Friday, January 29, 2010

Nga shkelësit, për shkelësit

Para disa ditësh, teksa hyra brenda në një kafe - bar të njohur dhe pashë se lokali qelbej në tym duhani, midis meje edhe kamarierit u zhvillua ky dialog:
“ Ju nuk e njihni ligjin këtu, mesa duket.”
“Pse? - më tha”
“Po ç’është gjithë ky duhan që pihet?”
“Po ç’tu bëjmë ne këtyre; këta e kanë fajin.”
“Jo, fajin e keni ju, se po të vijë policia ua vë juve gjobën jo këtyre. Po meqënëse këtu shteti…”
E lashë me kaq muhabetin. Dola në tryezat jashtë ku, meqënëse atë ditë kishte diell (me dhëmbë), mund të rrihej sa për të pirë një kafe. Ashtu si unë jashtë kishte edhe të tjerë e mendimi që më erdhi, duke i parë edhe ata dhe veten jashtë, ishte se në këtë vendin tonë, ku balta është më e ëmbël se mjalta,  kush shkel ligjin rri në të ngrohtë kurse kush e respekton apo e ka frikë është i detyruar të mbërdhijë si qen në të ftohtë.
Në fakt situata e kafe - bareve pas daljes së ligjit mbi ndalimin e duhanit në ambjentet publike është emblematike për të parë e studiuar raportin e shqiptarëve me ligjin. Gjëja e parë që të bije në sy është se sa të shumtë janë ata që nuk e përfillin ligjin. Edhe në një vend si Italia, që s’njihet për ndonjë shoqëri që e respekton ligjin, nuk më ka qëlluar të shoh një qytetar të vetëm të pijë duhan brenda, pasi u vendos ligji. Po pse ndodh kjo tek ne?
Janë dy faktorët që bëjnë të respektohet ligji: së pari, vetëdija qytetare se ligji është një rregullues i marrëdhënieve me të tjerët. Së dyti, frika e ndëshkimit ndaj shkeljes së tij. Tek dialogu im me kamarierin dallohen qartë këta dy faktorë dhe treguesit e nivelit të tyre. Kur ai më tha: “ç’tu bëjmë ne këtyre; këta e kanë fajin.” kemi treguesin e faktorit vetëdije; tek përmendja ime e policisë dhe shtetit mungues kemi treguesin e faktorit frikë.
Nëse flitet për shtet të dobët në Shqipëri, deri për shtet të dështuar, në thelb të këtij dështimi qëndron kultura që reflektojnë kafe – baret e mbushur me njerëz me cigare ndezur që nuk duan t’ia dinë se ka një ligj që e ndalon atë. Besoj se në historinë e Shqipërisë kjo është periudha kur shoqëria jonë ka njohur minimumin e vet përsa i përket respektit ndaj ligjit në kuptimin e vetëdijes dhe frikës. Në kohën e Zogut, megjithë abuzimet e shumta, ka pasur, prap, më shumë vetëdije pasi ka pasur më shumë komunitete të stabilizuara me kohë në qytete dhe fshatra, ka pasur pronë më të stabilizuar, ka pasur shumë më respekt dhe frikë ndaj ligjeve morale të fesë po ashtu, si edhe frikë nga ndëshkimi i shtetit, sigurisht. Në kohën e komunizmit vërtet komunitetet u shkatërruan për shkak të kolektivizimit të detyruar, zhvendosjeve të shumta që kreu regjimi për shkak të industrializimeve e kooperativizimeve, rritjes demografike dhe vërtet feja edhe prona u shkatërruan, por ka pasur shumë më tepër frikë nga shteti. Jam i bindur se në të dy këto periudha, po të vihej një ligj për ndalimin e duhanit, ky do të respektohej shumë më tepër sesa sot.
Nuk pretendoj të analizoj në këtë shkrim të gjithë faktorët e mosrespektimit të ligjit, ku, pa dyshim, ndikimi i të kaluarës komuniste ka peshën e vet të rëndësishme, por dua të denoncoj një faktor të së sotmes që gjykoj se e ka stimuluar këtë situtatë. Duke parë gjendjen e kafe – bareve ku ata që shkelin ligjin rrinë në të ngrohtë kurse të tjerët mbërdhijnë si qen në të ftohtë dikush mund të shtrojë pyetjen: ç’faj ka shteti kur shumica nuk ia respekton ligjin që ai e ka vënë? Sipas  gjykimit tim problemi nuk është kaq i thjeshtë. Pra, nuk se kemi të bëjmë me një shtet të mirë në vetvete, por që s’ka ç’u bën qytetarëve të tij të paedukuar dhe të pakulturuar. E vërteta është se kemi të bëjmë me një situatë kompliciteti të shtetit me shkelësit e ligjit. Në një vend normal demokratik shkelja e ligjit kontrollohet nga të dy palët: nga qytetarët që zgjedhin pushtetarët dhe nga pushtetarët që kontrollojnë respektimin e ligjit për të mbrojtur bash interesat e zgjedhësve të tyre. Ajo që ndodh në këtë vendin tonë është e kundërta. Ne kemi ndërtuar një sistem politiko ekonomik ku shkelja e ligjit është një nevojë. Në një mënyrë ose në një tjetër të gjithë duhet të çalltisin jashtë ligjit për të mundur të mbijetojnë. Kush ndërton pa leje bëhet me shtëpi kush pret leje nga ligji mbetet pa shtëpi. Kush jep e merr rryshfet plotëson nevojat e bëhet i pasur, kush nuk e bën këtë ose ngordh ose ikën e lan pjatat në Perëndim.  Në këtë sistem edhe vetë politika është instrument mbijetese jo shërbim ndaj qytetarit dhe ligjit. Sepse ne jetojmë në një sistem që është i ndërtuar nga shkelësit e ligjit, për shkelësit e ligjit. E kështu krijohet një mekanizëm kompliciteti midis shtetit dhe shkelësit të ligjit. Nëse dikush është pasuruar duke kryer trafiqe apo evazion fiskal apo ku di unë çfarë kjo është një sheklje ligji. Shteti ka bërë sikur nuk e ka parë. Por në fakt me këtë shkelje i pasuruari ka futur veten në një grackë. Sepse ai është një i paligjshëm që s’mundet nesër të kërkojë asnjë të drejtë pasi shpejt e shpejt pushtetarët do t’i thonë: je i paligjshëm. Kjo është situata e shumicës së bizneseve tek ne deri tek ata të mëdhenjtë që kanë edhe media. Dhe kjo pafuqi e tij ndaj pushtetarit të vet reflektohet në pafuqinë e tij për të kontrolluar shkeljen e ligjit nga pushtetarët; në pafuqinë për të pasur media që t’i denoncojnë ata, prokurori e gjykata që t’i dënojnë, e me rradhë e me rradhë. Kjo krijon situatën e bashkëpunimit midis të dy palëve dhe krijimin e sistemit të bashkëpunimit. Në këtë sistem, dhuna e të ndjeturit në të ftohtë ndaj atyre që duan të respektojnë ligjin është një dhunë e sistemit të krijuar.
Jam i vetëdijshëm se në këtë shkrim, të inspiruar nga dialogu me kamarierin në një kafe - bar, po them gjëra që në një formë tjetër edhe i kam thënë. Jam i vetëdijshëm po ashtu se, ashtu si dhe ndaj shkrimesh të tjera, nuk do të mungojë vërejtja: këto i dimë, por si dilet prej këtej, cila është aleternativa, si mund të kapërcehet kjo situatë që duket e pashpresë.  Më së pari duhet thënë se gjendja duket e pashpresë pikërisht sepse kemi të bëjmë me një sistem, jo me vullnetin e keq të individëve të caktuar. E këtu ngulmoj se një nga mëkatet e politikës e të shumë gazetarëve në shërbim të njërit krah apo tjetrit është reduktimi i diskurit politik në sulme personale dhe jo në atakim sistemit dhe kërkim alternativash ndaj tij.  Duhet të jemi të vetëdijshëm, po ashtu, se në një sistem të tillë rezistenca e atyre që duan të respektojnë ligjin vjen e mpaket nuk rritet, pasi ata janë përditë e më shumë nën presionin e dhunës që ushtrohet nga strukturat e këtij sistemi. Poende, në një sistem të tillë ligji bëhet gjithnjë e më shumë mjet presioni i shkelësve më të fortë të ligjit, ata që kanë pushtetin, mbi shkelësit e futur tashmë në grackën e sistemit.  Duhet shtuar, po ashtu, se në një sistem të tillë mendësia e shkeljes së ligjit për të mbijetuar vjen e bëhet kulturë dominante ashtu sikurse bëhet edhe dyftyrësia që e kthen retorikën e debatit politik, gjoja në emër të ligjit, në teatralitet gjithnjë e më qesharak. Prandaj, duke u shprehur ironikisht, shkrimin e fundit e kam mbylur me frazën: “Gjendja është e pashpresë, por jo serioze.”
E megjithatë, përderisa vazhdojmë të jetojmë në këtë vend do të vazhdojmë të kërkojmë të jetojmë në një vend, ku ata që respektojnë ligjin (të paktën në një masë të mirë) të rrinë në të ngrohtë kurse shkelësit në të ftohtë. Për këtë, në vazhdën e ideve që kam shprehur në shkrimet parardhëse, dua të them se sejcili, para së gjithash, alternativën duhet ta kërkojë në atë të voglën, të përditshmen e vet atje ku ponon dhe ku vuan dhunën e strukturave të këtij sistemi. Atje duhet të fillojë rezistenca ndaj kësaj dhune strukturore të sistemit. E di që kjo s’mjafton. E di që shumëkujt i vjen në gojë përgjigja se po të reagosh individualisht rrezikon të mbetesh edhe pa bukë. Megjithatë, nëse përdor si metaforë situatën e kafe-barit, di të them se duke dalë kokëunjur në të ftohtë, edhe pse ke të drejtën me vete, me idenë se s’ke ç’bën, kjo është Shqipëria, e të padrejtëve, s’bën tjetër veçse i shtyn jetën këtyre strukturave. Pa individë të revoltuar në emër të së drejtës nuk mund të ketë as masa të revoltuarish që imponojnë pastaj ndryshimin. Të presësh shpëtimtarë në formën e shqiptarëve apo ndërkombëtarëve, ndërkohë që vetë rri pasiv, është të jetosh me iluzione.  

Saturday, January 23, 2010

Bukë, cirk dhe turp

Jam i bindur që futbollistët e Realit të Madridit do ta kujtojnë gjatë historinë e aventurës së tyre në stadiumin Qemal Stafa me atë fikje të dritave që i la një orë e gjysëm në terr përpara fillimit të pjesës së dytë. Por nuk di se si do ta kujtojnë. Një mendje më thotë se do ta tregojnë si punë barcalete për t’i shtuar shijen dhe humorin ndonjë dreke me miqtë. E në këtë version fantazia më thotë se miqtë do t’i pyesin: - po si ndodhi që shkuat në atë vend, ju ra shorti i kupave të Evropës, apo…? Dhe ata do të përgjigjen se një farë sheiku shqiptar i naftës (me siguri emrin do t’ia ngatërrojnë Taçi, Naçi, Paçi - Oil) na organizonte një kupë, për të imituar Berlusconin në Itali, dhe i kishte ftuar të luanin me një skuadër të kategorisë së dytë (Gramazi, Garozi, Grazani), vetëm pse president i saj ishte i ati. Tek e fundit, do t’u thonë, ia vlente të bënim një nga stërvitjet e javës në Tiranë për 2.5 milion euro e për t‘i dhënë kënaqësi tifozëve shqiptarë të Realit. Mundet që, duke qeshur, do të shtojnë se nuk u kishte shkuar ndërmend ta fusnin në kontratën e ndeshjes fikjen e dritave për 90 minuta se atëhere do të kishin kërkuar jo 2.5, por 5 milion Euro. Po pse, kaq naftë ka Shqipëria? – do të pyesin ata të çmeritur dhe ka gjasa që, më të paditurit syresh nga gjeografia, të na mendojnë si shtet arab.
Një mendje tjetër më thotë se futbollisët e Realit do ta kujtojnë me turp faktin që i rrëmbyen 2.5 milion euro një vendi aq të varfër që edhe fushën e stadiumit qendror e kishte si fushë ferme dhe ku s’kishte as edhe një gjenerator në rast fikjeje dritash.

Nxitoj të them se kush mendon se ajo fikje dritash ishte një rastësi fatkeqe, sipas meje, gabohet. Ashtu si veprat artistike që e deformojnë realitetin për ta shprehur atë më mirë edhe ajo fikje dritash ishte një “kryevepër” që e shprehu më mirë se çdo vepër tjetër realitetin shqiptar. Kjo është Shqipëria e vitit 2010. Dhe kush ka hall për imazhin duhet të dijë se as ne dhe as bota nuk kanë nevojë për imazhe makiazhistësh. Ne më së pari kemi nevojë të dimë se cila është Shqipëria reale. Edhe bota po ashtu. Dhe realiteti është ajo që ndodhi: se Shqipëria është një vend ku, ndërsa shumica e njerëzve janë në terr material e shpirtëror, në varfëri, pasiguri jete e përmbytje një grusht njerëzish i lejojnë vetes të hedhin në erë miliona euro; një vend në dorën e bandillëve si ky baron nafte që, pasi i kanë mbjellë të gjitha ish fushat e sportit të kryeqytetit me pallate për të mbushur xhepat, na sjellin ndonjë skuadër të famshme për të na shpëlarë trutë. “Bukë dhe cirk” është shprehja e famshme e Juvenalit që përdoret për të treguar popujt që kënaqeshin me kaq pak, por edhe një formë qeverisjeje të politikanëve mashtrues.
Personalisht, pra, nuk kam asgjë me fikjen e dritave. Përkundrazi gëzohem që ajo ndodhi për të ndëshkuar atë që është thelbi i skandalit: pagesa e 2.5 milionëve euro. Për mua organizimi i kësaj ndeshjeje ishte qesharak dhe revoltues, kurse fikja e dritave sikur erdhi për ta kthyer qesharaken në groteske dhe rovoltën në një kënaqësi shpagimi. Me një fjalë thënies “Bukë dhe cirk” kasta shqiptare në pushtet, me fikjen e dritave, i shtoi edhe fjalën “turp”. Injorancë, vanitet dhe pasuri e vënë shpejt dhe në mënyrë të pamerituar – kjo është përgjigja që jepnin njerëzit duke komentuar turpin. Pa u bashkuar të tre këta elementë zorr se do të bëhej një turp i tillë. Dhe turp është edhe fakti se, sikur të mos ishin fikur dritat, vizita e Realit do të quhej sukses e trumpetohej me të madhe nga mediat tona. Dhe problemi shumë herë më i madh është se vulat e turpeve të këtyre pasanikëve të rinj në një mënyrë apo në një tjetër i sheh në të gjithë vendin jo vetëm në shkatërrimet që kanë sjellë për pasurimin e tyre, por edhe në kulturën kitch që rrezatojnë kudo ku derdhin pasurinë e tyre, dhe në sistemin mjeran të vlerave që përçojnë, pra edhe atje ku u duket se po sjellin përparimin dhe shkëlqimin, siç është edhe rasti i ftesës së Realit.
Sa për ngushëllim mund t’i them lexuesit se njerëz të kategorisë së tyre ka në gjithë botën, veçanërisht në atë ish komuniste nga ku ne vijmë. Pra nja dy vjetësh lexoja një lajm ku thuhej se disa prej oligarkëve rusë, në garë me njëri tjetrin, paguanin disa milionë euro për të ftuar natën e Vitit të Ri në vilat e tyre lluksoze private këngëtarë të njohur perëndimorë për të kënduar vetëm një orë apo edhe gjysëm ore për ta dhe të ftuarit e tyre. Shumica nuk e kishin pranuar si Madona, për shembull. Kurse George Michael kishte shkuar dhe paratë e fituara i kishte shpenzuar për një fondacion që jepte ndihma në Angli. Por ajo që më bëri më shumë përshtypje në lajmin ishte se rusët e thjeshtë talleshin me oligarkët e tyre duke thënë: “Nuk kanë faj të shkretët, s’e dinë që ekziston CD-ja”. Ja pra ç’do të thotë vanitet, injorancë dhe pasuri e vënë shpejt.
Po e mbyll duke treguar një histori që më tregoi një mik duke më komentuar këtë skandal të rradhës, që si skandale të tjerë paraardhës do të kalojë pa venë mend. Çurçilli duke folur për gjendjen në kohën e sulmeve gjermane në Luftën e Dytë u tha parlamentarëve për t’u dhënë edhe kurajo: “Gjendja është serioze, por jo e pashpresë.” Një deputet irlandez e mori fjalën pas tij për të përshkruar gjendjen në Irlandën e Veriut dhe tha: “Kurse tek ne gjendja është e pashpresë, por jo serioze.” (Korrieri, 23 janar 2010)

Tuesday, January 19, 2010

Përgjigje një lexuesi

Një lexues kishte vendosur në internet një koment për shkrimin tim "Punë batakçinjsh" ku shkruante me një lloj qesëndie të lehtë, por edhe shumë të arësyeshme: "Vetëdija që të dyja palët politike përfaqësojnë, në thelb, të njëjtën kastë gjysëm-kriminale të pasuruarish në kurriz të pronës publike ekziston gjerësisht në shoqërinë shqiptare […] Tashmë një denoncim më shumë nuk i bën gjë tjetër publikut shqiptar përveçse i trash shollën gjithsesi tepër të trashë që i është krijuar ndaj "skandaleve" të përjavëshme. […] E thënë shkurt, që këta janë "horra" këtë e dimë, por se si mund të ndodhë konkretisht gjenerimi i një alternative është çështje ku ka nevojë për mendime kritike e konstruktive."
Si shumë lexues të tjerë, numri i të cilëve vë re se, fatmirësisht, është shtuar kohët e fundit, edhe ky lexues, ngulmonte se energjitë duhen përqendruar tek krijimi apo mbështetja e alternativave më tepër sesa tek denoncimi i elitave aktuale dhe, në këtë kontekst, vinte në dukje se diskutimeve mbi alternativat ndaj kësaj elite të korruptuar nuk u jepet as rëndësia, as hapësira e as vëmendja e duhur.
Më së pari dua t'i përgjigjem përsa i përket çështjes së denoncimeve. Nuk pajtohem me idenë se një denoncim më shumë sot bën efektin e kundërt: trash edhe më lëkurën e shoqërisë. Në vështrim të parë mund të duket kështu, ngase një denoncim duhet të shoqërohet me një reagim ndaj të keqes që ai denoncon, nëpërmjet gjykatave psh. kurse, kur nuk ndodh kjo, duket se të denoncuarit fitojnë të drejtën për të bërë skandalin e radhës, kurse publiku, duke parë se skandali vetëm trash skandalin, mund të thotë: më mirë të mos e dinim se kështu nuk do të kishim vuajtjen e një padrejtësie më tepër të pandëshkuar. Por, sipas meje, sikur të ndodhte që askush të mos reagonte më për asnjë lloj skandali, apo sikur skandalet të zhvilloheshin në heshtje, atëhere do të ishte edhe më keq. Mospranimi dhe denoncimi i së keqes, qoftë edhe vetëm me fjalë, është shumë më mirë sesa heshtja. "Të tregosh ç'po ndodh në vend, është sikur të krijosh antikorpe." thotë një denoncues i njohur, autori i librit "Camorra", Roberto Savjano. Denoncimi është premisa e parë për të ngritur pastaj edhe nevojën e diskutimeve e propozimeve për ndryshim. Nuk ka denoncim që të mos përmbajë, në mënyrë direkte apo indirekte, edhe propozimin per ndryshimin që është, si të thuash, ana tjetër e medaljes së denoncimit. Në shkrimin tim të fundit në mënyrë më eksplicite bëhej edhe një propozim. Thoja se kjo krizë ekonomike e ky konflikt politik që po kalojmë, që gjeneron nga interesa të ngushta dy partish/banda që janë mësuar të jetojnë duke grabitur, e që tani u është pakësuar ushqimi në xhungël, duhet të ndihmojë që në të dy kampet të "vritet" radha e parë e atyre që janë më përgjegjës dhe më të kriminalizuar dhe të dalë në krye radha e dytë më e moderuar më e ndjeshme ndaj nevojës për ndryshim. Është thjesht një propozim që, pas shumë gjasash, nuk do të realizohet, por është një propozim që kërkon të hapë edhe diskutim siç ka hapur psh. tek lexuesi në fjale dhe tek një pjesë që e kanë kundërshtuar duke e quajtur jorealist e duke kërkuar alternativën.
Po ashtu dua të them se çështja e denoncimit të skandaleve nuk është thjesht e vetëm çështje e njohjes së të keqes dhe gjetjes së alternativave ndaj saj, por është edhe çështje lirie. Shpesh herë mosdenoncimi i së keqes tregon shkallë edhe më të ulta lirie. Pra denoncimi vlen qoftë edhe për të mbajtur gjallë disa të drejta themelore, siç është liria e shprehjes. Dhe unë besoj se problemi i kësaj lirie nuk është një problem i tejkaluar në shoqërinë shqiptare, përkundrazi. Vërtet ka denoncime në media, por ajo që vihet re në shumicën e tyre është se ato nuk janë denoncime të kastës në tërësinë e vet, por denoncime selektive në emër të interesave të njërës pjesë të kastës kundër tjetrës, që, sikurse e kam shtjelluar në disa shkrime paraardhës, nuk është e njëjta gjë, pasi denoncimet e këtij lloji nuk kanë kredibilitetin e qëllimit të mirë, por edhe nuk rrokin thelbin e fenomenit që denoncohet, që është i përbashkët në të dy kampet.
Kjo shpjegon edhe pse ka aq pak diskutime për nevojën e ndërtimit të një alternative ndaj kësaj elite: pasi hapësirën publike e ka pushtuar kjo elitë e cila lejon të goditet njëri krah në emër të krahut tjetër, (madje ajo edhe mbijeton në sajë të kësaj loje gjoja demokratike), por që do të shqetësohej shumë po të goditej në të dy krahët e saj nga një lëvizje alternative.
Po ashtu diskutimi i alternativave bëhet edhe më I vështirë sepse aktorët që mund ta duan këtë diskutim janë të paorganizuar. Mua më rezulton se ata janë kryesisht individë të shoqërisë civile të internetit, shpesh të shpërdarë në të katër anët e botës, që ndjehen më të lirë mu pse janë të pavarur ekonomikisht nga elita në fjalë e që, megjithatë, edhe në internet shkruajnë si anonimë ose me pseudonime, siç është edhe rasti i lexuesit në fjalë.
Prandaj, sipas meje, mbetet në fuqi dilema: një alternativë ndaj kësaj elite apo emancipim gradual i kësaj elite.
Kush i ka ndjekur shkrimet e mija në vazhdimësi do të gjejë kontradiktën lidhur me këtë dilemë ku herë i mëshoj idesë së nevojës së një alternative dhe herë emancipimit gradual brenda kësaj elite. Duke dashur t'i pajtoj këto dy opsione do të formuloja pak a shumë një mendim të tillë: duhet ndërtuar një elitë e re, një alternativë pra ndaj kësaj elite, por nga nga tjetër, kjo është e vështirë për shumë arsye ndër të cilat edhe ajo se një elitë injorante dhe e korruptuar vështirë se pjell të rinj të ndritur e të ndershëm; kombinuar kjo me faktin se në vende ku mbretëron një elitë e tillë më të mirët detyrohen të ikin. Po të vesh re historinë e revolucioneve që kanë sjellë progres këta nuk kanë ardhur si reagim ndaj shtypjeve të etërve, por si rezultat i iluminimit të tyre. Ndërsa një elitë që nuk emancipohet, por vjen duke u degraduar, sa më shumë që mban pushtetin, sjell një rrëzim të shëmtuar që vështirë se pjell ndonjë gjë pozitive. Ja pse ndoshta zgjidhja më e mirë do të ishte kombinimi i përpjekjeve për të emancipuar elitën ekzistuese brenda institucioneve ekzistuese me përpjekjet për krijimin e alternativave që i denoncojnë e refuzojnë këta. Dikush do të thotë se janë dy gjëra që përjashtojnë njëra tjetrën. Do të thoja se sa më demokratik të jetë një vend aq më shumë ekziston mundësia e bashkekzistencës së këtyre dy opsioneve. Një arsye më shumë kjo për të mbështetur ardhjen në krye të partive/banda të figurave më të pastra e më pak autoritare.
Edhe një gjë tjetër më sjell ndërmend kërkesa për zgjidhje. Në letrën e tij, lexuesi kërkon të gjejë një zgjidhje dhe sugjeron diçka që, sipas mendmit tim, më shumë sesa zgjidhje është një denoncim interesant. Ai thotë se Tirana, si qendër kulturore, mediatike e ideologjike, duhet të vihet në një pikëpyetje shumë shumë serioze pasi në këtë qytet është ngritur një kulturë korrupsioni e pashembullt që përshkon të gjitha shtresat shoqërore e që mbyt çdo lëvizje alternative që në filiz. Sipas tij ka ardhur koha të mendohet seriozisht për fuqizimin gradual kulturor e ideologjik të një qyteti tjetër shqiptar ku alternativat eventuale politike do të mund ta kalonin kohën e inkubimit dhe lulëzimit të tyre të patrazuara nga korrupsioni dhe forca konformuese e Tiranës.
Besoj se edhe kjo zgjidhje që jep lexuesi tregon se sa e vështirë është gjetja e zgjidhjes. Sepse, sipas meje, është më e lehtë të ndërtosh në Tiranë një minorancë që arrin e bëhet masë kritike e maxhorancë nesër sesa të ndërtosh nga e para një kryeqytet alternativ ndaj Tiranës përsa i përket pushteti politik, ekonomik dhe kulturor. Është po ashtu e paimagjinueshme se si ky ishull i moralshëm do të mund të "zaptonte" pjesën tjetër të pamoralshme të vendit.
Prandaj kur shtrojmë problemin e gjetjes së zgjidhjes më duket se duhet të kemi parasysh një gjë: se e keqja që përjetojmë nuk ka zgjidhje të menjëherëshme. Nuk është pra si të thuash se ne, që tentojmë të bëjmë analiza, jemi në rolin e mjekut të paditur që nuk e diagnostikon saktë të sëmurin dhe prandaj jep terapi të gabuar dhe sëmundja vazhdon. Përdorimi i metaforës së trupit të sëmurë ka kufizimin e vet. Nuk është si të gjesh një terapi intensive që do ta zhdukte të keqen në një kohë të shkurtër dhe përfundimisht. Të keqen ne e dimë se cila është, madje teorikisht dimë se çfarë do të duhej për ta pastruar atë, por nuk mundim ta bëjmë dot këtë pasi trupi shoqëror nuk është si një trup i vetëm njeriu që gëlltit një ilaç apo kryen një operacion e shërohet. Ai është një gjë shumë më komplekse. Mjaft të kesh parasysh se instrumentet e operacionit në fjalë, dmth. pushtetin dhe institucionet e tij, që janë edhe instrumentet për ta ndryshuar realitetin, e ka në dorë ajo elitë që nuk ka interes për këtë shërim pasi ky do të thotë pikërisht goditje e saj. Ja pse them se qoftë edhe vetëm denoncimet kanë rëndësi. Sepse ato do të ndihmonin, gjithsesi, për të prodhuar "antikorpe" çka do të thotë, mes tjerash, për të vetëdijësuar jo vetëm shoqërinë në përgjithësi, por edhe pjesën më të ditur e më pak të komprometuar të kësaj elite, për atë se, në terma afatgjata, bashkë me trupin që vdes do të mbarojë edhe ajo. Prandaj dhe emancipimi i elitës që ka në dorë institucionet e pushtetit mendoj se është i rëndësishëm. Por, pa dyshim, këtë emancipim do ta përshpejtonin ata që, duke e quajtur të pamjaftueshëm atë, do të kërkonin ndërtimin e një alternative, do të organizoheshin për ta realizuar atë e për ta futur në skenën e demokracisë së brishtë shqiptare. (Korrieri, 19 Janar)

Tuesday, January 12, 2010

Mbi katastrofën në Veri

Një i njohur që punon në një dikaster, kur e pyeta se si shkonin punët atje, më tha një ditë: "Ç'të të them? Këta nuk shtojnë në organikë njerëz që bëjnë punën, por këshilltarë dhe zëdhënësa shtypi."
Nuk di se sa është e vërtetë kjo për çdo dikaster, por, edhe nëse nuk është e vërtetë, është shumë e gjetur për të shprehur filozofinë e "punës" së politikanëve tanë. Këshilltarët dhe zëdhënësit janë simbole të dy aspekteve të kësaj "pune". Kur themi "këshilltarët" duhet të kemi parasysh gjetje pune për miq e militantë të partisë, kurse, kur themi "zëdhënësa shtypi", duhet të kemi parasysh faktin se propagandimi i punës është shumë më i rëndësishëm sesa vetë puna.
Vlen të thuhen këto fjalë veçanërisht duke patur parasysh katastrofën që po ndodh në Veri me përmbytjen e afro 10 mijë hektarëve tokë e të mijëra shtëpive. Unë nuk di se sa e vërtetë është akuza e hedhur në shtyp nga opozita se portat nuk janë hapur sipas rregullores, kur ka arritur një nivel i caktuar i ujit, me synim që të grumbullohej ujë për të shitur pastaj energji. I takon Prokurorisë me ekspertët e saj të hetojë për këtë. Por ama është një akuzë e besueshme, pikërisht kur ke parasysh filozofinë e punës me "këshilltarë" dhe "zëdhënësa" e jo me specialistë.
Katastrofat natyrore mund të jenë ndonjëherë vërtet të mëdha, por ato nuk janë thjesht dhe vetëm natyrore, sepse reagimi ndaj tyre dhe, për më tepër, aftësia për t'i parandaluar ato, janë njerëzore. Nuk është rastësi që fatkeqësitë më të mëdha natyrore, me pasoja më të rënda, zakonisht ndodhin në vendet që kanë shtete të dobët. Madje, përsa i përket katastrofave të lidhura me kushtet klimaterike, Shqipëria bën pjesë në ato vende që mund të konsiderohen fatlume, sepse ka një vendndodhje në glob për t'ia pasur zili shumë shtete.
Katastrofa jonë e fundit, përtej të paevitueshmes natyrore, po tregon thjesht se ne kemi një shtet të dështuar. E keqja është se askush nga forcat politike nuk kërkon t'i hyjë me themel një diskutimi se pse kemi një shtet të dështuar. Qeveria fshihet pas fatkeqësisë natyrore, që ka ndodhur edhe në vende të tjera, kurse opozita ka vetëm një hall, se si ta shfrytëzojë këtë fatkeqësi për të ardhur në pushtet, por jo për të nxjerrë konkluzione që kanë të bëjnë me gjithë politikat që janë ndjekur. Dhe më e keqja është se, kur edhe pas katastrofash të tilla nuk ndodh kjo, atëhere vendi duket pa shpresë.
Sigurisht, po të tentosh të kërkosh shkaqet njerëzore të kësaj katastrofe e të japësh mendim se çfarë mund të bëhet në të ardhmen do të duhej të shkruheshin libra. Nuk mjafton pra një shkrim si ky. Por, si qytetar dhe gazetar, dua të them me këtë shkrim se kjo ngjarje duhet të ngrinte me të madhe një debat mbi dy tre gjëra:
Së pari, duhet të fuste në sitën e analizës dhe kritikës karakterin e investimeve publike në vendin tonë. Si dhe ku janë derdhur paratë e taksapaguesit shqiptar. E këtu besoj se nuk mund të mos kesh parasysh se, kur flitet për investime publike në Shqipëri, të vijnë ne mend vetëm politika rrugësh - a thua se një vend ka nevojë vetëm për rrugë. E, në këtë kontekst, nuk mund të mos të të vijnë ndërmend edhe qindra milion euro që janë derdhur në rrugën Durrës - Kukës, ndërkohë që i gjithë Veriu është lënë në pikë të hallit, siç e tregon edhe kjo katastrofë.
Së dyti, lidhur me të parën, kjo katastrofë duhet të rikthejë edhe një herë në vëmendje një problem që, pas krizëz ekonomike botërore, është bërë temë e ditës kudo në botë. E kam fjalën për atë se, duke çuar deri në ekstrem modelin neolibaral perëndimor, tek ne roli i shteti u pakësua në maksimum dhe zhvillimi i vendit u la në dorë të spontanitetit të inisiativave private. (Për të mos folur për atë se shteti edhe u kap nga interesat mafjoze private). Pra, gjoja në emër të interesave të vendit, por, në të vërtetë, në emër të interesave të grupeve të caktuara, u tha sikur shpëtimi për çdo problem do të na vijë nëpërmjet privatizimit. Mirëpo edhe në vende ku morali është shumë më i lartë dhe ku gjyqsori punon, si SHBA, kjo filozofi tregoi dobësinë e rrezikshmërinë e saj sepse, shpesh, lënia në dorë të gjithshkaje, dhe pa kontroll, privatit mund të sjellë spekullim e pasurim të një pakice dhe katastrofa për shumicën. Mjafton të kesh parasysh shkatërrimin që u ka bërë lumenjve cdhe pyjeve privati në vendin tonë për të vërtetuar këtë e për të kërkuar rishikimin e këtyre politikave.
Së treti. lidhur me të dytën, kjo katastrofë po nxjerr në pah se një nga karakteristikat e një shteti të dështuar është mungesa e kontrollit të terrritorit. Krahas privatëve që kanë shkretuar pyje, kanë gërryer lumenj e kanë shkatërruar toka buke me investimet e tyre kemi edhe një ushtri vandalësh që kanë ndërtuar ku kanë mundur, pa leje dhe me leje abuzive dhe sot ndodhen nën ujë. Më qesharakja është se këtyre njerëzve sot u premtohet dëmshpërblim nga paret e taksapaguesit shqiptar. Nuk mund të mos kujtosh me këtë rast se edhe shtëpitë e Gërdecit qenë të gjitha abuzive. Në një shtet që funksionon nuk lejohen këto ndërtime ndërsa nëse ato janë dhënë me leje korruptive ndëshkohen ata që i kanë dhënë këto leje. Ndërsa tek ne, ndërkohë që premtimet e Sali Berishës për kontroll territori kanë rezultuar thjesht demagogji, shohim se opozita, edhe ajo, premton dëmshpërblim sikur të vijë në pushtet.
Përmenda shkurt dy tre gjëra që të vijnë vetvetiu në mendje. Sigurisht këto tema dhe të tjera kanë nevojë për punën e hollësishme të ekspertëve e të specialistëve të fushës. Edhe opozita, nëse ka ekspertë dhe jo "këshilltarë", këtë analizë duhet të bëjë, e të ndërtojë një projekt alternativ daljeje nga shteti i dështuar dhe jo thjesht të kërkojë dorëheqjen e Dritan Priftit, a thua se, sikur të kishte qenë ndonjë tjetër, nuk do të kishte ndodhur kjo që ndodhi.
Që njerëz si Berisha, por edhe si Rama, por edhe si shefat më të vegjël në krye të dikastereve më të ulëta, nuk kanë nevojë për këshilltarë të vërtetë, të cilëve t'u kërkojnë mendim me të vërtetë, këtë e provon qëndrimi i tyre ndaj kritikave publike në media. Megjithë problemet e shumta që ka media jonë, nuk kanë munguar ide e kritika racionale në të mirë të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit nga intelektualë e gazetarë e politikanë. Kujtoj se edhe për piramidat financiare Berisha ka qenë i paralajmëruar, e megjithatë nuk reagoi derisa erdhi katastrofa. Ashtu sikurse Rama për politikat e tij në ndërtim. Shkaku i mosreagimit të tyre për mua qëndron në lidhjet korruptive që nuk i lënë të dalin nga hullia ku janë futur plus deliri i të plotfuqishmit. Ata nuk dëgjojnë dot fjalët e këshilltarëve të vërtetë specialistë, që dinë më shumë se ata në fushën përkatëse, sepse, në më të shpeshtën, këshillat e tyre do të binin ndesh me ato të sekserëve të tyre (prandaj dhe shpesh këshilltarët që zgjedhin bëjnë edhe punën e sekserit) si dhe sepse ata e konsiderojnë veten edhe krye ekspertë, ndjenjë që ua jep deliri i gjithpushtetshmërisë. Le të mos harrojmë se vijmë nga një periudhë kur diktatori Hoxha, gjithpushtetshmërinë e të cilit duket sheshit se këta e kanë zili, vendoste se Shqipëria kishte naftë dhe i çonte ekspertët në gjyq e i pushkatonte si sabotatorë kur nuk dilte naftë atje ku kishte thënë ai.
Kur politika, për qëllimet e pushtetit e të parasë, komandon teknikën e injoron edhe ligjet e natyrës kështu ndodh. Kemi dëgjuar se edhe tuneli Rrëshen - Kalimash u shemb (sipas disave nuk bëhet dot më, sipas disa të tjerëve, do të hajë edhe kushedi sesa miliona të tjerë), pasi politika ka komanduar teknikën e ndërtimit të tuneleve, meqë ai duhej të inagurohej përpara zgjedhjeve. Edhe për këtë kërkohet transparencë ekspertësh sepse ato nuk janë paratë e Sali Berishës, por janë paratë tona.
Të keqen e madhe të injorimit të specialistëve e të këshilltarëve të vërtetë për arsyet e përmendura më sipër politikanët tanë kërkojnë ta kompensojnë me të keqen tjetër: fenomenin zëdhënës. Punën duhet të dish ta shesësh, jo ta bësh. Ja pse duhen zëdhënësit, rolin e të cilve, për fat të keq, e marrin edhe shumë gazetarë. Dhe kjo shkon deri në atë shkallë sa shitja zëvendëson edhe vetë punën.
Rezultatet duken sheshit. Shqipëria është e përmbytur e gjitha, jo vetëm në Veri. Kjo katastrofë është vetëm pjesë e përmbytjes së gjithë Shqipërisë gjatë këtyre 20 vjetëve nga diletantizmi dhe korrupsioni i një klase politike kriminale dhe e papërgjegjëshme që është mësuar të mos përgjigjet edhe për gjëra më të mëdha (mjaft të kesh parasysh 97-tën) e që, sa më shumë kalon koha, aq më tepër e katandis punën e saj në politika këshilltarësh dhe zëdhënësish, ndërkohë që specialistët dhe njerëzit e ndershëm, i le pa punë, i shpall armiq, e i detyron të ikin jashtë shtetit. (Korrieri, 12 janar 2010)

Prapa dyerve të mbyllura

Morrelle Smith

Times Literary Supplement

Në kohën e Kampit Komunist të Lindjes, rrjeta e “perdes së hekurt” dhe papërshkueshmëria e saj kishte variacione të dukshme, ashtu siç kishin edhe lidhjet me Bashkimit Sovjetik dhe qëndrimi ndaj tij. Tito arriti ta shkëpuste Jugosllavinë nga dominimi rus, çka u lejoi nënshtetasve jugosllavë një shkallë lirie që nuk e gëzonin vendet e tjera komuniste. Prishja e Shqipërisë me BRSS qe një gjë tjetër. Ajo ndodhi për shkak të refuzimit të udhëheqësve të saj për t’u pajtuar me lehtësimin relativ të kushteve që solli Hrushovi dhe ngulmimin e tyre për të vazhduar linjën staliniste. Aleanca e shkurtër me Kinën i solli Shqipërisë disa përfitime përsa i përket ekonomisë dhe punësimit në ndërtimin e fabrikave, por, kur edhe kjo marrëdhënie u prish, Shqipëria mbeti vetëm. Sundimi me diktaturë të egër sjell gjithmonë paranoja, por në rastin e Shqipërisë kjo u rrit nga mos ekzistenca e asnjë lloj aleati. Frika e ngulitur thellë e një invazioni nga Perëndimi prodhoi frikë të re të invazionit nga vendet e tjera komuniste, veçanërisht BRSS.
Çdo mjedis i mbyllur hermetikisht ka potencialin për tu bërë, siç i themi ne, “i çmendur”. Ndarja nga e gjitha, qoftë në terma psikologjike apo sociologjike është tmerrësisht e pa shëndetshme.
Udhëheqësit shqiptarë ishin thellësisht dyshues ndaj motiveve të cilitdo shteti tjetër ndaj tyre. Vërtet nuk ekzistonte një mur fizik, por ekzistonte një gardh prej mijëra bunkerësh betoni i ngritur përgjatë bregut shqiptar. Nuk kishte as liri lëvizjeje dhe as liri shprehjeje. Siç na e bën të qartë Fatos Lubonja, në memuarin e persekutimit të tij “Ridënimi”, në një vend
si Shqipëria mund të akuzoheshe edhe pse kishe shprehur fjalë dhe ndjenja që nuk i kishe shprehur kurrë. Madje edhe më keq, të burgosurit që ishin duke vuajtur dënimin e parë mund të dërgoheshin në gjyq dhe t’u jepej një dënim i dytë që i shtohej të parit.
Edhe çmenduria ka logjikën e vet. “Ridënimi” na çon në labirintin e kësaj logjike, në botën e ndërlikuar të njerëzve të trembur dhe të frikësuar. Është përkthimi i parë në anglisht i një përvoje personale gjyqi dhe burgimi në Shqipërinë komuniste. Shkruar nga një nga romancierët e shquar shqiptarë dhe e përkthyer në një anglishte të natyrshme dhe plot ritëm nga John Hodgson është një libër që të thith dhe të tmerron njëherësh.
Rrëfimi fillon në kampin burg të Spaçit, ku Lubonja po vuan shtatë vitet e dënimit të parë - një dënim “i lehtë” ky - për “agjitacion dhe propagandë”. Ne mësojmë atje për disa të burgosur të tjerë, për jetën rutinë të kampit, punën rraskapitëse dhe mungesën e ngrohjes. Ritmi këtu është i matur dhe i qetë, përshkrimi objektiv, thuajse nënvlerësues. Na tregohet edhe vetëpërmbajtja e madhe e të burgosurve për të mos iu përgjigjur provokimeve të gardianëve. Në dimër, ku temperaturat arrinin në minus njëzet gradë një dërgim në birucat ndëshkimore do të thoshte edhe vdekje. Flitet se Komitetit Qendror të Partisë Komuniste i është dërguar një letër nga dy të burgosur, Fadili dhe Vangjeli. Askush nuk e di se çfarë është shkruar në të, por thashethemi është përhapur. Dy të burgosurit merren, askush nuk e di se për ku. Më vonë të burgosur të rinj që vijnë në kamp tregojnë se ata mbahen në burgun e Tiranës. Kalojnë disa muaj, kur një ditë edhe Lubonja bashkë me të burgosur të tjerë merren papritur. Edhe ata dërgohen në Tiranë dhe futen secili në një qeli të veçantë.
Ne ndajmë hutimin e Lubonjës dhe historinë e kësaj rruge nëpër terr në kuptimin real dhe metaforik të fjalës. Ne ndajmë gëzimin e tij kur arrin të gjejë një vrimë të vogël prej nga mund të shohë disa metra korridor. Ndërkohë që ditët dhe muajt kalojnë ne fillojmë të shohim nëpërmjet pyetjeve në hetuesi natyrën insidioze të akuzave kundër tij dhe të tjerëve. Ne zbulojmë një numër dyersh, pjesa më e madhe e të cilave janë të mbyllura. Dera e qelisë që të nxjerr në korridor, dera e katit ku janë qelitë e tjera, dera e hetuesit, dera e sallës së gjyqit. Njerëzit shfaqen dhe zhduken nëpërmjet këtyre dyerve.
Prapa “derës së fundit” ndodhet “lideri suprem”, diktatori Enver Hoxha, i cili nuk shihet e përmendet, por që vëzhgon nga lart mbi sallën e gjyqit, ndoshta duke dëgjuar procesin. Të pandehurit nuk mund ta marrin dot kurrsesi me mend humorin e tij. Në ç’ masë vendimi i gjyqit ishte tashmë i vendosur, këtë nuk mund ta dimë. Megjithatë së jashtmi jepet përshtypja e një gjyqi “të rregullt”. Të burgosurit dëshmojnë dhe lejohen të flasin në mbrojtje të tyre. Një goxha punë është bërë për përgatitjen e dosjeve nga njerëz frika e të cilëve ndihet gjithashtu. Duhet të ndiqen procedura korrekte në mënyrë që vendimi të duket i justifikuar madje edhe “i drejtë”. Siç thotë Lubonja: “Të gjithë kërkonin kudo komplote dhe prapaskena. Të mëdhenjtë për shkak të paranojës dhe manisë së persekutimit; të vegjlit sepse, duke zbuluar komplote, merrnin lëvdata prej tyre dhe vërtetonin se sa të nevojshëm ishin. Të parët e imagjinonin komplotin, kurse të dytët e bënin realitet, derisa, më në fund, të dy palët e besonin.”
Dëshmia e Lubonjës mbështetet në përshkrime mendjekthjellëta e kockore dhe në të dhëna faktike nga dosjet e gjyqit. Kurajua dhe elokuenca e Fadil Kokomanit, i akuzuari kryesor, mbetet e paharrueshme. Edhe sikur vetëm për fjalët e tij, ky libër është i rëndësishëm.
Sikurse ka thënë Doris Lessing, dukej sikur qëllimi i diktaturës ishte të
zhdukte më të mirët. Fatos Lubonja tregon se ata nuk ia arritën. (Panorama, Janar 2010)