Friday, January 26, 2018

Shqipëria që s'duam

Kohët e fundit në kampin opozitar janë shtuar akuzat ndaj atyre, që deklarojnë nëpër media se “janë të gjithë njëlloj”. “Si mund të jemi ne njëlloj me këta, që futën kriminelët në Parlament, që kanabizuan krejt Shqipërinë!” – formulohet me dy fjalë kritika. “Ju jeni antiopozitarë, të shitur, punoni për Edi Ramën.” – shtojnë të tjerë, edhe më agresivë. Meqë së fundi këto akuza i dëgjova direkt nga Lulzim Basha në emisionin “Studio e hapur”, ndiej përgjegjësinë publike t’i jap përgjigje edhe me të shkruar, për faktin se më duket një çështje tejet e rëndësishme (lexo shkrimet poshte Lapsi.al). Së pari, po bëj një konstatim: edhe Edi Rama me taborin e tij u ka drejtuar, fjalë për fjalë, të njëjtat akuza kur ishte në opozitë atyre që shpreheshin se “janë njëlloj”. Kjo akuzë, fatkeqësisht, thjesht provon atë që them: njëllojtësinë. Sepse te të dyja palët gjen mendësinë e vjetër enveriste, sipas së cilës “kush nuk është me mua, është kundër meje,” që çon pastaj në një politikë lufte llogoresh, që duhet të përfundojë me asgjësimin e tjetrit. Veçanërisht kur u drejtohet gazetarëve, që duhet t’i njohin e respektojnë si pushtet i pavarur, kjo akuzë bëhet edhe më problematike.
Thënë kjo nuk i shpëtojmë, megjithatë, nevojës për t’iu përgjigjur një pyetjeje themelore, që shtrojnë këta kritikë. “Ti thua se, meqë këta janë të gjithë njëlloj, duhet ngritur një forcë e tretë. Mirëpo, meqë edhe ti e pranon se kjo situatë që po përjetojmë me Edi Ramën dhe rilindasit është më e keqe se ajo më parë, dhe, duke e parë se parti si Libra e Blushit nuk patën sukses, përkundrazi, po vdesin, a nuk mendon se e vetmja mundë- si është të mbështetësh këtë opozitë, pavarësisht rezervave ndaj saj? Përndryshe, a nuk rezulton se duke thënë “janë të gjithë njëlloj” frenohet çdo proces politik, ndihmohet statukuoja d.m.th. pushteti i Edi Ramës? Përndryshe, si e mendon ti procesin, që mund të na nxjerrë nga kjo rrugë drejt humnerës”. 
Përgjigjen po e jap duke iu referuar një deklarimi që bënte së fundi për Trumpin, regjisori amerikan Michael Moore, – por duke e ftuar lexuesin të ketë gjithmonë parasysh dallimet midis SHBA dhe Shqipërisë. Moore shkruante: “Ai nuk është mirë; ai është një narçizist malinj dhe një sociopat aktiv. Dhe, duke qenë se zotëron kodet e lëshimit të armëve bërthamore, ai është një rrezik i veçantë për njerëzimin”. “Por – vazhdon më poshtë Moore – problemi ynë shkon shumë përtej një presidenti sociopat […] misioni dhe puna jonë është që të rrëzojmë sistemin e mashtrimit që ka prodhuar Trumpin.” Bashkohem me opozitën lidhur me rrezikshmërinë e veçantë të sociopatit aktiv Edi Rama (ndonëse, shyqyr Zotit, ai nuk ka në dorë të rrezikojë botën, por vetëm Shqipërinë). Por ndahem me të, për sa i përket pikërisht procesit politik, që ajo ka vënë në jetë për të rrëzuar Ramën, proces që, sipas meje, duhet të lidhet medoemos me rrëzimin e “sistemit të mashtrimit”. Sipas gjykimit tim, në kushtet aktuale “sociopati” me “rrezikshmëri të veçantë” nuk duhet parë kurrsesi i ndarë nga pika kulminante e rrezikshmërisë që ka arritur sistemi ynë i mashtrimit. Madje, gjykoj se ai sot – ndryshe nga Trumpi në SHBA – as nuk mund të rrëzohet si politikan sociopat, pa u goditur ai sistem mashtrimi. 
Le ta shtjelloj idenë time. 
Gjykoj se, që të nxjerrë diagnozën e saktë dhe terapinë e saktë, opozita duhet jo vetëm të shtrojë pyetjen: si ka mundësi që ne kemi në krye të vendit një mashtrues të tillë politik, por të shkojë më tej në pyetjen: si ka mundësi që edhe paraardhësit e tij kanë qenë mashtrues? Me një fjalë, ajo duhet të zbresë te rrënjët e Ramës, sistemi i mashtrimit ekonomik, i ndërtuar qysh herët – edhe me kontributin e saj të madh – që sot me Ramën në krye ka kaluar në një fazë edhe më kriminale, me pastrimin e parave të drogës dhe jo ta ndalë akuzën për drogën deri te blerja e votës me paratë që ka grumbulluar Saimir Tahiri me policinë dhe sensibilizimin e ndërkombëtarëve për këtë. Le ta ilustroj idenë time me skandalin e fundit që ka shpërthyer, Armon. Ai flet për dy biznesmenë, të cilët kanë ndërtuar skema mashtrimi për të rrjepur shqiptarët. Sot flitet për një shifër mbi 700 milionë euro borxhe dhe taksa të papaguara, – pa llogaritur fitimet e nxjerra me shitjen e naftës së përzierë. Këtë shifër e kanë krahasuar me paratë që humbën shqiptarët në krizën e piramidave mashtruese, por krahasimi duhet të shkonte edhe më tej: se këto skema nuk janë gjë tjetër, veçse forma më të sofistikuara mashtrimi të skemave piramidale të viteve ‘90. Te skema Armo, që është vetëm një molekulë e sistemit tonë ekonomik të mashtrimit, nuk mund të mos të të bien në sy disa elementë të përbashkët me molekulat e tjera: se kryeministrat janë bërë palë me këta mashtrues; se institucionet bankare çuditërisht i kanë nxjerrë paratë (e qytetarëve) pa bërë asnjë hetim se kujt po ia jepnin borxh ato; se të dy kanë qenë edhe pronarë mediash; se na prezantohen sikur kanë prapa investitorë të huaj që dalin pastaj se janë ata vetë. Por, vini re, ka edhe një element të rëndësishëm të përbashkët. Mashtruesi i parë i skemës Armo, që shahet sot nga Rama, i ka filluar “bizneset” në kohën e PS-së, madje cilësohej nga Berisha, asokohe opozitar, si “Kontrabandisti më i madh i karburanteve.”; e megjithatë, kur Berisha erdhi në pushtet, e ndihmoi në privatizimin e Armos. Edhe i dyti ka një histori të ngjashme bashkëpunimi të vjetër me të dy palët. 
Shkurt, nuk është vështirë të konkludosh se ne kemi të bëjmë me një sistem mashtrimi ekonomik që ka, si anë tjetër të medaljes, mashtrimin politik. Nuk është vështirë të deduktohet se një sistem i tillë nuk e ka për gjë të përdorë edhe krime të tjera sipas logjikës “krimi ndjell krimin”. Ja pse kemi arritur te futja galopante e trafikantëve të drogës në ekonomi – për rrjedhojë edhe në politikë – e te rreziqet që na kanosen në të ardhmen nga ky sistem kriminal. Terrori urban që po ushtrohet nëpërmjet projekteve të kullave në Tiranë si dhe nëpërmjet lejeve të panumërta që jep Erjon Veliaj – mashtrim ky i hapur pasi votën e morën me “zero ndërtime” – nuk është thjesht tekë e një sociopati dhe mashtruesi, as thjesht etje për t’u pasuruar personalisht nëpërmjet korrupsionit Rama e Veliaj. Ai është edhe e vetmja rrugë, që i ka mbetur këtij sistemi kriminal për të qëndruar në pushtet. 
Sociopatia e Ramës sot shfaqet si papërgjegjshmëri ekstreme, që u përgjigjet nevojave ekstreme që ka sistemi. 
Ka opozitarë që më thonë se ai është i vetmi, që mund ta marrë përsipër poshtërsi të tilla si kriminalizimi total i policisë, kapja totale e drejtësisë, dhënia e lejeve të tilla monstruoze – gjëra që s’i ka bërë Berisha e Basha, të paktën jo në këtë shkallë. 
Personalisht mendoj se papërgjegjshmëria e Ramës si shofer është problem i madh sigurisht, por mendoj gjithashtu, se ai do të frenohej menjëherë sikur të mos ishte papërgjegjshmëria e oligarkëve dhe kriminelëve, që po e furnizojnë makinën me karburant. Problemi është se opozita bën sikur nuk e sheh këtë realitet dhe e përqendron tërë betejën me sociopatinë e Edi Ramës. Kjo ndodh më së shumti pasi është e komprometuar edhe vetë nga sistemi i mashtrimit, dhe pjesërisht pasi as nuk arrin të mendojë se mund të vijë në pushtet pa oligarkët e tij (lexo shkrimin poshte/ lapsi.al). Por ajo nuk ka arritur të kuptojë se nëpërmjet çimentos së kullave, koncesioneve dhjetëravjeçare, lejeve për hidrocentrale etj., sot, Rama po çimentohet si shofer i vetëm i sistemit; se ky sistem, që deri dje mbante edhe opozitën si shofer rezervë, (kur njëra kokë kontrollonte Tiranën tjetra Shqipërinë) sot është i tëri nën kontrollin e tij. Në këto kushte, opozitës i mbetet ose të bëjë fasadën se gjoja kemi demokraci, derisa sistemi me shoferin e çimentuar në timon të na çojë të gjithëve në humnerë, ose të transformohet realisht dhe thellësisht në vetvete dhe aksione, për ti bërë balle këtij rreziku. (Panorama, 8 shkurt 2018)






Read More......

Sunday, January 14, 2018

Reforma në drejtësi – mashtruesit e Tiranës dhe ata të Brukselit


Argumenti më absurd që kam hasur në mediat shqiptare  kohët e fundit është ai sipas të cilit Edi Rama  votoi pro rezolutës që kundërshtonte njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit sepse donte të pengonte reformën në drejtësi. Pra, se amerikanët do të mërziteshin me Ramën dhe nuk do të jepnin ndihmat materiale dhe logjistike për reformën; dhe kjo ngaqë Rama nuk e do këtë reformë pasi i trembet edhe vetë. Argumentin e bënte edhe më absurd fakti se këtë e tha opozita që akuzohet nga Rama se është ajo që nuk e do reformën në drejtësi pasi ka frikë prej saj.
Në fakt, reforma po çan përpara drejt suksesit me vela të fryra. Dhe në erën që e fryn është edhe kontributi i pamohueshëm i bulçive të ambasadorit amerikan. Doni prova? Po ja, kjo që po bën kryeprokurorja e përkohshme kujtoni ju se nuk është reformë? Kjo është vetë reforma. Do të thoni ju: po vetingu? Prisni se edhe atij do t’ia ndjeni krismën, por Arta është pararoja e vetingut sepse, siç do të thoshte Orwelli në këtë rast, të gjithë janë të barabartë përpara vetingut përveç atyre që janë vetë vetingu. Dhe mos bëni sikur e keni për herë të parë ju të opozitës. A nuk ju kujtohet kur zëvendësuat gjyqtarët që nuk i kontrollonit dot me ata me kurse 6 mujore te plepat e Kavajës?  Po sulmet ndaj Ina Ramës si prostitutë e bulevardit a i keni harruar? Jo jo, të mendosh se politikanët shqiptarë duan prokurorë të pavarur është njëlloj sikur të imagjinosh hajdutët duke u përpjekur që të vihen roje të ndershëm në vendet ku ata do të shkojnë të vjedhin.
Po atëherë ç’është kjo reformë që askush s’e do dhe të gjithë e brohorasin? Po ambasadorët ç’dreqin kanë që ngatërrohen me këto mashtrime?
Teoria ime është kjo: Jetojmë në një vend ku, siç ka thënë dje edhe vetë Rama,  jeta për njerëzit e ndershëm është bërë e pamundur. Imagjinoni, shqiptarët më 2016 vinin në Gjermani pas sirianëve për ikje nga vendi i tyre. Më 2017 në Francë u bënë të parët, duke ua kaluar edhe afganëve. Ka më tmerr se kjo? Një vend i pashpresë që veç tjerash po dëshpëron edhe vendet e tjera ku po eksporton mjerim dhe krim. E pra në këtë lloj vendi o duhet të ulesh e të punosh me përulësi, sinqeritet e përkushtim për njerëzit e ndershëm, o duhet të gjesh mashtrimin e rradhës me njerëzit e pandershëm. E meqënëse për të parën kjo racë shqiptarësh nuk ka bythë, “reforma në drejtësi” është mashtrimi i radhës për të  gjetur një fajtor dhe për të ndërtuar një shpresë të rreme për budallenjtë e radhës. Është edhe mashtrimi më polivalenti sepse i shërbente një shumësie aktorësh dhe qëllimesh. Më së pari i shërben kryemashtruesit të këtij vendi, Edi Ramës, për të kapur edhe pushtetin e drejtësisë ashtu siç, nëpërmjet reformash të tjera, pastroi institucionet nga kundërshtarët e tij, me rezultat zero. I shërben edhe si një alibi për të thënë se gjërat nuk kanë shkuar mirë deri tani sepse na kanë penguar disa njerëz të liq në drejtësi që kanë qenë të lidhur nga kundërshtarët e mi të liq. Teorinë që përdori kur u bashkua me Metën se është sistemi që e pjell të keqen, jo njerëzit, tani e zëvendësoi me teorinë se janë disa njerëz të liq, si Meta, që na e kanë sjellë të keqen. Por reforma i shërben edhe si një mashtrim për të huajt që do thënë: ja reformatori i guximshëm që më në fund po lufton korrupsionin në Shqipëri!
Ndërkaq, togfjalëshi magjik i shërben goxha edhe mashtruesve të Brukselit. Në funksion të projektit të bashkimit evropian janë derdhur shumë para. Për të punon një armatë e tërë burokratësh e paguar nga taksapaguesit evropianë me rroga të majme. Dhe ndër nënprojektet e rëndësishme të këtij projekti, që po jep shpirt nga paaftësia dhe korrupsioni i këtyre burokratëve, është edhe ai i integrimit në Evropë i Ballkanit Perëndimor. E pra edhe këtyre perëndimorëve u duhen disa prova se rrogat e tyre nuk paguhen kot. Ja, në sajë të ndihmës së tyre kompetente vende si Shqipëria po bëjnë hapa përpara drejt integrimit. Taksapaguesit evropianë duhet të jenë të sigurt se paratë e tyre nuk kanë shkuar në ndonjë gropë të zezë dështimi  e korrupsioni. Dhe a ka provë më të mirë sesa një reformë në drejtësi që do të kurojë sëmundjen më të rëndë të vendeve si Shqipëria që nuk i le ta çojnë vendin drejt Evropës,  por i bën banorët e tyre të lenë vendin për të invaduar Evropën. Ja pse suksesi i kësaj reforme është kaq i nevojshëm për tu reklamuar. Po Lu-ja ç’pjesë ka në këtë mashtrim, do të pyesë ndokush. Lu-ja përfaqëson SHBA që është partneri i madh i Perëndimit, plus që duket se është i lidhur me lobet që kanë mbështetur Ramën në SHBA - në mos pastë edhe ndonjë “inat personal” me drejtësinë aktuale për shkak të Bankers Petrolium - siç thonë gojët e liga.
E kështu tani kemi arritur në një pikë ku mungon vetëm një gjë e vogël për ta përmbyllur në mënyrë të suksesshme këtë mashtrim. Kjo gjë e vogël e ka mbiemrin të madh sepse quhet: “peshku i madh”. Duhet pra që rrjeta e reformës ramalu, vrimat e të cilës po i mbyll me shpejtësi kamikaxia Arta Marku, të hidhet në det sa më parë, dhe të ngrihet që andej me një apo dy peshq të mëdhenj që t’i fotografojnë të gjithë të kapur në rrjetë. Atëherë e gjithë bota perëndimore do të ndalë frymën e do të thotë: bravo Shqipëria, bravo Edi Rama, faleminderit Bruksel, faleminderit ambasadori LU!
Do të thoni ju po dosja Rama – Tahiri e kthimit të vendit në narkoshtet, po drejtorët e policisë trafikantë droge të arratisur, po koncesionet kriminale të Ramës, po kullat si pastrim i parave të drogës, po votat e blera me para të pista, po shqiptarët që ikin me vrap nga vendi. Harrojini sa më shpejt këto, historinë e bëjnë fitimtarët. Tani s’na ka mbetur veçse të themi: e gëzofshim reformën “ramalu”! (Panorama, 11 janar 2018)

Read More......