Thursday, November 1, 2018

Pse dha dorëheqjen Xhafaj - heshtja që flet shumë

Në shkrimin paraardhës, që merrej me shkaqet e arrestimeve të fundit, kam shprehur idenë se versioni më i besueshëm është ai, sipas të cilit, meqenëse janë kapur me duar në presh, Rama & Co po rreken të bëjnë me këto arrestime një rrugë e dy punë: të lejojnë Prokurorinë të arrestojë peshqit e vegjël për t’u hedhur edhe një herë hi syve ndërkombëtarëve dhe t’i propagandojnë këto arrestime si prova se ata po punojnë kundër krimit dhe të fortëve. E kam lënë megjithatë të hapur reflektimin në fund të shkrimit, duke thënë se duhet të presim se çfarë do të ndodhë më tej për të kuptuar nëse është kështu apo jo.
Ngjarja që ndodhi më tej ishte shumë e fortë: dorëheqja e papritur e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Shkaqet e kësaj dorëheqjeje janë komentuar shumë më tepër sesa arrestimet (duke e lidhur me to, në një mënyrë apo tjetrën, sipas interesave të palëve) edhe për shkak se Xhafaj vetë nuk dha ndonjë motiv të dorëheqjes.
E para gjë që mendoj se duhet thënë është pikërisht se, fakti që Fatmir Xhafaj ka evituar t’ia shpjegojë qartazi publikut (që deklaron se i ka shërbyer) se përse dha dorëheqjen, e ngarkon atë me përgjegjësi të madhe para tij. Kjo sjellje nuk përputhet me idenë e disave se Xhafaj është ndeshur me Ramën si i miri me të keqin. Heshtja e tij është shenjë e komprometimit të tij në të këqijat e mëhershme të Edi Ramës. Kjo heshtje hedh poshtë edhe ndonjë version që ka dalë nga mediat pro qeverisë se Xhafaj iku pasi i tregoi opozitës se ishte i larë dhe i pastër; se këtë e provonin edhe arrestimet e fundit që, sipas këtij varianti, ishin pika kulminante e suksesit në karrierën e tij. Pra, se Xhafaj iku si ata trajnerët që ikin të nesërmen e ditës kur fitojnë kupa të mëdha me skuadrën e tyre. Sikur të ishte kështu, asgjë dhe askush nuk do ta pengonte Xhafajn ta deklaronte hapur këtë gjë. Po ashtu, Xhafaj edhe mund të deklaronte hapur se po ikte për t’i lënë vend një figure të pacenueshme, pasi historia e vëllait të tij ishte një pengesë për ta bërë edhe më të suksesshme luftën e pakompromis të nisur me krimin, siç dyshoj se është versioni që do t’u paraqesë Rama ndërkombëtarëve, por pa ua thënë dot shqiptarëve, duke pasur parasysh fushatën “shpifja”, që ka hapur ai në mbrojtje të ishministrit të tij. Kjo do të ishte pranim i pjesshëm fajësie, por që, po ta bënte Xhafaj, edhe pse lëvizje e vonuar, mund të kapërdihej. Por ai nuk e bëri as këtë, duke na lënë të kuptojmë se nuk është as ky shkaku i dorëheqjes.
Qartazi, heshtja e Xhafajt për motivet e dorëheqjes flet për atë se këto motive nuk mund t’i deklarojë publikisht, pasi ato dëmtojnë rëndë Kryeministrin dhe pushtetin e tij. Ato duhen mbajtur fshehur, siç u mbajtën fshehur edhe shkaqet e largimit të Saimir Tahirit, për të cilin u tha publikisht se po shkonte me një detyrë edhe më të rëndësishme: fushatën elektorale. Dhe këtu duhet vënë në dukje se dorëheqja e Xhafajt nuk është një dëm i vogël, pasi ajo po ndodh në një situatë jashtëzakonisht delikate për Ramën, sepse ajo, direkt dhe indirekt, demaskon strategjinë e tij (deri dje edhe të Xhafajt) për të mohuar lidhjet e PS-së me krimin, duke akuzuar, edhe me ndihmë të Prokurorisë, kundërshtarët “shpifës”. Prandaj, opozita me të drejtë e konsideron këtë dorëheqje si një fitore të saj të madhe.
Pra, për të gjetur shkakun e dorëheqjes së Xhafajt, duhet ngritur pyetja se çfarë mund ta dëmtonte interesin e Edi Ramës më shumë sesa dorëheqja e Xhafajt?
Sot për sot mund të ngrihen dy hipoteza. Njëra do të ishte ajo, sipas së cilës Xhafaj është detyruar të largohet, ashtu si paraardhësi i tij Sajmir Tahiri, pasi Rama ka qenë i informuar dhe paralajmëruar nga ndërkombëtarët apo edhe nga shqiptarë të mirinformuar, se do të shpërthente rreth tij një skandal, i ngjashëm me atë Habilajve që përfshiu Tahirin. Prandaj, si në rastin Tahiri u përdor varianti: në një anë kënaqim ndërkombëtarët duke e larguar dhe në anën tjetër, ndoshta edhe me mirëkuptimin e tyre, mashtrojmë shqiptarët duke thënë se i larguari ka punuar mirë. Ka nga ata që e lidhin këtë skandal hipotetik me konferencën e paralajmëruar për shtyp të Saimir Tahirit dhe të anuluar, kur ky morri vesh se Xhafaj e kishte dhënë dorëheqjen. Këta i mëshojnë idesë se dorëheqja është rezultat i luftës së bandave brenda PS-së dhe kuptohet se bërja publike e kësaj është shumë më e rëndë sesa dorëheqja e Xhafajt. Kuptohet gjithashtu se Xhafaj këtë nuk mund ta deklarojë.
Varianti i dytë është i kundërt me të parin përsa i përket figurës së Xhafajt. Nëse i pari nënkupton një Xhafaj me mëkate më të rënda sesa ato që janë bërë publike lidhur me të vëllain, i dyti nënkupton një Xhafaj që, në ndryshim nga Edi Rama, i njeh disa vija të kuqe që ndërgjegjja dhe detyra nuk ia lejon t’i kalojë. Ky është varianti që Xhafaj, edhe për shkak të premtimeve që u ka dhënë ndërkombëtarëve që ka takuar në muajin tetor, edhe për shkak të fakteve të pakundërshtueshme që kanë dalë, ka ngulmuar që në listën e arrestimeve të fundit duhet të përfshihet edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. Kjo mund ta ketë futur në konflikt me Edi Ramën, sepse duke pasur parasysh lidhjet e Ramës me Dakon, ai s’mund ta lejojë kurrsesi arrestimin e kryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe ky konflikt ka shkaktuar dorëheqjen e Xhafajt. A e kanë rënduar këtë konflikt fyerjet që i ka drejtuar Rama Xhafajt, i mësuar të abuzojë verbalisht me vartësit e tij, siç thonë disa, apo konflikti ka qenë me gjuhë të ftohtë, kjo është dytësore. Kuptohet se edhe bërja publike e këtij konflikti është shumë më me pasoja për Ramën sesa dorëheqja e ndodhur tashmë e Xhafajt. Kuptohet gjithashtu se Xhafaj e ka shumë të vështirë ta bëjë publik këtë konflikt sepse rrezikon shumë.
Me këtë që shkrova deri këtu nuk dua të them se s’ka variant tjetër, por se logjika e zhvillimit të ngjarjeve më çon te këto dy pista. Më mbetet të them se, është detyrë morale politike e Fatmir Xhafajt të na bëjë publik motivin e dorëheqjes së tij, sepse sikurse kuptohet nga sa thashë më sipër, sqarimi i tij është tejet i rëndësishëm për të ardhmen e të gjithë shqiptarëve që nuk duan që politika të kalojë nga krimi në krim. Por është detyrë edhe e Prokurorisë, sepse kjo ngjarje, në një mënyrë apo tjetër, nuk mund të ndahet nga dosja e arrestimeve të fundit që flasin qartazi për lidhjet e politikanëve tanë me krimin. (Panorama, 29 tetor 2016)

Read More......

Si t’i lexojmë arrestimet e fundit

Arrestimet e fundit kanë bërë kaq shumë bujë jo pse janë kapur disa kriminelë, por se në këto arrestime rezultojnë të implikuar njerëz të rëndësishëm të partisë në pushtet, duke përforcuar akuzat se Rama dhe të tijtë janë të lidhur me krimin. Është kjo që i ka zhvendosur këto arrestime nga kronika e zezë në kronikën e politikës. Mirëpo, duke lexuar këtë kronikë, gjejmë shumë interpretime kundërthënëse ku më i spikaturi është ai se duket sikur kemi një paradoks pasi arrestimet po i bën një prokurori që, njëherësh, akuzohet nga kundërshtarët e Ramës si e vënë në shërbim të maxhorancës për të fshehur lidhjet e saj krimin. Prandaj, shumë njerëz, me të drejtë, ngrenë pyetjen: çfarë qëndron prapa këtyre arrestimeve? Pse Kryeministri, që deri dje ka bërë çmos të mbrohet nga akuzat për lidhje me krimin me të gjitha format, deri duke bërtitur nëpër media “shpifje, shpifje, shpifje!” lejon Prokurorinë, që e ka nën kontroll, të kryejë këto arrestime që e demaskojnë? Mos vallë Edi Rama, befas, ka ndërruar strategji pushteti dhe po i braktis të fortët? Mos ndoshta nuk e ka nën kontroll Prokurorinë, sepse në sajë të Reformës në Drejtësi ajo po funksionon? Mos situatën e kanë marrë në dorë ndërkombëtarët që duan t’i japin fund këtij sistemi kriminal në Shqipëri? Mos i ka dalë Fatmir Xhafaj nga kontrolli? Apo këto arrestime janë bërë nën presionin ndërkombëtar, por, siç ndodhi në rastin e shkarkimit të Saimir Tahirit, shpresat se ka ndryshuar vullneti për keq i Edi Ramës për të bashkëpunuar me krimin apo se ndërkombëtarët kanë vendosur t’i japin fund kësaj situate, do të pësojnë zhgënjimin e radhës.
Personalisht jam më afër versionit të fundit. Argumentet më dalin me deduksion, duke e parë këtë ngjarje në tërë kontekstin e skandaleve të fundit. Sipas meje, Ramës nuk i duhej një skandal tjetër që të përforconte akuzat e ngritura kundër tij dhe të tijve me dy skandalet e ashtuquajtura “Babale 1” dhe “Babale 2”, prandaj ideja se ai paska vendosur të shkëputet nga të fortët në këtë mënyrë nuk më bind. Kjo është një lëvizje e detyruar nga halli, jo nga vullneti i mirë. Po ashtu, Prokuroria, që ka hapur procese për akuzuesit dhe jo për të akuzuarit në dy skandalet e para, duke e mbrojtur kështu Ramën & Co, nuk mund të shkojë kurrsesi kundër kësaj tendence me këtë operacion. E vërteta është se Prokuroria e ka hapur këtë dosje në vitin 2016, në një kohë kur Rama nuk i kishte vënë ende duart plotësisht mbi Prokurorinë. Aty mund të kenë mbetur ende “segmente” të lidhura me opozitën apo prokurorë që ndërgjegjja personale nuk i lejon të shkojnë aq larg në instrumentalizimin e Prokurorisë nga Rama, por sjelljet e Prokurorisë kohët e fundit tregojnë se, si rrallë ndonjëherë, ajo po punon për të shuar zjarrin e akuzave, prandaj ideja se këto arrestime duhen parë si shenjë se Reforma në Drejtësi po funksionon, nuk qëndron. E njëjta gjë mund të thuhet për idenë se kësaj here ndërkombëtarët e kanë seriozisht. Sikur të ishte kështu, ata do të lëshonin akuza politike – sepse mjafton fakti që dy ish-deputetë të Ramës dalin të implikuar me rrjete kriminale (të cilëve mund t’u bashkonin edhe historinë e Saimir Tahirit apo edhe atë të vëllait të Xhafës) për të kuptuar se rrënjët e problemit në Shqipëri nuk janë thjesht te krimi, por te lidhjet e tij me politikën. Sa për idenë e daljes jashtë kontrollit të rilindësve nga ana e socialistit Fatmir Xhafaj, gjykoj se ai mbetet peng i historisë së të vëllait trafikant dhe nuk mund të dalë dot nga strategjitë e ndërtuara bashkë me Ramën për të fshehur lidhjet e rilindësve me krimin, siç bënë edhe me skandalin që përfshiu të vëllain, veçanërisht në këtë moment.
Prandaj, mendoj se versioni më i besueshëm është ai, sipas të cilit, meqenëse janë kapur me duar në presh nga gjermanët, Rama & Co po rreken të bëjnë një rrugë e dy punë, të lejojnë Prokurorinë të arrestojë peshqit e vegjël për t’u hedhur edhe një herë hi syve ndërkombëtarëve dhe njëherësh t’i propagandojnë këto arrestime si prova se ata po punojnë kundër krimit dhe të fortëve. Në favor të këtij versioni vjen fakti se brenda muajit tetor kanë ardhur në Shqipëri në takim me ministrin Xhafaj: Sekretari i Shtetit në Ministrinë e Brendshme Federale, Stephan Mayer (3 tetor), Zëvendëspresidenti i Zyrës Federale të Krimit (BKA), Peter Henzler, bashkë me drejtues të lartë të Policisë Kriminale (8-11 tetor) si dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë gjermane, Dieter Romann (17 tetor). Këtyre fakteve nuk mund të mos u bashkëngjitësh edhe dy informacione të tjera: atë se Gjermania bllokoi në gusht ekstradimin në Shqipëri të Arbër Çekajt, (njeriut të akuzuar për 600 e kusur kg kokainë) duke informuar palën shqiptare se ai ishte nën hetim për trafik droge mes Shqipërisë dhe Gjermanisë si dhe atë se Çekaj ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë gjermane.
E vërteta është se dosja e arrestimeve të fundit, me të zbuluarat dhe të pazbuluarat e saj, tregon qartazi sesi funksionon sistemi i pushtetit në çdo cep të Shqipërisë, jo vetëm në Lezhë, Shijak e Durrës. Problemi është se shqiptarët e dinë se si funksionon ky sistem edhe pa këtë dosje, sepse e kanë përditë mbi kurriz; ata e dinë shumë mirë se Shqipëria ka nevojë për shembjen e këtij sistemi pushteti dhe ndërtimin e një tjetri ku politika dhe krimin të jenë në luftë me njëri-tjetrin dhe jo në bashkëpunim. Mirëpo, ndihen të pafuqishëm ndaj tij se ky sistem është shumë i fortë sepse ka me vete institucionet me në krye Kryeministrin, që është aty në sajë të këtij sistemi dhe për t’i shërbyer atij, e që i quan shpifje akuzat për lidhjet e qeveritarëve me krimin, duke dhënë indikacione të qarta edhe për drejtësinë. Përndryshe, Prokuroria do të duhej të kishte punuar me kohë, madje me urgjencë, për të zbuluar se cili është ky “xhuxhi” që përmendet nga trafikantët si njeri që u siguronte atyre vende pune, pasi ky “xhuxhi” paraqet rrezikshmëri për interesat e shoqërisë. Ai do të duhej të ishte identifikuar një sahat e më parë për të eliminuar këtë rrezikshmëri, ndërsa shenjat janë se Prokuroria nuk e ka bërë këtë, çka flet shumë më tepër për këta arrestime sesa propaganda e Ramës dhe Xhafës.
Po e ndërpres leximin tim mbi arrestimet e fundit me këto nota pesimiste, (deri këtu), në pritje të lajmeve të reja, veçanërisht nga Prokuroria. (Panorama, 25 tetor 2018)

Read More......

Zjarrin e kemi të gjithë në votër

« E ka marrë ferra uratën ». Kjo është një shprehje që e dëgjon gjithnjë e më shpesh nga më të vjetrit në Shqipëri kur komentojnë ato që po ndodhin në vend. Ka shumë gjasa që ata më të rinjtë nuk ia dinë kuptimin kësaj shprehje prandaj me dy fjalë po u them se do të thotë që ka ndodhur e pariparueshmja. Po cili është urata, cila është ferra dhe cila e pariparueshmja që ka ndodhur? Urata është vendi ynë, ku balta duhet të na duket më e ëmbël se mjalta, ferra janë flakët e krimit që kanë marrë dhenë duke na e bërë vendin të na duket si ferr jo si mjaltë, e pariparueshmja është dëmi që i ka bërë ky krim vendit, mbi të gjitha njeriut dhe marrëdhënieve e vlerave njerëzore.
Ja shikoni lajmet e javës: 
Pamë se i biri i një deputeti qarkullon me kobure në brez, përdhunon e kërcënon me sigurinë se nuk i ndodh asgjë sepse i ati është deputet nga ata që e ka të shkruar në ballë se është futur në listë nga kryetari  pasi bën pjesë ndër të fortët e botës së krimit që sundojnë me paratë, pushtetin e bandat e tyre edhe në Shkodër, edhe në Lezhë edhe në Krujë e Fush-krujë edhe në Durrës edhe në Elbasan edhe në Vlorë edhe në Sarandë  edhe …edhe në Tiranë. 
Pamë te Blloku një ndeshje spektakolare midis të fortësh që përfundoi me vrasje dhe vetëm pas vrasjes mësuam se këta të fortë janë po ata (rëndom i quajmë « biznesmenë ») që i çojnë dashnoret e tyre nëpër hotele 19 000 euro nata, që janë pronarë qendrash basti e më the të thashë, që, edhe pse janë të akuzuar për vrasje apo tentativa vrasjesh, respektohen si të fortë. Pamë po ashtu se ata që duhet të konsiderohen specialistët më të zgjedhur në mbrojtjen e interesave të shtetit me mjetet ekstreme punojnë si bodyguardë të këtyre « biznesmenëve » që, merret vesh, i paguajnë shumë herë më tepër sesa ç’i paguan shteti.
Pamë se vëllait të një prezentatorje të famshme televizive na i paskan gjetur në makinë bomba dhe detonatorë që do i tregtonte diku tek një bandë që s’dihet se kë do të hidhte në erë.
Këto janë tre nga kronikat e javës së fundit ndërkohë që para një jave ka pasur të tjera të ngjashme që tregojnë se flakët e krimit kanë pushtuar vendin nga veriu deri në jug.
Përballë kësaj gjendjeje të vendit gjen disa kategori qytetarësh.
Janë ata të cilëve krimi ua ka djegur tashmë shtëpinë: dmth. që janë bërë pjesë e flakëve apo të shkrumbimit që ato kanë lënë pas.
Janë ata që ikin nga sytë këmbët prej frikës se era do t’ua sjellë flakët edhe në shtëpinë e tyre.
Janë ata që shpresojnë se një ditë do të bjerë një shi i madh nga qielli dhe do t’i shuajë flakët.
Janë ata që presin dita ditës të vijnë zjarrfikësit nga Amerika dhe Evropa me ish-ambasadorin Lu në krye me zorrë uji në dorë.
Janë ata që mendojnë se kanë ngritur rreth shtëpive të tyre mure mbrojtëse mjaft të larta me roje të sigurta.
Është edhe kategoria e atyre që shajnë e mallkojnë e denoncojnë flakë këtu dhe atje, që bërtasin për zjarrvënie e zjarrvënës.
Po zjarrfikësit ku janë, cilët janë ngrihet pyetja. Çfarë bëjnë ata? E pra kjo është çështja.  Zjarrfikësit tanë janë bash zjarrvënësit, që natën grumbullojnë paranë e madhe të krimit dhe ditën marrin rrogën e vogël nga shteti. Duke qenë të tillë gjatë ditës ata janë angazhuar kryesisht në një punë speciale : të përgënjeshtrojnë dhe akuzojnë për shpifje ata që thonë se vendi po digjet nga flakët e krimit. Kanë kohë që e bëjnë këtë duke angazhuar edhe mediat edhe shkarrashkrues kombëtarë e ndërkombëtarë që i paraqesin flakët sikur të jenë një mrekulli ekonomike. Por ajo që po bije në sy së fundi është tentativa për të kaluar në një fazë të re shumë më të rrezikshme. Duke qenë se flakët po rriten në mënyrë tejet të dukshme nga akuzat për shpifje duket se duan të kalojnë në akuzat se zjarrvënësit janë ata që denoncojnë zjarrin.  Këtë ndjesi më dha ai lajmi i dhënë dje nga Kryeministri se tritolin në shtëpinë e viktimës së përdhunuar nga i biri e banda e të birit të deputetit e paska venë opozita medemek për ta kërcënuar që të mos thotë të vërtetën :  se është opozita ajo që po e përdhunon. Kjo ndjesi më kujtoi për asosacion se në vitin 1933, një kryeministër  zjarrvënës famëkeq i vuri flakën parlamentit gjerman dhe akuzoi se zjarrin e kishin vënë kundërshtarët e tij. Më çoi edhe në Shqipërinë e vitit 1951 kur në oborrin e Ambasadës Sovjetike u hodh një bombë që theu vetëm disa xhama për të gjetur pretekstin e pushkatimit të 21 intelektualëve të konsideruar si kundërshtarë potencialë. 
Ndoshta ka lexues që do t’u duken shumë largvajtëse këto paralelizma. Veçanërisht atyre që nuk duan të mendojnë se zjarri që shohin në kodër do t’u arrijë një ditë në votër. Por, po të jesh njeri dhe jo zjarrvënës kriminal, mjafton të shohësh se si e kanë reduktuar atë viktimën e mjerë të përdhunuar, për të kuptuar se zjarrin e kemi tashmë të gjithë në votër. (Panorama, 10 tetor 2018)

Read More......