Wednesday, May 30, 2018

Protesta e opozitës: nevoja për të dhe kufizimet e saj

E para gjë që duhet thënë për protestën e 26 majit të opozitës është se ajo ishte e drejtë pasi në  çdo vend që pretendon të bëhet pjesë e familjes së vendeve demokratike, ku sundon shteti i së drejtës dhe jo i personave, jo vetëm që Ministri i Brendshëm do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen, për t’i hapur hetimeve rrugë të lirë, por me kohë do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen edhe kryeministri. 
Së dyti, protesta ishte pozitive për të gjithë sepse, në kushtet ku ndodhet vendi, mungesa e çdo proteste do të kishte pasoja edhe më të rënda. Ajo tregoi se opozita, edhe pse e anatemuar nga një pjesë, e nënvleftësuar nga të tjerë apo e përqeshur nga Edi Rama, është në gjendje të bëjë bashkë goxha njerëz që reagojnë. Dhe kjo është e rëndësishme për sot dhe për nesër. Le të imagjinojmë se çfarë do të ishin në gjendje të bënin njerëz si Edi Rama me shokë sikur të mos kishte fare opozitë dhe protesta të tilla. 
Së treti, ajo ishte pozitive pasi, sidokudo, ka arritur të sensibilizojë edhe botën për atë që po ndodh në Shqipëri.
Së katërti, ajo arriti edhe një herë të tregojë se çfarë maxhorance kemi. Fjalët e Edi Ramës se protesta ishte një « punë e pabesë », « antishqiptare » tregojnë se kryeministri i kësaj maxhorance po përdor në mënyrë gjithnjë e më të palejueshme metodat komuniste. Sigurisht konteksti është krejt tjetër, mungon neni i agjitacionit dhe propagandës dhe burgjet politike, mungojnë ligjet kushtetuese që përcaktonin partinë e vetme si drejtuese të të gjithë institucioneve, mungon parulla famëkeqe « me gjak e kemi marrë me gjak do ta lemë (pushtetin) »  por « forma mentis » e kryeministrit dhe ndjekësve të tij është po ajo. Sjellja ndaj rastit Xhafaj ku prokurorisë gati sa nuk iu dha hapur urdhri për rezultatin e hetimit që duhet të nxjerrë si dhe shurdhëria ndaj çdo kritike dhe proteste janë shenja se Edi Rama me shokë po veprojnë në atë rrugë që i çoi komunistët nga krimi në krim.  
***
Thënë këto nuk mund të mos vihen në dukje edhe kufizimet e protestës së opozitës.
Duke pasur parasysh gjendjen e rëndë të vendit, që kërkon medoemos një ndryshim rrënjësor, do të ishte dashur që opozita të arrinte të mblidhte në shesh një numër shumë më të madh njerëzish. Do të ishte dashur që thirrjes së saj t’i përgjigjeshin jo vetëm militantët, por edhe masa e madhe e njerëzve të grabitur, të fyer e të poshtëruar nga babëzia korruptive e kësaj qeverie, nga bashkëpunimi pa precedenti i saj me krimin, nga arroganca dhe paturpësia me të cilën i mohon Kryeministri dhe ndjekësit e tij krimet që tashmë janë bërë evidente për këdo.
Shkaqet se pse kjo masë e madhe nuk ngrihet s’kanë të bëjnë vetëm me dobësitë e opozitës, por, pa dyshim, këto dobësi kanë pjesën e tyre kryesore. Ndër to, të lidhura zinxhir me njëra tjetrën, do të përmendja: 
Së pari, se diskurset politike të opozitës, që krijojnë edhe klimën e protestës, ndalen deri tek denoncimet dhe, ç’është më problematike se edhe këto denoncime ndalen më së shumti deri tek aktorët e politikës, e nuk thellohen tek sistemi (ekonomik, mediatik, i drejtësisë etj.) që na ka çuar tek kapja e shtetit nga krimi i organizuar. 
Së dyti, se këto denoncime i bëjnë po të njëjtët njerëz që kanë pasur mundësi ta luftojnë këtë sistem, madje edhe aktivitetin e protagonistëve që përmendin sot me emra (si p.sh. vëllai i ministrit të brendshëm), por nuk kanë bërë asgjë. Përkundrazi, perceptimi i njerëzve është se  kanë punuar për këtë sistem duke qenë përgjegjës edhe për kalimin e tij në shkallën më kriminale që po përjetojmë sot.  
Së treti, në diskurset e opozitës, por edhe në qeverisjen e njerëzve të saj atje ku kanë pushtetin, mungon paraqitja e një alternative ndaj sistemit kriminal të ngritur, e tillë që të ngjallë shpresë dhe besim tek njerëzit.
Shkurt, qasja e opozitës ndaj të keqes që denoncon është trajtimi i saj si diçka që është produkt i të këqijve që janë në krahun tjetër të politikës. Premtimi që u bën ajo njerëzve është largimi i këtyre të këqijve dhe zëvendësimi i tyre me njerëzit e opozitës. Shumicën e shqiptarëve të demoralizuar kjo nuk i bind jo vetëm pse i kanë parë tashmë këta njerëz se si janë sjellë kur kanë qenë në pushtet, por edhe sepse tashmë ata e dinë shumë më mirë se më parë se e keqja nuk qëndron vetëm tek « kati » i pushtetit politik, që denoncon sot opozita, por edhe në katet dhe themelet ekonomike, mediatike e kriminale që ajo nuk i prek siç duhet.
Ngulmimi i opozitës për të mbetur vetëm tek kati i politikës, që justifikohet sot edhe me idenë se nuk është koha për të nxjerrë përgjegjësitë e së keqes, por për të larguar sa më parë këtë kryeministër që po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm e më i çmendur, e mban atë të izoluar nga një pjesë e madhe e shqiptarëve të demoralizuar. Ky ngulmim shfaqet jo rrallë edhe me dorashkën që u hedhin njerëz të opozitës atyre që qëndrojnë mënjanë duke u thënë: nëse nuk bashkoheni me ne në protestë atëherë s’keni të drejtë as të ankoheni. Problemi i problemeve të këtij qëndrimi është se, edhe sikur opozita t’ia arrijë ta heqë qafe këtë kryeministër, që vërtet meriton të hiqet sa më parë, pak gjë do të ndryshonte në vend, sepse çmenduria dhe kriminaliteti i këtij kryeministri është shprehje e çmendurisë dhe kriminalitetit të sistemit që e ka ngritur e mban në majë të tij.
Një kufizim tjetër i opozitës është edhe kompleksi i saj ndaj ndërkombëtarëve. Ajo e ka më shumë problem tu tregojë atyre se nuk është e dhunshme, se sillet mirë, sesa të marrë përsipër nxjerrjen e shqiptarëve nga balta. Por  shembulli i protestës së Kukësit - që jo rastësisht nuk ishte e organizuar nga opozita, - tregoi se një qeveri e tillë dhe një kryeministër i tillë të tallin e përqeshin po nuk u tregove se je në gjendje t’i përgjigjesh dhunës strukturore që ata ushtrojnë (me vendimmarrjet e tyre arrogante dhe korruptive, me keqpërdorimin e policisë dhe prokurorisë, dhunën verbale të rilindësve etj.), me mjete dhe forma që t’i bëjnë të ndjejnë frikë.
Ky kufizim, si dhe kufizimet e përmendura më sipër kanë bërë që opozita të shihet nga jo pak njerëz sikur tek e fundit është në të njëjtën anë të barrikadës me maxhorancën, duke kujtuar vazhdimisht jo vetëm lidhjet e saj në pushtet me të njëjtët aktorë ekonomikë, mediatikë që përbëjnë sot mbështetësit dhe klientelën e Ramës, por edhe protestat kundër sjelljeve të armëve kimike nga Siria apo kur, pas çadrës, Basha bëri marrëveshjen e famshme me Ramën. 
Ky perceptim vlen jo vetëm për PD-në, por edhe për LSI-në ku kryetari i saj historik Meta, sot president i republikës i zgjedhur nga maxhoranca, duket sikur të jetë në muaj mjalti me Ramën, ndërkohë që e shoqja, në krye të partisë së tij, e kërkon këtë në turrën e druve.
Dyshimi se nesër mund të ulen të gjithë rrotull tepsisë sëbashku me Ramën apo pa Ramën, nën bekimin e ndërkombëtarëve që gjithherë kanë mbështetur interesat e tyre dhe stabilitetin mbi demokracinë në këtë vend, mbetet shumë i madh ndër njerëzit. Ky dyshim është si ai uji që ka lagur e lag një turrë drush duke mos e lënë atë të ndizet për të na ngrohur.

Këto janë disa refleksione – sigurisht jo shteruese - që më lindën duke ndjekur protestën e opozitës. Gjykoj se në thelb të tyre ato ngrenë çështjen se ç’duhet të bëjë kjo opozitë, kaq e rëndësishme për momentin që po kalojmë, që të mund të nxjerrë veten dhe vendin nga balta ku po e zhyt përditë «qeverisja e krimit». (Panorama, 28 maj 2018)

Read More......

Saturday, May 19, 2018

Rreziku i Ramës së rremë dhe Shqipërisë së rreme

Pas publikimit nga opozita të vendimit të dënimit në Itali të vëllait të ministrit të Brendshëm Xhafaj, pastaj të një dokumenti që sipas saj provon se maxhoranca në mënyrë të njëanshme e gati të fshehtë ka ndryshuar një nen të Kodit Penal, që pengon ekstradimin e vëllait të ministrit, si dhe të një audioje që provon se vëllai i ministrit vazhdon ende të ruajë lidhjet me krimin, Edi Rama doli më në fund, me një qëndrim ndaj gjithë këtyre akuzave.
Kryefjala e qëndrimit të tij ishte se kemi të bëjmë me akuza të montuara nga ana e opozitës, e cila po punon kundër interesit të shqiptarëve, duke i quajtur eksponentët e saj “vulëhumbur pa atdhe” dhe duke u shprehur se kjo “maskaradë destabilizuese meriton përgjigje të qartë edhe në rrafshin e ndëshkimit penal”. Për sa i përket audios, që është pika më e nxehtë e denoncimit, Rama tha se, për të marrë vendimin e tij politik, e ka çuar atë në një laborator ndërkombëtar për t’i bërë ekspertizë, ku është provuar se ajo është e rreme. Tani, sipas tij, i mbetet Prokurorisë që të vërë vulën që është kështu dhe atëhere shpifësit duhet të shkojnë në burg.
Ky deklarim i fundit rreth audios është tejet i rëndë dhe tejet i rrezikshëm. Kryeministri thotë se e paska një ekspertizë, por pa na thënë se cili është laboratori që e ka bërë dhe çfarë kredibiliteti ka ky laborator. Sepse kjo na kujton një histori të mëhershme, kur Kryeprokurorja Ina Rama kërkonte nga laboratorët e huaj të SHBA të bënin ekspertizën e plumbave të 21 janarit, sepse nuk kishin besim tek ekspertët e brendshëm që ishin nën kontrollin e ish-Kryeministrit Berisha, sepse ata vareshin nga Ministria e Brendshme. Por atëherë, kërkesa u bë publike të paktën dhe u desh një kohë të vijë përgjigja. Pyetja që ngrihen në këtë rast është: çfarë qenka ky laborator që i sillka përgjigjet brenda natës, sikur të punoka nën urdhrat e Ramës? A mund të provohet autenticiteti i audios në kushtet e këtij presioni të fortë nga ana e pushtetit, ndërkohë që edhe ministri i Brendshëm nuk jep dorëheqjen? A mos kemi të bëjmë me një nga gënjeshtrat e manipulimet e radhës të Ramës, të cilat duhet t’i provojë Prokuroria e kapur si të vërteta?
Kur ngre pyetjen se cila është më e besueshme, vërtetësia e audios apo vërtetësia e laboratorit të Ramës, e kam të vështirë të mos mendoj se më shumë gjasa ka që të kemi të bëjmë me një nga gënjeshtrat e radhës së Ramës. E them këtë, duke pasur parasysh shumë përgënjeshtrime që ka bërë Rama me të njëjtën forcë fjalësh kur avionët e drogës i kthente në dezinfektues mushkonjash dhe tallej me opozitën, apo rastin Zagani, për të cilin mobilizuan edhe Prokurorinë që ta fusnin në burg si shpifës, ndërkohë që doli se ai thoshte të vërtetën për Tahirin dhe lidhjet e tij me trafikantët. Por e them këtë, edhe pse kohët e fundit Ramës po i del thuajse përditë nevoja për të gënjyer gjithnjë e më trashë, kombinuar kjo me nevojën për të akuzuar gjithnjë e më trashë të tjerët si gënjeshtarë dhe shpifës. Vetëm dy ditë më parë, kur doli skandali i vendimit të vëllait të Xhafajt, ai deklaroi në Torino që protestuesit atje gënjenin sepse vëllai i ministrit ishte në burg tashmë. Le të kujtojmë edhe akuzat ndaj deputetëve gjermanë, të cilëve u tha me plot gojën “gënjeshtër, gënjeshtër”, për gjëra për të cilat ata ishin shumë mirë të informuar. Dhe gjithmonë motivi i gënjeshtarëve lidhet me vullnetin e tyre të keq dhe armiqësor për të prishur imazhin e Shqipërisë. Ky është qëndrimi edhe kësaj here: akuzë totale ndaj të tjerëve, mbrojtje totale ndaj vetes, pa pranuar asnjë përgjegjësi, as politike, as morale, pale ligjore.
Cili është thelbi i këtij qëndrimi të Ramës, që po trillon përditë gënjeshtra lehtësisht të vërtetueshme si të tilla, por edhe po na fut në një qorrsokak të rrezikshëm sepse po heq çdo mundësi dialogu dhe korrigjimi të punëve të mbrapshta? Gjykoj se në thelb kemi të bëjmë me kriza që vijnë nga rëndimi i sëmundjes së tij psikike, që po manifestohet gjithnjë e më rëndë si kriza politike e vendimmarrjeve të tij të mbrapshta dhe anasjelltas.
Them kriza psikike pasi, sipas studiuesve që merren me sëmundjen e çrregullimeve të narcizizmit pervers që ka Rama, personi që e gjen të keqen gjithnjë te të tjerët, që i akuzon ata se vetëm gënjejnë kur thonë ndonjë gjë kundër tij apo punëve të tij, është në një hall të madh psikologjik. Sipas këtyre studiuesve, narcizizmi pervers, si sëmundje, manifestohet në formën e krijimit nga i sëmuri të një imazhi të rremë të vetvetes, të një “uni glorioz” – si nevojë vetëmbrojtjeje psikologjike ndaj dobësive dhe pasigurive që ka thellë vetes – dhe problemi i problemeve të tij është se ai lufton ta mbajnë në këmbë me çdo çmim këtë imazh, edhe duke gënjyer, intriguar, mashtruar, manipuluar, pasi rënia e këtij imazhi i shkakton një rënie të padurueshme psikologjike. Ndërkaq, problemi ynë është se këto kriza të imazhit të Ramës po bëhen gjithnjë e më shumë kriza politike të imazhit të Shqipërisë dhe anasjelltas. Duke qenë Kryeministër i vendit, imazhi i rremë i vetvetes që ka ngritur Rama identifikohet gjithnjë e më shumë me imazhin e rremë të Shqipërisë që propagandon se ka ndërtuar. Ai kërkon ta mbajë në këmbë me çdo kusht këtë Shqipëri të rreme, sepse kështu mban në këmbë imazhin e rremë të vetvetes. Kush cënon këtë imazh, kërcënon një rënie të dyfishtë të Edi Ramës, psikologjike, por edhe politike, sepse këto të dyja janë bërë tashmë dy anë të së njëjtës medalje – po të kesh parasysh se për të mbajtur në këmbë imazhin e rremë të vetvetes, i duhet medoemos pushteti politik që mbahet në këmbë nga imazhi i rremë i Shqipërisë.
Kjo është një situatë shumë e rrezikshme, që duhet eliminuar sa nuk është vonë (në fakt ka kohë që është vonë), për dy arsye kryesore: së pari, pasi përdorimi i mjeteve të tilla si njerëzit dhe paratë e drogës dhe të krimit, propaganda në vend të punës, gënjeshtra në vend të së vërtetës do të intensifikohen për të mbajtur në këmbë imazhin e një Shqipërie të rreme, me pasojat që merren me mend; së dyti, pasi kushdo që do të kërkojë ta denoncojë e të thotë të vërtetat e kësaj Shqipërie të rreme, do të ndeshet gjithnjë e më shumë me akuzat të egra kërcënuese dhe frikësuese si ato që lëshoi Kryeministri ditën e mërkurë kur paralajmëroi se “vulëhumburit pa atdhe”, që s’po lenë gur për të prishur imazhin e Shqipërisë, do të përgjigjen së shpejti para drejtësisë (së tij)./ Panorama, 16 maj 2018)


Read More......

Tuesday, May 8, 2018

Pokeri Rama-Tahiri, -kush iu nënshtrua blofit të radhës

Pas kthimit të Ramës nga Gjermania, emri më i lakuar në vend është ai i ish ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Titujt më të përhapur janë ato se Gjermania kërkon “kokën e Tahirit, a do ta japë Rama kokën e tij, a mjafton kjo?”. 
Pas këtyre, pamë vetë Tahirin të bëhet kryelajm, duke deklaruar se hiqte dorë vetë nga mandati i deputetit për të mos u bërë pengesë e integrimit. Dhe ndërkaq, po vazhdon debati se çfarë do të bëjë Prokuroria: A do ta arrestojë, siç kërkoi disa muaj më parë, apo me kapjen e Prokurorisë nga Rama kjo nuk do të ndodhë, madje, dorëheqja është bërë me marrëveshje. Ngrihen edhe pyetjet, nëse do ta hanë gjermanët këtë apo jo? 
Le të përpiqemi të hedhim pak dritë mbi këtë lëmsh pyetjesh. Së pari, duhet shtruar pyetja bazë: A mundet Tahiri ta ketë bërë me kokën e vet dhe për përfitime thjesht të vetat atë, që sot e quajmë “kanabizimi i vendit”? Është e tepërt të zgjatesh me argumente për të provuar se kjo nuk është e mundur. Tahiri me kokë të vet mund të ketë ndarë paret e ndonjë tenderi, mund të ketë marrë ryshfet për ndonjë favor e emërim të vartësve të tij, por kurrsesi nuk do të mund të guxonte të implikonte krejt strukturat e Policisë në trafikimin e kanabisit pa dijeninë e shefit. Në krye të kësaj strategjie ka qenë Edi Rama, i cili jo më kot, prandaj, mori për një kohë të gjatë rolin e përgënjeshtruesit të akuzave për trafik droge- sa duke i quajtur aeroplanët që trafikonin drogë, dezinfektues mushkonjash, aq edhe duke organizuar konferenca me ambasadorë për ta paraqitur Shqipërinë një vend që e luftonte drogën. Një provë më tepër e kësaj është, edhe fakti se sot e gjithë strategjia mbijetesës ekonomike dhe politike të Ramës është bazuar mbi riciklimin e parave të drogës nëpërmjet ndërtimit. 
Në kontekstin e kësaj bashkëfajësie, lojtarët Rama, Tahiri e të tjerë po luajnë një lojë me bllofe. Kujtoj, se në lojën e pokerit blofi është kur njëri lojtar, që ka karta të dobëta në dorë, bën të fortin duke shfrytëzuar frikën e humbjes së lojtarëve të tjerë, duke hedhur në tryezë një shumë të madhe, së cilës të tjerët ose duhet t’i kundërpërgjigjen, ose mund të tërhiqen dhe atëherë blofisti fiton. Në lojën e pokerit Rama- Tahiri, etj, po shohim një seri blofesh lojtarësh të tillë me karta të dobëta.

Blofi i parë
Meqenëse provat kundër Tahirit, të nxjerra nga italianët, qenë shumë të rënda, Rama blofoi, duke thënë se në pyllin me pisha të drejta të Partisë Socialiste, edhe mund të kishte ndonjë dru të shtrembër, duke lënë të kuptojë se Tahiri mund të sakrifikohej për interesin e Partisë. Them blofoi, sepse ai e dinte se kishte karta të dobëta, se përndryshe, po të ishte me karta të forta, dmth i pastër, do të duhej të indinjohej dyfish: së pari, për ato që i kishte bërë Tahiri pas shpinës dhe, së dyti, për faktin se ai e kishte njollosur të gjithë partinë padrejtësisht. Ndërsa ai foli me shpresën se Tahiri do ta pranonte fatin e tij pa implikuar të tjerët, dmth duke i thënë se, tek e fundit, duhet ta pranonte se kali i kapur shin lëmin.

Blofi i dytë
Mirëpo Tahiri nuk e hëngri këtë blof, ai u kundërpërgjigj. Sipas disave, këtë e bëri duke u mjaftuar me deklaratat në media ku përdori fjalët e Ramës “nuk keni parë gjë akoma”, kurse, sipas të tjerëve, duke shantazhuar direkt, nëpërmjet të tretësh, se do të nxirrte në shesh të vërtetat e përfshirjes së Ramës (sipas disave edhe të vëllait) në aferën e bashkëpunimit të qeverisë me krimin e organizuar, si dhe me prova komprometuese ndaj ministrave të qeverisë, që i ka siguruar kur ishte ministër i Brendshëm. Kjo e bëri Ramën të tërhiqet duke i rreshtuar deputetët e Komisionit parlamentar të Mandateve dhe Imunitetit në mbrojtje të Tahirit. Ndërkaq, Rama punoi me shpejtësi për të kapur Prokurorinë nëpërmjet zëvendësimit të Llallës me Arta Markun.

Blofi gjerman
Pse them “blofi gjerman”? Sepse nuk jam i sigurt, nëse gjermanët ia kanë ngritur Ramës çështjen “Tahiri”, për të kuptuar disi më mirë se implikimi i tij për të mbrojtur Tahirin buron nga fakti se ministri ka qenë më shumë një urdhërzbatues sesa një protagonist në strategjinë e bashkëpunimit me krimin e organizuar? Po ashtu nuk jam i sigurt as nëse gjermanët kanë kërkuar hollësi mbi mosheqjen e imunitetit të tij për t’u siguruar se Reforma në Drejtësi, për të cilën po flitet kaq shumë, nuk është kapje e drejtësisë krejtësisht nga maxhoranca për të shantazhuar nëpërmjet saj opozitën e për të mbrojtur njerëz si Tahiri. Kam frikë se, edhe atyre u duhet thjesht një justifikim si arrestimi i Tahirit, për arsye sa të elektoratit të tyre aq edhe të stabilitetit dhe gjeostrategjisë për t’i hapur rrugën Shqipërisë në BE – gjëra këto që për ta janë më të rëndësishme sesa vuajtja e shqiptarëve në këtë regjim, ku sundon krimi i organizuar. Dhe kjo është dobësia e kartave të tyre.

Blofi i katërt
Dhe ja ku vijmë në momentin pas vizitës së Ramës në Gjermani, ku u duk se ai nuk kishte rrugë tjetër, veçse ta lëshonte Tahirin. Ndërkaq Tahiri, duke ndjerë rrezikun, tentoi të blofojë edhe një herë me deklaratat që lëshoi nëpër media, që u interpretuan si një shantazh i ri ndaj Ramës. Nuk dimë se çfarë ka ndodhur, por, më me gjasa, Rama, i sigurt që ka në dorë karta shumë më të forta se Tahiri, tani që ka edhe Kryeprokuroren nën urdhrat e veta, i është kundërpërgjigjur blofit ose duke i çuar Tahirit fjalë se ai mund të zgjedhë të hyjë në burg për pak kohë, sa të mbyllet me sukses loja e tij politike me ndërkombëtarët, ose duke i dhënë garanci se mjafton të lërë imunitetin, sepse asgjë nuk do t’i ndodhë. (Sesa i zihet besë Ramës pastaj në këto premtime, është çështje tjetër). 
Dhe ja ku Tahiri, të mërkurën më 3 maj, i tha “pas” Ramës, që në gjuhën e pokerit do të thotë se hoqi dorë nga lufta, duke iu dorëzuar blofit të Ramës. Doli me një fjalim dorëheqjeje nga deputetllëku, që mallëngjeu mjaft njerëz për shkak të disa të vërtetave të hidhura që tha për klasën politike që na qenka shumë herë më e keqe se ai. Por të mallëngjyerve u duhet kujtuar se kur disa të vërteta thuhen, për të mbuluar disa të vërteta të tjera ato nuk quhen të vërteta, por mashtrime. Shkurt, pyetjet që ngrihen sot janë, nëse Tahiri është dorëzuar nga kundërpërgjigja e Ramës ndaj blofeve të tij, apo janë marrë vesh që të dy për të blofuar gjermanët. Dhe, gjithashtu, se mos edhe gjermanët, edhe ndërkombëtarët po blofojnë me shqiptarët dhe elektoratin e tyre. Kjo mbetet për t’u parë, por problemi është se gjithë këtë histori, shqiptarët po e ndjekin sikur kanë të bëjnë me një lojë pokeri dhe jo ashtu siç do të duhet ta ndiqnin: duke u ngritur me indinjatë në protesta kundër kësaj loje tragjike me fatet e tyre. (Panorama, 8 maj 2018)

Read More......