin e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si e shihni ju rolin e Devës si ministër i Punëve të Brendshme të Shqipërise gjatë pushtimit nazist të Shqipërisë dhe Kosovës?

 

Mendoj se Xhafer Deva i përket asaj kategorie nacionalistëshantikomunistë shqiptarë që bashkëpunimin dhe gjermanët e panë - do të thoja me miopi politike dhe morale - si një mundësi për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Ndërkaq si kosovar dhe mitrovicar figura e tij ka disa specifika që e dallojnë nga nacionalistët shqiptarë të Ballit Kombëtar me të cilët u bashkua më pas. Në rastin e Devës bashkëpunimi vjen më herët – në 1941 me pushtimin prej gjermanëve të Jugosllavisë që përfshinë edhe Mitrovicën në territorin e kontrolluar prej tyre, ndërkohë që pjesa tjetër e Kosovës u bashkua me Shqipërinë e pushtimit italian që iu aneksua Mbretërisë Italiane. Kjo humbje e pavarsisë ka bërë që ballistët e Shqipërisë t’i kundërvihen italianëve ndërkohë që Deva i aktivitetit në Mitrovicë e Kosovë, ku shumica e shqiptarëve aspironin pavarësimin nga Jugosllavia dhe bashkimin me Shqipërinë, ka qenë bashkëpunues me pushtuesit qysh në fillim duke i konsideruar edhe si çlirimtarë.

Karriera e Devës në Mitrovicë ka ndikuar që pas kapitullimit të Italisë dhe ardhjes së gjermanëve në Shqipëri Deva të bëhet Ministër i Brendshëm në Tiranë. Mos të harrojmë se gjatë këtij tranzicioni ka ndodhur një ngjarje që do të përcaktonte fatet dramatike të shqiptarëve në të ardhmen gjysmë shekullore dhe vazhdon të ndikojë edhe sot. E kam fjalën për prishjen e marrëveshjes së Mukjes midis Frontit Nacional-Çlirimtar të dominuar nga komunistët dhe Ballit Kombëtar që deri atëhere kishte luftuar kundër italianëve. Dhe dihet se kjo u bë me  ndërhyrjen e komunistëve Jugosllavë, sepse jemi në kohën kur u panë qartë fatet e Luftës edhe kur komunistët filluan të punonin për të marrë të gjitha pushtetet sipas përvojës së Revolucioni të Tetorit në 1917. Xhafer Deva u impenjua ta pengojë këtë me më shumë përkushtim se çdokush tjetër duke bashkëpunuar me gjermanët e duke sjellë në Shqipëri edhe regjimentin Kosova, por pa sukses, siç e dimë, kryesisht për shkak se ndarja e zonave të influencës ishte përcaktuar në Jaltë. 

Komunistët fitimtarë e trajtuan Devën dhe ballistët e tjerë si Bahri Omari apo edhe figura të tilla si patër Anton Arapi si tradhëtarët që kishin bashkëpunuar me pushtuesin kundër çlirimtarëve duke injoruar motivet e tyre për bashkim të Shqipërisë me Kosovën si dhe faktin që në shtetin filogjerman, që krijuan nazistët, kishin bërë edhe të mira për shqiptarët. Besoj se motivi kryesor i egërsisë që treguan ndaj tyre ka qenë pastrimi i rrugës për pushtetin diktatorial që krijuan. Nga ana e tyre ballistët humbës përfunduan të pushkatuar, nëpër burgje e internime apo në emigrim dhe derisa vdiqën shprehën bindjen se ishin komunistët tradhëtarët e çështjes shqiptare pasi u bënë vegla të sllavëve. Opinionet janë të ndara edhe sot emocionalisht mbi atë se kush kishte të drejtë dhe kush jo. Personalisht kur gjykoj atë situatë them  se Shqiptarët do të duhej të kishin luftuar së bashku “pa dallim feje, krahine dhe ideje” - siç ishte parrulla e Frontit Nac - Çl në krye të herës - e pas çlirimit të bashkëjetonin në pluralizëm dhe demokraci. Përgjegjësia kryesore që nuk ndodhi kështu bije mbi komunistë që, nën diktatin jugosllav por edhe nga ideologjia që kishin përqafuar, prishën marrëveshjen e Mukjes dhe e kthyen fazën pas Mukjes të Luftës, në revolucion e luftë civile për të marrë të gjitha pushtetet e për të vendosur diktaturën e proletariatit. Nuk përjashtoj nga përgjegjësia kurrsesi edhe nacionalistët si Deva që i shihnin komunistë jo si shqiptarë që mendonin e aspironin ndryshe, por si një “farë e keqe” që duhej eliminuar. 

Në fakt ndarja nacionalistë – komunistë ka rezultuar tragjike edhe në botë në atë kohë, pasi të dy palët predikonin se përfaqësonin të ardhmen e vërtetë që duhej realizuar edhe nëpërmjet dhunës. Boll të kemi parasysh tragjedinë e Luftës Civile në Spanjë ku fitoi krahu tjetër.

Gjakderdhja që shqiptarët i kanë shtuar njëri tjetrit në atë kohë nuk mund të kuptohet pa këto dy ideologji kundërshtare, por pa harruar se kulti i dhunës e i më të fortit ushqehej edhe nga një nënshtresëzim më primitiv në ndërgjegjen kolektive shqiptare: ai i gjakmarrjes së Kanunit. Ngjarja që e ka demonizuar më shumë Xhafer Devën, ajo që është quajtur “masakra e 4 shkurtit”, ashtu sikurse edhe krimet  edhe masakrat që kanë kryer komunistët, duhen analizuar e kuptuar në këtë kontekst historik e kulturor. 

 

2. A pajtoheni me mendimet se Deva ka qenë përkrahës i ideologjisë naziste dhe ka kontribuar në dorëzimin e hebrenjeve që kanë jetuar në Kosovë e Shqipëri tek gjermanët gjatë Luftës së Dyte Botërore?

 

Unë mendoj se po. Mos të harrojmë se nacionalizmi, i shprehur edhe si epërsi e racës së një kombit ndaj asaj të një kombi tjetër apo edhe ndaj një pakice brenda kombit, ka qenë po aq në modë në atë kohë sa edhe idetë komuniste të barazisë dhe internacionalizmit proletar. Ka shumë dokumente që provojnë se shqiptarët mburreshin asokohe se ishin arianë si gjermanët dmth. eprorë ndaj armiqve të tyre sllavë e grekë. Po ashtu edhe ideja e një kombi grushtbashkuar rreth një partie vizionare të vetme me një “führer” vullnethekurt si Hitleri, Musolini apo Stalini në krye ka qenë shumë më e përhapur asokohe duke u propaganduar si më efikase sesa debatet shterpe ndërpartiake në parlamentet e demokracive liberale apo si rruga më e shpejtë drejt progresit e vendeve të prapambetura. Edhe në Shqipëri ka pasur intelektualë që kanë kërkuar asokohe një “duce” të modelit Musolini.  Por edhe në botën demokratike nuk kanë qenë shumë të qartë se deri ku mund të çonin këto ideologji në pushtet e këta “diktatorë të ndritur”. Mos të harrojmë se në SHBA Musolini lëvdohej si burrë i madh shteti nga shtypi amerikan der në vitin 1935, kurse Hitleri, megjithë ligjet raciale e persekutimin e hebrejve, u shpall “njeriu i vitit” nga revista Times në 1938 pas marrëveshjes së Munichut. Kur gjykojmë figura si Xhafer Deva duhet t’i shohim në këtë kontekst dhe jo nga optika e sotme, kur jemi shumë më të qartë se çfarë prodhojnë urrejtjet nacionale edhe diskriminimet racore ashtu sikurse edhe zëvendësimi i pluralizmit dhe demokracisë me partinë-shtet të führerit. 

Përsa i përket hebrejve mund të thuhet se shqiptarët me shumicë muslimane, që sapo kishin dalë nga Perandoria multifetare e multietnike Osmane, nuk kanë ushqyer ndjenja agresive armiqësore ndaj tyre siç filluan të ushqejnë ndaj sllavëve e grekëve për shkak të luftrave të tyre për territoret e banuar nga shqiptarë. Por s’mund të thuhet se nuk kanë pasur ndjenja përçmimi fetar apo racor ndaj tyre. Noel Malcolm në librin e tij thotë se në kampin e Prishtinës bashkë me shumë komunistë kanë vdekur edhe 200 hebrej, çka përgënjeshtron mitin e përhapur në Shqipëri, pas rënies së komunizmit, se shqiptarët paskan shpëtuar ebrejtë. Besoj se është ndikimi i këtij miti që një pjesë e trajtojnë sot Devën edhe si shpëtues të hebrejve gjatë kohës që ka qenë ministër në Shqipëri. Personalisht nuk e besoj këtë ashtu siç nuk besoj se shqiptarët, që kanë treguar atë mizori ndaj njëri tjetrit, paskëshin qenë më njerëzorët në Evropë ndaj ebrejve. 

 

 

3.           Si e gjykoni ju historiografinë komuniste për figurën e Xhafer Devës dhe a mendoni se ka të pavërteta në të?

 

Nuk jam specialist për të hyrë në detaje mbi të vërtetat dhe të pavërtetat mbi jetën e Devës, por, duke patur parasysh se historiografia komuniste është e mbushur me të pavërteta edhe për figura të tjera, për shkak se më së shumti komunistët e kanë shfrytëzuar historiografinë si mjet instrumentalizmi në funksion të legjitmimit të pushtetit të tyre, gjykoj se edhe për figurën e Xhafer Devës ka si të pavërteta ashtu edhe të vërteta selektive. Ajo historiografi e ka kthyer atë në një figurë të demonizuar, por kurrsesi së studiuar e kuptuar. Ndërkaq nevoja e studimit për të kuptuar sa më mirë shqiptarët e Kosovës gjatë Luftës së Dytë  s’ka të bëjë vetëm me Xhafer Devën, por me të gjithë shqiptarët, sepse, sikurse dihet, Deva s’ka qenë një fenomen i izoluar. Mjaft të kemi parasysh Divizionin SS Skanderbeg që përbëhej nga mijëra shqiptarë nga Kosova.

 

4. Xhafer Deva përflitet për masakrën e 4 shkurtit në Tiranë, numrin e viktimave të kësaj masakre e kontestojnë. Cila është e vërteta e kësaj masakre sipas jush?

 

Tashmë dihet që historiografia komuniste ka abuzuar edhe me shifrat. Psh. të gjithë shqiptarët e Shqipërisë kanë mësuar nëpër shkolla e muzeume shifrën 28000 dëshmorë për  të rënët gjatë Luftës. Sipas të dhënave që kanë dalë më vonë ata nuk kanë qenë më shumë se 4000.  Po kështu është abuzuar edhe me numrin e armiqve të vrarë. Edhe në trajtimin e historisë së 4 shkurtit e kemi këtë fenomen. Po ashtu një element që ka munguar në trajtimin e asaj masakre ka qenë fakti se Xhferr Deva e ndërmori atë edhe pasi një ditë më parë kamunistët i vranë me atentat të nipin – çka flet për atë që thashë më herët: nënshtresën kanunore të dhunës ndaj njëri tjetrit të shqiptarëve të të dy krahëve. 

 

 

5. Deva pas Luftës së Dytë Botërore emigron në SHBA dhe sipas dokumenteve ai rekrutohet nga CIA amerikane, pse mendoni se amerikanët e kanë amnistuar Devën edhe pse ka bashkëpunuar me nazistët gjatë Luftës së II Botërore si ministër i Brendshëm?

 

Edhe kjo kuptohet qartë duke e parë në një kontekst më të gjerë. Pas Luftës së II Botërore filloi Lufta e Ftohtë. Historia tregon se kjo ka ndikuar që edhe në Gjermaninë Perëndimore edhe në Itali e gjetkë të frenohet procesi i kërkimit dhe dënimit të kriminelëve të luftës për shkak se këta kishin qenë edhe antikomunistë dhe kjo komponente i bënte ata aleatë në raport me armikun e ri kryesor, komunistët stalinistë të Kampit Lindor. Besoj se është antikomunizmi që e ka çuar CIA-n tek Deva ose Devën tek CIA.

 

6. Restaurimin e shtëpisë së tij e kanë kundërshtuar ambasadori gjerman ne Kosove, Jorn Rhode dhe eurodeputetja Viola von Cramon. A mendoni se shtëpia e Xhafer Devës ne Mitrovicë duhet të restaurohet? Nëse po në çfare mënyre?

 

Nuk më duket se lënia në degradim apo edhe shembja e një ndërtese të jetë mënyra më e mirë për të mos përsëritur kohën e historinë që lidhet me pronarët apo banorët e saj të dikurshëm. Nuk di që gjermanët të kenë aplikur këtë parim me ndërtesat e tyre të kohës së nazizmit apo edhe me ndërtesat e diktaturës komuniste të ish Gjermanisë Lindore ku më ka qëlluar të vizitoj si muzeum zyrat e Stazit të lëna në gjendjen që kanë qenë. Madje do të thoja se po të aplikohej ky kriter përgjatë gjithë historisë qytetet evropiane e më gjerë do të duhet të dukeshin si grumbull rrënojash. 

Ne kemi pasur deri pak kohë më parë në Tiranë, mu në qendër të kryeqytetit, një ndërtesë që njihej si Hotel Vjosa që gjatë Luftës së Dytë ka qenë selia e Gestapos. Kur u shemb nga barbarët e Tiranës unë e konsiderova si një humbje edhe për shkak të këtij fakti historik.

Në rastin konkret e rëndësishme nuk është ndërtesa, por si dhe pse e restauron: që ta kthesh në objekt kulti për të nxitur nacionalizmin shqiptar, urrejtjen ndaj serbëve, për vlerën arkitekturore, apo për të mësuar nga historia tragjike e Luftës së Dytë se ku të çojnë urrejtjet nacionale e ideologjike? Sipas meje ajo ndërtesë duhet ruajtur dhe restauruar jo vetëm për vlerën arkitekturore, por edhe për faktin se ka qenë shtëpia e Xhafer Devës. Fare mirë mund ta shikoja atë si një muze ku do të tregohej historia e trazuar dhe plot kontradiksione e Kosovës gjatë Luftës së Dytë, ku ndër të tjera të ekspozohej edhe masakra e 4 shkurtit edhe historia e batalionit SS Skenderbej edhe historia e kampit të Prishtinës ku kanë vdekur 200 hebrej, por edhe masakra e Tivarit e krime të tjera të komunistëve shqiptarë e jugosllavë ndaj kosovarëve në atë kohë. Kjo është shumë më me vlerë për të njohur drejt historinë e për të ndërtuar një kulturë të paqes e mirëkuptimit mes shqiptarëve e me fqinjët sesa mburrja, duke falsifikuar historinë, sikur paskemi qenë  i vetmi popull evropian që ka shpëtuar hebrejtë, ndërkohë që vazhdojmë të dëbojmë nga vendi njëri tjetrin dhe serbë t’i shohin si armiq, që mundësisht duhen pastruar fare nga territoret ku banojnë shqiptarë. Do të ishte një shembull edhe për serbët, madje, që më të shumtët vazhdojnë t’i shohin shqiptarët po me këtë sy.

Siç duket ambasadori dhe eurodeputetja kanë reaguar sepse i tremben instrumentalizimit të kësaj ndërtese në frymë ncionaliste duke patur parasysh konfliktin e ngrirë me serbët që tregon se ne ballkanasit vazhdojmë të tregojmë se jemi të paaftë për të nxjerrë mësime nga historia.  Po bash në emër të ndryshimit të këtij realiteti mendoj se shndërrimi i asaj shtëpie në një muze, ashtu siç e përfytyrova, do t’i shërbente shumë më tepër kulturës së dialogut e bashkëjetesës në mirëkuptim midis shqiptarëve mes vetes e shqiptarëve dhe serbëve sesa lënia e asaj saj si një fantazëm e së kaluarës që pret të rikthehet fryma e kohës së ish pronarit të saj.

Së fundi do të thoja se ndër mësimet e shumta që na jep historia tragjike e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë, që nuk kemi ditur t’i nxjerrim, janë edhe dy që kanë të bëjnë veçanërisht me partitë/pjesët tona politike: mësimi se shërbimi më i mirë ndaj së tërës vjen nga respekti reciprok e dialogu mes pjesëve dhe jo nga dominimi deri me dhunë i njërës ndaj tjetrës (me pretendimin se e drejta dhe e vërteta qëndron e gjitha në anën e saj) dhe mësimi i ndërtimit të legjitimitetit politik nëpërmjet shërbimeve ndaj shqiptarëve dhe jo nëpërmjet shërbimeve ndaj interesave të fuqive të mëdha të radhës. (Intervistë gazetës Express, 19 shkurt 2022)