Friday, January 29, 2010

Nga shkelësit, për shkelësit

Para disa ditësh, teksa hyra brenda në një kafe - bar të njohur dhe pashë se lokali qelbej në tym duhani, midis meje edhe kamarierit u zhvillua ky dialog:
“ Ju nuk e njihni ligjin këtu, mesa duket.”
“Pse? - më tha”
“Po ç’është gjithë ky duhan që pihet?”
“Po ç’tu bëjmë ne këtyre; këta e kanë fajin.”
“Jo, fajin e keni ju, se po të vijë policia ua vë juve gjobën jo këtyre. Po meqënëse këtu shteti…”
E lashë me kaq muhabetin. Dola në tryezat jashtë ku, meqënëse atë ditë kishte diell (me dhëmbë), mund të rrihej sa për të pirë një kafe. Ashtu si unë jashtë kishte edhe të tjerë e mendimi që më erdhi, duke i parë edhe ata dhe veten jashtë, ishte se në këtë vendin tonë, ku balta është më e ëmbël se mjalta,  kush shkel ligjin rri në të ngrohtë kurse kush e respekton apo e ka frikë është i detyruar të mbërdhijë si qen në të ftohtë.
Në fakt situata e kafe - bareve pas daljes së ligjit mbi ndalimin e duhanit në ambjentet publike është emblematike për të parë e studiuar raportin e shqiptarëve me ligjin. Gjëja e parë që të bije në sy është se sa të shumtë janë ata që nuk e përfillin ligjin. Edhe në një vend si Italia, që s’njihet për ndonjë shoqëri që e respekton ligjin, nuk më ka qëlluar të shoh një qytetar të vetëm të pijë duhan brenda, pasi u vendos ligji. Po pse ndodh kjo tek ne?
Janë dy faktorët që bëjnë të respektohet ligji: së pari, vetëdija qytetare se ligji është një rregullues i marrëdhënieve me të tjerët. Së dyti, frika e ndëshkimit ndaj shkeljes së tij. Tek dialogu im me kamarierin dallohen qartë këta dy faktorë dhe treguesit e nivelit të tyre. Kur ai më tha: “ç’tu bëjmë ne këtyre; këta e kanë fajin.” kemi treguesin e faktorit vetëdije; tek përmendja ime e policisë dhe shtetit mungues kemi treguesin e faktorit frikë.
Nëse flitet për shtet të dobët në Shqipëri, deri për shtet të dështuar, në thelb të këtij dështimi qëndron kultura që reflektojnë kafe – baret e mbushur me njerëz me cigare ndezur që nuk duan t’ia dinë se ka një ligj që e ndalon atë. Besoj se në historinë e Shqipërisë kjo është periudha kur shoqëria jonë ka njohur minimumin e vet përsa i përket respektit ndaj ligjit në kuptimin e vetëdijes dhe frikës. Në kohën e Zogut, megjithë abuzimet e shumta, ka pasur, prap, më shumë vetëdije pasi ka pasur më shumë komunitete të stabilizuara me kohë në qytete dhe fshatra, ka pasur pronë më të stabilizuar, ka pasur shumë më respekt dhe frikë ndaj ligjeve morale të fesë po ashtu, si edhe frikë nga ndëshkimi i shtetit, sigurisht. Në kohën e komunizmit vërtet komunitetet u shkatërruan për shkak të kolektivizimit të detyruar, zhvendosjeve të shumta që kreu regjimi për shkak të industrializimeve e kooperativizimeve, rritjes demografike dhe vërtet feja edhe prona u shkatërruan, por ka pasur shumë më tepër frikë nga shteti. Jam i bindur se në të dy këto periudha, po të vihej një ligj për ndalimin e duhanit, ky do të respektohej shumë më tepër sesa sot.
Nuk pretendoj të analizoj në këtë shkrim të gjithë faktorët e mosrespektimit të ligjit, ku, pa dyshim, ndikimi i të kaluarës komuniste ka peshën e vet të rëndësishme, por dua të denoncoj një faktor të së sotmes që gjykoj se e ka stimuluar këtë situtatë. Duke parë gjendjen e kafe – bareve ku ata që shkelin ligjin rrinë në të ngrohtë kurse të tjerët mbërdhijnë si qen në të ftohtë dikush mund të shtrojë pyetjen: ç’faj ka shteti kur shumica nuk ia respekton ligjin që ai e ka vënë? Sipas  gjykimit tim problemi nuk është kaq i thjeshtë. Pra, nuk se kemi të bëjmë me një shtet të mirë në vetvete, por që s’ka ç’u bën qytetarëve të tij të paedukuar dhe të pakulturuar. E vërteta është se kemi të bëjmë me një situatë kompliciteti të shtetit me shkelësit e ligjit. Në një vend normal demokratik shkelja e ligjit kontrollohet nga të dy palët: nga qytetarët që zgjedhin pushtetarët dhe nga pushtetarët që kontrollojnë respektimin e ligjit për të mbrojtur bash interesat e zgjedhësve të tyre. Ajo që ndodh në këtë vendin tonë është e kundërta. Ne kemi ndërtuar një sistem politiko ekonomik ku shkelja e ligjit është një nevojë. Në një mënyrë ose në një tjetër të gjithë duhet të çalltisin jashtë ligjit për të mundur të mbijetojnë. Kush ndërton pa leje bëhet me shtëpi kush pret leje nga ligji mbetet pa shtëpi. Kush jep e merr rryshfet plotëson nevojat e bëhet i pasur, kush nuk e bën këtë ose ngordh ose ikën e lan pjatat në Perëndim.  Në këtë sistem edhe vetë politika është instrument mbijetese jo shërbim ndaj qytetarit dhe ligjit. Sepse ne jetojmë në një sistem që është i ndërtuar nga shkelësit e ligjit, për shkelësit e ligjit. E kështu krijohet një mekanizëm kompliciteti midis shtetit dhe shkelësit të ligjit. Nëse dikush është pasuruar duke kryer trafiqe apo evazion fiskal apo ku di unë çfarë kjo është një sheklje ligji. Shteti ka bërë sikur nuk e ka parë. Por në fakt me këtë shkelje i pasuruari ka futur veten në një grackë. Sepse ai është një i paligjshëm që s’mundet nesër të kërkojë asnjë të drejtë pasi shpejt e shpejt pushtetarët do t’i thonë: je i paligjshëm. Kjo është situata e shumicës së bizneseve tek ne deri tek ata të mëdhenjtë që kanë edhe media. Dhe kjo pafuqi e tij ndaj pushtetarit të vet reflektohet në pafuqinë e tij për të kontrolluar shkeljen e ligjit nga pushtetarët; në pafuqinë për të pasur media që t’i denoncojnë ata, prokurori e gjykata që t’i dënojnë, e me rradhë e me rradhë. Kjo krijon situatën e bashkëpunimit midis të dy palëve dhe krijimin e sistemit të bashkëpunimit. Në këtë sistem, dhuna e të ndjeturit në të ftohtë ndaj atyre që duan të respektojnë ligjin është një dhunë e sistemit të krijuar.
Jam i vetëdijshëm se në këtë shkrim, të inspiruar nga dialogu me kamarierin në një kafe - bar, po them gjëra që në një formë tjetër edhe i kam thënë. Jam i vetëdijshëm po ashtu se, ashtu si dhe ndaj shkrimesh të tjera, nuk do të mungojë vërejtja: këto i dimë, por si dilet prej këtej, cila është aleternativa, si mund të kapërcehet kjo situatë që duket e pashpresë.  Më së pari duhet thënë se gjendja duket e pashpresë pikërisht sepse kemi të bëjmë me një sistem, jo me vullnetin e keq të individëve të caktuar. E këtu ngulmoj se një nga mëkatet e politikës e të shumë gazetarëve në shërbim të njërit krah apo tjetrit është reduktimi i diskurit politik në sulme personale dhe jo në atakim sistemit dhe kërkim alternativash ndaj tij.  Duhet të jemi të vetëdijshëm, po ashtu, se në një sistem të tillë rezistenca e atyre që duan të respektojnë ligjin vjen e mpaket nuk rritet, pasi ata janë përditë e më shumë nën presionin e dhunës që ushtrohet nga strukturat e këtij sistemi. Poende, në një sistem të tillë ligji bëhet gjithnjë e më shumë mjet presioni i shkelësve më të fortë të ligjit, ata që kanë pushtetin, mbi shkelësit e futur tashmë në grackën e sistemit.  Duhet shtuar, po ashtu, se në një sistem të tillë mendësia e shkeljes së ligjit për të mbijetuar vjen e bëhet kulturë dominante ashtu sikurse bëhet edhe dyftyrësia që e kthen retorikën e debatit politik, gjoja në emër të ligjit, në teatralitet gjithnjë e më qesharak. Prandaj, duke u shprehur ironikisht, shkrimin e fundit e kam mbylur me frazën: “Gjendja është e pashpresë, por jo serioze.”
E megjithatë, përderisa vazhdojmë të jetojmë në këtë vend do të vazhdojmë të kërkojmë të jetojmë në një vend, ku ata që respektojnë ligjin (të paktën në një masë të mirë) të rrinë në të ngrohtë kurse shkelësit në të ftohtë. Për këtë, në vazhdën e ideve që kam shprehur në shkrimet parardhëse, dua të them se sejcili, para së gjithash, alternativën duhet ta kërkojë në atë të voglën, të përditshmen e vet atje ku ponon dhe ku vuan dhunën e strukturave të këtij sistemi. Atje duhet të fillojë rezistenca ndaj kësaj dhune strukturore të sistemit. E di që kjo s’mjafton. E di që shumëkujt i vjen në gojë përgjigja se po të reagosh individualisht rrezikon të mbetesh edhe pa bukë. Megjithatë, nëse përdor si metaforë situatën e kafe-barit, di të them se duke dalë kokëunjur në të ftohtë, edhe pse ke të drejtën me vete, me idenë se s’ke ç’bën, kjo është Shqipëria, e të padrejtëve, s’bën tjetër veçse i shtyn jetën këtyre strukturave. Pa individë të revoltuar në emër të së drejtës nuk mund të ketë as masa të revoltuarish që imponojnë pastaj ndryshimin. Të presësh shpëtimtarë në formën e shqiptarëve apo ndërkombëtarëve, ndërkohë që vetë rri pasiv, është të jetosh me iluzione.  

7 comments:

Anonymous said...

Citim: kush shkel ligjin rri në të ngrohtë kurse kush e respekton apo e ka frikë është i detyruar të mbërdhijë si qen në të ftohtë.
___________________________________

Me sakte, nuk behet. Jo vetem per duhanin, por edhe me krahasimin me gjithcka. Eshte kthyer ne mentalitet tani.

Une personalisht jam me shume dakord me idene se edukaten e ben frika nga shteti i forte ne radhe te pare, dhe pastaj ndergjegjja qytetare. Jam i sigurt qe ndergjegja qytetare eshte ndertuar si pasoje e shtetit te forte. Ky mentalitet erdhi tek shqiptaret nga nje shtet anarkik, me te gjitha gjymtyret e paralizuara, qe e sollen demokratet e socialistet bashke ne keto 20 vjet. Arsyeja qe e bene te tille shtetin, eshte sepse nuk punesojne njerez me merite, por me miqesi e me militante.
Dhe shteti yne s'ka ku te veje me i dobet se kaq, dobesi qe tashme ushqehet prej vete popullit. Individet perfitojne, u pelqen tashme ky sistem, por harrojne se e vuajme si mase, si shoqeri.
Asnje s'ka frike nga polici per gjoba makine, sepse ia hedh lumit me nje lek nen dore. Pasojat jane aksidentet e panumerta.
Asnje s'ka frike nga katrat ne shkolle, se ia hedh lumit me nje mik e me leke nen dore. As se mos mbeten pa pune nese nuk mesojne, nuk kane frike, sepse ia hedhin lumit me miq ne pune shteti. Pasojat jane te panumerta, qe nga administrata shteterore e korruptuar,e cila detyrimisht do te jete e tille, per sa kohe qe formohet nga njerez qe e ndertojne jeten individuale me korrupsion ne shkolle, me policine e me gjetjen e vendit te punes. Pastaj habitemi pse ndodhin permbytje nga paaftesia, pse shperthejne gerdece nga paaftesia. Une do te habitesha po te mos ndodhnin.

Asnje s'ka frike as nga taksat, sepse i japin leke nen dore atyre te tatimores. Para pak ditesh, kur doli lajmi per shtimin e takses tek biznesi i vogel, pyeta nje shites dyqani ne lagje nese e vriste kjo takse e re. Me tha: "Une po 50 mije lekshin ne dore inspektorit do t'i jap. Po me kerkoi ai me shume, atehere me vret."
Pastaj habitemi se pse shteti s'ka leke te na zhdemtoje nga permbytjet, por ato leke duhet t'ua mbaje buxhetoreve nga rroga e te mbeshtetet i gjithi ne ndihma, si shtet lypsar.

Sic e keni thene, z.Lunonja, i njejti popull, ne kohen e nje shteti te forte, te Zogut apo Enverit, do ta kishte zbatuar ligjin e duhanit.
Pra per mendimin tim eshte me shume faji i shtetit te dobet se sa i popullit kjo qe po na ndodh.
Te jete per ndergjegjen qytetare, ta ndertojne kiosken mu tek dera e kryeministrise, po s'pati frike nga shteti. Po e beri njeri e shteti s'e prek, te tjereve u duket vetja idiote po s'bene te njejten gje. Prandaj vetem te drejtet ketu paguajne taksa, mesojne si qeni ne shkolle, dhe mbeten ata qe merdhijne ne te ftohte.

Unknown said...

gjeja qe me pelqeu me shume tek shkrimi juaj eshte fakti qe ne jemi te ndergjegjeshem per shklejne e ligjit. Kur po flisja me nje mik timin nordik dhe nje italian, nordiku akuzonte italianin per influencen e keqe qe ka pasur tek neve sidomos per korrupsionin. sipas mikut tim nordik ne ndryshe nga italianet jemi te ndergjegjshem per korrupsionin qe kemi, ndersa italiani kujton se e ka kaluar kete faze nderkohe qe sipas tij eshte i mbuluar nga mafia. Dhe kjo me beri te shikoj me shprese shqiperine.

Anonymous said...

kush shkel ligjin, rri rehat ne shtepine e tij (Shqiperi); kush e respekton, perfundon ne emigrim.
Emigrant nga Kanadaja

Parathenie said...

"kush shkel ligjin rri në të ngrohtë kurse kush e respekton apo e ka frikë është i detyruar të mbërdhijë si qen në të ftohtë."

Me kaq do ishte mjaftueshem.

Anonymous said...

I nderuar zoti Lubonja,

Une besoj se arsyet qe ne si popull kemi nje qendrim te tille ndaj ligjit sigurisht jane me te thella dhe shkojne pertej faktit te te paturit te nje shteti te dobet, te kapur nga shkelesit e ligjit dhe per shkelesit e ligjit. Kur them kete me vjen nder mend nje bisede qe kam patur me nje te huaj disa vjet me pare, per nje zone te re banimi ne Tirane te populluar me vila te reja e te bukura por qe dihet nga te gjithe qe jane te ndertuara pa leje. Gjate bisedes zoteria gjerman i cuditur me vuri ne dukje se njerezit e tjere i pranojne, u flasin dhe kane miqesi me banoret e atyre vilave duke e ditur fare mire faktin se keta njerez jane shkeles te ligjit. Nderkohe qe ne vendin e tij ata do te ndiheshin te izoluar dhe banoret e tjere nuk do t’i benin pjese te komunitetit te tyre. Megjithese ne Gjermani zor se do te shkone ceshtja deri aty sa dikush te arinte te ndertonte dicka pa leje, ideja e tij ishte se pervec ndeshkimit te ligjit keta shkeles te tij do te perballeshin edhe me ndeshkimin kolektiv te komunitetit.

Pikerisht kjo ndjenje e forte komuniteti per te mbrojtur te mirat e perbashketa duket qarte se nuk eshte aspak tipar i shoqerise sone. Shteti ligjor dhe forca e ligji nuk eshte nje alien qe vjen e ulet midis nesh. Per sa kohe ata qe ulen jashte ne e ftohte nuk jane me te vertete nje shumice e tille qe te beje dallimin me ata qe ulen brenda ne te ngrohte atehere ka pak shpresa qe te drejtat e “minoriteteve” te respektohen.

Anonymous said...

Cfare kuptimi ka zbatimi i ligjit nga duhanpiresi kur jeta jone vlen sa e nje milingone,kur nuk ekziston drejtesia.
Z.Lubonja besoj se e keni te qarte qe eshte e frikshme te kesh problem ne organet e drejtesise, ne mjekesi.
Mjere ai qe shkon atje,vetem drejtesi nuk gjen sot.Po te kesh para (per ta blere drejtesine) ose te jesh pushtetar atehere fiton dhe ate qe nuk te takon.Besoj qe e meritojme sepse votojme per kete menyre qeverisje.

Laura said...

Z. Lubonja, shkrimi juaj me nxiti te shkruaj nje diskutim ne lidhje me ceshtjen e ligjit. Nese keni kohe ta lexoni, eshte te Gazeta Shqip.

http://216.75.13.41/index/opinion/8dd2d259ac9b8d4bfda2aba2785d0e59.html